10.3 C
Prizren
E diel, 12 Prill, 2026
Home Blog Page 1524

Poezi nga Sadik Idrizi

0

Sadik Idrizi, për shumë kohë profesor i filologjisë dhe zëvendësrektor i universitetit “Ukshin Hoti” të Prizrenit, përveç shumë studimeve në fushën e filologjisë, ka botuar edhe disa vëllime me poezi, tregime, ese. Ka përkthyer romane e vepra studimore nga shqipja në boshnjakisht. Duke qenë me origjinë nga Gora e Prizrenit, ai shkruan në gjuhën boshnjake dhe në të folmen e Gorës. Poezitë që po botojmë janë marrë nga vëllimi i tij i fundit poetik “LËMI”, botuar nga shtëpia botuese UTILIS e Prizrenit.

Përktheu nga boshnjakishtja: Namik Dokle
MBAS TEJE
në Gorën e braktisur
heshtin dimrat e lodhur
dhe rëndshëm zvarriten
borërat si velenxë e leshtë
mbulojnë
turpin tonë

pranvera s’ka ndërmend
as fytyrë
për të buzëqeshur
vitet hanë veten n’boshllëk
mbështjellur në bërmajë

mbas teje
çdo gjë e bukur humb
gëzimi dhe buzëqeshja
përjetësisht të përzënë

mbas teje
dhe koh’ e Perendisë
prej nesh u arratis

P E N E L O P A
në rrugën time
dimri nuk lëviz
kohë e flliqtë
çdo gjë baltosur
tym dhe hi pa ngjyrë

ditë pas dite
me tokën e Zotit
bisedoj
vit pas viti
mes nesh pyje më të lartë

prej Jugut
ikin bukuritë dhe njerëzit
dridhem frike
të të gëzohem
e si dikur të të pres

shpesh e më shpesh
në Itakë
mendja m’fluturon
me ç’dashuri
njëzetë vite t’gjata
ruajti besën
Penelopa
dhe lavdimadhe priti
Odisenë

PLUHURNAJË
çudi që po t’shkruaj
por dhe më shumë
që m’erdhi letra jote
gjithçka ashtu rrejshëm
në jetën tonë

pluhnajë e trashë
prapshtuar gjithçka
barrët e hijeve t’hallkut
zvarrisim pas vetes
dhe vitet tona
krimba kanë zënë

ti fillikat në Veri
dhe poshtë në Jug
fillikat dhe unë
mes nesh koha bosh
dhe qielli pa anë

veç të përjetëshmet dhembka
rriten çdo ditë
mbi fatin tonë
ndërsehen

A KE KOHË
a ke kohë
t’i ikësh kësaj bote
dhe yjet t’i takosh

a ke kohë
të shpërngulesh në ëndërr
dhe t’fluturosh në Jug

a ke kohë
një imtë t’jesh vetvetja
dhe të mashtrosh largësinë

a ke kohë
t’humbasësh mes qiellit
dhe Hënën tonë ta gjesh

a ke kohë
kur të çmendet dimri
të ngrihesh me gjelat e parë
dhe mëngjesin
bashkë ta presim

thuaj të vërtetën
a ke kohë…

MOS U NXITO
mos u nxito
vallë s’e shikon
vjeshtën
tek zhvishet ngadalë

mos u nxito
a s’po dëgjon
vetë nata
shurdhane ka mbetë

mos u nxito
në këtë Botë të rrejshme
ndryshojnë
vetëm ngjyrat

FTUA-FLORI
këtë natë
gjithçka po m’duket lojë
dhe era lehtë fërfërin
sonte n’shpirtin e ligshtuar
u poqën t’parat dredhëza

këtë natë
s’po rroj për vete
dhe gjumi arratiset
këtë natë
qielli n’terrnajë
yjeve rrugën ka mshelë

këtë natë
oborret porta jote
kyçur me dry të rëndë
këtë natë kush e di
cili vallë u merr erë
ftuaflorinjve të tu

këtë natë
malli i vjetër m’rëndon
zjarrmi në zemër
këtë natë
sa herë t’kujtoj
mornicash dridhem

NË KOHË TË LIGË
egërshëm sulen qentë
në tokën e babës
e në agshol
bora shpirtin ma lidh

kohë e murrëtyer
dhe jemi shumë larg
s’na shkon ndërmend
të trashëgohemi
e bashkë të gëzojmë

gaboj
dhe shumë rrallë të shkruaj
por mirë e di
humbasim të vrarë
nga pritja në shkretí

në kohë të ligë
lajme të rralla nga ti
dhe vite të ngrirë
ngarkuar me dyshime
rreshtohen marrëzisht

nëpër kohë të ligë
kohë e pakohë
nga Veriu në Jug
kalojnë ditë apokalipsi

TË FSHIHESH
të fshihesh mes natës
vështirë nuk është
veç një grimëherë
dhe me hap të lehtë
drenushe

të duhen sytë e qeshur
nëpër shi të butë
me ylber pranvere
të duhet një shpirt
n’lulnajat e qershive
n’Ogradën anëlumit

të duhet një zemër
e hapur si qielli
dhe krahët e shtrirë
drejt atij
që di të të pres

të përvidhesh mes natës
dhe t’humbësh diku
në terr
asgjë më shumë
s’të duhet

LUMNIM
lum ai
që shelgun zbukurues
te porta jote
do ta vejë
lum edhe lajmsi
kafen që do pijë

lum ai
që masën do të marrë
për rrobat e nusnisë
lum pragu
kur ta kapërcesh
e t’bëhesh zojë shtëpie

lum ai
që do t’i nusërosh
me faqet zbukuruar
lum shaminë kush do ta ngrejë
e të të kap për dore

lum buka
që do puthësh
dhe vjehrra që do kesh
lum djepi
dhe kërthija në prehër
që s’pari do tundësh

lum karafili
në kopësht
që do vaditësh dhe erëmosh

lum edhe unë
dhe tejet lumturisht
në mendje dhe në ëndërr
deri n’çast të fundit
kur vdekja të na ndajë

DITËT
ditë
krejt ndryshe
në anë t’livadhit kositur
n’zbardhim pa dalë drita
kalëroj kuaj t’egër

ditë si të tjerat
zjarrmi në shpirt
valle e mshelme n’kujtime
sa shpesh po harroj
a thua jam në vete

ditë
krejt ndryshe
m’vërtitet në krye
pranvera
e zjarri po ikin
ditë
kur mësohem
me vetminë
dhe me ajër dehem

ditë si të tjerat
kur etja më djeg
veç afër të të kem
dhe dhimbjen
të ma ëmbëltosh

dita
ajo ditë
kur do të mundnim…

UJË I SHQETÉSUAR
dashuria
ujë i gjallë
i shqetësuar

dikur
loti në sy
dikur
burim bjeshke

shpesh borë
dhe akull
në pritje
të diellit të pranverës

ndonjëherë
avull në re të largëta
terrton

shpesh në lule vesë
në barin e shkelur
e ndonjëherë
përvlon në damarë
dhe në vlim të gjakut

dashuria
ujë i gjallë
kurrë i qetë

NË VARRIN E XHEMULES
n’varrezat e Shishtavecit
mbikrejsat
dhe shenjat e bardha
në qiell
ngulur

nëpër barishtet
kurrë të kositura
me sy dhe zemër
varrin e Xhemules
kërkoj

qysh se u bë bota
e deri n’ditë të fundit
përmallimi
dhe emri
i paparë

në kllanik
dy gurë t’lëmuem
të shplarë
pa emër pa datë

jeta dhe meraku
të pakyçur
me dy numra
në mermer të varrit

anë djerrinave t’Shishtavecit
dhe stomeve t’ferrishtë
varrin e Xhemules
erdha të shoh

për dy shpirtra të vuajtur
të coptuar
bëj një lutje
dhe hesht

HIJE MËSHTEKNE
sa gjëra të fshehta
varrosur nën dhe
për ibret
e kurrë të marrme vesh

dashuri të panumërta
të humbura
nëpër udhë
nga shpirti
deri në varr

shumë fjalë drithëruese
shtrëngohen në fyt
dhe nëpër gjuhë
përvëlohen

sa pyetje
n’kët’ jetë të rrejshme
hije të thyera
mbi degë mështekne
tunden

KUR HESHT
dhe kur hesht mendueshëm
askush më mirë
s’të kupton

dhe kur je përgjumësh
një vend për mua
në ëndërr e ruan

dhe kur ngutesh turrshëm
askujt më shpejt
nuk i shkon

dhe kur netëve pret
zhytur n’terrnajë
askush më qartë s’të sheh

dhe kur hesht mendueshëm
për gjithçka atëbotë
më shumë tregon

NXIT QIELLIN
me lutje po e ysht
qiellin e përhimtë
të hapet
të pres dallëndyshet

me mallkim po e nxit
lumin e bjeshkës
të heshtë
deri sa t’vijë vera

me heshtje po ysht
netët e kadifejta
të mos hutohen
pas yjesh gënjeshtarë

me dashuri
më nxit dhe mua
kurrë të mos harroj
këngët tona
dhe sytë me ngjyrë pranvere

ÇKA NËSE PRANVERA
MERR TËRTHUER
çka nëse pranvera merr tërthuer
dhe në kohë nuk arrin
çka nëse rrugën humbet
nëpër borë e mjegull
deri n’Gorën e përvëluar

çka nëse lulet e saj
nuk çelin petalet
çka nëse shiu s’pikon
dhe s’çelin
qershijat

çka nëse qyqja s’kukatë
mbi degë e livadhe
çka sikur dallëndyshet
të lodhme
çerdhet e vjetra
nuk i gjejnë

çka nëse vajzat dhe djemtë
lëmeken
në rrugë e në gardhe
në pritje të natës
atnë lumit të fryrë

çka n’se pranvera s’bufton
dhe në kohë nuk arrin
çka n’se puhiza nuk fryn
dhe shpirtërat e lënduar
s’i përkëdhel

çka n’se pranvera kthehet
dhe askush
nuk e pret

Leao: Milan-i është familja ime e dytë, mezi pres ta filloj sezonin

0

Ylli i Milanit, Rafael Leao, është gati dhe “plotësisht i ngarkuar” para fillimit të sezonit me Milan-in.

Sulmuesi portugez do të kthehet në Milano të martën në mbrëmje, duke rifilluar stërvitjen me kuqezinjtë në Milanello të mërkurën.

“Kam bërë një pushim pranë familjarëve dhe miqve të mi. Gjithsesi vazhdova stërvitjen dhe jam plotësisht i ngarkuar për të nisur sezonin e ri”, tha Leao për “La Gazzeta dello Sport”..

“Kam folur me trajnerin dhe disa nga bashkëlojtarët e mi dhe kam ndjerë energji pozitive. Falënderoj fansat për mesazhet e shumta që më dërgojnë çdo ditë. Mezi pres të filloj”, shtoi ylli portugez.

Leao nënshkroi një zgjatje të kontratës me Milan-in në maj dhe zgjodhi numrin 10 për sezonin e ardhshëm pas kthimit të Brahim Diaz në Real Madrid.

“Personalisht, kam një dëshirë të madhe për të bërë mirë dhe për të dhënë më të mirën time me këtë ekip dhe këtë numër të ri në një klub që e konsideroj familjen time të dytë”, përfundoi sulmuesi.

Leao në sezonin e kaluar kontribuoi me 16 gola dhe 15 asistime në 48 ndeshje në të gjitha garat me fanellën kuqezi.

Ishte përfolur shumë për një largim të tij gjatë kësaj vere, pasi që oferta me paga të larta mbërritën në drejtim të tij, por ai vendosi që të qëndrojë te Milan-i.Albanian Post

Të jesh fanolist sot

0

Begzad Baliu

Fan Noli është shkrimtari, intelektuali, krijuesi, përkthyesi, politikani e politologu, rreth të cilit shqiptarët janë bashkuar shumë herë, shumë kohë dhe shumë breza, sepse prej veprës së tij kemi pasur çka të vjelim e të bisedojmë për të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e popullit shqiptarë.

A është e rastit që Fan Noli i ka pasur jo vetëm bashkëkohësit e tij, po edhe fanolisët e brezave të mëvonshëm. E pra, historianët e popullit shqiptar, na kanë folur shumë për fanolistët e viteve ’20 e ’30, madje jo vetëm shkrimtarë, të cilët janë përpjekur ta emitojnë me krijimtarinë letrare dhe përkthimet e tyre, jo vetëm me pikëpamjet politike e ideologjike po edhe me heroizmat e me vdekjen për atdhe; historianët e popullit shqiptarë na kanë folur edhe për fanolistët e antifanolistët e gjysmës së dytë të shekullit XX, e kjo do të thotë për fanolistët e përkushtuar ndaj veprës së tij dhe prirjet artistike e politike të studimit të saj; për prirjen shkencore të studimit të gjuhës dhe vlerave estetike të saj, si dhe për prirjet politike të ngjyrosjes ideologjike të saj; historianët, kulturologët dhe sociologët sigurisht një ditë do të flasin edhe për fanolistët e kohës sonë.

Në historinë e popullit shqiptar e të kulturës së tij, janë disa personalitet, biografia jetësore, biografia intelektuale dhe vepra e të cilëve e ka pasuruar përmbajtjen shpirtërore të popullit shqiptar në paqe, e ka ndihmuar popullin shqiptar në kohë luftërash dhe ka ndihmuar madje në kapërcyell të kalimit nga një periudhë në tjetrën. Në këtë rrjedhë, i kemi bërë luftërat për liri me këngët për Skënderbeun dhe skëndebegianët e të gjitha kohëve, kemi shtegtuar në periudhat e mëdha të Përlindjes Kombëtare me veprat e apostullit të saj Naim Frashërit e të bashkëkohësve të tij; kemi kapërcyer shtegun më të vështirë të historisë së këtij mijëvjeçari në fillim të shekullit XX, me bëmat e babait të shtetit kombëtar Ismail Qemali dhe ridimensionimin kulturor, intelektual e politik të diskursit të komunikimit tonë me Europën dhe Amerikën, të cilën e kanë bërë Fan Noli, Faik Konica e bashkëkohësit e tyre; jemi përballur me shtypjen e re sllave në ish-Jugosllavi duke u mbajtur, duke nderuar, duke u identifikuar e duke pasur në mendje sakrificën personale të Adem Demaçit etj.

Për mësuesit tanë në Kosovë e ish-Jugosllavi, për edukatorët tanë, ateistë të periudhës së komunizmit, të cilët ligjëronin Fan Nolin në shkollë a në Universitet, nuk ishte e mjaftueshme të ishe besimtar që i faleshe zotit. T’i besoje Perëndisë, ligjëronin ata, do të thotë, të punoje për gjuhën dhe atdheun, që Zoti pastaj ta shpërblente si vlerë të nderimit dhe besimit për të; për mësuesit tanë, të besoje Perëndinë do të thoshte t’i shërbeje kombit dhe institucionit fetar autoqefal të themeluar prej tij, prej Fan Nolit.

A është e rastit që edukatorët, mësuesit tanë ateistë të periudhës komuniste, të cilët nuk e shquanin shumë institucionit fetar të formimit të Konstantin Kristoforidhit; të cilët kalonin nën zë emrin e institucionit fetar të formimit fillestar të Naim Frashërit; të cilët e heshtnin institucionin fetar të formimit e besimit të Ndre Mjedës; në rastin e Nolit, e shquanin largvajtshëm dhe madje gjenin strehë në institucionin fetar autoqefalist të Kishës Ortodokse Shqiptare, të themeluar prej tij.

Të ishe fanolist në fund të shekullit të kaluar dmth të kishe guximin qytetar dhe intelektual që t’ia grisje maskën e së keqes, pushtetit, politikanit, akademikut, shkrimtarit e klerikut serb, maqedonas e malazez, ashtu sikur bënin Profesor Rexhep Qosja në Kosovë, Profesor Agim Vinca në Maqedoni dhe Profesor Nail Draga në Mal të Zi.

Të jesh fanolist sot

Të jesh fanolist sot do të thotë të jesh krijues, që më parë se sa t’i artikulosh idetë, temat, mendimet a konceptet në veprën fetare, letrare, politike, kulturore a shkencore, duhet të krijosh neologjizmat, fjalët vetjake, termat shkencorë, mbi strukturën fjalëformuese e kuptimore të gjuhës shqipe, aq të munguara në komunikimin shkencor, politik e kulturor sot; të jesh nolian sot do të thotë të jesh i pakompromis në identifikimin e saktë të shqetësimeve ditore dhe t’ia çjerrësh maskën politikanit, deputetit, qeveritarit dhe uzurpatorëve të institucioneve shtetërore, arsimore, shkencore e kulturore, aq të pranishme në jetën tonë kombëtare sot; të jesh fanolist sot do të thotë të jesh i vendosur në përzgjedhjen dhe sjelljen e vlerave universale për kulturën e popullit tënd, aq të munguara në institucionet shkencore e akademike sot; të jesh fanolist sot, do të thotë të jesh i vendosur deri në shenjtëri për të thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën në jetën tonë, pra, të besosh dhe të jesh i bindur deri në idealizëm se e vërteta dhe vetëm e vërteta e sjell fundin e lumtur të çdo gjëje: madje, të jetës dhe të vdekjes!

Të jesh fanolist sot, do të thotë të respektosh qytetërimin, trashëgiminë, besimet fetare, Lindore e Perëndimore në jetën e popullit shqiptar, e kjo do të thotë të mos e shohësh fqinjin si mysliman, katolik a ortodoks, po si shqiptar të një përkatësie, të cilën ai e ka zgjedhur brenda zemrës së tij. Të jesh nolian, në të vërtetë, do të thotë t’i japësh kuptimin kombëtar institucionit fetar në të cilin i lutesh Perëndisë, pa ndjerë nevojën që të kalosh në tjetrin për të ridimensionuar imazhin kombëtar, intelektual e kulturor vetjak.

Të jesh fanolist sot, do të thotë të mos ndalesh një jetë të tërë, së hulumtuari e studiuari veprën e Fan Nolit, sikur bëri Nash Jorgaqi dhe të vazhdosh atë rrugë sikur bën sot studiuesi Sevdai Kastrati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botuesi e studiuesi Mehmet Gëzhilli në Shqipëri.

Të nderosh Nolin sot, do të thotë të botosh veprën e plotë, sa më të plotë të tij, ashtu sikur vepron fanolisti nga Tirana, Z. Mehmet Gëzhilli, duke botuar jo vetëm krijimtarinë letrare, mendimin shkencor, publicistikën, përkthimet etj., po edhe literaturën kishtare, në një kohë që edhe botuesit shumë herë më të mëdhenj se ai, kujdesen të botojnë prej tij vetëm një pjesë të Albumit, Historinë e Skënderbeut dhe shumë shumë ndonjë përkthim të Shekspirit për nevoja të lekturës shkollore.

Të jesh sot fryma e Fan Nolit do të thotë të mbrosh me dije dhe me kulturë shkencore e intelektuale Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, duke botuar liturgjinë noliane kishtare dhe ta vesh në funksion të secilës Kishë dhe lutësve të saj, ashtu sikur vepron editori Mehmet Gëzhilli në Tiranë.

Të nderosh dhe të risjellësh sot mendimin politik, shkencor e letrar të Fan Nolit në gjithë hapësirën shqiptare, do të thotë të punosh me dekada për të përgatitur Bibliografinë shteruese të tij, duke e vendosur deri edhe në Bibliotekën e Harvardit, ashtu sikur punoi e punon studiuesi e editori nga Tirana, Mehmet Gëzhilli.

Të jesh bartës i Frymës fanoliste sot, sot do të thotë të nderosh e respektosh demokracinë planetare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të thotë ta mbash në tavolinën e punës e ta nderosh Kushtetutën Amerikane dhe ta mbash në tavolinën e punës e ta respektosh Kushtetutën e shtetit tënd. E kjo do të thotë, ta mbash në njërën dorë Biblën a Kuranin dhe në dorën tjetër Kushtetutën dhe shpatën. Besoj, të tillë ishin fanolistët e Luftës së Kosovës në vitin 1999, luftëtarët e Batalionit “Atlantiku”, për të cilët vite më parë pata shkruar: Nëse moshatarët e tyre në trojet etnike ishin rritur dhe përgatitur për luftë duke lexuar Biblën a Kuranin dhe duke u vetëdijësuar për lirinë si mision njerëzor para varrit të Çerçiz Topullit e Adem Jasharit, luftëtarët e batalionit “Atlantiku” ishin rritur duke mbajtur në dorë edhe Deklaratën e të Drejtave Universale dhe duke u frymëzuar nga Shtatorja e Lirisë, e cila bashkonte konceptin për lirinë kolektive, krenarinë kombëtare dhe botën humane të tyre. E kjo do të thotë se luftëtarët shqiptarë që erdhën nga Amerika në Luftën e Kosovës ishin pasardhës edhe të frymës së Fan Nolit dhe vargjeve të tij paradigmatike “Mbahu, Nëno, mos kij frikë / Se kë djemtë n’Amerikë”.

A mjafton kjo që ta përmbyllim fjalën tonë me konstatimin se, Fan Noli me bëmat e tij në fillim të shekullit XX dhe me veprën e tij në fund të shekullit XX, e ka kryer misionin e tij kombëtar, politik, krijues, klerikal dhe human në jetën e popullit shqiptar.

Duke shkruar për Balzakun, Viktor Hygo, pati thënë: “Njerëzit e mëdhenj e bëjnë vet piedestalin e tyre, e ardhmja ngarkohet të vendosë statujën”. Fan Noli ishte i tillë. Krijoi piedestalin e tij mbi në kontinente, por statujën e kemi borxh ta vendosim edhe ne, brezi ynë.

Le të jetë kjo fryma e tij, vepra e tij dhe lavdia e tij, e cila na ka bashkuar edhe sonte!

 

Leku, më i fortë se kurrë në raport me euron

0

Raportohet se leku e ka nisur këtë javë me një forcim të mëtejshëm në kursin e këmbimit ndaj euros dhe valutave të tjera kryesore, përcjell albinfo.ch.

Referuar kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të hënën me 102.36 lekë, në rënie me 0.99 lekë që nga fundi i javës së kaluar. Me bazë vjetore, kursi i këmbimit Euro-Lek ka arritur një rënie prej 12.7%. Për agjentët e këmbimit valutor, rënia e euros është konfirmim i pritshmërive të tregut.

Kursi Euro-Lek filloi një rënie të ndjeshme qysh në fillim të tremujorit të dytë, ndërsa ardhja e sezonit turistik po e zhyt më shumë në rënie monedhën europiane. Të dhënat e deritanishme kanë treguar një numër rekord të turistëve të huaj dhe të flukseve valutore hyrëse nga turizmi. Besohet se prurjet e mëdha valutore janë faktori kryesor që po ndikon në zhvlerësimin e shpejtë dhe të paprecedentë të monedhës europiane.

Përveç turizmit, prurjet valutore po ndikohen nga rigjallërimi i remitancave dhe nga vlerat e larta të investimeve të huaja. Tendencë e re e viteve të fundit është rritja e investimeve të shtetasve të huaj në pasuri të paluajtshme në Shqipëri.

Agjentët e këmbimit mendojnë se prurjet informale ngelen gjithashtu një faktor që ka ndikimin e vet edhe kursin e këmbimit valutor. Agjentët presin që, për shkak të efektit sezonal, kursi Euro-Lek të vazhdojë të ndjekë një tendencë rënëse të paktën deri në javën e parë të muajit gusht.

Me rënien e saj të fortë, euro po përheq pas vetes edhe valutat e tjera kryesore.

Paundi britanik ka rënë në minimumin e ri historik prej 119.12 lekëve.

Dollari amerikan ka rënë në vlerën e 91.03 lekëve, niveli më i ulët që prej vitit 2009.

Franga zvicerane ka zbritur në nivelin e 106.11 lekëve, niveli më i ulët që prej vitit 2010.

Euro është valuta referuese për sektorin financiar në Shqipëri dhe kursi i monedhave të tjera përcaktohet nga vlera e euros e kombinuar me kursin e këmbimit të monedhës europiane kundrejt secilës prej tyre. Në javët e fundit, rënia e euros ndaj lekut po shoqërohet me një rënie të valutave kryesore ndaj euros në tregjet ndërkombëtare. Rrjedhimisht, kjo ka sjellë rënie rekord edhe për shumicën e valutave të huaja kundrejt lekut.

Mustafa përfundon dëshminë në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

0

Ish-komandanti i UÇK-së në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, ka përfunduar sot dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë.

Në cilësinë e dëshmitarit, Rrustem Mustafa u përgjigj në pyetjet e trupit gjykues dhe pyetjeve plotësuese të ekipit të mbrojtjes së Veselit dhe Thaçit.

Gjatë pyetjeve të trupit gjykues, dëshmitari Mustafa u pyet lidhur me një deklaratë të Fatmir Humollit, i cili kishte deklaruar se informimi i Shtabit të Përgjithshëm për situatën në atë kohë bëhej nga shefi i inteligjencës, Latif Gashi.

Dëshmitari Mustafa tha se nuk kishte njohuri për këtë fakt.

“Nuk e kam ditë se Latif Gashi ka pasur raporte me dikë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, deri pas luftës’’ – tha ai.

‘’Nuk e di që ka ndodhë e as nuk kam pasë arsye me mendu që ka ndodhë’’ – shtoi ai.

Dëshmitari Mustafa u pyet tutje se kush kishte qenë përgjegjës i qendrës së ndalimit në Llapashticë.

Lidhur më këtë dëshmitari sqaroi që policia ushtarake ka qenë përgjegjëse për të gjitha qendrat e ndalimit në Zonën Operative të Llapit.

Në pyetjet plotësuese të avokatit mbrojtës të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari sqaroi që me rekomandim të Shtabit të Përgjithshëm e kishin formuar policinë ushtarake në bazën e tyre por që nuk merrnin ‘leje’ ose ‘urdhëra’ nga të njëjtit se cilët njerëz që konsideroheshin bashkëpunëtor të arrestoheshin dhe të vendoseshin në objektet e ndalimit.

“Ne e kishim një shtëpi ndalimi edhe para urdhërit të Shtabit të Përgjithshëm’’ – tha ai.

“Nuk kam pasë nevojë të marrë leje nga askush’’, shtoi dëshmitari lidhur me ndalimin e personave që konsideroheshin bashkëpunëtorë të palës serbe.

Dëshmitari Mustafa pas përfundimit të dëshmisë, përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, deklaroi që e kishte të rëndë ndjesinë e të qenit me bashkëluftëtarët e tij, me akuza aq të padrejta.

“E rëndë, shumë e rëndë ndjesia të keni përballë bashkëluftarët me akuza aq të padrejta”, ka shkruar Mustafa.

Hashim Thaçit Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë./kallxo.com

Mozzik shfaqet në shoqëri të Afronës, modelja habit me këtë fjalë për reperin

0

Afrona Dika është një personazh shumë i njohur për publikun tonë.

Ajo u bë e njohur pas martesës me këngëtarin Blero, e pastaj edhe nga ndarja me të.

Afrona ka një kohë që ka bërë të ditur se është në një lidhje të re dashurie.

Linja e re ka bërë qe Afrona ta shijojë jetën në maksimum.

Ajo gati gjithë verën e ka kaluar duke shëtitur nëper vende të ndryshme të botës me të dashurin e ri.

E se fundmi Afrona ka habitur të gjithë me postimin e fundit.

Në klinikën e saj të dhëmbëve ka shkuar për kurim reperi i njohur kosovar, Mozzik.

Kjo e ka befasuar edhe vet Afronën, e cila ka publikuar disa fotografi në krah të reperit.

‘Moti s’kam takuar një person kaq modest…’, ka qenë përshkrimi qe Afrona ju ka bërë këtyre imazheve. /ORAinfo/

Komuna e Suharekës zgjatë orarin e shërbimeve

0

Komuna e Suharekës ka marrë vendim që të zgjatet orari për shërbyesit civil të cilët kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve për qytetarë.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Komuna e Suharekës.

Ky vendim pritet të hyjë në fuqi nga sot e pritet të zgjatë deri më 18 gusht.

Kryetari i Komunës së Suharekës përmes rrjeteve sociale ka falënderuar shërbyesit civil për mirëkuptim për kohëzgjatje të orarit.

 

Ligji për pagën minimale nuk ka shkuar ende në presidencë për dekretim

0

Ndonëse kanë kaluar më shumë se tri ditë, Ligji për pagën minimale ende nuk ka shkuar në zyrën e Presidentes së Kosovës për dekretim.

Nga zyra e presidentes kanë bërë të ditur se pasi të marrin dokumentin, e para e shtetit do të vendosë të dekretojë ose jo ashtu siç kanë kërkuar veteranët e UÇK-së që nuk janë përfshirë në këtë ligj.

Zyra e Presidentes së Kosovës është shpresa e fundit për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga Presidentja Vjosa Osmani ata vazhdojnë të kërkojnë njëjtë sikurse të shtunën në protestë që mos të dekretojë ligjin që la jashtë përfitimit të pagës minimale këtë kategori.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se tri ditë që kur deputetët e mazhorancës pa praninë e opozitës votuan ligjin për pagën minimale i njëjti ende nuk ka shkuar për nënshkrim në presidencë.

“Ligji është ende në Kuvendin e Kosovës dhe nuk ka ardhur në Presidencë. Kur të vjen, do të analizohet sikurse edhe ligjet e tjera”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për Media.

Motoçiklisti godet një këmbësor dhe dy vetura në Prizren

0

Në rrugën “Remzi Hoxha” në Prizren mbrëmë një person derisa ishte duke e drejtuar motoçikletën, dyshohet se nga pakujdesia ka shkaktuar aksidentin duke goditur një këmbësor, i cili ishte duke kaluar rrugën dhe pastaj në mënyrë të pakontrolluar ka goditur edhe dy vetura.

Policia njofton se lëndime kanë pësuar viktima dhe i dyshuari, të cilët pas tretmanit mjekësor në spitalin rajonal, janë liruar.

Osmani do t`i takojë sot përfaqësuesit e OVL të UÇK-së

0

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do t`i takojë sot përfaqësuesit e OVL të UÇK-së.

Takimin e ka konfirmuar për RTKlive edhe Bekim Kupina, këshilltar për media i Osmanit.

Ndryshe përfaqësuesit e OVL të UÇK-së, kanë kërkuar takim me Osmanin, për shkak se në Ligjin për pagën minimale, ata nuk janë përfshirë në të.

RTKlive merr vesh se takimi mes Osmanit dhe përfaqësuesve të OVL të UÇK-së, do të ndodh në orën 14:00.


Bëhu me banesë  në super lokacion, pranë qendrave tregtare Galeria Shopping Mall,  dhe Abi Çarshia, Qëndra Mjeksis Urgjente 100m , Stacioni i Autobusëve 100m.

Kontakti:

Mob: +383 44 128 112

Email: [email protected]

Ëeb: www.renelualtahiri.com