25.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Anita Varosi: Kthehem gjithnjë tek klasikët

Shkrimtarja vjen në një rrëfim për librat e zemrës

Aktualisht, cilët libra keni më për zemër?

Erasmus thoshte: kur kam pak para unë blej libra e me ato që më mbeten blej ato që më duhen për të jetuar. Unë përpiqem ta bëj këtë, ndaj librat janë kaq shumë pjesë përbërëse e jetës time. Kam për zemër?Letërsia si çdo formë tjetër e artit ka një gamë kaq të madhe stili dhe forme sa nuk mundesh të ulesh e veçosh nga të tjerat plotësisht një pjesë të saj. Mua më tërheq ajo letërsi që më bën të mendoj duke lexuar, që zbërthen anën psikologjike të personazheve, që shpjegon më parë rrethanat sesa ngjarjen dhe që më bën të ndjej se më vjenkeq që mbaroi kur mbyll faqen e fundit

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

Une nuk jam kritik i letërsisë ndaj nuk mund të vlerësoj romanin më të mirë, por mund të flas për romanet që më kanë lënë mbrese mua dhe edhe këtu është e vështirë të zgjedh një si më të mirin. Ka shume romane të mirë e që më kanë lënë gjurmë përbrenda. Do radhit disa: “100 vjet vetmi” dhe “Dashuri në kohërat e kolerës”,” Njeriu që qesh”, “Lartësite e stuhishme”, “Lufta dhe paqa”, “Koncert në fund të dimrit”, “Goja e Kalit”, “Me syrin e një kllouni”, “Krim e ndëshkim”, “Zonja Bovari”, “Xhejn Er”,” Ana Karenina”, “Për kë bie Këmbana”, por edhe “Gjuetari i balonave”, “Unë jam e kuqa”,” Hija e erës”, “Ujë për elefantët”, dhe shumë e shumë të tjerë.

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

 Nuk kam lexuar shumë tregime, por novelat e Cvajgut për mua janë tregimet më të mira që kam lexuar.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Mendoj që një shkrimtar i mirë do shumë vite që të vlerësohet sepse vepër e mirë është ajo që rilexohet edhe pas 100 vjetësh, ashtu si ne lexojme akoma librat e shkruar në 1800 apo më parë. Megjithatë shkrimtarë të mirë ka në çdo kohë. Disa nga të preferuarit e mi të momentit janë: Milan Kundera, Haruki Murakami, Zafon, Yalom, Coelo, Artur Perez Reverte, Elena Ferrante e shumë të tjerë.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

Gjinia e preferuar është romani, por gjithashtu më pëlqejnë biografitë dhe libat historikë. Nuk lexoj asnjëherë subjekte fantastike.

 Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Nga librat që do gjeni mund të mos befasoheshit por ndoshta befasoheshit nga librat që nuk janë. Nga shkrimtarët shqiptarë kam vetëm librat e Kadaresë dhe Petro Markos.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Ursula tek “100 vjet vetmi”.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

Në fëmijëri nuk kam pasur ndonjë autor të preferuar. Lexoja libra që na i sygjeronin mësuesit ose punonjësja e bibliotekës. Kam lexuar Lizën në botën e çudirave, mbaj mend se nuk më pëlqeu. Lexuese e rregullt jam bërë në fillimet e adoleshencës. Atëherë mund të rrija tërë natën duke lexuar e në mëngjes të shkoja në shkollë me vetëm 2-3 orë gjumë. Shkrimtarë të preferuar ishin Izabel Allende, Remark, Hemingway, Hygo, Dostojevski, etj, dhe lexoja gjithçka që më binte në dorë.

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

 Po sigurisht, kam lexuar edhe nën batanije me dritë çakmaku.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë kjo që jeni sot, cili do të ishte ai?

Të gjithë librat e mirë na bëjnë nga pak dhe kjo nuk është diçka që dikur përfundon së ndodhuri. Ne vazhdojmë të bëhemi ata që jemi gjithnjë pavarësisht moshës. Libri që më ka bërë lexuese të përhershme të letërsisë ishte Hasta la vista e Petro Markos, kur isha 12 vjeç.

Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

 “Darka e fundit” që nuk ka dalë ende në librari.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

 Isamil Kadare, Stefan Cvajg dhe Gabriel Garsia Markez.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

 Librat e Daniel Still, e kam detyruar veten të lexoj të dytin për të parë mos ndryshoja përshtypjen që më la i pari, por më pas nuk lexova më asnjë. Nuk mbaj mend cilin libër nuk e kam përfunduar, duhet të ketë shumë kohë që nuk lë libra përgjysmë.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

Kthehem tek klasikët, “Don Kishoti”, “Krim e ndëshkim”, “Njeriu që qesh”, “Tesi I derberfileve”, por kthehem sa herë ndihem bosh edhe “Tre shokë”, “Dashuri në kohërat e kolerës”, apo “Shtepia e shpirtrave”.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Për ata që s’kam dëgjuar ende. (Shqip.com)

Më Shumë

Ramadani: Isha në rrezik për jetë, më trajtuan si fëmija i presidentit

Ylber Ramadani e kaloi një rrezik të madh për jetën disa javë më parë. Mesfushori i Lecces u përball me një problem shumë të...

Osmani: Kosova tashmë është Republikë, e kemi obligim angazhimin për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit

  Presidentja Vjosa Osmani e ka kujtuar veprimtarin Ukshin Hoti në 25-vjetorin e zhdukjes së tij. Ajo ka thënë se prej 25-vjetësh, emri i intelektualit e...

Lajmet e Fundit