Ndërron jetë aktorja Besa Imami

Besa Imami-aktoreNdërron jetë në moshën 86-vjeçare aktorja e skenës shqiptare, Besa Imami, e cila vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë. Aktorja Besa Imami, ka lindur në 8 Gusht të vitit 1928 në qytetin e Gjakovës. Në vitin 1937, familja e saj u shpërngul nga qyteti i Gjakovës për tu vendosur në Tiranë.

Që nga shtatori i vitit 1946 e deri në 1 Shtator të vitit 1988, Artistja e Merituar, Besa Imami i ka dhënë publikut mbi 90-të role, midis të cilave përmendim rolin e Mbretëreshës Teuta tek “Artani”, rolin e Nënë Zyrasë tek “Bashkë me Agimin”, rolin e Prendës tek “Cuca e Maleve”, rolin e Rushës tek “Halili dhe Hajria”, rolin e Lajes tek “Lulet e Shegës”, etj.

Pas një shkëputje, Imami u rikthye përsëri në skenë në vitin 2004 për të interpretuar në dramën “Streha e të harruarve” të Ruzhdi Pulahës në rolin e malësores. Në kinematografi ajo u bë e njohur për publikun e gjerë me rolin e Donika Kastriotit në filmin “Skëndërbeu” të realizuar në vitin 1953. Më pas do të vijonin role të tjera si roli i Martës në filmin “Brazdat” në vitin 1973, roli i Nënë Tanës në filmin “Në fillim të verës” në vitin 1975, roli i Nënës së Gurgenit në filmin “Balada e Kurbinit” në vitin 1989 etj.

Roli i saj më i fundit është ai i Gruas myslimane në filmin “Eduart”në vitin 2006. Në vitin 1961, kur ishte vetëm 33 vjeç, Besa Imami për meritat e saj artistike do të vlerësohej me titullin “Artiste e Merituar”.

Vetëm para 7 ditësh, nga një propozim i Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi” ajo është nderuar nga Gjakova, vëndlindja e saj edhe me titullin “Nderi i skenës shqiptare”.

Më Shumë

Në Prizren promovohet monografia për jetën dhe veprën e piktorit Hamdi Bardhi

Në Prizren është promovuar monografia kushtuar jetës dhe veprës së piktorit të njohur Hamdi Bardhi, një prej artistëve më të rëndësishëm që ka lënë...

KEDS-i me punime në rrjet, reduktime në Prizren

KEDS ka njoftuar se disa vende do të mbesin pa energji elektrike sot, për shkak të punimeve në rrjet. Përmes një njoftimi për media, KEDS-i...

Lajmet e Fundit