Home Blog Page 8195

Lajmi “invalid” dhe agjenti i AKI-së pa emër!!!

0

Agim MuhaxheriShkruan: Agim Muhaxheri

Dihet emri i fotoreporterit amerikan të cilit iu pre koka në Siri, nuk dihet emri i të vrarit, agjentit të AKI-së. Shteti bie në gjumë, merret me “kompetenca”! E dinë zyrtarët apo nuk e dinë se informimi është kategori kushtetuese. Agjenti s’është as zog, as pulë të mos i përmendet emri i tij. Mu për këtë, e tëra mund të jetë gënjeshtër.
Dy informata shpërthyen si raketa. Njëra me emër, tjetra pa emër.
Dihet kush është fotoreporteri i vrarë amerikan, nuk dihet kush është viktima tjetër, një agjent yni!
Gazetaria skandinave nuk nxjerr emra. Por në këtë rast, po të ishte viktimë suedezi, danezi, norvegjezi, apo finlandezi, do t’i nxirrej emri.

Gazetarët nuk janë telepatikë, të dinë se çfarë po ndodh këtu, apo atje, t’i dinë emrat e personazheve të ndonjë ngjarjeje. E kanë mashën, nuk i djegin duart. Emrat i mësojnë drejtpërdrejt, nëse qëllojnë në vendin e ngjarjes, i mësojnë nga burimet zyrtare e jozyrtare. Nëse u mungon njëri nga elementet e lajmit, kjo shkakton huti, mosbesim te lexuesi, dëgjuesi, apo shikuesi.

Në gazeta e portale tona ke përplot lajme “invalide”. Njëri nga to ishte njoftimi për ekzekutimin e një agjenti tonë, agjentit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës në Siri.
Dy lajmet, ai për prerjen e kokës së fotoreporterit amerikan dhe tjetri për ekzekutimin e agjentit tonë (nuk përmendet mënyra e ekzekutimit) janë shokuese më tepër për anëtarët e familjeve të këtyre viktimave.

Informatat anonime shkaktojnë neveri te lexuesit e dëgjuesit.

Lexuesit janë të prirë të dinë kush janë viktimat, çfarë moshe kanë, janë të martuar, kanë fëmijë…

Mu për shkak të informatave “invalide” dalin në pah thashethemet dhe gënjeshtrat.
Lexuesit mësojnë emrin e fotoreporterit amerikan, të cilit iu pre koka nga ata të ISIS-it në Siri, ndërsa nuk dinë kush është viktima tjetër në po këtë shtet, i vrari që i përkiste Agjencisë Kosovare të Inteligjencës?

Nuk është as zog, as pulë agjenti i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës!
Agjenti nuk është as zog, as pulë të mos përmendet emri i tij.
Nëse dihet emri i tij e bëhet politikë, kjo i kalon caqet e normales.
Zyrtarët, kompetentët, e kanë për detyrë të flasin, të mos heshtin. Heshtja e tyre mund të na kushtojë, të na kthehet bumerang.

Agjencitë e huaja të lajmeve transmetuan edhe fjalët e fotoreporterit amerikan James Wright Foley, para se të ekzekutohej.

Dihet çka është lajmi, cilat janë elementet e tij. Nuk është lajm kur flet e shkruan për persona, për njerëz që kanë poste, pra edhe të agjentit. Lexuesit e dëgjuesit i intereson kush është ai agjent, i intereson emri i tij.

Gazetarët çfarë i kemi e s’i kemi ranë në provim.
Nuk u treguan të zhdërvjelltë t’i “kapërcejnë” institucionet e shtetit, ta hulumtojnë të vërtetën, ta zbulojnë emrin e agjentit të AKI-së.
Gazetarët i presin komunikatat, t’u vijnë si “në tepsi”, pastaj ta sajojnë lajmin. Kjo formë e gazetarisë duket të jetë qesharake.

Mund të arsyetohet edhe moszhdërvjelltësia e gazetarëve. E dini pse? Pagat e gazetarëve tanë, për dallim nga shefat e tyre, i kanë ët mjerueshme. Çfarë gazetarie pret prej atyre që marrin pagën 200 – 250 euro! Nuk kanë motiv të ngarendin poshtë e lart, të mësojnë emrin e agjentit që e pësoi në Siri.

Në Gjermani, Francë, Itali e gjetiu, gazetari për të gjetur të vërtetën fluturon me helikopterin e redaksisë, apo helikopterin që e paguan redaksia, ndërsa te ne “nuk i hypim as autobusit”.
Ndodhë nganjëherë që gazetarët e huaj në “oborrin tonë” të na e grabisin lajmin, pastaj ne ata i citojmë. Dhe dalim qesharakë.

Për fotoreporterin amerikan James Wright Foley thuhet se është rrëmbyer nga militantët e Shtetit Islamik që në nëntor të 2012-s. Thuhet se agjenti ynë ka qenë i infiltruar brenda grupeve xhihadiste shqiptare, pjesë e organizatave terroriste, shkruajnë gazetat.

Burime të ndryshme, përfshirë ato në Agjencinë Kosovare në Inteligjencës, kanë bërë të ditur se ky agjent i rekrutuar pas përfshirjes së kosovarëve në luftën e Sirisë, është ekzekutuar nga afërsia.

Gjithashtu është shprehur dyshimi se ai është dekonspiruar dhe është ekzekutuar.
Burime nga Agjencia kanë thënë se ai nuk është trajtuar mirë duke u lënë pa ndihmë dhe pa udhëzime të nevojshme.

Faji në këtë rast nuk është i “të tjerëve”, po i AKI-së.
Shteti nuk di kush e vrau njeriun e vet në Siri?!
Nuk di as ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi!
Madje ministri Rexhepi i ka deklaruar “Indeksonline” se kjo nuk është punë e tij. Flet ai për kompetencat. “Nuk është kompetencë jona”, thotë ai, por e AKI-së, “ngase kjo i jep llogari Kuvendit të Kosovës”.
Duhet të presim të konstituohet Kuvendi, pastaj të tregojë AKI-ja kush është i vrari, pjesëtari i saj?!

Nuk përzihet në “punët e brendshme të AKI-së” zotëri Bajram Rexhepi. Në çfarë punësh përzihet ai?!

Nëse vërtet është vrarë agjenti i AKI-së, këta të AKI-së është dashur ta informojnë publikun se për cilin person është fjala, kush është ai, ka familje apo jo. Informimi është kategori kushtetuese.

Zyrtarët e lartë të shtetit, pra edhe i pari i AKI-së, Bashkim Smakaj bëjnë politikë, merren me shifra e deshifrime. Të kujt? Merren me numrat e “statistikat” e viktimave në Kosovë e jashtë Kosovës. I sajojnë raportet, të cilat, sipas kompetencës që kanë, ua dërgojnë Kuvendit!
Vrasja e një agjenti, qoftë i AKI-së, nuk është punë e vogël.
Lajmi, që s’i ka elementet e lajmit, mund të jetë i pavërtetë, gënjeshtër.

Luftime të ashpra në Bengazi

0

luftime luftimeLuftime të ashpra janë raportuar në qytetin lindor të Libisë, Bengazi.

Përleshjet kanë vënë përballë forcat e një gjenerali dezertues dhe islamistët.

Pesë luftëtarë besnikë të Khalifa Haftarit raportohet të jenë vrarë në dhunë.

Bengazi është zhytur në anarki prejse Haftari ka shpallur luftë kundër islamistëve, duke përdorur aeroplanë luftarakë dhe armë të tjera antiajrore.

Shqipëria do të ishte moti në BE sikur ta dëgjonte Jozef Sraussin

0

shqiperia meta“Sikur Shqipëria të kishte dëgjuar 30 vite më parë mesazhet e Franz Josef Strauss-it, tashmë do të ishte pjesë e Bashkimit Evropian.” Me këto fjalë kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka vlerësuar rolin e ish-kryeministrit të Landit të Bavarisë, i cili 30 vite më parë vizitoi Shqipërinë.

Këto deklarata, Meta i bëri gjatë një pritje të zhvilluar në përkujtim të kësaj ngjarje, ku të pranishëm ishin dhe një grup përfaqësuesish të Bundestagut Gjerman, të drejtuar nga nënkryetari i Bundestag-ut, Johannes Singhammer.

Nga ana e tij, Meta vlerësoi bashkëpunimin me Gjermaninë, si një prej partnerëve kryesor të Shqipërisë.

“Shqipëria e vlerëson Gjermaninë si partner jashtëzakonisht të rëndësishëm strategjik për zhvillimin e vendit dhe të ardhmen evropiane. Ne çmojmë pa fund mbështetjen e vyer gjermane në përpjekjet tona për forcimin e sundimit të ligjit dhe jam i bindur që bashkëpunimi do të jetë mjaft i ngushtë, sidomos në realizimin e reformës së drejtësisë”, tha Ilir Meta, përcjellin mediat shqiptare.

Ndërkaq, nënkryetari i Budestagut vlerësoi rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon, duke përmendur dhe forumin që do të mbahet pas një jave në Berlin.

“Është një kënaqësi e madhe të konstatojmë se Shqipëria është një faktor i stabilitetit në rajon dhe që rëndësia e Shqipërisë dhe në kontekstin e Konferencës së Vendeve të Ballkanit Perëndimor që do mbahet javën e ardhshme në Berlin, është gjithnjë në rritje. Është diçka që duhet të ndodh kështu. Sigurisht që dëgjoj me kënaqësi, siç e përmendi kryetari Kuvendit, zoti Meta që Gjermania vazhdon të mbetet një mënyrë shembulli për t’u ndjekur nga Shqipëria. Por më lejoni t’jua kthej komplimentin. Shqipëria ka një shembull për t’u ndjekur për sa i përket bashkëjetesës së komuniteteve fetare dhe për këtë ky vend mund të jetë krenar”, u shpreh Johannes Singhammer, nënkryetari i Bundestag-ut.

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë Hellmut Hoffmann, ‘pa doreza’ i bëri të qartë gjithë vendeve të Ballkanit rolin e rëndësishëm të Shqipërisë dhe i kujtoi Kryeministrit Rama se, ai do të jetë përfaqësuesi i gjithë vendeve të rajonit, pas një jave në Berlin.

“Në 15 vitet e fundit në Shqipëri janë shënuar zhvillime të rëndësishme dhe kjo është një arsye se pse Shqipëria përpara pak kohësh mori Statusin e vendit kandidat. Por mbeten ende sfida të tjera për t’u kapërcyer dhe për këtë dëshirojmë të punojmë së bashku. Një element është dhe konferenca e javës së ardhshme, që është thirrur nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel. Lidhur me këtë pikë dëshiroj të them që në kontekstin e politikave rajonale, Shqipëria jep një kontribut të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit. Dhe më lejoni t’ju them zoti Kryeministër që gjatë konferencës ju nuk do të jeni thjeshtë përfaqësues i vendit tuaj, por edhe në përfaqësim të forumit me vendet e Europës jugperëndimore”, deklaroi Ambasadori i Gjermanisë, Hellmut Hoffmann.

Kryeministri i vendit Edi Rama, duke u ndalur tek roli i rëndësishëm i Franz Josef Strauss, shprehu angazhimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Gjermaninë dhe veçanërisht me Landin e Bavarisë.

“Franz Josef Strauss bëri një përpjekje reale për të krijuar një marrëdhënie konkrete me regjimin e atëhershëm, por u desh të rrëzohej Muri i Berlinit që të fillonte transformimi i madh, historik që bëri që ne sot të jemi pjesë e atij komuniteti të madh vendesh të lira dhe demokratike të Europës, ku Franz Josef Strauss tentoi të na afronte para kohe. Unë besoj që edhe ky kremtim që ne i bëjmë atij momenti është shprehje e një vullneti, jo thjesht për të kujtuar një njeri që u bë pa pritur mik i shqiptarëve, por edhe për të shprehur dëshirën tonë të madhe që të forcojmë vazhdimisht marrëdhëniet me Gjermaninë dhe pse jo në mënyrë të posaçme edhe me Landin e Bavarisë”, u shpreh Kryeministri Rama.

Të pranishëm në këtë ceremoni, veç deputetëve nga të dy parlamentet ishte dhe djali i Franc Jozef Shtrausit, i cili risolli kujtimet e udhëtimit në Shqipëri së bashku me të atin 30 vite më parë.

Ka vdekur aktori Ahmet Spahiu -mixha Bajram

0

Ahmet SpahiuSot pas një sëmundje të shkurtër ka vdekur aktori Ahmet Spahiu.Aktori Spahiu ka lënë një bagazh të madh artistik me rolet e tij në teatër, film dhe televizion.

Roli më i popullarizuar së fundi, ishte i në Familjen Moderne, si Mixha Bajram.

Varrimi i të ndjerit bëhet në varrezat e qytetit në Prishtinë në orën 17.

Ministria e Arsimit dhe komunat përplasen për librat e filloristëve

0

Librat6-04Ministria e Arsimit ka paralajmëruar që në rast se do të ketë vonesa në shpërndarjen e librave për filloristët, në vitin e ri shkollor 20142015, përgjegjësia do t’u mbetet drejtorive komunale të arsimit, shkruan sot Koha Ditore.

Zyrtarë të lartë të kësaj Ministrie kanë thënë se rreth 70 për qind e komunave të Kosovës nuk i kanë dorëzuar ende raportet për numrin e librave që i kanë në stoqe dhe ata që duhet të blihen të rinj, për nxënësit e viteve të para të shkollimit, që nga klasa e parë deri në të nëntën. Ata kanë akuzuar drejtoritë komunale të arsimit për neglizhencë të këtij procesi.

Por këtyre akuzave u janë kundërpërgjigjur zyrtarë të komunave, duke thënë se procesi është vonuar për faj të vetë Ministrisë.

Alush Istogu, drejtor i Arsimit Parauniversitar në MASHT, ka thënë se kjo Ministri e ka bërë një plan dinamik të punës për fillimin e vitit shkollor 2014/2015, ka formuar grupet punuese për mbledhjen e të dhënave dhe mbikëqyrjen e procesit, si dhe i ka kryer procedurat e veta me kompanitë që merren me prodhimin dhe furnizimin e librave. Sipas tij, janë lidhur kontrata me katër kompani që i furnizojnë nxënësit me tekste dhe se po pritet vetëm t’u dorëzohen të dhënat se sa libra duhet të prodhojnë dhe të shpërndajnë.

Blloku beson në fuqinë e argumenteve të veta, PDK-ja hesht

0

blloku opozitarDeputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, nuk ka dashur të paragjykojë të mërkurën sa i takon vendimit përfundimtar të Kushtetueses.

“Nuk dua të paragjykoj, sepse vërtet është vështirë që të dihet, mirëpo ajo që ne besojmë është se argumentet tona janë jashtëzakonisht të fuqishme”, ka thënë ajo, për Kohën Ditore.

Ndërkaq juristët thonë se rezultati përfundimtar do të njohë faktin që kryetari i Kuvendit nuk i përket pakicës parlamentare, por shumicës.

Juristi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Dren Doli, ka thënë se vendimi i Gjykatës, pavarësisht nëse anulohet ose jo vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e Isa Mustafës në krye të tij, nuk do të hyj në zgjidhjen e të ashtuquajturave pyetje politike, meqë Gjykata ka ndërtuar një precedent që refuzon të merret me një kategori të tillë të çështjeve ankimuese.

“Ne anën tjetër, mendoj që Gjykata do të njohë faktin që Grupi parlamentar përbën një formacion që formohet në Kuvend sipas bindjes së lirë të deputeteve, dhe kurrsesi në bazë të rezultatit zgjedhor të partive politike”, ka thënë ai. “Në cilindo skenar, në versionin e thjeshtësuar, mendoj që rezultati final do të jetë i tillë që të njohë faktin që kryetari i Kuvendit nuk mund t’i takojë një pakice parlamentare, por vetëm një shumice parlamentare që gëzon së paku 61 vota deputetësh”.

PDK-ja dhe koalicioni LAN më herët kanë deponuar qëndrimet e tyre në Kushtetuese sa i përket seancës konstituive të Kuvendit.

11 184 veteranë të luftës së UÇK-së

0

UCK UCKDrejtori i Zyrës për Çështje të Veteranëve të Luftës në Qeverinë e Kosovës, Faik Fazliu, ka bërë me dije se nga 32 mijë e 32 aplikacione të verifikuara deri më tani, 11 184 prej tyre u është njohur e drejta e veteranit të luftës së UÇK-së.

Shef i sekretarisë së Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të luftës së UÇK-së, Faik Fazliu, ka thënë të mërkurën për “Epokën e re” se çdo gjë është duke shkuar sipas dinamikës së paraparë sa i përket procesit të verifikimit të aplikacioneve.

“Komisioni për verifikim, ashtu siç edhe ishte planifikuar, ka filluar edhe në terren verifikimin e aplikacioneve si dhe vërtetimin e tyre nga ana e eprorëve të të gjitha njësive vartëse të ish-Zonave Operative të UÇK-së. Me këtë rast komisioni falënderon të gjithë eprorët për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e tyre për të përfunduar këtë proces shumë të rëndësishëm”, është shprehur Fazliu.

Ai ka treguar se deri më tani janë verifikuar 32 mijë e 32 aplikacione. “Prej tyre 11 184 u është njohur e drejta e veteranit të luftës së UÇK-së, 1 280 statusi i invalidit, 932 statusi i dëshmorit, 12 300 statusi i pjesëtarit dhe pjesëmarrësit, ndërsa 255 aplikacione janë duke u shqyrtuar, kurse 6 mijë e 81 aplikacione janë refuzuar për t’iu njohur ndonjëra nga këto kategori”, ka deklaruar Fazliu,shkruan Epoka e Re.

Ai ka thënë se në disa zona ka përfunduar procesi i verifikimit, kurse në disa të tjera është në proces e sipër. “Zonës së Drenicës dhe Nerodimes u janë dhënë listat e aplikantëve dhe shpejt do ta fillojnë edhe fazën përfundimtare të nënshkrimit të aplikacioneve. Kurse zonat e tjera disa i kanë përfunduar e disa janë në përfundim e sipër”, është shprehur Fazliu. Ai ka kërkuar mbështetjen e të gjithëve, që edhe faza finale e këtij procesi të përmbyllet suksesshëm, në mënyrë që të gjithëve t’u njihet kontributi i dhënë për lirinë e Kosovës.

“Komisioni për Verifikim, duke i falënderuar të gjithë për bashkëpunim, njëherësh duke e parë që faza finale e verifikimit ka mundësi të realizohet me sukses, kërkon mbështetjen e të gjithë atyre që janë të interesuar që ky proces të përfundojë sa më mirë dhe duke njohur kontributin e të gjithëve që kanë dhënë për lirinë e vendit tonë”, ka deklaruar Fazliu.

Ja rezultatet e verifikimit të 32 mijë e 32 aplikacioneve:

– 11 184 u miratohet aplikacioni për veteranë të luftës
– 1 280 ushtarë të UÇK-së, me pasoja të luftës – invalidë të luftës së UÇK-së
– 932 ushtarë të UÇK-së të rënë në luftë – dëshmorë
– 12 300 pjesëtarë dhe pjesëmarrës
– 255 aplikacione për t’u rishqyrtuar në njësi të ndryshme
– 6 081 aplikacione janë refuzuar për t’iu njohur ndonjëra nga këto kategori

Opozita në Rahovec, akuzon Komunën për shitjen lirë të 14 veturave të vjetra

0

komuna e rahovecitKomunarët e Rahovecit kanë shitur 14 vetura në shumë prej 6 mijë eurosh. Kjo ka ngjallur pakënaqësi tek opozita.

Derisa të parët lavdërohen se këto vetura i kanë shitur me një çmim të mirë, opozitarët veprimin e qeverisë lokale e kanë cilësuar shitje të lirë të tyre.

Për drejtorin e Administratës, Sali Sallteku, ato s’kanë qenë vetura por hedhurina. Sipas tij, kanë qenë jashtë çdo përdorimi dhe i kanë hedhur në ankand publik. ”Shumica kanë qenë për hedhje. Asnjë nuk ka qenë për t’u riparuar.

Më shtrenjtë do të na kushtonte po t’i riparonim ato sesa t’i blinim të rejat”, thënë Sallteku. Lidhur me to ai ka thënë se nuk ka dhënë askush më shumë se 6 mijë euro. Madje jemi detyruar që dy herë të shpallnim ankand publik. Sallteku ka treguar se prej 7 ofertuesve,vetëm një person ka ofruar çmimin e parathënë.

E menaxheri i Zyrës së prokurimit, Jetullah Kabashi, ka bërë me dije se janë shitur 14 vetura të papërdorura prej vitit 1970 deri më 2002, përfshirë 5 “Lada-Niva”,1 “Ford”,kombi transportues, “Landrover”,etj, /Koha Ditore /

Ballë për ballë në Kushtetuese

0

Isa mustafa me ramushin ne kuvendPDK dhe Blloku Opozitar LDK-AAK-Nisma, bashkë me Vetëvendosjen dhe partitë tjera parlamentare, do të ballafaqojnë sot në Gjykatën Kushtetuese argumentet e tyre lidhur me seancën konstituive të 17 korrikut, në të cilën Isa Mustafa u zgjodh Kryeparlamentar, ndërsa PDK e kontestoi menjëherë atë.

Seanca dëgjimore është thirrur nga Kushtetuesja, bazuar në kërkesën e PDK’së lidhur me kushtetutshmërinë e zgjedhjes së Kryeparlamentarit.
PDK do të përfaqësohet nga Arsim Bajrami, LDK-AAK-Nisma nga Vjosa Osmani, ndërsa Vetëvendosje nga Albulena Haxhiu dhe Armend Shkoza.
Njohës të çështje juridike kanë pohuar se pas kësaj seance dëgjimore, Gjykata Kushtetuese nuk do të duhej të vonohej më shumë se 2-3 ditë për ta bërë publik vendimin e saj lidhur me këtë çështje.

Vendimi i Kushtetueses pritet ta zhbllokojë ngërçin politik në të cilin ka hyrë vendi, që prej mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme më 8 qershor.

Shteti i painformuar

0

QeveriaKosoves-objektiInformacionet e publikuara në media për dekonspirimin dhe vrasjen e një bashkëpunëtori të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës në luftën e Sirisë, mbesin ende të pa konfirmuara nga institucionet kosovare. Të mërkurën askush nga mekanizmat shtetërorë nuk ka reaguar përkitazi me raportimet për një rast të tillë.

Gazeta Tribuna ka bërë përpjekje që të kontaktojë me kreun e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Bashkim Smakaj, po kontakti më të ka qenë i pamundur. Ndërsa ministri në largim i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se nuk ka informacione sa i përket dekonspirimit dhe vrasjes së bashkëpunëtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

“Nuk jemi në dijeni dhe kjo nuk është punë e jona. Agjencia Kosovare e Inteligjencës është agjenci e pavarur. Nuk është kompetencë e imja. AKI-ja i përgjigjet Kuvendit dhe jo Ministrisë së Punëve të Brendshme”, ka thënë Rexhepi../tribuna/