Home Blog Page 6745

Mos e keqpërdorni luftën e UÇK-së

0

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka bërë thirrje që të mos keqpërdoren vepra dhe heroizmi i atyre që kanë vulosur lirinë e Kosovës.

Në këtë intervistë për ‘Epokën e re’, ai ka thënë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk duhet të keqpërdoret nga individët për qëllime politike ose individuale.

Jashari ka vlerësuar se të gjithë atë që kanë qenë në radhët e UÇK-së kanë pasur qëllim çlirimin e vendit, kurse tani kanë obligim ta mbrojnë atë, dhe të ecin të bashkuar drejt realizimit të amanetit të dëshmorëve. Ai ka folur edhe procesin e verifikimit të veteranëve, të invalidëve dhe të dëshmorëve.

Sipas Jasharit, nëse vazhdohet me këtë ritëm të punës, brenda këtij muaji do të përfundojë procesi për të tria kategoritë. /Epoka e Re/

PDK deklaratë me shkrim për koalicionin me LDK-në

0

Dy partitë më të mëdha në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), po synojnë që ta vazhdojnë bashkëpunimin edhe pas përfundimit të këtij mandati qeverisës.

Partia e cila udhëhiqet nga Kadri Veseli, tashmë e ka bërë të qartë se me LDK-në dëshiron bashkëpunim afatgjatë, por pa përjashtuar bashkëpunimin edhe me partitë e opozitës.

Organi më i lartë udhëheqës i PDK-së, Këshilli Drejtues, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, kur emëroi Kadri Veselin ushtrues detyre të kryetarit të PDK-së, miratoi edhe një deklaratë me të cilën shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar edhe pas këtij mandati qeverisës.

“PDK është e vendosur për ruajtjen e koalicionit aktual qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe shpreh gatishmërinë për ndërtimin e partneritetit dhe bashkëpunimit afatgjatë me qëllim të ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit”, thuhet në njërën nga pikat e deklaratës.

Për synimin e PDK-së që të vazhdojë bashkëqeverisjen e LDK-në e thotë edhe nënkryetari i PDK-së, Arsim Bajrami, sipas të cilit, PDK-LDK është koalicioni më i mirë për ta përfunduar agjendën e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës edhe në mandatin e ardhshëm.

“Tani të dy partnerët e koalicionit të madh kanë konfirmuar gatishmërinë për të mbajtur këtë koalicion deri në vitin 2018 kur janë zgjedhjet e ardhshme dhe mendoj që edhe pas përfundimit të këtij mandati këto dy parti do të tregojnë gatishmëri për të vazhduar partneritetin. Sepse duhet të përmbyllen, siç e kanë përmbyllur shtetndërtimin edhe agjendën e integrimit evropian dhe hyrjes së Kosovës në NATO”, ka thënë Bajrami për “Zërin”, por duke mos përjashtuar bashkëpunimin edhe me partitë tjera opozitare. /Zëri/

Kujdes politikën me fqinjët

0

Nga Lisen Bashkurti

Ekziston një aksiomë e provuar nga historia dhe e argumentuar nga teoritë e marrëdhënieve, sipas së cilës suksesi ose mossuksesi i politikës së jashtme të çdo shteti varet para së gjithash nga politika me fqinjët. Kjo aksiome varion sipas madhësisë së shteteve, fuqisë së tyre dhe statusit ndërkombëtarë që ato gëzojnë. Për shtetet e mëdha, fqinjët janë me rëndësi, por jo domosdoshmërish dhe ne çdo rast. Për fuqitë e mëdha janë po kaq të rëndësishme marrëdhëniet globale dhe ato me fuqitë botërore homologe.

Për shtetet e mesme, gjithashtu, variabla e prioritetit të politikës me fqinjët ndryshon. Ne mjaft raste shtetet e mesme, sipas përmasave të shteteve fqinje, prioritizojnë marrëdhëniet në nivel rajonal më shumë sesa ato me fqinjët e drejtpërdrejtë.

Ndërsa, për shtetet e vogla si Shqipëria dhe Kosova politika e jashtme nevojitet të prioritizojë gjatë gjithë kohës dhe në çdo rrethanë marrëdhëniet me fqinjët. Kjo është për disa arsye:

Së pari, Shqipëria dhe Kosova kanë për rreth shtete të përafërta për nga madhësia, fuqia dhe statusi ndërkombëtar. Kjo baraspeshë kërkon shumë kujdes për ruajtjen e ekuilibrit, cenimi i të cilit vë në rrezik paqen e stabilitetin në Ballkan.

Së dyti, Shqipëria dhe Kosova kanë komunitete shqiptare në zonat midis tyre dhe shteteve fqinje. Këto kordone komunitetesh shqiptare kanë rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe Kosovën. Nëse marrëdhëniet fqinjësore të Shqipërisë dhe Kosovës ruajnë normalitetin e bazuar në politikën e fqinjësisë së mirë si në parimet e normat ndërkombëtare dhe Evropiane për të drejtat njerëzore dhe kombëtare të pakicave, këto komunitete mund të shërbejnë si ura miqësie midis shteteve. Nëse komunitetet shqiptare përreth Shqipërisë dhe Kosovës diskriminohen nga shtetet fqinje ato shndërrohen nga ura miqësie në kordonë krizash permanente në marrëdhëniet fqinjësore dhe në nivel Ballkanik.

Së treti, në mjedisin gjeopolitik dhe në rrethanat në të cilat ndodhen gjithë shtetet e Ballkanit fati i zhvillimit dhe prosperimit të tyre varen kryesisht nga orientimet e tyre Euro-Atlantike, pra nga integrimet në BE dhe NATO. Këto integrime kërkojnë hapje mendjesh, tregjesh, kufijsh për të siguruar lëvizje të lirë mallrash, kapitalesh, shërbimesh dhe njerëzish, sikundër edhe kërkojnë struktura sigurie kolektive nën ombrellën e NATO. Këto procese kalojnë vetëm përmes politikave të fqinjësisë së mirë.

Së fundit, trendëve të integrimeve Euro-Atlantike i shtohet edhe globalizmi si prirja më e fuqishme e kohës sonë. As integrimet Rajonale dhe as prirjet globalizuese botërore nuk mund të përballohen pa politika fqinjësore të stabilizuara.

Stabilizimi i fqinjësisë së mirë të Shqipërisë dhe Kosovës është sfidë komplekse. Kjo sepse ekzistojnë tre grup-problemesh: probleme të trashëgimisë historike, probleme të lindura mbas rënies së Murit të Berlinit, shpërbërjes së Jugosllavisë dhe tranzicionit demokratik si dhe probleme që lindin nga vetë krizat bashkëkohore.

Asnjë nga këto grup-problemesh nuk mund të nënvlerësohet dhe as të anashkakohet. Këto tri grup-problemesh lypet të mbahen në agjendën politiko-diplomatike në mënyrë permanente që të shkojnë gradualisht drejt zgjidhjeve të pranueshme nga palët dhe n përputhje me normat juridike ndërkombëtare.

Në prioritizimin e marrëdhënieve me fqinjët, me rëndësi themelore është bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë si dhe aleanca e këtyre dy shteteve shqiptare para së gjithash me ShBA si dhe me BE.

Dy shtetet shqiptare duken më të vendosurat në orientimet Euro-Atlantike. Ky avantazh mbarëshqiptar lypet të mishërohet në politikat konkrete me fqinjët nga Shqipëria dhe Kosova, bazuar në specifikat individuale të të dy shteteve me fqinjët respektive si dhe me strategji afatgjata të koordinuara në mënyrë të përbashkët.

Në politikat individuale dhe në strategjinë e përbashkët midis tyre Shqipëria dhe Kosova, edhe individualisht edhe strategjikisht janë dhe nevojitet të jenë faktor paqeje, stabiliteti, demokratizimi, zhvillimi socio-ekonomik dhe integrimi Euro-Atlantik të Ballkanit Perëndimor.

Librat me porosi

0

Ty të ka ardhur një ide shumë e mirë për një libër. Është i thellë, të bën për vetë dhe je i sigurt që do të ketë mjaft shitje. Por, ka një problem. Të shkruarit nuk është pika jote më e fortë. Madje, ti nuk ke as kohë të shkruash në blog, jo më të bësh një libër të tërë.

Pikërisht këtu hyn në skenë shkrimtari fantazmë. Këta njerëz të cilët fjalitë në fletore, mendimet e copëtuara, i kthejnë në romane gati për t’i çuar në një shtëpi botuese, apo për t’i publikuar vetë. Emri i tyre nuk do të thotë se libri yt do të shkruhet nga një person nga bota e përtejme.

Jo, ata janë shkrimtarë profesionistë, të cilët bëjnë libra me porosi dhe në fund, si autorë, nuk do të dalë emri i tyre, por i porositësit.

“Të shkruarit libra nga shkrimtarë për llogari tënden si fenomen është rritur shumë në kohët e fundit, sepse njerëzit dëgjojnë rreth këtij personi, shkrimtarë që mund të bëjë një punë fantastike dhe mund të krijojë një libër nga hiçi. Mendoj se ndonjëherë njerëzit kanë një ide të gabuar të asaj që një shkrimtar fantazmë bën”, tha Marcia Layton Turner, që merret me shkrime për llogari të personave të tjerë dhe është themeluese e “Shoqatës së shkrimtarëve fantazmë”

Shkrimtarja Jenna Glatzer, e cila për punën e saj ka marrë vlerësime edhe nga këngëtarja Celine Dion për librin “For Keeps and Unthinkable”, të ciline shkroi me një nga kandidatët për romanin tjetër “Ironman”, bën shumë pyetje kur ajo është në negociata për të marrë një punë nga një klient. Përgjithësisht ajo tërhiqet kur klientët i thonë se librin e bëjnë ose për biznes, ose për arsye personale. Një libër shton besimin te njerëzit dhe mund të shërbejë shumë si një vegël marketingu, për ta ndihmuar autorin të shesë produktet e tij. Ata autorë, të cilët thjesht duan emrin e tyre t’u dalë si autor libri, zhgënjehen më shpesh nga të tjerët.

“Kur ti punon me një shkrimtar fantazmë, nëse thjesht ke për qëllim që të bësh para me këtë libër, atëherë duhet ta kesh të qartë se kjo nuk është aspak diçka e lehtë për t’u bërë. Për më tepër që do e paguash shkrimtarin në avancë që ta shkruajë librin”, tha ajo.

Një tjetër gjë e rëndësishme për të interesuarit që duan të bëjnë libër, është që të gjejnë shkrimtarin e duhur për zhanrin që ata duan. Përgjithësisht, shkrimtarët që shkruajnë në emër të të tjerëve janë të organizuar në grupe dhe shoqata. Glatzer sugjeron që të flasësh me bashkëpunëtorët e shkrimtarëve që kanë shkruar në të tillë zhanër, në mënyrë që të mësosh për eksperiencat e tyre.

Për shkrimtaren Alisa Bowman, kur ti nis një projekt të ri, duhet që të familjarizohesh mjaft me porositësin. “Lidhja midis të dyve, duhet të jetë pak a shumë si një marrëdhënie e gjatë romantike. Jo se do të ndodhë ndonjë gjë e papërshtatshme, thjesht ti do të jesh bashkë për muaj të tërë me klientin. Si mund t’i bësh gjërat mirë, kur nuk ka komunikim?”, thotë ajo.

Në fillim është mirë që të krijoni një përmbledhje të romanit, në mënyrë që të kuptoni nëse jeni në drejtimin e duhur në lidhje me kërkesat dhe se si materiali do të organizohet.

Bowman këshillon që shkrimtarit t’i lihet koha e nevojshme për të shkruar. Për më tepër që vetëm referenca në shtëpitë botuese nga një shkrimtar fantazmë i njohur, mund t’u kushtojë porositësve minimalisht 5 mijë dollarë. Kurse kur bëhet fjalë për punën përfundimtare, shkrimtarët fantazmë më pak të njohur do të marrin nga 20 mijë deri në 30 mijë dollarë. Kurse kur niveli i tyre është mesatar, shuma shkon në 50 mijë dollarë, apo më shumë. Ata me reputacion të madh fitojnë minimalisht 75 mijë dollarë. “Është një grup shkrimtarësh me porosi që kanë fitime të mëdha me 6 shifra’, shpjegoi Glatzer.

Që të mos të ketë probleme të tjera në vazhdim, është e rëndësishme që të firmoset një kontratë. Por ekspertët këshillojnë që të ketë sa më shumë bashkëpunim mes palëve. “Unë jam i specializuar në libra dhe ajo që ndodh me njerëzit është se ata dinë se mund të shkruajnë, por nuk e kuptojnë se çfarë duhet për ta bërë një libër komercial. Kështu, ata ndjekin rrugën e tyre dhe e bëjnë tekstin jo tërheqës”, analizoi Bowman. Ai theksoi se kur bashkëpunimi është i mirë, përfundimi do të jetë një libër i vështirë për t’u hequr nga duart.

Preu kokën e të dashurës dhe kreu marrëdhënie seksuale me trupin e saj

0

Në Voronezh të Rusisë, një mashkull e pa prerë të dashurën në fyt dhe më pas ka kryer marrëdhënie me trupin e saj të mbuluar nga gjaku.

Aleksandr U. e ka qëlluar 53 herë me thikë Viktoria V. derisa ajo ishte e vdekur.

Më pas, 23-vjeçari e ka veshur një fustan të saj dhe e ka kryer aktin seksual, me 22-vjeçaren e pajetë.

Mësohet se ai është bërë i dhunshëm, kur ajo ka kërkuar të ndahen, sepse e kishte zënë me fustan dhe grim në fytyrë, transmeton Telegrafi.

Miqtë e Aleksandrit kanë treguar se për një kohë të gjatë ai kishte probleme mendore dhe dëshironte të vishej si femër.

News.ru raporton se ai do të mbahet për një kohë të pacaktuar në një qendër psikiatrike, derisa të dalë para drejtësisë.

Arrestohet në Vërmicë, shtetasi i Shqipërisë

0

Një shtetas i Shqipërisë është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, pasi i njëjti kishte një urdhër arrestit ndërkombëtar, të lëshuar përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar.

I njëjti është dorëzuar Sektorit Rajonal të Hetimeve në Prizren. Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Personazhet më të famshme që kanë tradhtuar në libra

0

“Ana Karenina”, Leon Tolstoi

I gjithë faji është i takimit në stacionin e trenit, mes Ana Kareninës, grua e martuar dhe bukuroshit Vronskij, i cili i rezervon një vëmendje këmbëngulëse. Me kalimin e kohës, Ana do të jepet para joshjes së tunduesit, në dëm të një bashkëshorti gjithnjë e më të fokusuar te puna si funksionar qeveritar. Por as tradhtia dhe as hekurudhat nuk do i sjellin fat protagonistes së këtij superklasiku që nuk duhet të humbet në asnjë mënyrë.

“Madamë Bovari”, Gustav Flobert

Një tjetër grua e famshme jobesnike është protagonistja e një tjetër romani shumë të bukur të letërsisë europiane të tetëqindës. Ema martohet me Carls Bovarinë naiv, i cili, në këmbim të përkushtimit, merr nga e shoqja gënjeshtra dhe një seri tradhtish me burra të tjerë. Ai, burri me brirë, do ta kuptojë kur të jetë bërë me të vërtetë shumë vonë.

Kiti, “Velloja e pikturuar”

Histori çiftesh britanike të sërës së lartë, të transferuara për punë në Orientin e kolonive. Ajo, me pamje magjepsëse, e tradhton me një bukurosh, edhe ai i martuar. Kiti i rrëfen gjithçka të shoqit, e bindur se i dashuri do të divorcohet ashtu si ajo dhe do ta ndjekë pas. Por gabohet. Dhe ky është vetëm fillimi i një prej romaneve më të mira të letërsisë angleze të nëntëqindës.

Gjinevra (nga Romancat e Tryezës së Rrumbullakët)

Tradhtia mitike është rrëfyer në shumë libra, që nga ata mesjetarë dhe përsëritur më pas në shumë vepra nga shekulli XII e deri te romanet e sotme. Gjinevra është bashkëshortja e kolme e mbretit Artur, të cilin megjithatë e tradhton me Lançelotin, më i shkathëti i Kalorësve të Tryezës së Rrumbullakët.

Françeska da Rimini (Dante, “Ferri”, Kënga V”)

Tradhtia më e njohur në letërsinë italiane është ajo e Françeska da Rimini, e përshkruar nga Dante Aligieri në këngën e pestë të Ferrit, ajo që të gjithë, për fat e mbajmë mend që kur na kanë detyruar ta mësojmë në shkollë. Françeska dhe i dashuri Paolo kapen në flagrancë nga bashkëshorti i saj dhe vëllai i tij, dhe vriten: do të përfundojnë në rrethin e epshit, përgjithmonë të bashkuar.

Margarita (“Mësuesi dhe Margarita”, Mikhail Bulgakov)

Margarita, bashkëshorte e palumtur, tradhton një bashkëshort të parëndësishëm me Mësuesin. Dhe për më tepër del nga shtëpia krejt lakuriq, fluturon në çatitë e qytetit, lëshohet në marrëzinë e një feste satanike ku është mbretëreshë. Bashkë me mace që flasin dhe djaj.

Helena (Homeri, “Iliada”)

Tradhtia tipike. Por në “Iliadën” e Homerit, Helena është një grua e trishtë, viktimë e bukurisë së saj të tepruar dhe magjisë me të cilën perëndesha e dashurisë, Afërdita, e ka nënshtruar. Nuk ishte Helena që donte të tradhtonte të shoqin, Menelaun me Paridin, që ajo e përçmon. Në këngën VI, Helena e trajton Paridin si burracak dhe duket sikur preferon më shumë kunatin e tij, Hektorin.

Hester, (“Damka e turpit”, Nathanil Hothorn)

Edhe në këtë rast, gruaja jobesnike përfundon keq: këtu e gjejmë, në trekëmbësh madje, e dënuar me vdekje në Amerikën puritane të një herë e një kohe. Damka e titullit është germa A, që Hesteri duhet ta mbajë në veshje, me qëllim që të turpërohet për fajin e saj para komunitetit, sa herë që del nga shtëpia. Por libri i Hothorn është në të vërtetë një denoncim ndaj bashkëkohësve të tij. Roman i suksesshëm që nga botimi i parë, sot në krye të letërsisë amerikane, bashkë me “Mobi Dikun”.

Dona Florípides Guimarães (“Dona Flor dhe dy bashkëshortët e saj”, Jorge Amado)

Letërsia e tradhtisë di të jetë edhe e gëzueshme, pa e prishur cilësinë e shkrimit: Dona Flor e Amados i vë brirët bashkëshortit me burrin e mëparshëm. Dhe ky i fundit, Vadinho, nuk është vetëm një dashnor i zjarrtë: rezulton madje edhe i vdekur. Marrëdhëniet jashtëmartesore, në rrëfimin e Amados, janë gjithsesi të shpeshta: nga Teresa Batista e lodhur nga lufta, një mulate e bukur e martuar me një latifondist të pasur, por që e tradhton, e deri te Gabriela Garofano dhe Kanela, e kapur në shtrat me shokun më të mirë të bashkëshortit.

Konti Shatërlei (“I dashuri i zonjës Shatërlej”, D. H. Lorens)

Gruaja më jobesnike e nëntëqindës letrare mund të jetë Zonja Shatërlej: pas një rinie libertine martohet me aristokratin Kliford Shatërlej, i cili është i pasur dhe fisnik, por shumë shpejt tregon se është pak i prirur të përmbushë detyrimet martesore. Prandaj Zonja e konsideron një budalla dhe e tradhton vazhdimisht me një burrë të pashëm, me të cilin lidhja është vetëm fizike. Lista e grave jobesnike në letërsi është edhe më e gjatë.

Të shtëna me armë në një resort në Bregun e Fildishtë, 11 të vdekur

0

Katër persona të armatosur kanë sulmuar një hotel në plazhin e “Grand Bassam” në Bregun e Fildishtë. Sipas mediave të huaja deri më tani raportohet për 11 të vdekur. Mësohet se mes viktimave është edhe një fëmijë 5-vjeçar.

Agresorët ishin të armatosur dhe në kokë kishin vënë kapuçë në momentin që qëlluan mbi turistët. Nuk dihet ende se kush qëndron pas këtij sulmi të tmerrshëm, por dëshmitarët thonë se para se të fillonin sulmin, agresorët bërtitën “Allahu Akbar”. “Grand Bassam” është një prej zonave më të preferuara për turistët.

Refugjatët në kufirin shqiptar, Reuters: Disa emigrantë janë të prekur nga Hepatiti A

0

Mundësia e hyrjes në Shqipëri të refugjatëve nga Lindja e Mesme të cilët janë bllokuar në Greqi, sa vjen e po bëhet më e madhe. Kryeministri Rama ka deklaruar qatrë se vendi ynë nuk do të pranojë emigrantë, megjithatë mediat greke dhe të huaja shkruajnë se ekziston mundësia dhe ka bisedime sekrete mes Shqipërisë dhe Italisë që vendi ynë të shërbejë si portë hyrëse.

Nga ana tjetër, refugjatët e bllokuar në Greqi tashmë kanë mbërritur shumë pranë kufirit shqiptar, ku disa prej tyre janë strehuar në disa kampe në Konicë, kurse ekziston rreziku se disa prej tyre mund të kenë edhe epidemi, gjë që mund të përbëjë problem nëse hyjnë në Shqipëri,

Agjensia e lajmeve Reuters shkruan se në kampet e emigrantëve në pikën kufiare ‘Idomeni’ mes Greqisë dhe Maqedonisë, dy prej emigrantëve janë diagnostikuar me hepatitin A.

Ky lloj virusi mund të shkaktojë epidemi, dhe për më tepër në kushtet jo njerëzore që po rrinë emigrantët në Idomeni. Hepatiti A nuk është vdekjeprurës, por sipas ekspertëve të shëndetësisë mund të sjellë pasoja sociale dhe ekonomike në një vend.

Nga ana tjetër shefi i Europolit, Brian Donald ka paralajmëruar se rrjetet e krimit të organizuar dhe trafikantët janë rizgjuar pas krizës së emigrantëve, dhe akuzohen për zhdukjen e mijëra fëmijëve të mitur dhe femrave të vetmuara.

Abrashi uron dy vjetorin e qeverisjes së dënuar të Ramadan Mujës

0

Kuvendari i VV-së Artan Abrash, ka uruar dy vjetorin e qeverisjes së Prizrenit me kryetarin e dënuar Ramadan Muja.

“Prapa bukurisë që na e fali historia fshihet kriminaliteti, pushteti abuziv, depresioni kolektiv, apatia shoqërore e politike”, shkruan ai në Facevook.

“Prizreni është bukuri që po kalbet”.

“Urime dy vjetori i qeverisjes me kryetar të dënuar”./PrizrenPress.com/