Home Blog Page 1287

Latifi takon përfaqësues nga DEMOS-i dhe MAPL

0

I shoqëruar nga bashkëpunëtorët, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka zhvilluar takim të rëndësishëm me përfaqësues nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe përfaqësues të projektit DEMOS.

Në takim diskutuan lidhur me performancën e komunës gjatë viteve 2018-2022 dhe grantin e fituar përgjatë viteve, procesin e rishikimit të SMPK-së dhe të GPK-së, projektet e financuara nga granti i performancës, si dhe çështje të tjera që ndërlidhen me Grantin e Performancës Komunale, i cili pritet të shpallet më 9 shkurt 2024.

Kryetari Latifi ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe para tyre paraqiti kërkesat e qarta sa u përket çështjeve që i diskutuan.

Nga ana e tyre Komuna e Rahovecit mori lëvdata dhe përgëzime për angazhimin ekipor për punën në raportimin e saktë për performancë komunale.

LDK/ Aksion kundër punësimeve familjare të kryetarit të Prizrenit

0

Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) në Prizren ka realizuar sot një aksion denoncues për punësimet e kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj.

“Për LDK-në, qeverisja e Shaqir Totajt në Prizren, është në shërbim të familjes Totaj dhe vartësve të tij”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Banesa në shitje nga Renelual Tahiri  

“Pas punësimit të djalit të Shaqir Totajt, tashmë i erdhi radha edhe nuses së djalit të tij, që të punësohet nga vjehrri i saj”.

“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës – Dega në Prizren, një veprim i tillë jo vetëm që është i papranueshëm, por duhet të jetë edhe i dënueshëm nga instancat e drejtësisë. Pushteti duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, dhe jo në shërbim të familjarëve të Shaqir Totajt”.

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

“Kjo formë dhe logjikë e punësimeve, është veprim kundër çdo të riu në komunën tonë. Mesazhi që i jepet të rinjve prizrenas, është se institucionet publike komunale dhe shërbimi civil, janë të rezervuara për familjarët dhe farefisin e kryetarit Totaj dhe oborrtarëve të tij, kurse të rinjtë tjerët duhet të marrin rrugët e botës për një vend pune dhe për jetë më të mirë.Prizreni meriton qeverisje që do jetë në shërbim të prizrenasve dhe jo kundër tyre”.

Mund të jetë një imazh i 1 person, harta dhe tekstiMund të jetë një imazh i 4 persona dhe teksti

 

Cagliari do të emërojë stadiumin në nder të Gigi Riva

0

Skuadra e Serie A, Cagliari është vendosur të emërojë stadiumin e tyre me emrin e madhit të ndjerë Gigi Riva, i cili u nda nga jeta së fundmi.

Ish-ylli i Italisë, Riva, ka ndërruar jetë të hënën. Që nga nata e së shtunës ai ishte shtruar në spital pasi pësoi një krizë akute koronare ndërsa ishte në shtëpinë e tij. Mjekët shpjeguan se Riva-s i ishte ofruar një operacion angioplastik dhe se ai kishte refuzuar, duke kërkuar kohë për ta menduar. Disa orë më vonë një atak i ri në zemër rezultoi fatal.

Një nga emrat më të mëdhenj të sportit italian, Riva është aktualisht golashënuesi më i mirë për kombëtaren dhe mori nofkën “Rombo di Tuono” (Bubullima) pasi kishte fituar kampionatet evropiane me ekipin dhe ishte gjithashtu nënkampion i Topi i Artë në vitin 1969. Ai e kaloi pothuajse të gjithë karrierën e tij te Cagliari, duke refuzuar ofertat nga klubet më të mëdha pavarësisht se klubi i tij kishte vështirësi.

Me Sardenjen në zi, presidenti i Cagliari-t, Tommaso Giulini, ka konfirmuar se stadiumi i klubit do të emërohet tani me emrin “Riva”. Ai i tha “Sky Italia”: “Njeriu shkon, por legjenda ka lindur. Gigi Riva është Cagliari, dhe do të jetë përgjithmonë, nga sot më shumë se kurrë”.

“Të kemi shumë borxh, Gigi, dhe do të duhet të të respektojmë. Ne do t’i kushtojmë stadiumin Gigi-t, por mbi të gjitha përpjekjen e vazhdueshme të secilit prej nesh për ta bërë edhe më të lavdishme fanellën e Cagliari-t, siç bëri si lojtar, si menaxher, si një flamur që nuk do të ulet kurrë”, shtoi Guilini. AlbanianPost

Federata Italiane e Futbollit bëhet çështje në Parlamentin Evropian

0

Një eurodeputet gjerman ka paraqitur një pyetje në Parlamentin Evropian kundër rregullit të FIGC (Federata iItaliane e Futbollit) për Super League. “Kriteret e Federatës Italiane të Futbollit në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së në çështjen C-333/21”, thuhet në titullin e pyetjes, siç zbulohet nga gazeta “La Verita”.

Një temë e hedhur në tavolinë duke u nisur nga vendimi i Gjykatës së BE-së i datës 21 dhjetor 2023 me të cilin ajo “konstatoi se organizimi i garave të klubeve të futbollit është një aktivitet ekonomik që duhet të respektojë rregullat e konkurrencës dhe lirinë e lëvizjes. Rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s që miratojnë, kontrollojnë ose sanksionojnë anëtarët që marrin pjesë në gara të tjera, si Super League, janë një kufizim i paligjshëm për lirinë për të ofruar shërbime”.

Kështu eurodeputeti i EPP, Toine Manders vendosi të parashtrojë një pyetje në të cilën ai nënvizon se, “edhe pse fjalia është shumë e qartë”, Federata e Futbollit ka paraqitur kriteret që kërkojnë një “angazhim me shkrim për të mos marrë pjesë në garat e organizuara nga shoqata private të pa njohura nga FIFA, UEFA dhe FIGC. Këto kritere janë në kundërshtim me vendimin”.

Kështu lindin tre pyejte nga Manders: “A pajtohet Komisioni që kriteret e FIGC janë në kundërshtim me ligjin e BE-së? A keni ndërmend të merrni masat e nevojshme për të njoftuar FIGC-në për këtë sjellje të paligjshme? Çfarë veprimesh ka ndërmend të ndërmarrë nëse FIGC, edhe pasi të jetë njoftuar, nuk respekton ligjin e BE-së?”.

Rregulli ishte futur tashmë nga FIGC në vitin 2021. Ai që është riemëruar si rregulli “anti Super League”, në mënyrë efektive i pengon klubet që marrin pjesë në garat e organizuara nga organe private që nuk njihen nga UEFA dhe FIFA të regjistrohen në kampionatet kombëtare.

Rregulli u miratua me propozimin e Presidentit të FIGC-së, Gabriele Gravina.

Rrjedhimisht, në atë kohë u miratua edhe modifikimi i nenit 16, i cili tani thotë: “Për regjistrimin në kampionat klubi merr përsipër të mos marrë pjesë në garat e organizuara nga shoqata private të pa njohura nga FIFA, UEFA dhe nga FIGC. Pjesëmarrja në garat e organizuara nga shoqata private të pa njohura nga FIFA, UEFA dhe FIGC sjell humbjen e përkatësisë. Luajtja e ndeshjeve miqësore dhe turneve të pa njohura nga FIGC është subjekt i autorizimit të vetë federatës. Luajtja e ndeshjeve miqësore dhe turneve pa autorizimin e FIGC do të rezultojë në heqjen e anëtarësimit”.

Në veçanti, vijon gazeta, qëndrimi i FIGC-së është se vendimi europian ndalon “vendosjen e sanksioneve ndaj klubeve që marrin pjesë në garat alternative”, ndërsa ligji italian në fjalë modifikon mënyrën e regjistrimit të klubeve në kampionatet vendase.

Tani, megjithatë, Bashkimi Evropian do të vendosë nëse rregulli është në përputhje me vendimin e Gjykatës së BE-së apo jo. Albanian Post

Prokuroria në Prizren, për 24 orë/ Dhjetë aktakuza, një i ndaluar dhe dy kërkesa për paraburgim

0

Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se nga prokuroritë  janë ngritur pesëdhjetë e tetë (58) aktakuza kundër gjashtëdhjetë e pesë (65) personave, për vepra të ndryshme penale.

Ndërsa, urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar njëmbëdhjetë (11) persona të dyshuar, si dhe janë parashtruar tri (3) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër tre (3) personave, të dyshuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale.

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar për 48 orë, një (1) person të dyshuar, si dhe pranë gjykatës kompetente ka parashtruar dy (2) kërkesa për caktim të paraburgimit kundër dy (2) personave.

Ndërsa, nga kjo prokurori janë ngritur dhjetë (10) aktakuza kundër dhjetë (10) personave, për vepra të ndryshme penale.

Banesa në shitje nga Renelual Tahiri  

Apeli lë në “arrest shtëpie” Sali Berishën

0

Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi vendimin “arrest shtëpie” për ish-kryeministrin Sali Berisha. Vendimi është marrë këtë të enjte nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi duke lënë në fuqi vendimin e 30 dhjetorit të 2023.

Pas vendimit të Apelit të GJKKO, në komunikim për mediat, avokati i ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj ka thënë se për këtë vendim do të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë.

“Berisha u paraqit për t’u marrë në pyetje, dje gjykata e shtyu seancën për sot dhe nuk e kuptoj arsyen përse. Gjykata ka bërë gjithashtu edhe një gabim tjetër sepse nuk është shprehur gjithashtu mbi kërkesën për përjashtimin që kemi ankimuar. Vendimin do ta rekursojmë në Gjykatën e Lartë”, u shpreh ai.

Ismail Kadare, “agjent” i Mehmet Shehut!

0

Rrëfimi/ Helena Kadare tregon se sa i rrezikuar ka qenë Ismail Kadare më 1982-n, pas vrasjes së ish-Kryeministrit Mehmet Shehu

Ballë për ballë me Xhelil Gjonin dhe Simon Stefanin

Në tetor të vitit 1981, pas kthimit të Is nga panairi i Frankfurtit, befas i ramë më të se stina e qetë e përkohshme kishte marrë fund. Në fakt, shenjat ishin bërë të qarta prej kohësh, por, ngaqë Is tregohej shpesh i pavëmendshëm, i kishte hedhur pas krahëve. Gati një vit më parë, atë e kishin thirrur në Komitetin e Partisë të dy sekretarët, Simon Stefani e Xhelil Gjoni, për t’i njoftuar se motra e tij, Kakuja, ishte dëgjuar të fliste “kundër shtetit” dhe “kishte për të qenë me kohë në burg, në qoftë se s’do të ishte motra e tij”. Nga sqarimet e plota që i dhanë kur e thirrën, ishte se ajo mblidhej shpesh me disa shoqe, midis të cilave bënte pjesë edhe piktorja e talentuar Safo Marko, gruaja e shkrimtarit problematik, Petro Marko, si edhe një tjetër me emrin Asamble, e cila ishte arrestuar ndërkaq. Ndërsa pinin kafe, ato e kishin bërë zakon të merrnin nëpër gojë shtetin dhe udhëheqjen. Po kështu, si një njohëse dhe adhuruese e letërsisë ruse, Kakuja shoqërohej edhe me disa gra ruse të mbetura në Shqipëri, gjë që gjithashtu përbënte një faj!

Is, siç më tregoi, kishte dëgjuar me gjakftohtësi. Kur kishte ndodhur kjo gjë, ne po përgatiteshim për udhëtimin në Kosovë. Is kishte ndërkaq pasaportat, dhe një pasaportë ishte më e fortë se çdo kërcënim i Komitetit të Partisë. (Me një kthjelltësi të çuditshme më kujtohet tërheqja që i bëhej pasaportës nga polici ushtarak sapo që avioni cikte pistën e aeroportit. Më së shumti kujtoj fytyrën e të njëjtit person, sytë e tij të vrenjtur, dhe sidomos çehrja e vrarë e fytyrës. Ai nuk priste që njerëzit të zbrisnin në pistë. Hipte vetë deri në avion dhe i grumbullonte një nga një pasaportat e shqiptarëve, si të ishte duke marrë dëshminë më të rëndë të një krimi të kryer. Fytyrat e njerëzve, që i lëshonin ato në dorë të tij, kishin një si buzëqeshje të ngrirë, një si kërkim ndjese, për një faj që, natyrisht, s’e kishin bërë.)

Dialogu midis atyre të Komitetit të Partisë e Is, kishte qenë paka shumë ky:

Ata: Të njoftuam që të jesh në dijeni të problemit.

Is: Ju faleminderit. Por unë s’kam ç’i bëj asaj.

Ata: Sidoqoftë, ti je vëllai.

Ai: Ajo s’është në rregull, e di. Besoj se edhe mua më merr nëpër gojë.

Ata: (Vështrojnë njëri-tjetrin, pastaj dosjen që kanë përpara.) Në të vërtetë, ashtu është.

Kjo ishte fraza magjike, që, e shqiptuar rastësisht, ka lehtësuar, ndoshta, fatin e motrës. Kakuja vetë, e shtyrë nga vaniteti ose për të kënaqur kureshtjen e njerëzve, s’e kishte për gajle të tregonte poshtë e lart (këtë ma kishin thënë edhe mua kaq herë, miq e dashamirës) intimitete të shtëpisë, sidomos të Is, gjëra që nuk përkonin aq fort me përfytyrimin për shkrimtarin socialist, që është i mirë, i qeshur, i drejtë etj..

Sidoqoftë, ai u zemërua vërtet me të motrën dhe kishte të drejtë. Në thelb, Kakuja ishte gati të flijohej për Is, por pasioni për të folur ishte më i fortë dhe ajo ishte treguar fare e papërgjegjshme.

TO GO WITH STORY BY LAURENT LOZANO
Albanian novelist Ismail Kadare gestures during an interview with AFP on February 8, 2015 in Jerusalem. Born in 1936 in the Albanian mountain town of Girokaster, Kadare has won a number of prestigious prizes including the first international Man Booker Prize in 2005. AFP PHOTO/ GALI TIBBON

Ismaili në Komitetin Qendror

Episodi i hetuesisë së saj na u rikthye me një ndriçim të ri në atmosferën e krijuar atë vjeshtë të vitit 1981. Kudo flitej se kryeministri i vendit i kishte punët keq, për shkak të fejesës së famshme të të birit. Ne kishim lidhje të drejtpërdrejtë me çështjen, për shkak të njohjes me Bashkim Shehun, djalit tjetër të kryeministrit, që ishte një shkrimtar me talent. Me të na kishte njohur Gim Myftiu, dhe, për fat të keq, ishim treguar fare të pakujdesshëm në bisedat me të dhe gruan e tij të re, Marietën.

Disa ditë pas kthimit nga Frankfurti, Is e thirrën në Komitetin Qendror, për t’i hequr vërejtjen për takimin me Martin Camajn. Is nuk kërkoi t’i bënte bisht asaj që kishte ndodhur. Në pyetjen e parë të Sofo Lazrit: “Është e vërtetë se në Frankfurt ke takuar Martin Camajn, shkrimtar armik, apo jo?”. Is i qe përgjigjur pa mëdyshje: “Është e vërtetë”. Mbrojtja e tij ishte e thjeshtë: takimi ka qenë i rastësishëm. Veç kësaj, nuk e kam ditur që merret me veprimtari armiqësore.

Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave

Plenumi u bë në mars, në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës. Mbledhjen e kryesonte zëvendësi zyrtar i Enver Hoxhës, Ramiz Alia. Në radhët e para, midis anëtarëve të Byrosë Politike dhe të qeverisë, ishte gruaja e vetë diktatorit, Nexhmije Hoxha. Is ishte në presidium dhe prej andej ai duhej të dëgjonte para gjithë auditorit kritikat më të ashpra. Ato po lexoheshin nga kryetari i Lidhjes. Unë isha me shoqet e mia të zyrës në sallë. Rrija krejt e mpirë, duke ndjekur me kujdes çdo lëvizje të fytyrës së vrenjtur të Is. Pas frazave të frikshme, herë pas here ndieja në krah shtrëngimin e heshtur e plot kuptim të mikeshës sime, Nasta Haxhiu. Nga tribuna vinin fjalë të rënda. Romani akuzohej se bënte “aluzione për regjimin komunist”. Ishte kritika më e rrezikshme që mund t’i bëhej një vepre në Shqipëri. Ndërkaq dëgjoja me habi citime të frazave të librit, fraza që unë i dija të gjitha përmendsh, por nuk e di se nga çfarë ndryshimi apo renditjeje të çuditshme të tyre, ngjanin edhe më të frikshme se ç’ishin.

Të gjithë kujtuan se ky ishte fundi i Is. Atij vetë, për të dytën ditë i duhej të dëgjonte, me të njëjtën shprehje të ngrirë, ato që thuheshin për të. Tek e shikoja nga larg, nuk po arrija ta zbërtheja pamjen e tij. Jepte përshtypjen se nuk e kishte mendjen në ato që dëgjonte. S’mund të thuhej se ishte një shpërfillje, nga ato që ia njihja aq mirë dhe për shkak të të cilave kishte shkaktuar aq shumë acarimin e njerëzve. Këtë herë ishte ndryshe.

Gjatë pushimit mes dy seancave, dy miq të tij, duke u përpjekur të ishin të kujdesshëm, më thanë se ndoshta do të ishte më mirë që Is të tregohej disi më i vëmendshëm. Ose, së paku, të jepte përshtypjen tëtillë… Por ai nuk doli në sallë që ta takoja. Por edhe sikur të dilte, vështirë se kisha për t’ia thënë. Nga përvoja e dija se nëse doja t’i sugjeroja diçka, në këto raste, e mira do të ishte të mos i bija fare në sy, sepse e dija fort mirë se kishte për të ndodhur e kundërta.

Në seancën në vazhdim ai kishte përherë po atë shprehje munguese.

Mbledhja u mbyll vonë për t’u rihapur në katër të pasdites. Në shtëpi, duke u vërtitur nëpër kuzhinë për përgatitjen e drekës, ia thashë atë që mendoja dhe atë që më kishin thënë miqtë e tij. Për çudi, më ndoqi pa ndonjë interes të dukshëm, si të dëgjonte diçka që e dinte. Kur ma shpjegoi arsyen, i dhashë të drejtë. Fati i tij, domethënë fati ynë, nuk varej fare nga ato që thoshte kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve apo diskutuesit e zellshëm. As nga sytë zhbirues të Nexhmije Hoxhës, të cilët, që nga radha e parë ku kishte zënë vend, nuk i ndaheshin.

Fati ynë vendosej në një tjetër vend, larg nga kjo sallë, në qelinë apo në vendin e veçuar, ku po merreshin në pyetje Bashkim Shehu me të shoqen e tij të re, Marietën. Se ç’do të thoshin ata për ne, ishte shumë më fatale se gabimet e Pallatit të Ëndrrave që po numëroheshin aty.

VRASJA E KRYEMINISTRIT

Ngjarjet e këtij viti do të rrokulliseshin me shpejtësi. Më 17 dhjetor ndodhi vetëvrasja apo vrasja e kryeministrit. Pas dy-tri ditësh ai u shpall tradhtar. Menjëherë filloi të flitej për një komplot të madh, më të rrezikshmin e zbuluar gjer atëherë. Gjithë Shqipëria nisi të dridhej prej llahtarës. Gjithkush sillte ndër mend të afërmit që mund të goditeshin dhe rrezikun që vinte prej kësaj. Ne rrezikoheshim nga dy drejtime, nga Bashkimi me Marietën, biri dhe nusja e kryeministrit të vrarë, që ishin izoluar dhe priteshin çdo ditë të arrestoheshin, si dhe prej Gim Myftiut, babai i të cilit mund ta pësonte. Dhe po ta pësonte i ati, dihej, i biri do të kishte të njëjtin fat.

Viti 1982 hyri me këtë re të zezë. Ndërkaq, Bashkimi me Marietën ishin arrestuar. Por e keqja s’do të mbetej me kaq. Më 28 janar, në mbrëmje, ishim mbledhur me ca miq për ditëlindjen e Is, kur një nga xhumat e dritareve të dhomës së ndenjjes u thye nga goditja me gur. Gurët vinin nga rruga dhe Is mori në telefon rajonin e policisë.

Policët erdhën menjëherë, u sollën shumë mirë, bënë ekspertizën. Disa ditë më pas ngjarja u përsërit, këtë herë me goditje të derës së apartamentit. U përsërit i njëjti ritual: fotografimi, matjet, procesverbalet. Ky ishte fillimi i një historie të shëmtuar që zgjati shumë kohë. Kishim dëgjuar kaq shumë për marifetet që përdornin regjimet komuniste për të hedhur baltë mbi personalitetet e kulturës, por kjo telenovelë e pështirë i kalonte të gjithë kufijtë e imoralitetit.

Në kohën që Tirana gëlonte nga mbledhjet për demaskimin e “kryekomplotistit më të madh të të gjitha kohërave, Mehmet Shehut”, përpara banesës sonë, në mbrëmje qëllonte që dëgjoheshin britma: Ismail Kadare, agjent i Mehmet Shehut! Ose agjent i borgjezisë! Dhe të mendoje që Is ishte ende deputet i parlamentit, një fakt që detraktorët e tij do ta kujtonin një kohë të gjatë më pas!

Proverbi “Kur vijnë të këqijat, hapu derën”, merrte një kuptim të veçantë në vendet si yni. Në kohën që historia e përbaltjes ishte në kulmin e saj, një lajm i hidhur na erdhi nga Lidhja e Shkrimtarëve. Së shpejti do të bëhej plenumi i letërsisë, ku do të dënohej Nëpunësi i pallatit të ëndrrave. Mendimi i parë që na erdhi ishte: a kishte lidhje kjo gjë me çështjen e “xhamave të thyer”?

Xhevdet Shehu / SHKRIMTARI I KËRCËNUAR

Kthimi në të shkuarën është gjithnjë i dhimbshëm. Sidomos kur i kthehesh një periudhe tejet të zymtë, sikurse ishte ajo e viteve ’70-’80 të shekullit të kaluar, dhimbja shumëfishohet. Kësaj periudhe i janë kthyer shpesh vitet e fundit gazetarë, analistë e studiues, për të zhbiruar të fshehtën e krusmës që po ndodhte në Shqipëri. Në epiqendër të tragjedisë ishte kryeministri i vendit, sikurse u vërtetua më vonë, numri 2 i regjimit, Mehmet Shehu. Por enigma mbetet e pazbërthyeshme nëse do të hetohej vetëm emri i Mehmetit dhe vetëm tragjedia e tij. Sepse në vetvete, tragjedia ishte e stërmadhe. Ankthi i përndjekjes, arrestimeve dhe pushkatimeve mori përmasa të papara. Gjeratoret e rrathëve të të ashtuquajturit komplot kundër diktatorit shtriheshin pambarimisht. Dhe nëse do të vazhdonte të jetonte diktatura, nuk do të ishte aspak çudi që edhe sot e kësaj dite të dilnin armiq! Në këtë pohim nuk ka asnjë hiperbolë. Ata që e jetuan dhe i mbijetuan diktaturës nuk çuditen aspak. Mirëpo, çudia më e madhe është se në këtë “komplot” imagjinar del se paska qenë edhe shkrimtari Ismail Kadare! Ky është vërtet një zbulim. Shumëkush e ka quajtur alibi pohimin e Ismailit se ai ka qenë i kërcënuar në ato vite. Në të vërtetë nuk kemi të bëjmë me ndonjë alibi, por me një të vërtetë të madhe. Ismail Kadareja ka qenë realisht i kërcënuar dhe më e pakta ai do të përfundonte në burg, ose do të hante plumbin kokës! Sikurse është vërtetuar nga një pjesë e dokumenteve të zbuluara deri më tani, Ismail Kadare është llogaritur gjithnjë si bashkëpunëtor i “armikut” Mehmet Shehu dhe pjesë e komplotit kundër Enver Hoxhës. Për këtë flitej dhe shkruhej nëpër birucat e burgjeve dhe të hetuesisë së diktaturës. Flitej edhe në qarqe të caktuara jashtë burgjeve dhe hetuesive. Dokumentet janë dhe kjo është tashmë lehtësisht e vërtetueshme. Helena Kadare, në librin e saj “Kohë e pamjaftueshme” sjell disa dëshmi tronditëse lidhur me këtë periudhë, që përbën një nga momentet më delikate të jetës së shkrimtarit të madh. Por ajo më ngjethësja është dëshmia me firmë dhe vulë në hetuesi e ish-ministrit të Shëndetësisë, Llambi Ziçishtit. Sikurse është bërë tashmë e qartë edhe për më naivët, Llambi Ziçishti u pushkatua se bëri një “mëkat” të madh: pa kufomën e ish-kryeministrit të vrarë! Në hetuesi ai pak më vonë do të pohonte dhe do të firmoste se: “Mehmet Shehu që drejtonte grupin tonë armiqësor, kishte parashikuar, që përveç sektorëve të tjerë, që unë kam shpjeguar më parë, të godiste vijën e Partisë edhe në art e letërsi. Kështu, në një nga bisedat e shumta armiqësore që kam bërë me Fiqret Shehun, kam mësuar se në këtë drejtim kishte përpunuar me detyra edhe Ismail Kadarenë”. Ndërsa pak më poshtë Ziçishti pohonte: “Në një rast, më ka treguar ajo, kishte qenë edhe vetë e pranishme, kur Mehmet Shehu kishte biseduar me Ismail Kadarenë. Në këtë rast, Mehmeti e porositi Ismailin që të punonte me kujdes dhe të mos dilte hapur kundër vijës së Partisë, sepse kështu rrezikonte veten. Realizmit socialist, i tha Mehmeti, po i kalon koha dhe së shpejti do të vijë dita që shkrimtarët dhe artistët t’i shprehin gjerat hapur dhe pa ndrojtje, atëherë dhe letërsia dhe arti te ne, do të përparojnë dhe do të pëlqehen edhe nga bota e jashtme. Kjo, i tha Ismailit, Mehmet Shehu, do të bëhet kur të ndryshojë sistemi politik në Shqipëri”. Ky është një pasazh nga dëshmia në hetuesi e Llambi Ziçishtit. Nuk po i hyjmë analizës se si është dhënë kjo dëshmi por, qoftë edhe vetëm kaq do të mjaftonte për të marrë dënimin kapital në atë kohë. Si shpëtoi Ismaili? Kjo është çështje që meriton analizë më vete. Unë mendoj se fama e madhe e shkrimtarit bëri punën e vet, ishte ajo shpëtimtarja. Ismaili ka thënë diku se e ka shpëtuar vetë diktatori falë portretit që shkrimtari i ka bërë në romanin “Dimri i vetmisë së madhe”. Diktatorit i pëlqente ai portret, ishte dashuruar sit ë thuash me veten e tij. Një portret të tillë të ngjashëm nuk e kishte as Stalini në ndonjë vepër letrare. Diktatorit shqiptar nuk i dhimbsej shkrimtari, por vetvetja. Po të eliminohej shkrimtari, asgjësohej dhe portreti i tij. Si mund ta pranonte ai këtë? Ndaj na doli një diktator shpirtmirë, që dinte të falte! Në të vërtetë kjo është një alibi e pastër. Ndaj dhe nuk lejoi të linçohej shkrimtari. Ky është një arsyetim bindës. Por kjo nuk e zbeh aspak faktin se shkrimtari ka qenë seriozisht i kërcënuar në atë periudhë pikërisht prej veprës së tij, prej krijimtarisë së tij, por edhe të bindjeve të tij. Madje i kërcënuar trefish. Së pari, i kërcënuar si shkrimtar. Unë kam qenë i pranishëm në Plenumin e Lidhjes në mars të vitit 1982, kur Ismail Kadare është kritikuar rreptë për novelën “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” dhe kam parë e përjetuar drithërimën dhe akullimën që ka përshkuar sallën e mbushur me shkrimtarë dhe artistë. Shkrimtari më i shquar i vendit u kritikua për aludime të papërshtatshme dhe të rrezikshme në novelën e pallatit të ëndrrave që sapo ishte botuar. Dhe pjesëmarrësit në atë mbledhje pëshpëritnin: Po e hëngri Ismaili, llogarit se ç’mund të ndodhë me të tjerët! Së dyti. Ismailit në atë kohë iu stis një histori banale me vajzën që i shkaktoi shumë andralla shkrimtarit. Por, sikur të mos mjaftonin këto, po në atë kohë Ismaili ka qenë seriozisht i kërcënuar nga Sigurimi i Shtetit. Këtë kërcënim shkrimtari e ndiente, e nuhaste, e vërente t’i vërtitej si fantazmë dhe me siguri ka parandier prangat. Dokumentet e zbuluara më vonë e vërtetojnë katërcipërisht këtë fakt. Disa herë Ismaili vetë ka pohuar se nuk ka qenë disident. Të tjerët e kanë quajtur të tillë. Një pohim të tillë e bën edhe ish i burgosuri politik Spartak Ngjela në librin me kujtime të botuar tani së fundi. Sidoqoftë këtu nuk po analizojmë veprën e shkrimtarit, e cila është ajo që është dhe qëndron në pjesën më të ndritshme të letërsisë shqipe. Jemi në vitin 1982 dhe po analizojmë një aspekt jashtëletrar të shkrimtarit: Sa i kërcënuar ishte ai nga diktatura?

“Për të bërë s*ks me komandantin e policisë, gruaja e hoqi qafe duke…”- Ishte martuar me një nga vajzat më të bukura të Tiranës, historia e të burgosurit të Spaçit!

0

Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu  tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare.

Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976,  i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit.

U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh.

Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015),  ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.

******

3 – Poshtërsi pa fund

…Nuk ka javë, që autoburgu të mos vijë në Spaç. Vijnë të dënuar të rinj, të hutuar, sapo janë dënuar. Gjejnë të njohur të vjetër, bashkëqytetarë apo bashkëfshatarë të tyre. Krijojnë rrethin e tyre të miqve. Sjellin të rejat e fundit nga “Zëri i Amerikës” dhe të tjera radio, që flasin kundër regjimit të Tiranës dhe thashethemet ziejnë. Mekanizmi i çuditshëm që vepron këtu, i filtron lajmet në thashetheme dhe të vërteta. Me interes, priten lajmet që kanë të bëjnë me shëndetin e diktatorit…! “Aha, nuk e ka të gjatë, po ngordhi ai, merr fund diktatura… e ka treguar historia”. Na gënjente mendja!

Si rrodhën ato vite, pas vdekjes së tij e, deri më sot, dihet. Por le të vijmë te kujtimet. Vijnë edhe të transferuar nga kampe të tjera. Vijnë të ridënuar, nga kampe ordinerë. Vijnë edhe të ridënuarit e Spaçit. Të parin të ridënuar, që rikthehet në Spaç, shoh Fatos Lubonjën. Ngjan i vogël, ashtu i verdhë, i dobët. Duket që ka vuajtur shumë. E mbaj mend, duke ngjitur me mundim shkallët e pallatit, duke sharë me zë të lartë…! Vjen nga Ballshi edhe X.Y. Njerëzit i ruhen, sepse janë hapur fjalë që është spiun.

Unë jam njohur me të në Ballsh dhe nuk i besoj ato fjalë. Shoqërohem edhe me të, gjithsesi ruhem, ku i dihet; “po sikur të jetë e vërtetë, që është spiun”? X. Y., nuk shqetësohet nga fjalët që janë hapur për të: “E di Maks, – më thotë një ditë,- pse nuk e çaj kokën për ato llafe? Sepse, edhe 6 muaj burg më kanë mbetur, mezi pres të kthehem në shtëpi. Nuk dua të më ridënojnë. Nga zyra teknike dhe spiunët e tjerë, kujtojnë se jam i tyre dhe mbase më lenë rehat”!

Ia kam dëgjuar historinë e burgosjes, qysh kur isha në Ballsh. Punonte në një institucion kulturor në Tiranë. Njeri i qetë, punë-shtëpi. I martuar me dashuri me një vajzë, nga më të bukurat e Tiranës në ato vite. Kishte dhe dy fëmijë, djalë dhe vajzë. Gjithçka shkonte për bukuri, deri kur komandantit të policisë Q. B., që kishte një vëlla anëtar të Byrosë Politike të PPSH-së, i shkuan sytë, te bukuria e gruas së tij. Nuk pati zor ta hidhte në dorë, bukuroshen pa tru. Për të bërë seks sa më qetë me të, hoqi qafe bashkëshortin, e dashuruar marrëzisht pas së shoqes. Kollaj fare, 2-3 dëshmitarë të rremë dhe i japin 8 vjet burg, për “agjitacion e propaganda, kundër…”!

Fëmijët u rritën dhe me kohë e kuptuan që nëna e tyre, kishte filluar të shkonte, sa me një dashnor, me tjetrin. Ishte bërë një kurtizane klasi të lartë. Pas divorcit me X. Y., “për të mirën e fëmijëve, kupton i dashur, se ndryshe nuk fitojnë dot arsimin e lartë, jo se nuk të dua ty…kur të lirohesh, bashkë do të jemi përsëri”. Një javë para lirimit, i vjen një letër nga fëmijët, që i shkruanin rregullisht. E shoh që fut letrën në xhep, mjaft i tronditur.

I afrohem dhe e pyes me kujdes: “Lajme jo të mira”?! Ma le letrën në dorë, ashtu si somnambul…i hedh një sy shpejt e shpejt, i shkruanin keq, për nënën e tyre, i thoshin që e kishin dëbuar nga shtëpia, sepse mungonte me javë të tëra dhe kur kthehej, sajonte justifikime shërbimesh, por vajza e pat ndjekur dhe e kish parë me dashnorë të ndryshëm në plazh, apo në qytete të tjerë. Ia kthej letrën: “Çfarë do të bësh tani”?!

– “Si more çfarë do bëj, do t’i bëj rezil. Si guxojnë dhe flasin kështu për nënën e tyre, që u bë cope, deri sa u siguroi universitetin, i mbajti gjallë, pa baba, gjithë këto vite! Shpifje janë, të tëra…. asnjë fjalë nuk besoj nga këto…”!

I ofroj një cigare dhe e ftoj për një kafe: “Eja flasim, qetësohu, ja dhe ca ditë, do të shkosh në shtëpi dhe do t’i sqarosh gjërat me qetësi…”!

– “Faleminderit Maks, kafe nuk dua, boll m’u rrit tensioni nga letra…! Rrofsh për fjalën e mirë dhe… të lutem, mos e bëj fjalë me njeri, kupton…”!

– “Mos ki merak, miku im, rri i qetë. Po të kesh nevojë për mua, eja pa teklif”.

Një ditë para lirimit, e thirrën në takim. Ishim bashkë, priste t’i vinte gruaja, për t’i sjellë teshat e lirimit. Fluturoi: “Më prit, ë. Ja gjysmë ore dhe erdha”!

U kthye shpejt, me çantën e teshave në dorë. Sytë i kishte të skuqur, nga lotët: “Ajo ishte, më solli kostumin e mirë, atë që pata veshur, kur u martuam” dhe gëlltiste lotët. – ‘Nuk jam e denjë më për ty’ më tha. ‘Të kam tradhtuar, mijra herë. Nuk mund të të shoh më në sy’! ‘Jo moj e dashur, – i thashë, – çfarë më thua, kjo është bombë për mua. Mezi e prita këtë ditë. Të dua, e kupton, apo jo!? Të kam falur gjithçka, çfarëdo që ke bërë…! Nuk është faji jot. Do të jemi bashkë tani, përgjithmonë…! Kemi dy fëmijë…! ‘Jo, jo, nuk mundem, fëmijët janë të rritur tani. Unë kam një vit, që nuk jam me ta…! Shko në shtëpi, ty të duan, mezi të presin”! Dhe iku, iku duke qarë…iku.

Të nesërmen, kur e përcolla, ishte veshur si dhëndër dhe dukej fare i qetë. “Paç fat”! e urova, – “dhe shyqyr që ia arrite kësaj dite”!  “Jo”, – më tha, – “kështu si unë, mos e arriftë njeri…”!

4 – A dashuron më njeri kështu?!

…Sot është e dielë. Në Shkodër i thonë “e dille”. E kam dëgjuar së pari prej Ndoc Naraçit, në Tresh të Lezhës. Ishte e dielë, korrik i vitit 1964. Im atë ato vite, punonte aty dhe ne gjendeshim të gjithë në Tresh; rreth orës 10, bie dera. Nëna ime e hapi dhe iu uroi mirëseardhjen miqve; ishin një çift i moshuar, pak a shumë te shtatëdhjetat. Im atë doli dhe sa i pa: – “Ooo Ndoc, sa mirë e bëtë që erdhët. Zonja Eva, mirëmëngjesi”.

Isha nja 13 vjeç dhe shikoja me habi çiftin, që ngjante sikur vinte nga një udhëtim, me makinën e kohës, për nga etiketa dhe edukata në të folur dhe jo vetëm. Edhe në krehjen e flokëve. Në veshje. Mënyra si e shikonin njëri-tjetrin, gjithë dashuri, si të porsafejuar adoleshentë. Nga theksi kuptohej, që zonja Eva ishte e huaj, por vetëm nga theksi, shqipja e saj, ishte fare e saktë. Një shqipe e bukur, një shkodranishte si e Ndocit…! Me kohë e mora vesh, historinë e çiftit Naraçi. Dhe nuk është një histori e lexuar, apo e parë në ato telenovelat braziliane e turke, që gratë i ndjekin me shami në dorë…!

Djaloshi Ndoc Naraçi, pinjoll i një familjeje të njohur shkodrane, mbaroi studimet e larta në Vienë. Truplidhur, sytë e kaltër, flokëverdhë, nuk dallohej aspak nga vendasit. Student i shkëlqyer dhe djalosh i pashëm, nuk humbiste asnjë rast, nga ballot e famshme vjeneze, ku bëri edhe miq të shumtë, nga familje të mëdha austriake. Aty njohu edhe zonjën Evelyn, me origjinë hebreje polake, e martuar në një familje të madhe dhe të pasur vjeneze, kishte dhe dy djem, nga martesa e saj. U njoh me Ndocin dhe u dashuruan të dy, me njëri-tjetrin.

Në prag të viteve ’30-të, Ndoci u diplomua inxhinier në Vjenë. Evelyn u divorcua nga bashkëshorti i saj dhe me Ndocin, erdhi në Shqipëri. U martuan. Të lumtur, të pasur, të dashuruar. E donin të dy Shqipërinë, muzikën, poezinë, udhëtimet nëpër Evropë. Nuk u mungonte asgjë. Dora e inxhinierit të ri, është në të gjitha ndërtimet e kohës. Talenti i tij, ra në sy edhe të Mbretit Zog i I-rë, prandaj në vitin 1935, Ndoc Naraçi emërohet ministër i Punëve Botore (ministër i Ndërtimit) në qeverinë e kohës. Lumturia është e plotë: ministër në moshë të re, me një grua të bukur që e donte, që fliste 4- 5 gjuhë dhe shqipen e mësoi menjëherë. Lumturi që do të ndërpritej më vonë, brutalisht, në mënyrë absurde. Por që nuk do të cënonte kurrë, dashurinë e tyre.

Ajo ishte e përjetshme. Filloi okupacioni italian, mbas ’43-it, një vit nën gjermanët, nuk qe e lehtë për Ndocin, me një grua me prejardhje hebreje. Por, arritën t’i mbijetojnë, edhe kësaj. Kurrkush nuk i spiunoi, nuk i tradhtoi. Lufta mbaroi, vendi ishte i shkatërruar, Ndoci ishte gati t’i përvishej punës, për rindërtimin e vendit. Nuk pati nevojë pushteti “popullor” i mbas ’44-ës, për shërbimet e ing. Ndoc Naraçit. E arrestuan me akuzën; “armik i popullit”. E dënuan 10 vjet; i konfiskuan gjithë pasurinë. Zonjën Evelyn, e ftuan të largohej nga Shqipëria, si shtetase e huaj…! Kryelartë, kundërshtoi ofertën për t’u larguar nga vendi. Bëri punët më të rëndomta, për të jetuar dhe për të ndihmuar burrin e saj, në burg.

Ajo që ishte rritur me shërbyese, që i pastronin shtëpinë, gatuanin, i lanin teshat…punoi si shërbyese, rrobalarëse, mësuese e gjuhë-ve të huaja privatisht dhe nuk iu nda kurrë të dashurit të saj, derisa ai doli prej burgu. Në vitet ’60-të, një prej djemve nga martesa e parë e zonjës Eva, punonte në ambasadën amerikane në Paris, vinte çdo vit në plazhin e Durrësit, ku rrinte rreth dy javë, për të takuar nënën e tij…! “Çfarë të të sjell nënë, këtu nuk ka asgjë….”?! – “Vetëm libra, biri im, vetëm libra…”!

Kthehej në Tresh të Lezhës, pasi takonte të birin me valixhet mbushur plot me libra: frëngjisht, anglisht, italisht, rusisht, gjermanisht…!

Vdiqën në fillim të viteve ’90-të, pak ditë pas njëri tjetrit, thuajse njëkohësisht, kuptohet, në Shkodër.

Shkodra e tyre, ishte e gjitha në varrim; Shkodra e artit, e poezisë, e muzikës, e dashurisë, e anti-komunizmit, i përcolli ashtu si e meritonin: me dashuri.

(Shënim: Ndonjë pasaktësi imja, ka të bëjë vetëm me ndonjë datë, ndoshta. Por nuk i dhashë shumë rëndësi saktësisë së datave. Ndoc dhe Evelyn Naraçi, janë të përjetshëm, si dashuria e tyre).

                                                                   KREU III

                                       Udhëtim drejt Veriut (jo për turizëm)

 SPAÇ

Pata dëgjuar shumë për Spaçin, qysh në kampin e Ballshit. Flitet me nderim për Spaçin dhe spaçianët këtu, mbas revoltës së majit ’73. Shumë shpejt, do të kisha rastin të bëhesha edhe unë spaçian. Më pat premtuar me ulërima dhe i skuqur nga inati qysh në maj ’79, vetë Kapllan Shehu (që tani ishte transferuar në Lushnjë, si kryetar Dege), shumë më tepër se kaq. Dhe ja, befas, javën e dytë të korrikut ’79, kur mezi prisja të më vinin njerëzit e mi në takim (më datë 15 mbushja 28 vjeç), buçiti altoparlanti: TË GJITHË ATA QË DO TË DËGJOJNË EMRIN, DUHET TË MBLEDHIN GJËRAT E TYRE DHE PËR 5 MINUTA TË GJENDEN TË RRESHTUAR TE PORTA…!

…Emri im është i treti në listë. Nuk kam kohë të takoj njeri, dhjetëra policë në kamp u bënë gardh, mes nesh dhe atyre që mbetën aty. Vetëm Aladini, që më ndihmoi të merrja plaçkat e mia, mezi arriti të më përqafojë: “Mos u mërzit, vëllaçko”!

Hapet porta, dalim, mbyllet porta. Janë tre kamionë. I pari, është me ushtarë të armatosur rëndë. Në mes, është kamioni ynë. Pas nesh, një kamion tjetër me ushtarë. Mbi kabinën e shoferit, një mitraloz dy këmbësh dhe një ushtar, i bërë njësh me të, me gishtin në këmbëz. Dy policë, janë në fund të kamionit tonë, të zbuluar. Një prej tyre, i bërtet ushtarit me mitraloz: “O koqe, hiqe gishtin nga këmbëza e mitralozit, se do na vrasësh të gjithëve”!

Na lidhin me pranga gjermane të Luftës së II-të Botërore, dy vetë, një palë pranga. Unë jam tek. Polici më lidh vetëm, me që jam tek dhe i fundit: “Ti, Maks, do të ulesh pranë meje, në fund të kamionit. Prangat, m’i ka lënë fare lirshëm. “Mbaji mirë, mos të bien, se na dhjeve”! më porosit duke buzëqeshur. Ndërkaq nisemi. E shoh me habi. Nuk e njoh, sepse nuk ka bërë kurrë shërbim brenda kampit.

– “Mua më quajnë Fatmir”, – më prezantohet – “Nuk më mban mend mua”?!

– “Jooo, po emrin tim ku e di ti, Fatmir”?! – i flas me emër, me që po tregohet shumë i përzemërt.

– “Nuk ke faj. Atë ditë që takove kryetarin e Lushnjes, ishe tym, Makso. Nuk shihje nga sytë. Unë isha pas derës dhe e dëgjova të gjithë bisedën tuaj. Më ke lënë pa mend…! Hahahaha…! Sidomos kur i the: do vij të të dhjes në varr, kur të dal nga burgu…! Ahaha, e bëre të flasë me vete. Hallall. Prandaj t’i lashë prangat e lira, ta dish. Kur ia tregova muhabetin tënd një shokut tim, që është polic në Fier, ore u gajas së qeshuri, bravo i qoftë, tha për ty”.

Duket djalë i mirë Fatmiri. Më mban me muhabet gjithë rrugës, deri sa arrijmë në Spaç. Gjithsesi, jam shumë i vëmendshëm në bisedë me të, por ai nuk bën asnjë pyetje provokuese, madje më shumë flet ai, se unë. Me të mbërritur në Spaç, më shtrëngon dorën fort dhe më thotë: “Të uroj shëndet Maks. Jemi një moshë dhe më vjen shumë keq që je në burg. Kështu e ka jeta. Mos u mërzit, nesër nuk është çudi, më futin edhe mua këtu. Kështu. Hajt pra, qofsh mirë”! Nuk e kam parë më. E përshëndes, kudo që të jetë, nëse vjen dita dhe i lexon këto rreshta. Ka patur njerëz të mirë edhe atje, ku nuk duhej të kishte!

…Na kontrollojnë përsëri policët e Spaçit. Me shumë zell, me imtësi. Dikur kontrolli mbaron dhe fillon jeta e Spaçit. Kam merak për familjen, se i prisja pas dy ditësh, në Ballsh. Një mik më ndihmon dhe dërgoj telegram në shtëpi, me adresën e re. Por telegram, shkon një javë me vonesë. Gjyshja, nëna dhe im vëlla, Dashi, shkuan më kot, deri në Ballsh. Atje u thonë shkurt: “I dënuari Maksim Rakipaj, nuk ndodhet më në këtë repart. Ne nuk kemi asnjë dijeni, ku është. Pyesni në ministrinë e Brendshme”! Në ministri, nuk marrin asnjë përgjigje. U thonë vetëm kaq: “Është transferuar, në një repart riedukimi tjetër. Më vonë, ejani për të pyetur”! “Më vonë?! Kur”?! “Më vonë, thashë. Hajt, ditën e mirë”! Kur marrin më në fund telegramin tim, me adresën e re, qetësohen. Qetësohen, thashë?! Ehhh…!

Sa vjen e hëna, filloj punë në minierë. Tre ditët e para, janë për “instruksion”, për njohjen e minierës dhe rregullave të sigurimit teknik. Të duket sikur hyn në ferr. Për një si unë, të pamësuar me punë të rëndë fizike, është tmerr i vërtetë. Më thonë që do punoj, në një grup tresh: një minator dhe dy punëtorë me lopatë. Norma e grupit, është 8 vagonë të mbushur me mineral (2 ton mineral për vagon), dy palë armatura, betoni ose druri, dhe një palë bira.

– “Por birat i ban minatori – thotë Zef Nishi, brigadieri i dënuar – Ty nuk të majn kamët, nuk të ban kush minator, o Maks. Ndoshta të bajnë novelist”.

– “E ç’do me thënë novelist”?! – pyes me ndrojtje.

– “Nivelist?! Ja, me shty vagonin, si ai atje…! Naj lek në fund të muejit, e merr, se varet nga norma e brigadës. Puna nivelistit, posht 100 %, nuk bjen kurr, i merr të paktën; 7- 800 lek në muj”.

Tre ditët e para, punoj nivelist. Duhet mbushur vagoni te tremozhat dhe duhet nxjerrë jashtë për t’u shkarkuar, te një depozitë e madhe. Poshtë, vijnë kamionë të mëdhenj, për t’u mbushur. Edhe me targa të Durrësit. Vagonët duhen shtyrë, mbi ca shina te holla.

– “E sheh këtë platformën metalike?! Kjo është pjatina, shërben për të rrotulluar vagonin, nga një galeri në tjetrën”.

Bëj disa rrugë, duke ndihmuar një nivelist të vjetër, ai nuk e ka hallin të më mësojë mua:

– “Ohu, më duhet të bëj normën. Shif ça bëj unë, atë bëj edhe ti. Nesër do jesh vetëm, nuk të ndihmon njeri”.

Të nesërmen jam vetëm. Që në rrugën e parë, më del nga shinat vagoni, i mbushur plot. Me katër rrota në tokë. Po tani?! I vij rrotull, i pashpresë. Provoj ta ngre, për ta rivënë mbi shina; ku tundet ai. Vjen një novelist, me vagonin e tij:

– “Ça mutin, mar zot! I ke sytë në ballë a jo, harrove me e pre, kyt mut vagoni?! Ça pret, jepi, ngreje se jam vonë”!

– “E provova, por nuk lëviz”, – i them.

– “Kuku, për mu, duhet me të ngrejt vagonin edhe ty, tesh”.

Duket shkodran nga dialekti.

– “M’u hiq knejna, se e ngrej vetun” – dhe sa hap e mbyll sytë, vagoni u vu mbi shina.

– “Nga të kena? Si ta thojn emnin”?

– “Durrësi. Maks, po ty”?

– “Nga Shkodra. Emën mutit kam, Enver, por më flasin Ruke. Kur kam le un, nji hoxh mutit, i thot plakut: Enver venia emnin. Dhe plaku, nuk ia prishi. Me kë e ke, kujt me ia prish?! Sikur s’pat emna të tjerë?! Mafmut, të ma kishte vu, le të më thirrshin; Mut, shkurt. Por jo Enver, pash zotën! Dhe për të zez temen, ma shajn nanën, tan ditn e giatë, si në kamp, si në galeri. Pak m’u vonue në radhë, për shembëll, veç kur ia fillojn me sha, me libër shpije, niji tesh, se po vijn nja dy me vagona…”!

Dhe vërtet, sapo e dalluan Ruken, filluan: – “O Enver kurva, që të është bëre bytha si pjatinë piriti, pse ke bllokuar rrugën. O Enver muti, nashti e gjete vaktin, ta hash në bythë… ahahahh… O zot i madh, vdeksh, o Enver”!

– “Amin, ishalla! Mir po e dij vet, se nuk e keni me mue”, – nuk e prish terezinë Rukja – “Ndihmova kte të riun, me ngrejt vagonin. E quejn Maks, asht prej Durrci”.

– “Qenkeni pjekur tamam, Marksi me Enverin… ahahah. (lab ky, nga dialekti). Dëgjo vëlla, po je djalë i mirë, do të kesh ndihmën e të gjithëve, po je shkërdhatë, më mirë thuaju të të gjejnë nanjë vend nga zyrat, se këtu do lesh kokën”!

…Ky është prezantimi i parë imi, me minierën. Pas ca ditësh, me organikën e re, më caktuan minator në zonën IV. Për të mësuar përdorimin e martelit, kam Agim Hamitin, nga Vlora. Agimi është pak më i shkurtër dhe më i mbushur se unë. Krijojmë besim shpejt, te njëri tjetri.

– “Mua dhe ty, nuk na kanë vënë minatorë, për të bërë planin e brigadës – thotë Agimi – por për të na nxjerrë shpirtin, pak nga pak. Na japin frontet me shkëmbin më të fortë. Nga 8 atmosferë ajër, që duhet normalisht, për martelat WUP, nga kompresorët në frontet ku janë si puna jonë, që duan t’i vdesin në pluhur, nuk dërgojnë as 4 atmosferë. Do ta shohësh vetë. Edhe punëtorë, na japin më të dobëtit. Ndonjë, është edhe spiun i komandës”.

Dhe e shoh vërtet. Agimi ka të drejtë. Kam dy punëtorë: Islam Spahiun dhe Ahmet Kolgjinin. Islami është i fuqishëm, por nuk ia thotë lopatës. Njeh shumë mirë frëngjishten dhe poezinë frënge, është edhe piktor. Njeri i shkëlqyer, mik i rrallë. Ahmeti, i rritur nëpër internime, qysh fëmijë. I verdhë, i dobët, me 5 diagnoza në zemër, por punon fort, me gjithë shpirt. Njeh disa gjuhë të huaja. Enciklopedinë franceze, ‘Larousse’, e di thuajse përmendësh. Nuk ka fushë të artit, shkencës apo fees, që të mos njohë Ahmeti. I përjetshëm qoftë kujtimi yt, miku im Ahmet!

Brigadieri është i pakënaqur, me punën e grupit tim:

– “Më vjen keq, por nuk kam ç’të bëj. Ke dy ditë, që nuk ke mbaruar dot një palë bira. Armatimin e ke për faqe të zezë. I kam raportuar policit të brigadës, Markut edhe zyrës teknike. Po nuk i bëre birat edhe sot, të pret biruca, Maks”.

– “Po qe puna kështu, shkoj qysh tani në birucë. Me 3 atmosferë ajër, që më vjen mua, jo unë, por as minatori më i mirë, nuk i bën dot birat, rri këtu me mua dhe shikoje vetë”.

– “Unë nuk kam vetëm frontin tënd, kam një brigadë për të ndjekur. Hajt, vazhdo punën”!

Ajri i pakët, me zor e rrotullon barominën, po t’i mëshoj me forcë, ndalon fare. Kam bërë vetëm dy bira, nga 80 cm. Duhet të bëj 8, ose 9 bira, nga një metër të thella. Ndjej një dorë në sup. Kthej kokën, shoh policin e brigadës, Mark Marku. Janë 2 a 3 policë, me këtë emër. Ky duket tip i qetë, i heshtur. Nuk qesh kurrë. Ma bën me shenjë, të fik martelin. Bëj si më thotë. I shkoj pas, deri sa largohemi nga balli i galerisë dhe mjegulla e pluhurit. Ulemi mbi dy trungje ahu, që i kam për të armatosur galerinë. Më pyet me zë të lodhur, nga jam, si më quajnë.

– “Rakipaj, the? Ç’e ke Xhaferrin, drejtorin e Bonifikimit të Lezhës”?

– “Babë e kam”.

– “E kam pi pra, nji kafe në Laç, me Xhaferrin. Burrë i naltë. Asht shum shok, me dajën tem, që asht drejtor i Parkut të Laçit. Jo, more! Shif si të rrokullis jeta. Sot un jam polic, me rujt të birin e Xhaferrit! Ma pat than daja, por nuk e dijsha, se je ti. Nga nesër, do të kesh ajër, aq sa lypet me ba bira, do vij vet me të pa në front. Po s’pat ajër, mos e rruj, leni pa ba. Me gishta, nuk bahen birat në shkamb. Sa të jem polic shoqnues i ksaj brigade, nuk ke me hy në biruc, për punë birash pa ajër. Baba a të vjen? Po, eh. M’i ban shum të fala”.

E mban fjalën Marku. Por, sado që e bëj normën çdo ditë, nuk arrij të marr lekë asnjëherë në Spaç, edhe atëherë kur e plotësoj mbi 100 %, normën mujore.

– “As mos prit të marrësh – më thotë Agim Hamiti – Me paratë tona, paguajnë spiunët, ata kurvat e komandës”.

Ma pat thënë edhe shkrimtari Halil Laze, që ishte në një grup të fortë me inxhinier Xhafer Agarajn dhe ish oficerin topograf, përmetarin, Diogjen Nako. Ata bënin çdo muaj mbi 150 %. Kur kishte shkuar me polic Markun, për t’u ankuar te normisti i dënuar, ky i fundit, i nxehur, kishte nxjerrë një copë letër nga xhepi dhe i kishte bërtitur policit me inat: “Po këta, si do t’i paguej unë, ë? A din me ma thanë?! Ik fol me ata të mëdhejt e komandës, s’ke pse ban hiç llafe, me mu…”! Memorie.al

Mot sot i vranët, minimalja minus dy gradë Celsius

0

Në Kosovë sot do të mbajë mot kryesisht i vranët.

Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -2 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 9-12 gradë Celsius.

Do të fryjë erë nga drejtimi i perëndimit dhe veriperëndimit me shpejtësi 1-6m/s.

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

Berisha: Po të mos ishin Hashim Thaçi e Kadri Veseli, Serbia ‘këmbëkryq’ do të ishte në Kosovë

0

Ish deputeti i Kuvendit, Zafir Berisha që vjen nga Nisma për Kosovën, ka thënëse ish presidenti Hashim Thaçi dhe ish kryeparlamentari Kadri Veseli janë më meritorët për çlirimin e Kosovës.

Berisha në emisionin “Politiko” me Kushtrim Sadikun në Kanal10, ka thënë se Thaçi e ka çliruar Kosovë dhe nuk e ka nda.

“Hala Serbinë këmbëkryq e kishe pas në Kosovë nëse nuk ish kanë Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe do shokë tjerë.

Ata burra sot janë duke u përballë me Serbinë e cila ka bë dosje të rrejshme me ndihmën e argatëve të Serbisë që flasin shqip edhe nëpër studio”, është shprehur Berisha.

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

Sipas tij, nuk është etike që të flitet për ta, përderisa ata gjenden në Hagë dhe nuk e kanë mundësinë t’u kundërpërgjigjën kritikëve.

“Sot Kosova është e lirë falë atyre katër burrave në Hagë dhe do burrave që kanë mbetë këtu pari,. përndryshe po e përsërisë këmbëkryq e kishe pasur Serbinë këtu”, është shprehur Berisha. /GAZETA10/

Banesa në shitje nga Renelual Tahiri