18.6 C
Prizren
E hënë, 11 Gusht, 2025
Home Blog Page 8382

Jackobson shpreson në marrëveshje për gjyqësorin nga takimi Thaçi – Daçiq

0

Jacobson-ambasadore amerikaneE para e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, shpreson që takimi i sotëm i kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic në Bruksel të përfundojë me marrëveshje në çështjen e drejtësisë. Ambasadorja amerikane e shtetit pret lajme të mira nga takimi i shefafve të ekzekutivit të të dy vendeve.

“Shpresoj në lajme të mira nga takimi i sotëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, sidomos në çështjen e integrimit të gjyqësorit”, ka shkruar ambasadorja Jacobson në rrjetin social Twitter.

Në Bruksel ka nisur takimi ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë – Hashim Thaçit e Ivica Daçiqit, që mbahen me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, baroneshës Catherine Ashton. Rundi i 27 janarit, përfundoi pa marrëveshje.

Libri “Dèjá vu” në 69-vjetorin e “Rilindjes”

0

Esad Dujaka-Deja vuNë ditëlindjen gjashtëdhjetenëntë të gazetës së parë shqipe në Kosovë, “Rilindja”, ish-gazetari i kësaj të përditshmeje Esad Dujaka, sjell librin e dytë të tij me titull “Dèjá vu”. Ky vëllim përmban gjashtëdhjetë shkrime autoriale që kanë trajtuar pushtetin serb mbi shqiptarët, e që janë botuar shumë kohë më parë në të përditshmet e Kosovës.

Recenzenti i librit të Dujakës, Ruzhdi Panxha theksoi se guximi, largpamësia dhe përkushtimi i pashoq e karakterizojnë autorin e librit “Dèjá vu” në trajimin e çështjeve më të ndjeshme të kohës që i kaloi populli i shqiptar i Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Auturi i librit, Esad Dujaka, ndërkaq, tregoi se ka gjurmuar me muaj të tërë në arkivin shtetëror të Kosovës për të gjetur mbi njëqind artikuj të ndryshëm që kryesisht trajtojnë tematikën e përplasjeve në mes të shqiptarëve dhe serbëve.

Artikujt e përmbledhur në “Dèjá vu” janë botuar në gazetën “Zëri i Rinisë”, “Rilindja”, “Bujku”, “Kosova Sot”, pastaj në gazetën austriake ‘Der Standard’ si dhe në “Nasha Borba” të Beogradit.

Autori Dujaka kaloi 45 vjet punë aktive në gazetari, prej vitit 2000 është pjesë e RTV 21.

Rasti i Vaçe Zelës me të tjerë, dhe hija e harresës

0

Evis-NastoEvis Nasto

Nuk dua të shkruaj për dhembjen që provohet kur një njeri ndahet nga jeta, sepse të gjithë e Evis Nastodimë që koha jonë në këtë botë është e kufizuar. Nuk dua as të përlotem më shumë sesa ata që i qëndruan realisht pranë Vaçes në agoninë e sëmundjes që e mundonte prej kohësh. Mendoj se mesazhi më i mirë në ditë të tilla është për ata që mbeten pas, ata që përfaqësojnë vlerat e një brezi që punoi me pasion dhe përkushtim, por që sot po përjeton hidhësinë e harresës, pasi është lënë mënjanë.

Personalisht, dhe do të shtoja me keqardhje, i takoj një brezi që në fëmijëri i ka dëgjuar shumë pak këto emra, sepse në kapërcyell të demokracisë, disa prej tyre u lidhën gabimisht me ideologjinë e mbrapshtë të së kaluarës, ndaj dhe me nxitim u tentua që kontributet e tyre të zbeheshin. Do të doja të kisha pasur mundësinë t’i njihja më shumë dhe pse jo, t’i adhuroja për pasionin me të cilin kanë punuar, pasi vështirë ta rigjesh në ditët e sotme te dikush.

Po flas për poetë që shkruan me shpirt vargje, edhe pse në materializmin e sotëm ato janë demode, për këngëtare që i kënduan kohës që jetuan, edhe pse ajo është shumë e ndryshme nga koha që jetojmë sot, për aktorë që interpretuan në filmat e realizmit socialist, por që në një dritë tjetër, sot vlerësohen si demagogji. Të gjithë këta janë të vdekurit e harresës që ecin në hijen ku i kemi lënë. Ata enden mes botës së përtejme, ku mortja i pret për t’i rrafshuar në mënyrë të barabartë dhe botës së të gjallëve, ku shkallarja e vlerave është dëmtuar dhe vlerat autentike konsiderohen si të vjetra, të dala boje. Ndarja nga jeta e Vaçe Zelës mori vëmendjen që duhet t’i takojë me protokoll çdo personaliteti që ka kontribuar për kombin e tij, por mendoj se një tjetër vëmendje i takonte të merrte në të gjallë. Nuk është koha për brerje ndërgjegjeje dhe as për justifikime që peshojnë në tranzicionin e gjatë të shtetit të pafuqishëm shqiptar. Tek e fundit nuk mund të qahet mbi atë çfarë ka mbetur pas e nuk mund të rikthehet. Ndaj dhe largimi i Vaçe Zelës nga kjo botë duhet të kishte prodhuar të tjera mesazhe, të paktën nga gojët e atyre që jetën e kanë ndarë mes artit dhe politikës.

Kjo humbje duhet të na kishte shkaktuar të gjithëve një dhembje më të madhe, veçanërisht për ato personalitete të tjerë që kanë jetuar më Vaçen, që kanë punuar me të njëjtin përkushtim e sakrificë, por që sot janë në kufijtë e mosqenies dhe duhet theksuar, jo vetëm prej vdekjes. Çfarë po ndodh me këtë shoqëri që nuk po arrin të evidentojë vlerat e hershme të rritura në gjirin e saj? Apo nuk është përgjegjësi komunitare, më shumë sesa shtetare kjo e lënies mënjanë?

Shkrimtari Mark Tuein e cilëson vdekjen si kalimin nga një dhomë në një tjetër, por me një ndryshim të vetëm, që me transferimin në banesën e re, nuk do të mund “të cenosh” askënd. Dhe me “cenim” nënkuptohet realisht sfida që gjallon mes aftësisë dhe paaftësisë, urtësisë dhe injorancës, dinjitetit dhe servilizmit. Raporte të tilla nuk kanë më asnjë rëndësi nga Atjeposhti dhe për rrjedhojë të gjithë prej këndej flasin mirë, të sigurt se askush nuk është rikthyer deri më tani për t’i sfiduar. Sigurisht, përveç Jezu Krishtit, por ne shqiptarët jemi fortpaganë në rrënjët tona për të besuar në historinë biblike.

Mjafton të sjellësh ndërmend sa herë blasfemojmë në përditshmërinë tonë, krejtësisht pa dashur, kur përdorim termin “vdiq” dhe jo “ndërroi jetë” pikërisht se për të vdekurit tanë, pakkush beson tek ekzistenca e jetës tjetër. Ndaj dhe ndoshta mezi ç’presim në heshtje cinike, që t’i përcjellim me nderimet e duhura të harruarit e përjetshëm. Ndryshe nuk ka si të shpjegohet sesi humbja e kujtesës kundrejt atyre emrave që shkruan historinë e muzikës, letërsisë, kinemasë shqiptare…

Nëse dikush nuk është dakord me një përfundim të tillë, atëherë le të më shpjegojë apelin publik të aktores Hajrie Rondo për ndihmë, pasi vuan nga një sëmundje e rëndë.

Apo të më thotë nëse mban mend se kur ka dëgjuar për të fundit herë mbi violinistin e shquar Ibrahim Madhi? Po për fatin e Minella Borovës që emri iu harrua që më 1993 kur u largua nga Shqipëria, për t’u kujtuar vetëm ditën e ndarjes nga jeta…? A di të ma shpjegojë dikush përse-në? Kjo nuk është gjë tjetër veçse amnezi, origjina e së cilës është tek mosmirënjohja. Koncepti i kësaj të fundit gabimisht lidhet me fjalët, ndaj dhe në këto vite ne veç kemi folur për të tilla figura në përvjetorë lindjesh apo ndarjesh nga jeta, porse në të vërtetë, antipodi i saj, mirënjohja është tjetër gjë.

Referenca e duhur besoj se është John Kennedy, i cili thoshte: “Mirënjohjen më të madhe e shprehim jo përmes shqiptimit të fjalëve, por duke jetuar çdo ditë me ato vlera të krijuara prej kontributorëve më të mëdhenj të njerëzimit”. Druaj se gjatë këtyre viteve, jo vetëm që kemi harruar këta kontributorë të njerëzimit, siç i quante Kennedy, porse jemi duke harruar edhe vlerat që ata kanë krijuar.

Kjo bjerrje e pasurisë së ndërtuar prej tyre, pavarësisht kohës së çmendur që kanë jetuar, po vë në diskutim, pa kuptuar të ardhmen e këtij brezit të ri dhe të gjithsecilit prej nesh.

Thesari i Hitlerit, vepra të reja në sitin Lost Art

0

thesari i hitleritEdhe 60 vepra të tjera arti janë gjetur në shtëpinë e Cornelius Gurlittit, 81 vjeçar, në Salsburg. Ai i kishte mbajtur të fshehura në Mynih mbi 1500 kryevepra të vjedhura nga regjimi nazist.

Mes zbulimeve të reja dyshohen të jenë një Picasso, disa vepra të Monetit dhe Renoirit.

Shumë nga veprat e gjetura në Mynih nëntorin e kaluar ishin pjesë e atyre të klasifikuara në Rajhun e Tretë si ‘art i degjeneruar’ dhe të sekuestruara nga muzetë gjermane më 1937.

Me ‘art i degjeneruar’ nënkuptohen vepra pak a shumë moderne ose abstrakte të realizuara nga artistë që regjimi i Hitlerit mendonte se kishin karakteristika “devijante”, shpesh të atribuuara “korrupsionit hebre”.

Mobilizohen për ethet hemorragjike

0

begaj ne QKMFKryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Malishevë.

Ai ka ofruar mbështetjen e plotë për QKMF-në. “Jemi në sezonin e përballjes me problemin e etheve hemorragjike dhe thumbimet nga rriqrat, dhe ju keni përkrahjen e plotë, në mënyrë që së bashku, të arrijmë t’ju dalim në ndihmë qytetarëve tanë dhe në të njëjtën kohë të punojmë për parandalimin e etheve hemorragjike”.

Drejtori i QKMF-së, Besim Zogaj, njoftoi kryetarin Begaj për gjendjen e përgjithshme në QKMF, si dhe për nevojat që ka kjo qendër për t’i rritur shërbimet ndaj qytetarëve të Komunës së Malishevës.

“Si QKMF, kemi planifikuar që ligjëratat të fillojnë një muaj më herët, se vitet e tjera, sikur edhe fushatat e vetëdijesimit, po ashtu të fillojnë më herët”.

Zogaj, bëri të ditur se deri më tani janë regjistruar tri raste të thumbimit nga rriqrat dhe të gjitha rastet janë në gjendje të mirë.

”Nuk kanë indikacione të infektimit eventual me ethe hemorragjike”./PrizrenPress.com/

Avokatët të bindur në pafajësin e Mujës dhe drejtorëve të tij

0

Ramadan MujaAvokatët mbrojtës të kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja dhe pesë drejtorëve të tij, në seancën e sotme gjyqësore, kanë thënë se klientët e tyre nuk janë fajtorë.

Ruzhdi Berisha, avokat i kryetarit Muja,tha se klienti i tij nuk e ka bërë shkelje ligjore gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare si kryetar i Prizrenit.
.Edhe Sahit Bibaj, avokat i drejtorit Drejtorisë së Urbanizmit,Sadik Paqarizi, tha se klienti i tij nuk ka kryer asnjë vepër penale.

Seanca gjyqësore ndaj kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja dhe pesë drejtorëve të tij, do të vazhdojë edhe nesër në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

Prokurorja e EULEX-it, Natasha Vikeri, ndërkaq në fjalimin e saj përfundimtar ka kërkuar dënimin me burg prej 3 deri 8 vjet, për kryetarin Ramadan Muja dhe pesë drejtorët e tij. Sipas saj, të dyshuarit kanë keqpërdorë detyrën zyrtare.

Vikeri, akuzon kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, Sadik Paçarizin – drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Ademajn – ish-u.d. së drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrës, Kadri Ukimerin – ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, Abdullah Tejecin – drejtor aktual i Gjeodezisë dhe Kadastrës dhe Minir Krasniqin – drejtor i Administratës, për kryerjen e veprave penale gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare./PrizrenPress.com/

 

FSK-ja duhet të quhet Ushtria e Kosovës

0

FSK12-16Anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së dhe ekspertë të çështjes së sigurisë kanë kërkuar që emri i ardhshëm i kësaj force të jetë Ushtria e Kosovës.

Ahmet Isufi, Rexhep Selimi dhe Ramadan Qehaja kanë vlerësuar se shndërrimi i këtij institucioni në ushtri do t’u jepte kuptim të plotë pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Ndërsa ministri Agim Çeku ka thënë se ky emërtim ende mbetet opsioni i parë për pagëzimin e kësaj force. “Normalisht se ai është opsioni i parë, por unë më shumë jam marr me substancën dhe besoj se substanca është e mirë. Për emër do të shikojmë dhe do ta vendosë kryeministri. Ne jemi duke debatuar. Ka qenë një debat i cili, fatkeqësisht, ka dalë edhe në media, por nuk ka dalë ashtu siç ka qenë. Pra, ky është një proces, i cili është duke u harmonizuar brenda Qeverisë dhe me partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë, e kjo do të na marrë pak kohë”, ka thënë Çeku për “Epokën e re”.

Ai ka treguar se ky proces do të përmbyllet pas 6-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sipas tij, substanca e kësaj force do t’i përmbushë pritjet e opinionit. “Ka shumë opsione dhe në fund do të vendoset njëri prej tyre, por nuk është personalisht punë e imja emri. Unë e kam propozuar substancën e forcës, ndërsa emri është çështje e fundit, e cila do të vendoset. Substanca do t’i plotësojë pritjet e opinionit, jo emri. Substanca qind për do t’i plotësojë pritjet e opinionit publik”, ka thënë Çeku.

Ai ka deklaruar se ky institucion është një nga tregimet më të suksesshme të Kosovës së pavarur, duke shtuar se në këtë proces do të ndryshojë edhe emri i ministrisë që drejton. “Në Kuvend do të shkojë kërkesa për ndryshime të Kushtetutës. Po në Kuvend do të shkojë Ligji për Mbrojtje dhe do të shkojë Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes”, ka deklaruar Çeku.
Ndërsa kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, Ahmet Isufi, ka deklaruar për “Epokën e re” se për të marrë kuptim të plotë pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës, FSK-ja duhet të bëhet ushtri. “Duke pasur parasysh se Kosova do të kompletohet me të gjitha institucionet si një shtet funksional, atëherë emri i kësaj force do të duhet të ishte Ushtria e Kosovës, në mënyrë që pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës ta marrin kuptimin e vet. Kjo ndihmon paqen dhe stabilitetin në rajon. Po ashtu, ndihmon në misionet ndërkombëtar nëpërmjet integrimit në NATO”, ka thënë Isufi. Ai ka deklaruar se për misionin e ardhshëm të kësaj force do të ketë rëndësi edhe emri. “Ka rëndësi shumë struktura, emri dhe misioni që ka ky institucion. Gjithashtu, kanë rëndësi edhe përgatitjet profesionale dhe trajnimet që janë kryer, sidomos vlerësimet që janë bërë shumë pozitive, duke u ngritur si një forcë kredibile në nivel të Kosovës. Pra, emri ushtri është emri i vërtetë i kësaj strukture”, ka deklaruar Isufi.
Edhe zëvendëskryetari i parë i këtij komisioni, Rexhep Selimi, ka deklaruar se deri më tash është harxhuar kohë kot duke menduar se cili do të jetë emri i ardhshëm i FSK-së. Sipas tij, vetë diskutimi dhe harxhimi i kohës për këtë çështje e konteston të ardhmen e këtij institucioni. “Nëse Kosova është shtet, FSK-ja duhet të bëhet ushtri, nëse FSK-në nuk e bëjnë ushtri, atëherë të njëjtit e kontestojnë shtetin e Kosovës”, ka thënë Selimi për “Epokën e re”. Ai ka treguar se emërtimi i FSK-së me këtë emër është shtyrë vetëm për shkak të mosgatishmërisë së Qeverisë së Kosovës.

“E ardhmja e kësaj force duhet të jetë vetëm një, që është Ushtri e Kosovës. Do të duhej të ishte e tashmja e tillë, por për shkak të mosangazhimit të duhur dhe mosgatishmërisë politike të Qeverisë së Kosovës nuk ka ndodhur kjo. Sidoqoftë, nëse kjo nuk ka ndodhur, atëherë nuk do të duhej Qeveria e Kosovës të harxhonte kohë duke diskutuar se çfarë emri do të duhej ta kishte forca e ardhshme që do ta pasonte FSK-në, përveçse Ushtria e Kosovës”, ka deklaruar Selimi. Ai ka mohuar se shndërrimin e FSK-së në ushtri po e pengojnë ndërkombëtaret. Sipas tij, një gjë e tillë i pengon vetëm Serbisë dhe aleatëve të saj që nuk e kanë njohur Kosovën. “Nuk ka shtet ndërkombëtar, i cili e ka njohur pavarësinë e Kosovës. të ketë deklaruar se shteti i Kosovës të cilin po e njohin nuk duhet të ketë ushtri. Përkundrazi, të gjitha shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës e kanë njohur si shtet të pavarur dhe sovran. E kjo nënkupton që ne t’i kemi të gjitha institucionet, edhe ushtrinë si mekanizëm partner me të gjitha shtetet që na kanë njohur”, është shprehur Selimi.
Të njëjtin mendim me anëtarët e komisionit për mbikëqyrjen e FSK-së ka edhe eksperti i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja, i cili ka deklaruar se është bërë vonesë e madhe në këtë drejtim. E për këtë vonesë ai i ka fajësuar vendorët. “Pavarësisht se jemi të vonuar dhe presionit bukur të madh të bashkësisë ndërkombëtare, mendoj se këtë forcë duhet ta quajmë Ushtria e Kosovës, assesi ndryshe”, ka thënë Qehaja për “Epokën e re”.

Ai ka bërë me dije se nëse NATO-ja nuk e dëshiron një gjë të tillë atëherë kjo organizatë duhet të kërkojë edhe nga vendet e tjera të rajonit t’i zvogëlojnë këto forca. “Unë e kuptoj atë se dikush nga lidershipi ynë do të thoshte se lehtë e ka ai të flasë, por si ekspert i çështjeve të sigurisë dhe ekspert ushtarak mendoj se ne duhet të shkojmë në këtë drejtim. Pse vetëm ne të privohemi nga një e drejtë që e kanë të gjitha shtetet këtu në rajon. Nëse nuk duhet të kemi ushtri, atëherë së paku pse NATO nuk kërkon të zvogëlohen ushtritë e shteteve të rajonit ose ato të hiqen në tërësi”, ka deklaruar Qehaja.

Lamtumirë Skënder Sallaku! Mjeshtri i humorit nderohet sot me homazhe

0

SkenderSallaku-ikona e humoritLamtumirë Skënder Sallaku, vepra jote mbetet e paharruar! Me këto fjale, familjarë, të afërm, miq të cilët janë shumica artistë, artdashës janë drejtuar në heshtje sot rreth ores 11:00 drejt hollit në Teatrin Kombëtar, atu ku është vendosur trupi i pajetë i Mjeshtrit të Madh të humorit, “Artistit të Popullit”, Skënder Sallaku.

Tufa dhe kurora me lule mbushen arkëmortin ndërsa mbi të janë foto e të madhit Skënder Sallaku. Një foto e madhe ku Skënderi u buzëqesh të gjithëve qëndron mbi arkëmort. Dhe miqtë më zë të ulët, thonë ‘kështu do të mbajmë mend gjithmonë Skënder”.

Homazhet po organizohen nga Bashkia e Tiranës. Më pas trupi i pajetë i ‘Artistit të Popullit’, do të përcillet për në banesën e fundit në Varrezat e Tufinës në Tiranë.

Skënder Sallaku ndërroi jetë dje pas një sëmundje të rëndë ne moshen 79-vjecare. Ai la pas nje karriere te pasur duke u renditur si njëri nga aktorët tanë më të mirë të humorit, autor skeçesh e parodish, etj. Është i njohur për interpretimin e tij brilant në estradë dhe cirk.

Parodistët e Vlorës: (Afrimi) Mjeshtrat e artit shqiptar. Është Mjeshtri më i madh i humorit shqiptar. Jeta kështu e ka, por ai mbajti një peshë kaq të madhe në kohën e komunizmit, e kanë mirëpritur të gjithë. Që nga Tropoja deri në jug, sa dilte Skënderi në skenë e donin. U shua ylli më i shndritshëm i skenës së humorit. Lamtumirë Skënder.

(Agroi) Zoti lart rrëmbeu për ta cuar në një vend më të mirë. Ai ishte një ndër artistët më të pasur sepse rrëmbeu duartrokitje për më shumë se gjysëm shekulli. Artist dhe njeri, ishin binjakë këto të dyja tëk Skënderi. Ka qenë model, ne kemi fatin që jemi brenda familjes së tij. Pa Skënderin nuk imagjinoj dot me festat, do na mungojë.

E bija, Denisa Sallaku: Ju rrëfej ditët e fundit të tim eti
E bija e Skënder Sallakut, Denisa, rrëfen kujtimet me të atin, në 11 ditët e fundit të jetës. Krejt e papërgatitur për humbjen, ajo kujton se sëmundja u shfaq dhe e mori në mënyrë të menjëhershme.

“Babai ishte shumë mirë. Para 11 ditësh, erdhi të më shihte mua në shtëpi. Kishte tri ditë pa më parë dhe ngaqë kishim marrëdhënie shumë të mira, erdhi të më takonte. Nuk rrinim larg njëri-tjetrit më shumë se tri ditë”, – tregon Denisa (Bilali). Ajo kujton se atë ditë e pa të zbehtë. “Ishte pak i zbehur në fytyrë dhe i thashë: ‘baba, ti nuk je mirë’, por ai mohoi të kishte probleme. ‘Jam shkëlqyeshëm, – më tha. – Erdha të të takoja’. Më pas, është kthyer në shtëpi, ka ngrënë drekë dhe është shtrirë për të fjetur. Kur është zgjuar, qe ndjerë keq. Ka pasur hemorragji të brendshme”, – kujton ajo. Mbasi e dërguan menjëherë në Urgjencë dhe në spital, Denisa nuk harron të vlerësojë stafin mjekësor, që treguan vëmendje maksimale, duke filluar nga mjekët e deri tek infermierët e sanitaret.

“Vëmendja e tyre ishte maksimale, dashuria e tyre ishte maksimale, ashtu sikundër ishte edhe profesionalizmi i tyre”, – falënderon ajo. Në fund, veçon mbase edhe një peng, kur tregon këtë bisedë: “Para se të futej në sallën e operacionit, u shpjegonte infermierëve e mjekëve që ai qe propozuar edhe për titullin ‘Nderi i Kombit’. Infermierja që e shoqëronte, por edhe unë, i thamë: “Ti, je Nderi i Kombit!”. Ndërsa vitet kalojnë e artistët mbeten mbase disi të harruar, hera-herës, ne harrojmë se nëse për ta nuk ka mbështetje financiare, ajo morale, nuk duhet të mungojë.

Jetëshkrimi, rolet dhe titujt
I lindur më 25 janar 1935 në Tiranë, ai është konsideruar si një nga aktorët më të mirë të humorit, me skeçe dhe parodi të ndryshme. Njihet dhe si ish-kampion kombëtar në mundjen klasike.
Fillimet në artin e cirkut janë në lëvizjen amatore, pranë Pallatit të Kulturës “Ali Kelmendi”. Në vitet 1954-1955, aktivizohet me grupin e Estradës së Kufirit si aktor.
Më 1957 u bë aktor në Estradën e Shtetit, ku u aktivizua deri në fund të vitit 1990, kur doli në pension. Ka meritën e të qenit klouni i parë, ndërsa ka interpretuar si pantonimist tek “Karrigia”, “I vdekuri”, “Busti”, Boksi”, “Kuzhinieri”, “Pjatat”, “Bojaxhiu”, “Pija”, “Ariu”, “Valixhja”, “Kovat” e mjaft të tjera.
Ka kryer një kualifikim njëvjeçar në Kinë, pranë cirkut të Pekinit. Si aktor, Skënderi shkëlqeu në disa role, “Oreksi i madh”, “Revolja e humbur”, “Gjuetia e fundit”, “Cirku në fshat”, “Kur hiqen maskat”, “Estrada në ekran”. Në vitet 1959-1960, ai ka dalë kampion kombëtar në mundje. Është vlerësuar me titujt: “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit” dhe “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”./bw/

Arrestohet një boshnjak në Prizren për vjedhjen e një televizori “Plazma”

0

arrestimi 2Policia ka arrestuar një boshnjak, nën dyshimet se i njëjti kishte vjedhur një televizor Plazma në vlerën e 700 eurove.

Sipas policisë, televizori ishte vjedhur ditë më parë në fshatin Neprogosht të komunës së Prizrenit, dhe viktima gjithashtu ishte boshnjak.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje

Reporterët pa Kufij: Kosova e 80-ta, përparim për 5 vende

0

reporteret pa kufiNë raportin më të ri të organizatës Reporterët pa Kufij, me seli në Paris, për lirinë e shtypit, Kosova është klasifikuar në vendin e 80-të, duke shënuar kështu përparim për 5 vende nga viti i kaluar, kur ishte në vendin e 85-të.

Prej vendeve të rajonit, Shqipëria është në vendin e 85-të, ndërsa Maqedonia ka shënuar rënie prej vendit të 116-të, në venin e 123-të.

Klasifikimin më të mirë nga vendet e Ballkanit, në raportin “Indeksi i Lirisë së Shytpit në Botë”, e ka Sllovenia (34).

Serbia është në vendin e 54, Koracia është e 65-ta, Bosnjë Hercegovina e 66-të, ndërsa Mali i Zi plasohet në vendin e 114-të.

Në krye të listës, gjenden Finlanda, Holanda, Norvegjia, Luksembuergu dhe Andora, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë shënuar rënie duke u plasuar në vendin e 46-të, ndërsa një vit më parë ishin në vendin e 13.

Në listë gjenden gjithsej 180 shtete dhe territore, ndërsa në fund të listës janë Turkmenistani, Koreja Veriore dhe Eritrea.
(REL)