Home Blog Page 8086

Blloku po ngutet

0

blloku opozitarParalajmërimet e koalicionit paszgjedhor, të cilat vijnë sidomos nga taborri i AAK-së, për bojkotimin e zgjedhjeve të parakohshme si një nga opsionet për dalje nga kriza politike, për analistët politikë shihen si të ngutshme. Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme edhe ashtu shihet si mision i pamundur nëse nuk miratohet vendimi edhe nga koalicioni LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje.

Për shkuarje në zgjedhje do të nevojitet jo vetëm një vendim i presidentes, por edhe një miratim në Kuvend për një kryetar konsensual me çka Kuvendi do të shpallej i konstituuar e më pas do të mund të fillohej edhe procedura e shpërndarjes me dy të tretat e votave. Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike mendon se në situatën dhe rrethanat aktuale nuk ka asnjë mundësi kushtetuese që të shkohet në zgjedhje.

“Kjo nuk mund të bëhet pa kërkesën dhe miratimin prej dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Kështu që as PDK dhe as Presidentja nuk mund të imponojnë zgjedhje pa mbështetjen e koalicionit LAN dhe VV”, ka thënë Korenica…

Mustafa, në ditët e vështira

0

Isa Mustafa LDKKreu i LDK-së Isa Mustafa, nuk do ta ketë të lehtë t’i qëndrojë besnik marrëveshjes fillestare LDK-AAK-Nisma, megjithëse në bazë të saj, ai parashihet të bëhet kryeparlamentar, ndërsa Ramush Haradinaj kryeministër.

Si lider i partisë më të madhe në Bllokun paszgjedhor, që tashmë përfaqëson vullnetin e shumicës parlamentare, ai nuk është parë në dy takimet e mëhershme të Bllokut.

Në vend të tij, e ka dërguar Ismet Beqirin, sekretarin e partisë. Por, prania e këtij të fundit, nuk është se i ka kënaqur partnerët e tjerë të koalicionit.

Mungesa e Mustafës, pretendohet të jetë bërë si rezultat i sqarimeve që ka marrë nga partnerë ndërkombëtarë se zgjedhja e tij në krye të parlamentit është e pamundshme, për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo e fundit në vendimin e saj kishte vendosur se të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit e ka vetëm PDK, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit.

Si rezultat i kësaj, Mustafa prej fillimit të kësaj jave ka bërë të paktën një deklaratë që është e ndryshme nga qëndrimi i Bllokut./tribuna/

Jahjaga pritet nga Obama

0

Jehjaga ObamaPresidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka marrë pjesë në pritjen tradicionale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, për liderët shteteve pjesëmarrëse në sesionin e rregullt vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Jahjaga ka publikuar një fotografi në llogarinë e saj në Facebook me presidentin e ShBA-ve, Barack Obama, dhe gruan e tij Michelle Obama.

Jahjaga gjatë qëndrimit të saj në sesionin e 69 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që po mbahet në New York, ka zhvilluar takime me homologë të vendeve të ndryshme duke shfaqur të arriturat e Kosovës dhe kërkuar mbështetje të vendeve përkatëse, si dhe njohje të Republikës së Kosovës nga disa vende që ende nuk e kanë bërë.

Carolan rikthehet për ta zgjidhur ngërçin politik

0

Robert CarolanKontrata e gjyqtarit Robert Carolan do të jetë afatshkurtër.
Gjyqtari amerikan do të shërbejë përkohësisht në Gjykatën Kushtetuese, derisa të trajtohet një lëndë që pritet ta adresojë presidentja Atifete Jahjaga, me qëllimin për ta zgjidhur bllokadën e konstituimit të institucioneve, shkruan sot Koha Ditore.Zëvendësimin e tij kishte refuzuar ta bënte Jahjaga.

Një burim ka thënë se presidentja e ka kuptuar letërkëmbimin me Ashtonin në atë mënyrë që dekretimi pa propozim nga Kuvendi mund të bëhet vetëm për gjyqtarët që u vazhdohet mandati, por jo edhe për ata që zgjidhen tash.

Problemi me pagën, për të cilën është thënë të ketë qenë arsyeja e largimit të gjyqtarit Robert Carolan, është zgjidhur.

Blloku vazhdon

0

Avni Arifi-aakZyrtarë të LDK’së, të enjten, kanë shprehur dëshirat e tyre që Kryeministër të jetë Isa Mustafa, ndërkohë që Marrëveshja e Bllokut, e nënshkruar më 10 qershor, këtë post ia ka rezervuar Ramush Haradinajt të AAK’së.

Arben Gashi dhe Lutfi Haziri kanë pranuar se Isa Kryeministër është vullnet i elektoratit të LDK’së, ndërsa Haki Rugova nuk e ka përjashtuar mundësinë e diskutimit të kësaj çështjeje, ndonëse ka mohuar se tash për tash ekziston një ide e tillë.
Debatin, megjithatë, e ka mbyllur Isa Mustafa, kur pas takimit të Bllokut, ka deklaruar se marrëveshja nuk ndryshon dhe se projekti i tyre i përbashkët do të ecë më tutje, i tillë siç është menduar në fillim.

Por, si e kanë parë këtë ide të hedhur në opinion partnerët e tjerë të Bllokut?
Avni Arifi, Këshilltar Politik i Ramush Haradinajt, në një prononcim për Politiko.net, thotë se marrëveshja e arritur pas zgjedhjeve do të vazhdojë dhe tri partitë nëshkrurese të saj do të përpiqen ta implementojnë atë.
“Çdo njeri është i lirë në Kosovë t’i shprehë bindjet dhe mendimet e veta”.

“Asnjë ide për ndryshimin e kësaj marrëveshjeje nuk e kemi parë te LDK. Ne e kemi një marrëveshje dhe jemi duke u munduar ta implementojmë atë”.
“Ne kemi një marrëveshje dhe e tëra është e bazuar në situatën e 10 qershorit. Përveç asaj marrëveshje, as nuk kam kompetencë, as nuk ka vullnet të flas”, ka thënë Avni Arifi, për Politiko.net.

Blloku LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje aktualisht janë në pritje të thirrjes së vazhdimit të seancës konstituive dhe këmbëngulin që vendi mund të dalë lehtësisht nga ngërçi politik me debat në Kuvend, me procedimin e Pikës 127 dhe me zgjedhjen e Kryeparlamentarit nga ana e tyre.

Zafiri i “kthehet” fushatës zgjedhore

0

zafa ne zgjedhjeKryetari i Bashkimit Demokratik(BD) në Prizren, Zafir Berisha i është “kthyer” fushatës zgjedhore.

Ai në profilin e tij në “Facebook” ka filluar t’i riaktualizojë fotografit e tubimeve zgjedhore.

Berisha në zgjedhjet e fundit nacionale ka arrit të fitojë mandatin e deputetit në Parlamentin e Kosovës. Ai ditët e fundit ka kritikuar LAN-in dhe VV-në se po tregohen të “butë” në raport me PDK-në.

Zërave të ndryshme për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nëse nuk zgjidhet ngërçi politik, Berisha iu ka “përgjigjur” me të njëjtin “zë”. Ai duket se nuk i frikësohet zgjedhjeve të jashtëzakonshme, nëse ato mbahen për të dalë nga kriza politike. /PrizrenPress.com/

ISIS ekzekuton aktivisten

0

Samira_Saleh_Ali_NaimiQendra e Gjirit për të Drejtat e Njeriut, njofton se ISIS ka ekzekutuar në Mosul të Irakut aktivisten Samira Saleh Al-Naimi.

“Konfirmohet se një grup personash të maskuar të Shtetit Islamik kanë gjuajtur me armë zjarri dhe e kanë vrarë aktivisten në një shesh publik në qendër të Mosulit. Ajo është rrëmbyer nga Shteti Islamik në shtëpinë e saj javën e kaluar”, raportohet në njoftimin e kësaj organizate.

Avokatja e aktivistja për të drejtat e njeriut e kishte përshkruar “barbar” dëmin e shkaktuar nga Shteti Islamik mbi vendet dhe monumentet e lashta të Mosulit.

Samira Saleh Al-Naimi ka qenë një avokate dhe aktiviste e njohur për të drejtat e njeriut e cila është marrë me mbrojtjen e të paraburgosurve dhe ndihmën ndaj familjeve në nevojë në Mosul.

Qendra e Gjirit për të Drejtat e Njeriut e ka dënuar ashpër ekzekutimin e avokates së njohur, duke thënë se ky krim dhe krimet e tjera të Shtetit Islamik janë krime kundër njerëzimit.

E mitura sulmon fizikisht një police në Prizren

0

Policia e KosovesNjë police është sulmuar fizikisht nga një vajzë e mitur. Sulmi ka ndodhur gjatë një kontrolli që Policia e Kosovës ishte duke bërë në disa lokale, të dyshuara për veprimtari ilegale.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Prizren, Hazir Berisha tha se gjatë kontrollit të disa lokaleve e mitura ka sulmuar një pjesëtare të Policisë.

“Gjatë këtij kontrolli në një nga objektet e dyshuara është identifikuar një femër e moshës së mitur, e cila është ndaluar nga Policia për shkak të sulmit ndaj një zyrtareje policore”, tha Berisha transmeton TVPZ.

Ai tregon se gjatë kontrolleve të lokaleve të dyshuara është arrestuar edhe një person tjetër.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me inspektorët e ATK-së ka mbyllur pesë lokale në Prizren dhe Suharekë, pasi që nuk kanë pasur dokumente dhe kanë funksionuar për trafikim me qenie njerëzor.

Lokalet e mbyllura janë: Vila “Flamuri”, “ Tini”,” Relaks”, “Crazy Love” dhe objekt A1/PrizrenPress.com/

Jahjaga:Kosova po përballet me kërcënim të madh të terrorizmit islamik

0

Atifete jahjagaKosova po përballet sot me një kërcënim të madh të terrorizmit, por jemi të gatshëm t’i përgjigjemi kësaj sfide globale. Në këtë përpjekje duhet të ndihmojnë edhe bashkësitë fetare. Të rinjtë tanë nuk duhet t’i bashkohen kauzave të huaja. Në qendrat e vendosjes ka shqetësim për moskrijimin e institucioneve të reja; nuk guxojmë të vonohem më. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen dhe askush nuk guxon t’i kërcënojë drejtuesit e institucioneve të pavarura. Takimet me liderët politikë do të vazhdojnë. Presidentja Atifete Jahjaga, nga New Yorku, flet për Gazetën Express.

Express: Zonja Presidente, këtë javë ju po qëndroni në Neë York pranë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, e po ashtu keni marrë pjesë edhe në disa takime jashtë ndërtesës së Kombeve të Bashkuar. Cilat ishin temat kryesore në këto takime dhe njëherësh cilat janë kërkesat kryesore të autoriteteve që keni takuar kundrejt shtetit të Kosovës?

A. Jahjaga: Kam zhvilluar një numër të madh takimesh gjatë javës së Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Siç e dini, kjo është java më e rëndësishme dhe prania e Kosovës ka një domethënie jo vetëm për lobimin për njohjen e pavarësisë, por gjithsesi edhe për konsolidimin ndërkombëtar të vendit. Një numër i madh i takimeve me udhëheqësit e shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, janë shfrytëzuar dhe e kam përsëritur rëndësinë e pranimit të pavarësisë së Kosovës. Ka shtete që mund të ecin më shpejt në këtë drejtim, mirëpo, ende ka punë për të bërë nga diplomacia e vendit. Dua po ashtu, ta theksoj nderimin e madh që më kanë bërë mua dhe njëkohësisht popullit të Kosovës nga “Iniciativa Globale Clinton” me çmimin që më është ndarë, duke nderuar kështu përpjekjet e mëdha në Kosovë për çlirim dhe për ndërtimin e shtetit tonë. Gjithsesi, e rëndësishme është që Kosova të shndërrohet në një kontribuuese e rëndësishme e sigurisë globale dhe të jetë pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë e përpjekjeve të përgjithshme në botë për të parandaluar dhe për të çrrënjosur ekstremizmin dhe terrorizmin.

Express: Vizita juaj në SHBA ndodh në një kohë delikate për vendin; institucionet e reja nuk janë formuar ende, ndërkohë që vendi po përballet me rritje të shkallës së ekstremizmit fetar – çka është pasqyruar gjerësisht në mediat ndërkombëtare. E rënduan këto dy çështje vizitën tuaj atje? A është kjo një kohë e keqe për të kërkuar njohje për Kosovën?

A. Jahjaga: Sa i përket çështjeve në kontekstin e ekstremizmit dhe luftën efikase dhe çdo veprimtari ekstremiste dhe terroriste përbën kërcënim jo vetëm politik, por para se gjithash për sigurinë e secilit vend. Kosova, sikurse edhe vendet e BE’së dhe më gjerë nuk është kursyer nga ky rrezik. Ne po përballemi sot me një kërcënim të madh dhe do të përgjigjemi ndaj kësaj sfide globale dhe mund të ofrojmë zgjidhje. Kosova është një shtet dhe po bëhet pjesë e pandashme e përpjekjeve globale për çrrënjosjen e ekstremizmit dhe po merr përgjegjësinë e saj. Mekanizmat tanë të sigurisë kanë marrë veprime konkrete në arrestimin e individëve të caktuar që janë përfshirë në aktivitete të ndryshme ekstremiste. Por, neve na duhet një përpjekje e përbashkët në rajon ndaj këtij kërcënimi. Parandalimi dhe ndërprerja e aktiviteteve të tilla bëhet jo vetëm me veprime që sigurojnë rendin dhe ligjin, por edhe përmes ndërtimit të politikave tona reformuese, në veçanti, në edukimin dhe zhvillimin ekonomik që do të sigurojë se të rinjtë tanë nuk do të përfshihen në aktivitete të tilla.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, por edhe Këshilli i Sigurimit, u pozicionuan qartë kundër ISIS’it dhe njëherësh morën qëndrim se vendet duhet ta luftojnë me forcë këtë të keqe të madhe. Çfarë mund të bëjë Kosova në këtë drejtim, si një prej vendeve që po eksporton numër të madh luftëtarësh drejt vatrave të luftës?

A. Jahjaga: Unë vetëm u përgjigja në këtë pyetje.

Kemi parë aksione arrestimesh të policisë për njerëzit që dyshohet të jenë të përfshirë në terrorizëm. Pyetja është; a është kjo e mjaftueshme apo duhet që në këtë drejtim një rol më të fuqishëm të ketë Bashkësia Islame?

A. Jahjahga: Të gjitha bashkësitë fetare duhet të luajnë rolin e tyre në shoqëri duke mos lejuar zhvillime të jashtëligjshme dhe duke ruajtur traditën e deritashme të tolerancës ndërfetare. Dua të besoj se të gjitha bashkësitë fetare në Kosovë predikojnë paqen dhe solidaritetin mes njerëzve dhe e kuptojnë ndarjen e fesë nga shteti. Unë nuk dua të gjykoj asnjërin por duhet të besoj në fakte se të rinjtë tanë nuk duhet t’i lejojmë që të ndikohen dhe nuk duhet të bashkohen në kauza të huaja që nuk kanë asnjë gjë të përbashkët me ta, me vendin e tyre dhe me vendin tonë. Konsideroj se bashkësitë fetare mund të luajnë një rol të rëndësishëm duke mos lejuar predikime të fesë nga vlerat fetare.

Express: Po bëhen katër muaj prej ditës së mbajtjes së zgjedhjeve dhe vendi ende nuk ka arritur t’i nxjerr institucionet e reja. A janë të shqetësuar miqtë ndërkombëtarë me këtë situatë dhe keni marrë ndonjë instruksion gjatë vizitës në SHBA se si të dilet nga kjo situatë?

A. Jahjaga: Çdo bllokadë politike është pengesë për proceset nëpër të cilat po kalon vendi. Ne kemi hyrë në një periudhë të rëndësishme për Kosovën dhe çdo vonesë në krijimin e institucioneve do të nënkuptonte paaftësinë tonë për të gjetur zgjidhje vetë. Është e natyrshme që të ketë shqetësime edhe nga jashtë sepse Kosova ka marrë edhe obligime ndërkombëtare dhe ajo duhet të tregohet e përgjegjshme. Por, mbi të gjitha ne e kemi përmbyllur fazën e mbikëqyrjes së pavarësisë së vendit dhe neve na duhet të dëshmojmë të jemi të aftë për të vazhduar vet me shtetndërtimin dhe duke gjetur vet zgjidhjet tona.

Express: Kreu i Gjykatës Kushtetuese ka deklaruar para autoriteteve policore se ndihet i kërcënuar dhe i shantazhuar pas vendimit të fundit të institucionit që udhëheq. A konsideroni ju se institucioni i Gjykatës Kushtetuese është shantazhuar prej grupeve të caktuara të afërta me politikën?

A. Jahjaga: Ne duhet të mësohemi të respektojmë institucionet tona. Në duhet të mësohemi t’i zbatojmë edhe vendimet e institucioneve tona të pavarura. Çdo kërcënim ndaj institucioneve tona të pavarura dhe të njerëzve në Kosovë është veprim i dënueshëm.

Express: Ju keni mbajtur një takim konsultues me gjithë përfaqësuesit e partive politike. A do të vazhdojnë këto takime dhe si e shihni ju zhbllokimin e kësaj situate?

A. Jahjaga: Takimet do të vazhdojnë. Ju e keni parë se një ditë para se të nisemi për në SHBA kam filluar takimet dhe konsultimet me liderët e partive politike parlamentare. Këto takime kanë për qëllim që të lehtësojnë diskutimet në mes tyre dhe t’i dëgjoj të gjitha partitë politike dhe subjektet politike parlamentare se si e shohin ata daljen nga kjo situatë e krijimit të institucioneve, e cila hap rrugë për krijimin e Kuvendit të Kosovës. Gjithmonë duke respektuar pavarësinë e Kuvendit të Kosovës dhe votën e lirë të qytetarëve të Republikës. Zgjidhjet janë përbrenda Kuvendit të Kosovës dhe deputetët janë ata që e gjejnë zgjidhjen. I gjithë ky proces duhet të hap rrugë për konstituimin e institucioneve të tjera të vendit. Gjithsesi, unë do t’i kryejë të gjitha obligimet e mia kushtetuese dhe ligjore, duke qenë garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve.

Express: Blloku i partive opozitare ka kërkuar publikisht nga ju që të kërkoni nga Gjykata Kushtetuese interpretimin e pikës 127 të vendimit të fundit Gjykatës, pra asaj nëse kanë të drejtë partitë tjera që të propozojnë kandidatin për Kryeparlamentar nëse këtë nuk arrin ta zgjedh partia e parë. Do ta bëni ju një hap të tillë, pra a do t’i drejtoheni sërish Gjykatës?

A. Jahjaga: Nuk duhet të paragjykojmë situata. Kjo është pjesë e proceseve demokratike dhe ne qysh e kemi dëshmuar deri më tash pjekurinë politike do të jemi në gjendje të vazhdojmë edhe në të ardhmen.

Forumi për trashigimi kulturore në Rahovec përzgjedh dy shtëpi për Bujtina

0

IMG_6221[1]Në kuadër të projektit, “Shndërrimi i shtëpive ose kullave në bujtina” i financuar nga CHwB (Trashëgimia Kulturore pa kufij), mbështetur nga Komuna e Rahovecit, u mbajt takimi i Forumit për trashëgimi kulturore në Rahovec.

Gearda Demiraj, menaxhere e projektit në fjalë në CHwB, paraqiti disa objekte të vjetra të banimit në qytetin e Rahovecit, si mundësi që këto objekte të shndërrohen në bujtina për turistët e huaj.

Zonja Demiri tha se në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale për Kulturë janë evidentuar disa shtëpi të vjetra banimi, mirëpo jo të gjitha i plotësojnë kriteret për të qenë bujtina. Disa janë lënë në mëshirën e kohës dhe tashmë janë jashtë mundësisë për adoptim, mirëpo ka edhe të atilla që mund të përshtaten për akomodim të turistëve.

Karakteristikat dalluese të këtyre shtëpive japin shpresë se Rahoveci mund të vizitohet nga të huajt në të ardhmen. CHwB ka ndarë mjete modeste për këto projekt, gjithsej 10.000 euro, mirëpo ka mundësi që të bëhet rialokimi i mjeteve. Me renovimin e këtyre objekteve do të rritet vlera e tyre kulturore, mirëo mund të sjellin të ardhura edhe për pronarët e tyre.

Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Rahovec Osman Hasku, ritheksoi se kriteri bazë për përzgjedhjen e një shtëpie apo kulle për këtë projekt është se ato duhet të jenë më të vjetra se 50 vjet, ndërsa janë përzgjedhur objekte me arkitekturë të vjetër dhe karakteristike për Rahovecin.

Projekti në fjalë i kontribuon edhe mbrojtjes së objekteve të vjetra që përbëjnë trashëgiminë tonë kulturore. Po ashtu synohet që Rahoveci të bëhet zonë atraktive turistike kulturore, duke marrë për bazë bujarinë dhe mikpritjen tradicionale, si dhe elementin rural karakteristik. Unë jam i bindur se në këtë mënyrë Rahoveci do të futet në hartën turistike të Kosovës dhe në fakt ne kemi mjaft për t’i treguar botës, shtoi drejtori Hasku.

Anëtarët e Forumit, ku bënin pjesë edhe Eloida Pallaska e Hidajete Zhuri nga MMPH, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe zyrtarë të DKRS-së, vendosën që fillimisht të përzgjidhen dy shtëpi për këtë qëllim. U zgjodh shtëpia e vjetër e Fehmi Kadriut, shtëpia në bashkëpronësi të Agim Haxhiymerit e Sadedin Bugarit, ndërsa u la e hapur mundësia që të studiohen edhe disa propozime të tjera në të ardhmen, ngase vetëm këto dy bujtina nuk do të arrijnë të përmbushin kërkesat gjithnjë në rritje të turistëve.