25.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

“Katunari”, audicion në Kosovë

Në Kosovë për herë të parë do të realizohet një film i metrazhit të gjatë i zhanrit horror. Lokacioni, i cili është zgjedhur për të realizuar skenat kryesore të filmit, është Kaçaniku.

Regjisori, skenaristi dhe producenti i këtij filmi, Dion Ventress, ka zgjedhur Kosovën dhe Kanadanë për të realizuar filmin që ka vendosur ta titullojë “Katunari”.

Ai ka arritur në Kosovë për të mbajtur audicionin e parë për aktorët, të cilët janë të interesuar për të luajtur në këtë film. Ditën e diel skena e teatrit “Dodona” është kthyer në skenën e provës për të gjithë të interesuarit për të fituar një rol në filmin “Katunari”.

Një nga kushtet e vendosura për të qenë pjesë ë këtij filmi ishte mosha, sepse personazhet janë menduar në atë mënyrë që të prekin mosha të ndryshme.

Filmi “Katunari” apo “Hillybilly” tregon historinë e një vajze me emrin Adelina, e cila jeton në Kanada, por pas vdekjes së babait të saj rikthehet në Kosovë.

Kur Adelina vjen në Kosovë zbulon që babai i saj ia ka lënë trashëgimi një shtëpi në Kaçanik. Duke ditur që babai i saj ia ka dhuruar këtë shtëpi vendos të jetojë aty, mirëpo diçka nuk shkon me këtë shtëpi, sepse Adelina dallon disa tipare paranormale që lidhen me disa legjenda të njohura në Kaçanik.

Të dielën (dje) që në hyrje të teatrit “Dodona” kishin ardhur shumë të interesuar për të fituar një rol në filmin e parë horror në Kosovë. Ora shënonte 9:00 të mëngjesit dhe tashmë disa të rinj kishin arritur në objektin e “Dodonës” dhe po prisnin që të mundë të hynin në audicionin që kishte hapur stafi i filmit “Katunari”.

I pari që kishte arritur në teatrin “Dodona”, ku po mbahej audicioni ishte një djalë nga Peja, i cili ishte zgjuar që herët në mëngjes për të ardhur me tren për në Prishtinë. Agon Deçani, ani pse asnjëherë nuk kishte marrë pjesë në një film, kishte vendosur që ta provonte këtë herë në audicion për filmin “Katunari”.

Ai për gazetën “Zëri” ka treguar që për këtë audicion ka marrë vesh në rrjete sociale.

“Para një kohë të gjatë e kam parë postimin dhe më është dukur projekt serioz, interesant horror në Kosovë dhe doja ta provoja dhe është hera e parë që marr pjesë në një film”, ka treguar Deçani.

Dyert e teatrit “Dodona” hapeshin vazhdimisht dhe hynin të rinj që kishin ardhur ta provonin nëse mund të arrijnë të fitojnë një rol në filmin “Katunari”. Disa skena të këtij filmi janë xhiruar në Kanada, ndërsa pjesët e mbetura pritet t’i fillojnë pas përzgjedhjes së aktorëve shqiptarë.

Disa nga rolet, që ishin në dispozicion në Prishtinë, ishin personazhi Adelina që është njëkohësisht edhe roli kryesor dhe që duhej të ishte një femër nga mosha 20-30 vjeç, Vali nga mosha 20 -30 vjeç, Elsa nga mosha 20-30 vjeç, Hekurani duke filluar nga mosha 15-30 vjeç, pastaj personazhi Chicken Man nga mosha 40-70 vjeç dhe personazhi Zonja Selimi të jetë rreth 50-vjeçare.

Filmi “Katunari” ka producent, regjisor dhe skenarist Dion Ventress, i cili për shumë vite ka punuar në kinematografi dhe televizion në Kanada.

Shumica e atyre që vinin në orët e para të mëngjesit për audicion ishin të rinj që më parë nuk kishin provuar aktrimin, por që kishin shprehur interesim për të marrë pjesë në këtë film për shkak të tematikës dhe seriozitetit që kanë parë tek organizatorët, por kishte edhe të atillë që ndoshta nuk e kishin provuar pjesëmarrjen në një film shqiptar, por kishin qenë pjesë e filmave jashtë kufijve shqiptarë.

Një nga ata ishte Adelina Hajdini, e cila për shumë vite kishte jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe atje kishte arritur që të përjetonte eksperiencën për të qenë pjesë e një produksioni amerikan, por ka vendosur që ta provojë veten edhe në një film, i cili do të xhirohet në Kosovë.

“Unë jetoj në Amerikë dhe atje kam qenë në një produksion me një film shumë të madh, ku kanë qenë 5 mijë veta në audicion dhe unë kam fituar. Kam qenë një prej 100 vetave të përzgjedhur”, ka treguar Hajdini, teksa ka shtuar se tashmë ka ardhur në Kosovë e ka parë audicionin për filmin “Katunari” dhe e ka parë si një sfidë të re për ta provuar.

Ajo e ka treguar edhe eksperiencën e saj në filmin amerikan “Dolphin Tale” si një përvojë shumë të mirë.

“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës punë shumë e madhe, punë shumë e rëndë, një skenë e kemi xhiruar diku më shumë se 12 orë sepse filmi ka qenë tredimensional”, ka treguar Adelina Hajdini, njëra nga pjesëmarrëset e audicionit për filmin e parë horror në Kosovë me titull “Katunari”. /Zëri

Katunari-film

Më Shumë

Kundërshtohet heqja e emrit të Hasan Prishtinës nga UP-ja

Një aksion simbolik është mbajtur sot para Kuvendit të Kosovës. Përmes këtij aksioni, është kundërshtuar heqja e emrit të Hasan Prishtinës, nga Universiteti i Prishtinës. Mehmet...

Totaj viziton disa biznese të Prizrenit

Kryetari i komunës ë Prizrenit, Shaqir Totaj ditën e premte ka vizituar dhe ka parë nga afër të arriturat e disa prej bizneseve të...

Lajmet e Fundit