19.8 C
Prizren
E diel, 28 Prill, 2024

Lajmi “invalid” dhe agjenti i AKI-së pa emër!!!

Agim MuhaxheriShkruan: Agim Muhaxheri

Dihet emri i fotoreporterit amerikan të cilit iu pre koka në Siri, nuk dihet emri i të vrarit, agjentit të AKI-së. Shteti bie në gjumë, merret me “kompetenca”! E dinë zyrtarët apo nuk e dinë se informimi është kategori kushtetuese. Agjenti s’është as zog, as pulë të mos i përmendet emri i tij. Mu për këtë, e tëra mund të jetë gënjeshtër.
Dy informata shpërthyen si raketa. Njëra me emër, tjetra pa emër.
Dihet kush është fotoreporteri i vrarë amerikan, nuk dihet kush është viktima tjetër, një agjent yni!
Gazetaria skandinave nuk nxjerr emra. Por në këtë rast, po të ishte viktimë suedezi, danezi, norvegjezi, apo finlandezi, do t’i nxirrej emri.

Gazetarët nuk janë telepatikë, të dinë se çfarë po ndodh këtu, apo atje, t’i dinë emrat e personazheve të ndonjë ngjarjeje. E kanë mashën, nuk i djegin duart. Emrat i mësojnë drejtpërdrejt, nëse qëllojnë në vendin e ngjarjes, i mësojnë nga burimet zyrtare e jozyrtare. Nëse u mungon njëri nga elementet e lajmit, kjo shkakton huti, mosbesim te lexuesi, dëgjuesi, apo shikuesi.

Në gazeta e portale tona ke përplot lajme “invalide”. Njëri nga to ishte njoftimi për ekzekutimin e një agjenti tonë, agjentit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës në Siri.
Dy lajmet, ai për prerjen e kokës së fotoreporterit amerikan dhe tjetri për ekzekutimin e agjentit tonë (nuk përmendet mënyra e ekzekutimit) janë shokuese më tepër për anëtarët e familjeve të këtyre viktimave.

Informatat anonime shkaktojnë neveri te lexuesit e dëgjuesit.

Lexuesit janë të prirë të dinë kush janë viktimat, çfarë moshe kanë, janë të martuar, kanë fëmijë…

Mu për shkak të informatave “invalide” dalin në pah thashethemet dhe gënjeshtrat.
Lexuesit mësojnë emrin e fotoreporterit amerikan, të cilit iu pre koka nga ata të ISIS-it në Siri, ndërsa nuk dinë kush është viktima tjetër në po këtë shtet, i vrari që i përkiste Agjencisë Kosovare të Inteligjencës?

Nuk është as zog, as pulë agjenti i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës!
Agjenti nuk është as zog, as pulë të mos përmendet emri i tij.
Nëse dihet emri i tij e bëhet politikë, kjo i kalon caqet e normales.
Zyrtarët, kompetentët, e kanë për detyrë të flasin, të mos heshtin. Heshtja e tyre mund të na kushtojë, të na kthehet bumerang.

Agjencitë e huaja të lajmeve transmetuan edhe fjalët e fotoreporterit amerikan James Wright Foley, para se të ekzekutohej.

Dihet çka është lajmi, cilat janë elementet e tij. Nuk është lajm kur flet e shkruan për persona, për njerëz që kanë poste, pra edhe të agjentit. Lexuesit e dëgjuesit i intereson kush është ai agjent, i intereson emri i tij.

Gazetarët çfarë i kemi e s’i kemi ranë në provim.
Nuk u treguan të zhdërvjelltë t’i “kapërcejnë” institucionet e shtetit, ta hulumtojnë të vërtetën, ta zbulojnë emrin e agjentit të AKI-së.
Gazetarët i presin komunikatat, t’u vijnë si “në tepsi”, pastaj ta sajojnë lajmin. Kjo formë e gazetarisë duket të jetë qesharake.

Mund të arsyetohet edhe moszhdërvjelltësia e gazetarëve. E dini pse? Pagat e gazetarëve tanë, për dallim nga shefat e tyre, i kanë ët mjerueshme. Çfarë gazetarie pret prej atyre që marrin pagën 200 – 250 euro! Nuk kanë motiv të ngarendin poshtë e lart, të mësojnë emrin e agjentit që e pësoi në Siri.

Në Gjermani, Francë, Itali e gjetiu, gazetari për të gjetur të vërtetën fluturon me helikopterin e redaksisë, apo helikopterin që e paguan redaksia, ndërsa te ne “nuk i hypim as autobusit”.
Ndodhë nganjëherë që gazetarët e huaj në “oborrin tonë” të na e grabisin lajmin, pastaj ne ata i citojmë. Dhe dalim qesharakë.

Për fotoreporterin amerikan James Wright Foley thuhet se është rrëmbyer nga militantët e Shtetit Islamik që në nëntor të 2012-s. Thuhet se agjenti ynë ka qenë i infiltruar brenda grupeve xhihadiste shqiptare, pjesë e organizatave terroriste, shkruajnë gazetat.

Burime të ndryshme, përfshirë ato në Agjencinë Kosovare në Inteligjencës, kanë bërë të ditur se ky agjent i rekrutuar pas përfshirjes së kosovarëve në luftën e Sirisë, është ekzekutuar nga afërsia.

Gjithashtu është shprehur dyshimi se ai është dekonspiruar dhe është ekzekutuar.
Burime nga Agjencia kanë thënë se ai nuk është trajtuar mirë duke u lënë pa ndihmë dhe pa udhëzime të nevojshme.

Faji në këtë rast nuk është i “të tjerëve”, po i AKI-së.
Shteti nuk di kush e vrau njeriun e vet në Siri?!
Nuk di as ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi!
Madje ministri Rexhepi i ka deklaruar “Indeksonline” se kjo nuk është punë e tij. Flet ai për kompetencat. “Nuk është kompetencë jona”, thotë ai, por e AKI-së, “ngase kjo i jep llogari Kuvendit të Kosovës”.
Duhet të presim të konstituohet Kuvendi, pastaj të tregojë AKI-ja kush është i vrari, pjesëtari i saj?!

Nuk përzihet në “punët e brendshme të AKI-së” zotëri Bajram Rexhepi. Në çfarë punësh përzihet ai?!

Nëse vërtet është vrarë agjenti i AKI-së, këta të AKI-së është dashur ta informojnë publikun se për cilin person është fjala, kush është ai, ka familje apo jo. Informimi është kategori kushtetuese.

Zyrtarët e lartë të shtetit, pra edhe i pari i AKI-së, Bashkim Smakaj bëjnë politikë, merren me shifra e deshifrime. Të kujt? Merren me numrat e “statistikat” e viktimave në Kosovë e jashtë Kosovës. I sajojnë raportet, të cilat, sipas kompetencës që kanë, ua dërgojnë Kuvendit!
Vrasja e një agjenti, qoftë i AKI-së, nuk është punë e vogël.
Lajmi, që s’i ka elementet e lajmit, mund të jetë i pavërtetë, gënjeshtër.

Më Shumë

Ushtron dhunë ndaj bashkëjetueses, arrestohet i dyshuari në Rahovec

Në Rahovec të martën është arrestuar një person i dyshuar pasi raportohet se ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare me...

Moti sot: Shi dhe vranësira

Për të premten parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ndërsa lokalisht priten reshje të pakta shiu. Era do fryjë drejtimesh të ndryshme me...

Lajmet e Fundit