23.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

“Dilerat” e Lumit mirëpritet në Beograd

Dilerat-shfaqjeMe tepsitë në dorë kanë pritur mysafirët derisa kanë zënë vendet, për të vazhduar më pas me lojën e tyre diletante. Katër trupa meshkujsh dhe katër zëra drejt gjetjes së një identiteti, herë duke pretenduar rolin e kurvës e herë atë të dilerit.

Të dyja duken fort të lidhura, nën përpjekjen për të goditur njëri-tjetrin e për t’u dhënë të gjithëve kënaqësinë e plotësimit të egos.

E krijuar mbi tekstin “Në vetminë e fushave të pambukut” të autorit Bernard-Marie Koltès, shfaqja “Dilerat” me regji të Bekim Lumit është dhënë para publikut beogradas që nuk ka kursyer duartrokitjet dhe brohoritjet për “dilerat” e Lumit, të cilët janë vlerësuar për lojën e tyre teatrale.

Përveç tepsive, pjesë e lojës së tyre kanë qenë edhe kafazet, zinxhirët, litarët, këpuca e një “buzëkuq” prostitute.

“Nëse ka qenë absolute vija nëpër të cilën keni ecur, është bërë relative”, thotë njëri prej “dilerëve” të shfaqjes teatrore eksperimentale, e cila për dy herë radhazi është dhënë në Qendrën Kulturore “REX” në Beograd, në kuadër të festivalit “Mirdita, dobar dan”.

Regjisori i shfaqjes, Bekim Lumi, ka thënë se ishte një pritje e përzemërt e artistëve dhe njerëzve të Beogradit, të cilët i falën emocione të veçanta me duartrokitjet e tyre.

“Fakti që ata erdhën në dy repriza të njëpasnjëshme, që na pritën me kaq përzemërsi, me kaq duartrokitje, tregon që predispozita jonë, paramendimi ynë nuk ka qenë i gabuar në momentin kur ne kemi vendosur të vijmë në Beograd, një pritje që padyshim e kam pritur”, është shprehur Lumi.

Ai ka thënë se ajo çfarë përjetuan me dhënien e shfaqjes në Beograd, i bëri të ndjehen krenarë për faktin që prezantuan jo vetëm vlerat estetike të shfaqjes dhe teatrit kosovar, por njëkohësisht edhe ngjyrat, imazhin e shtetit të Kosovës.

Në shfaqjen “Dilerat” luajnë aktorët: Bujar Ahmeti, Ermal Sadiku, Faris Berisha dhe Shahban Behramaj.

Bujar Ahmeti, njëri nga “dilerët” e shfaqjes ka thënë se është shumë e çuditshme që brenda një nate të japin dy herë shfaqjen për shkak të kërkesave të audiencës.

“Po ndihem shumë mirë, pak jam lodhur sepse fizikisht shfaqja kërkon shumë punë”, është shprehur Ahmeti, duke shtuar se publiku i ka pritur shumë mirë. Më vjen mirë që shfaqja ka filluar të depërtojë edhe jashtë, nuk është shfaqje që kuptohet vetëm në Kosovë, por që mund ta kuptojë edhe një gjerman, edhe një francez edhe dikush tjetër.

Faris Berisha, tjetër aktor i shfaqjes “Dilerat”, ka thënë se janë të kënaqur, dy herë radhazi e kanë dhënë shfaqjen, shkaku i kërkesave të publiku.

“Natyra e shfaqjes është universale sepse flet për njerëzimin dhe robotizmin. Mënyrën qysh e kemi humbur anën shpirtërore por e kemi ngritur teknologjinë”, ka thënë Berisha. Ai ka shtuar se festivali “Mirdita, dobar dan”, është shumë i qëlluar, shkaku i marrëdhënieve ndëretnike.

Shfaqja “Dilerat”, prodhim i Teatrit Laborator “Loja”, destinacion të radhës e ka Shkupin, shfaqja do të jepet në edicionin e 39-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “MOT” (Mlad Otvoren Teatar), të hënën nga ora 22:00.

Premiera e shfaqjes “Dilerat” është dhënë më 6 qershor të vitit 2013, ndërkaq reprizat gjatë qershorit dhe tetorit të po atij viti në shtypshkronjën “Rilindja”, në Prishtinë.

Në nëntor të vitit 2013, shfaqja e regjisorit Bekim Lumi, është prezantuar edhe në kuadër të edicionit të 8-të të Festivalit Ndërkombëtar Muzikor “DAM”, përderisa në prill të vitit 2014, ajo është prezantuar në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental “Man.In.Fest”, në Cluj të Rumanisë./Zëri/

Më Shumë

Me lot në sy, Kiara publikon foton e Luiz Ejllit duke mbajtur vajzën në krahë

Luiz Ejlli dhe Kiara Tito dje janë bërë prindër për herë të parë. Kiara ka ndarë me ndjekësit një foto të papublikuar më parë, direkt...

Sot zhvillohen ndeshjet e javës së 32-të të Superligës së Kosovës në futboll

Sot do të luhet ndeshjes e javës së 32-të të Superligës së Kosovës në futboll. Janë paraparë të zhvillohen pesë ndeshje tejet interesante. Kampioni në fuqi...

Lajmet e Fundit