6.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Sot në 81-vjetorin e lindjes së këngëtares Vaçe Zela

Vaçe Zela ishte dhe mbeti emblemë e këngës shqiptare. Vokali i saj i jashtëzakonshëm, ai zë që i’u thurën legjenda, kujtesa dhe nostalgjia e gjeneratave e njohu si një mit.

Vaçe Zela mishëronte përfytyrimin më konkret të asaj çka ne kërkonim si në eter të përmbushte atë shpirt të etur për magjiken e këngës. Këndoi gjithçka, dhe kudo la vulën e një personaliteti të papërsëritshëm, që komunikoi me tërë arsenalin e mundshëm të ndjenjave, prej të cilave do të veçoja atë çka përbën thelbin e shpirtit të saj: dhimbjen njerëzore. Arritjet e saja udhëtuan me kohën për tu shndërruar në model frymëzimi dhe inspirimi. Zëri dhe repertori i pasur që la trashëgim vijojnë të mbeten gurë shndritës në xhërdanin e traditës shqiptare të këngës.

Vaçe Zela u lind në Lushnjë më 7 prill 1939 dhe vdiq në Bazel, Zvicër, më 6 shkurt 2014. Vaçe Zela ishte një nga këngëtaret ikonë e skenës shqiptare. Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën Fëmija i parë, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli Artist i Merituar në vitin 1973 dhe Artist i Popullit në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Ajo ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata kanë vajzën Irma. Që nga viti 2002 Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.
Vace Zela ne festivalin e Kenges ne Radio TelevizionAjo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.

Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj. /AlbertVataj /KultPlus.com

Më Shumë

Moti sot: Me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell

Moti sot parashihet të jetë me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell. Pritet që lokalisht të ketë ndonjë reshje të izoluar shiu,...

34 vjet nga vdekja e veprimtarit Fadil Vata

Sot mbushen 34 vjet nga vdekja e veprimtarit të çështjes kombëtare Fadil Vata. Ai është njëri nga veprimtarët dhe udhëheqësit më të devotshëm të Lëvizjes...

Lajmet e Fundit