18.3 C
Prizren
E diel, 8 Qershor, 2025
Home Blog Page 6856

Përurohet restaurimi i Muzeut Arkeologjik në Prizren

0

Është përuruar restaurimi i Muzeut Arkeologjik në Prizren.

Drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha, tha se përmes implementimit të këtij projekti është mundësuar qasja institucionale që duhet të kemi karshi trashëgimisë së pasur kulturo – historike që ka rajoni i Prizrenit.

Arkitektja, Ilirjana Mejzini, e cila ka qenë drejtoreshë e projektit të restaurimit tha se “ky projekt ka qenë tejet voluminoz”.

“Është realizuar përmes një studimi të planifikuar i cili ka rezultuar me zhvillimin e punimeve cilësore për të bërë një objekt të këtij lloji edhe atraksion turistik”.

Sekretari i Përgjithshëm i MKRS-së, Veton Firzi dhe kryesuesi i Kuvendit të Prizrenit,Kujtim Gashi thanë në këtë solemnitet se fal bashkëpunimit të shumë institucioneve po përurohet një ndër objektet që është në listën e prioriteteve të ministrisë së kulturës por edhe komunës së Prizrenit. /TV Prizreni/

Ahmeti: Nuk ka arsye për konflikte të reja

0

I pyetur nëse pas përleshjeve në Kumanovë ekziston rrezik nga një luftë e re, Ahmeti mohon një rrezik të tillë, duke shtuar se nuk ka arsye për këtë.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti në një intervistë për gazetën austriake “Prese” konfirmon se disa luftëtarë të ish-UÇK-së në Maqedoni kanë qenë pjesë e grupit të armatosur në Kumanovë, por thekson se motivet dhe qëllimet e tyre nuk i ka të qarta dhe se nuk ka arsye për luftë të re.

“UÇK-ja në Maqedoni u çmobilizua në vitin 2001 siç u dakordua me marrëveshjen paqësore të Ohrit. personat të cilët tani i referohen UÇK-së, këtë e bëjnë si individë. Ata nuk mund të flasin në emër të organizatës dhe nuk veprojnë në pajtim me vendimin nga viti 2001”, theksoi Ahmeti.

Ajo që njeh disa anëtarë të grupit të Kumanovës, sipas liderit të BDI-së, nuk do të thotë se mbështesin çfarë do qëllime të cilat janë në kundërshtim me atë që është dakorduar në Ohër në vitin 2001. Formimi dhe qëllimet e grupit në Kumanovë mbesin një sekret, thotë Ahmeti, duke shtuar se nuk dëshiron të marrë pjesë në teoritë e komplotit që zgjerohen nëpër mediume.

Ahmeti shpreh shqetësim nga reagimet që vijnë nga Moska në lidhje me ngjarjet në Maqedoni.

“Ministri rus i Punëve të jashtme Sergej Lavrov tha se zgjerimi euroatlantik i Ballkanit paraqet provokim për Rusinë. Para disa ditësh pohoi edhe se ngjarjet në Maqedoni janë provokuar nga NATO-ja, BE-ja dhe Uashingtoni. Këtë fuqishëm e hedh poshtë. Të gjithë qytetarët tanë qartë theksuan se dëshirojnë inkuadrim në NATO”, deklaroi Ahmeti.

Sipas tij, ekziston një mundësi që Rusia të tentojë ta rrisë ndikimin në Maqedoni dhe porosit se Moska në këtë nuk do të ketë sukses sepse është në kundërshtim me atë që angazhohen shumica e qytetarëve të Maqedonisë.

I pyetur nëse pas përleshjeve në Kumanovë ekziston rrezik nga një luftë e re, Ahmeti mohon një rrezik të tillë, duke shtuar se nuk ka arsye për këtë.

Lideri i BDI-së konsideron edhe se nuk ka nevojë për revizion të Marrëveshjes së Ohrit ose për krijimin e një revizioni të ri që të rregullohet bashkëjetesa midis shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni, transmeton RTK.

“Çdo tentim për marrëveshje të reja do të ishte një hap mbrapa. Duhet të punojmë që fryma dhe dispozitat e Marrëveshjes së Ohrit të shndërrohen në vepër”, thotë Ahmeti.

Si obligim nga Marrëveshja e Ohrit i cili, sipas tij, ende nuk është realizuar, është përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. Konsideron se Marrëveshja e Ohrit dhe Kushtetuta qartë tregojnë se gjuha shqipe duhet të jetë gjuhë zyrtare në Maqedoni, por, siç thekson, pala maqedonase këtë e interpreton më ndryshe për çka janë ftuar ekspertë nga Belgjika dhe Zvicra të cilët duhet të ndihmojnë rreth rregullimit ligjor të përdorimit të gjuhës shqipe.

Rikthehet Sokol Balla

0

Emisioni “Top Story” rikthehet sërish këtë të enjte. I ftuari i Sokol Ballës do të jetë Erion Veliaj.

“Top Stoy” u pezullua për disa javë, pas publikimit të disa pamjeve intime të gazetarit Sokol Balla.

Ky i fundit deklaroi atëherë se emisioni do të ndërpritej për pak kohë, në respect të shikuesve.

“Në shenjë respekti për lëndimin e shikuesve nga botimi i dhunshëm i pak sekondave të jetës time private, “Top Story” nuk do të transmetohet për një periudhë të shkurtër kohore”, pati deklaruar Sokol Balla.

Tashmë ky emision rikthehet në prag të fushatës, kur pritet të paraqesin alternativat e tyre kandidatët e bashkive kryesore.

“Pikat e zeza” i heqin ekspertët!

0

Agim Muhaxheri

I torturuan brenda hekurave jo si individë, por si komb. Ky veprim bie ndesh me Konventat e Gjenevës (1949).

Nuk duhet lejuar që rolin e “kirurgëve” në procesin “Kumanova” ta marrin vetëm maqedonasit. Bashkë me ta të jenë ndërkombëtarët. U kapën të gjallë, i shpallën të vdekur. Fjala është për Xhafer Zymberin, Mirsad Ndrecajn dhe Muhamet Krasniqin.

Ekspertët ndërkombëtarë, të Balistikës dhe të Mjekësisë Ligjore, do të ndriçojnë shkakun e vdekjes së tyre. Shkupin e “drodhën” dy protesta të mëdha, ajo e Zaevit dhe tjetra e Gruevskit. Kush kujt ia nxori “zorrët për lëndinë”?

Kanë nisur hetimet për rastin “Kumanova”. Prokurorë e gjykatës janë maqedonasit, ndërsa “pacientët” e tyre 28 të pandehur shqiptarë, shumica nga Kosova, të dyshuar për “Terrorizëm” e vepra tjera penale. Do të zgjerohet numri i të pandehurve, apo jo?

Një avokate, mbrojtëse në këtë rast penal, i deklaroi gazetarëve se klientit të saj ia kanë thyer dhëmbët.

Shkupin e “drodhën” dy protesta masive, ajo e opozitarit Zoran Zaev, më 17 maj, dhe tjetra, të nesërmen, e rivalit të tij, Nikolla Gruevski. Tabori i parë e organizoi protestën “para derës” së diktatorit Gruevski, ndërsa të tjerët para “Sobranies” (Kuvendit).

Kush kujt ia nxori “zorrët për lëndinë”?

Në vallen e ithtarëve të Zaevit ishin edhe shqiptarët. Shqiptarët u paraqitën në një protestë bashkë me maqedonasit për herë të parë që nga ekzistimi i këtij shteti të brishtë. Lidhja e dy flamujve, atij të Maqedonisë dhe flamurit tonë kombëtar, më kujtoi kohën e protestave në Prishtinë, kur përkraheshin minatorët e “Trepçës” dhe me fotografitë e shokut Tito kërkohej barazi.

Për dallim nga shtetarët, diplomatët, Zaev shprehu ngushëllime vetëm për policët e vrarë. Kërkoi barazi për të gjithë qytetarët. Kundërshtarët e tij i quajti banditë, hajdutë, kapës të shtetit. Përsëriti refrenin “Odisi, odisi Gruevski!” (Ik, ik, Gruevski!).

Ata të Gruevskit, që kishin ardhur me autobusë, të kujtonin mitingjet si në kohën e Sllobodan Millosheviqit sipas asaj: “Kush s’del në protestë, largohet nga puna”. Gruevski iu kundërvu rivalit të tij Zaevit, edhe ky e përdori shprehjen “bandë”.

Kodet penale të shteteve, me demokraci të zhvilluar, rreptësisht e ndalojnë torturën psikike e fizike ndaj të pandehurit.

Sa respektohen të drejtat e njeriut në konfliktet e armatosura? Sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare edhe luftërat kanë kufij. Konventat e Gjenevës (1949) ndalojnë dhunën mbi jetën dhe personin, në veçanti vrasjet e të gjitha llojeve, gjymtimin, trajtimin mizor dhe torturën, ndalojnë cenimin e dinjitetit personal, në veçanti trajtimin poshtërues dhe denigrues.

Pas vringëllimit të armëve në Kumanovë, më 9 maj, në skenë dolën fjalëvrasësit, krerët maqedonas, diktatori Nikolla Gruevski, i pari i shtetit, Gjorgje Ivanov, ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankulovska, e të tjerët. Këta i fryjnë zjarrit, shqiptarët i nxjerrin si minues, destabilizues të shtetit.

Zaev e bëri publike audiopërgjimin e Gordanës, e cila ishte shprehur se do t’i shfarosë shqiptarët “për një orë”. Asaj nuk iu kujtua një këngë jona erotike: “Vetëm 5 minuta, jo më shumë”. Një analist yni bëri vërejtje se për këtë fyerje të Jankulovskës qytetarët e Kosovës ka qenë dashur të dalin në protesta. Përse të dalim në protesta? Për “dosjet e ëndrrave” flet edhe gjeniu i letrave tona, Ismail Kadare, në romanin e tij “Pallati i ëndrrave”.

Ivanov i çoi letër të hapur shteteve anëtare të OKB-së, tërhoqi vërejtjen për gjendjen e rëndë në shtet. Gurin ia hodhi shqiptarëve. Kujton ai se shtetarët hanë barë, nuk e kanë parë në ekranet televizive terrorin shtetëror maqedonas, “Irakun”, në këtë oazë të nxehtë të Ballkanit.

Iu deshtë të kalojë një javë për të bërë publike listën e të arrestuarve, emrat e të cilëve i bastarduan. Për shumicën nuk u paraqitën të dhënat e plota, nuk e përmendën vendbanimin, përmendën se janë nga Kosova. Njërit i shkruajnë emrin Rufki Dogan. Për lexuesin e painformuar, ky del të jetë turk, e që në të vërtetë ai është shqiptar. Shqiptarët nuk kanë mbiemrin Dogan, po Dogani.

Regjimi i diktatorit Gruevski tregohet i “kujdesshëm”. I përpilon listat e atyre që iu dogjën dhe shkatërruan shtëpitë në Kumanovë. Emrat e tyre i shkruan në alfabetin cirilikë, ndonëse ata janë shqiptarë. Edhe kjo është “cikërrimë” për qatipët. S’bën t’i shkruajnë emrat në shqip, se hidhërohet “gazda” Gruevski!

Unë jam shteti, thotë Gruevski, është punë imja si i përpiloj listat, s’bën të tjerët të përzihen në “punët e brendshme të shtetit”. Për këtë tip e të tjerët sy ky nuk ka dert pse vritet Kushtetuta, ligjet e shtetit, por edhe Marrëveshja e Ohrit. Ç’është për ta Marrëveshja e Ohrit ?

Zyrtarët maqedonas shprehin të ashtuquajturën “reservatio mentalis”. Ende s’e kanë bërë publike listën e të plagosurve. Kush janë ata?

Tjetër është politika, tjetër drejtësia. Procesi “Kumanova” është një mister i madh dhe nuk bën të hysh në mal “pa sakicë”. Hetuesit e Policisë, prokurorët, ekspertët e Balistikës, por edhe ata të Mjekësisë Ligjore mund të jenë në shërbim të shtetit. Mund ta vrasin drejtësinë. Në rastin konkret, te procesi “Kumanova” është e domosdoshme që hetues e ekspertë të jenë ndërkombëtarët. Hetues mund të jenë ata të FBI-së amerikane, apo ndokush tjetër.

Partitë shqiptare në Maqedoni me çdo kusht të bëjnë trysni që në rolin e “kirurgëve” të këtij procesi të paraqiten të huajt.

Nuk është Maqedonia përjashtim. Në proceset e ndryshme me përmasa ndërkombëtare janë paraqitur edhe të huajt si hetues dhe ekspertë.

Njëri nga dëshmitarët e gjallë të këtij procesi, Sulejman Osmani – “Sula”, i cili arriti t’ju ikë policisë, paraqiti rrëfimin shokues për atë çfarë kishte parë. Ky është personi që në xhirimet e policisë shihet duke mbajtur një leckë të bardhë, në shenjë dorëzimi. “Sula” rrëfeu se në çastin e arrestimit kanë qenë të plagosur Xhafer Zymberi – “Xhafa”, Mirsad Ndrecaj – “Nato” dhe Muhamet Krasniqi – “Malisheva”. Këta i kapën të gjallë policia, thotë ai, të cilët pastaj i shpallën të vdekur!

Ekspertët e Balistikës merren me “lëvizjen e predhës”, pozitën e viktimës. Ndërkaq, ata të Mjekësisë Ligjore merren me shkakun e vdekjes, është qëlluar viktima me plumb, nga copëzat e granatës, me mjetin topitës apo të mprehtë. Ekspertët e Mjekësisë Ligjore konstatojnë faktet, është qëlluar viktima në anën e përparme të trupit apo në shpinë. Finesat e ekspertëve lënë të kuptosh se kush është vrasësi.

Fjala e ekspertëve është vendimtare për zgjidhjen e rastit penal.

Trajtimi i të pandehurve s’është kompetencë vetëm e të drejtës së brendshme, me ta merret edhe e drejta ndërkombëtare.

I torturuan, vazhdojnë t’i torturojnë brenda hekurave, jo si individë, por si komb. Kanë aversion ndaj shqiptarëve. Nuk ndiejnë se e vrasin të drejtën ndërkombëtare.

Zaev i ka nxjerrë partallet procesit “Monstra”. Sipas tij del se shqiptarët të dënuar me burgim të përjetshëm në këtë proces janë ta pafajshëm.

Nëse del ajo çfarë thotë Zaev, procesi “Monstra” ia ha kryet Gruevskit./zeri/

Fillon dezinfektimi kundër rriqrave në Malishevë

0

Sot ka filluar edhe fushata e dezinfektimit selektiv, të zonave endemike në territorin e Komunës së Malishevës.

Kjo spërkatje po bëhet në kuadër të zbatimit të strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike krime kongo (EHKK.

Sipas drejtorit për mbrojtje dhe shpëtim në Komunën e Malishevës, Ahmet Morina, “dezinfektimi ka filluar në fshatin Drenovc, për shkak se këtë vit, janë regjistruar numër më i madh i rasteve të thumbimeve nga rriqrat, ndërsa në disa faza, do të inskenohet i tërë territori i Komunës së Malishevës”.

Fillimin e kësaj fushate, e ka përcjellë nga afër edhe kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, drejtori për shëndetësi, Hajdin Berisha dhe përgjegjësit e tjerë komunalë.

Morina, tha se “spërkatjen është duke e kryer kompania “Truly Nolen”, ndërsa preparati që përdorët për spërkatje është “”Masterline Bifinthrin 7.9”. Në këtë fushatë të dezinfektimit janë të angazhuar rreth 50 punëtorë, të pajisur me pompa dore dhe makineri lëvizëse, si traktor, kamioneta dhe të tjera”.

Po ashtu, në të njëjtën kohë, është duke vazhduar edhe repelimi i kafshëve, ndërsa Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, është duke kryer të gjitha shërbimet për rastet e thumbimeve nga rriqrat, të cilat paraqiten në QKMF të Malishevës.

Sipas drejtorit për shëndetësi, Hajdin Berisha, numri i rasteve të thumbimeve deri më sot është 325 raste dhe fatmirësisht, nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me EHKK.

Kosova njihet edhe nga Antigua dhe Barbuda

0

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka zyrtarizuar njohjen nga shteti Antigua dhe Barbuda.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Thaçi ka njoftuar për këtë njohje duke e konsideruar si të rëndësishme.

“Lajm i shkëlqyer! Sapo morra njoftimin zyrtar për njohje nga shteti karaibian i Antigua dhe Barbuda. Njohja e Republikës së Kosovës nga shtetet dhe organizatat ndërkombëtare nuk ka të ndalur. HTH”, ka shkruar Thaçi në Facebook. /Telegrafi/

Familja e Elvis Pistës: Nuk po intervistohen njerëzit e profilit të lartë

0

Beatrisa Pista-Demiri, e motra e Elvis Pistës, kandidatit për deputet të PDK-së të vrarë më 15 qershor të vitit të kaluar, thotë se si familje janë të pakënaqur me mënyrën se si po zhvillohen hetimet nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.
Beatrisa Pista-Demiri thotë për KALLXO.com se vëllai i saj i vrarë sa ishte gjallë kryente funksione të shumta dhe kishte raporte të ndryshme me njerëz të profileve të larta.

“Me plot përgjegjësi e them që nuk janë intervistuar njerëzit e profileve të larta”, thotë Pista-Demiri.

Ajo nuk është e kënaqur që lënda për vrasjen e Elvis Pistës ndodhet në Prokurorinë Themelore të Gjakovës.

“Së pari nuk jemi të kënaqur që lënda është në Gjakovë, kishte me qenë më mirë të ishte në Prishtinë sepse që nga java e parë Kryeprokurorja ka deklaruar që edhe dy javë do dalim me rezultate, edhe dy ditë, shumë shpejt dhe kjo ka ndikuar keq në anën emotive”, tha Pista-Demiri.

Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Shpresa Bakija, për KALLXO.com të hënën, e pranoi që ende nuk është identifikuar personi që qëlloi ish-kandidatin për deputet.

Motra e Elvis Pistës, Beatrisa tha se si familje kanë pritur që së paku të formulohen pistat e hetimit.

“Çka kemi pritur në fakt ka qenë që sadopak prokuroria dhe njësia e hetuesisë rajonale të ketë një përgjigje, së paku të ketë një profil të vrasësit, apo të ketë ndonjë pistë ku është fokusuar mirëpo si para një viti, si deri më tash përgjigjet janë të njëjta”, deklaroi Pista-Demiri.

Kryeprokurorja Bakija tha se prokuroria ka dërguar në Finlandë për ekzaminim shënimet për aktivitetet e zhvilluara që Elvis Pista i mbante në një fletore dhe telefonat e tij.

Nga ky ekzaminim ajo deklaroi se presin shumë.

“Bëhet fjalë për një fletore ku i ndjeri ka mbajtur shënime, por dyshohet që ato shënime i ka mbajtur edhe në telefonat e tij. Çdo veprim që ka ndërmarrë i ndjeri në punën dhe veprimtarinë e tij të përditshme e ka shënuar edhe në telefonat e tij, por ata telefona nuk kanë mundur assesi të ekzaminohen në Kosovë”, tha Bakija. /kallxo.com/

Rasti Mursi – Kur e drejta falimenton

0

Shkruan: Ditar Kabashi

Ligji dhe e drejta nuk janë gjithherë në frymë të njëjtë. Ta zëmë, veprimet antidemokratike mund të përligjen, por asnjëherë të arsyetohen me logjikë të shëndoshë e ndërgjegje të pastër. Ato mund të kenë mbështetje në norma pozitive, por mund të jenë në disproporcion me të drejtën objektive. Këtu edhe duhet parë pikënisjen e dallimit ndërmjet shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës.

Ja, edhe në ditët e sotme, kur pretendohet se gjithçka ka mbërri në kulminacion të avancimit, del në pah ana e errët e instrumentalizimit të ligjit, të arbitraritetit dhe goditjes së vullnetit popullor.

Rasti i fundit, par exellance, për ta kuptuar këtë, është dënimi me vdekje i Presidentit të përmbysur të Egjiptit, Muhammed Mursi.
Pas shumë dekadash trysnish dhe ngulfatjeje të lirisë së aktiviteteve demokratike, Egjipti, ky shtet gjigant afrikano-verior, me “Pranverën Arabe” rigjeti mundësinë për t’u kthyer në “gjenet e veta”, me një fjalë, qytetarëve të vet i erdhi rasti që të proklamojnë lirshëm vullnetin politik. Dëshira e kahmotshme do të quhej “Mursi” kur inxhinjeri akademik do të fitonte rreth 52% të votave të drejtpërdrejta nga populli. Tanimë ridefinohej sovrani; këtë epitet populli egjiptas ia kishte marrë sundimtarëve jomeritorë.

Grusht shteti ushtarak i Gjeneral Sisit demonstroi se dhuna është mjeti më i parapëlqyer kundrejt popullit. Janë mbytur disa mijëra veta. Të përndjekur e të burgosur shumëfish më tepër. Ekonomia në prag të kolapsit. Prej një shteti që me Mursin synonte faktorizimin në arenën ndërkombëtare, në një shtet të fundosur me halle të botës së tretë.

Dënimi me arsyetimin qesharak për “tradhti kombëtare” shpërfaq edhe njëherë degradimin e gjyqësisë atje. Madje është mirë që studentët e fakulteteve juridike të njihen për së afër me këto praktika. T’u shpjegohet atyre se nëse drejtësia bie në duar të matrapazëve, shkelet e drejta, keqpërdoret ligji dhe pëson populli.
Ekzekutimi i mundshëm i këtij dënimi që duhet të miratohet edhe nga Myftiu i Shtetit, (sipas legjislacionit egjiptas, Myftiu thotë fjalën e fundit në raste të tilla) rëndom kukull apo në rastin më të mirë lajkatar i pushtetit, mbase do të “qetësojë” ndërgjegjen kolektive që tashmë duket sheshazi se është e fjetur. Ndoshta mendohet se duke e mbështetur në petkun fetar këtë absurd do të shmangen trazira të mundshme.

Sidoqoftë, ekzekutimi me vdekje i Muhammed Mursit tashmë nuk është gjithçka. Vetë ai ka dëshmuar se nuk i frikohet vdekjes dhe se qëndron prapa veprimeve të tija.

Në Egjipt po falimenton e drejta, po shuhet verdikti popullor, po synohet mbytja e frymës së lirisë. Dhe e tërë kjo në sy të botës, e sidomos asaj demokratike. Kundërshtarët e flaktë të dënimit me vdekje heshtin gjithandej. Propaganduesit dhe financuesit e shoqërive të hapura e demokratike kanë mbyllur sytë e veshët. Kjo më së miri flet për standardet e dyfishta për njerëz a popuj të ndryshëm. U demaskuan shumë fytyra që dolën të ishin aq të shëmtuara.
Le të dihet se drejtësia selektive nuk është drejtësi. E drejta duhet të veprojë ndaj të gjithëve njësoj.

Këtë rast nuk duhet parë në optikën e shkurtë si një pune të brendshme e një shteti të largët. Ky është precedent, është shembull se si mund të bastardohet interesi publik, si cenohet e drejta ndërkombëtare, si nuk sanksionohet dhunëtari, si viktimizohet ai që ka legjitimitet, si ndërtohen marrëdhëniet hipokrite mes liderëve e shumë premisa të tjera që janë në kundërthënie të plotë me diskursin aq të proklamuar mbi të drejtat dhe liritë njerëzore, organizimin demokratik, vlerat e përgjithshme universale të stërshtjelluara në dokumente ndërkombëtare.

Andaj, mospajtimi me këtë vendim gjyqësor nuk duhet nënkuptuar domosdo mbështetjen në baza ideologjikë të Presidentit Mursi, por me mbrojtjen e atyre parimeve që u thanë më lart. Burrëria nuk është çështje gjinie, por çështje karakteri, thoshte një shkrimtar i urtë dikur.

Arrestohen dy hajna të radiove të veturave në Prizren

0

Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar për vjedhje të radiove të veturave.

Arrestimi i tij është bërë në rrugën “Adriatiku” në Prizren.

“Janë arrestuar dy të dyshuar nën dyshimin se të njëjtit me forcë kanë hapur automjetin e ankuesit mashkull K/Turk nga ku kanë vjedhur një radio”, njofton Policia e Kosovës.

Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com./

Mijëra lëndë në sirtarë, gjyqtarët në kolegje private

0

Ndryshimi i projektligjit për gjykatat nuk e ndal angazhimin e dyfishtë

Vlerësimi i performancës së gjyqtarëve sërish lihet në duar të KGJK-së

Plotësim-ndryshimi i Projektligjit për O3/L-199 për gjykatat ka kaluar nëpër duart e grupit punues të Komisionit për legjislacion dhe ekspertëve të ndryshëm. Pas rishikimit dhe diskutimin nen për nen, edhe pse pati kundërshtime nga shoqëria civile, u pranua propozimi i prokurorit Besim Kelmendi për krijimin e një departamenti special në GJTHP.

Prokurori i PRSK -së Kelmendi, kishte propozuar krijimin e një departamenti special në Gjykatën Themelore të Prishtinës, që do të ishte kompetent për të vendosur për lëndët, për të cilat është kompetente PRSK -ja. Por, sipas përfaqë- suesit të grupit për studime juridike dhe politike, Fisnik Korenica, ky hap nuk duhet hedhur nëse më parë nuk ka një dakordim mes gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Kjo çfarë po propozon prokurori Kelmendi është që të themelohet një gjykatë me juridiksion ekskluziv për krime serioze që i ndjek PRSK -ja, por një gjë e tillë mendoj se prodhon pasoja relativisht të mëdha institucionale, në mënyrën se si është organizuar aktualisht Prokuroria e shtetit. Kështu që, nëse prokurorët dhe gjyqtarët do të dakordoheshin do të ishte në rregull, por pa një dakordim paraprak mendoj se është e rrezikshme”, ka thënë Korenica../Kosova Sot/