Home Blog Page 7033

Kosova, peng i kriminelëve dhe i hajdutëve!

0

Nga Faik Krasniqi

Kosova tash e 16 vjet ka mbetur peng i kriminelëve, hajdutëve, vrasësve, dallaveraxhinjve, mashtruesve, profiterëve dhe të korruptuarve të politikës dhe parapolitikës. Kjo klasë politike, korrupsionin, keqpërdorimet dhe pasurimin nga shteti dhe populli, e kanë shndërruar në kulturë të të jetuarit. Këta politikanë mafiozë dhe matrapazë, janë kujdesur nga fillimi, që organet e drejtësisë t’i kenë në duart e veta, në mënyrë që të jenë të lirë dhe të paprekshëm nga drejtësia, për krimet e tyre ekonomike, politike dhe krime të natyrave të ndryshme. Rrjetin e tyre kriminal e kanë shtrirë në të gjitha institucionet shtetërore – dhe me të drejtë mund të themi që sot Kosova është bërë pronë private e disa familjeve të fuqishme, dhe sundohet si 5 familjet e famshme mafioze njujorkeze, por për dallim nga këto rrjetet më të fuqishme kriminale në SHBA, këta mafiozë tanë vijnë nga politika dhe parapolitika! Këtë gjë më së miri e shpjegon, shkrimtari dhe publicisti italian, Roberto Saviano, në librin e tij më të fundit, “ZeroZeroZero”.

Cilat janë zgjidhjet?

Prandaj s’mund të flasim as për sundim të ligjit, as për zhvillim ekonomik, as për një shtet funksional e aq më pak për integrime evropiane, derisa në pushtet dhe skenën politike kemi këtë klasë politike mafioze dhe kriminale, që e rrënuan dhe degraduan këtë shtet. Ky vend mund të ecë përpara, madje me hapa shumë të shpejtë, nëse nga skena politike largohet kjo klasë politike mafioze dhe kriminale, dhe për një mandat katërvjeçar ose edhe dyvjeçar, të krijohet një Qeveri e shpëtimit kombëtar, nga njerëz të papërfolur, të aftë dhe me vlera e kontribute, kryesisht nga shoqëria civile, mediat, bota akademike dhe nga disa politikanë që akoma nuk i ka kapur virusi i korrupsionit dhe krimit. Nuk duhet të jenë ata që tërhiqen për hunde nga politika. Vetëm një Qeveri e tillë e shpëton Kosovën, e zhvillon ekonomikisht dhe e integron me hapa të shpejtë drejt BE-së.

U bënë milionerë – e ne u varfëruam!

Për këtë klasë politike mafioze dhe kriminale, që na treguan se çfarë janë në gjendje të na bëjnë, është e kotë të flasim, sepse janë të papërmirësueshëm. Kjo klasë politike është njëlloj, prandaj duhet t’i injorojmë të gjithë, sepse këta nuk e kanë hallin e shtetit dhe të popullit, por hallin e pushtetit dhe të xhepit! Vetëm të mendojmë për një çast se falë kujt jemi në këtë gjendje të rëndë ekonomike, sociale, politike – falë kujt kemi një arsim të degraduar dhe shëndetësi të sëmurë?

Falë këtyre banditëve dhe kriminelëve të politikës, të cilët me votën tonë qe 16 vite rresht po i mbajmë në pushtet dhe me paratë tona u bënë milionerë – e ne u varfëruam!

Prandaj, s’duhet t’i marrim as seriozisht, por thjesht t’i injorojmë dhe t’i trajtojmë si kriminelë dhe banditë.

Ben Blushi provokon sërish me romanin “Kandidati”

0

Pak ditë nga dalja e librit, botimet “Mapo”, qindra kopje të shitura. Një roman që pritet të hapë debate të mëdha mes politikës dhe medias së sotme, i rrëfyer me stil dhe cinizëm, me mesazhin se cilado qofshin lidhjet me realitetin, bëhet fjalë për art!

Ben Blushi është një stereotip i pagabueshëm me goditjet e tij letrare. As dy ditë nga dalja e librit të ri “Kandidati” nga botimet “Mapo”, Blushi kapërcen kufijtë imagjinarë për të lëshuar silurën e tij të fantazisë mbi ngjarjet politike të ditëve tona. Shqipëria politike në sytë e një politikani, por dhe të një njeriu që njeh në brendi median, tingëllon provokuese. Por, tanimë Blushi është përcaktuar si një fenomen letrar për vendosjen e lëndës historike në një afri reale, duke shkaktuar debate të forta, pro dhe kundër. Kështu, prova e katërt e këtij autori vë përballë mjedisin mediatik, duke krijuar një mundësi “transparence” mbi emra konkretë e përplot aludime personazhesh. Sa ironi dhe lojë e mirëfilltë me mjetet e artit e bën shkrimtarin cinik?

Kandidati i Blushit merr përsipër të na tregojë se si zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri…Bëhet fjalë për njërin nga kandidatët për Bashkinë e Basenit, i cili vdes papritur, para hapjes së fushatës zgjedhore dhe, megjithatë, fiton. Ai quhet Kadim Sedini dhe konkurron për kryetar Bashkie në qytetin e Basenit. Emri ngjan shumë me atë të Qazim Sejdinit, që rifitoi Bashkinë e Elbasanit, ku Blushi është deputet.

Ironi mbi një sfond politik tepër cinik. Lexuesi do të kuptojë përmes ngjashmërisë së fonemave me njërin nga qytetet fare pranë Tiranës.

Këtë fabul e ka nxitur bashkëshortja e kandidatit, Olga Sejdini e cila kërkon të ringjallë burrin e saj, për ta bërë kryetar bashkie.

Zyra ku ajo troket për të realizuar këtë ëndërr gjendet përballë një rastësie fatlume: tingëllon si një ngjarje intriguese! Personazhet e romanit lëvizin në redaksitë e politikës së ditës, duke krijuar një situatë paralele në përfytyrimin e lexuesit, një vorbull jo e lehtë për t’u përballuar për nga fantazia. Por një gjendje e njohur për patologjinë socio-politike të vendit, Shqipërisë sot.

Blushi nuk ka nevojë, por siç duket, as nuk i merr kohë kjo lloj fantazie kur memoria i bashkëngjitet një filozofie kontradiktore. Për çdokënd do jenë fare të thjeshta përshkrimet dhe përfytyrimet sikur po ndjek “bukën e përditshme” të politikës dhe medias. Por, për politikanin e shkrimtarin që njeh mirë median, s’besojmë se pritshmëritë e kanë lënë të frustrojë një realitet që kallxon vetveten në skajin më të ashpër.

Blushin e dallon kjo tipikë.

Romani është i ndërtuar mbi provokimin. Rrëfimi dhe gjithë struktura e veprës, ashtu si edhe në romanet e tjera, mbajnë gjallë leximin duke vepruar kimikisht në psikën e njeriut. Këto reagime janë krejt të dukshme. Menjëherë pas daljes së romanit, qindra kopje të shitura. Tërheqja drejt një historie që mban sa mistere, aq dhe një tension dramatik – janë situata që nuk shmangin përfshirjen. Përjetimi bëhet si një makth sarkastik. Ashtu siç është ndërtuar jeta politike e shqiptarëve, siç është ndërtuar Shqipëria politike. Në fakt, Blushi jep referenca reale.

Aludimet e tij janë pamje të qarta për median e sotme, por ashtu dhe paraqitja e personazheve historikë. Diku shfaqen burrat me kasketë, një fizionomi e ngjyrës mavi të Rilindjes…Ndërkohë që bashkia e Basenit pëson tronditjen më të madhe, njëri nga kandidatët vdes papritur, para hapjes së fushatës zgjedhore dhe megjithatë fiton. Zgjedhjet në Basen marrin një kthesë të papritur për shkak edhe të rihapjes së historisë së një kolaboracionisti në kohën e pushtimit gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila përdoret si justifikim për të shkaktuar rrëmujë dhe trazira në qytet. Njeriu që ndihmon kandidatin e vdekur të fitojë zgjedhjet ka një lidhje të veçantë me qytetin e Basenit, për të cilin ai vetë nuk është në dijeni.

Kandidati i Ben Blushit zbulon një roman me fantazi, cinizëm dhe stil për Shqipërinë politike dhe mediatike të ditëve tona, të cilën Ben Blushi e njeh shumë mirë.

Padyshim është një nga romanet që përballet me debatet më të mëdha në media si dhe qarqet letrare, ashtu si në herë të tjera, duke e bërë Blushin shkrimtarin më numrin më të madh të kopjeve të shitura në këto 20 vite. Në vitin 2008, Blushi botoi romanin e tij të parë, “Të jetosh në ishull”, në vitin 2009 “Otello, Arapi i Vlorës” i cili fitoi Çmimin Europian të Letërsisë, në vitin 2011 botoi “Shqipëria” dhe në vitin 2014, esenë politike “Hëna e Shqipërisë”.

Kandidati, mësojmë se është shkruar në një kohë rekord. Estetika e një rrëfimi romanor rrallë ndodh të shkaktojë një debat të madh, në këtë rast sa politik aq dhe në media. E sigurt se përmes rrëfimit të tij, lexuesi do kërkojë emrat realë, dhe gjithë ngjashmëritë e mundshme, por në letërsi areali është tipik: trill. Romani i Blushit, veç një thagme politike, jep mesazhin se cilado qofshin lidhjet me realitetin, bëhet fjalë për art.

Sado ngjashmëri të ketë midis letrares dhe reales, ne nuk pamë një kandidat të vdekur për Kryetar Bashkie. Ironia e Blushit pasi arrin të zgjedhë kryetarin e bashkisë, gjen prehje në buzë të detit, duke gjetur ilaçin për ta vënë në gjumë popullin. /Mapo

Familja Jashari i jep mbështetje SHFHDK-së

0

Rifat Jashari i dha mbështetje të plotë Komisionit, duke theksuar se edhe të rënët e paraluftës çlirimtare për liri dhe pavarësi janë dëshmorë të kombit.

“Në vazhdën e veprimtarisë për të kërkuar mbështetje, Komisioni i Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit (KFHDK) qëndroi në Prekazin legjendar, me ç’rast vizitoi familjen emblematike të heroit kombëtar, komandantit legjendar Adem Jashari, familje e cila është shembulli më i mirë dhe më kuptimplotë dhe me konotacion shumëdimensional, duke i dhënë atdheut mbi 50 heronj dhe dëshmorë të kombit për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar.

Rifat Jashari u dëshiroi mirëseardhje anëtarëve të Komisionit.

Gjatë një bisede shumë të ngrohtë dhe tejet vëllazërore, kryetari Naim Zhitia, në emër të Komisionit e falënderoi Bacën Rifat për mikpritjen të cilin e njoftoi me aktivitetin dhe kërkesat e Komisionit, të cilat kanë të bëjnë me dëshmorët e rënë në fushën e nderit të paraluftës çlirimtare për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar, në mënyrë që me ligj t’u njihet statusi i dëshmorëve të kombit, ashtu si edhe të gjithë dëshmorëve tjerë.

Rifat Jashari me këtë rast iu dha mbështetje anëtarëve të Komisionit për aktivitetin në drejtim të zyrtarizimit edhe të plejadës së dëshmorëve të paraluftës çlirimtare për dëshmorë të kombit.

Duke kërkuar mendimin edhe të familjes Jashari, Naim Zhitia dhe anëtarët tjerë të Komisionit, Bacën Rifat e njoftuan edhe me iniciativën për themelimin e Shoqatës, e cila do t’i trajtojë në mënyrë të barabartë të gjithë dëshmorët e kombit pa dallim periudhe kohore.

Rifat Jashari me këtë rast i dha mbështetje të plotë Komisionit, duke theksuar se edhe të rënët e paraluftës çlirimtare për liri dhe pavarësi janë dëshmorë të kombit, për çka institucionet e Kosovës duhet t’i njohin ashtu si edhe dëshmorëve të tjerë. Prandaj, me këtë rast Baca Rifat i dëshiroi punë të mbarë dhe suksese Shoqatës në rrugëtimin e saj për të mbrojtur gjakun e derdhur të të gjithë dëshmorëve të kombit në të gjitha periudhat e rezistencës ndaj pushtuesit serb.

Po ashtu Komisioni në fjalë gjatë ditës vizitoi edhe familjen e Tahir dhe Nebih Mehës në po këtë fshat, me ç’rast nipi i Tahir Mehës, Ilir Meha, i priti anëtarët e komisionit në kullën e dëshmorëve të kombit dhe në familjen e tij.

Pasi falënderuan për mikpritjen, Komisioni në Kullën e Tahir dhe Nebih Mehës mbajti një mbledhje, në të cilën u diskutua për hapat e ardhshëm që do bëhen me qëllim të arritjes së kërkesave të drejta të Komisionit për dëshmorët e paraluftës çlirimtare. Në këtë Kullë, në truallin e të cilës Tahir e Nebih Meha, duke luftuar kundër njësive speciale të ish-Jugosllavisë 23-milionëshe, ia dridhen themelet krijesës artificiale jugosllave, apo burgut të popullit shqiptar, duke bërë jehonë të madhe për heroizmin dhe luftën e pabarabartë që u zhvillua më 13 maj 1981, u vendos që të themelohet Shoqata e Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit.

Ndërsa, me qëllim të sensibilizimit edhe më të madh dhe për të bërë presion në institucionet qeveritare të Kosovës, u vendos që më 28 Nëntor, Ditën e Flamurit Kombëtar dhe Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, të organizohet një protestë, me kërkesë të vetme që dëshmorët e paraluftës të njihen dëshmorë të kombit sipas Ligjit aktual, i cili faktikisht i njeh dëshmorë edhe të gjithë të rënët në periudha dhe forma të ndryshme për lirinë dhe pavarësinë e vendit, por Komisioni Qeveritar për Verifikim ende nuk i ka futur emrat e dëshmorëve në listën zyrtare të dëshmorëve të kombit. Prandaj edhe me këtë rast u kërkua nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komisioni Qeveritar për Verifikim që të aprovojë kërkesën për njohjen zyrtare të statusit të dëshmorëve të kombit edhe atyre të rënëve para luftës çlirimtare në Kosovë, thuhet në kumtesën e Komisionit të Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit (KFHDK)”, thuhet në njoftim.

“Katunari”, audicion në Kosovë

0

Në Kosovë për herë të parë do të realizohet një film i metrazhit të gjatë i zhanrit horror. Lokacioni, i cili është zgjedhur për të realizuar skenat kryesore të filmit, është Kaçaniku.

Regjisori, skenaristi dhe producenti i këtij filmi, Dion Ventress, ka zgjedhur Kosovën dhe Kanadanë për të realizuar filmin që ka vendosur ta titullojë “Katunari”.

Ai ka arritur në Kosovë për të mbajtur audicionin e parë për aktorët, të cilët janë të interesuar për të luajtur në këtë film. Ditën e diel skena e teatrit “Dodona” është kthyer në skenën e provës për të gjithë të interesuarit për të fituar një rol në filmin “Katunari”.

Një nga kushtet e vendosura për të qenë pjesë ë këtij filmi ishte mosha, sepse personazhet janë menduar në atë mënyrë që të prekin mosha të ndryshme.

Filmi “Katunari” apo “Hillybilly” tregon historinë e një vajze me emrin Adelina, e cila jeton në Kanada, por pas vdekjes së babait të saj rikthehet në Kosovë.

Kur Adelina vjen në Kosovë zbulon që babai i saj ia ka lënë trashëgimi një shtëpi në Kaçanik. Duke ditur që babai i saj ia ka dhuruar këtë shtëpi vendos të jetojë aty, mirëpo diçka nuk shkon me këtë shtëpi, sepse Adelina dallon disa tipare paranormale që lidhen me disa legjenda të njohura në Kaçanik.

Të dielën (dje) që në hyrje të teatrit “Dodona” kishin ardhur shumë të interesuar për të fituar një rol në filmin e parë horror në Kosovë. Ora shënonte 9:00 të mëngjesit dhe tashmë disa të rinj kishin arritur në objektin e “Dodonës” dhe po prisnin që të mundë të hynin në audicionin që kishte hapur stafi i filmit “Katunari”.

I pari që kishte arritur në teatrin “Dodona”, ku po mbahej audicioni ishte një djalë nga Peja, i cili ishte zgjuar që herët në mëngjes për të ardhur me tren për në Prishtinë. Agon Deçani, ani pse asnjëherë nuk kishte marrë pjesë në një film, kishte vendosur që ta provonte këtë herë në audicion për filmin “Katunari”.

Ai për gazetën “Zëri” ka treguar që për këtë audicion ka marrë vesh në rrjete sociale.

“Para një kohë të gjatë e kam parë postimin dhe më është dukur projekt serioz, interesant horror në Kosovë dhe doja ta provoja dhe është hera e parë që marr pjesë në një film”, ka treguar Deçani.

Dyert e teatrit “Dodona” hapeshin vazhdimisht dhe hynin të rinj që kishin ardhur ta provonin nëse mund të arrijnë të fitojnë një rol në filmin “Katunari”. Disa skena të këtij filmi janë xhiruar në Kanada, ndërsa pjesët e mbetura pritet t’i fillojnë pas përzgjedhjes së aktorëve shqiptarë.

Disa nga rolet, që ishin në dispozicion në Prishtinë, ishin personazhi Adelina që është njëkohësisht edhe roli kryesor dhe që duhej të ishte një femër nga mosha 20-30 vjeç, Vali nga mosha 20 -30 vjeç, Elsa nga mosha 20-30 vjeç, Hekurani duke filluar nga mosha 15-30 vjeç, pastaj personazhi Chicken Man nga mosha 40-70 vjeç dhe personazhi Zonja Selimi të jetë rreth 50-vjeçare.

Filmi “Katunari” ka producent, regjisor dhe skenarist Dion Ventress, i cili për shumë vite ka punuar në kinematografi dhe televizion në Kanada.

Shumica e atyre që vinin në orët e para të mëngjesit për audicion ishin të rinj që më parë nuk kishin provuar aktrimin, por që kishin shprehur interesim për të marrë pjesë në këtë film për shkak të tematikës dhe seriozitetit që kanë parë tek organizatorët, por kishte edhe të atillë që ndoshta nuk e kishin provuar pjesëmarrjen në një film shqiptar, por kishin qenë pjesë e filmave jashtë kufijve shqiptarë.

Një nga ata ishte Adelina Hajdini, e cila për shumë vite kishte jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe atje kishte arritur që të përjetonte eksperiencën për të qenë pjesë e një produksioni amerikan, por ka vendosur që ta provojë veten edhe në një film, i cili do të xhirohet në Kosovë.

“Unë jetoj në Amerikë dhe atje kam qenë në një produksion me një film shumë të madh, ku kanë qenë 5 mijë veta në audicion dhe unë kam fituar. Kam qenë një prej 100 vetave të përzgjedhur”, ka treguar Hajdini, teksa ka shtuar se tashmë ka ardhur në Kosovë e ka parë audicionin për filmin “Katunari” dhe e ka parë si një sfidë të re për ta provuar.

Ajo e ka treguar edhe eksperiencën e saj në filmin amerikan “Dolphin Tale” si një përvojë shumë të mirë.

“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës punë shumë e madhe, punë shumë e rëndë, një skenë e kemi xhiruar diku më shumë se 12 orë sepse filmi ka qenë tredimensional”, ka treguar Adelina Hajdini, njëra nga pjesëmarrëset e audicionit për filmin e parë horror në Kosovë me titull “Katunari”. /Zëri

Katunari-film

Sa dinë të rinjtë për UNESCO-n?

0

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë thënë se me anëtarësimin eventual në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) vendi përfiton një mjet komunikimi diplomatik dhe një mundësi të mirë për zërin e saj në një platformë globale.

Në rrafshin praktik, në shkencë, kulturë dhe arsim, UNESCO mbulon mbi 70 programe të ndryshme, në të cilat Kosova do të mund të merrte pjesë, që në vitin e parë pas anëtarësimit eventual.

Këtu përfshihet edhe bashkëpunimi që nga fillet e edukimit të ulët e deri tek ai i lartë, si dhe në shkencë.

Kosova, gjithashtu, do të përfitonte për faktin se hyn në hartën e destinacioneve të trashëgimisë kulturore dhe të turizmit kulturor.

Por sa kanë njohuri të rinjtë lidhur me përfitimet e Kosovës me anëtarësimin eventual në UNESCO? Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë disa nga të anketuarit thonë se Kosova do të ketë shumë përfitime, e disa të tjerë nuk ishin të informuar në lidhje me këtë.

Studenti Alban Krasniqi jep mendimin e tij sa i përket anëtarësimit të Kosovës në UNESCO:

“Objektet kulturore përfitojnë një mbrojtje më të mirë, pasi Kosova ka monumente autoktone me vlerë jo vetëm për rajonin, por edhe për Evropë. Pra, unë di vetëm për anën kulturore, e nuk kam njohuri të tjera se çfarë përfiton Kosova dhe çfarë obligohet në këtë rast Kosova, nëse bëhet anëtare e UNESCO-s”, ka thënë ai.

Por, jo edhe Besa Jakupi, ekonomiste me profesion, ka njohuri lidhur me atë se çfarë përfiton Kosova në rast të anëtarësimit në UNESCO.

“Jo, nuk e di, nuk jam e informuar se çfarë përfiton Kosova nga anëtarësimi në UNESCO. Duhet të dalë dikush dhe t’ua shpjegojë qytetarëve”, ka thënë Besa.

E Sadri Shehu, student në Fakultetin e Inxhinierisë, thotë se ka punuar në projekte të trashëgimisë kulturore, andaj anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, sipas tij, do të thotë shumë për vendin.

“Unë jam marr me projekte të trashëgimisë kulturore dhe mendoj se prej UNESCO-s do të kemi përfitim shumë të mirë, sidomos për disa njerëz që e duan trashëgiminë kulturore. UNESCO do të ndërmarrë aksione për t’i ruajtur objektet me vlerë”, ka deklaruar Sadriu.

Mentor Morina, jurist me profesion, thotë se, përveç trashëgimisë kulturore, përfitimet në UNESCO, për Kosovën, janë shumë më të mëdha, por mungojnë informatat e hollësishme.

“Të gjithë flasin vetëm për trashëgimi kulturore, por mendoj se ka shumë më shumë benefite që do të përfitojmë nga UNESCO. Unë nuk kam shumë njohuri pasi është mungesë e njerëzve kompetentë që të shpjegojnë se çfarë konkretisht përfiton Kosova si anëtare e UNESCO-s”, është shprehur Morina.

Edhe Gazmend Badivuku shprehet ngjashëm:

“Njohuritë për përfitimet e Kosovës nga anëtarësimi në UNESCO i kam shumë modeste. Nuk di diçka konkrete, por shpresoj se ministri i Punëve të Jashtme do ta shpjegojë se cilat janë përfitimet, por mendoj se Kosova duhet të kontribuojë për UNESCO-n për mbajtjen e shërbimeve të ndryshme investuese për monumentet historike”, ka thënë ai.

Mungesë të informacioneve në lidhje me përfitimet e Kosovës në rast të anëtarësimit në UNESCO shfaq edhe Behar Bajrami, student i Arkitekturës:

“Për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e di që është, por nuk kam njohuri më shumë se çfarë saktësisht përfiton Kosova. Është organizatë edhe për edukim, arsim dhe shkencë”.

Ndërkaq Miradije Gashi thotë se me anëtarësimin e Kosovës në UNESCO ruhet trashëgimia kulturore jo vetëm e Kosovës, por edhe si trashëgimi botërore.

“Është identiteti i njerëzimit që në çdo pjesë të botës ruhet me monumentet e veta”, ka deklaruar Gashi.

Sidoqoftë, kërkesa e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, pas votimit të saj pozitiv në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s, do të shqyrtohet dhe votohet në Këshillin e Përgjithshëm të kësaj organizate, që mbahet nga data 3 deri më 18 nëntor të këtij viti. Votimi eventual pozitiv për kërkesën e Kosovës e bën atë anëtare me të drejta të barabarta në këtë organizatë. /REL

Maloku: As qeveria tjetër s’mund t’i tërheqë nënshkrimet

0

Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Naim Maloku, ka thënë të dielën se pozita është duke e injoruar totalisht opozitën, kurse opozita ka ardhur në një situatë pa rrugëdalje.

Në një intervistë për “Epokën e re” ai i ka vlerësuar të tmerrshme pamjet që e kanë karakterizuar seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, është dashur të pezullohet mbajtja e seancës dhe të insistohet për dialog në mes të pozitës dhe opozitës për të gjetur rrugëdalje.

“Sigurimi, policia, gjuajtja e gazit lotsjellës dhe shisheve me ujë kanë qenë pamje të tmerrshme. Skena të tilla askush nuk ka mundur t’i paramendojë në Kuvendin e Kosovës”, është shprehur Maloku.

Ndonëse me Rregullore të Punës së Kuvendit është e lejuar mbajtja e seancave edhe në ambiente të tjera, ai ka thënë se pa praninë e opozitës nuk mund të mbahen seancat.

“Pra, në raste të jashtëzakonshme, si tërmete, krizash dhe lufte, kur pamundësohet mbajtja e seancave, gjendet një alternativë. Me Rregullore është e lejuar mbajtja e seancave edhe në ndonjë ambient tjetër, por pa e thirrur opozitën nuk mund të mbahet seanca”, ka deklaruar Maloku.

Për tejkalimin e situatës aktuale Maloku ka thënë se nuk ka zgjidhje tjetër përveç dialogut. Ai i ka bërë thirrje presidentes Atifete Jahjaga që sërish të tentojë t’i bëjë bashkë liderët politikë.

“Mendoj se presidentja Atifete Jahjaga edhe një herë duhet të tentojë t’i ulë në tryezë të gjithë liderët, pavarësisht asaj që qëndrimet janë të ngurta. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç dialogut politik, sepse pozicionet janë shumë të ngurta”, ka thënë Maloku. Ai ka bërë me dije se nënshkrimet e dy marrëveshjeve nuk mund të tërhiqen. “Edhe po të vijë qeveria tjetër nuk mund t’i tërheqë këto nënshkrime”, është shprehur Maloku.

Kurse sa i përket marrëveshjes me demarkacionin me Malin e Zi, ai thotë se opozita është ngutur.

“Fillimisht është dashur që kjo marrëveshje të shkojë në Kuvend. Jam i bindur se edhe deputetët e pozitës nuk do ta votonin”, ka thënë Maloku.

Shkuarjen eventuale në zgjedhje të reja Naim Maloku e sheh si zgjidhje.

“Paraprakisht të gjitha partitë politike duhet ta nënshkruajnë një marrëveshje se, pavarësisht rezultatit zgjedhor, do t’u nënshtrohen rregullave në Kuvend. Përndryshe, edhe po të vijë opozita aktuale në pushtet, atëherë edhe 20 deputetë nëse do të mbeten nga PDK-ja dhe LDK-ja, do të mund ta bllokonin punën e Kuvendit”, ka deklaruar Maloku. /Epoka e Re

Pushtetarët e korruptuar po e shfrytëzojnë heshtjen e ndërkombëtarëve

0

Retorika e vazhdueshme e faktorit ndërkombëtar, që kërkon ndëshkimin më efikas të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovës, tani është bërë një refren i demoduar, i cili po dëgjohet me veshë kritikë nga shumica e analistëve politikë në vend, nga njerëz të opozitës, të cilët veç adresimit publik të këtyre dukurive negative në shoqëri, që vijnë si pasojë e kapjes afatgjate të shtetit nga të dy partitë aktuale në qeverisje, nuk po mund të ushtrojnë ndonjë ndikim tjetër efektiv në ndryshimin e gjendjes.

Është një bindje e përgjithshme e analistëve politikë dhe opozitës se tani është koha që kursi i faktorit ndërkombëtar të ndryshohet, që partive në pushtet t’u thuhet qartë se e kanë tepruar me qeverisjen e keqe të vendit, me kapjen e shtetit dhe kriminalizimin e institucioneve, dhe të mos i mbështesin më ato as edhe në një veprim të vetëm, por duke ndërruar kursin e tyre politik të mbështesin subjekte të tjera politike të pasprovuara deri tani në qeverisjen afatgjatë të vendit. Në këtë aspekt nuk duhet përjashtuar edhe ndonjë nismë të re qytetare.

Sipas opinionistëve të ndryshëm, ndërkombëtarët duhet të marrin për bazë faktin se PDK-ja ka mandatin e tretë në Qeverinë e Kosovës, sikur që edhe LDK-ja ishte gjithnjë në Qeveri, përveç në mandatin e kaluar. Pra, të dyja këto parti janë tejet të konsumuara nga pushteti shumëvjeçar dhe janë të korruptuara e të kriminalizuara. Ka ardhur koha që ato të hetohen e përballen me drejtësinë dhe jo të mbështeten nga ndërkombëtarët.

Njohësi i mirë i çështjeve politike, prof. Riza Smaka, ka pohuar se faktori ndërkombëtar, referuar qëndrimit të vet për pushtetarët aktualë në Kosovë, përfundimisht do të duhej të aplikonte një rishikim revidues në kontekstin e dukurive shoqërore politike dhe ekonomike, dukuri të dëmshme që janë pasojë e qeverisjes së dobët, qeverisje së keqe dhe inkompetente e mbi të gjitha tej mase të korruptuar.

“Pra, faktori ndërkombëtar në favor të interesit të qytetarit të vendit tonë do të duhej menduar më seriozisht dhe do të duhej të distancohej në masë të konsideruar nga papërgjegjësia politike e qeveritarëve, dhe kjo aq më parë, aq më mirë”, thotë Smaka.

Kurse, analisti tjetër, Blerim Burjani, thotë se PDK-ja dhe LDK-ja, me këtë koalicion, po zbatojnë interesat e tyre familjare dhe partiake, si dhe kanë përforcuar shtetin partiak, duke përfituar nga buxheti i shtetit.

“Bashkësia ndërkombëtare mund të vendosë kushte për përmirësim të nivelit demokratik të qeverisjes. Ajo tani ka prioritet sigurinë e qëndrueshme në rajon, të tjerat ua kanë lënë vendorëve. Tani për tani PDK-ja dhe LDK-ja, me këtë koalicion, po kryejnë punët e tyre dhe po zbatojnë interesat e tyre familjare dhe partiake, si dhe kanë përforcuar shtetin partiak, duke përfituar nga buxheti i shtetit”, thotë analisti Blerim Burjani. /Kosova Sot

Thirrja e seancës, ftesë për kaos

0

Dy blloqet e barrikaduara, pushteti dhe opozita, e kanë ndarë mendjen. Ato nuk heqin dorë nga qëndrimet e tyre, seanca sërish thirret për javën tjetër edhe pse paralajmërohet se do të ketë sërish bllokadë. Kjo situatë shihet si ftesë për kaos nga të dyja anët.

Analistët thonë se Kuvendi i Kosovës nuk guxon edhe këtë javë të luajë me “zjarrin”, duke thirrur seancë të re për aq sa kohë palët (mazhoranca dhe opozita) vazhdojnë të jenë fortifikuara në “istikamet e tyre”.

Sipas tyre, në këtë situatë dramatike në të cilën është futur legjislativi duhet dhënë mundësinë presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, që të vazhdojë më dialogun e nisur me palët me qëllim që të gjetjes së një zgjidhjeje për tejkalimin e kizës.

Analistët politikë konsiderojnë se vetëm përmes një dialogu mund të zhbllokohet Parlamenti.

Në anën tjetër, partitë e koalicionit janë të vendosura që t’i mbajnë seancat plenare, qoftë edhe në katin e katërt të Kuvendit, në salla të improvizuara, sikurse ndodhi javën e kaluar, siç thonë ata vetëm për të mos bllokuar proceset e Kosovës. /Zëri

Albulena Haxhiu paralajmëron protesta gjithëpopullore

0

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, paralajmëron protesta gjithëpopullore për rrëzimin e Qeverisë.

“Sot bëhen dy muaj prej kur Isa Mustafa nënshkruajti marrëveshjen për “Zajednicën”!

Përgjatë gjithë këtyre dy muajve i njëjti injoroi kërkesat e opozitës, shpërfilli ato. Dhe jo vetëm kaq! Isa Mustafa poashtu injoroi 200 mijë qytetarë që nënshkruan peticionin (madje tha që ata janë të padijshëm) e poashtu u deklarua se nuk do të ketë referendum për këto marrëveshje të dëmshme!

Si duhet të veprojmë me kryeministër të tillë?!

Natyrisht që duhet hequr me protesta e demonstrata gjithëpopullore!

Së shpejti….”, ka shkruar Haxhiu në profilin e saj në Facebook.

Bytyçi i VV-së në Malishevë ia “ndërron” mbiemrin deputetit të LDK-së Sali Morinës

0

Muhamet Bytyçi i VV-së në Malishevë, ka lëshuar një numër akuzash ndaj deputetit të LDK-së nga ky qytet, Salih Morina.

Ai po ashtu ia ka rikujtuar Morinës se si kërkonte vota për të luftuar SHIK-un, “ ndërsa tani e mbrojnë SHIK-un dhe Kadri Veselin”.
Bytyçi i e ka quajtur deputetin e LDK-së nga Malisheva me emrin Salih, ndërkaq me mbiemrin “Zajednica”.

Postimi i plotë i Muhamet Bytyçit në Facebook

Deputetet e LDK-së:

DJE shanin SHIK-un, SOT shajnë në mbrojtje të SHIK-ut.

Deputeti Salih Morina apo siç njihet tash me emrin e ri Salih ZAJEDNICA është përfaqësues i denjët i thënies së mësipërme. Ky deputet sot na risjell në kujtesën tonë do shërbëtorë të djeshëm të Rrahman Morinës.

Salih Zajednica po e mbrojnë me kaq zell Zajednicen dhe Demarkacionin dhe po i del në mbrojtje Kadri SHIK-ut me kaq përkushtim.

Ky deputet sot ka dal hapur kundër idealeve të UÇK-së, kundër vlerave dhe sakrificës për dekada të tëra të popullit shqiptarë për liri dhe vetëvendosje.

Salihu është damka e zezë e Malishevës. Të tillët si Salih Zajednica duhet shporrë nga Malisheva./PrizrenPress.com/