25.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Sa dinë të rinjtë për UNESCO-n?

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë thënë se me anëtarësimin eventual në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) vendi përfiton një mjet komunikimi diplomatik dhe një mundësi të mirë për zërin e saj në një platformë globale.

Në rrafshin praktik, në shkencë, kulturë dhe arsim, UNESCO mbulon mbi 70 programe të ndryshme, në të cilat Kosova do të mund të merrte pjesë, që në vitin e parë pas anëtarësimit eventual.

Këtu përfshihet edhe bashkëpunimi që nga fillet e edukimit të ulët e deri tek ai i lartë, si dhe në shkencë.

Kosova, gjithashtu, do të përfitonte për faktin se hyn në hartën e destinacioneve të trashëgimisë kulturore dhe të turizmit kulturor.

Por sa kanë njohuri të rinjtë lidhur me përfitimet e Kosovës me anëtarësimin eventual në UNESCO? Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë disa nga të anketuarit thonë se Kosova do të ketë shumë përfitime, e disa të tjerë nuk ishin të informuar në lidhje me këtë.

Studenti Alban Krasniqi jep mendimin e tij sa i përket anëtarësimit të Kosovës në UNESCO:

“Objektet kulturore përfitojnë një mbrojtje më të mirë, pasi Kosova ka monumente autoktone me vlerë jo vetëm për rajonin, por edhe për Evropë. Pra, unë di vetëm për anën kulturore, e nuk kam njohuri të tjera se çfarë përfiton Kosova dhe çfarë obligohet në këtë rast Kosova, nëse bëhet anëtare e UNESCO-s”, ka thënë ai.

Por, jo edhe Besa Jakupi, ekonomiste me profesion, ka njohuri lidhur me atë se çfarë përfiton Kosova në rast të anëtarësimit në UNESCO.

“Jo, nuk e di, nuk jam e informuar se çfarë përfiton Kosova nga anëtarësimi në UNESCO. Duhet të dalë dikush dhe t’ua shpjegojë qytetarëve”, ka thënë Besa.

E Sadri Shehu, student në Fakultetin e Inxhinierisë, thotë se ka punuar në projekte të trashëgimisë kulturore, andaj anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, sipas tij, do të thotë shumë për vendin.

“Unë jam marr me projekte të trashëgimisë kulturore dhe mendoj se prej UNESCO-s do të kemi përfitim shumë të mirë, sidomos për disa njerëz që e duan trashëgiminë kulturore. UNESCO do të ndërmarrë aksione për t’i ruajtur objektet me vlerë”, ka deklaruar Sadriu.

Mentor Morina, jurist me profesion, thotë se, përveç trashëgimisë kulturore, përfitimet në UNESCO, për Kosovën, janë shumë më të mëdha, por mungojnë informatat e hollësishme.

“Të gjithë flasin vetëm për trashëgimi kulturore, por mendoj se ka shumë më shumë benefite që do të përfitojmë nga UNESCO. Unë nuk kam shumë njohuri pasi është mungesë e njerëzve kompetentë që të shpjegojnë se çfarë konkretisht përfiton Kosova si anëtare e UNESCO-s”, është shprehur Morina.

Edhe Gazmend Badivuku shprehet ngjashëm:

“Njohuritë për përfitimet e Kosovës nga anëtarësimi në UNESCO i kam shumë modeste. Nuk di diçka konkrete, por shpresoj se ministri i Punëve të Jashtme do ta shpjegojë se cilat janë përfitimet, por mendoj se Kosova duhet të kontribuojë për UNESCO-n për mbajtjen e shërbimeve të ndryshme investuese për monumentet historike”, ka thënë ai.

Mungesë të informacioneve në lidhje me përfitimet e Kosovës në rast të anëtarësimit në UNESCO shfaq edhe Behar Bajrami, student i Arkitekturës:

“Për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e di që është, por nuk kam njohuri më shumë se çfarë saktësisht përfiton Kosova. Është organizatë edhe për edukim, arsim dhe shkencë”.

Ndërkaq Miradije Gashi thotë se me anëtarësimin e Kosovës në UNESCO ruhet trashëgimia kulturore jo vetëm e Kosovës, por edhe si trashëgimi botërore.

“Është identiteti i njerëzimit që në çdo pjesë të botës ruhet me monumentet e veta”, ka deklaruar Gashi.

Sidoqoftë, kërkesa e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, pas votimit të saj pozitiv në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s, do të shqyrtohet dhe votohet në Këshillin e Përgjithshëm të kësaj organizate, që mbahet nga data 3 deri më 18 nëntor të këtij viti. Votimi eventual pozitiv për kërkesën e Kosovës e bën atë anëtare me të drejta të barabarta në këtë organizatë. /REL

Më Shumë

Moti sot i vranët dhe me intervale me diell

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Sipas këtij instituti, temperaturat maksimale të...

Ish- kandidati për kryetar të Suharekës nga PDK-ja aderon te Nisma

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka prezantuar aderimin më të ri në parti, doktor Murtez Zekolli. Në një konferencë për media të mërkurën, Limaj...

Lajmet e Fundit