Home Blog Page 8099

Ndërron jetë aktorja Besa Imami

0

Besa Imami-aktoreNdërron jetë në moshën 86-vjeçare aktorja e skenës shqiptare, Besa Imami, e cila vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë. Aktorja Besa Imami, ka lindur në 8 Gusht të vitit 1928 në qytetin e Gjakovës. Në vitin 1937, familja e saj u shpërngul nga qyteti i Gjakovës për tu vendosur në Tiranë.

Që nga shtatori i vitit 1946 e deri në 1 Shtator të vitit 1988, Artistja e Merituar, Besa Imami i ka dhënë publikut mbi 90-të role, midis të cilave përmendim rolin e Mbretëreshës Teuta tek “Artani”, rolin e Nënë Zyrasë tek “Bashkë me Agimin”, rolin e Prendës tek “Cuca e Maleve”, rolin e Rushës tek “Halili dhe Hajria”, rolin e Lajes tek “Lulet e Shegës”, etj.

Pas një shkëputje, Imami u rikthye përsëri në skenë në vitin 2004 për të interpretuar në dramën “Streha e të harruarve” të Ruzhdi Pulahës në rolin e malësores. Në kinematografi ajo u bë e njohur për publikun e gjerë me rolin e Donika Kastriotit në filmin “Skëndërbeu” të realizuar në vitin 1953. Më pas do të vijonin role të tjera si roli i Martës në filmin “Brazdat” në vitin 1973, roli i Nënë Tanës në filmin “Në fillim të verës” në vitin 1975, roli i Nënës së Gurgenit në filmin “Balada e Kurbinit” në vitin 1989 etj.

Roli i saj më i fundit është ai i Gruas myslimane në filmin “Eduart”në vitin 2006. Në vitin 1961, kur ishte vetëm 33 vjeç, Besa Imami për meritat e saj artistike do të vlerësohej me titullin “Artiste e Merituar”.

Vetëm para 7 ditësh, nga një propozim i Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi” ajo është nderuar nga Gjakova, vëndlindja e saj edhe me titullin “Nderi i skenës shqiptare”.

Për 3600 vende në konvikt, kanë aplikuar 8200 persona

0

Konviktet-prPër 3600 vende banimi në konviktin e Qendrës Studentore në Prishtinë kanë aplikuar 8200 persona, kurse rezultatet për aplikantët pritet të publikohen me 23 shtator.

Drejtori i Qendrës Studentore, Fatmir Sfishta, thotë për RTK se arsyeja që studentët si zgjedhje të parë për banim shohin këtë konvikt janë kushtet e mira, dhe pagesat e ulëta për fjetje dhe ushqim.

Sfishta ka thënë se janë duke pritur lejen për ndërtim edhe të një konvikti, i cili sipas tij pritet të jetë i gatshëm pas dy vjetëve.

Që nga ky vit studentët që do të banojnë në konvikt do të paguajnë 35 euro për fjetje dhe banim.

Janë shqyrtuar 50% e aplikacioneve për veteran të UÇK-së

0

Veteranet-protestaNuk dihet kur do t’i vihet pika procesit të verifikimit të veteranëve të luftës së UÇK-së.

I nisur në mesin e nëntorit të 2012-ës, procesi duket të ketë mbetur në mes. Pasi vetëm 50 për qind e aplikacioneve kanë arritur të shqyrtohen, raporton KTV.

Kryetari i Komisionit, gjenerallejtënant Agim Çeku, thotë se nuk e ka ndërmend të lidhet me data, pasi punët po ecin me ritëm të vazhdueshëm, por që procesi është i ndjeshëm dhe kërkon më shumë vëmendje.

Nga pesëdhjetë për qind të aplikacioneve të verifikuara, sipas Çekut, ka dalë se vetëm 30 për qind e tyre kanë qenë luftëtarë veteranë të UÇK-së.

Ndërsa pritet që përveç ankesës që mund të bëjnë pretenduesit e pakënaqur, ankesë mund të bëjnë edhe qytetarët nëse kanë fakte që dikujt nga përfituesit nuk i takon epiteti.

Krasniqi: Gjykata Kushtetuese legjitimoi kapjen e Kuvendit

0

Jakup Krasniqi14-12Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka thënë se zgjidhja e ngërçit politik është në Kuvend.

Z. Krasniqi, për dy mandate keni qenë kryetar Kuvendi. Si jeni duke i parë proceset në të cilat është duke kaluar vendi ynë që tre muaj pas zgjedhjeve? A shihni dalje nga ngërçi politik?

Krasniqi: Po e fillojmë nga pjesa e dytë e pyetjes. Ky vend dhe ky popull rrugëdalje kanë gjetur edhe në situata më të vështira. Rrugëdalje ka gjithnjë, vetëm se duhet pasur guxim dhe vullnet për ta gjetur shtegun e daljes nga vështirësitë edhe kur ato i krijojmë vetë. Se si e shoh situatën dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi, sigurisht se nuk më pëlqen, pasi në kohën kur duhet të përçojmë lajme pozitive për vendin, në sipërfaqe kanë dalë fotografi që nuk i duhen askujt, më së paku kombit e republikës sonë. Në këto momente më e panevojshme dhe e paarsyeshme është mosgatishmëria për t’i respektuar normat kushtetuese dhe ligjore.

Kjo situatë e re politike mund të quhet edhe test për shtetin e Kosovës, në përpjekjet për të formuar institucione pa ndërhyrje ndërkombëtare, apo ende jemi të varur nga të tjerët që të na tregojnë rrugën?

Krasniqi: Sido që të jetë, një pjesë e politikës sonë ka arritur edhe në këto rrethana ta sjellë një frymë të re politike. Është krijuar një bashkim i ri politik nga shumica e partive politike shqiptare për ta ndryshuar qeverisjen në vend pa asnjë ndërhyrje nga jashtë, është biseduar në institucionet e vendit, është biseduar për programin qeverisës që nuk ka ndodhur asnjëherë deri më tani. Është krijuar një shumicë parlamentare me shumicë shqiptare për një qeverisje ndryshe, edhe kjo pa ndërhyrje nga jashtë. Nuk besoj se ndërhyrjet nga jashtë sjellin kualitet institucional, së paku këtë nuk e kemi parë deri më tani. Askush më mirë se ne nuk e di se çka kanë prodhuar ndërhyrjet që ndodhën në zgjedhjet e kaluara.

A sjellin zgjidhje zgjedhjet e reja?

Krasniqi: Kosova e as qytetarët e saj nuk e kanë asnjë arsyeje të shkojnë në zgjedhje, pasi në zgjedhje shkohet për të krijuar një shumicë parlamentare, këtë shumicë e kemi dhe është mjaft solide. Pastaj kush mund të garantojë gatishmërinë për të lëshuar rrugë, kush mund të garantojë se nuk do të kemi zgjedhje të parregullta dhe përsëri të japim një fotografi të keqe për vendin. A pak fotografi të këqija kemi dhënë këto ditë. Shkurt, zgjedhjet nuk janë zgjidhje.

Por si do duhej të gjendej një kompromis ndërmjet forcave politike në formimin e institucioneve të reja, që mos të dëmtohen qytetarët dhe mos të merremi çdo ditë se kush me kënd po bën koalicion?

Krasniqi: Kosova nuk ka nevojë për kompromise, pasi blloku qeverisës është formuar. Kjo u pa edhe më 18 shtator 2014. Pas 18 shtatorit gjërat janë të qarta.

Si e shihni iniciativën e presidentes Atifete Jahjaga për t’i takuar liderët e partive politike parlamentare. A mund të pritet rezultat nga kjo iniciativë, pra të zhbllokohet ngërçi politik i cili është krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit?

Krasniqi: Tani për tani roli i presidentes është lehtësues. Zgjidhja është në Kuvendin e Kosovës, por ai duhet të çlirohet nga kapja. Mënyra se si është mbyllur dje vazhdimi i seancës konstituive, ka qenë më shumë se arbitrare, jashtë çdo norme ligjore. Ajo që ndodhi dje ishte një lojë me të mundshme, pa respektuar asnjë rregull të lojës. Pra, ishte lojë, jo vetëm pa rregulla, por edhe pa arbitër.

Gjykata Kushtetuese ka dhënë një vendim se kush ka të drejtë ta zgjedhë kryeparlamentarin. Ju e keni kritikuar Kushtetuesen për vendimin që ka marrë në raport me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Pse?

Krasniqi: Për Gjykatën Kushtetuese kam dhënë mendimin tim. Ajo ka nxjerr një vendim antikushtetues dhe e ka legjitimuar kapjen e institucionit më të lartë të shtetit – Kuvendin.

Z. Krasniqi, sa jeni i kënaqur me ecjen e partisë së re, Nismës? Sa keni arritur ta konsolidoni. Dhe cili do të jetë roli i saj në Kuvendin e Kosovës?

Krasniqi: Kur kihen parasysh kushtet në të cilat kemi operuar si parti e re jemi të kënaqur, ndonëse kemi pritur më shumë. Në një vend ku blihen e shiten votat për dy e tri euro, ku shiten e blihen komisionarët dhe ku aparati i shtetit vihet në shërbim të partisë në pushtet, duhet të jemi më se të kënaqur. Por, pyetja është: a ndërtohet kështu shteti demokratik? Roli i Nismës në këto procese, e them pa modesti, ka qenë përcaktues.

Nëse shkohet në zgjedhje të reja, do të jetë rrezik që Nisma s’mund ta kalojë pragun zgjedhor kësaj here?

Krasniqi: Ne mendojmë se Kosova dhe qytetarët e saj nuk e kanë asnjë arsye të shkojnë në zgjedhje. Aty ku fiton qytetari dhe shteti demokratik është edhe fitorja e Nismës./Epoka e Re/

“Dilerat” e Lumit mirëpritet në Beograd

0

Dilerat-shfaqjeMe tepsitë në dorë kanë pritur mysafirët derisa kanë zënë vendet, për të vazhduar më pas me lojën e tyre diletante. Katër trupa meshkujsh dhe katër zëra drejt gjetjes së një identiteti, herë duke pretenduar rolin e kurvës e herë atë të dilerit.

Të dyja duken fort të lidhura, nën përpjekjen për të goditur njëri-tjetrin e për t’u dhënë të gjithëve kënaqësinë e plotësimit të egos.

E krijuar mbi tekstin “Në vetminë e fushave të pambukut” të autorit Bernard-Marie Koltès, shfaqja “Dilerat” me regji të Bekim Lumit është dhënë para publikut beogradas që nuk ka kursyer duartrokitjet dhe brohoritjet për “dilerat” e Lumit, të cilët janë vlerësuar për lojën e tyre teatrale.

Përveç tepsive, pjesë e lojës së tyre kanë qenë edhe kafazet, zinxhirët, litarët, këpuca e një “buzëkuq” prostitute.

“Nëse ka qenë absolute vija nëpër të cilën keni ecur, është bërë relative”, thotë njëri prej “dilerëve” të shfaqjes teatrore eksperimentale, e cila për dy herë radhazi është dhënë në Qendrën Kulturore “REX” në Beograd, në kuadër të festivalit “Mirdita, dobar dan”.

Regjisori i shfaqjes, Bekim Lumi, ka thënë se ishte një pritje e përzemërt e artistëve dhe njerëzve të Beogradit, të cilët i falën emocione të veçanta me duartrokitjet e tyre.

“Fakti që ata erdhën në dy repriza të njëpasnjëshme, që na pritën me kaq përzemërsi, me kaq duartrokitje, tregon që predispozita jonë, paramendimi ynë nuk ka qenë i gabuar në momentin kur ne kemi vendosur të vijmë në Beograd, një pritje që padyshim e kam pritur”, është shprehur Lumi.

Ai ka thënë se ajo çfarë përjetuan me dhënien e shfaqjes në Beograd, i bëri të ndjehen krenarë për faktin që prezantuan jo vetëm vlerat estetike të shfaqjes dhe teatrit kosovar, por njëkohësisht edhe ngjyrat, imazhin e shtetit të Kosovës.

Në shfaqjen “Dilerat” luajnë aktorët: Bujar Ahmeti, Ermal Sadiku, Faris Berisha dhe Shahban Behramaj.

Bujar Ahmeti, njëri nga “dilerët” e shfaqjes ka thënë se është shumë e çuditshme që brenda një nate të japin dy herë shfaqjen për shkak të kërkesave të audiencës.

“Po ndihem shumë mirë, pak jam lodhur sepse fizikisht shfaqja kërkon shumë punë”, është shprehur Ahmeti, duke shtuar se publiku i ka pritur shumë mirë. Më vjen mirë që shfaqja ka filluar të depërtojë edhe jashtë, nuk është shfaqje që kuptohet vetëm në Kosovë, por që mund ta kuptojë edhe një gjerman, edhe një francez edhe dikush tjetër.

Faris Berisha, tjetër aktor i shfaqjes “Dilerat”, ka thënë se janë të kënaqur, dy herë radhazi e kanë dhënë shfaqjen, shkaku i kërkesave të publiku.

“Natyra e shfaqjes është universale sepse flet për njerëzimin dhe robotizmin. Mënyrën qysh e kemi humbur anën shpirtërore por e kemi ngritur teknologjinë”, ka thënë Berisha. Ai ka shtuar se festivali “Mirdita, dobar dan”, është shumë i qëlluar, shkaku i marrëdhënieve ndëretnike.

Shfaqja “Dilerat”, prodhim i Teatrit Laborator “Loja”, destinacion të radhës e ka Shkupin, shfaqja do të jepet në edicionin e 39-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “MOT” (Mlad Otvoren Teatar), të hënën nga ora 22:00.

Premiera e shfaqjes “Dilerat” është dhënë më 6 qershor të vitit 2013, ndërkaq reprizat gjatë qershorit dhe tetorit të po atij viti në shtypshkronjën “Rilindja”, në Prishtinë.

Në nëntor të vitit 2013, shfaqja e regjisorit Bekim Lumi, është prezantuar edhe në kuadër të edicionit të 8-të të Festivalit Ndërkombëtar Muzikor “DAM”, përderisa në prill të vitit 2014, ajo është prezantuar në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental “Man.In.Fest”, në Cluj të Rumanisë./Zëri/

Maliqi: Pjesëmarrja në Mis Zvicra, çelës për karrierën time

0

Saranda Maliqi-modeleKosovarja Saranda Maliqi sivjet do të garojë në mesin e dymbëdhjetë vajzave të tjera të bukura të Zvicrës për titullin “Mis Zvicra 2014”. Në një intervistë për albinfo.ch, Saranda Maliqi thotë se pjesëmarrja në garën për më të bukurën e shtetit të Zvicrës është një përvojë e re për të, nga e cila pret që të bëjë një karrierë të bujshme.

“Konkurrimi për mis Zvicra është për mua një përvojë e rrallë dhe e veçantë. Kam pasur mundësi të takohem me njerëz që kanë përvoja të ndryshme si p.sh. me media, gara bukurie si dhe parti të ndryshme politike. Shkëmbimi i përvojave dhe bisedat me vajza të të gjitha regjioneve zvicerane është për mua një eksperiencë e posaçme dhe shumë pozitive. Gjithashtu dua të theksoj se kjo për mua është edhe një sfidë”, është shprehur Maliqi.

Ajo shpreson se me anë të kësaj kandidature do t’i hapen dyert e realizimit të ëndrrave të saj.

“Dua të ju informoj se pranë modelimit gjithashtu moderimi dhe gazetaria janë synime për ardhmërinë time profesionale. Ka vite që bashkëpunëtorët, miqtë si dhe familjarët më kanë motivuar për të bërë këtë hap duke marrë parasysh pamjen time fizike, aftësinë time për moderim dhe poezi dhe disa cilësi tjera. Unë mendoj se tani jam në një moshë ku vetë i reflektoj dhe i analizoj gjërat dhe e di se çfarë dua”, ka shtuar bukuroshja Maliqi.

Saranda ka rritur të hyjë në finale ku ka mbretëruar një konkurrencë e fortë. Në garë ishin afër 1000 vajza, ku pas çdo paraqitje kishte edhe diskualifikime, ku numri vinte gjithherë duke u zvogëluar.

Ajo me origjinë është nga Gjilani, është 23 vjeçe dhe jeton në Schönnewerd të Solothurnit dhe punon si asistente e sekretarit të komunës si dhe përgjegjëse për nxënësit në zanat. Deri më tash ajo ka kryer shkollimin profesional për administratë publike, ndërkaq, pjesën praktike e ka përfunduar në komunë. Saranda garon në tetor për më të bukurën e Zvicrës. Ajo dhe Anita Shala do të jenë në mesin e tetëmbëdhjetë kandidateve të tjera.

Cliff: Ndërkombëtarët nuk do të ndërhyjë në krijimin e institucioneve

0

IanCliff6-12Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, ka ripërsëritur se Bashkësia Ndërkombëtare nuk duhet dhe as nuk do të ndërhyjë në krijimin e institucioneve të reja në Kosovë, raporton KTV.

Ai duke folur për ngërçin politik, ka theksuar se edhe në Kosovë si në çdo vend tjetër të Evropës është e vështirë të formohen qeveritë menjëherë pas zgjedhjeve. Derisa ka thënë se beson që së shpejti do të formohet qeveria e re për të mirën e ekonomisë së vendit. Këto deklarata ambasadori britanik i ka bërë në Junik, gjatë një vizitë që i ka bërë kësaj komune.

“Në Evropë dihet që është shumë problem që të krijohen qeveritë menjëherë pas zgjedhjeve, mirëpo ne duhet të vazhdojmë përpara për të mirën ekonomike të vendit, dhe zhvillimit të komunave të Kosovës. Besoj që së shpejti do të krijohen institucionet e reja të Kosovës”, ka thënë Cliff.

Presidentja duhet të veprojë!

0

Faik Xh KrasniqiShkruan: Faik Krasniqi

Presidentja Jahjaga me shumë veprime të njëanshme, ka luajtur rolin e një vegle të PDK-së dhe Hashim Thaçit. Gjithë këtij lëmshi dhe zvarritjes për krijimin e institucioneve të Kosovës, në masë të madhe i ka kontribuar edhe Presidentja Jahjaga. Presidentja duke qëndruar duarkryq, dita-ditës po na e dëshmon që me të vërtetë është një vegël e PDK-së, parti e cila është fajtore për moskrijimin e institucioneve të Kosovës.

Presidentja në bazë të atyre kompetencave që i ka, pas certifikimit të rezultatit nga KQZ-ja, është dashur t’i thërras dy partitë më të mëdha për t’ju kërkuar firmat e deputetëve, dhe cilado parti do t’i kishte numrat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, atë koalicion ta mandatoj. Por ajo nuk veproi kështu.

Nëse Presidentja Jahjaga do të vepronte në bazë të kompentencave që i ka, sot veç do t’i kishim institucionet e krijuara. Ajo deri më tash qëndroi indiferente dhe nuk ndërmorri asnjë hap për ta zgjidhur këtë lëmsh, të cilën bashkë me PDK-në dhe Gjykatën Kushtetuese e kanë krijuar. E tash pas deklarimit të Thaçit se po cënohet rendi kushtetues, ajo vendosi të ndërhyjë për zgjidhjen e këtij lëmshi.

Nuk po e kuptoj tash Presidenten, pse tash të ndërhyjë, e jo më herët! Më duket se kjo thirrje e Presidentes drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës të gjejnë zgjidhjen për bllokadën politike, është si rezultat i presionit të madh të PDK-së të bërë ndaj saj, në mënyrë që ajo t’ju bëj trysni partive të koalicionit LDK-AAK-NISMA dhe VV, që edhe PDK-ja të jetë pjesë e pushtetit. Por Presidentja nuk guxon të bie pre e presionit dhe kërcënimeve të PDK-së.

Presidentja Jahjaga është mëse e vetëdijshme- se Kosova s’mund të ngelet pa krijimin e institucioneve të reja, por as të shkojmë prapë në zgjedhje të jashtëzakonshme, për hir të kryeneqësisë së një partie dhe një Gjykate Kushtetuese që është shndërruar në një ”filial” juridik të PDK-së. Kështu që ”topi” është tek Presidentja dhe ajo duhet ta dëshmojë veten para qytetarëve të Kosovës, se është në shërbim të interesave të tyre dhe shtetit, e jo në shërbim të PDK-së dhe Hashim Thaçit.

Si e para e vendit, tash i takon asaj ta zgjidh sa më parë këtë ”ngërç” institucional. Ta thërras koalicionin e shumicës, e në këtë rast është koalicioni LDK-AAK-NISMA që ka shumicën, ta mandatoj dhe Qeveria të krijohet sa më parë. Presidente, ose vepro ti, ose vepron sovrani që ia besoj votën e vetë mbi 70 për qind partive politike, që kanë shumicën për ta zgjedhur edhe kryetarin e Kuvendit, por edhe krijimin e Qeverisë. Mosveprimi yt po na kushton shtrenjtë.

At Lombardi: Njohja e Kosovës, çështje protokollesh, jo refuzim

0

At Frederico Lombardi-vatikaniZëdhënësi i Vatikanit, At Frederico Lombardit deklaroi sot për mediet se çështja e pavarësisë së Kosovës është një çështje protokollesh, jo refuzim.

Njohja e pavarësisë së Kosovësnga ana e Vatikanit ishte pjesë e pyetjeve të gazetarëve ndaj zëdhënësit të Vatikanit. Ai sqaroi se kjo vizitë, është pastoriale dhe nuk ka karakter diplomatik apo politik.

“Ky është një udhëtim pastorial për motivet që dimë. Nuk ka qëllime apo finalitete të karakterit diplomatik apo politik në këtë udhëtim. Njohja e Kosovës nuk është çështje refuzimi por çështje protokollesh”, u shpreh At Lombardi.

Një ditë më parë, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, me anë të një letre zyrtare i kërkonte Atit të Shenjtë që Vatikani, të njihte pavarësinë e shtetit të Kosovës.

Petrovic: Zgjedhjet e reja janë të panevojshme

0

Sllobodan Petrovic-SLSKryetari i Partisë së Pavarur Liberale (SLS), Sllobodan Petrovic, ka deklaruar se zgjedhjet e reja në Kosovë janë të panevojshme.

Por megjithëkëtë serbët në Kosovë do të jenë të gatshëm për to, nëse ato shpallen.

Petrovic, partia e të cilit në zgjedhjet e 8 qershorit u paraqit si pjesë e Listës Serbe, ka thënë për agjencinë e lajmeve “Tanjug” se është mendim i përgjithshëm që zgjedhjet janë më së paku të nevojshme në këtë moment, pasi edhe ashtu, sipas tij, është humbur shumë kohë kurse punët që presin janë të shumta.

“Në ana tjetër, nëse nuk gjendet mënyrë për të dalë nga kriza përkatësisht nga vakuumi politik, zgjedhjet janë alternativa e vetme. Deputetët e Listës Serbe mbajnë qëndrimin që zgjedhjet e reja janë zgjidhje më pak e mirë, por gjithsesi, nëse shpallen zgjedhjet e reja ne jemi të gatshëm edhe për atë variant”, ka deklaruar Petrovici, citon lajmi.net.

Ai ka përsëritur se Lista Serbe do t’i japë përkrahjen atij grupimi politik, i cili do të sigurojë shumicën dhe se një qëndrim të tillë do ta mbajë edhe në tentimin e ardhshëm për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Petroviq ka theksuar se për Listën Serbe procesi i zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe e përkrahjes së qeverisë së ardhshme janë dy procese krejtësisht të ndara. Ai ka bërë me dije se Lista Serbe ka platformën e cila paraqet “interesin e komunitetit serb në Kosovë”.