Home Blog Page 6866

Shtëpi dhe vetura të dëmtuara në Lugizhdë të Prizrenit (Foto)

0

Erërat e fuqishme të mbrëmjes së kaluar i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme banorëve të fshatit Lugizhdë të Komunës së Prizrenit.
Sipas përfaqësuesit të këtij fshati, Bekim Neriovaj, aty janë dëmtuar rreth 80 përqind të shtëpive dhe mësimi në shkollën fillorë Pjetër Budi nuk është mbajtur, për shkak të thyerjes se xhamave të dritareve dhe dëmtimit të kulmit të objektit të shkollës, njofton Klan Kosova.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe përfaqësuesit e Komunës së Prizrenit, të cilët kanë kërkuar nga banorët që të bëjnë mbledhjen dhe përllogaritjen e dëmeve të shkaktuara,dhe më pas raportin t’ua dorëzojnë Komunës, në mënyrë që kjo e fundit t’i del në ndihmë.

1-17-768x576

 

Haradinaj: I kemi dhënë opsion qeverisë të dorëhiqet

0

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se i kanë dhënë opsion qeverisë që të dorëhiqet.
Haradinaj në një intervistë për Botapress ka thënë se gjendja në Kosovë nuk është e mirë si pasojë e vendimeve të gabuara të kësaj qeverie.

“Gjendja në Kosovë nuk është e mirë si rezultat i Qeverisë dhe i vendimeve të gabuara, veçanërisht i dy vendimeve të fundit e që janë të rrezikshme, të Qeverisë Mustafa, e atij për Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe ‘Zajednicës’, që është në konflikt me kushtetutën e vendit dhe të qëllimit të Demarkacionit ose vijës kufitare me Malin e Zi”, ka theksuar ai.

Sipas Haradinajt, vendi është në një gjendje të rënduar dhe opsion mbetet dorëheqja e qeverisë.

“Pra është një gjendje e rënduar, ne kemi dhënë si opsion për zgjidhje pra dorëheqjen, llogaridhënien nga Qeveria Mustafa, duke i thënë ‘shko’ në mënyrë që të kthehet sovraniteti i vendit, të kthehen kufijtë e Kosovës, që të ndodhë zhvillimi ekonomik, që të ndalet korrupsioni, që Kosova të ketë ushtrinë e vet , pra që të kemi një shtet normal”, u shpreh Haradinaj.

Filmi “Babai” i Visar Morinës, në konkurrencë për çmimin më të lartë gjerman të filmit

0

Filmi i regjisorit nga Kosova Visar Morina, «Babai», që është një koproduksion gjermano-kosovar është nominuar në mesin e 44 filmave gjermanë për çmimin më të lartë të Gjermanisë për film «Lolo». Ky çmim është njëherësh më i larti edhe në kuptimin e shumës së parave që tërheq me vete, në konkurrencë me të gjitha çmimet për kulturë që ndahen në Gjermani.

Shuma e parave të çmimeve për të gjitha kategoritë e filmave, aktorët, etj. është 2 milionë e 955 mijë euro, thuhet në njoftimin e publikuar nga Akademia Gjermane e Filmit. Ndërsa çmimi i parë ose i artë për film artistik (të luajtur) në të cilën kategori garon dhe «Babai» është 500 mijë euro. Jepen po ashtu edhe çmimi i dytë ose i argjendtë me 425 mijë euro dhe i treti i bronztë) 375 mijë euro, transmeton albinfo.ch. Sigurisht, në këto shuma përfshihen edhe premitë që filmat i kanë fituar me vet nominimin e tyre për çmim.

Çmimi jepet nga e ngarkuara për kulturë dhe medie e Qeverisë Federale, ministrja shtetërore, Prof. Monika Grütters. Vlerësimin për nominim e kanë bërë tri komisione me 35 anëtarë: 30 anëtarë të Akademisë Gjermane të Filmit, një anëtar ekstern me eksperiencë nga fusha e filmit dhe katër përfaqësues të komisionit të Bundestagut për kulturë dhe medie, përcjell albinfo.ch.

Filmi «Babai» që nga sfaqja e parë e tij ka bërë një rrugë të suksesshme nëpër festivale të ndryshme dhe është vlerësuar lartë nga njohësit e filmit. Regjinë dhe skenarin e ka bërë Visar Morina, producente e filmit është Nicole Gerhards, kompania që ka bërë produksionin është NiKo Film./albinfo.ch

Shtëpia e Bardhë reagon për vdekjen e David Bowiet

0

Shtëpia e Bardhë, përmes zëdhënësit Josh Earnest, ka reaguar pas vdekjes së këngëtarit britanik, David Bowie.

“Mendoj se mënyra se si do të ndjehet humbja e tij, është ilustruar me reagimet e gjera ndaj vdekjes së tij. Janë një numër njerëzish në gjithë globin, që kanë treguar se si janë frymëzuar nga jeta dhe puna e tij. Unë nuk kam folur me presidentin (Barack Obama) për atë nëse ka qenë ose jo adhurues i David Bowiet, por nuk mund të mohohet ndikimi i kontributit të tij në art, muzikë dhe film, jo vetëm këtu në Shtetet e Bashkuara, por në gjithë botën”, ka thënë Earnest.

Bowie ka vdekur të hënën në moshën 69 vjeçare, pas një beteje 18-muajshe me kancerin.

Javën e kaluar, ai ka lansuar albumin e fundit.

Kryeministri britanik, David Cameron, ka thënë se Bowie, në aspektin muzikor, krijues dhe artistik ka qenë gjeni.

Adhuruesit e Bowiet janë mbledhur në Londër, Berlin, Nju Jork dhe Llos Angjelles për të hedhur lule dhe për të kujtuar heroin e tyre muzikor.

Erërat e fuqishme shkaktojnë dëme në Malishevë

0

Erërat e fuqishme, që kanë filluar nga dita e djeshme, e të cilat po vazhdojnë ende, shkaktuan dëme të konsiderueshme në territorin e Komunës së Malishevës. Sipas asaj që shihet në terren, erërat kanë shkaktuar dëme në kulmet e shtëpive, shkollave, lokaleve afariste, por edhe në serra.

Në njoftimin e komunës së Malishevës thuhet se është dëmtuar kulmi i shkollës në Mirushë dhe aneksi i kësaj shkolle, pastaj disa lokale afariste, serra dhe të tjera, kryesisht më të dëmtuar janë objektet e kulme llamarine, po ashtu janë dëmtuar edhe kulmet e shtëpive, ku ka thyerje të tjegullave, si dhe garazhe dhe të ngjashme.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, ju bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, pasi erërat po vazhdojnë dhe rreziku mbetet ende. Ekipet komunale të emergjencave, janë në terren dhe po bëjnë incizimin e gjendjes momentale.

Era shkakton dëme të mëdha në Kabash të Hasit

0

Era e fortë në Kosovë gjatë natës së mbrëmshme ka shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Dyer të prishura, shtylla të rrymës të rrëzuara, kulme të prishura, e madje edhe lisa të rrëzuar ishin pasojat që la era në fshatin Kabash të Hasit.

Lexues i Koha.netit, Fejzë Kabashi, ka dërguar pamje të dëmeve që ka shkaktuar era e fortë në këtë fshat.

Erërat e forta rrëzojnë minaren e xhamisë në Kobajë të Prizrenit

0

Erërat e forta që kanë përfshirë vendin tonë që nga dita e djeshme, nuk e kanë ndërmend të kalojnë pa dëme materiale.

Pas raportimeve të mëhershme për dëmet e shkaktuara nga erërat e forta në Kabash të Hasit, një lexues të Koha.net ka raportuar për dëme edhe në lagjen Kobajë të Prizrenit.

Ai thotë se nga erërat e fuqishme është rrëzuar minarja e xhamisë së kësaj lagjeje.

“Kështu duket minarja e xhamisë në lagjen Kobajë të Prizrenit pas stuhisë që goditi rajonin e Prizrenit”.

Veç dëmeve në Has e Kobajë, raportohet për dëme edhe në komunën e Malishevës ku shumë shtëpi kanë mbetur pa kulme.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme prishin ëndrrën e Thaçit

0

Analistë politikë, por edhe deputetë të koalicionit theksojnë se votimet e parakohshme do ta çojnë drejt dështimit zbatimin e marrëveshjes për ndarjen e pushtetit mes dy partive të mëdha

Futja e vendit në krizë të thellë politike,dhe rrëshqitja drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme në pjesën e parë të këtij viti, do ta bëjë përfundimisht të pavlefshme edhe marrëveshjen politike mes PDK-së dhe LDK-së, sipas të cilës ministri i Jashtëm Hashim Thaçi, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, do të duhej votuar për president të vendit.

Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj shprehet i sigurt se në rast të imponimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për këtë vit kalendarik, do të binte nga funksioni edhe marrëveshja për zgjedhjen e Thaçit në pozitën e presidentit të ardhshëm të vendit.

“Ky vit po fillon me një situatë kur ka paralajmërime për protesta e ndoshta edhe zgjedhje të jashtëzakonshme. Në fakt, në zgjedhje të jashtëzakonshme mund ta dërgojë Kosovën vetë PDK-ja, ashtu siç ka vepruar sa e sa herë. Për fat të keq, LDK-ja ka qenë më tepër vëzhguese e këtyre situatave sesa subjekt. Pothuajse përherë LDK-ja ka qenë viktimë dhe i ka bartur pasojat”, tha deputeti i LDKsë për “Kosova Sot”…

Yahoo Travel: Prizreni – destinacioni i ri më i preferuar në Evropë

0

Ueb-faqja e famshme për këshilla për udhëtime, “Yahoo Travel”, në artikullin e saj të fundit të titulluar “5 Vendet më të Nënvlerësuara Evropiane që Duhen Vizituar Tani”, në vend parë e propozon Kosovën.

Veç Kosovës, propozohet edhe shteti tjetër shqiptar, Shqipëria, sikurse edhe Maqedonia, Mali i Zi e Rumania.

Meagen Collins, gazetarja e “Yahoo Travel” thotë se meqë tani është fillimi i vitit dhe shumë njerëz veçse i kanë bërë listat se çfarë dëshirojnë të arrijnë këtë vit, është mirë që kësaj liste t’i shtohen edhe disa vende për t’u vizituar.

“Jo vetëm se ju inkurajojmë të udhëtoni më shumë, por dëshirojmë të ju inkurajojmë që të befasoni miqtë tuaj këtë vit dhe të zbuloni disa prej vendeve më të lënë pas dore evropiane. Dhe qëllojani çfarë? Që të gjitha këto vende janë jashtëzakonisht të bukura – dhe janë super të përballueshme. Mrekulli”, thotë Collins në artikullin e saj.

Gazetarja Collins thotë se këto destinacione të paparashikueshme evropiane do ju japin dëshirën e shfrenuar për bredhje dhe do ju bëjnë t’i paketoni gjësendet tuaja menjëherë, të rezervoni një biletë dhe të zbuloni të panjohurën e madhe këtë vit.

1. Kosova

Kosova, e në veçanti qyteti i Prizrenit, është vendi ynë i ri i preferuar në Evropë. Kur qëndruam atje në nëntor, dimri po afrohej dhe ditët po bëheshin më të ftohta. Por edhe përkundër kësaj, njerëzit prapëseprapë i shijonin orët e limituara me diell çdo ditë që u jepej rasti. Pamë banorë lokalë që pinin kafe në ato shumë kafenetë e qytetit, restorantet ishin përplot çdo natë dhe baret ofronin pije të lira dhe atmosferë relaksuese.

Ajo që duhet parë patjetër është pamja nga Kalaja e Prizrenit. Nëse është dita e mirë, merrni me vete edhe pajisjet për piknik dhe shoqërohuni me banorët lokalë, shumica prej të cilëve kënaqen kur bisedojnë me të huaj.

Çfarë të hahet: Provoni ‘pleskavicat’, mish i pjekur i mbushur me djathë. Këtë ushqim e provuam rek restoranti “Te Syla” dhe padyshim se është më i miri në qytet – aq i mirë sa që shkuam atje çdo ditë më pas! Çmimi është më pak se pesë dollarë, dhe shumë prej restoranteve e shërbejnë atë me sallatë dhe pomfrit (patate të skuqura).

Fakt interesant: Kosova është vendi më i ri i shekullit të 21-të. Zyrtarisht shpalli pavarësinë nga Serbia më 17 shkurt, 2008.

2. Shqipëria

Vizituam Tiranën dhe Shkodrën, por qytetet bregdetare të ‘Rivierës Shqiptare’ janë vend i famshëm që të vizitohet gjatë muajve më të nxehtë. Ky vend është i stërmbushur me bukuri natyrore sa që do të ishte turp që të mos vizitohej gjatë një udhëtimi evropian. Njerëzit janë të gjithë mikpritës, dhe bëjnë gjithçka për t’ju ndihmuar të huajve që kërkojnë ndihmë.

Çfarë të hahet: Mishi i viçit duket të jetë specialitet i Shqipërisë. Ju rekomandojmë të provoni edhe pilafin shqiptar, oriz i zier me lëng mishi. Zakonisht kushton rreth 1 dollar. Fakt interesant: Shqipëria, Armenia, Maqedonia dhe Vatikani janë të vetmet vende evropiane që nuk kanë degë të McDonald’s-it.

Artikulli përshkruan edhe Shkupin e Maqedonisë, duke thënë se është një qytet i bukur, ndonëse është në ndërtim e sipër. Propozohet edhe që të mos ngatërrohet Republika e Maqedonisë me rajonin Maqedonia të Greqisë, pasi, siç thotë gazetarja Collins, “do të përballeni me banorë të zemëruar lokalë”.

https://www.yahoo.com/travel/5-underrated-european-countries-you-should-1340508871589942.html

Bowie na tregoi vdekjen

0

David Bowie tregoi se ishte nisur drejt vdekjes, me këngën “Lazarus”, videon e së cilës e publikoi katër ditë më parë. Referenca është e qartë.

David Bowie nuk nxori albumin e tij të fundit “Blackstar”, më 8 janar të këtij viti, vetëm si një shenjë për ditëlindjen e tij të 69, por këngëtari legjendar e përdori atë edhe për t’i thënë lamtumirë botës.

Për 18 muaj ai po luftonte me kancerin, e këtë nuk e dinte pothuajse askush. Por, ai tregoi se ishte nisur drejt botës tjetër me këngën “Lazarus”, videon e së cilës e publikoi katër ditë më parë – që doli të jetë e fundit prej tij.

I shtrirë në një shtrat spitali, me sytë e mbyllur, Bowie dha lamtumirën e tij në këtë video-spot, që bashkë me tekstin është një referencë e qartë për vdekjen.

“Shikoni këtu lart / Jam në Qiell / Kam vragë që nuk mund të shihen”, këndon ai.

Me këtë këngë, është e qartë se ai pranon gjendjen e tij të rënduar shëndetësore dhe se s’bëhet fjalë për një frymëzim imagjinar për vdekjen. /Politiko.net