Home Blog Page 6999

Hahn: Shqipëria të bëjë më shumë në shtetin ligjor

0

Parlamenti Europian ka prezantuar këtë të martë raportin e zgjerimit për vitin 2015 për vendet e Ballkanit Perëndimor. Sa i takon Shqipërisë, komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn ka deklaruar se, vendi duhet të bëjë më shumë për konsolidimin e shtetit ligjor, duke çuar përpara reformën në drejtësi.

“Mirëpres progresin e bërë në adresimin e prioriteteve kryesore për hapjen e negociatave dhe për të siguruar disa reforma të nevojshme për të avancuar integrimin në BE. Por më shumë duhet bërë në shtetin ligjor, sidomos duke çuar përpara reformën në gjyqësor dhe për të mbledhur të dhëna sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Hahn.

Gjithashtu, ka vijuar ai, duhet të sigurohet një mënyrë sistematike për të mbrojtur të drejtat themelore që lidhen me pronën, legjislacionin dhe kompensimin e pronave.

Lidhur me bashkëpunimin rajonal, Hahn ka theksuar se kriza e refugjatëve ka rritur më tepër bashkëveprimin mes vendeve.

Arsyeja e dështimit në UNESCO

0

Veç konjukturave dhe lobimeve pro dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, duket se shkaku i mos anëtarësimit të saj në këtë organizatë nuk është vetëm ky.

Duke ju referuar listës zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, Kosova deri më tani njihet prej 111 vendesh, shifër kjo që normalisht pritej të arrihej edhe në votimin e së hënës.

UNESCO nga ana e saj ka 195 vende anëtare, por jo të gjitha me të drejtë vote. Dhe pikërisht këtu mund të gjendet dhe arsyeja e mosarritjes së votave të nevojshme (95) që i duheshin Kosovës.

Sipas rezultatit zyrtar, pro votuan 92 shtete. Të gjitha ato e njohin pavarësinë e Kosovës. 50 votuan kundër dhe ishin vende që nuk e njohin Prishtinën. Ndërsa 29 anëtarë të tjerë abstenuan, mes tyre 9 shtete që e njohin Pavarësinë, mes tyre Polonia, Japonia, Koreja e Jugut dhe Egjipti.

Por, në votim nuk morën pjesë 15 vende, 4 prej të cilëve e njohin Kosovën si shtet.

Dhe ajo që duket se ka bërë diferencën është heqja e të drejtës së votës për 6 shtete që e njohin Pavarësinë, mes tyre dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat lobuan fort për anëtarësimin. Po ashtu, pa te drejtë vote ishte edhe Izraeli. Kjo, pasi këto dy shtete kanë refuzuar që në vitin 2011 që të paguajnë detyrimet financiare në këtë organizatë, vendim ky që erdhi pas anëtarësimit të Palestinës në UNESCO. Ky veprim i tyre bëri në 2013-ën t’u hiqej e drejta e votës. /TCH

Komuna ndihmon në mbledhjen e të dhënave për dëmet dhe krimet e luftës në Malishevë

0

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka pritur sot përfaqësuesin e shoqatës “Ngritja e zërit”, Jahir Bejta, ku kanë biseduar për bashkëpunimin e ndërsjellë, mes komunës dhe kësaj shoqate, me qëllim të grumbullimit të të dhënave dhe fakteve për dëmet dhe krimet e luftës në territorin e Komunës së Malishevës.

Begaj, edhe më herët, kësaj shoqate i kishte premtuar ndihmën e komunës, në grumbullimin e të gjitha fakteve për dëmet e luftës dhe për krimet e kryera, me qëllim të ngritjes së aktakuzave, për të gjitha rastet e krimeve, por edhe për dëmet e shkaktuara.

Komuna e Malishevës, llogaritet të jetë komuna më e shkatërruar në vend, gjatë luftës së fundit, me rreth nëntëdhjetë për qind, e ekonomive familjare të shkatërruar, sikur edhe me qindra civil të vrarë dhe dhjetëra të zhdukur, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk janë gjetur. /PrizrenPress.com

Tre të arrestuar në Rahovec

0

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Rahovec. Arrestimet janë bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë.

Dy persona janë arrestuar në fshatin Xërxë, të cilët pasi kanë kryer obligimet e përcaktuara nga gjykata janë liruar.

Ndërkaq, arrestimi i tretë është bërë në fshatin Krushe e Madhe. I dyshuari është dërguar në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës në kohëzgjatje prej 4 muaj. /PrizrenPress.com

Vjedhin stoli ari në Malishevë

0

Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë rreth orës 21:30 në Malishevë ka ndodhur një vjedhje e rëndë.

Sipas viktimës që ka raportuar në polici, persona të panjohur kanë hyrë në shtëpinë e tij përmes një dritareje duke e hapur me forcë dhe nga aty kanë vjedhur stoli ari.

Rasti është në hetime. /PrizrenPress.com

Aksident në Prizren, tre të lënduar

0

Një aksident trafiku në mes të tri veturave ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Prizren. Tre persona kanë pësuar lëndime trupore.

Sipas policisë, aksidenti ka ndodhur nga ngasja e pasigurt dhe mospërshtatja me kushtet e rrugës nga i dyshuari, i cili gjatë kyçjes është aksidentuar me veturën e dytë dhe pastaj edhe me veturën e tretë.

Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar dy femra dhe njëri nga drejtuesit.

Tre të lënduarit kanë pranuar tretman mjekësor në spitalin e Prizrenit e më pas janë liruar. /PrizrenPress.com

Serbia bëri fushatë raciste

0

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Ibrahim Gashi fajtor për mospranimin e Kosovës në UNESCO e ka bërë fushatën e egër të serbe dhe lobimin joadekuat të diplomacisë së Kosovës.

Ai ka thënë për ‘Epokën e re’ se Serbia me fushatë raciste për trashëgiminë religjioze i ka hamendësuar edhe disa shtete që e kishin njohur shtetin e Kosovës.

Sipas Gashit, edhe diplomacia e Kosovës është dashur të punojë më shumë në vendet që na kanë njohur si shtet.

“Mendoj se në fushatën lobuese ka munguar angazhimi i Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Kulturës, por edhe i kreut të shtetit. Ky lobim do të duhej të ishte në sensin e ruajtjes së marrëdhënieve të mira dhe përkrahjes nga shtetet që na kanë njohur”, ka thënë Gashi.

Nga sot nis kontroll kufitare në Vërmicë

0

Policia e Kosovës, me anë të një komunikate, ka njoftuar sot se prej sot në Pikën e Kalimit të Kufirit në Vërmicë do të aplikohet kontrolli kufitar në dalje.

“Lidhur me menaxhimin dhe kontrollin e kufirit shtetëror, si një nga detyrat dhe autorizimet e përgjithshme të Policisë së Kosovës ju informojmë se:

Si rekomandim nga Komisioni Evropian, në procesin e dialogut të liberalizimit, në mes të Kosovës dhe Komisionit Evropian, që nga data 10 Nëntor 2015, në Pikën e Kalimit të Kufirit në Vërmicë do të aplikohet kontrolli kufitar në dalje.

Ky kontroll kufitar do te mundësoj aplikimin e standardit të kontrollit sistematik dhe nuk do të jetë pengesë në qarkullim e njerëzve dhe mallrave përmes kësaj pike”, thuhet në komunikatë. /PrizrenPress.com

Diplomacia e Kosovës, e papërgatitur për ballafaqimin ndërkombëtar

0

Me gjithë premtimet dhe pritjet e mëdha, Kosova nuk arriti të marrë vota të mjaftueshme, të hënën, në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s, për t’u bërë pjesë e kësaj agjencie të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Për anëtarësimin e Kosovës kanë qenë të nevojshme 95 vota por ajo mori vetëm 92 vota për, derisa 50 ishin kundër dhe 29 abstenime.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, të përfshirë në lobim, të cilët kohë të gjatë para votimit rrihnin gjoks se i kanë siguruar votat përballë fushatës së “egër” të Serbisë, kanë refuzuar të marrin përgjegjësinë për dështimin, vlerësojnë analistët dhe njohësit e çështjeve politike, historike dhe sociologjike.

Sipas tyre, qeveritarët tanë janë ngushëlluar me faktin se Kosova ishte shumë afër pranimit, dhe se do të provojnë sërish anëtarësimin në UENSCO, ani se për t’iu dhënë sërish një rast i tillë Kosovës duhet pritur deri në vitin 2017, ngase Asambleja e Përgjithshme e kësaj agjencie të OKB-së, mblidhet një herë në dy vite.

Për të ju dhënë sërish një rast i tillë Kosovës për pranim në UNESCO duhet pritur deri në vitin 2017, ngase Asambleja e Përgjithshme e kësaj agjencie të OKB-së, mblidhet një herë në dy vite.

Analistët vlerësojnë se as nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim dhe as pranimi në UNESCO, po të ndodhte, nuk e ndërron imazhin e Kosovës që kanë ndërtuar qeveritë e deritashme, institucionet e brishta dhe nëntoka e Kosovës. Andaj ky dështim, që nuk dihet e as që do të dihet se sa i ka kushtuar buxhetit të Kosovës në emër të lotimit, duhet të jetë mësim se si në të ardhmen duhet vepruar lidershipi i Kosovës, i cili lobimin po e shesh “me shëtitje” nëpër botë dhe jo me ndryshim pozitiv të imazhit brenda Kosovës.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili është historian, në një opinion të tij thekson se votimi në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s në Paris, në rend të parë tregoi se edhe përkundër bisedimeve të Brukselit me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, nuk ka ndodh asnjë normalizim. Pasi Serbia vazhdon të jetë shumë e angazhuar armiqësisht ndaj çdo përpjekje te Kosovës për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë.

“Ani pse që katër e më shumë vite, kryeministra e ministra të Kosovës e kishin plotë gojën, për ‘njohjen de facto të Kosovës nga Serbia’, thënie kjo e përsëritur shumë herë nga foltorja e Kuvendit të Kosovës; se ‘marrëveshjet e arritura në Bruksel po qonin drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë’ dhe se ‘Serbia do të obligohej që mos ta pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, asnjërën nga këto që u thanë e u stërthanë nuk i pamë!”, nënvizon Krasniqi.

Rezultatin e votimit historiani Krasniqi e shesh edhe si humbje të kredibilitetin të lidershjipit të Kosovës jo vetëm te qytetarët e vendit me mbi 80% (hulumtimi i fundit i bërë nga dy trupa ndërkombëtar në Kosovë e tregoi ketë), por e edhe te miqtë e Kosovës, të cilët jo vetëm që nuk abstenuan, por votuan edhe kundër.

“Votimi i sotëm tregoi edhe një anë tjetër të politikës e të diplomacisë sonë, pasi edhe shumë vende që e kanë njohur Kosovën, votën e tyre e hodhën kundër anëtarësimit në UNESCO. Kjo është edhe një dëshmi tjetër se kjo qeveri, jo vetëm që e ka humbur kredibilitetin te qytetarët e vendit me mbi 80% (hulumtimi i fundit i bërë nga dy trupa ndërkombëtar në Kosovë e tregoi ketë), por e ka humbur kredibilitetitin edhe të miqtë e saj, të cilët jo vetëm që nuk abstenuan, por votuan edhe kundër”, nënvizon Krasniqi.

Haki Abazi, analist politik, thotë se nuk ndihet aspak i befasuar me vendimin e djeshëm. Ai deklaron për KosovaLive se politika e jashtme dhe arritjet e saj janë asgjë më shumë se sa reflektim i politikave të brendshme, gjendjes, shëndetit të demokracisë dhe sistemit funksional. Sipas tij, Kosova është e pashëndetshme nga brenda.

“Harxhimi i energjisë dhe resurseve për anëtarësim në UNESCO ka qenë jo racional, ballafaqim në betejë pa asnjë logjikë dhe tentim i hyrjes nëpër deriçka. Kjo është mendësia e Hashim Thaçit dhe njerëzve të subordinuar nga logjika e mbrapsht dhe pa asnjë analizë.

Gjithçka është e bërë dhe po bëhet për poena politik e jo për përmbajtje dhe si veprim i kalkuluar dhe elaboruar prej pozitës së një politike të mirëfilltë të jashtme. Ky është rezultati i dialogut të Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Edita Tahirit, Enver Hoxhajt, Hajredin Kuçit…. Ju them ‘festoni’ për frutin e asaj që keni mbjellë dhe keni shpenzuar qe sa vite”, thotë Abazi.

Sipas tij, kryeministri aktual, Isa Mustafa, duhet të analizoj se çfarë në fakt ka bërë duke ia zgjatur jetën një politike të mbrapsht dhe një klani që është përcaktuar për ta sunduar vendin pa zgjedhur mjetet.

“Nuk ka sukses me një ministër të Punëve të Jashtme që më vështirësi formulon fjalitë në gjuhën shqipe, me një presidente që mendon se rëndësia e saj rritet duke marrë pjesë në ngjarje ndërkombëtare dhe duke u paraqitur në media ndërkombëtare për të folur për eksportim të terrorizimit pa analizuar kontekstin social, ekonomik dhe politik”, vlerëson Abazi.

Ai shton se fushata për UNESCO nuk e ndërron imazhin e Kosovës që kanë ndërtuar institucionet dhe nëntoka e Kosovës për terrorizmin për “helmimin e rezervuarit të Prishtinës”, për 300 luftëtarët në Siri duke injoruar 100 mijë të rinj që kanë ikur nga Kosova vetëm për më pak se një vit.

“Mbrojtja dhe prezervimi i vlerave të përbashkëta historike të Kosovës dhe Ballkanit nuk janë çështje të anëtarësimit në UNESCO, janë çështje të kulturës dhe vullnetit politik që mungon që prej se ka ardhur Hashimi me ’co pronto’ në pushtet dhe injorantëve mediokër të tjerë në rajon.

Ky nuk është i vetmi dështim, dështimet janë brenda vendit të përditshme. Këto janë simptomë e një sistemi të sëmurë rëndë që po e vret të ardhmen dhe ëndrrën e banorëve të Kosovës për shtet normal e funksional, për çdo ditë”, thekson Abazi.

Profesori i sociologjisë, Fadil Maloku, ka një mendim tjetër, duke qenë i prir që votimin ta lidh më shumë me faktorë të jashtëm, me kundërshtim e barrikadim, jo vetëm politik, por, edhe civilizues midis superfuqive globale.

Në një prononcim për KosovaLive ai thotë se nëse vlerësimi i aleatëve tanë sidomos në procesin e vendimmarrjeve të ardhshme vlerësohet se është domosdoshmëri kjo me siguri se do të ndodhë.

Maloku thekson se nuk sheh asnjë arsye duke njohur konformizmin dhe lojalitetin e padiskutueshëm të qeveritarëve kosovarë që bisedimet të ndalen në të ardhmen.

“Lobimi dhe të gjitha bisedimet e gjertanishme kujtojë unë edhe ashtu siç e dimë të gjithë janë zhvilluar midis aleatëve tanë bile edhe agjendat ishin që të gjitha të tyre dhe kundërshtarëve të Projektit të Pavarësisë. Ndërkaq, ‘loja e bisedimeve’ duke inkuadruar këtu qeveritarët tanë në fakt ishte vetëm improvizimi i bisedimeve midis Serbisë dhe Kosovës!

Pra, nëse vlerësimi i aleatëve tanë sidomos në procesin e vendimmarrjeve të ardhshme vlerësohet se është domosdoshmëri kjo do të ndodhë me siguri. Dhe s’shoh asnjë arsye duke njohur konformizmin dhe lojalitetin e padiskutueshëm të qeveritarëve kosovarë që bisedimet të ndalen në të ardhmen. Krejt, procesin e negocimit midis akterëve global dhe normalisht rajonal, unë e shoh si pretekst për tu krijuar një klimë e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe në këtë rrugëtim do ketë normalisht gjithfarë sfidash”, vlerëson ai.

Maloku thotë se votimin pro et contra anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, duhet shikuar edhe si kundërshtim e barrikadim, jo vetëm politik, por, edhe si civilizues midis superfuqive globale.

Ai thekson se vota kundër, nëse logjikohet me “dioptrinë” e globalizmit ishte votë antiamerikane ose antiperëndimore, pasi siç thotë shihej qartë se në ç’masë është evident konsolidimi ushtarak i Rusisë, fuqizimi civilizues i Kinës dhe i averzioni i çuditshëm arab, por jo edhe islam, sepse pati vende që votuan pro, ndaj civilizimit dhe vlerave perëndimore.

“Në këtë votim kundër hetuam pak a shumë edhe raportin e forcave globale, si edhe masën e poltronizimit të vendeve nga orbitat rajonale të Lindjes së Mesme dhe asaj të Largët, që në gjuhën sociologjike njihen si ‘perëndimi dhe periferia’. Gjithashtu, duhet kuptuar, se vota kundër, në fakt është edhe një pasqyrëz mbi realitetin aktual të rendit të ri botërorë, si edhe raportin e forcave globale.

Fajet e votës kundër, s’e kanë adresën brenda Kosovës, edhe për faktin se akterët lokal aktual lobues, ishin vetëm ‘postierë’ të një projekti më të gjerë ndërkombëtar për ushtrimin e asaj që në përvojën e marrëdhënieve ndërkombëtare njihet si teori dhe praktikë e ‘zgjerimit të ndikimit’ në botë!

Vota kundër ishte edhe një testim për ta provuar ‘epërsinë e qendrës (Amerikës dhe aleatëve) ndaj periferisë” (Rusisë, Kinës, Arabisë por, u pa qartë se ka zhvendosje të interesave globale”, thekson Maloku. /KosovaLive

Turpi që na turpëron të gjithëve

0

Nga Abdullah Thaçi

Analizimi i gjendjes pas dështimtit të antarësimit të Kosovës në UNESCO nuk lypë ndonje aftësi të madhe analitike.

Me Hashim Thaçin, Isa Mustafën e vuvuzelat pas tyre as që ja vlen të merremi ndryshe, përveç me mjetet që e meritojnë.

Gjuajtja me vezë në drejtim të tyre sinqerisht është nënçmim për mundin e pulës që ajo e jep për ta nxjerr atë vezë në dritën e diellit.

Si një shqiptar i edukuar me vlera kombtare dhe fetare, ja bëra një pyetje vetës: Ku është në këtë mes Bashkësia Islame e Kosovës ?

Duke e ditë faktin se goditjen më të madhe Kosova, krahas pa aftësisë diplomatike të bajraktarëve idhnak, e morrëm nga vendet e lindjes, që janë shtete islame.

Bashkësia Islame e Kosovës, a ka ndonje statistikë të faktuar me filma dhe përshkrim të sakt për numërin e xhamive të shkatërruara në Kosovë ? Nëse e ka, pse nuk i përdorë këto fakte, që krahas dogmës së vllazërisë së muslimanëve ku do në botë, të përdorë argumentet e forta në dobi të Kosovës. Ti tregoj botës islame, tani më e rreshtuar krah Serbisë, që pikrisht kjo Serbi përveç krimit human në Kosovë, të ju tregoj atyre “vllëzerve” faktet e shkatërrimit të objekteve të trashëgimisë islame që Serbia i bëri në Kosovë!

Vërtetë është shume e dhimbëshme që si pa aftësia e kësaj Bashkësie Islame në Kosovë, nuk arriti asnjëherë ti kundërvihet Serbisë në aspektin e luftës speciale të saj, që Kosova paraqitet si vatër e “terorrizimit islamik” në Ballkan e që propagandohet të jetë rrezik për Evropën dhe perendimin !

Andaj, krahas rrëzimit të këtij pushteti kriminal, për paaftësin e tyre në mbrojtje të interesave shtetërore të Kosovës, duhet të shqelmohen edhe mafiozët që e kanë kap institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Sepse, Bashkësia Islame e Kosovës, në vend se të shfrytëzoj autoritetin e saj në vendet e Lindjes së Mesme, në rastin e fundit, për të siguruar vota pro antarësimit të Kosovës në UNESCO, zyrtar të saj, ishin të preukopuar me sigurimin e fitorës së paritës së Taip Erdoganit në Turqi !

E duke qen kështu, ne shpesh e dëshmuam se ata që e duan lirinë e atdheut, bien dëshmor në beteja me armikun. Të gjallët që mbesin pas tyre, në pazare me armikun, shumë lirë dinë ta shesin gjakun e tyre.

Prandaj, nuk duhet të quditemi që në një të ardhme, një “elitë” tjetër kosovare, një ditë do të gjendet po në Serbi, në mbështetje të ndonje fushate eletorale atje, e që vasalët e tyre në Kosovë të rrin gati për festime.

Ndoshta ky është “fati” ynë. Me njerëz të pa denjë në krye të institucioneve, Ajo që fitohet me gjak, të humbet në paqe !

Ky është turpi që na turpëron të gjithëve.