22.2 C
Prizren
E mërkurë, 30 Prill, 2025
Home Blog Page 7481

Pse duhet ta marrë Kadare Nobelin

0

IsmailKadare6-30Marrëdhëniet e shkrimtarit me Nobelin kanë qenë kurdoherë komplekse. Në historinë e dhënies së këtij çmimi prestigjioz ka pasur përherë nga ata që janë pajtuar me Akademinë Suedeze, institucioni që akordon këtë çmim që prej vitit 1902, siç ka dhe të shumtë që e kanë akuzuar atë për përzgjedhje të gabuara dhe me raste edhe të çuditshme. Megjithatë, kritikat përgjithësisht janë të natyrës gjeopolitike.
Ndërkaq, për të fituar këtë çmim nuk mjafton një karrierë e shkëlqyer letrare, porse kërkohet përmbushja e një sërë kriteresh. Po t’i referohemi historisë së Nobelit, do të gjejmë aty emra të mëdhenj të letërsisë botërore, që nuk janë shpërblyer me këtë çmim edhe pse me një krijimtari të jashtëzakonshme. Dhe raste ka plot. Kështu, Tolstoin Akademia e Nobelit, pavarësisht “krijimeve të tij të pavdekshme” e klasifikoi si “pesimist” dhe si rrjedhim çmimi iu mohua. Ndërsa Oruelli, padyshim do ta kishte fituar këtë çmim nëse do të kishte jetuar më gjatë. Ai ndërroi jetë një vit pas botimit të një prej veprave të tij më të mira: “1984”.

Borgesi nga ana tjetër, edhe pse jetoi shumë më gjatë, nuk e fitoi asnjëherë Nobelin dhe kjo për shkak të mbështetjes që i jepte Pinoçetit dhe J. R. Videlës. Ndërsa, kur njëri nga gjyqtarët e çmimit Nobel u pyet pse Xhojsi nuk ishte në listën e të nominuarve, ai u përgjigj: “Kush?!”. Po të njëjtin fat kanë pasur edhe shkrimtarë të tjerë, si Çehovi, apo Ibseni, të cilit edhe pse njihet si dramaturgu më i rëndësishëm pas Shekspirit, iu mohua Nobeli, për shkak të natyrës shumë realiste të veprave të tij, në një kohë që Akademia asokohe kërkonte më tepër idealizëm! Po kështu edhe Nabokovi, i cili mposhtej përherë nga autorë më pak të njohur. Kur ai kryesonte listën së bashku me Borgesin, Grinin dhe Belloun, çmimi u fitua dhe u nda mes Eivind Xhonson dhe Herri Martinson, dy suedezë pjesëtarë të jurisë në panelin e Nobelit! Ndërsa Artur Miler, pas humbjes së çmimit nuk u nominua herë tjetër, qysh kur kryesoi listën më 1997 së bashku me Salman Ruzhdien.

Në mjediset shkencore dihet ose zyrtarisht pranohet që Nobeli u jepet shkrimtarëve që rinovojnë teknikat letrare.

Ismail Kadare prej vitesh është në listën e më të mirëve për të fituar çmimin Nobel. Ai është i vetmi shkrimtar shqiptar që i është afruar Nobelit kaq pranë, por edhe ndoshta i vetmi në letërsinë botërore që t’i jetë afruar kaq herë. Ka ndodhur që shkrimtarë të ndryshëm të kenë qenë favoritë për çmimin e kur nuk e kanë fituar, të mos jenë nominuar herë tjetër edhe pse të mirënjohur e të lexuar në mbarë botën. Ndërsa, dihet që Kadare, është më i njohur në mjedisin frankofon, edhe pse prej gati 10-15 vitesh dhe në atë anglo-amerikan, gjë që ndoshta ka përligjur qëndrimin e tij në garë.
Po a i ofron Kadare Nobelit një dispozitiv stilistik unik që të kurorëzohet me këtë çmim? Dhe nëse po, ç’është unike te vepra e tij?

Në veprën “Intertekstualja dhe disidentja të Dimri i vetmisë së madhe” studiuesi Met Dervishi provon shkencërisht se ajo çka e bën unik Kadarenë është polifonizmi ose dialogjizmi në veprën e tij. Le t’i shtjellojmë arsyet, gjithnjë duke u bazuar tek përfundimet e këtij autori, si dhe duke iu referuar kryesisht M. Bachtinit për polifoniken/dialogjiken dhe pse te Kadareja polifonizmi është unik.
Bachtin e konkretizon konceptin e tij të dialogjikes te Dostojevski, ndërsa studiues të tjerë te Xhojsi etj. Sipas tij, gjithë personazhet kryesorë të Dostojevskit janë “njerëz-ide”. Por, kushti që i jep jetë imazhit të idesë te Dostojevski është kuptimi i thellë i natyrës dialogjike të mendimit njerëzor, i natyrës dialogjike të idesë”. Gjithnjë sipas Bahtinit, ideja, siç e sheh atë artisti Dostojevski, “nuk është një formacion subjektiv psikologjik-individual me ‘seli të përhershme’ në kokën e njeriut, ajo është interindividuale dhe intersubjektive dhe sfera e qenies së saj nuk është ndërgjegjja individuale, por bashkësia dialogjike/polifonike ndërmjet tyre.
Ndërkaq, sipas N.F. Alapatit, në punimin e tij për polifoninë e Xhojsit, në romanin polifonik “karakteret kanë liri maksimale, çka u lejon të diskutojnë me njëri-tjetrin, madje dhe me vetë autorin”, çka parakupton që autori në romanin polifonik është orientim ndërmjet orientimeve të tjera”.

Por, në dallim nga polifonikja te Dostojevski apo Xhojsi, Kadare është unik në dialogjizmin/polifoninë e tij. Pse? Së pari, se në tekstet e Kadaresë, ndryshe nga paraardhësit e tij të mëdhenj, autori tërhiqet në skemën e tij krijuese. Te Kadare horizonti i autorit del në përgënjeshtrim të vetvetes. Ky mekanizëm stilistik tek ai krijon kushtet për arritjen e nivelit më të lartë të prozës polifonike, kontrapunktin (zëra të ndryshëm që këndojnë me një motiv të caktuar).

Ndërkaq, sipas Dervishit, te Kadare del unike dhe teknika e përgënjeshtrimit të horizontit të autorit. Kjo jo vetëm e identifikon Kadarenë si njërin nga prozatorët më të mëdhenj të shekullit të njëzetë, por dhe e bën atë unik edhe brenda kuadrit të përvojave të tekstit polifonik. Nëpërmjet kësaj teknike, që del në mënyrë të përkryer te “Dimri i vetmisë së madhe”, për herë të parë, jo vetëm në letërsinë shqipe, por dhe atë botërore, kemi një hero/personazh që është vetëm subjekt i plotë i fjalës së vet.
Kjo realizohet në dy rrafshe: së pari, nëpërmjet alternimit “realitet” – vetëdije” dhe, së dyti në rrafshin e vetëdijes, nëpërmjet alternimit Intersubjektive/Interindividuale. Ky alternim në të dy rrafshet vjen gjithnjë nëpërmjet përgënjeshtrimit të horizontit të autorit.
Njëkohësisht, brenda përvojës së tekstit polifonik, fjala vjen Dostojevski, Xhojsi, etj., Kadareja është unik në orientimin e tij drejt antropologjikes/kozmikes dhe jo etiko-morales. Është pikërisht kjo që e bën unike prozën e tij dhe dialogjizmin e saj, apo pafundësinë e keqe të dialogut. Intersubjektivja dhe interindividualja te Kadareja rreh te kodet antropologjike/kozmike dhe jo etiko-morale.

Sipas studiuesit, dialogjizmi te proza e Kadaresë e bën atë unike në hullinë e teksteve polifonike, i cili në intersubjektive kushtëzon dhe sot polisemantikën e kësaj proze, një polisemantikë, që në raport me “metodën”, pra me kodin socrealist, prodhonte shqetësimin e ekuivokut dhe që në raport me lexuesin e sotëm, prodhon gjithnjë asociacione me “përbindëshat gjeografikë”, siç i quan vetë Kadareja. Dhe është pikërisht kjo teknikë e dialogut intersubjektiv, që i jep prozës së tij karakter universal.

Te proza e Kadaresë mungon koha si kohë historike, por dhe si kohë optimiste e socrealizmit. Në zbritjen në vetëdije, drejt kahjeve të “kohëve të tjera”, kozmike, Kadareja është gjithashtu unik. Kjo gjë i jep prozës së tij karakter onirik dhe surreal. Prej këndej del se i tërë korpusi stilistik i tij është unik në prozën e shekullit të njëzetë. Dhe për këtë duhet shpërblyer. Që Kadare të kryesojë listën potenciale të shkrimtarëve kandidatë për Nobel kjo prej vitesh nuk përbën ndonjë çudi. Ndërsa arsyet e mësipërme shërbejnë si “carta blanca” që ai të fitojë Nobelin, institucioni që akordon këtë çmim që prej vitit 1902, siç ka dhe të shumtë që e kanë akuzuar atë për përzgjedhje të gabuara dhe me raste edhe të çuditshme. Megjithatë, kritikat përgjithësisht janë të natyrës gjeopolitike.
* Manjola Zaçellari, Studiuese/MANJOLA ZAÇELLARI/

Eqerem Çabej, dalin dorëshkrimet e fundit

0

95156Këto ditë doli nga shtypi dhe hyri në qarkullim vëllimi V i veprës “Studime etimologjike në fushë të shqipes” të prof. Eqrem Çabejt, botuar nga Shtëpia botuese “Çabej”, nën kujdesin e Brikena Çabejt. Me daljen nga shtypi të këtij vëllimi plotësohet botimi i të gjithë kolanës së kësaj vepre themelore prej shtatë vëllimesh, një vepër vërtet madhore në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, me vlera të shumta gjuhësore, historike e kulturore kombëtare nga një mjeshtër i madh i gjuhës shqipe dhe i kulturës shqiptare.

Vëllimi V përmban etimologjitë e fjalëve me shkronjat K, L, Ll, M. Një pjesë e vogël e lëndës së këtij vëllimi ka qenë botuar në formë studimesh me titull “Studime rreth etimologjisë së gjuhës shqipe” në “Buletin i Universitetit të Tiranës, seria shkencat shoqërore (1960-1963) dhe ribotuar më pas në vëllimin I të veprës “Studime gjuhësore” të Eqrem Çabejt, Prishtinë 1976. Një pjesë e mirë e etimologjive të këtij vëllimi botohen për herë të parë sipas dorëshkrimeve të lëna nga autori. Grupi që ka përgatitur për botim vëllimin ka bërë disa plotësime referencash bibliografike, shembujsh nga vepra autorësh të ndryshëm të lëna nga autori.

Në vëllimin V që sapo ka dalë nga shtypi janë trajtuar etimologjitë e rreth 1800 fjalëve me burim të ndryshëm, fjalë autoktone të trashëguara nga një periudhë e hershme indoeuropiane, ose të krijuara më vonë brenda shqipes si: kallëzoj, karpë, katund, kohë, kollë, kripë, krua, kthej, ku, kush, kur, kurrë, ky, larë, lashtë, lej, lentoj, leje, lëkurë, lëpjetë, lidh, lig, lodh, lot, mal, man, mbjell, mjaltë, mjel, mjekër mat, mot, etj.; fjalë të huazuara nga gjuhë të tjera, por që janë bërë pjesë e leksikut të shqipes nga latinishtja: kalë, këmishë, këndoj, këshillë, këngë, kërkoj, kërshëndella, krushk, kreshmë, kryq, kujtoj, lavd, letër, lexoj lëvroj, libër, ligj, luftë; mjek, mjeshtër mëshirë, mbroj, maj etj.; nga greqishtja e vjetër dhe e re: kandër, lakër, liqen, mollë, mokër, mështekër, merimangë, kallogjer, lajm, lehonë, lloj, lajthis, livadh etj. ;nga sllavishtja:, kalit, kastravec, kokosh, korit, kosë kockë, kosh, krahinë, kral, krasit, log, lopatë, lubi, mace etj.; nga turqishtja: kalem, kamxhik, karagjoz, karvan, kasap, komshi, lejlek, madem etj., nga gjuhët romane të sotme etj. Brenda fjalëve lema që shpjegohen etimologjikisht gjejnë shpjegim edhe shumë fjalë të tjera që kanë lidhje fjalëformuese e kuptimore me to.

Një interes të veçantë historiko-etimologjik paraqesin fjalët e trashëguara nga ilirishtja ose nga një periudhë e hershme indoevropiane, të cilat dëshmojnë për pasurinë vetjake të gjuhës shqipe, për lashtësinë e saj, për karakterin indoeuropian të saj dhe për vendin që ajo zë në familjen e gjuhëve indoeuropiane.

Shtimi i numrit të fjalëve të trashëguara nga një periudhë e lashtë indoeuropiane e ndryshon raportin midis fjalëve të burimit shqip dhe fjalëve të huazuara në leksikun e shqipes dhe e rrit praninë e shqipes në fjalorë të ndryshëm etimologjikë, krahasimtarë të gjuhëve të familjes indoeuropiane. Nga ana tjetër, edhe fjalët e huazuara nga gjuhë të tjera nuk trajtohen si qëllim në vetvete, por si dëshmi e kontakteve historike e kulturore të shqiptarëve dhe të të parëve të tyre, ilirëve, me popujt të tjerë të botës antike, me gjuhët dhe kulturat e tyre. Në mënyrë të veçantë huazimet nga greqishtja e vjetër dhe huazimet e hershme nga latinishtja sjellin dëshmi të rëndësishme për vendbanimin e hershëm të të parëve të shqiptarëve në vendbanimet e sotme në fqinjësi me grekët e romakët, çka përbën një nga argumentet e qëndrueshme të autoktonisë së popullit shqiptar dhe të origjinës ilire të tyre dhe të gjuhës së tyre.

Në vëllimin V që porsa ka dalë nga shtypi, ka disa fjalë nga greqishtja e vjetër të huazuara nga dialekti dorik si: lakër, mokër, liqen, kandër “lloj insekti”, kandër “enë okatare për vaj”, që dëshmojnë se të parët e shqiptarëve dhe grekët kanë qenë fqinjë që në lashtësi. Po kështu në këtë vëllim lexuesit do të gjejnë të shpjeguara etimologjikisht disa huazime latine të hershme të sferës kishtare si: kërshëndella, kreshmë, i kërshtenë, kishë, kungoj, meshë, mëshirë etj, të cilat janë me vlerë për të dëshmuar se fillimet e krishtërimit janë të hershme te iliro-shqiptarët.

Në pajtim me kriteret e parimet e përgjithshme të përcaktuara nga autori për të gjithë veprën dhe të botuara në vëllimin e parë të saj (Tiranë 1982), etimologjia e fjalëve është konceptuar e realizuar në një vështrim të gjerë. Për fjalët e trajtuara nuk jepet vetëm burimi fillestari i saj, etimoni, siç quhet në gjuhën shkencore, por bëhet historia e fjalës. Për autorin etimologjia nuk synon të zbulojë vetëm burimin fillestar të fjalës, rrënjën e saj, duke shkuar, me sa është e mundur, te gurra më e lashtë e saj, por mëton të ndjekë hap pas hapi jetën dhe historinë e fjalës, të tregojë kohën dhe vendin kur dhe ku shfaqet për herë të parë fjala, trajtën e hershme dhe kuptimin e kryehershëm të saj, përhapjen gjeografike brenda truallit të shqipes dhe jashtë tij, degëzimet e mëtejshme të fjalës në forma dhe kuptime të reja, lidhjet fjalëformuese e gramatikore të saj me fjalë të tjera në sistemin leksikor të shqipes. Kështu “Studimet etimologjike në fushë të shqipes” të E. Çabejt, si për nga konceptimi i gjerë i përmbajtjes së kësaj dege të dijes gjuhësore, si për pasurinë dhe cilësinë e lëndës që trajtojnë, ashtu edhe për nga metoda dhe thellësia e studimit të kësaj lënde, dallohen qenësisht nga “Fjalori etimologjik” i Gustav Majerit dhe nga shumë studime të tjera në këtë fushë.

Gjatë trajtimit etimologjik të fjalëve, autori së pari bën një shqyrtim kritik për studimet e kryera para tij në këtë fushë studimesh, bën pra një shoshitje të mendimeve që janë shprehur nga studiues të tjerë për etimologjinë dhe historinë e çdo fjale, mban qëndrim ndaj shpjegimeve të pasakta, mbështet dhe vlerëson shpjegimet e drejta dhe i plotëson dhe i argumenton më tej ato me të dhëna të reja dhe interpretime të reja, sjell gjithashtu edhe shumë etimologji të reja të patrajtuara më parë.
Në pikëpamje të metodës shkencore vlen të vihet në dukje se E. Çabej në studimet e tij etimologjike të leksikut të shqipes niset në radhë të parë nga vetë gjuha shqipe, nga të dhënat dhe burimet e brendshme të gjuhës shqipe, të të folmeve dhe dialekteve të saj në të gjitha trojet, duke përfshirë edhe ngulimet arbëreshe, nga të dhënat që vijnë nga tekstet e vjetra të shekujve XVI-XVII dhe nga botimet e mëvonshme të Rilindjes Kombëtare dhe të kohëve të reja.

Vetëm pasi sqarohet vendi që zë fjala në sistemin leksikor të shqipes, për të ndriçuar më tej historinë dhe etimologjinë e saj autori shtyhet më tej në krahasime me fjalë e trajta të gjuhëve të tjera të familjes indoeuropiane, ku bën pjesë edhe shqipja. Nga ky këndvështrim studimet etimologjike të E. Çabejt dallohen nga studimet e kryera nga shumë albanologë të huaj, që janë nisur së pari nga krahasimet me gjuhë tjera për të ardhur te krahasimet brenda gjuhës shqipe. Një metodë e tillë ka çuar shumë herë në përfundime të pasakta për burimin e fjalëve të shqipes, duke vështruar si huazime mjaft fjalë që rezultojnë të jenë me burim vendës. Duke zbatuar një metodë të tillë shkencore, prof. Eqrem Çabej ka arritur të zbërthejë me mjete të brendshme të saj etimologjinë e mjaft fjalëve të shqipes që studiues të tjerë i kishin trajtuar si huazime gjuhësh të tjera.

Nuk ka mbetur jashtë vështrimit të autorit edhe synimi për të ndjekur shtegtimin e fjalëve të shqipes në gjuhë të tjera me të cilat shqipja ka qenë në kontakt, për të vënë në dukje krahas huazimeve edhe rolin dhënës të saj si bartëse e një qytetërimi të lashtë e të veçantë.

Prejardhja e fjalëve, historia e tyre në veprën e Çabejt nuk shihen e studiohen si qëllim në vetvete dhe vetëm nga ana gjuhësore. Historia e fjalëve, burimi i tyre, evoluimi i tyre formal e kuptimor shihen në lidhje të ngushtë me dukuritë historike e kulturore, me kulturën materiale e shpirtërore të popullit që e flet. Prandaj vepra e tij nuk ka rëndësi thjesht gjuhësore, por edhe kulturore e historike, ka rëndësi për studime etnografike, etnologjike, folklorike etj.
Eqrem Çabej në studimet e tij etimologjike e studion gjuhën shqipe në të gjithë shtrirjen e saj kohore dhe hapësinore dhe në ndërlidhjet e saj komplekse me elementet e tjera etnokulturore për të ndriçuar e shpjeguar prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre, fatet dhe zhvillimin historik të tyre që nga lashtësia deri në ditët tona, kontaktet gjuhësore dhe kulturore me popuj të tjerë gjatë shekujve; për të vënë në dukje dhe për të shpjeguar qëndresën dhe mbijetesën e gjuhës shqipe gjatë shekujve në kushtet e sundimit të gjatë të perandorive të mëdha në trojet e saj. Ai kërkonte rrënjët e fjalëve për të gjetur rrënjët e populli, lashtësinë e tij dhe të kulturës së tij, origjinalitetin e tyre në rrethin e gjuhëve dhe të kulturave të Europës.

Prandaj vepra e tij “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, thellësisht shkencore nga metoda e trajtimit, për nga gjerësia dhe larmia e lëndës, nga përmbajtja e pasur dhe ndërthurja e fakteve gjuhësore me elemente historike, kulturore, onomastike, etnografike etj., ka marrë trajtën e një enciklopedie me vlera të shumanshme për shumë fusha të dijes. Ajo është një burim themelor për studime të mëtejshme në fushë të fonetikës dhe të gramatikës historike të shqipes, të leksikologjisë historike, për studime onomastike, për studime etnokulturore etj. Përtej shqipes, këto studime janë një mbështetje e rëndësishme edhe për gjuhësinë ballkanike dhe indoeuropiane.
*Seit Mansaku, Gjuhëtar

Wisner: Për keqardhje, mos krijimi i institucioneve

0

Frank WisnerIsh-ndërmjetësi amerikan në bisedimet për statusin, Frank Wisner, i kë bërë thirrje lidershipit politik kosovar që të krijojnë sa më shpejt institucionet, pasi që zvarritja mund të ketë një sërë pasojash për Kosovën.

Në një intervistë për “Interaktiv” në KTV ai ka numëruar pasojat që ai beson se Kosova do të ketë nëse vazhdon kriza politike.

“Kjo që po ndodh është shumë për keqardhje dhe jemi në një periudhë kur arsyetimet nuk mjaftojnë më. Ne të gjithë mund të themi që ju keni organizuar zgjedhje shumë të mira para 3 muajsh, duke përmbushur të gjitha standardet botërore. Paaftësia për të krijuar qeverinë e re ka një sërë pasojash që dua që të gjithë në Kosovë t’i kenë parasysh”, ka thënë Wisner.

Sipas tij, kjo më së shumti e prek imazhin që bota ka për Kosovën.

“A do të jeni kandidat i mirë për BE nëse nuk jeni në gjendje të krijoni qeverinë tuaj? A do të jeni partner i mirë në paqe me Serbinë pa qeveri? A do të keni prospekt për t’iu bashkuar NATO-s në sistemin perëndimor të sigurisë?”, ka thënë Wisner.

Por, përkundër faktit që afrimi i palëve nuk duket askund, Wisner thotë se me përvojën që kishte me Ekipin e Unitetit, beson se liderët politikë do të dinë të bëjnë kompromise e të merren vesh për të mirën e shtetit.

Nait Hasani kërkon të rritet numri i studentëve në UPZ

0

Nait HasaniIsh-deputeti i Palamentit të Kosovës, Nait Hasani ka kërkuar që të rritet numri i studentëve të rinj në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.

“Të rinjët nuk duhet të lihen rrugëve”,ka thënë Hasani për TVO.

Ai thotë se këtë kërkesë do ta doërzojë në formë të shkruar edhe në Ministrinë e Arsimit në Prishtinë/PrizrenPress.com/

Brovina kërkon shtyrjen e seancës konstituive

0

FloraBrovina-deputeteKryesuesja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina ka dërguar kërkesë tek sekretariati i Kuvendit me anë të së cilës ka kërkuar që të shtyhet seanca konstituive e planifikuar të mbahet të enjten më 2 tetor.

Burime të lajmi.net brenda Kuvendit, kanë njoftuar se arsyeja për shtyrjen e seancës, është bërë në mënyrë që partitë të kenë në dispozicion kohë të mjaftueshme për gjetjen e një konsensusi drejt themelimit të institucioneve të reja.

“Flora Brovina ka dërguar një kërkesë tek sekretariati i Kuvendit për të shtyrë mbajtjen e vazhdimit të seancës konstituive. Qëllimi i kësaj kërkese është vazhdimi i konsultimeve në mes të partive politike me ndërmjetësim të Presidentes Jahjaga”, thotë ky burim.

Ndërkohë, pas përfundimit të sotëm të takimeve në mes të përfaqësueseve të PDK-së dhe Bllokut LAN dhe VV dhe Presidentes Atifete Jahjaga, kjo e fundit ka njoftuar se deri më tani nuk është arritur ndonjë zgjidhje, dhe se ka bërë të ditur se takimet e këtij lloji do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Historia e Amerikës prezantohet në Kosovë përmes ekspozitës

0

historia e amerikesProjekti i ekspozitës ’American Life’ do jetë i pari i këtij lloji dhe do mundohet të krijojë një tregim dokumentar nëpërmjet fotografive artistike dhe transmetimit të historisë dhe ngjarjeve të popullit amerikan tek populli i Kosovës dhe vendet fqinje. Duke filluar nga fundi i shekullit 19, tregimi ‘American Life’ do ofrojë një shikim më të thellë në jetën, traditën, sfidat, sferën kulturore dhe do të demonstrojë edhe evolucionin dhe transformimin e shoqërisë, ekonomisë dhe pop kulturës.

Një ekspozitë prej 70 fotografishë të një koleksioni nga biblioteka e Kongresit do të shfaqet nga 23-31 tetori 2014, në Muzeun e Kosovës, në Prishtinë. Kjo ekspozitë organizohet nga Fondi Kosovaro Amerikan për Edukim (KAEF) me përkrahje nga Këshilli Amerikan për Arsim Ndërkombëtar.

Ekspozita do të përfshijë imazhe të Bibliotekës së Kongresit, të papara në Kosovë më parë, nga koleksioni i shtypit dhe ai i fotografive. Koleksioni C.H. Grabill, për të cilin mendohet të jetë ndër më të mëdhenjtë që kanë mbijetuar nga ky fotograf i talentuar i fotove të hershme ‘western’ – prezanton imazhe të krijuara mirë, me tonin sepia, dhe përmbledhin lëvizjet e kolonive perendimore në Dakotën jugore dhe Wyoming, si dhe dokumenton efektet e tyre në zonat e komuniteteve autoktone. Ndërsa, koleksioni ‘Edward S. Curtis’ ofron një vështrim unik të punës së këtij artisti në kulturën autoktone.
Koleksioni në eskpozitë përfshin një sëre portretesh individuale apo grupore, si dhe kostume tradicionale e ceremoniale, vendbabime dhe streha të tjera, bujqësinë, artizanate, rituale dhe ceremoni, vallëzime, lojra, përgatije ushqimesh, transport, dhe pejsazhe të tjera.

Projekti i ekspozitës ’American Life’ do jetë i pari i këtij lloji dhe do mundohet të krijojë një tregim dokumentar nëpërmjet fotografive artistike dhe transmetimit të historisë dhe ngjarjeve të popullit amerikan tek populli i Kosovës dhe vendet fqinje. Duke filluar nga fundi i shekullit 19, tregimi ‘American Life’ do ofrojë një shikim më të thellë në jetën, traditën, sfidat, sferën kulturore dhe do të demonstrojë edhe evolucionin dhe transformimin e shoqërisë, ekonomisë dhe pop kulturës.
Shefja për Strategji dhe Zhvillim në Këshillin Amerikan Miriam Parel ka theksuar se është e ngazllyer që miqve kosovarë do t’u ofrohen këto pamje nga historia dhe kultura amerikane.

“Përmes KAEF-it, kemi pasur fatin të mësojmë shumë për historinë dhe traditat kosovare përderisa vazhdojmë të ndërtojmë së bashku një komunitet të vazhdueshëm; ne po ndajmë me ju të gjitha aspektet e kulturës sonë për të promovuar mirëkuptim dhe bashkëpunim të ndërsjellë”, ka thënë ajo.
Parel ka thënë se planifikon që seria ‘American Life’ të prezantohet edhe në të ardhmen me ekspozita të tjera – pas këtij edicioni special të kësaj ekspozite shitëse. Fondi Kosovaro Amerikan për Edukim (KAEF) do jetë përfitues i shitjeve të këtij koleksioni fotografishë. Asnjëherë të ekspozuar më parë, këto fotografi ne shitje ofrojnë mundësinë e vetme për t’i blerë këto imazhe historike dhe unike./KultPlus.com

Jahjaga kërkon dialog mes liderëve

0

Atifete jahjagaPresidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takime të ndara, fillimisht përfaqësuesit e PDK-së, e pastaj edhe në takim të përbashkët ata të Bllokut VLAN, për të diskutuar për procesin e krijimit të institucioneve të Kosovës.

Presidentja Jahjaga në takimet e zhvilluara theksoi se ndërtimi shpejtë i institucioneve të vendit është domosdoshmëri dhe kjo do të hap perspektivën për qytetarët e vendit dhe proceset demokratike.

“Presidentja ritheksoi edhe njëherë faktin se zgjidhjet duhet të gjenden brenda kuadrit kushtetues, në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe theksoi se liderët e partive politike parlamentare duhet të gjejnë mënyrat për diskutuar bashkë zgjidhjet për konstituimin e Kuvendit, që hap rrugën drejt krijimit të institucioneve të vendit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Më tej shtohet se ajo kërkoi nga liderët e partive politike parlamentare duhet të ofrojnë propozime dhe sugjerime për të dalë nga situata e krijuar duke mundësuar lehtësimin e mëtejmë të diskutimeve mes tyre.

“Liderët e partive politike parlamentare e vlerësuan rëndësinë e takimeve me presidenten dhe theksuan nevojën që të arrihet zgjidhja për krijimin e institucioneve të vendit. Takimet e Presidentes Jahjaga me liderët e partive politike parlamentare do të vazhdojnë në ditët në vijim”, përfundohet në njoftimin e presidentes Jahjaga.

Eqrem Kryeziu nuk komenton procesin zgjedhor të LDK-së në Prizren

0

EqremKryeziu-ldkIsh- kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Eqrem Kryeziu nuk ka pranuar të komentojë garën zgjedhore që LDK-ja po e mban në Prizren.

“Jo nuk kam koment sepse kjo i bjen si me e majtë kalin për bishti”, tha Kryeziu për “PrizrenPress”.

Në qershor të këtij viti Kryeziu pat dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet e LDK-së. Këtë dorëheqje ai e pat ofruara vetëm disa ditë pasi KQZ-ja shpalli rezultatet e zgjedhjeve nacionale.
Kryeziu për një kohë të gjatë ka qenë kryetar i Degës së LDK-së në Prizren.

Pas dorëheqjes së tij, në Degën e LDK-së në këtë qytet gjatë këtij muaj ka filluar gara e brendshme zgjedhore. Deri më tash pesë kandidatë kanë shpallur kandidaturën e tyre për të “zëvendësuar” Kryeziun në LDK-në e Prizrenit./PrizrenPress.com/

Filloi viti i ri akademik në UPZ

0

upz-620x330Sot ka filluar viti i ri akademik 2014/2015 në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.
Prof. dr. Zahadin Shemsidini, u. d. rektor i UPZ-së, studentëve të rinj të Fakultetit Juridik, të Fakultetit të Ekonomisë, të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, të Fakultetit të Edukimit dhe të Fakultetit të Filologjisë, u ka dëshiruar mirëseardhje, duke u uruar suksese në studimet e tyre.

Ai theksoi se vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e Universitetit të Prizrenit ka qenë mjaft i qëlluar që ka kontribuar në uljen e kostos së studimeve për studentët e këtij regjioni dhe me gjerë.
Ai tha se nga menaxhmenti i më parshëm dhe ai aktual ka është punuar mjaft që studentët e këtij universiteti të kenë infrastrukturë adekuate dhe cilësi në studimet e tyre universitare.

Prof. dr. Artan Dermaku, dekan i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike theksoi se “Universiteti ynë për herë të parë në Kosovë ka fakultet të Shkencave Kompjuterike mjaft kualitativ duke kërkuar nga ata që të angazhohen dhe theksoi se suksesi nuk do të mungojë”,transmeton TVPZ.

Prof. dr. Bekim Berisha, dekan i Fakultetit të Ekonomisë, u dëshiroi mirëseardhje studentëve të rinj të këtij fakulteti duke u dëshiruar suksese. Ai prezantoi para studentëve të rinj profesorët e lëmive përkatëse të cilët do tu ligjërojnë gjatë studimeve të tyre në këtë fakultet.

Gjithashtu edhe Prof. Dr. Arif Rizaj dekan i Fakultetit Juridik dhe Prof. Dr. Ismet Temaj, dekan i Fakultetit të Edukimit e mbajtën nga një fjalë përshëndetëse para studentëve të rinj, duke u dëshiruar suksese në studimet e tyre.

Në fund, kryetari i Parlamentit Studentor, Nehat Gashi u uroi mirëseardhje studentëve të rinj duke u dëshiruar suksese dhe bashkë me strukturat e këshillave studentore të fakulteteve kanë bërë shpërndarjen e çantave dhe broshurave informative për studentët e rinj.

Prizren: Gjykata ia vazhdon paraburgimin tre të dyshuarve për kontrabandë me njerëz

0

Gjykata-qekiqiGjykata Themelore në Prizren, ia ka vazhduar paraburgimin Ifraim Shalës, Admir Sopajt dhe Sylë Krasniqit nga Suhareka. Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale të kontrabandimit me njerëz.

“Të pandehurve, iu vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj, i cili zgjatë deri më datën 04.12.2014”,njoftoi zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren.

“Të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale për të cilat parashihen dënimet e rënda me burg,pasi që kanë qenë të gatshëm që për personat e kontrabanduar të sigurojnë dokumentacion të rrejshëm dhe të falsifikuar për të kaluar kufijtë , në atë mënyrë ,që iu kanë siguruar personave të interesuar shkuarjen në shtetet e ndryshme të Evropës me kompensim me të holla duke siguruar edhe përfitime materiale në shumën prej 1500 deri 2500 euro”/PrizrenPress.com/