21.7 C
Prizren
E diel, 27 Korrik, 2025
Home Blog Page 8434

Shala: AAK-ja po e kërcënon PDK-në

0

bexhet Shala KMDLNJAnalisti politik Behxhet Shala paralajmërimet e AAK-së për mosmbështetjen e dialogut i ka vlerësuar kërcënuese për PDK-në dhe faktorin ndërkombëtar.

Ai ka thënë për “Epokën e re” se AAK-së i ka dalë vonë “gjumi” për ta kundërshtuar dialogun me Serbinë. “Paralajmërimet dhe deklaratat e zyrtarëve të AAK-së për t’u larguar nga dialogu më tepër janë kërcënim ndaj PDK-së dhe bashkësisë ndërkombëtare. Natyrisht më shumë janë kërcënim ndaj PDK-së për ta forcuar pozicionin e saj në një koalicion të mundshëm me partinë e Thaçit. Ky qëndrim është i vonuar sepse vendimet e dëmshme për Kosovën janë marrë më herët. Pra, pjesa dërrmuese e marrëveshjeve të dëmshme tashmë janë arritur, ku Serbia e ka fituar datën për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE”, është shprehur Shala. Sipas Shalës, ky kërcenim i AAK-së është duke ndodhur për shkak të debaklit që ka pësuar në zgjedhjet lokale të vitit 2013. “Tash më shumë do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes sesa për marrëveshje të reja. Kështu që, AAK-ja më tepër këtë qëndrim e ka bërë si kërcënim dhe si një ‘pushkë e zbrazët’ për shkak të humbjes që ka pësuar në zgjedhje. Me këtë kërcënim është duke u munduar ta mbushë ‘pushkën’ për zgjedhjet e përgjithshme, të cilat pritet të mbahen në vjeshtë”, ka thënë Shala. Ai ka deklaruar se këto lëvizje taktike të AAK-së nuk do të kenë shumë ndikim në rritjen e partisë së Ramush Haradinajt. “Do të ketë një efekt të vogël, por jo çfarë është duke pritur AAK-ja, sepse Kosovës i janë bërë shumë dëme nga ky dialog”, është shprehur Shala.

Analisti Shala ka vlerësuar se largimi i mundshëm i AAK-së nga dialogu nuk çon fare peshë. “Dëmet nga ky dialog tashmë janë evidente. Përgjegjëse për këto dëme janë edhe AAK-ja, LDK-ja dhe PDK-ja. Në fund të fundit, në qoftë se ndërkombëtarët janë të interesuar ta mbajnë AAK-në në dialog, atëherë ata edhe më tutje do të jenë pjesë e këtij procesi”, ka deklaruar Shala, duke shtuar se dialogu me Serbinë nuk varet as nga PDK-ja e aq më pak nga AAK-ja. “Dialogu varet vetëm prej Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Në qoftë se këto dy vende janë të interesuara ta shtyjnë përpara këtë proces, tanët vetëm do t’ia bëjnë amin. Ajo çfarë mund të bëjë Kosova, është vetëm një zhurmë të vogël sa për publik, sepse në dialog ka hyrë pa asnjë kusht”, ka thënë Shala, duke mos e konsideruar si anëtar të AAK-së Blerim Shalën, i cili është koordinator i dialogut me Serbinë dhe nënkryetar i parë i aleancës. “Blerim Shalën nuk e konsideroj fort si anëtar i AAK-së. Ai është anëtar i AAK-së sipas detyrës që ia ka qitur vetes në këtë partie. Ai nuk është i lidhur me asnjë parti. Blerim Shala i ka lidhur bishtat me të gjitha partitë politike. Aty ku e ka parë interesin, ai ka qenë i gatshëm të hyjë në çdo obligim. Natyrisht, Shala nuk ka mundur të shkojë në dialog pa pëlqimin e Haradinajt. Të gjithë duhet ta dinë se Shala nuk paraqet asgjë në dialog. Nga ana e Kosovës, në dialog vendos vetëm Thaçi, të tjerët e kanë për detyrë vetëm t’i shkojnë mbrapa”, ka theksuar Shala.

Eqrem Kryeziu: Fatmir Sejdiu ma shtoi apetitin për t’u bërë Kryetar i LDK’së

0

EqremKryeziu-ldkDeklaratat e Kryetarit të nderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fatmir Sejdiu që është i gatshme të rikthehet si kryetar i njëmendët i kësaj partie, i ka ironizuar Eqrem Kryeziu, anëtar i Kryesisë së LDK’së.

Ai duke komentuar këto deklarime dhe kërkesën publike të Sejdiut që Kryetari aktual i LDK’së, Isa Mustafa të japë dorëheqjen, ka thënë për Express se ia kanë shtuar edhe vetë atij apetitet për tu bërë i pari i LDK’së.

“Besa kur e këqyrsha se çka folke Sejdiu, mu shtua fortë apetiti për t’u bërë edhe unë kryetar i LDK’së. Po çka kam unë që s’bëhem, unë patate s’jam kah mbjelli këtu”, ka thënë Kryeziu për Express.

 

Begaj: Malisheva mund të shkojë në zgjedhje të reja

0

RagipBegaj-IQPMKryetari i Malishevës,Ragip Begaj nuk e përjashton mundësin e shkuarjes në zgjedhje të reja në këtë qytet, nëse opozita vazhdon t’i braktisë seancat e Asamblesë Komunale.

Ai thotë se opozita duhet t’i kryej detyrat e veta,të cilat i ka marrë nga qytetarët në zgjedhjet e 3 nëntorit të vitit të kaluar.

“Nëse opozita vazhdon me bojkotim ne do të respektojmë ligjin dhe do të shkojmë në zgjedhje edhe në një herë. Mua më konvenon me shku në zgjedhje,kurse ata mund të veprojnë qysh t’ia merr mendja”,thotë Begaj për “PrizrenPress”.

Partitë opozitare në Malishevë, kanë braktisur dje seancën e Asamblesë Komunale. Në mungesë të kuorumit,Asambleja është detyruar t’i ndërpresë punimet, në të cilën ishte paraparë të zgjidhet Kryesuesi.

Kryetari Begaj thotë se nuk e ka në plan të bëjë koalicion me asnjë subjekt politik, për të formuar qeverinë e re.

“Kam vendos mos të bëjë koalicion me askënd. Unë nuk përzihem në punët e Asamblesë”.

Begaj thotë se opozita e ka braktisur seancën e Asamblesë Komunale, pa kurrfarë arsye.

“Opozita mund të zgjedh për kryesues cilindo që dëshiron,por nuk mund të më bëjnë presion për të formuar qeverinë e re”.

“S’kanë dhënë asnjë emër për kryesues. E kanë braktisë mbledhjen pa kurrfarë arsye .Unë nuk e kam problem të bashkëpunoj me cilindo emër që do të zgjidhet kryesues”

Sipas tij, opozita nuk po mundet ende të pajtohet me humbjen që ka pësuar në zgjedhjet e 3 nëntorit të vitit të kaluar.

“Ata ende s’po munden m’u pajtu me humbjen,prandaj shpresoj se do të kthjellën. Por nëse nuk kthjellën unë do të veproj sipas ligjit dhe do të shkojë në zgjedhje”./PrizrenPress.com/

 

Policia nis hetimet për rrënimin e objektit të ish-“Jugobankës” në Prizren

0

shtepia e djegur ne prizrenOrganet e hetuesisë janë duke grumbulluar prova lidhur me rrënimin e objektit të ish -“Jugobankës” në Qendrën Historike të Prizrenit, derisa hetimet për djegien e shtëpisë së familjes Shehu në “Tabakhanë” janë mbyllur pas konstatimit se zjarri është shkaktuar nga nga rrjeti elektrik.
Kryeprokurori i Prokurorisë së Themelore në Prizren, Sylë Hoxhaj , ka theksuar se të dy rastet janë shqyrtuar me kujdes, pasi që në opinion janë ngritur dyshime për shkatërrim të qëllimshëm.

“Me anë të një shkrese Prokuroria ka autorizuar Policinë që të ndërmarrë veprime hetimore për grumbullimin e provave lidhur me rrënimin e objektit të ish-“Jugobankës” në Qendrën Historike të Prizrenit”.

“Ndërsa raporti i hetuesve të policisë , lidhur me djegien e shtëpisë së familjes Shehu konstaton se nuk ka elemente të veprës penale, pasi që zjarri ishte shkaktuar nga rrejti elektrik”, ka thënë Hoxhaj. /Koha Ditore/

Përshkrime lufte për Kosovën në Krishtlindje nga patriarku serb

0

Irinej-patriarku serbPatriarku serb Irinej i ka porositur sot serbët e Kosovës se nuk janë të harruar porse me ta janë të gjithë serbët, dhe, siç ka thënë ai, gjithë bota paqedashëse, njofton radio KIM. Patriarku gjatë lutjes për Krishtlindjet Ortodokse në Beograd ka thënë se në Kosovë vuajtjet dhe padrejtësitë nuk po pushojnë dhe se me shekuj po vazhdojnë përpjekjet për rrëmbimin e saj.

“Kosova e jonë është vendi tmerrshëm i ekzistencës, sepse në të nuk po pushojnë vuajtjet e padrejtësitë po shtohen nga dita në ditë. Trazirat dhe dhuna po mbretërojnë në Kosovë. Me dekada e me shekuj po e rrëmbejnë këtë krahinë, Serbinë e Vjetër historike nga qenia jonë”, ka thënë Irinej.

Matmuja: Festivali i RTSH-së ka spastruar shumë figura që nuk duhet të quhen këngëtarë…

0

HersiMatmuja14Kënga “Zemërimi i një nate” nën interpretim të këngëtares Hersi Matmuja është shpallur fituese e edicionit të 52-të të Festivalit në RTSH, këngë që do ta përfaqësojë Shqipërinë edhe në “Eurovision”. Këngëtarja që fitoi dhe edicionin e 52 të festivalit është ngjitur në skenën e tij dhe herë të tjera, por siç pohon dhe vetë këngëtarja këtë herë arriti të realizojë ëndrrën e saj. Të jesh fituese e Festivalit në RTSH do të thotë shumë për këngëtaren Hersi Matmuja, e cila prej disa vitesh e ndan jetën mes Romës ku është për studime dhe Tiranës. Në javën e parë të janarit të vitit 2014, në një intervistë për ‘Sotnews’, Hersi rrëfen emocionet dhe përjetimet e këtij festivali. Hersi Matmuja është një artiste që e ka nisur udhën e këngës që në moshën 8 vjeçare, dhe që nga ajo kohë ka marrë pjesë në konkurse dhe evenimente të ndryshme muzikore. Në ditët kur jo pak po flitet për muzikën e lehtë shqiptare, Hersi Matmuja thekson se si këngëtare kërkon gjithmonë origjinalitetin në krijimtarinë muzikore, atë që nuk është kopje, por krijim i pastë muzikor.

-Jemi në javën e parë të 2014, vit që ka nisur mbarë për ju, sepse jeni shpallur fituese e Festivalit të 52 të Këngës në RTSH. Këtë edicion ishin në konkurrim 16 këngë, ju e prisnit çmimin e parë?
E shpresoja shumë këtë vlerësim. Konkurrenca ishte e fortë dhe ishin 16 këngë në finale, që ishin të mirëpritura edhe nga publiku. E ëndërroja dhe mu realizua.

-Juria e këtij edicioni të festivalit ka pasur shumë kompozitorë. Si je ndjerë para se juria të jepte gjykimin?
Juria ka pasur emra të njohur kompozitorësh si Krajka, Lalo, Zacharian, Rushiti, Lako, por dhe emra të tjerë të njohur si rektori Malaj apo dhe poeti Xhevahir Spahiu. Ne ishim të gjithë të vënë në provë, por fakti që u vlerësua nga emrat që i kanë dhënë muzikës shqiptare dhe që përbëjnë vlerën historike të muzikës shqiptare është plus i madh për mua.

-Keni pasur takime me anëtarët e jurisë para festivalit apo dhe pas zhvillimit të tij? Çfarë kanë thënë ata në lidhje me këngën tuaj, interpretimin tuaj?
Para festivalit nuk kemi pasur mundësi të takonim, flisnim, sepse juria duhet të ishte e qetë të vendoste gjykimin e saj. Juria ka ndjekur provat, por pas festivalit, unë kam marrë komplimente të mira nga të gjitha anëtarët dhe jam e lumtur që ata gati njëzëri vlerësuan këngën time.

-Një detaj nga këto vlerësime?
Kam pasur shumë komplimente për zërin nga të gjithë, por dhe për këngën. Kënga dallonte nga të tjerat, kishte melodi të veçantë dhe ishte e sjellë në mënyrë të veçantë nga kompozitori Genti Lako duke iu bashkangjitur shumë tekstit të Jorgo Papingjit.

-Hera e parë që bashkëpunon me Papingjin dhe Lakon?
Jo është hera e dytë, pasi dhe në edicionin e 51 të festivalit ne kemi bashkëpunuar me këngën “Kush ta dha këtë emër”, ku u vlerësuam me çmim të tretë. Ne vendosëm sërish të bashkëpunonim për festivalin dhe arritëm dhe çmimin e parë.

-Çfarë ju bëri përshtypje në momentin kur u njohe me tekstin e shkruar nga Jorgo Papingji?
Ai tekst mbart një mesazh shumë të rëndësishëm. Titulli “Zemërimi i një nate”, mendoj që e gjithë zanafilla e tekstit vjen nga shprehja popullore: çdo mëngjes është më i mençur se çdo mbrëmje. Dhe fraza që përmbledh gjithë kuptimin e këngës është, çdo mëngjes është më i zgjuar se çdo mbrëmje. Shpjegon zemërimin, si prishja e marrëdhënieve njerëzore, prishja e marrëdhënieve të dashurisë, miqësisë, dhe kënga ime thotë mendohu një natë, mendohu pak gjatë. Pra mos e thuaj fjalën e fundit sepse shpeshherë fjala rëndon shumë dhe thyen marrëdhënie që janë të vështira për tu ngjitur sërish. Kjo këngë ka një mesazh të bukur.

-Ju studioni në Itali, çfarë mund të na zbuloni mbi aktivitetin tuaj artistik atje?
Para 4 vitesh mora pjesë më konkurs në Konservatorin në Santa Cecilia në Romë duke u renditur e para në rradhë, dhe ky është viti i pestë që unë vijoj atje studimet për kanto. Në Itali jeta ime artistike është e përqendruar totalisht në koncertet e muzikës klasike, dhe jam shumë e angazhuar në shumë zhanre. Mundohem të marr pjesë tek të gjitha, sepse më pëlqen të eksperimentoj në zhanre të ndryshme në muzikë, dhe për këtë arsye jam gjetur mirë me kompozitorin Genti Lako sepse ai kërkon diversitetin, shumë kërkues. Konservatori është një nga më të lakuarit në Europë dhe jam e lumtur që kam bërë këtë zgjedhje.

-Thatë që studioni për kanto, sa ju ka ndihmuar muzika klasike në aktivitetin tuaj me muzikën e lehtë?
Mendoj që shkolla ndërton shtyllat e forta. Shkolla që unë studioj më ka kultivuar maksimalisht shijet, zërin, mënyrën e të kënduarit. Por jo vetëm shkolla në Itali, pasi unë kam mbaruar Liceun Artistik “Jordan Misja” në degën e kantos dhe kam studiuar dhe një vit në Akademinë e Arteve, më pas kam vijuar studimet në Romë.

-Ju keni vite që i jeni kushtuar krijimtarisë muzikore, si ka nisur udha juaj me muzikën?
Unë jam me origjinë nga Kukësi. Kam ardhur në Tiranë që 5 vjeçe dhe kam nisur të këndoj që në moshën 8 vjeçare duke kënduar tek Pallati i Pionerëve atë kohë. Më pas kam marrë pjesë në festivale për fëmijë në Shkodër apo Tiranë, konkurse të ndryshme, “Çelësi i artë” me muzikë popullore, më pas kam konkurruar dhe tek “Ethet e së premtes” ku atë kohë unë fillova dhe studimet në Lice. Pas konkurrimit në “Ethet e së premtes” kisha dhe kontaktin e parë me festivalin në RTSH. Rastësisht takova kantautorin Frederik Ndoci, dhe ai ka vënë gurin e parë në udhën time, ka qenë festivali i 45 në RTSH në vitin 2006 me këngën “Ah jetë o jetë”. Më pas i jam rikthyer festivalit të 49 me kompozitor Gent Myftaraj dhe Agron Tufën si poet, në festivalin e 50 që ishte dhe përvjetori i këtij festivali u ftua kompozitori Shpëtim Kushta të merrte pjesë për të nderuar figurat historike të festivalit, i cili me shumë dëshirë dhe vlerësim më zgjodhi mua që ta këndoj këngën e tij titullar “Aty ku më le”. Në festivalin e 51 u prezantova me këngën “Kush ta dha këtë emër” bashkëpunim me Genti Lakon dhe Jorgo Papingjin ku morëm çmimin e tretë siç ju thash dhe më lart, dhe në edicionin e 52 të viti 2013 fitova dhe mu realizua ëndrra, ku më pas do të jemi dhe në “Eurosong”.

-Në çfarë përgjegjësie je para pjesëmarrjes në “Eursong” dhe si do të prezantohet kënga në këtë festival evropian?
Për momentin ende nuk janë vendosur detaje të këngës në “Eurosong”, do të ketë të tjera takime për të vendosur shumë gjëra. Unë jam shumë e nderuar dhe e privilegjuar që përfaqësoj Shqipërinë. Jam e lumtur që unë si Hersi me eksperiencën time do të përfaqësoj vendin tim. Do të mundohem të jap maksimumin, sepse është një përgjegjësi shumë e madhe, nuk do jem vetëm unë si Hersi, por do të përfaqësoj Shqipërinë.

-Festivali gjithmonë është shoqëruar me mendime pro dhe kundër. Edhe gjatë këtyre ditëve nuk kanë munguar komentet e ndryshme mbi festivalin, për krijimtarinë, për këngën fituese, ana e spektaklit, etj. Cili është qëndrimi juaj në lidhje me zërat që nuk janë pajtuar me këtë vlerësim?
Një këngë nuk mund ti pëlqejë të gjithëve, dhe është e drejta e secilit që të shprehë mendimin e tij, jo mbi mua personalisht por mbi zërin dhe këngën, por komentet që janë personale nuk më pëlqejnë. Çdokush ka mendimin e tij mbi festivalin, por mua do më pëlqente të më mbështesnin. Jam një vajzë e re dhe kam nevojë për konfirmim, shpresoj që të gjithë ata që mendojnë negativisht të reflektojnë. Jemi njerëz, kemi ndjenja dhe vritemi, por e di që një këngë nuk mund ti pëlqejë të gjithëve. Në momentin që unë kam dalë në skenë dhe kam marrë këtë çmim pres dhe vlerësimet pro dhe komente të tjera, mendime të ndryshme. Unë kam parë që për këngën ka pasur shumë komente pozitive nga shikuesit e Eursongut dhe kjo më pëlqen. Ky është një tregues shumë i mirë. Kënga ime “Zemërimi i një nate” do të përfaqësojë Shqipërinë dhe do të doja që të kisha përkrahje.

-Pas festivalit si do të vijojë aktiviteti juaj artistik?
Plani më i afërt është Festivali Europian dhe do të bëj gjithçka që të dal sa më mirë. Muzika është jeta ime dhe sigurisht që do të ketë të tjerë projekte muzikore.

-Gjatë gjithë vitit flitet për muzikën shqiptare dhe duket se kjo kulmon pas festivalit në RTSH. Diskutohet për probleme, vlera, arritjet, etj. Kur flasim për muzikën shqiptare, çfarë kërkon Hersi Matmuja?
Në krijimtarinë muzikore shqiptare kërkoj origjinalitetin, kërkoj atë që ka humbur. Janë bërë shumë kopje kompozitorësh. Unë dua frymën, muzën, ato nota muzikore të jenë origjinale, jo kopje sepse dëgjoj dhe këngë që më duken njëlloj. Ne kemi zëra të mrekullueshëm dhe kompozitorë shumë kreativë, por që nuk vlerësohen. Ne duhet të edukojmë publikun, jo publiku ne. Ky është problemi, popullin duhet ta ushqesh me origjinalitetin në muzikë, me freskinë, dhe ajo që më pëlqeu në këtë festival ishin të rinjtë, këngëtarë që këndojnë shumë mirë live. Ka disa festivale dhe mund të zgjedhësh ku të shkosh dhe festivali i RTSH duke qenë live ka spastruar shumë figura që nuk duhet të quhen këngëtarë. Festivali i RTSH për mua mbart vlera dhe është i vetmi që nuk ka komercialitet brenda.

-Mes muzikës klasike dhe asaj të lehtë, ku e gjeni më shumë veten si këngëtare?
Deri tani jeta ime ka qenë e ndarë mes Romës dhe Shqipërisë, mes muzikës së lehtë dhe asaj klasike. Për momentin unë po ndjek ëndrrën dhe nuk e di ku do të më çojë ëndrra.

Vdiq “kumbara” i filmave kung-fu

0

Run Run Shaw-kungfuProducenti i filmave kung-fu, Run Run Shaw, njëri nga figurat më me ndikim në industrinë filmike në Azi, ka vdekur në moshën 106-vjeçare.Arsyet e vdekjes së tij nuk janë bërë të ditura në komunikatën e lëshuar nga Television Broadcasts Limited (TVB), të cilën e themeloi Shaw në vitin 1967 ndërsa bëhet e ditur se ai ka vdekur të martën.

Kompania e tij filmike “Shaw Brothers Studios” realizoi rreth 1 mijë filma dhe popullarizoi kung-fun nga e cila u frymëzuan edhe regjisorët e Hollywoodit si Quentin Tarantino.

Studioja e tij, dikur në mesin e studiove më të mira në botë, ndihmoi në nisjen e karrierave të regjisorëve si John Woo. Televizioni i tij ndihmoi në ngritjen e aktorëve si Chow Yun-fat. Ai gjithashtu ishte producent i filmit amerikan “Blade Runner”.

Komuna e Suharekës vazhdon mbështetjen për “Handikos”-in

0

Sali Asllanaj-Melihate GashiKryetari i komunës së Suharekës, Sali Asllanaj dhe përfaqësuesja e QRBB “Handikos” në këtë qytet, Melihate Gashi, kanë nënshkruar marrëveshjën e mbështetjës financiare nga ana e komunës për “Hendikos”-in për këtë vit.

Kryetari Asllanaj, me këtë rast ka theksuar se “do të vazhdojë mbështetja e përsonave me nevoja të veçanta, komuna do të përkrah “Handikos” në të gjitha nevojat që ata kanë”. Ai ka përgëzuar “Handikos”-in për punën dhe kujdesin që po bënë për rreth 600 anëtarë të kësaj Qendre.

Ndërkaq, në emër të QRBB “Handikos”, për përkrahjen dhe mbështetjën financiare ka falenderuar përfaqësuesja Melihate Gashi. Ajo ka theksuar se qëllimi i kësaj marrëveshje është financimi projektit që ka të bëjë me rehabilitimin fizio dhe psikoterapeutik të përsonave me aftësi të kufizuar e me theks të vacant të fëmijve me aftësi të kufizuara.

Përmes këtij projekti komuna e Suharekës do të përkrah zhvillimin e aktiviteteve në Qendrën e RGG “Handikos” me vlerë prej 26.500,oo euro, mjete këto që janë të planifikuara për aktivitetet gjatë vitit 2014. /PrizrenPress.com/

Hamiti: Debatet fetare të marrin fund

0

XhabirHamiti-bikProfesori i Studimeve Islame, Xhabir Hamiti, ka bërë thirrje që debatet fetare, të shtyra nga agjendat e huaja, duhet të marrin fund në Kosovë.

Ai ka thënë se debatet e mbushura me paragjykime ndjellakeqe ndaj atyre që mendojnë dhe besojnë ndryshe e shkatërrojnë kombin shqiptar në faza afatshkurtra dhe afatgjata.

“Ne si komb shqiptar, myslimanë e të krishterë, shekuj me radhë kemi qenë, fatmirësisht jemi edhe sot, pjesë e një kulture të lartë të respektit dhe të tolerancës ndaj përcaktimit të besimit të njëri-tjetrit. Këtë vlerë mund ta luhatin vetëm qarqet e huaja antishqiptare e, si duket, ato vitet e fundit kanë qenë goxha aktive në këtë drejtim. Duhet të jemi vigjilentë dhe syçelë, njëkohësisht të mobilizuar si shoqëri dhe shtet, pra vertikalisht dhe horizontalisht, ta pengojmë çdo orvatje të tillë të rrezikshme”, ka thënë Hamiti në intervistën për “Epokën e re”.

Ish-kryetari i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës i ka ftuar edhe udhëheqësit e komuniteteve fetare ta mbajnë nën kontroll punën e tyre dhe të marrin masa disiplinore për çdo deklaratë ad hoc, të pamatur dhe tendencioze të prijësve fetarë.

Ai ka sqaruar se të jesh një prijës fetar assesi nuk do të thotë ta gëzosh të drejtën të thuash fjalë të pamatura, të cilat nxisin dhe ndezin përçarje mes njerëzve si dhe luhatin interesin e përgjithshëm në shoqëri.

Hamiti ka deklaruar se debatet e mbushura me paragjykime ndjellakeqe dhe nënçmuese ndaj të gjithë atyre që nuk mendojnë dhe besojnë si protagonistët e tyre e shkatërrojnë kombin shqiptar në faza afatshkurtra dhe afatgjata.

Hajduti serik vidhte kabllot në autostradë

0

Autostrada5-28Paraqiteshin si punëtorë të një kompanie të mirëmbajtjes së ndriçimit elektrik të autostradës “Ibrahim Rugova”, por ishin hajdutë që vidhnin kabllot për t’i shitur pastaj për skrap, në një deponi, matanë kufirit, në Kukës. Madje, për të qenë më bindës, ata paraqiteshin të veshur me rroba të punës të një firme që gjoja po riparonte diçka dhe shkëputnin kabllot elektrike, duke i ngarkuar pastaj në furgonin e “firmës” që kishin me vete.

Që disa herë, në kohë të fundit, ka ndodhur që persona të panjohur të vjedhin kabllot elektrike të ndriçimit të autostradës, kryesisht në segmentin në afërsi të Prizrenit që shpesh ka mbretur në terr. Nuk kalonte shumë kohë pas riparimit dhe kthimit të ndriçimit në autostradë dhe ato prapë dëmtoheshin, përkatësisht kabllot këputeshin.

“Biznesi” i tyre nuk ka zgjatur shumë pasi policët e stacionit të Malishevës, kohë më parë, kanë arrestuar duke i kapur në flagrancë dy persona nga Shqipëria, të cilët të veshur me rroba të punës po i këpusnin kabllot e ndriçimit dhe ata tashmë po hetohen dhe së shpejti pritet të dalin para drejtësisë, ndërkohë që lënda e tyre është kompletuar dhe hajdutët e kabllove do të përgjigjen para gjykatës.

Hetimi i mëtejmë i rastit me dyshimin se ata nuk ishin të vetëm, por se mund të kenë pasur edhe dikë tjetër që mund t’u ketë ndihmuar në këtë lloj hajnie, ka rezultuar edhe me të dyshimtë të tjerë.

Kështu, njëri nga të dyshuarit e arrestuar ditë më parë në Mamushë të rajonit të Prizrenit, i dyshuar për një varg vjedhjesh serike në këtë rajon, gjithashtu dyshohet të jetë i përfshirë edhe në vjedhjen e kabllove elektrike të ndriçimit në autostradën e Kosovës, bashkë me dy shtetasit shqiptarë të arrestuar më herët.

Policia e stacionit policor në Mamushë ka njoftuar se pas një pune operative hetimore ka arritur të sigurojë informacione të besueshme mbi bazën e të cilave është bërë identifikimi e më pas edhe arrestimi i dy personave, të dyshuar për një varg vjedhjesh, të cila janë bërë kryesisht në Mamushë.

Zyrtari për media i Drejtorisë Rajonale në Prizren, Hazir Berisha, tha se të dyshuarit, në bashkëveprim edhe me një person tjetër po hetohen për përfshirje në vjedhjen e kabllove elektrike të ndriçimit publik të komunës, të cilat më pas janë shitur në një depo për grumbullimin e skrapit në Kukës të Shqipërisë.

“Gjatë hetimit, janë siguruar prova e dëshmi materiale se këta të dyshuar kanë kryer së paku edhe pesë vjedhje tjera, andaj nën masën e arrestit po mbahen Abaz M. dhe Çamil T., ndërsa arrestimi i personit të tretë pritet të bëhet së shpejti”, tha ai.

Autoritetet policore bëjnë të ditur se në bazë të hetimeve të zhvilluara deri tash, dyshimet për ndërlikimin e së paku njërit prej të arrestuarve të këtij rasti, janë më të thella dhe sipas gjetjeve të deritashme, tejkalojnë veprat e tilla të vjedhjeve e plaçkitjeve të kryera vetëm në komunën e Mamushës.

Nënkoloneli Nexhmi Krasniqi, drejtor rajonal i policisë në Prizren, që mbulon edhe komunën e Mamushës, tha për “Zërin” se për Abaz Mazrekun ekziston dyshimi i bazuar se bashkë me të tjerë është angazhuar për vjedhjen e kabllove të ndriçimit edhe në autostradën “Ibrahim Rugova”.

“Ai dyshohet të jetë autor edhe i shumë veprave të tjera të kësaj natyre, por për këtë do të tregojnë hetimet të cilat po zhvillohen me kujdes”, tha ai.

Pak kohë pas ndërtimit të autostradës që kalon në rajonin e Prizrenit, ishin vjedhur kabllot e ndriçimit të rrugës, sidomos në hyrje-dalje të saj, si në Duhël, në Suharekë, në Malishevë dhe në daljen tjetër në Zhur afër kufirit.

Hetimi i kësaj hajnie të pazakontë të kabllove në autostradë ka nisur menjëherë pas rastit të parë kur disa pjesë të saj kishin mbetur në terr pasi ishin vjedhur kabllot, por zbardhja e rastit ka ardhur kohë më parë kur Policia nga stacioni i Malishevës ka arrestuar dy persona të dyshuar shtetas të Shqipërisë, të cilët të veshur me rroba të punës të një firme, janë kapur tek po shkëputnin kabllot elektrike, duke i vendosur pastaj në furgonin “zyrtar” që kishin me vete gjatë punës gjoja për riparimin e instalimit elektrik në autostradë./Zëri/