Home Blog Page 6937

Haradinaj: Nuk shkojmë te Mustafa se u vonua

0

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, bërë me dije se nuk do t’i përgjigjen ftesës së kryeministrit Isa Mustafa, i cili ka ftuar sot për një takim liderët e opozitës.

Haradinaj ka thënë për “Epokën e re” se kryeministri Mustafa ka bërë një ftesë të vonuar dhe të thatë.

“Ne nuk shkojmë në takim me kryeministrin. Është një ftesë e vonuar dhe e thatë. Është i njëjti kryeministër, i cili ia ka shkaktuar këto trauma vendit që disa muaj. Tash së fundi, pas gjithë kësaj, ai kërkon një takim të thatë, pa përmbajtje dhe nuk ka kuptim kjo sjellje e tij”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka paralajmëruar një takim të opozitës me presidenten Atifete Jahjaga.

“Mund të ndodhë që do të takohemi këto ditë sërish me presidenten Jahjaga. Kuptohet, qëndrimi ynë është anulimi i marrëveshjeve dhe lirimi i të burgosurve politikë”, ka thënë Haradinaj.

Radikalizimi i politikës

0

Nga Xhavit Haliti

U bë kohë që raportet mes opozitës dhe shumicës politike në Kuvendin e Kosovës, të acaruara dhe konfliktuale qysh nga konstituimi i vonuar i tij, duket se janë inekzistente.

Tashmë pas mëse dy javësh nga lëshimi i udhëresave prej prokurorisë për katër deputet të opozitës, arrestimi publik i Albin Kurtit nga policia, në Ditën e Flamurit dhe brenda selisë së VV-së, ka demtuar rëndë, për të mos thënë që ka mbyllur rrugët lidhëse për bashkëbisedim e dialog.

Raporti është marrëdhënie, është bashkëveprim i rregulluar nga rregulla e norma të bashkëpranuara nga palët.

Edhe mes armiqësh në luftë njihet dhe respektohet ligji i luftës, që përmban norma për shpalljen e luftës, për armëpushimet, për procedurat e përfundimit të luftës etj.

Kurse në Kuvend, në sallën e mbledhjeve plenare, që konsiderohet e shenjtëruar demokracia për ndërtimin dhe funksionimin e shtetit ligjor, u pamundësua përdorimi i fjalës me mjete e veprime të dhunshme.

Pra në tempullin e fjalës, në vendin e vetëm të zgjidhjes së problemeve, u ndërpre raporti, marrëdhënia dhe mundësia e marrëveshjes mes opozitës dhe pozitës për “Zajednicën” dhe vijën e demarkacionit.

Protesta kundër qeverisë në Kosovë e organizuar më 28 Nëntor, që historikisht është ngjarje vendimtare mbrojtëse edhe për krijimin, ekzistencën dhe njohjen ndërkombëtare të Republikës së Pavarur të Kosovës, duket e papërshtatshme, madje e papranueshme.

Si nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk më takon dhe nuk ia lejoj vetes të konkludoj, sidomos publikisht, për përgjegjësitë e konfliktit mes palëve politike në Kuvend dhe protestave të dhunshme në rrugët e Prishtinës.

Por di vetëm, dhe kjo është e qartë për këdo, që konflikti aktual në Kosovë e ka thelluar hendekun ndarës mes pozitës dhe opozitës dhe po e bën radikalizmin e politikës të rrezikshëm për të tashmen dhe të nesërmen e Kosovës.

Aleanca e partive opozitare po rrëshqet drejt një pozicioni revolucionar për marrjen e pushtetit, sikurse partitë në pushtet po rrëshqasin drejt shfaqeve represive për ruajtjen e institucioneve dhe të rendit nga veprimet e dhunshme të protestuesve nëpër rrugë dhe të disa deputetëve në sallën e Kuvendit.

Kemi mësuar qysh në fëmijëri se çdo veprim pasohet nga kundërveprimi. Kjo ligjësi, që është vepruese në natyrë dhe shoqëri, përjashtohet në funksionimin e çdo shteti që e mban veten për demokratik. Në demokraci, forcat politike, konkurruese për të qeverisur vendin, nuk e konsiderojnë dhe nuk e trajtojnë njera-tjetrën si të kundërt dhe aq më pak si armike, por si të ndryshme në objektiva dhe rrugë për të mirën e vendit.

Te ne, në shtetin tonë të ri, opozita parlamentare guxon të akuzojë qeverinë, jo thjesht si armike të vetën, por dhe të shitur e në shërbim të Beogradit.

Të gjithë ne, të përfshirë e aktivë në jetën politike, pavarësisht nga CV-të tona personale dhe mosha jonë, të rinj a më të vjetër, jemi të gjithë të rinj, jemi në start për të njohur praktikën, kulturën, bashkëjetesën, bashkëpunimin, lojën politike, rrugët format dhe mënyrat e protestës ndaj pushtetit, respektimin e ligjit, të institucioneve shtetërore, të votës, që ngrihet e vepron mbi të drejtën demokratike të shumicës së qytetarëve votues.

Të papërvojë për ndërtimin e fuksionimin normal e të natyrshëm të demokracisë, jemi ende më pranë traditës të zgjidhjes së konfliktit me mjete të dhunshme.

Dhe me sa duket opozita aktuale ka zgjedhur këtë rrugë për të dalë nga ngërçi i rrezikshëm, ku jemi përfshirë. Ka përjashtuar urën e vetme lidhëse mes forcave politike kundërshtare, takimin, parashtrimin e kundërshtive në dialogim dhe zgjidhjen e tyre në përputhje me sasinë dhe vlerën e argumenteve. Mbi argumentet, forcën e fjalës dhe besimit reciprok ne shqiptarët historikisht kemi bërë pajtimin e gjaqeve.

Politika aktuale në Kosovë vërtet është grindur, është provokuar, ndonjëherë edhe ndjeshëm, por nuk është gjakosur.

Mendoj se partitë politike i kanë mundësitë, aftësitë dhe predispozitën të gjejnë zgjidhjen e konfliktit. Ngërçi politik do zgjidhet vetëm nga ne dhe kam bindjen se mbi të gjitha do të mbizotërojë atdhetarizmi mbi çdo ekip partiak në mbarë Kosovën.

Kosova me pasaportën më të dobët në rajon

0

Rangimi relevancës së pasaportave të shteteve të Ballkanit, e ka lënë në vendin e fundit Republikën e Kosovës.

Rangimi i pasaportave më të fuqishme është bërë duke marrë parasysh se në sa vende mund të udhëtojnë shtetasit përkatës me ato pasaporta.

Shtetasit që kanë pasaportën e Kroacisë, mund të udhëtojnë në 124 vende, fakt i cili e bën pasaportën kroate më të fuqishmen në rajon, raporton lajmi.net

Pas Kroacisë, pason Serbia, shtetasit e se cilës mund të udhëtojnë në 104 vende. Shtetasit e Maqedonisë mund të udhëtojnë në 101 vende, ata të Malit të Zi 98, Bosnje e Hercegovinë 94 dhe Shqipëri 91.

Ndërsa në vendin e fundit, është Republika e Kosovës, shtetasit e së cilës mund të udhëtojnë vetëm në 41 shtete pa pasur nevojë për viza.

Indeksi i pasaportave është një mjet që rangon fuqinë e pasaportave të shteteve, bazuar në faktin se në sa vende mund të udhëtohet pa viza me ato pasaporta.

“Streets of Surrender”, kënga e U2 që i dedikohet Parisit

0

Rok grupi U2 i dedikon këngën e re qytetit të Parisit, pas sulmeve të fundit terroriste që lanë atje 130 persona të vdekur, raporton BBC.

Para koncertit në Francë, këngëtari Bono zbuloi se kënga e tyre e re, e titulluar “Streets of Surrender”, i dedikohet kryeqytetit francez dhe flet për Parisin si për një qytet të lirisë që i ka rrugët plotë me krenari dhe dashuri.

Grupi kishte planifikuar të performonte në Paris vetëm disa ditë pas sulmeve por koncertet u anuluan dhe pas pauzës ata mbajtën koncertin e parë mbrëmjen e së dielës, më 6 dhjetor.

“Ne qëndrojmë së bashku me familjet e të vrarëve në Paris”, tha Bono, ndërkohë që emrat e viktimave paraqiteshin në një ekran të madh në AccorHotels Arena.

Koncerti e radhës në këtë qytet U2 do ta mbajë sonte, më 7 dhjetor.

“Uragani” Special

0

Shumë dëshmitarë të mbrojtur, bashkë me familjarë të tyre, tashmë janë vendosur në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, të cilët pritet të dëshmojnë gjatë muajve në vijim kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pas funksionalizimit të Gjykatës Speciale.

Burime të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se bëhet fjalë për dëshmitarë shumë të rëndësishëm, të cilët kryesisht kanë qenë ish-eprorë të UÇK-së dhe që kanë pranuar të dëshmojnë në proceset gjyqësore të Gjykatës Speciale kundër ish-bashkëluftëtarëve të tyre.

“Disa ish-komandantë të lartë të UÇK-së po thuhet se së fundi janë larguar bashkë me familjarët e tyre nga Kosova. Po ashtu, disa të tjerë janë larguar gjatë valës së emigrimit të kosovarëve, duke u kamufluar kinse po ikin për shkaqe ekonomike, ndërsa në fakt janë dëshmitarë të mbrojtur të Gjykatës Speciale”, bën të ditur ky burim i gazetës “Zëri”, duke shtuar se krimet e supozuara që kanë ndodhur para më shumë se 16 vjetëve është vështirë të dokumentohen tashmë, pa dëshmitarë të rëndësishëm nga lufta e fundit.

Gjykata Speciale pritet të funksionalizohet gjatë vitit 2016 në Holandë, e cila do t’i trajtojë akuzat për krime lufte që burojnë nga Raporti i senatorit zviceran Dick Marty./Zëri

Marrëveshjet s’janë pa mëkate

0

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, ka thënë se të dyja marrëveshjet, ajo për Asociacionin e komunave serbe dhe ajo për Demarkacionin me Malin e Zi, nuk janë pa mëkate.

Sipas tij, këto marrëveshje nuk janë bërë nga malli, por nga halli.

Lauka në një intervistë për “Epokën e re” i ka dhënë të drejtë opozitës që t’i shprehë mospajtimet për këto dy marrëveshje, por ka thënë se është kundër përdorimit të gazit lotsjellës në Kuvend dhe kundër përdorimit jopërpjesëtimor të dhunës nga ana e policisë ndaj protestuesve më 28 nëntor.

Ai i ka bërë thirrje klasës politike në Kosovë që nëpërmjet dialogut ta gjejë mënyrën për të dalë nga ky ngërç.

Lauka në këtë intervistë ka folur edhe për qeverisjen në Shqipëri dhe situatën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe Maqedoni.

Thaçi president rrënon kredibilitetin e Kosovës

0

Marrëveshja kontratë në mes të PDK-së dhe LDK-së për koalicionin qeverisës, që për president të radhës, në mars të vitit që vjen, të zgjidhet kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, është vlerësuar në vazhdimësi nga analistët politikë edhe opozita si një marrëveshje jodemokratike dhe tepër e rrezikshme për stabilitetin dhe funksionalitetin e institucioneve të shtetit, shkruan Kosova Sot.

Fillimisht kjo është parë si marrëveshje joserioze, për faktin se zgjedhjen e Thaçit president e vë në pikëpyetje brishtësia e koalicionit qeverisës, mospajtimi i shumë deputetëve të LDK-së për ta votuar Thaçin për president, derisa edhe dyshimet që janë për rolin e tij në kohën e luftës, përfshirja e tij në raportin e Dick Marty-t dhe ngritja eventuale e akuzës nga Prokuroria dhe Gjykata Speciale mund të vijnë si një tërmet që mund të shembë me themel kredibilitetin dhe integritetin e shtetit të Kosovës.

Analisti Blerim Burjani thotë se Kosova do të hynte në rrugë qorre, nëse Gjykata Speciale do të merrte si të dyshuar Hashim Thaçin.

“Kosova do të hynte në rrugë qorre, nëse Gjykata Speciale do të merrte si të dyshuar Hashim Thaçin. Do të ishte përfundimisht edhe fundi i PDK-së dhe karrierës së tij politike, por edhe fundi i të gjithë përfituesve në kurriz të Thaçit, e që shumë pakurrizorë, përkthyes të tij, tash ministra e ambasadorë e gjithçka, kanë përfituar nën emrin e tij dhe rolin e tij politik në vend. Kjo do të ishte katastrofë edhe për militantët e kësaj partie, sepse ata do të ndërroheshin prej fillimi deri në fund në një qeverisje të re të vendit, pra edhe do të humbnin”, thotë analisti Blerim Burjani. /Kosova Sot

Uji i kroit të Beledijes në Prizren “të çan ballin” dimër e verë

0

Berat Batiu, shkrimtar nga Prizreni, tregon se meqë në afërsi e ka shtëpinë, shumë shpesh ka marrë ujë te ky krua i Beledijes.“Thuhet se është krua me ujë të mirë, sepse ai ujë thonë se vjen nga ‘Bjeshkët e Pashës’”, thotë ai

Prizreni, përveç tjerash, shquhet edhe për krojet e shumta. Ato i japin freski qytetit. Ata u shërbejnë qytetarëve dhe vizitorëve të shumtë për të shuar etjen gjatë verës. Por, për krojet e shumta të Prizrenit ka edhe shumë histori dhe gojëdhëna të ndryshme. Ato na i rrëfen edhe Bedri Çejku, i cili thotë se i mban mend qysh kur ishte fëmijë. Ai shprehet se ndër krojet më të mira në qytet është kroi i Beledijes, që sipas tij është i dobishëm edhe për shëndet. “Një ndër krojet më me famë në qytet është edhe Kroi i Beledijes”, tregon Çejku.

Ndërsa, shkrimtari Berat Batiu tregon se meqë e ka shtëpinë në afërsi të kroit, furnizohet nga ky ujë që është më i freskët se kudo tjetër. Ai thotë se edhe më të parët i kanë rrëfyer për “mrekullinë” e këtij uji. “Atëherë thuhej se është krua me ujë të mirë, sepse thonë se kishte ujin nga ‘Bjeshkët e Pashës’”, thotë Batiu. Ai shpjegon se emrin e ka marrë nga vetë objekti i Kuvendit Komunal të Prizrenit, që u ndërtua gjatë periudhës osmane, në shekullin XIX. “Kroi është ndërtuar në oborrin e Beledijes, siç quhet në gjuhën turke Kuvendi, gjatë shek. XIX. Kroi gjendej ndërmjet objektit të ,,Beledijes” dhe Xhamisë së Mustafë Pashës”, thotë Batiu, duke shtuar se në këtë vend kroi e kreu funksionin e vet primar që nga koha e ndërtimit e deri në vitin 1960.

Regjimi komunist nuk kurseu asgjë

Por, si shumë pasuri të tjera, edhe kroi do të pësojë fatin e njëjtë gjatë regjimit komunist. Kështu, asokohe lagjja pësoi ndryshime të papara. Xhamia e Mustafa Pashës u rrënua më 1952, kurse në anën e djathtë të lumit u asfaltua aksi rrugor nga ,,Tabakhana” e deri në ,,Marash”. Kroi që ndodhej në aks të rrugës, si rrjedhojë e ndërtimit të aksit rrugor, më 1963 u dislokua në “Sheshin e Dëshmoreve”, i cili gjendet në pjesën qendrore të qytetit, ndërmjet urës e Xhamisë së Arastës dhe Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Batiu shpjegon se kroi është i ndërtuar nga gurët gëlqerorë të latuar. Gjatë përpunimit, blloqeve të gurëve u është dhënë forma e katrorëve, me madhësi të ndryshme. Në pjesën e sipërme, në të katër anët e tij, ngrihen harqe, e mbi to është vendosur një gur gjysmësferik./kosova sot/

Për tre minuta shiten biletat për Adele

0

Në një kohë rekord, për vetëm tre minuta pas daljes në treg janë shitur të gjitha biletat e këngëtares Adele për koncertet që ajo do të mbajë në Dublin të Irlandës.

Çmimet e këtyre biletave të cilat kanë dalë në shitje “online” startonin nga 300 euro deri në 850 euro.

Ylli i këngës “Hello” pritet të performojë në skenën e Dublinit më 4 dhe 5 mars të vitit të ardhshëm. Ajo do të performojë gjithashtu më 29 shkurt dhe 1 mars në Belfast.

Shumë fansa të zhgënjyer nga çmimet e larta kanë reaguar menjëherë në rrjetet sociale duke treguar se ishte vërtetë qesharak. Por, pavarësisht kësaj biletat tashmë janë të gjitha të shitura.

Ka qenë vetë këngëtarja, e cila më herët nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter ka njoftuar të gjithë fansat e saj për turneun që do të zhvillojë në Evropë përgjatë vitit 2016.

“Me zi pres që t’ju shikoj të gjithëve pas një kohe të gjatë pauze”, ka shkruar ajo.

Meta: Rrugët e dialogut mbeten të hapura

0

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, pas takimeve që ka pasur sot me liderët e opozitës, ka thënë se, gjatë takimeve ka diskutuar për mënyrën e gjetjes së një zgjidhjeje të krizës përmes dialogut.

Meta beson se politikanët e Kosovës i kanë të gjitha mundësitë dhe kanë vullnetin që nëpërmjet një procesi reflektues ta rivendosin një dialog.

“Vë re me kënaqësi që rrugët e dialogut mbeten të hapura dhe të pa shteruara. Dhe ka dëshirë dhe ka vullnet për të ecur drejt kapërcimit të këtij momenti delikat të funksionimit të institucioneve, me qëllim që të shënohet një progres për të gjitha ato çështje të debatuara deri tani dhe tanimë të njohura. Kështu që, unë besoj se politikanët e Kosovës i kanë të gjitha mundësitë dhe kanë vullnetin që përmes një procesi reflektues të rivendosin një dialog të qëndrueshëm që do t’i shërbejë shumë Kosovës dhe të ardhmes së saj evropiane”, ka thënë Meta.

Kryeparlamentari shqiptar është takuar edhe me kreun e Vetëvendosjes, Visar Ymeri, atë të AAK-së, Ramush Haradinaj, si dhe me kryetarin e Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj. Ndërkohë, pasdite kryeparlamentari Meta ka takuar edhe presidenten Atifete Jahjaga, me të cilën po ashtu ka diskutuar për krizën politike. Një natë më parë, kreu i Kuvendit të Shqipërisë ka takuar edhe homologun e tij kosovar, Kadri Veseli, me të cilin po ashtu ka diskutuar për mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje për krizën politike në Kosovë. /Top Channel