Home Blog Page 7000

Drejtësia nga EULEX-i, drejtësi e satisfaksionit për Serbinë

0

Nga Valon Jashari

Të veprosh politikisht apo më mirë të them të kërkosh të drejtat e tua civile e politike si qytetar i Preshevës , në shekullin XXI , shpesh herë mundë edhe të paguash një çmim shumë të shtrejtë nga ana e drejtësisë atë edhe Europjane të ndikuar politikisht. Me që jam një qytetar nga Presheva , dhe duke mos gëzuar asnjë të drejtë elementare politike –sociale , i shtypur , i nëpërkëmbur nga aparatura shtetërore Sërbe , thuajse në çdo sfer të jetës i diskriminuar e i persekutuar, i mbetur si provinca më e izoluar dhe militarizuar e europës , i varferuar qëllimisht me politikat që qeveria e Serbisë ndjek ndaj këtyre tri komunave Shqiptare. Ka vite që më është pamundësuar kthyrja në vendlindjen time si pasojë e ndjekjeve politike nga ana e Serbisë , duke bredhur rrugëve të europës , si një njeri pa vendlindje të mohuar padrejtësisht, duke qëndruar në mëshirën e kohës , të shpresës së humbur, dhe fatit të përcaktuar si një qytetar pa asnjë të drejtë elementare , ku nën këtë hise të qiellit cdo kënd jam i huajë. Me që familjarisht nga ana e shtetit Serbë ndiqemi politikisht, tani Serbia kishte gjetur një mundësi që edhe në Kosovë të na ndiqte por përmes EULEX-it , me akuza të të përgatitura ne Beograd. Tani po bëhen rreth tre vite e gjysmë që jamë duke vuajtur një dënim kapital prej nëntë viteve , dhe gjithashtu edhe nëntë persona të tjerë si bashkë të akuzuar me gjithsej gjashtëdhjetë vite burgim gjithsej , nën peretekstin kinse ne paskemi sulmuar Policinë Serbe në Dobrosinë të Bujanocit gjatë vitit 2012. Me që kam qenë si ish-kryetar i ,,Lëvizjes së Lirisë’’ lëvizje politike e cila vepron në Preshevë , Bujanocë dhe Medvegjë, e cila lindi si iniciativë e vetë qytetarëve të asaj ane, në mënyr që të artikuloj dhe mbroj me mjete politike të drejtat e tyre. Do ti ceki vetëm disa nga parimet bazë të lëvizjes mbi të cilat ka vepruar si lëvizje, që janë në përputhje me parimet e Kombeve të Bashshkuara dhe të konventave ndërkombëtare mbi lirit politike , e këto parime janë : njohja e dinjitetit të lindur, të të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme , krijimin e një bote në të cilën njerzit do të gëzojn , lirinë, lirinë e fjalës, lirinë nga frika , dhuna , skamja ku janë si aspirata më të larta të njerzimit, është qensore që të drejtat e njeriut të mbrohen nga sistemi juridik , ku sundon ligji , që njeriu të mos shtrëngohet, shtypet , robërohet , duke pasur parasyshë se ndryshimet rrënjësore që janë bërë në historinë e Europës kanë treguar se mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe pakicave kombtare është thelbsore për stabilizimin , sigurin demokratike dhe për paqën në këtë kontinent. Me që Lëvizja e Lirisë si ndjekse e këtyre parimeve , Serbia po i pengonte veprimtaria e sajë politike , pasi që lëvizja i’a demaskonte politikën të cilën Serbia po e zbatonte në Kosovën Lindore , atë me elemente të gjenocidit , në mënyr shumë perfide. Andaj Serbia në bashkpunim me organet e EULEX-it kuptohet me disa të besuar të saj , organizuan dhe planifikuan që sulmet e Dobrosinit të i’a mveshin kësaj lëvizje. Realiteti është kejt ndryshe pasi që veprimtaria e lëvizjes ka të bëjë me atë anë, dhe Lëvizja e Lirisë asnjë indikacion më të vogël në këtë çështje nuk ka pasur , me përjashtim jo nga Kryesia e Pergjithshme por vetëm Dega e Lëvizjes së Lirisë e Bujanocit në mënyrë deklarative i ka dalur në mbështetje atyre qytetarve të vetë-organizuar të rrethinës së Bujanocit , ku në shenjë paknaqësie e shtypjes e represionit Serbë janë vetëmbrojtur , kjo është e tëra. Siç e ceka më lartë Serbia me çdo formë që edhe në Kosovë si lëvizje dëshironte të e sulmonte , duke marrë parasyshë se degët e kësaj lëvizje veprojnë në disa shtete europjane, por qëllimi I Serbisë ishte preteksti se ja terroristet nga Kosova destabilizojnë rajonin , kështu që me njërën anë përmes meje si ish-Kryetar I lëvizjes e godiste lëvizjen dhe në anën tjetër edhe duke u munduar që të I’a dëmtonte imazhin e Kosovës. Vlen të ceket se unë kamë qenë duke jetuar në Belgjikë- Bruksel dhe për koinçidenc isha ardhur vetëër një muaj në Tiranë e Prishtinë për ti vizituar dhe prap për tu kthyer në Belgjikë , por një ditë pa u kthyer më arrestoi policia e EULEX-it në Prishtinë. Do ti ceki disa nga arsyet shumë bindse se si ka qenë I planifikuar-organizuar gjykimi nga ana e Beogradit përmes EULEX-it . Këtë mësë miri e dëshmon që na u caktua për Prokuror , Mauricio Salustro tani më shumë I përfoluri për raste të montuara , skandale si dhe rastet ta quaj të ndjeshme ato të karakterit politik që I ka ndjekur , Prokurori tani gjatë kohës së gjykimit dhe më parë kishte kontaktuar me organet e MUP-it të Serbisë , deri sa e perpiloi në Beograd akuzën aq të pabazë , mbi hipoteza , dhe prova të pa rëndësishme dhe papranushme . Nëse i’u referohemi ish-zyrtarit të lartë i ICO-së CAPUSELLA , se EULEX-i ka marrë vetëm ato raste të cilat ka qenë i shtyer nga jashtë , me këtë rast dëshmohet se ka qenë i shtyer nga Serbia, konkretisht në atë kohë nga Ivica Daçoq që ishte Kryeminister i Serbisë dhe gjtë deklaratës publike të Daçiqit që bënë në Dobrosin dhe në Vranjë , shihet drejtperdrejtë nderhyrja e tij në EULEX nasj ketij rasti.

Po ashtu nëse i’u referohemi deklaratës së Tory Wilkinson si ish-hetues I EULEX-it ku ndër të tjera shprehet se misioni i EULEX-it ndjek agjendë politike të rasteve të caktuara . Duke mos dashur të precizoj për arsye subjektive një diplomat mik i shqiptarëve më ofron disa të dhëna shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me rastin e gjykimit , ku nder të tjera po e parafrazoj se’’ ky rast duhet gjykuar dhe fituar rastin, por me gjyqtarët që do ti përshtaten Prokurorit Salustro’’ dhe kështu edhe ngjau.

Me që Salustro ishte i besuari i vetëm në EULEX dhe i autorizuar nga ana e Serbisë që të ndiqte këtë rast , dhe jo rastësisht si gjyqtar paraprak e caktuan Vladimir Mikula një gjyqtar i EULEX-it , polak me kombësi, por vlenë të ceket se vetëm janë të publikuara në Kosovë lidhjet afersie-raportet besushmërie mes njëri tjetrit. Këto shkelje ligjore qysh në fazen fillestare , paraprake janë zhvilluar të kunderligjsjme psh : vendim nxjerr gjyqtari paraprak nën anen time për kontrollim të banesës , me që unë isha vetëm për pak ditë në Kosovë gjegjësishtë në Prishtinë unë nuk kisha banesë timen , flija në një hotel në Veternik tek hotel Fontana ku kisha bërë pagesen për disa ditë, por Prokurori Salustro e dergon njesin e policisë së EULEX-it me vendim të gjyqtarit nën emrin tim me e kontrollu banesën e vëllaut tim në Prishtinë i cili jetonte , e asesi nuk kontrollohet hoteli dhe dhoma ku unë isha duke banuar për ato pak ditë që do të isha në Prishtinë ,pastaj ka aq shumë shkelje procedurale si as mua por asnjërit nga të auzuarit deri në gjykimin kryesor nuk na ka dhënë deklaratat tona.

Pastaj si gjyqtar i shkallës së parë na caktohet Arkadeus Sedek , e shkallës së dytë na caktojnë Elka Ficheva- Ermenova nga Bullgaria , ne kemi kërku qysh në fazen fillestare që të shkarkohet Prokurori Mauricio Salustro pastaj si në shkallën e parë ashtu edhe në të dytën kemi kerku që kryetarja e trupit gjykues të shkarkohet , me motivin se gjatë gjykimit do të ishte e njëanshme dhe me që ishte një rastë për një veper e karakterit penalo-politik , padyshim se nuk do të vepronte në mënyrë të drejtë , pasi si ka mundësi që Prokurori të na bjerë Solustro , pastaj si gjyqtar paraprak Vlladimir Mikula , si shkall e parë Arkadeus Sedek, i shkallës së dytë Elka Ficheva –Ermenova që të gjithë të perfolur për skandale në EULEX dhe mbi të gjitha të gjithë gjyqtarët vijnë nga shtetet që kanë qëndrim kundërthëns rreth pavarsis së Kosovës dhe çështjes Shqiptare dhe ndjekin një vijë politike më shumë pro-sllave. Ne kemi kërku që gjyqtarët të jenë ose Amerikan , Gjerman, Anglez , etj por jo për një veper politike të jenë këta që rekomandoheshin nga Serbia për qëllimet e saja. Dhe posa përfundon rastin tonë Muricio Salustro , përfundon si kshilltar i Bruno Vekasiçit në Beograd ku punësohet . Dhe në Dhjetor 2013 vetëm dy muaj pasi gjykata e EULEX-it na shpall fajtor, shtëpin e familjes sime në Rahovicë të Preshevës , policia dhe xhandarmeria Serbe e minojn dhe e hedhin në erë , ku e tëra digjet.

( Autori është i burgosur nga EULEX-i në burgun e Lipjanit)

Ismet Kryeziu: Stop kërcënimeve për bindje politike!

0

Drejtori i Insitutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka kërkuar që të ndalen kërcënimet për bindje politike. Sipas tij, politika dhe pushteti duhet të ndahen dhe të distancohen nga kjo formë e veprimit.

“Në Koha Ditore sot është shkruar se deputetes Emilja Rexhepi ju ka rrembyer vajza.Stop, krimit, shantazheve e kërcënimeve për bindje politike”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

“Politika dhe pushteti duhet të ndahen dhe të distancohen nga kjo formë e veprimit. Sot nuk pashë asnjë reagim me rastin e kanosjes dhe rrëmbimit të vajzës së kryetares së NDS-it, deputetës Emilija Rexhepi. Madje as në Prizren! A po e normalizojmë jetën dhe politkën në institucionet shtetërore me veprime kriminale?!”.

Ndërkaq, deputetja Emilija Rexhepi, ka shprehur dyshimin se konflikti me PDK-në në Prizren është bërë shkas që persona të panjohur ta rrëmbejnë vajzën e saj për disa minuta. /PrizrenPress.com

LDK në Prizren: Kërcënimi i deputetes Emilija Rexhepi, veprim kriminal

0

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Prizren, ka reaguar ndaj kanosjes së kryetares së NDS-së, Emilija Rexhepi.

“Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren shpreh indinjatën dhe zemërimin më të thellë për rastin e kidnapimit me qëllim kanosjeje të vajzës së deputetes dhe Kryetares së NDS, Emilija Rexhepit”, thuhet në reagimin e LDK-së në Prizren.

Emilija Rexhepi, e cila është edhe deputete në Kuvendin e Kosovës, ka shprehur dyshimin se konflikti me PDK-në në Prizren është bërë shkas që persona të panjohur ta rrëmbejnë vajzën e saj për disa minuta.

“Vajzën time e kanë rrëmbyer dy persona dhe e kanë lëshuar mëpas në mënyrë që ajo të më përciellë porosinë se “nëna jote duhet të ketë kujdes se çfarë po bën”, ka thënë Rexhepi për Koha Ditore.

LDK-ja në Prizren vlerëson se ”ky rast tregon që elementet kriminale të parapolitikës përmes kërcënimeve dhe shantazheve po duan të shuajnë çdo zë ndryshe dhe shfaqjeve të mospajtimit”.

“Kërcënimi i familjares së pafajshme të një politikane prizrenase vetëm pse ajo shfaqi një mospajtim për një projekt komunal të Qeverisë lokale paraqet një akt barbar, nga e cila duhet të distancohemi të gjithë”.

“Heshtja para këtij akti makabër na bën të gjithëve bashkëpergjegjës dhe fajtor që nesër këto akte të ndodhin të gjithëve pa dallim”.

“Duke shprehur edhe njëherë bindjen që familja është e shenjtë, LDK fton organet e rendit që sa më shpejtë të zbulohen dhe të vihen para drejtësisë autorët dhe inspiruesit e këtij akti qyqar”. /PrizrenPress.com

Prizren: N.D. dënohet me 8 muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare

0

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti për Krime të Rënda, ia ka shqiptuar dënimin të akuzuarit N.D. nga Prizreni prej 8 muaj burgim efektiv.

Dënimi iu shqiptua të akuzuarit pasi u shpall fajtor, për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit nga neni 422 par.1 të KP-së.

I akuzuari i dytë R.D. lirohet nga akuza në mungesë të provave, ndërsa të akuzuarit të tretë B.K. i refuzohet akuza nga se Prokurori i Shtetit ka hequr dorë nga ndjekja penale. /PrizrenPress.com

Ermina Lekaj- Perlaskaj nga Zymi i Hasit, shqiptarja e parë deputete në Kroaci

0

Sipas rezultateve të deritanishme të zgjedhjeve në Kroaci, vendin në parlamentin e këtij shteti e ka siguruar edhe një shqiptare, Ermina Lekaj- Perlaskaj e cila ka prejardhjen nga Zymi i Hasit të Komunës së Prizrenit.

Ajo ka fituar me në një diferencë prej tre votash më shumë sesa kandidati tjetër shqiptar, Idriz Sulejmani.

Ermina vjen nga Kosova, ndërsa është shkolluar në Rijekë. Është juriste e diplomuar, si dhe ka të dhënë provimin e jurisprudencës.

Limaj: UNESCO, dështimi më i madh i diplomacisë kosovare

0

Lideri i NISMA-s për Kosovën, Fatmir Limaj, vendimin e Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s për të mos e pranuar Kosovën në këtë organizatë, e ka cilësuar si dështim të diplomacisë së vendit.

Limaj në profilin e tij në Facebook u deklarua se diplomatët kosovarë dështuan që t’i bindin edhe shtetet që tashmë e kanë njohur shtetësinë e Kosovës që të votojnë në favor të anëtarësimit në këtë agjenci të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Lajm shumë i keq për vendin. Ky është dështimi më i madh i diplomacisë Kosovare që nga krijimi i saj”.

“Diplomacia Kosovare jo vetëm që nuk siguroj vota shtesë nga vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, por fatkeqësisht kjo diplomaci nuk arriti të bind për të votuar për edhe ato vende që na kanë njohur si shtet”.

“Kjo është fiasko për Ministrinë e Jashtme dhe për këtë Qeveri e cila qe sa muaj e paraqiste si punë të kryer anëtarësimin e vendit tonë në UNESCO”, ka shkruar Limaj në profilin e tij në Facebook.

Opozita bojkoton Lunacekun

0

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, njëherësh raportuese për Kosovën në PE, Ulrike Lunacek, nesër do të takohet me anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane.

Por, pjesë e këtij takimi nuk do të jenë edhe anëtarët që vijnë nga opozita.

Opozita në këtë komision përfaqësohet nga deputetët, ai Vetëvendosjes, Ilir Deda dhe nga deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj ka thënë për ORAinfo se opozita nuk ka ndryshuar qëndrim për bojkotimin e të gjitha mbledhjeve të komisioneve.

“Përfaqësuesja e AAK-së nuk do të marrë pjesë nesër në takimin e Komisionit për Integrime Evropiane”, ka thënë Nitaj.

Opozita gjithashtu ka paralajmëruar se do të pamundësojë edhe mbajtjen e seancave të Kuvendit deri në kohën kur do të tërhiqet nënshkrimi për themelimin e “Zajednicës” dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Libri elektronik, në kërkim të lexuesve të rinj

0

Libri digjital. Kjo është tema për Panairin e 18 të Librit në Tiranë.

Petrit Ymeri, Kryetari i Shoqatës së Botuesve është i mendimit se të lexuarit elektronik në shqip do të zgjojë kërshërinë te të rinjtë.

Aplikacioni që do të prezantohet gjatë ditëve të panarit në Pallatin e Kongreseve, fillimisht do të përmbajë deri në 40 tituj. Më pas çdo përdorues do të paguajë për ta patur librin në tabletin e tij, me një çmim më të ulët se ai fizik.

Këtë vit, për botuesit janë vënë rregulla të reja në arkëtimin e të ardhurave nga shitja e librave. Secila shtëpi botuese do të shoqërojë daljen dhe rikthimin në magazinë të librave me një faturë tatimore, duke shmangur përdorimin e kasës fiskale. Një procedure lehtësuese për shitësit që këtë herë duhet të jenë të deklaruar me kontrata të përkohshme pune.

Hapja e një prej ngjarjeve më të rëndësishme për jetën e librit bëhet të merkurën e 11 Nëntorit. /Tv Klan

MKRS hapë konkursin për projektet kulturore- artistike

0

Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte ka hapur konkursin për vitin 2015, për projekte kulturore– artistike.

Në njoftimin e këtij konkursi që është publikuar të hënën mësohet se pjesë e këtij konkursi mund të jenë projektet kulturore-artistike individuale dhe projektet kulturore-artistike grupore (festivalet, bienalet, panairet, ekspozitat dhe manifestimet tjera) me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar nga të gjitha fushat e artit.

“Përmes këtij konkursi, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit synon të mbështesë projekt-idetë me karakter: profesional, të cilat me kualitetin e tyre formal dhe përmbajtjesor, i respektojnë standardet krijuese evropiane e botërore; promovues, të cilat kanë për qëllim paraqitjen dhe integrimin e artistëve vendorë në skenën artistike ndërkombëtare; stimulues, të cilat kanë për qëllim evidentimin e talenteve të reja me ide të veçanta kreative; tradicional, përmes të cilave do të promovoheshin vlerat e trashëgimisë sonë kulturore; inovativ, të cilat, me formën, përmbajtjen, frymën dhe mënyrën e realizimit të tyre, paraqesin risi për ambientin tonë krijues; kritik, të cilat me formën dhe përmbajtjen e tyre nxisin debat dhe diversitet artistik; praktik, përmes të cilave do të evidentoheshin dhe formësoheshin kapacitetet krijuese profesionale”, thuhet në këtë njoftim.

Në kuadër të këtij konkursi, me projekt-idetë e tyre kreative, mund të konkurrojnë institucionet kulturore publike, institucionet kulturore private, OJQ-të me karakter kulturor, individët dhe grupet e ndryshme të artistëve.

“Nga ky konkurs përjashtohen projektet filmike, të cilat mund të gjejnë shprehje në kuadër të konkursit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, si dhe botimet, të cilat mund ta shfrytëzojnë hapësirën në kuadër të konkursit të Keshillit te librit për botimin e librave”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Projektet konkurruese duhet të realizohen brenda vitit 2015 kurse afati për aplikim është i hapur deri më 16 nëntor. /PrizrenPress.com

Shakatë dhe misteri te Borgesi

0

Takimet mes V. S. Naipaul dhe Luis Borges në Argjentinën e pas viteve ‘90 vijnë në një rrëfim të gjatë që Naipaul bën në librin me ese “Shkrimtari dhe bota”, sjellë në shqip nga botimet “Saras”

Historitë e diktaturave janë të gjitha njësoj. I ulur në një kafene në Buenos Aires, V. S. Naipaul dëgjonte rrëfimin mbi diktaturën në Argjentinë nga Luis Borges. Kur fliste për Eva Peronin, gruan historia e së cilës ishte legjenda e fshehur e Argjentinës, vështrimi i tij merrte ngjyra gëzimi.

“Kjo është një histori që unë nuk do të mund ta shkruaja kurrë”, thotë Borges, i bindur se asnjë varg apo tregim, sado i gjatë, nuk do të mund të japë asnjëherë atë çfarë vërtet jetoi e besoi kjo grua. Nën kaosin e një vendi që ende nuk ishte ndarë nga e shkuara, dhe ku censura ndihej ende në shtyp, V. S. Naipaul, e dinte se as orët e gjata nëpër arkiva, apo dhe takimet me personazhe të njohur të atyre viteve nuk do t’i tregonin Argjentinën e vërtetë, siç mund ta bënte rrëfimi i një poeti. E kishte njohur Borgesin herët përmes veprave të tij, dhe kur udhëtoi drejt Buenos Aires, e vetmja gjë që ruajti me kujdes ishte numri i tij i telefonit. Orët e bisedave të gjata në kafenetë e zhurmshme argjentinase, apo shëtitjet në rrugën e preferuar të poetit, do të ishin më shumë se një shkëmbim eksperiencash mes dy shkrimtarëve. Në morinë e biografive apo studimeve mbi veprën dhe jetën e Borges është veçuar nga stili dhe mënyra e të vështruarit, rrëfimi që V.S. Naipaul bën për Borgesin e këtyre takimeve.

***

Në librin “Shkrimtari dhe bota” sjellë në shqip nga botimet “Saras” nën përkthimin e Blendi Lamit, mund të ndalesh dhe të qëndrosh gjatë në kapitullin për Argjentinën, më pas te portreti që Naipaul i bën Borgesit. Një portret i shkruar me sinqeritetin e një shkrimtari që di të shohë brenda trupit të një shkrimtari tjetër, për të nxjerrë prej andej dimensionin e një njeriu që qe në njëfarë mënyre shpirti i Argjentinës. Një shkrim ku Naipaul është zhveshur nga sqima e një njeriu që shkruan, duke i dhënë Borgesit atë çfarë ai nuk ia dha asnjëherë vetes, duke zbuluar dalëngadalë gjuhën e një misteri që rrethonte gjithnjë veprën e tij. Për V. S. Naipaul, ironia te Borgesi qëndron në faktin se në pikën e tij kulmore, nuk është as misterioz as i vështirë. “Poezia e tij është e kapshme lehtësisht, pjesa më e madhe e saj është madje romantike. Temat e tij kanë mbetur të pandryshuara për pesëdhjetë vitet e fundit: paraardhësit e tij ushtarakë, vdekjet e tyre në betejë, vetë vdekja, koha dhe Buenos Airesi i dikurshëm. Ka shkruar gjithashtu rreth një duzinë tregimesh të suksesshme. Dy apo tre prej tyre janë të drejtpërdrejtë, madje të shkruara me një stil të vjetër, histori detektivësh (njëri është botuar në të përmuajshmen amerikane “Ellery Queens Mystery Magazine”).

Disa të tjerë shtjellojnë, në mënyrë kinematografike, jetën e ndyrë të Buenos Airesit në kapërcyell të shekullit. Gangsterëve u ka dhënë staturë epike, ata fuqizohen, pastaj sfidohen ose marrin arratinë, – shkruan Naipaul. Por, reputacioni i tij anglo-amerikan si një argjentinas i verbër dhe i vjetër, shkrimtar i tregimeve shumë të pakta, shumë të shkurtra dhe shumë misterioze, kaq i fryrë dhe i pavërtetë e errëson madhështinë e tij, sipas Naipaul, duke menduar se pikërisht kjo gjë i ka kushtuar mosmarrjen e çmimit “Nobel”. Naipaul e nis rrëfimin për Borgesin duke perifrazuar një shprehje të tij, që është dhe sot si një totem për njerëzit e letrave. “Gjëja më e rëndësishme është imazhi që krijon për vetveten në mendjen e njerëzve të tjerë. Shumë njerëz mendojnë për Bërnsin (Robert Burns) si një poet mediokër. Por, përveç poezisë, ai shquhet për shumë gjëra të tjera, dhe për këtë njerëzit e adhurojnë. Në fund të fundit, ky imazh – siç është edhe rasti i Bajronit – mund të jetë më i rëndësishëm sesa vepra letrare”, do të shprehej Borgesi.

***

Loja që Borges bën me fjalët, për Naipaul vjen natyrshëm tek ai. Kjo gjë i tërbon kritikët, por Borges është një burrë që s’mund të jetojë pa shakanë. Zotërimi i fjalëve dhe vendosja e tyre në kontekstin e duhur, është një art që Borges e ka fituar herët. “Borgesi merr një fjalë, p.sh. ‘i pavdekshëm’, dhe luan me të. Le të supozojmë, thotë ai, se njerëzit janë me të vërtetë të pavdekshëm. Jo vetëm njerëz që janë në moshë të thyer dhe nuk vdesin, por edhe njerëz të pashkatërrueshëm e të fuqishëm që i mbijetojnë përjetësisë. Cili do të ishte rezultati? Përgjigjja e tij, që përbën thelbin e tregimit, është se çdo eksperiencë e përfytyrueshme do t’i ndodhë çdo njeriu në një kohë të caktuar, se çdo njeri do të marrë në një kohë të caktuar çdo karakter të përfytyrueshëm dhe se Homeri (heroi i maskuar i këtij tregimi të veçantë), në shekullin XVIII, mund të harrojë madje se pati shkruar ‘Odisenë’. Ose, të marrim fjalën ‘e paharrueshme’. Le të supozojmë se diçka ishte me të vërtetë e paharrueshme dhe nuk mund të harrohej për asnjë moment; supozojmë që kjo gjë ju ndodh, ashtu siç ju bie në dorë një monedhë.

Le ta zgjerojmë më tej idenë. Supozojmë që ekziston një burrë – por jo, ai duhet të jetë një djalosh – që nuk mund të harrojë asgjë dhe kujtesa e tij, për pasojë, fryhet e fryhet me detaje të paharrueshme çdo minutë të jetës së tij”, shkruan Naipaul, duke hyrë brenda lojërave intelektuale të Borgesit, duke thënë se pjesa e tij më madhore prozaike, e cila është gjithashtu më e shkurtra, është thjesht një shaka. “Kjo është njëherazi absurde dhe e përkryer: parodi e shkëlqyer, ide groteske. Misteri dhe shakatë e Borgesit të bëjnë për vete. Por ato duhet të vlerësohen për atë çka përfaqësojnë; ato nuk mund të mbështesin gjithmonë interpretimet metafizike që u drejtohen. Megjithatë, ka shumë gjëra ku mund të kapen kritikët akademikë. Disa prej shakave të Borgesit kërkojnë një shfaqje ekstravagante njohurish të çuditshme”, shkruan Naipaul. Janë shumë gjëra që Borges i kujton Naipaul, shkrimtarin brenda tij. Të njëjtën qasje që ai ka ndaj disa gjërave në dukje të parëndësishme, e ndien dhe Naipaul, ndaj e besonte dyshimin e një zonje argjentinase, e cila mendonte se Borgesi aktronte me sjelljen e tij. Por Naipaul e di se ai nuk aktron, ashtu siç e di çmimin e të jetuarit të një jete gjithnjë në kërkim të thellësive. Nuk është e lehtë të jetosh në thellësi, të jesh gjithnjë në skajin më të ndjeshëm të gjërave. Përmes shakave që i thotë ashtu natyrshëm, Naipaul lexon vuajtjen që ai ndien. E kaluara e tij argjentinase është pjesë e popullaritetit të tij; të paktën në këtë mënyrë ai e shet të kaluarën e vet dhe, mbi të gjitha, ai tregohet patriot. E nderon flamurin, ku një i tillë valëvitet në ballkonin e zyrës së tij në Bibliotekën Kombëtare (në atë kohë Borgesi ishte drejtor).

Emocionohet kur dëgjon himnin kombëtar, por, në të njëjtën kohë, sa t’i krijohet rasti, mezi pret të deklarojë shkëputjen e tij nga Argjentina. Për të plotësuar rrëfimin për Borgesin, ai tregon një histori të treguar prej Norman di Xhovani: “Në dhjetor 1969, ndodheshim në Universitetin e Xhorxhtaunit, në Uashington. Personi që bënte prezantimin, ishte një argjentinas nga Tukumani (Tucumán). Ai shfrytëzoi rastin për t’i bërë me dije audiencës se regjimi ushtarak kishte mbyllur Universitetin në Tukuman. Borgesi ishte krejtësisht i pavëmendshëm ndaj fjalëve të këtij personi, derisa i dëgjoi gjatë rrugës për në aeroport. Dikush filloi të fliste për këtë çështje dhe papritmas Borgesi mori zjarr. ‘Po ti nuk e dëgjove se ç’tha ai burri? Kanë mbyllur universitetin në Tukuman’. E pyeta se pse u acarua dhe ai m’u përgjigj: ‘Ai njeri shau vendin tim. Askush nuk mund të flasë në atë mënyrë për vendin tim’. Unë i thashë qetësisht: ‘Borges, ç’do të thuash me fjalët ‘ai njeri’? Ai njeri është argjentinas. Dhe është nga Tukumani. Dhe ai tha një të vërtetë. Ushtria ka mbyllur universitetin në Tukuman”. Por si duket Borgesi? Borgesi ka një trup mesatar. Sytë e tij pothuajse të verbër dhe shkopi që mban me vete ia shtojnë veçantinë pamjes së tij. Ai tregon kujdes në veshje dhe thotë se është një shkrimtar i shtresës së mesme dhe një shkrimtar i shtresës së mesme nuk duhet të vishet si pispilluq ose shumë sportiv. Borgesi është i sjellshëm: ai mendon, ashtu si Sër Tomas Brauni (Sir Thomas Browne) se një zotëri fisnik është dikush që përpiqet të krijojë sa më pak telashe. “Duhet të lexoni medoemos veprën e Braunit ‘Religio Medici’.

Atëherë mund të kuptohet se, në disponueshmërinë e tij – dëshirën e tij për të dhënë intervista të gjata që janë përsëritje të intervistave të mëparshme, te Borgesi gërshetohet ideali i shtresës së mesme për modesti dhe sjellje prej fisniku me privatësinë e shkrimtarit, kjo e fundit shumë e nevojshme për punën e shkrimtarit. Historia e jetës së tij përshkruhet ashtu si ai vetë e ka treguar në shumë intervista: lindja e tij në Buenos Aires më 1899-n, i biri i një avokati, paraardhësit e tij ushtarakë, qëndrimi për shtatë vjet i familjes në Europë, nga 1914-a, më 1921-shin (kur peso kishte vlerë, dhe Europa ishte më e lirë se Buenos Airesi). Libri i parë me poezi i Borgesit titullohet “Zjarrmia e Buenos Airesit”. Në parathënien e tij, ai thotë se po përpiqej për të lartësuar qytetin që po zhvillohej dita-ditës në një mënyrë të veçantë. “Ashtu si romakët që pëshpëritnin fjalët ‘numen inest’, ndërsa kalonin nëpër pyll, edhe ‘këtu mbretëron një zot’, deklarohet në vargjet e mia, duke përshkruar mrekullinë e rrugëve … Çdo ditë, vendet bëhen, pak e nga pak, të shenjta”.

Por sipas Naipaul, Borgesi nuk e ka shenjtëruar Buenos Airesin. “Qyteti që sheh vizitori nuk është qyteti i poezive, ashtu siç ka mbetur Simla, qyteti i historive të Kiplingut. Ky i fundit u mundua shumë për të zbuluar një qytet të vërtetë. Buenos Airesi i Borgesit është personal, një qytet imagjinar. Dhe tani qyteti po rrënohet. Në zonën jugore të qytetit, ku banon Borgesi, mbijetojnë akoma ca ndërtesa të vjetra me porta të rënda dhe veranda të pjerrëta, secila prej të cilave me tjegulla të ndryshme. Por, në shumë raste, verandat e brendshme janë bllokuar, pasi ndërtesat e vjetra janë shembur. Flamuri argjentinas në të bardhë dhe blu të zbehtë që varet në ballkonin e zyrës së Borgesit në Bibliotekën Kombëtare, është i pistë nga pluhuri dhe tymi. Kjo ndërtesë, ndoshta më e hirshmja në zonë, përdorej si spital dhe burg në kohën e diktatorit Rosas, më shumë se njëqind vjet më parë. Ka ende bukuri në kangjellat me thumba të mprehta, portat e larta prej hekuri, dyert e gjera prej druri. Por brenda, mureve u ka dalë boja dhe u ka rënë suvaja, xhamat e dritareve në oborrin qendror janë thyer; më tej, pasi kalon kopshtin, sheh rroba të palara të varura në një korridor, pllakat e shkallëve janë bërë copë-copë dhe shkallarja metalike në formë spirale është bllokuar nga hedhurinat. Është ndërtesë qeveritare, një departament i Ministrisë së Punës, e cila dëshmon një administratë që po mbyt një qytet në agoni, një vend që nuk ka punuar në të vërtetë”, përshkruan Naipaul. Por pak rëndësi kishte si dukej tashmë qyteti, pas javëve të tëra jetuar aty.

***

Borgesi kishte mundur me forcën e artit ta bënte këtë qytet kaq grishës e imagjinar, sa shumë njerëz të duan të udhëtojnë sërish aty, në Argjentinën e poezive të tij plot dritë. Ky është vizioni i artit, shakaja që Borges e përdor aq mjeshtërisht, sa në grackën e saj bien dhe shkrimtar kalibri si Naipaul. Ky është arti i vërtetë, ta bësh të paharrueshme një rrënojë. Në takimin e tyre të parë Borgesi i kishte thënë “Unë nuk shkruaj për njerëz të degjeneruar”, duke treguar kështu arratisjen e bukur nga realiteti, për të krijuar Argjentinën e tij mitike, ndaj së cilës mijëra lexues dashurohen ende sot. Takimi i fundit mes Naipaul dhe Borges do të ndodhte pas kthimit të tij nga Montevideoja ku kishte shkruar për një javë pushime. Ja si e përshkruan Naipaul. “E takova Borgesin kur u kthye. Një vajzë simpatike po e ndihmonte të zbriste shkallët e Universitetit Katolik. Dukej më i brishtë, më i dobët fizikisht; duart ia shtrëngoje më lehtë. Ndoshta ia kishin marrë energjinë intervistat e shumta. I kishte mbetur në mendje katastrofa në Montevideo, ndaj ndihej i pikëlluar. Montevideoja ishte diçka tjetër që ai kishte humbur. Në një poezi, “Mëngjeset në Montevideo” janë ndër gjërat për të cilat ai falënderon “labirintin hyjnor të shkaqeve dhe efekteve”. Tashmë, Montevideoja, ashtu si Buenos Airesi, ashtu si Argjentina, ishte e magjishme vetëm në kujdesën e tij dhe krijimtarinë e tij”. V. S. Naipaul na e ringjall Borgesin me këtë rrëfim, duke të bërë të jetosh me ta duke i ndjekur pas në Argjentinën e atyre viteve. Udhëtimi bri tyre, është vetëm një pjesë e një udhëtimi të paharrueshëm që Naipaul të fton të bësh në librin “Shkrimtari dhe bota” të cilin e botoi për herë të parë më vitin 2002. Një libër që, ashtu si vetë shkrimtari thotë, është i mbushur me copëza të vyera që e kanë bërë të kuptoj më shumë nga bota, të cilave u është përkushtuar i tëri. Një libër i nisur nga një kureshtje e pambarimtë për të parë deri në zemër të qyteteve, që dikur ishin thjesht fjalë të shkurtra në harta, dhe për t’i shpalosur ato në mijëra fjalë. Një libër ku Borgesi është vetëm një nga qindra udhëtarë, që të bëjnë ta shohësh ndryshe botën.

/Alda Bardhyli/Shqip