16.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Hajduti serik vidhte kabllot në autostradë

Autostrada5-28Paraqiteshin si punëtorë të një kompanie të mirëmbajtjes së ndriçimit elektrik të autostradës “Ibrahim Rugova”, por ishin hajdutë që vidhnin kabllot për t’i shitur pastaj për skrap, në një deponi, matanë kufirit, në Kukës. Madje, për të qenë më bindës, ata paraqiteshin të veshur me rroba të punës të një firme që gjoja po riparonte diçka dhe shkëputnin kabllot elektrike, duke i ngarkuar pastaj në furgonin e “firmës” që kishin me vete.

Që disa herë, në kohë të fundit, ka ndodhur që persona të panjohur të vjedhin kabllot elektrike të ndriçimit të autostradës, kryesisht në segmentin në afërsi të Prizrenit që shpesh ka mbretur në terr. Nuk kalonte shumë kohë pas riparimit dhe kthimit të ndriçimit në autostradë dhe ato prapë dëmtoheshin, përkatësisht kabllot këputeshin.

“Biznesi” i tyre nuk ka zgjatur shumë pasi policët e stacionit të Malishevës, kohë më parë, kanë arrestuar duke i kapur në flagrancë dy persona nga Shqipëria, të cilët të veshur me rroba të punës po i këpusnin kabllot e ndriçimit dhe ata tashmë po hetohen dhe së shpejti pritet të dalin para drejtësisë, ndërkohë që lënda e tyre është kompletuar dhe hajdutët e kabllove do të përgjigjen para gjykatës.

Hetimi i mëtejmë i rastit me dyshimin se ata nuk ishin të vetëm, por se mund të kenë pasur edhe dikë tjetër që mund t’u ketë ndihmuar në këtë lloj hajnie, ka rezultuar edhe me të dyshimtë të tjerë.

Kështu, njëri nga të dyshuarit e arrestuar ditë më parë në Mamushë të rajonit të Prizrenit, i dyshuar për një varg vjedhjesh serike në këtë rajon, gjithashtu dyshohet të jetë i përfshirë edhe në vjedhjen e kabllove elektrike të ndriçimit në autostradën e Kosovës, bashkë me dy shtetasit shqiptarë të arrestuar më herët.

Policia e stacionit policor në Mamushë ka njoftuar se pas një pune operative hetimore ka arritur të sigurojë informacione të besueshme mbi bazën e të cilave është bërë identifikimi e më pas edhe arrestimi i dy personave, të dyshuar për një varg vjedhjesh, të cila janë bërë kryesisht në Mamushë.

Zyrtari për media i Drejtorisë Rajonale në Prizren, Hazir Berisha, tha se të dyshuarit, në bashkëveprim edhe me një person tjetër po hetohen për përfshirje në vjedhjen e kabllove elektrike të ndriçimit publik të komunës, të cilat më pas janë shitur në një depo për grumbullimin e skrapit në Kukës të Shqipërisë.

“Gjatë hetimit, janë siguruar prova e dëshmi materiale se këta të dyshuar kanë kryer së paku edhe pesë vjedhje tjera, andaj nën masën e arrestit po mbahen Abaz M. dhe Çamil T., ndërsa arrestimi i personit të tretë pritet të bëhet së shpejti”, tha ai.

Autoritetet policore bëjnë të ditur se në bazë të hetimeve të zhvilluara deri tash, dyshimet për ndërlikimin e së paku njërit prej të arrestuarve të këtij rasti, janë më të thella dhe sipas gjetjeve të deritashme, tejkalojnë veprat e tilla të vjedhjeve e plaçkitjeve të kryera vetëm në komunën e Mamushës.

Nënkoloneli Nexhmi Krasniqi, drejtor rajonal i policisë në Prizren, që mbulon edhe komunën e Mamushës, tha për “Zërin” se për Abaz Mazrekun ekziston dyshimi i bazuar se bashkë me të tjerë është angazhuar për vjedhjen e kabllove të ndriçimit edhe në autostradën “Ibrahim Rugova”.

“Ai dyshohet të jetë autor edhe i shumë veprave të tjera të kësaj natyre, por për këtë do të tregojnë hetimet të cilat po zhvillohen me kujdes”, tha ai.

Pak kohë pas ndërtimit të autostradës që kalon në rajonin e Prizrenit, ishin vjedhur kabllot e ndriçimit të rrugës, sidomos në hyrje-dalje të saj, si në Duhël, në Suharekë, në Malishevë dhe në daljen tjetër në Zhur afër kufirit.

Hetimi i kësaj hajnie të pazakontë të kabllove në autostradë ka nisur menjëherë pas rastit të parë kur disa pjesë të saj kishin mbetur në terr pasi ishin vjedhur kabllot, por zbardhja e rastit ka ardhur kohë më parë kur Policia nga stacioni i Malishevës ka arrestuar dy persona të dyshuar shtetas të Shqipërisë, të cilët të veshur me rroba të punës të një firme, janë kapur tek po shkëputnin kabllot elektrike, duke i vendosur pastaj në furgonin “zyrtar” që kishin me vete gjatë punës gjoja për riparimin e instalimit elektrik në autostradë./Zëri/

Më Shumë

Arrestohen dy të dyshuarit për tentim-vrasje në Prizren

Dy persona janë arrestuar në Prizren. Ata dyshohen për rastin e tentim-vrasjes që pati ndodhur para dy ditësh. "Më 11.05.2024 lidhur me rastin janë arrestuar dy...

Abdixhiku në Dragash: I lumtur me pritjen qytetare, lidhja po bëhet e popullit siç ka qenë e destinuar gjithëherë

Një tjetër postim e ka bërë lidhur me vizitën e tij në Dragash, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, i cili është pritë nga kryetari...

Lajmet e Fundit