16.6 C
Prizren
E martë, 29 Prill, 2025
Home Blog Page 7472

Ahmeti: VLAN është koalicion i emergjencës, jo i qejfit

0

Shpend Ahmeti VVNënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe kryetar i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se presidentja Jahjaga nuk duhet dhe nuk i takon që të propozojë emra konkret për kryeministër, në takimet që po i bënë me liderët e partive politike në vend.

Ai thotë se ngërçi politik është duke shkaktuar mjaftë probleme për komunat, sidomos në Komunën e Prishtinës, të cilën ai e udhëheq. Sipas Ahmetit marrëveshja mes bllokut LAN dhe VV-së ende nuk ka përfunduar, pasi si e tillë është vetëm marrëveshje për parimet bazë, por jo edhe për qeverisjen.

Kur ka folur për marrëveshjen e parimeve të arritur mes bllokut LAN dhe VV-së, Ahmeti në një intervistë për Kosovapress, thotë se kjo marrëveshje ende nuk ka përfunduar, meqë për të qenë e plotë, duhet arritur ajo për qeverisjen e përbashkët, e cila ende nuk është arritur.

“Natyrisht marrëveshja nuk ka përfunduar, duhet të ketë diskutime në qoftë se hyhet në fazën e tretë të diskutimeve që janë koalicioni dhe qeverisja, kjo ende nuk është bërë por marrëveshje në parim që është hera e parë që bëhet diçka e tillë mes subjekteve politike që ka të bëjë me politika dhe jo me poste është bërë dhe unë mendoj që dëshira ime si Lëvizje Vetëvendosje do të ishte që t’i kishim 51 % edhe ta ndryshojmë ashtu siç duam ne ta implementojmë programin tonë në përgjithësi por e kisha quajtur që kjo është një zgjidhje e imponuar nga situata dhe jo koalicion i qejfit dhe i dëshirave por koalicioni që është krijuar mos me thënë nga zori por ne e quajmë koalicion i emergjencës”, ka thënë Ahmeti.

Duke komentuar lajmet e fundit se presidentja mund të propozoj një zgjidhje konkrete, madje edhe ndonjë emër konkret për kryeministër duke e nxjerr emrin nga zarfi, Ahmeti thotë se presidentja nuk ka propozuar asnjë emër nga VV-ja për kryeministër, madje nuk i takon asaj që të propozojë emra konkret.

“Nuk e di se ka propozua presidentja emra për kryeministër. Mendoj se nuk i takon presidentes të propozojë emra për kryeministër. Presidentes i takon që të diskutojë me subjektet politike dhe të shohim mundësitë se si të dilet në bazë të vullnetit të subjekteve politike, por ato qa kam parë nëpër portale ato i komentoj vetëm në lajme të portaleve ndërsa nuk mendoj se kjo është mënyra se si duhet të bëhet zgjidhja e kryeministrit të një vendi”, tha Ahmeti.

Ai me tutje ka folur edhe për implikimet që ka ngërçi politik në funksionimin e komunave, duke thënë se komunat i lidh shumë me qeverinë qendrore, për çështje që kanë të bëjnë me çështje politike.
“Neve na shkaktojnë shumë probleme mungesa. Tash po flas krye këput si kryetar i Komunës së Prishtinës. Neve na nevojitet Qeveria qendrore se kemi shumë punë që na lidhin, që kanë të bëjnë me komunikim, me aprovime me çështje të cilat janë edhe çështje politike. Andaj kemi nevojë që të kemi dikë në Qeveri që e ka legjitimitetin që na përgjigjen në kërkesat tona sepse për ndryshe është shumë projekte, shumë ide ngecin për shkak të mungesës së Qeverisë”, ka thënë ai.

I pari i Prishtinës thotë se beson fuqishëm që një shumicë parlamentare, në sistemin republikan të parlamentarizmit do duhej të ishte ajo që edhe i formon institucionet dhe e ka të drejtën.

Urimi i Ragip Begajt për Festën e Bajramit

0

RagipBegaj-kryetariMalishevesKryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, me rastin e festës së Kurban Bajramit uron të gjithë besimtarët e besimit islam.

“Në emër të Komunës së Malishevës dhe emrin tim personal, i uroi të gjithë qytetarët e Malishevës, me rastin e festës së Kurban Bajramit. Në këtë ditë feste për të gjithë besimtarët myslimanë, le të mbizotërojë solidariteti, paqja, toleranca dhe respekti. Nën frymën e kësaj feste të bekuar, të vazhdojmë të kultivojmë vlerat tona kombëtare dhe fetare,  për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për gjeneratat që vijnë pas”.

Vetëvendosje në Prizren uron Festën e Bajramit

0

VV-logo9-09Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren ka uruar për festën e Kurban Bajramit. “Festa e Kurban Bajramit është një ditë e shënuar për besimtarët myslimanë. Kjo ditë përcjell një mesazh universal, në njërën anë gatishmëria e njeriut për sakrificën më madhore në emër të idealit, në anën tjetër mesazhi hyjnor i cili e ndalon sakrifikimin e fëmijës, i cili simbolizon të ardhmen. Asnjë njeri, sado i pushtetshëm të jetë në tokë, nuk e ka të drejtën dhe justifikimin që të sakrifikojë të ardhmen e shumicës. Ky mesazh do të duhet të sillte reflektim edhe në politikanët tanë.

“Kurban Bajrami festohet gjithnjë me gosti, e kjo festë shënon dëshirën komunitare për një të ardhme në harmoni e në prosperitet. E në të njëjtën kohë shënon vëmendjen për ata, gostia e të cilëve është më e varfër. Vëmendja edhe ndihma e shoqërisë duhet të drejtohet tek ata, siç thuhet edhe në mesazhin e fesë myslimane”.

“Në të njëjtën kohë Kurban Bajrami, si të gjitha festat fetare, është një moment kur shqiptarët kanë festuar dhe festojnë së bashku me bashkëatdhetarët e tyre të feve të tjera, duke përforcuar kështu traditën e kahmotshme të bashkëjetesës e të mospranimit të ndarjeve identitare të imponuara nga jashtë. Ky mesazh universal është një nga kontributet që shoqëria jonë ia bën vetvetes dhe botës. Ne urojmë që fryma e kësaj bashkëjetese të reflektohet edhe në aspekte të tjera, sidomos në ato të solidaritetit ekonomiko-social të shoqërisë e të kombit tonë“/PrizrenPress.com/

Bajgora: Një fe që emrin e ka paqe, s’mund te jetë fe e terrorit

0

Sabri efendi BajgoraKryeimami i Kosovës, Sabri efendi Bajgora tha se sot është një ditë e madhe e Kurban Bajramit, dita kur lartësojnë zotin dhe kryejnë obligimet e tyre ndaj zotit, duke shpresuar që sot në tërë botën të mbizotëroj paqja, mirësia dhe solidariteti.

Bajgora ka folur edhe për akuzat që po i vishen Islamit, duke thënë se ajo që po mbretëron në botë e po i vishet fesë Islame, nuk kanë të drejtë, sepse vet feja Islame, e ka emrin paqe dhe që thërret paqe.

Ai tha se e kanë zgjedhur rrugën e paqes, sepse feja Islame e ka emrin paqe, Islam, dhe krijuesi e ka një fjalë, selam, që do të thotë paqe.

“Askush nuk guxon dhe nuk ka të drejt t’ia vesh Islamit që fatkeqësisht po mbretërojnë sot në botë karshi kësaj feje të hyjnishme…Një fe që emrin e ka paqe, nuk mund te jetë fe e terrorit. Ata që kryejnë akte makabre ata nuk meritojnë të quhen mysliman…Zoti ynë nuk na mëson të mbysim e të presim, por ai na ka mësuar se nuk ka dhunë në fe, sepse tashmë është sqaruar e vërteta nga e kota”, tha Bajgora.

Ai tha se sot njerëzimi ka nevojë me së shumti për paqe. Misioni ynë në këtë botë është të përhapim paqe dhe mirësi në mes njerëzve.

Bajgora shpreson që feja Islame do t’i udhëheq në horizontet e kësaj jete sepse nuk ka bardhësi tjetër veç se t’i drejtohen zotit, që t’i luten atij për mërgimtarët, për të gjithë njerëzit që të ketë mirësi, begati e solidaritet.

Bajgora ka folur edhe për Haxhin, në të cilin janë duke e kryer edhe shumë mysliman kosovarë.

“Haxhi është kongresi i gjithë myslimanëve. Dita e djeshme e arafatit ishte dita më e madhërishme e vitit”, tha ai.

Ai këto komente i bëri në ceremoninë para faljes së namazit të Kurba Bajramit në Xhamin e Madhe në Prishtinë.

Falet Namazi i Kurban Bajramit?

0

festa e bajramit

( E plotësuar) Miliona mysliman në mbarë botën sot festojnë festën e Kurban Bajramit. Edhe në Kosovë, po feston këtë festë të madhe për popullin shqiptarë. Miliona mysliman në mbarë botën sot festojnë festën e Kurban Bajramit. Edhe në Kosovë, po feston këtë festë të madhe për popullin shqiptarë.
Namazi kryesor i Kurban Bajramit është falur në Xhaminë ‘Sulltan Mehmet Fatih’, e cila njihet si Xhamia e Madhe, nën organizimin e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Festa e Kurban Bajramit karakterizohet edhe me kryerjen e një prej shtyllave kryesore të fesë Islame, kryerjen e Haxhit.

Në këtë ditë bëhet edhe prerja e Kurbanit, traditë kjo e cila është e lashtë, që nga koha e bejgambërit Ibrahimi alehi ve selam.

Sot, dita e parë e Kurban-Bajramit

Sot në Kosovë, Shqipëri dhe në vendet tjera të Ballkanit shënohet dita e parë e festës së Kurban – Bajramit.

Sipas Bashkësisë Islame të Kosovës manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban – Bajramit, mbahet në xhaminë “Sulltan Mehmet- Fatih” (Xhamia e Madhe) në Prishtinë.

Manifestimi fillon në ora 6:00, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste që do ta mbaj kryeimami i BIK, Sabri ef. Bajgora.

Ndërsa Namazi i Kurban – Bajramit falet në ora 7:13. Hytben e Kurban- Bajramit do ta mbaj sekretari i përgjithshëm i BIK, Resul ef. Rexhepi.

Me rastin e festës së Kurban – Bajramit, sot Kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e kryesisë nga ora 9:12.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës si dhe udhëheqësit e institucioneve dhe partitë politike ua kanë uruar të gjithë besimtarëve mysliman festën e Kurban – Bajramit.

Kurban-Bajrami vjen pasi besimtarët kryejnë Haxhin dhe therin Kurbanin. Në Haxh besimtarët shprehin në mënyrën më të mirë barazinë e unitetin që kryhet në një atmosferë krejt të veçantë, me norma të veçanta, në kohë të caktuar dhe në vende të caktuara, ku dominon respekti e dashuria, ndërmjet të gjithëve, ku shfaqet përkushtimi ndaj Allahut xh. sh, dhe ku shprehët solidariteti mes njerëzve të vendeve e etnive të ndryshme.

Hoxhaj propozon marrëveshje PDK-LDK-AAK

0

Enver Hoxha PDKKosova gjendet në një ngërç politik që pas zgjedhjeve të 8 qershorit, të cilat nxorën fituese si parti PDK, por nuk i dhanë shumicën për të qeverisur. Për Ministrin e Jashtëm në detyrë Enver Hoxhaj, klasa politike kosovare ka humbur atë vlerë që e dallonte nga rajoni dhe Shqipëria, konsensusin politik.
Dhe këtu ai i referohet bllokut opozitar,liderët e të cilit thotë ai, nuk denjojnë as të ulen në tryezë bisedimesh me PDK.

“Vendi ka nevojë për një stabilitet. Ajo çfarë e ka karakterizuar Kosovën në këto 7 vite të pas pavarësisë është parashikueshmëria. Kemi pasur gjithmonë peisazhin më stabil politik në rajon, më stabil se Shqipëria.

Situatën që e kemi aktualisht në Kosovë dhe të katër liderët janë njerëz që kanë humbur zgjedhjen dhe tani pretendojnë. Ne se kemi shumicë aktuale Ky grup liderësh nuk janë të gatshëm as të ulen të bisedojnë me PDK në një kohë kur ne bisedojmë me Beogradin. Nuk demonstrojnë kulturë politike”.

Pyetjes se çfarë ka Hashim Thaçi që ka bërë bashkë liderët e 4 forcave politike kundër tij, Hoxhaj i përgjigjet:

“Fitoret e tij nga 2004. LDK nuk ka fituar zgjedhje prej 10 vitesh. Lidershipi i zotit Thaçi, me të gjitha përparësitë dhe mangësitë që mund të ketë, ka bërë që vendi të ketë stabilitet politik dhe rritje ekonomike. Reagimi i tyre është më shumë reagim në humbjen e tyre individuale si liderë politik, sesa xhelozi individuale”.

Në emisionin “Jamais Vu” përballë gazetarit Mustafa Nano, Hoxha ka një recetë se si mund të tejkalohet kjo situatë.

“Receta ime do të ishte që në situatën që jemi duhet të kemi një marrëveshje me një bazë sa më të gjerë. PDK së bashku me Lidhjen Demokratike dhe Aleancën të shohin mundësinë të nxjerrin vendin nga ngërçi politik ku ka hyrë. Së dyti të kemi një qeveri që duhet të adresojë reformat më kritike për çështjet më të rëndësishme në vend.

Së treti një qeveri që çon më tej dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si dhe çështjet kyçe të politikës së jashtme. Besoj që brenda disa javësh, por jo javën e ardhshme, ne mund ta tejkalojmë këtë situatë politike. Nëse nuk do jemi në gjendje të menaxhojmë këtë krizë politike Kosova mund të ketë një degradim të jetës së saj shtetërore, ekonomike dhe mund të ketë kthim prapa”.

Është folur shumë për terrorizimin dhe xhihadistët kosovarë, por Enver Hoxhaj nuk njeh “luanin” Lavdrim Muhaxheri.

Dhe pse pranon të ketë dëgjuar për të, figurën e tij e pa për herë të barë në “Jamais Vu” .Dhe reagimi nuk ishte aspak pozitiv, aq sa e përshkroi me këto fjalë “i neveritshëm dhe i shëmtuar”.

“Një pamje të tillë nuk e kam parë asnjëherë, po e kam dëgjuar se kush është. Si pamje mund të them se është pamje e shëmtuar, nuk e prezanton Kosovën si shtet dhe si shoqëri, është kundër vlerave që ka pasur Kosova. Është pamje e neveritshme, e shëmtuar. Ky është qëndrimi që mbaj si Ministër i Jashtëm dhe si akademik. Ekziston një numër rreth 100-150 shqiptarë jo vetëm nga Kosova por dhe nga Shqipëria dhe Maqedonia.

Nëse e krahasojmë me vendet europiane, numri është shumë më i vogël në Ballkan. Por si pamje është e shëmtuar dhe dëmton Kosovën. Ne kemi marrë disa vendime të rëndësishme, kemi sjellë një ligj që parandalon pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftëra jashtë vendit, kryesisht në Siri dhe Irak. Po kështu ka pasur arrestime të personave që merreshin me rekrutimin e tyre. Kjo ka të bëjë me sigurinë kombëtare”./Oranews.tv/.

Politikanë, bashkë për interesin e Kosovës

0

Seremb Gjerigji14-03Shkruan: Seremb Gjergji

Thirrja e një seance të re nga VLAN-i për të enjten 9 tetor nuk e ndihmon procesin, por e rritë ngërçin politik dhe e rritë dallimin ndërmjet palëve. Tash kemi nevojë për afrim, jo largim.

Presidentja tash duhet t’i thërras të gjitha Partitë Politike e të takohen bashkë – jo ndarazi. Madje, t’i thërras të gjithë përfaqësuesit e partive shqiptare në Kuvendin e Kosovës, disa herë radhazi dhe vetëm pas 4-5 herësh, do të dalë një zgjidhje. Nuk besoj se do të kemi zgjidhje, pa u takuar të gjithë sëbashku. Lufta politike ka filluar, tash duhet të mbizotëroi paq dhe pajtimi.

Hapi i parë drejtë zbutjes së qëndrimeve nga të gjitha palët e që do t’i hapë rrugën drejt një bisede në tavolinën e përbashkët është deklarimi i z. Haradinaj si kandidati potencial për Kryeministër, por edhe të gjithë udhëheqësve të tjerë që Shërbyesit Civil do të kursehen dhe profesionistet nuk duhet të kenë frikë se do të largohen nga puna që kryejnë me dinjitet. Sa më shpejtë që vjen kjo deklarate, aq më e afërt është bashkë-bisedimi.

Mungesa e institucioneve të reja të Kosovës, në fushën diplomatike dhe ndërkombëtare po sjelle një numër faktorësh të rrezikshëm për popullin dhe vendin.

Pasojat që Kosova aktualisht i ka nga mos-formimi i institucioneve janë:
1. Mos-nënshkrimi i marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit me BE-në dhe vonesat në këtë Drejtim. Pesë vendët e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën,nuk gjejnë arsye të fortë për ta nëshkruar këtë marrëveshje.
2. Zhagitja, ngadalësimi por edhe stagnimi në Liberalizimin e Vizave – mungesa e institucioneve të sigurisë.

3. Zbehja e raporteve me Aleatet dhe Miqtë tanë ndërkombëtarë. U japim pak arsye miqve tanë që të na arsyetojnë apo mbrojnë çdo veprim të Shtetit tonë.
4. Pengesat që dalin drejtë anëtarësimit në NATO dhe OKB – nuk mund të zhvillojmë asnjë projekt afatgjatë dhe të qëndrueshëm.

Të gjitha këto vijnë si pasojë e interesit të ngushtë të disa udhëheqësve tanë politik. Zgjidhja e ngërçit është e thjeshtë – në momentin kur ulen në tavolinë, gjejnë zgjidhje. Nëse kjo nuk ndodhë – atëherë partitë tona me qëllim po e qojnë vendin drejt IZOLIMIT.

Veprimi i së enjtes i VLAN-it është demokratik dhe si Deputet të Kuvendit të Kosovës kanë të drejtë të shkojnë në shtëpinë e tyre. Veprimi i tyre ishte shprehje e mllefit të tyre, ku në sytë e qytetarëve të Kosovës të fajësojnë palën tjetër. Për mendimin tim kjo nuk është zgjidhje. Këtë e tha edhe z. Fatmir Limaj “Do ta zgjidhim këtë situatë, sipas ligjit dhe rendit kushtetues”. Pra askush nuk ka qëllim të bëjë revolucion; që do të ishte një aventurë pa zgjidhje.

Por, besoj se çdo veprim duhet te sjelle fryme pozitive – jo të thelloi ngërçin politik.

Shtroj pyetjen – a e meritojmë NE këtë gjendje?

Rashiti: Ndërkombëtarët s’e duan Thaçin kryeministër

0

Naim Rashiti-analistNjë arsye pse po ndodh ngërçi politik mund të jetë edhe mos interesimi i bashkësisë ndërkombëtare që Hashim Thaçi të jetë sërish pjesë e qeverisë. Kështu konstaton analisti Naim Rashiti, derisa thirret në një kujtim të tij si përkthyes.

Ish zyrtari i Grupit Ndërkombëtar të krizave (ICG) tregoi se pse ndërkombëtarët nuk e donin Ramush Haradinajn në qeveri bashkë me LDK-në pas zgjedhjeve të vitit 2004.

“Kanë pa se përmes mbajtjes së PDK-së në qeveri e kontrollojnë procesin jashtë qeverisë, grupet e caktuara, komandantët rajonal. Kishte frikë se PDK do të sillej si e rebeluar jashtë institucioneve”, tha Rashiti për Klan Kosova.

Rashiti tregoi pse Ibrahim Rugova zgjodhi Haradinajn e jo Thaçin atëherë.

“Ramush Haradinaj ishte më i besueshëm për shumë arsye, një partneritet më i menaxhueshëm politik dhe ishte rrjedhë e një balance kundër PDK-së për të marrë një krah të luftës”, tha ai.

10 vjet më pas preferenca që të huajt kishin për liderin e PDK-së kanë ndryshuar.

Naim Rashiti vlerëson se kryeministri në detyrë nuk është njeriu që doemos ndërkombëtarët duan ta shohin në krye të qeverisë.

“Faktori ndërkombëtar është i dedikuar kësaj here të lejojnë zgjidhje demokratike sipas procedurës kushtetuese për formim të institucioneve dhe janë shumë pak të brengosur se kush do të bëhet Kryeministër”, tha ai.

Studentët presin tërë natën për “kafshatën e gojës”

0

Studentet per regjistrim ne mensÇmimi prej 15 eurosh në muaj i ka nxjerrë qindra studentë para sallës “1 Tetori” tri net me radhë ku kanë pritur deri në mëngjes për të marrë kartelën me të cilën do të mund të anëtarësohen në mensën e vetme të studentëve.

Ata kanë thënë se kanë qëndruar në radhë që nga ora dy e mesnatës, raporton KTV.

Leutrim Aliu ka theksuar se gjatë natës së kaluar sa kishin qenë duke pritur në rend për të marrë kartelën, nga turma e madhe, është thyer edhe xhami i derës së sallës “1 Tetori”.

Ndërsa, sipas drejtorit të Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, këtë vit Qendra e Studentëve do të pranojë rreth 1.500 studentë, të cilët nuk janë banues në konvikte, sepse banuesit e marrin kartelën e mensës me automatizëm.

Sfishta ka thënë se arsyet pse ka kaq shumë të interesuar për t’u anëtarësuar në mensë është çmimi i volitshëm, prej 15 eurosh në muaj, cilësia e ushqimit, si edhe pastërtia në mensë, transmeton Koha.net.

Ai është shprehur se institucioni që drejton nuk ka mundësi teknike që të regjistrojë më shumë se 100 studentë në ditë dhe për këtë kërkon mirëkuptimin e studentëve.

Analistët: Enver Hasani i ndikuar nga PDK-ja

0

Enver Hasani-GjKKNuk janë vetëm liderët e bllokut ata që po e shohin kryetarin e Gjykatës Kushtetuese si person të ndikuar nga PDK-ja, kështu po shihet edhe nga analistë në vend, raporton KTV

Deklarimet e fundit të bëra në Vjenë nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese kanë bërë që të përforcohet edhe më tej bindja se Enver Hasani po i shërben edhe haptas partisë së Hashim Thaçit, thonë analistët.

Kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, ka thënë se nuk ka nevojë që deklaratave të Hasanit t’u bëhet shumë analizë për të parë se ai është i ndikuar nga PDK-ja.

Ajo vlerëson se Enver Hasani e ka shndërruar këtë institucion në filial juridik të PDK-së. Ajo ka përmendur edhe deklarimet e një deputeteje gjermane të CDU-së që vendimin e kushtetueses e sheh si vendim kundër parlamentarizmit në Kosovë.

Albert Krasniqi nga KIPRED-i thotë se gjyqtarët e kushtetueses kanë të drejtë të shprehin mendimet e tyre, por gjithmonë, duke ruajtur integritetin dhe pavarësinë e gjykatës. Ai vlerëson se deklarimet e fundit të Hasanit lënë hapësirë për dyshim për anshmëri politike ndaj një subjekti të caktuar.

Së fundmi, kryetari i Gjykatës Kushtetuese është kritikuar edhe nga lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, i cili ka thënë se Enver Hasani është tepër cinik për të qenë gjykatës dhe se ka tendenca për ta bërë PDK-në kategori kushtetuese.