Home Blog Page 6905

Akademi komemorative për dr. Ymer Koçinaj

0

Të organizuar nga kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, sot është mbajtur një akademi komemorative, me rastin e vdekjes së mjekut të mirënjohur, Ymer Koçinaj.

Pjesë e këtij tubimi në përkujtim të jetës dhe veprës së të ndjerit, Ymer Koçinaj, ishin familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë të të ndjerit, si dhe zyrtarë të institucioneve të ndryshme lokale.

Duke folur për jetën dhe veprën e profesor Ymerit, kryetari i komunës, Ramadan Muja, tha se i ndjeri gjatë gjithë jetës së tij ka qenë shembull i një punëtori të palodhur për shërbim cilësorë dhe një shkencëtar i madh në zhvillimin e shëndetësisë në Kosovë.

Ndërkaq, bashkëpunëtorët e të ndjerit dhe drejtori i spitalit të Prizrenit, Afrim Avdaj, e vlerësuan lartë figurën e Ymer Koçinajt për kontributin e tij në zhvillimin e këti sektori të rëndësishëm në vendin tonë.

Për organizimin e këtij tubimi, në emër të familjes, falënderoi djali i të ndjerit, Dardan Koçinaj.

Ndryshe, prof. Dr. Ymer Koçinaj kishte ndërruar jetë në moshën 82 vjeçare ditën e shtunë, ndërsa të nesërmen me nderime të larta ai ishte varrosur në varrezat e vendlindjes së tij, në fshatin Vërmicë. /TV Prizreni

S’e kemi kryer me Asociacionin

0

Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk e ka përfunduar ende shqyrtimin e lëndës për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dorëzuar nga Presidentja Atifete Jahjaga më 30 tetor të këtij viti.

Zëdhënësi i Kushtetueses, Veton Dula mohoi lajmin e publikuar në portalet kosovare se, vendimi tashmë është marrë dhe rezulton se krijimi i Asociacionit nuk bie në kundërshtim me aktin më të lartë juridik, Kushtetutën e Kosovës.

Derisa vendimi të publikohet, edhe qeveria deklaron se ka pezulluar të gjitha punët që çojnë në krijimin e Asociacionit. Megjithatë, nëpërmjet një komunikate për media bëhet e ditur se, para se të dorëzohej lënda në Kushtetuese nga presidentja, qeveria ka qenë duke punuar në dekretin për procedurat e krijimit të Asociacionit, të cilin po kështu do ta dërgonte në gjykatë për vlerësimin e kushtetutshmërisë, ashtu siç parashikon marrëveshja e 25 gushtit.

“E ndërsa qeveria po bëhej gati që dekretin në fjalë, i cili përmban tekstin integral të marrëveshjes për Asociacionin, ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, Presidentja e Kosovës më 30 tetor 2015 ndërmori veprimin, duke e dorëzuar pranë Kushtetueses për shqyrtim këtë marrëveshje”, thuhet në komunikatën e qeverisë, e cila vjen si reagim ndaj shkrimeve në media se, puna në themelimin e Asociacionit ka vazhduar duke e hartuar dekretin, pavarësisht faktit që lënda ndodhet në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Këto të dhëna, ekzekutivi i ka paraqitur në një raport për zbatimin dhe sfidat e marrëveshjeve me Serbinë, dërguar Bashkimit Europian. Në këtë raport, veç të tjerash thuhet se, sa i përket Asociacionit, zbatimi do të rifillojë në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Raporti përmban edhe shqetësimin e qeverisë së Kosovës për praninë e strukturave paralele të Serbisë, përkundër dialogut. Theksohet se, Kosova kushtëzon themelimin e Asociacionit me largimin e plotë të këtyre strukturave.

“Në mënyrë që zbatimi të përparojë ndjeshëm, Serbia duhet ta heqë Kosovën nga Kushtetuta e saj, për të treguar qëndrueshmëri në angazhimin e saj për dialogun e Brukselit dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, siç parashikohet edhe në kapitullin e 35 të negociatave për anëtarësim në BE”, përfundon raporti i qeverisë dërguar Bashkimit Europian, për zbatimin dhe sfidat e marrëveshjeve me Serbinë. /Top Channel

Wiz Khalifa vjen në EXIT

0

Ylli më i madh i hip hopit në botë dhe një ndër emrat më të rëndësishëm Wiz Khalifa do të performojë për herë të parë në rajon në skenën kryesore të Exit Fesitvalit 2016. Wiz Khalifa vjen në Serbi në kulmin e popullaritetit të tij, pas suksesit të sivjetmë në të gjitha top listat botërore me këngën “See You Again” nga filmi “Furious 7”, e cila për 12 javë qëndroi në vendin e parë të top listës amerikane duke barazuar rekordin e Eminemit. E njëjta këngë arriti 1,2 miliard shikime në YouTube duke u bërë videoja më e shikuar për këtë vit dhe një ndër videot më të shikuara të të gjitha kohërave.

Singlat e deritashëm të Wiz Khalif-ës gjithashtu arritën majat e hip hop skenës dhe së bashku kalojnë tre miliardë shikime në YouTube, gjë që e bënë ndër performuesit më të popullarizuar në botë. Wiz Khalifa u nominua në dhjetë kategori për çmimet Grammy, ndër to edhe për këngën më të mirë. I njohur për stilin e tij reperi nga Pitsburgu ka edhe linjën e vet të modës e gjithashtu luajti edhe ne filmin “Mac & Devin Go To High School” ku rolin kryesorë e ndan me Snoop Dogg-in.

Përveq Wiz-ës tjetër emër i madh i hip hopit do të vjen nga jugu i Londrës. Për momentin reperi më i kërkuar evropian Stormzy do të performojë të dielën me 10 korrik 2016 në skenën kryesore dhe do ta vërtetoj pse e njohin si MC-ja më i mirë në Evropë.

Një ndër vokalet më të bukura femërore të RNB & hip hopi-it, Ms Dynamite do të performojë në Exit në kuadër të X-Bass programit dhe festimit të 20 vjetorit të Playaz e cila sivjet mbahet në klubin Fabric në Londër. Në skenën kryesore të Exit-tit do t’i bashkangjitet edhe Ivy Lab dhe treshja dnb nga Londra Sabre, Stray dhe Halogenix. /KultPlus.com

Fundvit pa arsye!

0

Nga Taulant F. Selmani

Gjithkund në botë, aty ku festohen festat e fundvitit, perkatësisht festa e vitit të ri, ngërthen në vete gëzim e mërzi, nostalgji e shpresë, botëkuptim e motiv për jetën. Ide të reja për një vit të ri, përmbyllje e kapitullit për vitin që iku, duke e ngarkuar atë me telashet e sfidat dhe duke u hapur rrugë relacioneve të reja për një vit më të mbarë se ky.

Dy arsye për të festuar dhe jo!

E para është të festojmë mbarimin e një viti të mbrapshtë, duke shpresuar që bashkë me këtë vit të mbarojnë dhe telashet e pshtjellimet që patëm për plot dymbëdhjetë muaj.

E dyta është më e kapshme dhe më e qëndrueshme. Arsyetimi më real do të ishte se një shumicë e konsideruar, nuk kanë me çfarë të festojnë, besa nuk kanë as çka të festojnë. Nuk patën ditë të bardha, nuk patën diçka pozitive, për të cilën duhet të cakrrojnë gotën, apo për çfarë të thonë ‘gëzuar’.

Pse të festojmë?!

Të festojmë për mosfutjen në UNESCO?! Apo për mosliberalizimin e vizave edhe për këtë vit?!
A mos ndoshta të festojmë për ‘arritjet’ tona, duke u ranguar në majë të listave të shteteve (nëse numërojmë nga fundi)?!

Nuk ka vend për festë derisa njeriu këtu, është më i uritur se qeni, derisa çdo ditë rrezikojmë kafshatën, derisa çdo ditë na rrezikohet jeta në çdo cep, nga do që shkojmë e ku do që vejmë!

Ne meritojmë jetë më të mirë dhe nëse do ta kemi këtë, atëherë për neve çdo ditë do të ishte festë! Çdo ditë do të festonim e do të bënim gëzuar, sepse do të kishim një milion arsye për tu gëzuar e festuar.

Do të festonim nëse fëmijet tonë do të shkonin në shkollë të sigurtë, do të festonim nëse rininë tonë do ta shihnim çdo mëngjes duke shkuar në punë, apo çdo mbrëmje duke u kthyer nga puna, do të festonim nëse shkollat tona do të prodhonin dije dhe jo breza analfabetësh me diplomë, do të festonim nëse shëndetësia jonë do të ishte në nivel dhe festa më e madhe do të ishte nëqoftëse secili do të punonte në profesionin e vet!

Duhet të mësohemi me faktin se babadimri nuk egziston, që vet duhet ti zgjedhim dëshirat dhe të kujdesemi që ato të na realizohen, të jemi të zotë të fjalës dhe veprave tona, me një fjalë, secili të bëhet babadimër i vetës, familjes dhe shoqërisë së tij.

Me shumë kënaqësi do ta kisha bojkotuar festimin e këtij ndërrimmoti, jo për ndonjë arsye tjetër, pos asaj të mirëqenies tonë të dobët, mjegullimit të arsyes dhe errësimit të ardhmërisë tonë!

Vetëvendosje! sulmon me vezë ministrin Stavileci (Video)

0

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci është sulmuar me vezë nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje!.

Vetëvendosje!, pa treguar vendin e sulmit me vezë ka njoftuar se sot kanë gjuajtur ministrin Stavileci, për t’i treguar edhe një herë Qeverisë së Kosovës se pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi, nuk do të ketë qetësi dhe rahati për ministrat.

“Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, është një nga përgjegjësit për shkatërrimin ekonomik të Kosovës. Ai bashkë me kryeministrin Isa Mustafa, u tërhoqën nga Ligji për Trepçën, meqë një gjë të tillë e kërkoi Beogradi”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Më tej thuhet se “për t’i shkuar edhe më për shtati politikave të Serbisë mbi Kosovën, ministri Blerand Stavileci dje në Beograd nuk guxoi asnjëherë ta përmend fjalën Republikë, pra nuk guxoi të thotë ‘Republika e Kosovës’, përderisa në anën tjetër Marko Djuric vazhdimisht i referohej Kosovës si Kosovë e Metohi”.

http://dai.ly/x3j17t5

Politika e artit

0

Intervistë me filozofin francez Jacques Ranciere

Tek libri juaj “Aisthesis” secili kapitull hapet me një rrëfim historik mbi një objekt apo mbi një ngjarje që ka arritur të zgjerojë më tej kuptimin e asaj që konsiderohej si art. A ka ky libër për qëllim të jetë një shtojcë empirike e teorisë suaj të regjimit estetik të artit?

“Aisthesis” mban si nëntitull “Skena prej regjimit estetik të artit”, mirëpo funksioni i një “skene” nuk është ilustrativ. Përkundrazi, unë insistoj që të shuhet dallimi mes ilustrimit dhe teorisë. Koncepti i zbehjes së këtij kufiri është thelbësor për idenë time të regjimit estetik të artit, ide që është polemikisht e kundërta e ideve si ajo e autonomisë së artit, apo ajo e specificitetit të mediumit. Kjo është arsyeja pse kam përzgjedhur shembuj ku një regjim estetik i artit vendos vetveten duke i shkrirë kufijtë mes artit dhe jo-artit, apo ato mes artit të lartë dhe artit popullor. Për me tepër, unë e kritikoj edhe kundërshtinë mes artit dhe diskursit mbi artin. Qëllimi im është të vë në pyetje kufirin mes faktit dhe këndvështrimit “nga lart”. Po ashtu është me vlerë të vihet në dukje se një “skenë” është një mënyrë e përgjithshme kuptueshmërie. Tek “Aisthesis” unë i përdor “skenat” për të diskutuar momentet kur kanë ndodhur kthesa në art, por kjo qasje është po aq e nevojshme për të kuptuar edhe momentet kur kanë ndodhur kthesa, le të themi, në emancipimin intelektual të punëtorëve. Metoda, që e kam huazuar nga Jean Jacotot, mendimtar i emancipimit, është të shohësh të tërën në një fragment tepër të vogël. Pra, për të bërë një analizë të detajuar, nuk është parakusht të kesh një pikëvështrim të avantazhuar universal, “prej së lartmi”. Veprat e përshkruara tek “Aisthesis” i përkasin periudhës prej 1764 deri tek 1941. A do të ishte e mundur të përfshiheshin edhe vepra më bashkëkohore? Hal Foster në kritikën e fortë që i bën librit tuaj në “London Review of Books”, ka deklaruar se arti bashkëkohor e ka humbur aftësinë për të ndikuar atë që ju e quani “shpërndarje të ndjesores”.Shpesh më pyesin për këtë kritikë, por, për të qenë tërësisht i ndershëm, unë ende nuk kam patur rastin ta lexoj. Një ditë me siguri do ta lexoj. Hal Foster përfaqëson traditën moderniste, kështu që nuk është ndonjë surprizë që atij nuk i pëlqen intepretimi im për të ashtuquajturin modernitet. Disa njerëz me sa duket mendojnë se regjimi estetik i artit është një farë sllogani politik, gjë që sigurisht që nuk është. Është ekzagjerim të thuash, siç bëjnë shpesh, se “Ranciere-i e do artin të jetë politik”. Arti është një punë në shpërndarjen e ndjesores. Ndonjëherë, por jo shumë shpesh, arti i rikompozon pritshmëritë perceptuale mes asaj që është e shikueshme, e mendueshme, e kuptueshme, dhe asaj që nuk është. Kjo është politika e artit. Shpesh përpiqem të vë në pikëpyetje idetë e ndryshme mainstream mbi këtë subjekt, sidomos ato ide që supozojnë se puna e artistit mund të ketë efekte precize, sipas synimeve të paramenduara. Kur praktikat e artit ndikojnë ndjesoren, kjo nuk është thjesht si rezultat i synimeve të paramenduara të artistëve Shkojmë në shfaqjet artistike për të parë evente të cilat mund të jenë themelisht të ndryshme prej asaj që përballemi në përditshmëri, për të parë një shumësi formash. Duhet të pranoj se shumica dërrmuese e tyre dështojnë që ta ndikojnë perceptimin tonë.

Ç’lloj arti do të kishe dëshirë të shihje (të bëhej) më shpesh?

Arti është një terren i perceptimeve të ngjarjeve, hapësirës dhe kohësisë. Unë dua ta kuptoj se si vepron. Çka më intereson më së tepërmi mua sa i përket politikës së artit, është fakti se në të gjithçka bëhet e mundur. Nuk është interesi im të them se si duhet të jetë apo të duket arti i sotëm. Interesi im është të kuptoj atë se në çfarë konsiston ky art sot. Qasja ime është përshkruese, jo parashkruese. Sigurisht, unë i vlerësoj vlerat e disa artistëve më shumë se të disa të tjerëve, por preferencat e mia personale nuk duhet të konsiderohen si guida për artistë apo kuratorë. Përshembull, unë nuk jam ndonjë dashamirës i madh i artit që përpiqet shumë për të qenë provokativ e që i mobilizon papushim gjithë ndjenjat tona. Arti duhet po ashtu të na lejojë të humbasim në mendim, të distancojmë veten, të kemi një çast prehjeje.

A ka ndonjë vend ku mund të shohësh potencial për të thyer strukturat e ngurtësuara të pushtetit?

S’ka dyshim që interneti mund t’i shërbejë politikës konfliktuale dhe të prodhojë efekte të kontradiktës. Përshembull, mund të gjesh në të çdo mënyrë e formë të mendimit tradicional, si dhe organizimet hierarkike nga lart poshtë. Sidoqoftë interneti është i rëndësishëm në krijimin e formave rishtare të diskutimit, të përballjes dhe të mobilizimit kolektiv, gjë që vë në sfidë metodat tradicionale politike të partive ekzistente. Nuk do shkoja aq larg sa të thosha se interneti është një arritje e demokracisë, po sigurisht që na jep shumë mjete që mund të përdoren për të avancuar demokracinë.

Cili është kuptimi i sotëm i demokracisë?

Na duhet gjithnjë të kthehemi tek kuptimi thelbësor i demokracisë si pushtet i popullit. “Populli” nuk duhet kuptuar si klasa e ulët, apo si një ethnos, që është një komunitet i lidhur prej dheut a prej gjakut, por si një kolektiv individësh të cilët nuk janë politikanë profesionistë apo menaxherë shtetëorë. Barazia nënkupton që secili e ka aftësinë për të qeverisur. Sigurisht, kjo është skajshmërisht e vështirë të bëhet në praktikë. Megjithatë unë vazhdoj të sugjeroj se duhet të përpiqemi ta braktisim modelin e qeverisjes prej elitave, dhe të zvogëlojmë hendekun mes atyre që qeverisin dhe atyre që qeverisen. Nëse nuk i çojmë përpara demokracitë tona përfaqësuese që kanë ngecur, do të jemi shumë shpejt dëshmitarë të një aleance edhe më të ngushtë të klasës sunduese dhe të elitës financiare. Unë mbështes idenë e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe besoj se risitë teknologjike i bëjnë këto më të mundshme se kurrë më parë. Një rritje në pjesëmarrjen e qytetarëve në politikë, një lënie mënjanë e përfaqësimit, si dhe rritje e qasshmërisë në forume të debatit publik, këto janë gjërat që na duhen sot. Fatkeqësisht masmedia i kornizon diskutimet sipas këndvështrimit të atyre që janë tashmë në pushtet. Të tilla organe nuk janë instrumente të informimit të lirë, dhe nuk na mundësojnë një hapësirë të vërtetë për diskutim.

Nëse jo tek media tradicionale, a po ndodh ky diskutim në art?

Veprat më të mira artistike, ato që kanë potencialin për të rikornizuar mënyrat tona të perceptimit, shpesh përfundojnë nëpër koleksionet artistike private të atyre që janë shumë të kamur. Ca prej shembujve më të mirë të kritikës sociale që unë kam parë në vitet e fundit janë në koleksionin privat të Francois Pinault-it. Këto vepra arti janë informuese dhe e shtyjnë shikuesin që të konsiderojë ide të reja, mirëpo ato zakonisht nuk janë të qasshme për publikun.

A duhet shteti të investojë më shumë në promovimin e artit bashkëkohor?

Nuk jam i sigurt. Në Francë qeveria e mbështet artin shumë bujarisht. Ka shumë fondacione. Çështja është se a e lejojnë këto fondacione artistin që të jetë krijues. Unë dyshoj shumë në këtë. Fondacionet i detyrojnë artistët të prodhojnë diçka për një rast të caktuar, në një afat të caktuar. Shumë artistë përfundojnë që përsërisin vetveten, nën një presion të tillë. Qeveria do të duhej t’u mundësonte atyre më shumë mundësi që të jenë krijues, mirëpo fondacionet nuk janë domosdoshmërisht mjetet më të mira për të bërë këtë. Siç e dëshmuam me skulpturën e Paul McCarthy-t në Paris, qeveritë dhe milionerët porosisin të njëjtin art. Ky art reflekton shijet e elitës, e në të njëjtën kohë demonstron se atyre u mungon imagjinata. Më shumë se sa çështje shijesh, një art i tillë është çështje e rutinës. /Standard

Koleksionuesi i veprave të rapsodëve (Video)

0

Shefqet Gjoshi mban një pasuri kombëtare në shtëpinë e tij, njofton Klan Kosova.

Ai është koleksionues i këngëve të rapsodëve shqiptarë.

Më poshtë është storja e plotë:

Duda Balje: Grupi 6+ do ta votojë Thaçin për president!

0

Në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të vendosin për postin e presidentit të vendit.

Ish-kryeministri, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi është deklaruar se ai do të jetë president i Republikës, ashtu siç e parasheh marrëveshja e koalicionit ndërmjet LDK-së dhe PDK-së, e nënshkruar një vit më parë. Lidhur me këtë, janë disa deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës të cilët kanë kundërshtuar kandidimin e tij në krye të Presidencës.

Ndërkohë, disa prej deputetëve minoritar për herë të parë kanë shprehur qëndrimin e tyre pro kandidaturës së Thaçit në këtë post. Nënkryetarja e Kuvendit, njëherësh deputetja nga minoriteti joserb, Duda Balje në një prononcim për “Zeri.info” ka thënë se grupi i saj do t’i jep përkrahje marrëveshjes LDK-PDK.

“Grupi parlamentar 6+ ka biseduar në lidhje me zgjedhjet për president dhe ende nuk dimë kush janë kandidatët. Por, nëse z. Thaçi do te jetë kandidat, do ta ketë përkrahjen e grupit tonë”, ka thënë ajo.

Ndryshe, Thaçi disa herë ka deklaruar se pret që të bëhet president pas një viti. Ai siguroi se do t’i futet kësaj gare, me bindje se do ta fitojë postin, pavarësisht formës së garës që i duhet të nënshtrohet dhe marrëveshjes politike që bëri më LDK-në për këtë punë.

“Në të ardhmen do të vazhdoj të jem në krye të obligimeve që më takojnë, në bazë edhe të marrëveshjes dhe legjitimitetit qytetar dhe do të prezantoj orientimet dhe prioritetet cilat më të vërtetë janë, prioritet që mund të sjellin një model të ri presidencial në Kosovë, kuptimin, respektimin kushtetues dhe ligjor, por në të njëjtën kohë të transparencës së zgjedhjes së presidentit”, ka deklaruar ai.

Aktakuzë ndaj suharekasit për posedim të drogës

0

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj shtetasit N.R., i lindur në vitin 1971, në një fshat të Suharekës.

Në aktakuzë thuhej se pas një kontrolli të bërë në shtëpinë e shtetasi N.R., atij i është gjetur në posedim me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, substanca apo preparate të cilët janë shpallur me ligj si narkotik.

“Gjatë bastisjes se shtëpisë së shtetasit N.R., brenda në oborr i është gjetur një bidon plastike i mbyllur me kapak, brenda së cilit ishte e fshehur substanca narkotike e llojit heroinë dhe kokainë të përziera me preparate tjera”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, shtetasi N.R., ka kryer veprën penale ‘blerje, posedimi, shpërndarje dhe shitje e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, të parapara në neni 273, paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës. /PrizrenPress.com

Komuniteti në Prizren të ketë përfshirje të shtuar në politikat e qytetit

0

EC Ma Ndryshe të martën ka realizuar konferencën dhe ekspozitën “Një Qytet për Komunitetin”, duke prezantuar aktivitetet e projektit “Qyteti Gjithëpërfshirës”, i cili gjatë këtij viti ka promovuar aktivizmin komunitar në lagjet urbane të Prizrenit. Në këto organizime kanë marrë pjesë përfaqësues të lagjeve urbane të qytetit, aktivistë të shoqërisë civile, zyrtarë të komunës dhe të institucioneve tjera publike.

Hajrulla Çeku nga EC Ma Ndryshe në hapje të konferencës ka theksuar se aktivitetet e realizuara në kuadër të projektit kanë pas për synim fuqizimin e aktivizmit qytetar përmes organizimit komunitar, që ka rritur presionin te institucionet për përfshirje të qytetarëve në hartimin e politikave publike, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me çështjet e urbanizmit dhe shërbimet publike.

Raportin vjetor të projektit e ka paraqitur Doruntina Ukimeri nga EC Ma Ndryshe duke elaboruar për takimet e zhvilluara në lagje, punëtoritë e vizionimit, zhvillimin e platformës online, performancat publike, hulumtimin mbi perceptimin e qytetarëve për çështjet e urbanizimit në Prizren, aktivizmin në raport me autoritetet, angazhimet për hartimin dhe miratimin e rregullores komunale për planifikim me pjesëmarrje, etj.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Kujtim Gashi ka pohuar se EC Ma Ndryshe duke qenë në kontakt me komunitetin ka arritur që brengat e qytetarëve t’i adresoj te organet komunale dhe institucionet tjera, dhe kësisoj një pjesë e tyre në formë projektesh kanë hyrë në agjendë të zbatimit nga Komuna e Prizrenit. Sipas tij përmes këtij projekti shoqëria civile është bërë urëlidhëse që afron pushtetin lokal me qytetarët dhe anasjelltas.

Rezultatet e hulumtimit në lidhje me atë se çka ka ndryshuar në urbanizmin e Prizrenit në këto tre vite i ka prezantuar Rozafa Basha, derisa Edon Mullafetahu ka dhënë udhëzime praktike mbi transformimin e hapësirave publike përmes përfshirjes së komunitetit. E banori i Qyk Mahallës, Latif Bytyqi ka shpalosur një model të mirë të organizimit komunitar në nivel të lagjes.

Në kuadër të këtij organizimi është ndarë çmimin “Lagjja më Aktive 2015”, ku në bazë të vlerësimit të bazuar në 8 kritere është zgjedhur Lagjja Bazhdarhane.

Pas përmbylljes së konferencës është hapur dhe ekspozita me fotografitë nga organizimi komunitar në Prizren për planifikimin urban me pjesëmarrje. /PrizrenPress.com