23.3 C
Prizren
E premte, 1 Gusht, 2025
Home Blog Page 7883

16 vjet nga masakra e Rahovecit

0

Rahoveci5-22Më 19 korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur. Në Tehqen e Sheh Myhedinit në Rahovec janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.

Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua, ndërsa gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.

Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi tregojnë se ushtria, policia dhe paramilitarët serb kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht.

Gjatë kësaj ofensive u morën peng u zhdukën e u kidnapuan shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit serb në Prizren, më 22 korrik, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe varrosën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës në Rahovec.

Krasniqi: Vendimi do të jetë në anën e PDK-së

0

MemliKrasniqi_ministri kulturesNënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shprehur optimizëm se Gjykata Kushtetuese do të vendosë në favor të lëndës së kësaj partie për vlerësimin e shkeljes së Kushtetutës në seancën konstituive të Kuvendit, në të cilën Isa Mustafa është zgjedhur kryeparlamentar.

Në një intervistë për “Epokën e re”, Krasniqi ka thënë se kanë ofruar argumente të mjaftueshme të cilat do ta bindin Kushtetuesen se gjatë kësaj seance janë shkelur Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit.

“Padyshim se në materialin që dorëzuam kemi përshkruar të gjitha faktet, të mbështetura në argumentet tona, përfshirë edhe dokumentet përcjellëse. Normalisht se është në kompetencë të Gjykatës Kushtetuese të dërgojë edhe më tutje dokumentacione apo materiale shtesë nga institucionet e tjera”, ka thënë Krasniqi.

Në këtë kontekst, Krasniqi e ka akuzuar koalicionin LDK-AAK-Nisma, i cili sipas tij ka tentuar ta uzurpojë Kuvendin e Kosovës.

Ai ka shprehur optimizëm se Gjykata Kushtetuese do të vendosë në favor të kësaj parashtrese.

“Unë besoj se, mbi të gjitha, është e qartë se të enjten me të vërtetë kishte tentim për ta uzurpuar institucionin e Kuvendit. Dhe jam i sigurt se një gjë e tillë do të pengohet edhe nëpërmjet aktgjykimit që ne besojmë se do të merret nga Gjykata Kushtetuese. Do të jetë në linjë me vlerësimin që i kemi dhënë ne si grup i deputetëve”, është shprehur Krasniqi, duke shtuar se në seancën konstituive është vendosur se kush është grupi më i madh parlamentar.

“Në seancën konstituive, në pjesën e parë të zhvillimit të punimeve me 117 vota për, pa asnjë kundërshtim dhe asnjë abstenim, është miratuar raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe imuniteteve të deputetëve, sipas të cilit, grupi i parë parlamentar është grupi i cili udhëhiqet nga PDK-ja, pastaj vijnë grupet e tjera ashtu siç KQZ-ja i ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka thënë se mosurimi i shteteve mike lidhur me zgjedhjen e Isa Mustafës si kryeparlamentar është dëshmia më e mirë se ka pasur shkelje të çdo norme juridike.

“Mendoj se kjo është një dëshmi shtesë se ka një kontestim të përgjithshëm dhe universal për procesin e pashembullt me të cilin është tentuar ta imponojë zgjedhjen e Isa Mustafës si kryetar i Kuvendit”, është shprehur Krasniqi.

Ai ka thënë se presin përgjigjen nga Gjykata Kushtetuese, në mënyrë që PDK-ja t’i drejtoj dy institucionet si parti fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit.

“PDK-ja do ta propozojë kandidatin e vet, i cili do të zgjidhet kryetar i Kuvendit dhe atëherë do ta formojë edhe Qeverinë e re”, është shprehur Krasniqi.

I pyetur nëse vendi mund të shkoj në zgjedhje të reja, për shkak të këtij ngërçi politik, Krasniqi ka thënë se zgjedhjet e parakohshme tani për tani nuk janë zgjidhje e mirë.

“Unë nuk mund ta paragjykoj një situatë të tillë, edhe pse diçka e tillë parashihet me Kushtetutë dhe me ligje. Besoj se zgjedhjet e parakohshme nuk janë një zgjidhje e mirë tash për tash. Ka edhe shumë hapa të cilët do ta mundësojnë të zgjidhjet ky ngërç politik në të cilën tani gjendemi të gjithë”, ka thënë Krasniqi.

Kabashi dështon ta sjellë Laura Pulën në krye të Prokurorisë

0

IsmetKabashi-kryeprokuroriKandidatja për kryeprokurore të Shtetit, Laura Pula, nuk ka marrë të premten vota të mjaftueshme as për ushtruese të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit.

Katër nga shtatë anëtarët e Këshillit Prokurorial kanë votuar kundër propozimit dhe insistimit të kryeprokurorit në largim, Ismet Kabashi.

Nga 5 gushti 2014 shteti do të mbetet pa kryeprokuror, për shkak të pensionimit të Ismet Kabashit, dhe anulimit nga Gjykata Kushtetuese të zgjedhjes së pasuesit të tij, Aleksandër Lumezi. Procesi është kthyer në pikën zero. Për të mos e lënë shtetin pa kryeprokuror, Këshilli Prokurorial ka provuar ta emërojë një ushtrues detyre, ani se ligjet dhe Kushtetuta nuk parashohin emërimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit./koha ditore/

Gjykata mund ta rrëzojë Isa Mustafën, çështja mund të kthehet në pikën zero

0

MazllumBaraliuDeputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët u janë drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese, në njërën prej kërkesave e kanë futur edhe vendosjen e masës së parakohshme për pezullimin e procesit konstituiv të Kuvendit, deri në pritje të vendimit përfundimtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Nëse Gjykata vendos që të marrë këtë masë, atëherë Isa Mustafa i cili ka marrë votat për të qenë kryeparlamentar, nuk mund të marrë asnjë veprim deri në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Një gjë e tillë është e drejtë dhe kushtetuese, sipas njohësit të Kushtetueses Mazllum Baraliu. Ky i fundit ka thënë për KosovaPress, se kjo gjë mund të ndodhë vetëm pasi Gjykata, të bëjë vlerësimin e parashtresës, të shoh se cilat janë provat dhe a ka të bëjë me shkelje të kushtetueses.

Baraliu nuk ka dashur të flasë rreth asaj se a është zgjedhur me të drejtë kryeparlamentari, pasi sipas tij ka shumë të panjohura.

“Palët kontestojnë njëra tjetrën. Njëra konsideron se ka qenë në rregull, ndërsa tabori tjetër konsideron se nuk ka qenë, dhe prandaj edhe shqetësimet e veta i ka shpreh në Gjykatë. Deri sa gjykata të vendos, nuk dua të paragjykoj, pasi që ajo është kompetente për ta vendosur çështjen”, ka thënë Baraliu për KosovaPress.

Mirëpo, sipas tij, Gjykata mund të vendos që të ja marrë këtë të drejtë Isa Mustafës, pasi që vendimi i saj i mëhershëm nuk njeh koalicion paszgjedhor.

“Disa gjëra sipas mendimit tim, janë thënë në mendimin e mëhershëm të Gjykatës, ku thotë se nuk ka koalicioni paszgjedhore dhe në fakt prioritet i ka dhënë për rastin e mandatimit të kryetarit, partisë e cila ka fituar numrin më të madh të votave elektorale, e jo asaj e cila ka më të madh numrin e ulëseve në Kuvend. Pra, disa gjëra janë të ditura në vendimin e parë të Gjykatës, dhe mendoj se në këtë vazhdë mund të veprojë gjykata përsëri, por që mund të merr edhe një vendim tjetër. Është çështje e saj se si duhet të veprojë”, ka thënë Baraliu.

Pra, sipas Baraliut, nëse gjykata sërish nxjerrë vendim të njëjtë dhe të thotë se ka shkelje, atëherë çështja kthehet në pikën zero, në fillim.

Mustafa i kontestuar edhe një muaj

0

Isa Mustafa-kryeparlamentarDeputetët e PDK-së e kanë bërë të premten çështje kushtetuese aktin e zgjedhjes së Isa Mustafës për kryetar të Kuvendit. Përgjigje nuk pritet të marrin para një muaji.

Për pasojë, posti do t’i kontestohet Mustafës deri atëherë. Shkaku i kësaj situate, presidentja Atifete Jahjaga nuk ka krijuar ndonjë raport institucional me të. As përfaqësitë diplomatike nuk i kanë shprehur publikisht ndonjë urim.

Përgjigjja se a do të mbetet në pozitë apo do të rrëzohet Mustafa nuk do të merret shpejt. Një burim që njeh procedurën e vendimmarrjes në Kushtetuese ka thënë se në versionin më optimist, Gjykata mund të përgjigjet tek në pjesën e dytë të gushtit../koha ditore/

Remi: S’do të më vinte keq të provoja opozitën

0

RrustemMustafa–RemiDeputeti i PDK-së Rrustem Mustafa- Remi, në emisionin “Argument Plus” në RTV21, ka thënë se në rast se Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të rregullt seancën konstituive të Kuvendit dhe e legjitimon, Isa Mustafën si kryetar të Kuvendit, PDK do ta pranoj një vendim të tillë dhe do ta njohin Mustafën si kryeparlamnetar.

Ndërkaq, tha se do të donin që sërish të përsëritet seanca për të vazhduar aty ku kanë mbetur në pikën e tretë.

Ndërsa, i pyetur se si do të ndihet që Partia Demokratike të Kosovës të dal në opozitë, Remi tha se nuk do i vinte keq që pas dy mandateve të provojë opozitën.

Ja si u rrëzua avioni i “Malaysia Airlines” (Video)

0

Malaysia Airlines-avioni298 persona humbën jetën kur fluturimi i MH17 u qëllua nga raketa dhe u rrëzua.

Derisa qeveria ukrainase dhe seperatistët pro-rusë vazhdojnë të fajësojnë njëri-tjetrin, janë publikuar pamjet e para të rrëzimit të aeroplanit.

 

Në Prizren u protestua në përkrahje të palestinezëve

0

Prizren-protest ne perkrahje te palestinezveNë qytetin e Prizrenit sot është mbajtur një protestë në përkrahje të Palestinës.

Qytetarët thanë se nuk pajtohen me sulmet izraelite ndaj popullatës civile në Gaza.

Prizreni u është bashkuar shumë qyteteve në botë të cilat po mbajnë protesta të ngjashme.

Ndërkohë për më shumë se një javë nga sulmet izraelite me raketa kanë humbur jetën mbi 260 palestinezë, kryesisht civilë.

Matoshi: Thaçi nuk do të kandidohet për Kryeministër

0

HalilMatoshi-analistEmri i Agim Aliut i propozuar nga PDK-ja për kryetar të Kuvendit bëri të qartë faktin se i njëjti skenar do të përsëritet edhe kur është fjala për kryeministrin.

Kështu mendon analisti Halil Matoshi i cili është i bindur se nuk do të jetë Hashim Thaçi kandidat për kryeministër.

“Unë mendoj se ka me qenë i njëjti skenar, sikur edhe në seansën konstituive të djeshme. Unë mendoj se prapë Thaçi nuk do të kandidohet për kryeministër për arsye të thjeshtë sepse është duke e ditë se ai nuk i ka numrat për mandatar, ai nuk është mësu me e duru humbjen, prandaj unë besoj që ai në një mënyrë ose tjetër do të gjejnë një eskivim nga kjo situatë dhe nuk do të del fare para Kuvendit që të kërkoj votën e Kuvendit”, tha Matoshi për KTV.

Mustafa: Gjykata nuk merret me vlerësime politike – uzurpuese është PDK-ja

0

Isa Mustafa-kryeparlamentarUzurpimi i ulëseve të Kuvendit nga PDK ishte i paligjshëm, sikurse edhe veprimet okupuese të Flora Brovinës si kryesuese e seancës. Ne nuk i frikësohemi asnjë vendimi të Gjykatës Kushtetuese, pasi ajo s’merret me vlerësime politike. Nëse situata përsëritet, atëherë, koalicioni LDK-AAK-NISMA do të fuqizohet edhe më shumë. Mirëpo, secili duhet ta dijë se 83 deputetë mund të vendosin edhe për ndërrimin e Kushtetutës. Ende kemi hapësirë për arritjen e një marrëveshjeje me Vetëvendosjen. Kryeparlamentari i ri, Isa Mustafa, flet për Express.

Express: Pse vendosët që të mos uleshit në karriget që Kryesia dhe Sekretariati i Kuvendit i kishin rezervuar për deputetët e koalicionit?

I. Mustafa: Pasi ulëset e parapara për LDK’në ishin të uzurpuara nga PDK’ja dhe koalicioni i PDK’së dhe nuk e konsideruam që një mbledhje konstituive të Kuvendit ta shfrytëzojmë për të luftuar për karrige të Kuvendit. Këtë ne e konsiderojmë si thyerje të vendimit të Kryesisë dhe thyerje të rregullave për çka u betuan dje të gjithë deputetët e Kuvendit e edhe ata të koalicionit të PDK’së. Por, nuk dëshiruam ta shfrytëzojmë këtë situatë që të lindë ndonjë mosmarrëveshje ose konflikt për arsye të karrigeve. Ne u sollëm shumë tolerantë në mënyrë që seanca të zhvillohej dhe të kryhej procedura e konstituimit. Por, gjithnjë vlerësojmë se vendet e mesit në Kuvend i takojnë grupit më të madh parlamentar dhe ky grup është ai i LDK-AAK-NISMA me 47 deputetë.

Express: Megjithëkëtë, PDK e shfrytëzoi këtë dhe u ulën në ulëset e mesit, ndërkohë, ju më herët keni thënë se do të qëndroni në këmbë nëse ato ulëse uzurpohen nga deputetët e PDK’së?

I.Mustafa: Ne kemi hyrë në seancë që të mos ketë asnjë përplasje lidhur me karriget. Meqenëse, në rendin të cilin u ulëm kishte vetëm 37 vende, ndërkaq, ne jemi 47. Ne pranuam që një pjesë e deputetëve të Grupit Parlamentar të uleshin në pjesën e fundit të ulëseve të mesme në mënyrë që deputetët të mos qëndrojnë në këmbë sepse ishte mbledhje punuese. Ne iu përmbajtëm asaj që të mos ketë asnjë përplasje lidhur me ulëset sepse konsiderojmë se është gjest shumë i ulët që në seancën konstituive të ketë probleme se ku do të ulen deputetët. Megjithatë, ne mbesim prapa qëndrimit se duhet të zbatohen vendimet e Kryesisë, ata të heqin dorë prej atyre vendeve dhe të ulen aty ku e kanë vendin.

Express: Të gjithë prisnin që dje në mëngjes të arrihej marrëveshja Koalicion – VV, por ai nuk u arrit. Çfarë ndodhi?

I.Mustafa: Ne kemi punuar shumë dhe kemi pasur përafrime shumë në qëndrimet me Vetëvendosjen. Konsideroj se edhe kësaj radhe t’i falënderohem Vetëvendosjes në qëndrimin shumë konstruktive që e patën dje në Kuvend dhe qëndrimi shtetformues sepse ata gjithnjë ishin prezentë aty, në të gjitha etapat e konstituimit të Kuvendit. Por, ne nuk arritëm të harmonizojmë qëndrimet sepse ishte koha shumë e shkurtër sa i përket qëndrimeve tona lidhur me dialogun dhe lidhur me procedimet lidhur me privatizimin dhe marrëveshjeve lidhur me dialogun. Ne edhe më tutje duhet të bisedojmë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe ka hapësirë të mëdha që t’i bashkërendisim dhe të gjejmë interesin tonë të përbashkët.

Express: A ishit pajtuar me Vetëvendosjen një natë para se të mbahej seanca konstituive, pasi kështu u raportua?

I. Mustafa: Ne u pajtuam që të kemi një marrëveshje të përbashkët. Ne do ta diskutonim atë marrëveshje në mëngjes. Unë isha në bisedë me z. Kurti dhe dy bashkëpunëtorët tanë, z. Kujtim Shalën dhe z. Dardan Molliqaj. Biseduam gjatë dhe konstatuam se kemi shumë interesa që na bashkojnë, mirëpo, atë natë ne nuk e kemi shikuar tekstin përfundimtar, i cili është punuar më vonë nga z. Shala dhe z. Molliqaj. Ishte problemi për disa pika, për të cilat, ne nuk pamë mundësi që menjëherë të japim pëlqimin tonë e sidomos me drejtimin e dialogut nga Vetëvendosje, sepse drejtimi dialogut bëhet nga Kryeministri i ardhshëm. Ndërkaq, për çështje të tjera ka hapësirë të gjejmë gjuhë të përbashkët. Megjithatë, konsideroj se dje Lëvizja Vetëvendosje e ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe përkundër asaj që nuk na ka votuar. Ata kanë qenë prezentë në seancë gjatë gjithë seancës dhe kanë dhënë kontributin e tyre.

Express: Edhe me tutje faktorët kyç nga Bashkësia Ndërkombëtare, por edhe Presidentja e vendit, kane hezituar t’i nisin urimet ne adresën tuaj. Çfarë thotë për ju ky hezitim?

I.Mustafa: Për mua është me rëndësi që në seancën e djeshme kanë qenë 83 deputetë në sallë. Kanë qenë 2/3 dhe kam marrë shumicën e votave, apo 65, që është më shumë se shumica e numrit të deputetëve të Republikës së Kosovës. Ky është suksesi më i madh politik sepse vota është çështje e përcaktimit politik dhe nuk është çështje e procedurave të Kuvendit. Nëse në Kuvend kanë qenë prezentë 83 deputetë që janë 2/3, atëherë, ata 83 deputetët marrin vendimet më të rëndësishme që janë ta parapara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Çështja e asaj se kur marr urime prej ndërkombëtareve është çështje e tyre. Unë urimet i kam marrë dje prej deputetëve të Republikës së Kosovës dhe e kam marrë besimin e tyre. Këtë besim unë do ta ushtroj në harmoni me votën e tyre.
Expresss: A frikësoheni që ju mund të jeni viktima e dyte, prej radhëve të LDK’së, që do të rrezohet prej Gjykatës Kushtetuese?

I.Mustafa: Unë nuk frikohem fare nga asnjë vendim i Gjykatës Kushtetuese. Mirëpo, Gjykata Kushtetuese nuk vendos se si do të votojnë deputetët e Republikës së Kosovës. Vota e deputetëve ka ndodh, qëndrimi i deputetëve është aty dhe kjo është çështje politike. Vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk duhet t’i frikësohemi por ato vendime duhet të jenë në harmoni me Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuta thotë që Kryetari i Kuvendit propozohet nga Grupi më i madh parlamentar, i cili është themeluar në bazë të dispozitave kushtetuese, dhe Kushtetuta nuk parasheh rrethana kur një kryesuese e Kuvendit e uzurpon dhe pengon zhvillimin e rregullt të seancës së Kuvendit. E kanë parë të gjithë se për rreth tri orë është penguar vazhdimi i seancës së rregullt. Ne kemi besim në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo, secili jemi të vetëdijshëm se kjo gjykatë s’merret me vlerësime politike, por merret vetëm me aspekte juridike.

Express: Nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese flet negativisht për ju, cili do të jetë fati i koalicionit?

I.Mustafa: Gjykata Kushtetuese s’mund të vendosë se kush do të jetë Kryetar i Kuvendit. Gjykata Kushtetuese i ka procedurat e veta dhe koalicioni mund të fuqizohet edhe më shumë. Mendoj, se nëse i hyjmë edhe një herë këtij procesi ne do të kemi më shumë se 80 vota për Kryetar të Kuvendit. Prandaj, ardhmëria e koalicionit do të jetë edhe më i fuqishëm, por nuk shoh asnjë arsye të kontestohet vullneti i 83 deputetëve të pranishëm në seancë.

Express: Pas seancës konstituive, Kryetari i PDK’së, Hashim Thaçi tha se Parlamenti u uzurpua nga partitë tjera. Cila është përgjigja juaj?

I.Mustafa: Mendoj se ai duhet të merret më shumë me problemet politike, sepse nëse dikush ka uzurpuar Kuvendin, atëherë, ajo është Flora Brovina, e cila ka qenë deputete e koalicionit të PDK’së dhe e cila ka penguar mbarëvajtjen e seancës konstituive të Kuvendit. Të gjithë e kanë parë se cka ka ndodhur në seancë dhe ne kemi qenë shumë të durueshëm, shumë tolerant dhe kemi reflektuar kulturë demokratike. Ne vetëm e kemi shfrytëzuar të drejtën tonë që të vendosim me shumicën e deputetëve.
Express: Kur do të caktohet seanca e radhës së Kuvendit?

I. Mustafa: Seanca e radhës do të caktohet më bashkëpunim me grupet parlamentare sepse kemi të bëjmë me disa propozime, të cilat do t’i marrim për Nënkryetarët e Kuvendit nga koalicioni LDK-AAK-NISMA, një Nënkryetar nga PDK’ja, një Nënkryetar nga Lista “Srpska”, sepse janë zgjedhur vetëm dy nënkryetar dhe besoj se javën e ardhshme mund të mbahet kjo seancë. Por, paraprakisht, do të flasim me këto grupe parlamentare që ata të japin propozimet për Nënkryetarët e Kuvendit.

Express: Presidentja Jahjaga ka deklaruar se nuk do të merr asnjë hap për mandatarin e Qeverisë pa përfunduar procedurat në Gjykatën Kushtetuese?

I.Mustafa: Është çështje e vendimeve të Presidentes. Por, unë nuk shoh asnjë arsye të veçantë, por nëse Presidentja sheh ndonjë arsye për të mos e mandatar Kryeministrin e ardhshëm, atëherë, ajo le të vendos në momentin e duhur. Por, unë apeloj që në këtë rast të zbatohet Kushtetuta, të zbatohet vullneti politik dhe të zbatohet vullneti i deputetëve, i cili nuk mund të ndryshojë pavarësisht se çfarë do të ndodh në procedurat e mëtejme. Në këtë rast, ne kemi të bëjmë me një vullnet politik. PDK dhe koalicioni i PDK’së nuk ka arritur t’i bëjë 61 vota, ndërsa, ne i kemi bërë 65. Në seancën e Kuvendit kanë marrë 83 deputetë dhe kjo është kryesorja. Tjerat janë çështje që përmes procedurave të tjera të tentohet të fitohet dhe askush në këtë vend s’mund të fitojë në këtë vend nëse nuk e ka shumicën.