16.8 C
Prizren
E enjte, 9 Maj, 2024

Kosova drejt botërorit pa stadium

Përfaqësuesja e Kosovës, do t’i fillojë kualifikimet për Kampionatin Botëror “Rusia 2018” më 5 shtator të këtij viti kundër Finlandës si mysafire.

Mirëpo, nuk ka stadium ku t’i zhvillojë ndeshjet si vendës.

Asnjëri prej stadiumeve të ekipeve kosovare nuk i plotëson kushtet që kërkon FIFA dhe UEFA për zhvillimin e takimeve ndërkombëtare.

Në mungesë të një fushe me dimensione standarde dhe kushte të pranuara për lojë, djelmoshat verdh e kaltër do t’i presin kundërshtarët në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.

Aty do të ndeshen kundër Kroacisë më 6 Tetor, shkruan Gazeta Fjala.

“Nuk do të jetë e lehtë që të organizohen ndeshjet jashtë Kosovës, por e kemi edhe ndihmën e organeve të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe autoriteteve të vet stadiumit. Por, ne besojmë se edhe kjo brengë do të marrë fund kur të përfundojnë punimet në Prishtinë e Mitrovicë”, thotë për Gazetën Fjala, Fazli Berisha, zëdhënës i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Përveç kushteve të tjera infrastrukturore që kërkojnë stadiumet kosovare, një kriter bazë janë edhe dimensionet e fushës ku zhvillohet loja.

Në rregulloren e FFK-së për edicionin 2016/2017, neni 32 për terrenet futbollistike, shkruan se UEFA parasheh proporcionet maksimale të fushës të jenë 120 x 80 metra.

Proporcionet që parasheh UEFA, nuk i plotëson asnjë stadium në Kosovë.

Mirëpo, disa prej stadiumeve të ekipeve kosovare i plotësojnë kriteret e proporcioneve minimale që parasheh UEFA e që janë 105 x 68 metra dhe 100 x 64 metra.

Dimensione pothuajse të ngjashme për sezonin e ardhshëm, i ka lejuar edhe IFAB (Bordi Ndërkombëtar i Shoqatës së Futbollit), i cili për ndeshjet ndërkombëtare parasheh dimensionet maksimale 110 x 75 metra, si dhe ato minimale 100 x 64 metra.

Prishtina nuk i di dimensionet e stadiumit

Kampioni i Kosovës, Feronikeli, ka bërë një investim prej rreth 700 mijë eurosh në stadium si donacion i Bashkimit Europian, derisa dimensionet e fushës edhe pas rindërtimit janë 105 x 68 metra.

Ndërkohë, tek klubi i Prishtinës, nuk kanë janë në dijeni se sa janë dimensionet e fushës në stadiumin e tyre.

I kontaktuar nga Gazeta Fjala, një zyrtar i ekipit prishtinas ka thënë që nuk ka dijeni se sa kanë qenë dhe sa janë dimensionet e fushës, por që FFK-ja i ka informacionet për dimensione, pasi këta të fundit janë në mbikëqyrje të rindërtimit.

Në anën tjetër, FFK-ja në përgjigjen për Gazetën Fjala, nuk kanë dhënë ndonjë shifër të saktë, por kanë thënë se sa i përket dimensioneve të fushës, ato kanë qenë në bazë të standardeve të lejuara dhe do të jenë edhe pas rindërtimit në përputhje me standardet e UEFA-s.

Ndërsa, kanë shtuar se zyrtarë të ekipit prishtinas kanë mungesë të dhënash rreth dimensioneve të fushës.

Kurse, kriteret minimale të dimensioneve të stadiumeve për garat vendore, i plotësojnë edhe stadiumi i Gjilanit, Drenicës, Besës, Llapit, Flamurtarit dhe KEK-ut.

Ndërkaq, Trepça, Trepça ’89, Drita e Vëllaznimi nuk japin të dhëna.

Në të gjitha këto stadiume do të mund të zhvillohen takime ndërkombëtare të përfaqësues së Kosovës, nëse ato arrijnë t’i plotësojnë standardet e kërkuara UEFA dhe FIFA.

Kërkohen investime në stadiumet ekzistuese

Më 3 dhe 13 Maj të këtij viti, Kosovës iu hapën dyert për të luajtur në futbollin ndërkombëtar, duke u pranuar në këto dy organizata të futbollit.

Ndërkaq, më 9 Qershor, Këshilli për Çështje Emergjente i UEFA-s, vendosi që Kosova të jetë pjesë e grupit l për kualifikimet e Kampionatit Botëror “Rusia 2018?.

Por, brenga e përfaqësueses është stadiumi, i cili është premtuar nga Qeveria e Kosovës por që nuk do të jetë gati me fillimin e ndeshjeve të përfaqësueses.

Megjithatë, derisa, Kosova do t’i luaj takimet në ”Loro Boriçi” të Shkodrës, investimet në terenet futbollistike do të vazhdojnë.

Përveç investimeve në stadiumin e Prishtinës, në FFK bëjnë të ditur se investime do të ketë edhe në Mitrovicë, Pejë e Gjilan.

”Paralelisht MKRS ka ndarë mjete për aftësimin me standarde edhe për stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Ndërkohë, janë ndarë mjetë edhe për stadiumet në Pejë dhe Gjilan. Ndërsa, FFK-ja do të agazhohet që përmes projekteve dhe donacioneve nga UEFA dhe FIFA, të bëjë përmirësimin e infrastrukturës në futboll varësisht nga prioritet që do të përcaktohen”, bën të ditur Berisha. /Gazeta Fjala/

Më Shumë

Fundjava e parë pa kufi Kosovë-Shqipëri, qytetarët: Jemi një komb, s’duhet të ketë kurrë kontrolle

Që prej 1 majit, kalimet mes Kosovës dhe Shqipërisë bëhen pa kontrolle kufitare. Në pikëkalimin në Morinë, policia kufitare shqiptare nuk kërkon dokumente identifikimi për...

Vdes një 60 vjeçar në Prizren, pësoi sulm në zemër

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë mëngjesit të sotëm në Prizren, ku një person është gjetur pa shenja jete në një hotel. Bëhet fjalë...

Ballkani mban kreun

Ylli në finale

Lajmet e Fundit