18.2 C
Prizren
E diel, 15 Qershor, 2025
Home Blog Page 6393

Rinia: Jemi mësuar në izolim

0

Mosdhënia e rekomandimit për liberalizimin e vizave për zonën Schengen të Bashkimit Evropian për qytetarët e Kosovës, për vitin 2016, ka nxitur reagimin e të rinjve në Kosovë.

Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, ata thonë se Kosova është pjesë e Evropës, ndërkohë që qytetarët e saj, e veçanërisht të rinjtë, vazhdojnë të ndihen të izoluar nga vendet e Bashkimit Evropian, organizatë kjo, në të cilën Kosova mëton të integrohet dhe anëtarësohet.

Arben Dedaj thotë se ka përfunduar studimet.

Sipas tij, mosdhënia e deritashme e liberalizimit të vizave, është zhgënjyese për të rinjtë në Kosovë dhe një gjë e tillë, tashmë ka kaluar në monotoni.

“Normalisht, është izolim. Mirëpo, tashmë jemi mësuar dhe jemi kalitur me këtë. Po na duket njëjtë, si me viza si pa to. Jemi lodhur…”, thotë Arbeni.

Mendim Mehmeti, student në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se pamundësia për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian pa regjim vizash, ka qenë pengesë mjaft e madhe për shumë të rinj, që të shkojnë për të studiuar atje ose edhe për të gjetur punë.

“Normalisht që është keq, sepse shumë të rinj kanë pasur synime që të studiojnë jashtë. Jemi disi të izoluar prej vendeve tjera për studime, e ndoshta edhe për punësim, sepse këtu nuk ka punësim të madh. Por, edhe për t’i parë të afërmit. Mbase jo unë, si student, por ka familje të tjera që mund t’i shohin të afërmit që nuk i kanë parë”, shprehet Mendimi.

Luljeta Ahmeti studion për Administratë Publike. Ajo thotë se nuk e ka problem udhëtimin jashtë Kosovës, për shkak se ka shtetësi dhe pasaportë sllovene. Por, sipas saj, për shumë të rinj, që kanë ambicie për të studiuar jashtë vendit, mosdhënia e liberalizimit të vizave për Kosovën, është pengesë shumë e madhe për realizimin e ambicieve të tyre, si dhe një izolim shumë i madh.

“Është izolim, madje, shumë i madh për studentë. Mendoj që po të kishte liberalizim të vizave, ata do të kishin shumë dyer të hapura për studime”, konsideron Luljeta.

Por, çfarë kanë humbur të rinjtë nga mosliberalizimi i vizave?

Vigan Mehmeti, student në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, thotë se pamundësia e lëvizjes së lirë nëpër vendet e Schengen-it, të rinjtë e Kosovës i privon nga shumë përvoja.

“Të vizitosh ndonjë vend tjetër, të shikosh se si zhvillohet puna atje, të arrish ndonjë përvojë, të studiosh. Keq që e kanë shtyrë (liberalizimin e vizave). Është dashur t’u rrinë gati këtyre gjërave, por nëse vazhdojnë kështu, nuk do të ketë (liberalizim vizash), pa i ndreqë raportet që janë brenda Kosovës”, thekson Vigani.

Ngjashëm thotë edhe një e re tjetër nga Prishtina, që nuk u prezantua:

“Liberalizimi i vizave mendoj që do të ishte një rast shumë i mirë për ne. Ne, jo vetëm që do t’i vizitonim vendet ose të afërmit tanë, por do të studionim jashtë shtetit. Kjo do të ishte për ne shumë mirë”.

Megjithatë, ka edhe të rinj tjerë, të cilët shprehin mendimin që edhe në rast se Kosova do ta merrte liberalizimin e vizave, kjo nuk do të ishte ndonjë lehtësim i madh për ta.

Betim Ndrecaj thotë se ka përfunduar studimet për ekonomi. Ai thekson se ka dëshirë ta vizitojë Zvicrën, por edhe po të kishte liberalizim vizash, kjo për të do të ishte e vështirë për t’u realizuar.

“Edhe po ta kisha vizën, nuk kam para të dal dhe të shëtis”, thotë Betimi.

Bujar Gashi, një i ri nga Prishtina, thotë se nuk ka ndonjë leverdi nga liberalizimi i vizave, edhe po të ndodhte kjo tash për Kosovën.

“Aktualisht, jo. Kisha qëndruar në vendin tonë edhe për studime. Këtu më mirë, sepse vendi ynë”, mendon Bujari.

Por, Engjëll Hamiti, student i Shkencave Politike, thotë se të rinjtë, fillimisht, duhet të mësojnë se çfarë nënkupton dhe ofron liberalizimi i vizave.

“Mendoj që ne të rinjtë më së pari duhet të njoftohemi se çfarë nënkupton ky liberalizim, për ne. Tre muaj udhëtim, ku nuk ke të drejtë pune, as studimi me këtë liberalizim, ashtu siç e di unë, nëse nuk gaboj. Kështu që nuk besoj që reflekton diçka në studime te ne, mirëpo, për ta parë Evropën, po. Por, normalisht është një shtyrje tjetër, sepse t’iu nënshtrohesh përsëri procedurave, nëpër ambasada, është keq”, vlerëson Engjëlli.

Mosdhënia e rekomandimit për liberalizimin e vizave për zonën Schengen të Bashkimit Evropian për qytetarët e Kosovës, për vitin 2016, nga ana e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, më 15 dhjetor, është pasuar me raportin e Komisionit Evropian për liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës për vitin 2016.

Në këtë raport, janë vlerësuar përparimet e arritura në përmbushjen e kritereve, për janë nënvizuar gjithashtu edhe 8 kritere që kanë mbetur për t’u përmbushur.

Kosova kishte gjithsej 95 detyrime për të përmbushur. /REL

Të udhëtosh me vdekjen

0

“Stina e hijeve”, romani që u vlerësua si libri më i mirë i vitit, vetëm pak ditë më parë nga Ministria e Kulturës, përtej një letërsie që të grish me stilin, mban brenda të vërteta që dhembin mbi realitetin tonë këto vite. Duket se ky roman u shkrua vetë brenda shkrimtarit, për t’u hedhur në letër me shpejtësinë e gjërave që nuk mbajnë më brenda teje. E ka shkruar për katër javë, pas një ëndrre gati torturuese, ku vështrimi i një vajze që e kishte njohur përmes rrëfimeve, i dukej sikur i kërkonte ta vendoste përgjithmonë në një libër. Vendosja e një të vdekuri në sediljen e rregullt të një pasagjeri është më shumë se një provokim estetik, që letërsia bën. Janë shumë pikëpyetje që Virion Graçi ngre me këtë roman, duke dhënë tablonë e trishtë të një historie shqiptare në shekullin e XXI.

“Stina e hijeve”, si nisët ta shkruanit këtë roman? Si e kujtoni kohën kur merreshit me shkrimin e tij?

Tregimin bazë, embrionin, e kisha në mendje prej më se 20 vjetësh dhe u trazua një ditë maji 2013. Në një nga paraditet e mia të kafes me shkrimtarin dhe mikun tim Koço Kosta, ia tregova. Ai shtangu, më tha: “Ky është roman. Shkruaje”. Unë iu përgjigja: “Një fjali e vetme me 50 fjalë është një roman i plotë, nuk kam si ta shkruaj, ai tashmë është”. Bisedën e vazhduam qetë me fjalët e zakonshme për hallet tona njerëzore, por kur u ndamë, Koço më shtrëngoi dorën, më pa në sy e më tha: “Ti e shkruan, sepse ti e njeh gjendjen”. E kish fjalën për gjendjen e shqiptarëve emigrantë të paligjshëm në Greqi. Gati po e harroja këshillën kurajuese, nxitëse të tij, por pak ditë më vonë fati i vërtetë i asaj vajze më ngriti nga gjumi një mesnatë e gati po ma merrte frymën, realisht, jo figurativisht. Dhe nisa ta shkruaj. Është shkruar për katër javë. Meqë i ngjante një ëndrre paksa të frikshme, e dhashë menjëherë për lexim/testim. Natyrisht të parit Koços e pa marrë ende një përshtypje të tij, ia dhashë dorëshkrimin Agron Tufës dhe Ardian Marashit. Pas përshtypjeve të tyre përshëndetëse ndenja katër muaj duke e rikujtuar, rijetuar orë e çast atë që kisha shkruar, për të ndier mungesat, teprimet, stonaturat. Më në fund brofa: kisha harruar diçka thelbësore, pa të cilën historia do të ishte një histori burrash, vullkane të shuara, të zemëruar e të grindur në heshtje me fatin e tyre. Romanit i mungonte shpirti, drita femërore në të dyja format sublime të saj: si dritë e shpirtit mëmësor (Bardha, nëna e vajzës fatkeqe) dhe si dëlirësi vajzërore (Elona, vajza …) e kështu u shkrua me një frymë kapitulli i fundit, ai që në libër është i dyti në radhë. Nuk kam çfarë të kujtoj tjetër për veten, pasi në pamje të parë shkrimi është diçka pa spektakël, thuajse diçka qesharake: një burrë i vërejtur në fytyrë si aktor amator, paksa turimbledhur si një polic mistrec, paksa i lakuar në drejtim të kompjuterit laptop, duke goditur pa pushim germat mbi tastierë. Më pas, për nevoja përkthimi e studimi jashtë Shqipërisë të një bashkëpunëtores sime të çmuar, më duhej ta kisha si libër, ta botoja sa më shpejt. Ashtu ndodhi falë dy botuesve të rinj, por të ndjeshëm estetikisht, me shije të sakta letrare, Arlind Novi dhe Ataol Kaso.

Këtë herë fabula e romanit tuaj është nga realiteti … Sa e lehtë është të ndërtosh mbi ngjarje tashmë të ndërtuara?

Gjithmonë e te secili krijues fabulat vijnë nga realiteti. Nëse ju keni në mend realitetet e mëparshme letrare ju siguroj se nuk jam mbështetur deri sot në paratekste, përndryshe do të bëja parodizimin e tyre e jo sublimimin e tyre në dramë, në tragjedi. Jam thirrur në sprovë si shkrues-rrëfimtar nga histori jetësore burimore, origjinale. Për ata që nuk e kanë lexuar romanin ka një orientim paksa të gabuar, një paragjykim që ka nisur nga një shpjegim i nxituar imi për kureshtarë të zakonshëm që rrallë lexojnë, që nuk janë të kësaj fushe. U kam thënë shpejt e shpejt se bëhet fjalë për rikthimin në shtëpi të një vajze të vdekur. Kjo klishe tavoline është rimarrë me shpejtësi, ka fluturuar dhe gabimisht ka zënë vend në shkrimet e disa miqve të mi gazetarë e kritikë. Ju pyesni me të drejtë: sa e lehtë është të ndërtosh ngjarje mbi ngjarje tashmë të ndërtuara … Unë përgjigjem: është e pamundur, është (sikurse jam shprehur dikur) sikur të përpiqesh, të mundohesh të shkarravisësh mbi një stoli diamanti. E pamundur, e panevojshme. Natyrisht, në tekste të mëparshme letrare, në tekste komedish e dramash paksa të cekëta janë mbështetur shumë shkrimtarë, por ata kanë qenë gjeni (Shekspiri, Servantesi, Molieri …). Unë nuk jam gjeni dhe jetoj në epokën ku është në fuqi ligji për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të pronësive intelektuale-artistike, nuk mund të huazoj. Nuk më del e nevojshme të zhvat dikë, pasi jeta jonë të dhuron përditë histori dhe karaktere nga më befasuesit, nga më interesantët. Pak talent, pak përkushtim e respekt duhet për gjindjen që na rrethon dhe lënda romanore është gati.

A duhet të jetë shkrimtari i angazhuar në letërsinë që bën?

Nuk e kam autoritetin e duhur për të bërë didaktikë shkrimtarie, por për veten i them dy fjalë: shkrimtari duhet të jetë i angazhuar … në letërsi … d.m.th. të mos e çnderojë/flijojë/keqpërdorë artin letrar për ta bërë gazetë bulevardi, as parfum për mbretërit, as fletërrufe për karagjozët e mëhallës apo artileri të një grupi a sekti politik. Shkrimtari duhet/mund të përfshihet me nderim e përulësi para ligjeve të pashkruara që burojnë nga praktika e letërsisë së madhe botërore. Shkrimtarët e mëdhenj duke e rrokur jetën, shoqërinë, kohën, bashkëkohësit në krejt përmasat e qenies së tyre në botë, dashur – padashur e kanë bërë zgjedhjen në krah të njeriut të zakonshëm, në krah të vlerave të mirëfillta njerëzore duke e çuar përpara, shumë përpara orën e qytetërimit, të emancipimit të përgjithshëm shoqëror, për pasojë. Ka në botë romancierë të etiketuar ndonjëherë si romancierë – mendimtarë, romancierë – filozofë, romancierë – moralistë etj., por së pari, falë veprës së tyre kanë merituar të quhen ROMANCIERË, e mandej epitete dytësore mund të vijnë pashmangshëm, jo si tkurrje e personalitetit të tyre, sigurisht.

Cilin nga personazhet e këtij romani do të donit t’i kishit dhënë një fund tjetër ose një jetë tjetër?

Kam përshtypjen se disa ngjarje dhe personazhe janë gati të bërë nga natyra dhe autori vetëm sa i fotografon me fjalët e tij të pafuqishme, të zbehta. Ndërsa fati, kushtet social-ekonomike në vendin tonë ishin tallur poshtërsisht me prototipat e mi jetësorë, unë nuk të bëja të njëjtën gjë, nuk mund t’i shija si plaçka ime e luftës së përditshme, nuk mund t’i metamorfizoja rrënjësisht si material ndërtimi, si baltë, si plastelinë ose si allçi. U bëra hulumtues i jetëve të tyre të padukshme, modeste dhe i restaurova me prekje të thellë shpirtërore, pa ua humbur individualitetin. Pra, i thashë JO zhbërjes së tyre të mëtejshme. Doemos, u kam dhënë shumë nga përmbajtjet e mia, nga ndjeshmëria ime, nga mënyra ime e të arsyetuarit, nga mënyra ime e përkthimit të kaosit dramatik në fjali të thjeshta dëftore. Njësimi im i pjesshëm me personazhet e ndryshme është i hetueshëm tek Artani, protagonist i kapitullit të parë dhe te Fredi, protagonist i kreut të fundit. I pari qaset në dëshpërim me fillesat e mia rinore, i dyti është afër gjendjes sime të tashme. /Gazeta Shqip

Librat që s’i pamë

0

Të humbur a të harruar, këta janë libra që nuk janë botuar kurrë.

“Margites” – Homeri

Para “Iliadës” dhe “Odisesë” ishte “Margites”. Mbi përmbajtjen e poemës epike, puna e parë e Homerit, dihet shumë pak, përveç ca vargjeve të mbijetuara për arsye të ndërfutjes së tyre në vepra të autorëve të tjerë.

Është fatkeqësi që nuk është ruajtur një kopjes e kësaj vepre. Aristoteli, në “Mbi artin e poezisë”, e ka vlerësuar veprën e Homerit, duke e cilësuar si formën e parë të komedisë.

“Cardenio” – Shekspir

“Cardenio” është quajtur si “kupa e shenjtë” e lexuesve të Shekspirit. Ka të dhëna se trupa teatrale e Shekspirit e luajti pjesën në maj 1613 dhe se është shkruar nga Shekspiri dhe bashkëpunëtori i tij Xhon Fleçer, por dorëshkrimi i veprës nuk është gjetur kurrë.

Bazuar te titulli, studiuesit mendojnë se pjesa ka lidhje ose është frymëzuar nga një skenë në “Don Kishotin” e Servantesit, ku përfshihet një personazh me emrin Cardenio.

“Sanditon” – Xhejn Ostin

Kur vdiq, më 18 korrik 1817, në moshën 42-vjeçare, Xhejn Ostin la në dorëshkrim 11 kapituj të një romani të papërfunduar. Në këtë roman, protagonistja Sharlota viziton qytetin bregdetar Sanditon, ku po ndërtohet një resort. Ostin ka prezantuar vendin dhe personazhet, por fatkeqësisht vepra mbeti e papërfunduar pikërisht kur ngjarjet nisin të marrin formë.

Disa shkrimtarë janë përpjekur ta përfundojnë veprën në stilin e Ostin, pa ia arritur me sukses.

“I varfri dhe zonja” – Tomas Hardi

Romani i parë i Tomas Hardi ishte mbi një marrëdhënie jo të qëndrueshme mes djalit të një fshatari dhe vajzës së një pronari tokash. Vetëm kaq dihet për veprën e parë të tij, aq sa 50 vjet pasi e kishte shkruar, vetë Hardi nuk mbante mend shumë detaje, madje nuk i kujtohej as nëse dy personazhet kryesore përfundonin bashkë. Ajo çfarë dihet është se në fund të viteve 1860, Hardy e cilësonte romanin si pjesën më origjinale që kishte shkruar.

“Lufta e Parë Botërore” – Ernest Heminguej

Në vitin 1922, Hadli Heminguej, gruaja e parë e Ernest Heminguej, futi në një valixhe dorëshkrimet origjinale të disa tregimeve dhe një pjese romani të të shoqit. I hipi trenit dhe u largua nga Parisi, për t’u takuar me të shoqin në Zvicër. Gjatë udhëtimit, valixhen e kishin vjedhur.

Më vonë, Heminguej tregoi mbi rëndësinë e përmbajtjes së valixhes së vjedhur dhe ka pranuar se kjo ngjarje çoi drejt divorcit. Ai nuk u përpoq kurrë të rishkruante krijimet e vjedhura, përfshirë romanin bazuar në eksperiencën e tij gjatë Luftës së Parë Botërore.

“Shfaqje e dyfishtë” – Silvia Plath

Në vitin 1962, Silvia Plath nisi të punonte mbi një roman të ri që mendonte ta titullonte “Shfaqje e dyfishtë”. Kishte shkruar 130 faqe kur vrau veten më 11 shkurt 1963.

Pas vdekjes së saj, u shoqi, poeti Ted Hughes, mori të drejtat e krijimeve të saj të pabotuara. Në një intervistë të vitit 1995, bashkëshorti i saj pretendoi se dorëshkrimi ishte marrë një nëna e Plath.

Ndërkohë, mendohet se romani bënte fjalë mbi historinë e një gruaje, burrit të saj dhe dashnores së tij. Plath nuk kishte marrëdhënie të mira me të shoqin dhe mendohet se libri ishte një lloj autobiografie.

Kujtim Gashi e mirëkupton Alush Shalën

0

Kryesusi i Kuvendit të Prizrenit Kujtim Gashi nuk dëshiron të flasë shumë për akuzat që kuvendari i PDK-së, Alush Shala ka bërë në drejtim të tij dhe kryetarit të Komunës Ramada Mujës.

“Nuk besoj që ka qenë akuzë, por shqetësim, prandaj e mirëkuptoj”, ka thënë shkurt Gashi për “PrizrenPress”.

Ndërkaq, kuvendari i PDK-së në Prizren, Alush Shala,para dy ditësh ka reaguar pas vënies së gurthemelit të objektit të Qendrës Kulturore Boshnjake, për shkak se nuk është ftuar në ceremoninë e prerjes së shiritit.

Ai, në llogarinë e tij në Facebook, kishte shkruar se është i papranueshëm fakti se si përfaqësues (ai dhe kuvendarja Fahrije Bytyçi) të zgjedhur të banorëve të lagjes “11 Marsi” ku do të ndërtohet ky objekt, dhe si kryetar i nëndegës së partisë në këtë lagje, nuk janë ftuar nga kryetari i Komunës dhe kryesuesi i Kuvendit.

“Turpi nuk ka kufi. Sot në lagjen 11 Mars vëhet gurthemeli i Qendrës Kulturore Boshnjake po nuk ftohemi ne si përfaqësues të zgjedhur të kësaj lagje dhe njëherit edhe si kryetar i kësaj nëndege”, pat shkruar Shala.

Ai ka thënë se gurthemeli është vënë nga njerëz që nuk kanë marrë asnjë votë në lagjen “11 Marsi”.

“Gurthemelin e vënë ata që nuk e kanë marrë asnjë votë në këtë lagje”.

Shala për këtë çështje fajëson drejtpërdrejt kryetarin Ramadan Muja dhe kryesuesin Kujtim Gashi.

“Në emër të kryesisë së nëndegës dhe në emër të dy kuvendarëve shprehi revoltën për veprime të pahijshme si të kryetarit ashtu edhe të kryesuesit të komunës”, ka shkruar Shala. /PrizrenPress.com

Librin “Kandidati” nesër mund ta merrni nga dora e Ben Blushit

0

Deputeti dhe publicisti i njohur shqiptar, Ben Blushi gjatë ditës së hënë do të vizitojë Prishtinën, me ç’rast do të flas edhe për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, kurse lexueve të tij do t’ua nënshkruaj librin e tij “Kandidati” në librarinë “Dukagjini”.

Blushi gjatë kësaj vizite do të tregoj ndonjë model se si të gjendet një zgjidhje për të dalë nga kjo krizë politike në të cilën gjendet Kosova tash e disa muaj, transmeton Zeri.

Mirëpo, në Kosovë Blushi është ftuar nga Lëvizja FOL, ku të martën në orën 11:30, do të zhvillojë një bisedë të gjatë për librin e tij të fundit “Kandidati”

Goditet më shishe qelqi një person në Prizren

0

Dje në një lokal në Prizren ka ndodhur një incident pasi, një person ka sulmuar një person tjetër me shishe qelqi duke i shkaktuar lëndime trupore, njofton Policia.

Sipas policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësorë.

Nuk raportohet për të arrestuar. /PrizrenPress.com

Çfarë vjen pas protestës së Opozitës?

0

BLENDI FEVZIU

Ishin në protestë! Do shkojnë në protestë. Opozita shqiptare e ka përcaktuar qartë atë që sipas saj do jetë mjeti kryesor për bllokimin e qeverisë, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme dhe ndërtimin e një qeverie teknike që do mundësojë ato. Objektiv ambicioz që ka në Shqipëri 2 precedentë të tjerë, por në kontekste dhe rrethana të ndryshme. Edhe pse protesta në vetvete ka qenë një element i rëndësishëm i politikës shqiptare këto 25 vjet të pluralizmit politik.

Ishin në protestë! Do shkojnë në protestë. Opozita shqiptare e ka përcaktuar qartë atë që sipas saj do jetë mjeti kryesor për bllokimin e qeverisë, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme dhe ndërtimin e një qeverie teknike që do mundësojë ato. Objektiv ambicioz që ka në Shqipëri 2 precedentë të tjerë, por në kontekste dhe rrethana të ndryshme. Edhe pse protesta në vetvete ka qenë një element i rëndësishëm i politikës shqiptare këto 25 vjet të pluralizmit politik.

Ka pasur dy produkte të protestës në Shqipëri. I pari ai kur protesta është përshkallëzuar dhe është kthyer në konflikt që kërkonte zgjidhje dhe e dyta, kur protesta ka ruajtur një dimension masiv, por jo konfliktual dhe ka shërbyer më shumë për sensibilimin dhe unifikim të opozitës. Rastet vlejnë më shumë për ta ilustuar këtë.

Pas fitores së PPSH – së në zgjedhjet e 31 Marsit, opozita e athershme në bashkëpunim me sindikatat organizoi një grevë të përgjithshme. Greva nisi me 15 Maj 1991 dhe për 23 ditë bllokoi krejt vendin. Minatorët e Valiasit hynë në grevë urie në galeri dhe qytetarët e Tiranës rrethuan Parlamentin. Nën presionin masiv PPSH u detyrua të dorëzohet, duke ngritur një qeveri me bazë të gjerë që u quajt: Qeveria e Stabilitetit dhe duke shpallur zgjedhjet e parakohshme.

Më 1997 humbja e parave në firmat piramidale nxiti protesta që dolën edhe nga kontrolli i opozitës. Protesta u bë aq e dhunshme sa më 9 Mars 1997 Presidenti Berisha u detyrua të pranonte krijimin e një Qeverie të Pajtimit Kombëtar dhe zgjedhjet e parakohshme.
Rastet e protestave pa një produkt konkret kanë pasur një tjetër synim.

Më 2004 PD lançoi një fushatë protestash nën Logon Nano ik. E para dhe e dyta ishin masive, por e treta dhe e katërta filluan të shuen për arsye të mungesës së një zgjidhjeje konkrete. Por në një farë mënyrë ato përgatitën fitoren e PD në 2005.
Më 2009 PS po ashtu njoftoi një seri protestash që vijuan disa muaj, duke kulmuar me Grevën e Urisë së Deputetëve në Bulevard. Ato ashtu u shuan pa ndonjë rezultat, por i shërbyen Ramës për të konsoliduar pozitat e tij të lëkundura në parti dhe për ta mbajtur opozitën në gjendje përplasjeje.

Cfarë do të bëjë aktualisht PD? Lulzim Basha ka deklaruar në OPINION, por edhe ka përsëritur për Opinion.al që protesta e opozitës do të vijojë deri në gjetjen e një zgjidhjeje. Zgjidhjen ata e kanë propozuar. Zgjedhje të parakoshme dhe Qeveri teknike. Për të arritur këtë, si edhe në dy rastet e para historike të 1991 dhe 1997, Basha duhet të shkojë përtej “protestës në formën e xhiros”. Ai ka deklaruar mosbindjen civile. Kreu i PD i është referuar rasteve të Rumanisë dhe Maqedonisë, por raste të ngjashme me më pak sukses ka pasur në Hungari, Greqi dhe Kosovë.

Të gjithë këto protesta, pavarësisht vendit ku janë zhvilluar kanë pasur një inspirim, revolucionin Portokalli të Ukrainës në 2004 dhe protestën që çoi në rrëzimin e Janukoviçit në Kiev në Janar 2014. Të dy eventet, ndër më të suksesshmet në historinë botërore të protestave kanë pasur në thelb mobilizimin publik dhe bllokimin e institucioneve. Ato janë zhvilluar në rrethanat kur Kryeqyteti ka qenë masivisht në favor të forcave progresiste. Një histori e ngjashme me Tiranën e vitit 1991. Ideja bazë e tyre ka qenë rrethimi i Institucioneve dhe mos mundësimi i funksionimit normal në to. Protesta të tilla janë shumë afër përplasjes dhe madje në disa raste në Janar 2014 kjo ndodhi?

A do shkojë realisht PD drejt një skenari të tillë? A do mundohet ajo të bllokojë institucionet dhe të mos lejojë zhvillimet në Parlament apo hyrjen në zyrë të Ministrave dhe Kryeministrit? A do vijojë ajo me veprime konkrete, apo thjeshtë do mbajë në këmbë një seri protestash që më shumë vlejnë për të tonifikuar opozitën dhe konsoliduar atë se sa për një zgjidhje konkrete? Vështirë që t’u japësh përgjigje këtyre pyetjeve dhe vështirë se edhe vetë opozita e ka shumë të qartë këtë. Por një gjë është e sigurtë, Basha duket se ka vënë një lloj basti politik në këtë drejtim dhe me gjasë, Janari do të jetë një muaj i trazuar për politikën!

Rrokulliset një veturë në Reçan të Prizrenit

0

Një veturë është rrokullisur në Reçan të Prizrenit. Policia njofton se në këtë aksidet lëdime ka marrë vetëm vozitësi i veturës.

“Viktima duke drejtuar veturën e tij nga pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës del nga rruga duke u rrokullisur ,me ç’rast pëson lëndime trupore”, njofton Policia e Kosovës .

I lënduari pas tretmanit mjekësore është liruar në shtëpi/PrizrePress.com/ .

Gjimnazi në Malishevë shton mësimdhënësit pa konkurse

0

Në Gjimnazin “Hamdi Berisha” këtë viti shkollor nuk ka pasur fare konkurse, por kjo nuk e ka ndaluar edhe punësimin në këtë gjimnaz.
Edhe pse nuk kishte fare konkurs për vende të lira të punës në Gjimnazin “Hamdi Berisha” në Malishevë, aty janë punësuar pa konkurs 5 mësimdhënës.
Drejtori për Arsim në Komunën e Malishevës Blerim Thaçi thotë se bëhet fjalë për punësime për orë të lëndëve zgjedhore.

“Jo nuk ka pasur, konkurs nuk ka pasur, sepse nuk ka qenë asnjëherë kjo praktikë që të shpallen orët zgjedhore, që të ketë konkurs për këto”, tha Thaçi.
Ai deklaroi se vetëm Malishevës i kërkohet llogari pse nuk hapë konkurse për orë të tilla.

“Të çështja e Malishevës, e këtyre lëndëve zgjedhore, unë po them se Malisheva është si rast sui generis, sikur Kosovës që i kanë thënë më herët, sepse vetëm në Malishevë kërkohet sot për sot të shpallen vendet e punës për lëndët zgjedhore, asnjë komunë tjetër nuk ka presionin e tillë,” tha Thaçi.

Por KALLXO.com shkroi gjatë nëntorit se në këtë gjimnaz u pranua pa konkurs asamblistja e Nismës Floriana Demaj për orët e historisë që nuk janë zgjedhore.
Atëherë asamblistja mohoi se ishte pranuar pa konkurs, ndërsa Drejtori i Arsimit në Malishevë tha se ajo i ishte nënshtruar më herët intervistimit për punësim në arsim.

Përveç asamblistes Demaj, të punësuar pa konkurs në këtë gjimnaz janë edhe Liridon e Luljeta Hoti, Filloreta Shala, Naser Samadraxha dhe Hafri Xhyliqi.
Asnjëri nga këta pesë të punësuar nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KALLXO.com për mënyrën e punësimit të tyre.
Opozita në Malishevë pretendon se Liridon e Luljeta Hoti janë të afërm të Izet Hotit, ushtruesit të detyrës së drejtorit në Gjimnazin “Hamdi Berisha”.

KALLXO.com kontaktoi edhe drejtorin e gjimnazit Izet Hotin, i cili mohoi se dy nga të punësuarit pa konkurs janë familjarë të tij, duke thënë se vetëm e ka mbiemrin e njëjtë me ta.

Bekim Gashi nga Lëvizja “Vetëvendosje” thotë se punësimet e tilla po e ulin cilësinë e arsimit në Malishevë.

“Këto veprime janë të kundërligjshme dhe nuk i kontribuojnë rritjes së cilësisë së arsimit në Malishevë, i cili po degradon çdo ditë e më shumë nga qeverisja e kaluar, e cila po vazhdon edhe te kjo qeverisje e zotit Begaj”, thotë Gash

Gjykata Speciale i ka gati aktakuzat?

0

Edhe pse ende nuk është bërë funksionale Gjykata Speciale, ku pritet të gjykohen ish- eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën dyshime për krime lufte, merret vesh se tashmë janë përgatitur edhe aktakuzat për shumicën e të dyshuarve potencial.

“Aktakuzat për thuajse të gjithë të dyshuarit potencial për krime lufte janë gati. Posa të përfundojnë të gjitha çështjet ligjore dhe teknike për funksionalizimin e Gjykatës Speciale, do të ngriten aktakuzat e një pjese të madhe të të dyshuarve për krime lufte”, ka thënë ky burim ndërkombëtar për Gazetën Blic.

Sipas këtij burimi, pavarësisht pse ka pasur vonesa nga institucionet e Kosovës për themelimin e kësaj gjykate, është punuar shumë me dëshmitarë dhe kanë përfunduar shumica e aktakuzave, në mënyrë që të mos ketë vonesa të mëtutjeshme.

Në anën tjetër, kryeministri i vendit Isa Mustafa para disa ditësh ka theksuar se Kosova dhe Holanda janë dakorduar për selinë e Gjykatës Speciale, e cila do të jetë në Hagë.

Ndërkohë, muaj më parë Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar ndryshimin kushtetues, përmes të cilit i hapet rruga themelimit të kësaj gjykate.

Menjëherë pas miratimit në Kuvend të Gjykatës Speciale, në medie patën filluar që të qarkullojnë edhe emrat e mundshëm që do të akuzohen nga kjo gjykatë, ku sipas kësaj liste janë shumica e anëtarëve të ish- Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gazeta Blic para disa muajsh ka raportuar se të akuzuar mund të jenë 11 ish- eprorë të UÇK-së.

Deri te themelimi i kësaj gjykate erdhi për shkak të dyshimeve të ngritura nga ish- senatori zviceran Dick Marty, i cili e kishte publikuar një raport, për gjoja krimin e eprorëve të lartë të UÇ K-së me trafikimin me organëve gjatë luftës. Marty akuzat kryesore i kishte drejtuar kah ish- drejtori politik i UCK-së, Hashim Thaçi, i cili sot është ndër udhëheqësit kryesor të Kosovës.

Pas këtij raporti, angazhohet një prokuror amerikan, Clint Williamson që të hetoj pretendimet e ngritura nga senatori Dick Marty.