22.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Slogani “do të bëjmë” të zëvendësohet nga platforma “kemi bërë” 

Fushatat elektorale janë shndërruar në panaire gënjeshtrash parazgjedhore që, në mënyrë krejt legjitime, kanë rënë në dorën e subjekteve politike, të cilat, në shumicën e rasteve, i përdorin ato si karrem për grumbullimin e sa më shumë votave deri në ardhjen e tyre në pushtet. Pastaj, pasi t’u ketë funksionuar për mrekulli ky instrument manipulimi, dhe të kapin institucionet në dorë, pazari i partive fituese reduktohet në përmbushjen e ambicieve klanore, brenda hordeve të tyre, ndërkaq interesi i shtetit dhe i qytetarëve lihet mënjanë.

Këtij lloj “parimi”, që është bërë rregull në Kosovë, në vend se të ishte përjashtim si kudo tjetër në Evropë (pa Ballkanin), ditë e më shumë po i shfaqet boja e vërtetë edhe në sytë e qytetarëve. Përqindja e ulët e daljes në zgjedhje dhe emigrimi gjithnjë në rritje i popullsisë janë treguesit më të qartë se shumica e njerëzve nuk ju besojnë premtimeve elektorale.

Prandaj, kësaj radhe, partitë dhe koalicionet politike, që vërtet dëshirojnë të kthejnë shpresën dhe të nxjerrin popullin nga mjerimi si dhe t’i shpëtojnë institucionet dhe shtetin nga rrënimi, do duhej ta zhvendosin fushatën elektorale në retrospektive, duke iu referuar bëmave të tyre, gjegjësisht sa i kanë dhënë dhe sa i kanë marrë Kosovës.

“Ne kemi bërë dhe sërish do të bëjmë”, “Ne nuk kemi vjedhur dhe kurrë nuk do të vjedhim”, “Ne i kemi gjetur institucionet dhe shtetin në atë gjendje dhe e kemi sjellë në këtë gjendje” dhe referenca të ngjashme, do duhej të bëheshin platforma zëvendësuese të sloganeve tradicionale si: “Ne do të bëjmë këtë ose atë”, “Ne do ta luftojmë korrupsionin posa të vijmë në pushtet”, “Ne do t’i hapim rrugët zhvillimit dhe integrimeve”, e rrena të ngjashme.

Në këtë mënyrë, përveç elektoratit të vet me të cilin i lidh interesi i ndërsjellë, subjektet politike do të mund të përthithnin elektoratin e papërcaktuar, 18-20 (24) vjeç, të cilët posa e kanë fituar të drejtën për të hedhur votat e tyre të pasherr, në kazanët e shqyer zgjedhorë.

Nisur nga kjo referencë, varësisht prej bëmave, qytetarët do ta kenë mundësinë t’i gjykojnë arritjet e secilit kandidat dhe subjekt politik, dhe pastaj, me anë të votës, do të gjykojnë se kush janë ata që meritojnë (ri)përfaqësimin e tyre në institucione dhe kush jo, kush janë ata të cilët duhet të (ri)zgjedhën dhe kush jo. Kështu, duke i pasqyruar të arriturat e gjithsecilit, lufta për pushtet do të kthehej në një garë cilësore konkurrente, jo rivale, e cila do ta shpjerë në ndryshimin sasior edhe elektoratin tradicional.

Nëse këtë prezantim hezitojnë ta bëjnë vet subjektet politike, atëherë do duhej t’iu “ndihmonin” mediat dhe shoqëria civile, duke i portretizuar kandidatët e të gjitha partive që synojnë poste ligjvënëse (dhe të tjera), pavarësisht se kjo transparencë mund edhe të mos iu pëlqej shumicës prej tyre.

Ndryshe, nëse edhe mediet e shoqëria civile nuk e bëjnë këtë ri-kujtesë filtruese, atëherë edhe ato janë përgjegjëse për degradimin institucional dhe mjerimin shoqëror, ndërkaq thirrjet e tyre tek pavarësia dhe mos kapja nga politika dhe grupet e interesit do të kalojnë në farsë.

Kosovës, me dy shifra si shtet, i duhen subjekte transparente, institucione të pastra dhe përfaqësues kredibil që mbështeten tek baza e tyre retrospektive e shëndoshë për një perspektivë të sigurt, pa pasur nevojë ta premtojnë atë në fushata elektorale.

/Adem Breznica, gazetar dhe profesor i historisë/

Më Shumë

Presidentja Osmani përkujton 46 anëtarët e familjes Berisha që u masakruan 25 vjet më parë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 46 anëtarët e familjes Berisha të cilët u masakruan në pragun e shtëpisë së tyre në Suharekë,...

Viniciusi i përlotur: Gjithnjë e më pak po e ndjej futbollin

Anësori brazilian, Vinicius Jr, ka thënë se çdo herë e më pak po e ndjen lojën e futbollit për shkak të sulmeve raciste që...

Lajmet e Fundit