Home Blog Page 6930

Një vit qeverisje sa dhjetë vite mjerim

0

Nga Abdullah Thaçi

Ministri i dy qeverive, asaj të Rrahman Morinës dhe tjetrës së Bujar Bukoshit, ish kryetari me duar në xhepa i kryeqytetit, tash kryeministri i koalicionit të krimit, këto ditë i paska mbushur një vit në krye të ekzekutivit.

Duke dashtë të jem objektiv, me tu ulë të shkruaj këto pak fjali, deshta të provoj që këtij kryeministri tia numëroj ndonje sukses. Por, përveç mjerimit, nuk arrita të gjejë asgjë tjetër!

Dukes mos pas suksese, është e domosdoshme të ketë dështime. Duke i analizuar dështimet dhe mashtrimet e tij të shumta, u mundova ta bëjë një përmbledhje përmbajtësore, si vijon:

Ky kryeministër dhe ky koalicion, së bashku premtuan diku 330 mij vende pune, e sot pas një viti qeversije të tyre, jo që nuk ka punësim, por nga kjo qeveri, nga shpresa e mbytur për jetë në atdhe, brenda vitit i kemi mbi 130 mij qytetar të larguar nga Kosova, me tendecë rritje!

Ky kryeministër premtoj sundim të ligjit, i njeti nuk bëri asgjë përveç se poshtroj drejtësinë, duke ndërhyrë në vet sistemin, që krahas vetës, e shpëtoj edhe të birin Besnikun nga gjykimi dhe dënimi dhe në të njëjtën kohë burgosë opozitën!

Ky kryeministër trumbetoj luftë kundër korrupsionit, i njejti jo që se luftoj, por e forcojë këtë akoma më shumë. Korrupsioni shkoj deri në atë shkallë sa që ky kryeministër kurdisë tender nga qeveria ku fitues dalin të jenë bizneset e bijve të tij!

Ky kryeministër, premtoj çkapjen e shtetit, por i njejti dita ditës po e kap akoma ma fortë se partneri i tij. Këtij kryeministri nuk po i mjafton pushteti vetëm për vete, por edhe për shok e bukuroshe pa burra!

Ky kryeministër, premtoj zbardhjen e vrasjeve politike të bashkëpuntorëve të Presidentit Rugova, i njejti jo që spo i zbardhë, por po i errëson akoma më shumë. Ai po hesht dhe spo e lejon krijimin e komisionit hetimor në Paralamentin e Kosovës, pikërisht për këto vrasje!

Ky kryeministër premtoj se kurr në koalicion me PDK-në, e i njejti përveç koalicionit, pranoj institucionalizimin e SHIKut, duke ia vendos shefin në krye të parlamentit!

Ky kryeministër premtoj që flamuri i Dardanisë dhe himni: Kur ka ra kushtrimi në Kosovë, do ti procedoj e ti zyrtarizoj si simbole shtetrore. I njëjti kryeministër, këtë flamur nuk ia gjen dot as në zyrën e tij qeveritare !. E si mund të presësh nga ky, që këtë simbol, ta lartësoj në simbol shtetror!

Ky po dëshmohet se është i vetmi kryeministër që se duron as kritikën ma të vogël, e leje më mendimin ndryshe. Ky është i vetmi kryeministër që as faqen e tij të facebook-ut nuk arrin ta mbajë nën kontroll. Paramendone tash, se si i njejti mund ta udhëheq shtetin?!

Duke qen i pa ekuilibruar emocionalisht, ky kryeministër me zilinë e shpirtit, nuk po mund ti duroj ata që mendojnë ndryshe. Ma të pa durushëm për të mbeten ata brenda partisë, andaj të njëjtit ka vendos ti eleminoj me metodat e tij unike, që një veteran luftës dhe paqës në një bashkë bisedim me të, i quajti metoda isistike (metodat eksluzive të Isa Mustafës)!

Nga e gjithë kjo përmbledhje, sigurisht jo gjithëpërfshirëse për një dështak si ky kryeministër, erdha në një konkludim të bazuar.

Nga analiza e një vit qeversije nga ky dhe klani i tij, rezultati është i barabartë me dhjetë vite mjerim për vendin.

Sa ma jetë shkurtër të jetë qeverisja e këtij kryeministri, aq ma afër realitetit është mundësia që me u shkurtua koha e mjerimit për Kosovën dhe popullin e saj.

Shnet!

Suharekë: Shpërthen zjarri në një shtëpi me dy fëmijë brenda

0

Në  Suharekë dy fëmijë kanë pësuar lëndime trupore, por janë jashtë rrezikut për jetë, transmeton Gazeta Tribuna.

Për më shumë lexojeni kumtesën e Policisë së Kosovës:

Rreth orës 10:10 minuta policia e Suharekës ka pranuar një informatë e cila bënte me dije se në një shtëpi banimi në fshatin Krushicë ka shpërthyer një zjarr. Policia dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë shuar zjarrin. Sipas raporteve policore thuhet se dy fëmijë të vitlindjes 2013 kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren por jashtë rrezikut për jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipi i KEDS dhe eksperti komunal për hetimin e shkaqeve të zjarrit.

Siguria në Malishevë: Viti 2015, pa asnjë vrasje dhe pa asnjë grabitje

0

Sot është mbajtur mbledhja e gjashtë e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Malishevë, ku u tha se, nga janari i këtij viti dhe deri më sot, në Komunën e Malishevës, nuk është shënuar asnjë rast i vrasjes dhe asnjë rast i grabitjes, për çka edhe llogaritet që Malishevë, është rajoni më i sigurt në vend.

“Faleminderit të gjithëve, për kontributin e juaj në ruajtjen e një situate të qetë dhe stabile në Malishevë. Ne jemi ata që duhet ta krijojmë këtë klimë të sigurisë për të gjithë”, tha në fillim të mbledhjes së KKSB-së, nënkryetari i Komunës së Malishevës, z.Rexhep Mazreku, i cili edhe e ka drejtuar mbledhjen e sotme.

Duke folur për situatën e sigurisë së përgjithshme në territorin e Komunës së Malishevës, komandanti i stacionit policor në Malishevës, kapiteni Halil Morina, tha se “ka rënie të rasteve të krimeve”. “Gjatë këtij viti, nga janari e deri më sot, nuk është shënuar asnjë rast i vrasjes dhe asnjë rast i grabitjes (vjedhje e rëndë nën kërcënimin e armëve), ndërsa ka rënie të dukshme të rasteve tjera kriminale”, tha kapiteni Morina, i cili falënderoi edhe qytetarët për bashkëpunimin e mirë me policinë, me qëllim të krijimit të një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë.

Edhe drejtori ri Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, z.Ahmet Morina, duke folur për angazhimet e drejtorisë që drejton, tha se “gjatë këtij viti, me gjithë problemet e paraqitura, si ethet hemorragjike, zjarret dhe erërat e fuqishme, nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes të qytetarëve të Komunës së Malishevës, as nga EHKK dhe as në raste tjera”. “Për këto çështje ka qenë një angazhim i përbashkët i të gjitha strukturave, si shëndetësia, zjarrfikësit, policia dhe të gjithë faktorët tjerë dhe falë këtij angazhimi, kemi pasur një vit të suksesshëm në menaxhimin e këtyre dukurive”, tha drejtori Morina.

Në mbledhjen e sotme, u diskutuan edhe dy çështje tjera me rëndësi, e para për sensibilizimin e opinionit për rrezikun e përdorimit të mjeteve piroteknike, që zakonisht ndodhin në fund të vitit, ku u tha se, pavarësisht që në dy vitet e fundit, përdorimi i tyre ka shënuar rënie dhe nuk ka pasur raste të lëndimeve, angazhimi i të gjithë faktorëve, nuk do të mungoj as këtë vit, në mënyrë që të mos ketë probleme dhe të përdoren sa më pak që është e mundur, mjetet piroteknike.

Ndërsa, çështja e dytë, ishte sensibilizimi dhe vetëdijesimi i rrezikut nga përdorimi i lëndëve narkotike, ku koordinatorja e QKMF-së në Malishevë, znj.Valbona Gashi, e prezantoi një hulumtim të bërë për rrezikun e përdorimit të lëndëve narkotike të ligjshme (duhani, alkooli) dhe atyre të paligjshme (drogat). Koordinatorja Gashi, bëri një njoftim për ligjëratat e mbajtura rreth kësaj dukurie me të rinjtë e shkollave të mesme, ku i kanë njoftuar ata për rrezikun e përdorimit të këtyre lëndëve narkotike, dëmet në aspektin shëndetësor, social dhe material, si dhe për nevojën e angazhimit të të gjithë faktorëve, në parandalimin e përdorimit të narkotikëve.

Lidhur me këtë çështje, komandanti i stacionit policor, kapiteni Morina, tha se “Policia e Kosovës, është e angazhuar 24 orë në luftimin e kësaj dukurie, e cila për policinë, ka tolerancë zero”. “Ne jemi shumë të angazhuar dhe në kujdes të shtuar, por mund të them se në Komunën e Malishevës, kjo dukuri nuk është e shprehur”, tha kapiteni Morina.

Vetëplagoset një person në Prizren

0

Një person është vetëplagosur në Prizren. Policia njofton se viktima ka marrë lëndime në dorë.

“Viktima është plagosur aksidentalisht, derisa ishte duke pastruar armën”, njofton PK-ja.

Nga i dyshuari është konfiskuar arma e tipit AK-47. Me vendim të prokurorit rasti mbetet në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com

Tentim vrasje në Prizren

0

Një tentim vrasje ka ndodhur në rrugën “Tirana” në Prizren. I dyshuari është arrestuar nga policia dhe është dërguar në mbajtje.

“Të dyshuarit i është konfiskuar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vepra”, njofton Policia e Kosovës.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje./PrizrenPresss.com/

Ministri Shala viziton sot Rahovecin

0

Sot zëvendëskryeministri Kujtim Shala, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të vizitojë Komunën e Rahovecit.

Shala do të takohet me kryetarin e Komunës, Idriz Vehapi në orën 11:30.

Ai më pas do të inspektojë punimet në palestrën që po ndërtohet në këtë qytet, pjesë e investimeve infrastrukturore sportive që mbështet MKRS-ja.

Baleti i Kosovës shfaq premierën e fundit për këtë vit

0

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës sonte (10 dhjetor) me fillim nga ora 20:00, do të prezantohet premiera e fundit për këtë vit nga Trupa e Baleti të Kosovës, shfaqja “Starvinsky & Ravel”, realizuar nga koreografët Mehmet Kursat dhe Mehmet Ballkan.

Në konferencën për shtyp që i parapriu kësaj shfaqjeje drejtori i Trupës së Baletit të Kosovës, Ahmet Brahimaj, tha se ata janë angazhuar maksimalisht dhe se kjo shfaqje do të jetë edhe një tjetër sukses i tyre.

Gjatë këtij viti ata kanë vënë në skenë tri premiera, “Othello”, “Ngjyrat e vallëzimit” dhe “Spartaku” dhe gjithashtu kanë realizuar plotë repriza.

Skena e pavarur kulturore, e pafuqishme dhe pa përkrahje

0

Mentaliteti i vështrimit të artit e kulturës si zbukurim, luks e komoditet duhet të largohet. Përtej kësaj, ky është momenti që bota institucionale të kthehet në bashkëpunëtor në realizimin e projekteve kulturore të dobishme të cilat me vite janë ndërtuar e kultivuar, thonë artistët, derisa kërkojnë që shteti të krijojë një strategji kulturore të cilën ka 16 vjet që përmendet.

Festivale dhe aktivitete kulturore janë anuluar ose shtyrë për vitin tjetër për shkak të shkurtimit të buxhetit ose mospërkrahjes nga MKRS-ja, derisa kjo e fundit nga 9 deri më 16 nëntor hapi konkursin për fazën e dytë të subvencioneve.

Drejtori i “Prishtina Jazz Festival”, Ilir Bajri, thotë për “Zërin” se skena kulturore dhe komuniteti në përgjithësi ndihen të pafuqishëm dhe pa përkrahje.

“Mendoj që ky është momenti ideal që bota institucionale të kthehet në partner e bashkëpunëtor në realizimin e projekteve e aktivitete të dobishme shoqërore të cilat komuniteti dhe aktivistët kulturorë me vjet e kanë ndërtuar e kultivuar me mund e vullnet. Kur dëgjoj se ‘Skena Up’, ‘Dam Festi’ e festivale tjera që për vite me radhë kanë kultivuar e stimuluar zhvillim në komunitet e shoqëri, më vjen keq që nuk çuditemi secili prej nesh për këtë situatë por zhytemi menjëherë në konflikte verbale e akuza”, ka thënë Bajri, sipas të cilit Ministria e Kulturës është ajo që duhet të ketë një plan të qartë zhvillimor kulturor.

“Ministria duhet të përpilojë dhe konceptojë në bashkëpunim me komunitetin artistik e kulturor, sidomos me ato organizata e ata individë që kanë dëshmuar se aktivitetet kulturore të organizuara mirë janë të dobishme dhe i mundësojnë shoqërisë përparim e zhvillim”, është shprehur Bajri, i cili shtoi se mentaliteti i vështrimit të artit e kulturës si zbukurim, luks e komoditet duhet të largohet.

“Problemi që duhet të trajtohet është raporti mes institucionit dhe qytetarit, në këtë rast në mes të Ministrisë së Kulturës dhe komunitetit artistik e kulturor. Përderisa nuk ulemi në tavolinë e t’i diskutojmë idetë e vizionet e përbashkëta, zor që do të ndryshojë diçka për të mirë”, ka thënë Bajri, sipas të cilit festivali është ndihmuar shumë nga artistë të muzikës xhaz, por Kosova është ajo që institucionalisht nuk tregohet e interesuar për të zhvilluar këto lloj raporte.

“Bashkëpunimi dhe asistenca e artistëve dhe menaxherëve të tyre na kanë ofruar mundësi më të mëdha për të mësuar më shumë se si duhet të zhvillohet festivali në tërësi. Por bota institucionale në Kosovë është rigide dhe jokomunikative e për këtë arsye i tërë diskursi reduktohet në aspekte teknike e financiare që bëhen shpesh arsye për keqkuptime e konflikte të panevojshme”, ka thënë Bajri, duke shtuar se për shkak problemeve teknike e organizative festivali është shtyrë.

“Kjo ishte një prej ideve të propozuara nga miqtë e festivalit nga vendet e tjera dhe ajo periudhë do të ishte më e lehtë për përpilimin e programeve të festivalit dhe koordinimin me artistë, grupe e agjentë të tyre”, ka thënë Bajri, duke treguar se nuk ka aplikuar për fazën e dytë të subvencioneve.

Vullnet Krasniqi, menaxher i festivalit “Skena Up”, thotë se vendimi i Ministrisë për të shkurtuar buxhetin për festivale, ka bërë që për sivjet ky festival të mos mbahet, por të shtyhet për vitin tjetër.
“Vendimi i Ministrisë për të shkurtuar buxhetin për festivale na ka bërë që ta shtyjmë festivalin”, është shprehur Krasniqi, duke shtuar se përkrahje këtë vit nuk kanë pasur fare.

“Shteti duhet të krijojë një strategji kulturore të cilën ka 16 vjet që veç e përmend, por nuk e bën. Shteti këto 16 vjet ka mbështetur festivale që i duhen e ia ndritin fytyrën ndërkombëtarisht, por ka mbështetur më shumë ngjarje e festivale të cilat janë pa ndonjë vlerë.

Këtë vit ka munguar komplet përkrahja”, ka thënë Krasniqi, sipas të cilit, shteti në këto vite ka dështuar në sferën e kulturës.

“Shteti në këto vite si në çdo sferë tjetër, edhe në atë të kulturës ka dështuar të mbështesë dhe të punojë për atë çfarë i duhet këtij vendi”, është shprehur Krasniqi, duke cekur se “Skena Up” është festivali i vetëm në Ballkan që u dedikohet studentëve të filmit dhe teatrit.

“Duke qenë se studentët në Kosovë janë të izoluar dhe nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit për të parë punën e kolegëve të tyre apo për të ndjekur ndonjë punëtori, festivali e ka ofruar këtë për ne në Kosovë. MKRS-ja ka qenë sponsori që ka mundësuar ardhjen e studentëve ndërkombëtarë dhe profesorëve në Kosovë”, ka thënë Krasniqi, ku sivjet në këtë festival kanë aplikuar rreth 800 studentë të huaj.

“Studentët e huaj që kanë aplikuar sivjet e që kanë qenë afro 800 të tillë u kemi dërguar një letër ku i kemi sqaruar situatën, dhe për botën normale, gjendja e Kosovës dhe çka ndodh në Kosovë është e pakuptueshme absurde dhe tmerruese”, ka thënë Krasniqi.

Me datën kur duhej të ishte hapja e festivalit “Skena Up”, u shfaq filmi gjerman i vitit 1927 nën regji të Fritz Lang në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Filmi që u përcoll nën tingujt e pianistit gjerman Graf v. Brothmer “Metropolis” ka qenë ngjarje e organizuar nga Ambasada Gjermane e planifikuar të mbahej gjatë “Skena Up”.

“Por pas shtyrjes së festivalit ata e kanë mbajtur ngjarjen dhe ne e kemi përkrahur duke ftuar njerëz”, është shprehur Krasniqi, duke cekur se kjo ishte protestë ndaj mungesës së përkrahjes për këtë festival.

Besa Luzha kishte thënë se trajtimi i institucioneve të pavarura nga MKRS-ja këtë vit ka qenë gabim.

“Është shumë me rëndësi që Ministria e Kulturës duhet ta pranojë përfundimisht që ka gabuar në mënyrën se si i ka ndarë fondet”, është shprehur Luzha, sipas të cilës duhet të definohen realisht e saktësisht sa ka buxhet të ndarë për këtë sektor të kulturës, më pas një respekt më të madh për skenën e pavarur, të mos trajtohen institucionet kredibile dhe individë privatë dhe të shihet cilat institucione ofrojnë më shumë aktivitete.

Krahas kësaj, Ministria e Kulturës në nëntor të këtij viti ka hapur konkursin për ndarjen e subvencioneve. Sipas Ndue Ukajt, këshilltar i Ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, në këtë konkurs kanë aplikuar gjithsej 190 projekte. “Projektet fituese do të shpallen këto ditë”, ka thënë ai. /Zëri

Isa Mustafa nuk ka dorë në iniciativën për shkarkimin e Haxhi Avdylit

0

Anëtarët e Kryesisë së LDK-së në Prizren, janë takuar me liderin e tyre Isa Mustafën. Takimi është zhvilluar dje në Prishtinë.

Burimet e “PrizrenPress”-it bëjnë të ditur se temë e bisedimeve me Isa Mustafën ka qenë zhvillimit e fundit të Degës së LDK-së në Prizren.

“Po ka pasur një takim me Isa Mustafën. Është diskutuar për iniciativën që është marrë për shkarkimin e kryetarit të Degës Haxhi Avdyli”, tregon një burim brenda LDK-së.

Sipas të njëjtit burim në këtë takim nuk ka marrë pjesë Haxhi Avdyli

“Haxhi Avdyli nuk do të shkarkohet. Iniciativa është individuale”.

Lideri i LDK-së Isa Mustafa ka garantuar se nuk qëndron prapa iniciativës për shkarkimin e Avdylit.

“Iniciativa ka qenë individuale dhe s’ka të bëjë me Isa Mustafën”.

Ditë më parë pat filluar mbledhja e nënshkrimeve nga delegatët për shkarkimin e Haxhi Avdylit.

Ndërkaq, Avdyli ka thënë se iniciativa ka qenë individuale nga njerëzit të cilët nuk ia duan të mirën LDK-së. /PrizrenPress.com/

Vajza e Zekatëve dhe rrëfimet për Ali Pashën

0

Nga ballkoni i lartë i shtëpisë së Zekatëve mund të shohësh sesi rrezet e fundit të diellit shpërndahen lehtë, duke veshur si me një tis të purpurt malin e Lunxhërisë. Më pas, një shkëlqim i lehtë shpërndahet kudo nëpër qytet, përpara se të mbërrijë mbrëmja. Vojsava Zeko Anastasi i pëlqen ta shohë perëndimin e diellit nga ky kënd i shtëpisë. Me anëtarë të tjerë të familjes, ajo ulet shpesh aty, duke gjerbur kafe e duke humbur në biseda kujtimesh. Nga vajza e vogël me flokët e verdha me bishtaleca dhe fustanin e bardhë që kërkonte të zbulonte gjithë misterin e kësaj shtëpie të madhe, sot ka mbetur ende ajo grishje misteri që mbart kjo shtëpi. Pothuajse çdo ditë, Vojsava pas pune hap portën e madhe të shtëpisë mbi 200-vjeçare të Zekatëve, jo vetëm për turistët që çdo ditë ndalojnë për të parë atë çfarë mbart kjo ndërtesë monument kulture, por dhe për t’u kujdesur nga gjithçka ka aty brenda. Perdet e bardha vendosur me kujdes në dhomën e pritjes apo qilimat e thurur sipas stilit të dikurshëm, janë zgjedhje e Vojsavës.

Këto ditë ajo ka blerë një tjetër qilim të ri në pazar. Është si një kthim në kohë, sa herë hyn në oborrin e madh për të humbur më pas në dhomat e pafundme të kësaj ndërtese. Deri në vitin 1968, familja e saj ka jetuar në këtë ndërtesë, për t’u shpërngulur më pas në hapësirën ngjitur, ku kanë ndërtuar një shtëpi. Por zemra duket se ka mbetur në këtë hapësirë. Është diçka më shumë se kujtimet që e bën ta dojë këtë vend, diçka që lidhet me rrëfimet e gjyshes, apo të afërmve dhe lojërat e fëmijërisë për shtëpinë që është më shumë se një histori e qytetit. Ajo është dëshmia e një kohe dhe një qytetërimi që ka ekzistuar në këtë qytet që para Luftës së Dytë Botërore. Çdo pjesëtar i familjes Zeko ka një histori të tyren për këtë ndërtesë, një histori ku hyjnë dhe përjetimet personale. Historia e Vojsavës është ndoshta më e bukura për vetë kujdesin dhe dashurinë që ajo tregon ende për shtëpinë. Është sikur një pjesë e saj ka mbetur ende në këto dhoma të ndërtuara me kaq stil që në vitin 1811. Dikur shtëpia gumëzhinte nga jeta, ndërsa sot vetëm nga frymëmarrja e Vojsavës apo zërat e turistëve.

Beqir Zeko, pronari i parë i saj, u takonte tregtarëve të sërës, që besonin se cilësia e biznesit shihet dhe në cilësinë e jetës. Thuhet se ai ishte mik me Ali Pashë Tepelenën, pasi i mbante llogaritë dhe për besimin që kishte krijuar te Pashai shqiptar, ai i bëri dhuratë këtë shtëpi. Vetë pozicioni ku është vendosur shtëpia, në krye të qytetit, shumë pranë pllajës me qiparisa që ndodhen si kurorë mbi kokën e Gjirokastrës, është një zgjedhje e Ali Pashës. Nga këtu mund të kontrolloje çdo lëvizje në qytet, dhe ky ballkon ku Vojsava mund të shohë luginën e Drinit, ishte vendi i preferuar i Pashait. Kjo është vetëm një nga variantet e historisë së kësaj shtëpie, që mbart shpirtin e tregtarëve të kohës.

Brenda saj janë ende jo vetëm kujtimet e Beqir Zekës, këtij burri, imazhin e të cilit mund ta përfytyrojmë vetëm përmes rrëfimeve, por dhe të shërbëtorëve apo pjesëtarëve të tjerë të familjes që kanë jetuar aty. Çdo Zekat ka lënë gjurmët e një historie që duket se nuk do të dalë asnjëherë nga oborri i shtëpisë. Aty ka mbetur dhe historia e Marinës, shërbëtores nga Hormova, e cila u vra nga hajdutët pikërisht në oborrin e shtëpisë. Marina ishte shërbëtorja e besuar e Zekatëve. Por vajza së cilës i ishin besuar të gjitha sekretet e shtëpisë, do të binte pre e banditëve dhe do të bashkëpunonte me ta për të vjedhur florinjtë. Pasi morën thasët me flori, ata e vranë Marinën në kopsht. Vendi ku ajo dha frymën e fundit mban sot emrin e saj. Pas kaq shekujsh, Marina nuk ka mundur të ikë nga aty. Vojsava thotë se kur duan të dalin në kopsht, ata thonë se “do të shkojmë te Marina”. Historia e nuses turke, të një prej djemve të shtëpisë, që para luftës ka mbetur ende në rrëfimet e grave të Zekatëve. Djali i shtëpisë përpiqej t’i vendoste gjithnjë diçka më tepër te filxhani i kafesë në shenjë dashurie, gjë që nuk ishte në stilin e burrave gjirokastritë. Femrave të shtëpisë nuk mund t’u shpëtonte kjo gjë … Kjo histori dhe dhjetëra të tjera tregohen shpesh nga pasardhësit e Zekatëve, që përpiqen të mbajnë gjallë përmes rrëfimeve atë çfarë ka ekzistuar dikur. Në fund të çdo rrëfimi na shfaqen silueta njerëzish që përçojnë një kulturë dhe një nivel qytetërimi tepër të emancipuar për kohën.

Kjo shtëpi është mënyra më e mirë për të parë sesi jetonin bejlerët e parë shqiptarë. Një aristokraci e pastër e mbetur në çdo detaj të mënyrës sesi është ndërtuar shtëpia. Në fotot e vjetra të familjes që Vojsava ruan me kujdes, mund të dallosh nga copat e zgjedhura për fustan të femrave të familjes, nivelin e kulturës që përfaqësonin. Në një foto, gjyshja e shtëpisë ka veshur kontaxhup (e realizuar me lëkurë kunadheje dhe brenda me push). “Sa e pasur ishte një familje shihej se sa oxhak kishte”, thotë Vojsava. Te Zekatët çdo dhomë ka një oxhak e banjë dhe një prej tyre është me hamam. Shtëpia e Zekatëve është një shembull i kullës tipike. Ndërtuar më 1811-1812 me dy kulla binjake dhe një harkatë të madhe të dyfishtë. Shtëpia ka tri kate, ku i poshtmi përmban dhomat e magazinimit, një kuzhinë të lartë dhe sterat e ujit, si dhe shkallët që gjarpërojnë lart për në katet e tjera. Kati i dytë ka dhomat kryesore, që shërbenin për degë të ndryshme të familjes, ndërsa kati i sipërm ka një dhomë të madhe pritjeje dhe dy dhoma të tjera. Dhoma kryesore është tipike për shtëpitë më madhështore të Gjirokastrës me mure me afreske, tavan druri të gdhendur dhe oxhak të zbukuruar. Në një nga hapësirat e murit të shtëpisë ka qenë e pikturuar Xhamia Blu e Stambollit, por me dëmtimet që mori shtëpia gjatë Luftës së Dytë Botërore ka mbetur vetëm një pjesë e saj. Ky kat i fundit ishte i destinuar për t’u përdorur nga e gjithë familja. Në qendër të katit, pranë shkallëve, është një ballkon druri që mbizotëron mbi qytet. Një pjesë e tij është më e ngritur, e rezervuar për kreun e familjes, ku ai qëndronte dhe gostiste miqtë dhe shikonte se ç’ndodhte në qytetin poshtë këmbëve. Qilarët kanë mbetur ashtu si më parë, ku Zekatët ruanin bulmetin. Gjatë viteve të diktaturës në shtëpi, përveç familjes së Vojsavës, jetonin dhe qiraxhinj të vendosur nga shteti. Vlerat e kësaj ndërtese, e cila shihet si unike në llojin e saj në Ballkan, thuhet si diheshin dhe nga vetë diktatori Hoxha që ishte nga ky qytet, madje nëna e tij rridhte nga Zekatët. Në vitin 2004, kjo ndërtesë iu nënshtrua restaurimit, një investim që u bë nga firma angleze “Pankart”. Gjatë kësaj ndërhyrjeje u mundua të ruhej gjithçka sipas modelit me të cilin Beqir Zeka e projektoi më shumë se 200 vjet më parë. Me çmimin modest që familja ka vendosur për turistët, përpiqet të heqë të gjitha shërbimet që i duhen një ndërtese monument kulture. Ca rreshta nuk mjaftojnë për të përshkruar atë çfarë përfaqëson me të vërtetë kjo ndërtesë historike, por disa orë duke vizituar atë, mund të mjaftojnë për t’u zhytur në histori dhe për të ndier erën që vjen nga Lunxhëria, aty në ballkonin e drunjtë që kushedi ç’mendime të sjell …