Është gjetur i vdekur dje një person në Rahovec, shkruan Gazeta Express.
Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar për obduksion.
“Fsh. Opretushë, Rahovec 31.10.2023 – 14:30-22:00. Raportohet se është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Sipas dëshmitarëve viktima ishte person me të meta mentale. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar për obduksion”, thuhet në njoftim.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfere, Hekuran Murati, ka thënë se pas votimit në qeveri të projektligjit për ndarjet buxhetore, do të ketë rritje të pagave në sektorin publik.
Murati bëri të ditur se buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 3 miliardë e 340 milionë euro, ku të kategoria e pagave, koeficienti do të rritët nga 105 në 110.
“Nga 105 të bëhet në 110, kjo nënkupton që paga mesatare në sektorin publik të jetë rreth 780 euro burto, apo të ketë edhe rritje të theksuar, krahasuar me rritjet paraprake”, tha Murati, njofton Klankosova.tv.
Më tej, ai bëri të ditur se rritje të buxhetit ka edhe te kategoria e shpenzimeve kapitale, e cila vlerë është 860 milionë euro.
“Sa i përket kategorive të tjera të shpenzimeve, tek kapitalet edhe aty ka një rritje, vlera është 860 milionë euro tek investimet kapitale, ndërsa tek pjesët tjera kryesisht është mirëmbajtur në nivele të përafërta, apo një rritje të lehtë tek kategoria mallra dhe shërbime dhe një tkurrje të lehtë tek subvencionet dhe transferet”, tha ai.
Buxheti i Kosovës për vitin 2024, do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.
Projektligji mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2024, të martën në mbledhjen e qeverisë ka marrë vulën e ekzekutivit dhe do të përcillet për Kuvend, ku do t’i nënshtrohet debateve në komisionet përkatëse dhe në fund do të votohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, raporton RTKlive.
Kryeministri i Kosovës, Albi Kurti tha se buxheti i Kosovës për vitin 2024 do të jetë, 3 miliardë e 314 milionë euro. Ai tha se koeficienti i pagave do të jetë 110 euro.
Kurti tha se janë ballafaquar me shumë sfida të shumta, siç janë edhe çmimet e energjisë. Kurti tha se përkundër krizave qeveria ka menaxhuar mirë ato, duke përmendur edhe mbështetjen për qytetarët.
Ai ka përmendur edhe shtimin e vendeve të punës për të rinjtë. Shefi i ekzekutivit ka përmendur edhe mbështetjen ndaj bujqve, grave në biznes, komuniteve në biznes, sektorin e IT-së për kurse, familjet për asnjë të punësuar, mbështetjeje për personat me nevojat të veçanta dhe mbështetjen e programit ‘SuperPuna”.
Në komunat me shumicë serbe në Kosovë është rritur kërkesa për pasaportën e Kosovës, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Interesi është veçanërisht i dukshëm në komunat në veri të vendit.
Në periudhën nga 1 janari 2023 deri më 30 korrik 2023, numri i kërkesave për pasaportë të Kosovës është rritur për 97% në Leposaviq krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Më shumë se 50% më shumë interesim është shënuar në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok.
Disa pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë, të cilët janë intervistuar nga ekipi i Radios Evropa e Lirë (REL), thonë se janë të interesuar të pajisen me pasaporta në mënyrë që nga 1 janari i vitit të ardhshëm të mund të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së që janë në zonën Shengen.
Një nga arsyet për një gjë të tillë, thonë ata, është se janë të përjashtuar nga regjimi pa viza të Serbisë, pra nuk munden dhe nuk do të mund të udhëtojnë në vendet e zonës Shengen me pasaportat e lëshuara nga Serbia.
Kështu, Jellena nga Graçanica, komunë e banuar me shumicë serbe afër Prishtinës, thotë se këtë javë do të shkojë të marrë pasaportën e Kosovës në mënyrë që të mund të udhëtojë lirshëm në vendet e zonës Shengen.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, kjo njëzet e pesë vjeçare thotë se do të jetë pasaporta e saj e parë.
“Nuk më duhej deri tani, kur nuk mund të udhëtoja pa vizë dhe nuk kisha nerva të prisja në radhë para ambasadave”, thotë ajo.
Në prill të këtij viti, Parlamenti Evropian miratoi liberalizimin e vizave për Kosovën dhe kjo e rriti vlerën e pasaportës së Kosovës për disa pjesëtarë të komunitetit serb.
Në mesin e tyre është edhe Vllada nga Graçanica. Ai thotë se pasaportën e Kosovës e ka marrë rreth njëzet ditë më parë dhe shton se tashmë ka planifikuar një udhëtim në Portugali në mes të janarit të vitit të ardhshëm.
Edhe serbët e veriut “nuk kanë asgjë kundër” pasaportës së Kosovës
Mirjana nga Mitrovica e Veriut, një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, nuk ka pasaportë të Kosovës, por shton se po mendon ta marrë një të tillë.
“Të jem e sinqertë, nëse kjo (pasaporta e Kosovës) e bën të mundur dhe e bën më të lehtë udhëtimin, pse jo? Të gjithë e dimë se me çfarë përballen qytetarët e Kosovës kur bëhet fjalë për udhëtime, ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese”, thotë Mirjana.
Serbët nga Kosova kanë të drejtën e pasaportës së Serbisë, e cila ka marrë liberalizimin e vizave në vitin 2009. Mirëpo, me kërkesë të BE-së, është dashur të formojë një Administratë Koordinuese për lëshimin e pasaportave për ata që kanë adresë në Kosovë.
Regjimi pa viza nuk vlen për pasaportat e tilla, pra serbët nga Kosova me pasaportë serbe nuk mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa vizë.
Po ashtu, në prill të këtij viti, KE-ja ka theksuar se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Për këtë arsye, Aleksandra nga Mitrovica Veriore planifikon të marrë pasaportën e Kosovës, në mënyrë që të mund të udhëtojë lirshëm nga 1 janari 2024.
“Mendoj se duhet ta bëj sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë ajo.
Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më herët ka bërë të ditur se janë duke punuar në gjetjen e zgjidhjes për ata pjesëtarë të komunitetit serb që nuk duan të marrin pasaportën e Kosovës.
“Ne kemi kohë deri më 1 janar për ta zgjidhur atë problem dhe besoj se do ta zgjidhim atë problem”, tha Vuçiq.
Kosova nuk i njeh pasaportat e Administratës Koordinuese të Serbisë sepse i konsideron ato të lëshuara nga “institucione paralele ilegale”.
Fushata e Qeverisë së Kosovës në zona serbe
Qeveria e Kosovës në fillim të tetorit ka nisur fushatën për liberalizimin e regjimit të vizave, në kuadër të së cilës qytetarët informohen se sa kohë mund të qëndrojnë në vendet e zonës Shengen, çfarë dokumentacioni u nevojitet, cilat janë pasojat nëse ata thyejnë rregullat, dhe të ngjashme.
Një fushatë e tillë është mbajtur edhe në Graçanicë më 24 tetor, ndërsa deri në mes të nëntorit duhet të mbahet edhe në komunat tjera me shumicë serbe, duke përfshirë edhe ato në veri të Kosovës.
Megjithatë, Zyra e Komisionarit për Gjuhët, që funksionon në kuadër të Kryeministrisë, ka paralajmëruar se gjatë kësaj fushate duhet respektuar dygjuhësia e plotë.
Përveç shqipes, në Kosovë është në përdorim zyrtar edhe gjuha serbe. Zyra e Komisionarit ka thënë se gjatë fushatës informuese për liberalizimin e vizave në Graçanicë është vendosur një billbord me informacione të përgjithshme vetëm në gjuhën shqipe.
Gëzim Dushi, zyrtar për media në Qeverinë e Kosovës, tha se fushata po zbatohet në gjithë territorin e Kosovës dhe se po shpërndahen fletushka në gjuhën serbe dhe angleze. Nuk specifikohet pse informacioni në billbord nuk është i shkruar në të dyja gjuhët zyrtare.
Dushi vlerësoi se njerëzit kryesisht ishin të informuar për rregullat e regjimit pa viza.
“Ajo që kemi vënë re te qytetarët është se ka një interesim të madh për të udhëtuar nëpër Evropë. Ata duan të marrin më shumë informacion, që të mos ketë pengesa apo ndalesa gjatë udhëtimit”, tha ai.
Rruga e Kosovës drejt liberalizimit të vizave
Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë regjim vizash që nga dhjetori i vitit 2009 dhe Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina kaluan në të ashtuquajturën listë të bardhë Shengen në dhjetor të 2010-s.
Procesi i liberalizimit me Kosovën ka zgjatur më së shumti në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Në vitin 2018, Komisioni Evropian arriti në përfundimin se Kosova i plotësonte të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por disa shtete anëtare të BE-së e bllokuan procesin.
Më në fund, më 18 prill 2022, Parlamenti Evropian miratoi një vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën, me të cilin përfundoi të gjitha procedurat përkatëse të vendimmarrjes. Në përputhje me tekstin e dakorduar të vendimit, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e zonës Shengen nga 1 janari 2024.
Leonardo DiCaprio u fotografua në një përqafim të dashur me të dashurën e tij të re Vittoria Ceretti në një festë të Halloweenit në Los Angeles të shtunën.
Aktori 48 vjeçar, dhe modelja 25 vjeçare, u panë në një festë në të cilën ata shkuan së bashku, teksa në një moment Ceretti futi duart e saj në pjesën e pasme të pantallonave të shkurtra dhe e kapi pjesën e pasme të aktorit, shkruan DailyMail.
Dëshmitarët e këtij momenti eksplicit i thanë TMZ se ylli i “Killers of the Flower Moon” duket se po bënte të njëjtën gjë me të dashurën e tij të re, modelen e cila ka mbi 1.6 milion ndjekës në Instagram.
Aktori i filmit “Titanic” dhe modelja bënë një tërheqje nga ky gjest ‘pasi e kuptuan se po vëzhgoheshin’ dhe u fotografuan, thanë dëshmitarët në media dhe ‘u kthyen pothuajse menjëherë.
Leonardo ishte veshur me një bluzë të bardhë dhe pantallona të zeza të gjera me një kapele të zezë, pasi Ceretti dukej se kishte veshur një paruke dhe kostum të kuq me rastin e festës së Halloweenit.
Muajin e kaluar, DailyMail zbuloi se aktori ishte takuar me Vittorian për të paktën dy muaj pasi u panë duke u puthur në një klub nate në Ibiza në gusht.
Burime pranë aktorit bëjnë të ditur se ai është i fascionuar me Cerettin, e cila në moshën 25-vjeçare është 23 vjet më e re se ai.
Ata thonë gjithashtu se modeles italiane po i referohen si ‘e dashura’ e tij.
DiCaprio ka një reputacion për lidhje vetëm me femra të moshës 25 vjeç e teposhtë dhe ka prirjen e famshme të ndahet me to pasi të kalojnë momentin historik – siç bëri me të dashurën e tij të fundit serioze, Camila Morrone, tani 26 vjeçe.
Fituesi i çmimit “Oscar”, kishte udhëtuar fshehurazi nëpër botë me Cerettin gjatë gjithë verës – duke nxitur shumë diskutime mes miqve të yllit se ai më në fund ka hequr dorë nga vesi i tij i çuditshëm.
Njëri tha: “Vittoria është një vajzë e bukur, por Leonardo është sigurisht i rrethuar nga shumë vajza të bukura shumicën e kohës”.
“Por ai e adhuron atë dhe ajo atë, ata kanë kaluar shumë kohë së bashku këtë verë, duke udhëtuar nëpër udhëtime romantike”, tha burimi.
Në shtator, një burim i tha Page Six se DiCaprio dhe Ceretti kishin ‘kaluar mjaft kohë së bashku gjatë muajve të fundit’.
Të dy “po kënaqeshin duke u njohur me njëri-tjetrin në një nivel më të thellë”, tha burimi.
Ceretti është vajza e stilistes Francesca Lazzari dhe ka modeluar për brende të njohura si “Alexander McQueen” dhe “Versace”.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka takuar të martën kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Ilmi Berisha.
Haradinaj ka thënë se shqiptarët në Amerikë janë shembulli më i mirë i atdhedashurisë dhe i përkushtimit ndaj kombit.
“Shqiptarët që jetojnë e veprojnë prej vitesh në Amerikë, janë shembulli më i mirë i atdhedashurisë dhe i përkushtimit ndaj kombit. Ata kaluan Atlantikun, por lidhjen me atdheun nuk e shkëputën asnjëherë dhe vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm edhe sot në rrugën e integrimeve të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Më tutje, Haradinaj ka vlerësuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO, është nevojë urgjente e cila garanton më shumë siguri dhe paqe në rajon.
“Pata kënaqësinë të takoj kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare ‘Vatra’, Ilmi Berisha, me ç’rast biseduam për zhvillimet e përgjithshme politike në vend e rajon. Njëherësh ritheksova nevojën e vazhdimit të përkrahjes së tyre për Kosovën si për zhvillimin ekonomik të saj ashtu edhe në temat e rëndësishme që na presin në të ardhmen, veçanërisht në procesin e anëtarësimit në NATO, si një nevojë urgjente e cila garanton më shumë siguri dhe paqe në rajon”, ka shkruar Haradinaj.
Lionel Messi e fitoi mbrëmë Topin e Artë për herë të tetë në karrierë në gala mbrëmjen e mbajtur në Paris të Francës.
Ylli argjentinas ia pa hairin mbi të gjitha Kupës së Botës, e cila ishte vendimtare që t’i ndahej atij çmimi i futbollistit më të mirë të vitit.
36 vjeçari sot e bëri një postim në rrjetet sociale, përmes së cilit i ka falënderuar të gjithë atë që e mbështetën dhe që e ndihmuan për të arritur deri këtu ku është sot, shkruan “Gazeta Express”.
“Kam vetëm fjalë mirënjohjeje për krejt njerëzit anembanë botës, të cilët më kanë mbështetur aq shumë gjatë karrierës sime dhe të cilëve posaçërisht dua t’ua dedikoj këtë çmim, së bashku edhe familjes sime, e cila ka qenë gjithmonë në anën time”, ka shkruar përfaqësuesi argjentinas në Instagram.
“Ky është një Top i Artë që dua ta ndaj me krejt kolegët e Kombëtares së Argjentinës, me stafin e trajnerëve, me punonjësit. Sepse, pa Kupën e Botës që e arritëm së bashku, do të ishte e pamundur ta fitoja këtë çmim. Urime për të gjithë fituesit dhe faleminderit shumë”, përfundoi kampioni i botës
Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës. Në rend dite është shqyrtimi i Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2024.