16 C
Prizren
E enjte, 3 Korrik, 2025

Leku, më i fortë se kurrë në raport me euron

Raportohet se leku e ka nisur këtë javë me një forcim të mëtejshëm në kursin e këmbimit ndaj euros dhe valutave të tjera kryesore, përcjell albinfo.ch.

Referuar kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të hënën me 102.36 lekë, në rënie me 0.99 lekë që nga fundi i javës së kaluar. Me bazë vjetore, kursi i këmbimit Euro-Lek ka arritur një rënie prej 12.7%. Për agjentët e këmbimit valutor, rënia e euros është konfirmim i pritshmërive të tregut.

Kursi Euro-Lek filloi një rënie të ndjeshme qysh në fillim të tremujorit të dytë, ndërsa ardhja e sezonit turistik po e zhyt më shumë në rënie monedhën europiane. Të dhënat e deritanishme kanë treguar një numër rekord të turistëve të huaj dhe të flukseve valutore hyrëse nga turizmi. Besohet se prurjet e mëdha valutore janë faktori kryesor që po ndikon në zhvlerësimin e shpejtë dhe të paprecedentë të monedhës europiane.

Përveç turizmit, prurjet valutore po ndikohen nga rigjallërimi i remitancave dhe nga vlerat e larta të investimeve të huaja. Tendencë e re e viteve të fundit është rritja e investimeve të shtetasve të huaj në pasuri të paluajtshme në Shqipëri.

Agjentët e këmbimit mendojnë se prurjet informale ngelen gjithashtu një faktor që ka ndikimin e vet edhe kursin e këmbimit valutor. Agjentët presin që, për shkak të efektit sezonal, kursi Euro-Lek të vazhdojë të ndjekë një tendencë rënëse të paktën deri në javën e parë të muajit gusht.

Me rënien e saj të fortë, euro po përheq pas vetes edhe valutat e tjera kryesore.

Paundi britanik ka rënë në minimumin e ri historik prej 119.12 lekëve.

Dollari amerikan ka rënë në vlerën e 91.03 lekëve, niveli më i ulët që prej vitit 2009.

Franga zvicerane ka zbritur në nivelin e 106.11 lekëve, niveli më i ulët që prej vitit 2010.

Euro është valuta referuese për sektorin financiar në Shqipëri dhe kursi i monedhave të tjera përcaktohet nga vlera e euros e kombinuar me kursin e këmbimit të monedhës europiane kundrejt secilës prej tyre. Në javët e fundit, rënia e euros ndaj lekut po shoqërohet me një rënie të valutave kryesore ndaj euros në tregjet ndërkombëtare. Rrjedhimisht, kjo ka sjellë rënie rekord edhe për shumicën e valutave të huaja kundrejt lekut.

Më Shumë

Dy persona kapen me marihuanë në Fortesë të Rahovecit

Policia ka trajtuar një rast të posedimit të paautorizuar të narkotikëve në fshatin Fortesë të Rahovecit, ku dy persona janë kapur me substancë të...

Vedat Muriqi viziton ish-klubin e tij të fëmijërisë

Vedat Muriqi e ka vizituar klubin e tij të parë, FC Liria. Kjo u bë e ditur përmes njëpostimi në Facebook nga ekipi prizrenas. Sulmuesi i...

Lajmet e Fundit