21.7 C
Prizren
E martë, 12 Maj, 2026
Home Blog Page 8577

NISMA e BD-ja, po e nisin një rrugë të re për Prizrenin

0

JakupKrasniqi10-29Shkruan: Jakup Krasniqi

Nuk është vetëm sfidë e Nismës sesi do ecim bashkë tutje në zhvillimin e demokracisë, në ndërtimin e shtetit të se drejtës, në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e mirëqenies qytetare, sfida është për secilin subjekt politik e qytetar te Republikës sonë. Ketë duhet ta e ndjen çdo qytetar i saj, kudo që ai apo ajo punon e jeton. Nisma synon të ndërtoj një solidaritet të ri në mes qytetarëve tanë, solidaritet i mishëruar në një kontratë të re sociale ku çdo e drejtë e njeriut tonë është një përgjegjësi e një numri shumë herë më të madh të bashkëqytetarëve tanë, sesa numri i anëtarëve të Nismës për Kosovën. Kauza politike e shqiptarëve për shtetndërtim është shumë herë më e madhe sesa kauza e Nismës, prandaj ne po e kërkojmë mbështetjen qytetare në çdo cep të Kosovës.

Sot, 15 vjet pas lirisë se Kosovës, shoqëria shqiptare në Kosovë ka ndryshuar shumë, krahasuar me vitet e vështira të robërisë. Sot, mes vullnetit qytetar dhe politikës është krijuar një hendek i madh që kërkon ndryshim të thellë e përmbajtjesor. Nisma për Kosovën duhet të ndahet qartazi e pa ekuivoke nga politika e shurdhër që nuk ka veshë e sy t’i dëgjojë e ti shikoj drejt në sy hallet dhe kërkesat e shqiptarëve, që s’ka guxim e as gojë që t’u flasë njerëzve për problemet e përditshmërisë se tyre haptas e çiltas.

Nisma për Kovën dhe se bashku me te edhe qytetarët duhet të ndahen një herë e mirë nga politika që nuk prodhon bukë, që nuk ka mendje e zemër që t’i shoh e ndjejë vështirësitë e shqiptarëve dhe njerëzve të tjerë të këtij vendi. Nisma për Kosovën duhet ta e kapë ndjenjën e pasionit që i entuziazmon njerëzit për politikë demokratike e progresiste, duke i ndarë ata një herë e mirë nga politika që s’mund të transmetojë tutje energjitë pozitive dhe vlerat e kombit tonë.

Nisma ka synim që t’i përfshijë qytetarët shqiptarë e komunitetet pakicë në një projekt të ri shprese e besimi për një të ardhme të përbashkët. Por, këtij projekti të ri duhet t’i bashkohen intelektualët e ri, ekspertët dhe shumica e qytetarëve të vendit tonë. Duhet të bashkohen të gjithë ata që e duan me zemër e pa hile nënqiellin tonë të përbashkët.

Nisma për Kosovën dëshiron të bëhet instrument i çdo shqiptari e qytetari që donë të ndryshojë jetën, i çdo të reje apo të riu që donë të ndryshojnë ambientin e tyre të punës e të jetës, i çdo gruaje a vajze që donë të ndryshojnë pozicionin e vet shoqëror, i çdo familjeje që donë të ndryshojë gjendjen e saj të vështirë ekonomike e sociale, i çdo punëmarrësi që donë t’i ndryshojë kushtet e punës dhe i çdo sipërmarrësi që angazhohet të ndryshojë cilësinë e shërbimit a të teknologjisë që i duhet për suksesin në investime e prodhim, i çdo organizate joqeveritare që donë të ndryshojë sado pak shoqërinë tonë të prapambetur ekonomikisht. Nisma dëshiron t’ i ndihmoj cilitdo komunitet të organizuar që synon të ndryshojë cilësinë e hapësirës e të shërbimeve publike. Nisma do t’i ndihmoj mediet e shkruara dhe elektronike për t’u shprehur, për të shkruar e folur lirshëm, për të thënë me guxim e kompetencë fjalën e lirë si dhe hulumtimin e lirë media. Nisma do t’i ndihmoj çdo intelektuali a akademiku, mjeku a juristi, ekonomisti a shkencëtari që pretendon të ndryshojë politikën qeverisëse, cilësinë e jetës, të punës, të dijes e të shkencës, të arsimit e të shëndetësisë në Republikën e Kosovës.

Rruga e Nismës është një rrugë e filluar dhe e pambaruar, se e tillë është rruga e Kosovës kah ardhmëria. Programi i Nismës për Kosovën është një libër i hapur që kërkon të plotësohet çdo ditë e çdo orë nga ekspertet dhe shkencëtarët e rinj të Kosovës se pavarur. Ne me BD po e nisim një rrugë te re për Prizrenin dhe Kosovën, qytetarët janë ata që do ta vulosin fatin e tyre dhe fatin tonë të përbashkët.

Nisma beson se shpresa të reja do të lindin për njeriun tonë nga leximi i këtyre rreshtave që po i nënvizojmë në Programin e NISMËS për Kosovën.

Vizioni ynë është: Kosova shtet i së drejtës dhe i integruar në BE.

Misioni ynë është: Bërja e Kosovës shtet të zhvilluar, të dashur dhe të respektuar për të gjithë qytetarët e saj.

Rruga jonë është: Zhvillimi i vazhdueshëm i politikave të reja qytetare e për qytetarët.

Sfida jonë: Kthimi i besimit të qytetarëve tanë për një jetë më të dinjitetshme në Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane dhe demokratike.

Fuqia jonë konsiston: Në Nismën për Kosovën, në bashkimin tonë demokratik për Kosovën, në njerëzit tanë të ri e inteligjent dhe në begatit tona tokësore e nëntokësore.

Çeku: Besoj se edhe minoritetet do ta votojnë FAK’un

0

AgimCeku5-30Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku është shprehur i bindur se javën e ardhshëm Kuvendi i Kosovës do të votojë pro themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK).

Duke e vlerësuar si historike këtë ditë, Çeku ka thënë se ky vendim do të jetë më konsensuali që e ka marrë Kuvendi i Kosovës deri më tash.

Çeku në një bisedë për “Epokën e Re”, ka shprehur besimin e tij se edhe minoritetet do t’i japin mbështetje themelimit të FAK’ut, duke mos e lidhur këtë proces me vendet e rezervuara.

Thaçi do të hyjë në pazar me Isën

0

HashimThaci-IsaMustafaLideri i PDK’së dhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi do t’ia bëjnë një ofertë liderit opozitar Isa Mustafa, njëherit kryetar i LDK’së.

Thaçi do ta ofrojë datën 15 qershor për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në shkëmbim të votës së deputetëve të LDK’së për vazhdimin e ulëseve të rezervuara për komunitetet pakicë.

Ky skenar, sipas burimeve të gazetës Tribuna, do të realizohej përmes shkëmbimit të votave të minoriteteve për themelimin e FAK;ut me votat e partive të shumicës për vazhdimin e ulëseve të rezervuara për pakicat në Kuvend.

Kështu, Kosova e ka një mundësi që zgjedhjet të mbahen me 15 qershor, nëse LDK e pranon ofertën e Thaçit.

Perëndimi i Pranverës arabe

0

Faik MiftariFaik Miftari

Para tre vitesh, kur nisi revolucioni demokratik arab apo e ashtuquajtura Pranvera Arabe, kam shkruar një kolumne rreth kësaj teme, me ç’rast e pata përfunduar shkrimin me këtë përmbajtje të cilën do e citoj:

“Në përfundim të kësaj qasjeje aktuale dua të konkludoj se sikur Perëndimi ashtu edhe Lindja nuk duhet të frikohen dhe të marrin me skepticizëm revolucionin e vonuar demokratik arab, dhe se pas zgjedhjeve të lira dhe demokratike që do të mbahen, duhet të respektojnë dhe të pranojnë dëshirën e votuesit arab, i cili do të zgjedh në mënyrë demokratike përfaqësuesit e vet legjitim , dhe se ata do të duan një bashkëpunim si me Perëndimin ashtu edhe me Lindjen, tani e tutje si partner të barabartë e jo si vazal të gjertanishëm.

Këtu është esenca apo thelbi i problemit. A do të arrijë bota arabe që me këtë revolucion demokratik arab të shkëputet nga modelet e ndryshme diktatoriale që ishin servil ndaj Perëndimit apo Lindjes, dhe në mënyrë autoktone të qeverisin me popujt e tyre dhe shtetet e tyre dhe të jenë partnerë të barabartë në marrëdhëniet ndërkombëtare, si me Lindjen ashtu edhe me Perëndimin, duke marrë për bazë vlerat e mirëfillta demokratike, pritet të shohim gjatë periudhës në vijim”.

Tre vjet pas kësaj, mund të them lirisht se e kemi perëndimin e Pranverës arabe, apo të them ndoshta edhe dështimin. Frika ime nga konkluzioni i lartcekur para tre vitesh doli i saktë.

Do të analizoj gjendjen e tanishme pas revolucionit demokratik arab, një nga një në shtetet që janë përfshirë në këtë valë.

Tunizia ishte shteti parë ku krisi shkëndija e Pranverës, pas së cilës u zgjerua edhe në shtetet tjera arabe. Tani Tunizia gjendet në një gjendje të mjerë qeverisëse politike, edhe pse qeveria në Tunizi e udhëhequr prej partisë fituese, Nahdës, tregoi për dallim nga shtetet tjera arabe një politikë më të matur dhe më largpamëse, ashtu që në fund edhe e braktisi edhe qeverisjen e vendit. Situata e tanishme politike është e brishtë dhe me probleme të shumta, me vrasjet politike rivale në vend dhe me jostabilitet të duhur. Do të duhej një kohë të gjatë që të arrihet një stabilitet politik qeveritar. Njashtu, edhe situata ekonomike është në nivel shumë të mjerë, pasi që edhe më parë Tunizia nuk ka qenë e njohur për ndonjë zhvillim të duhur të ekonomisë, përveç sektorit të turizmit. Tani edhe ky sektor pothuajse është në shkallën më të ultë të veprimit.

Shteti i dytë në të cilin u përhap revolucioni arab ishte Egjipti, shteti prijës dhe më i madh prej 22 shteteve arabe, me 80 milionë banorë. Edhe pse revolucioni arab për përmbysjen e regjimit totalitar të Egjiptit të udhëhequr plot tre dekada nga ish presidenti gjenerali Hysni Mubaraku pati sukses pas protestave dhe demonstratave masive, tani kemi një situatë krejtësisht të kundërt. Pas zgjedhjeve të para të lira demokratike dhe fitores së Vëllezërve Mysliman si dhe presidentit të parë demokratik të zgjedhur të Egjiptit, Muhamed Mursit, një vit pas saj ushtria në krye me gjeneralin al-Sisi kreu grushtet dhe përmbysi nga pushteti presidentin dhe qeverinë e parë të zgjedhur demokratike në historinë e Egjiptit. Grushteti ushtarak jo që nuk u gjykua, por kaloi pothuajse heshturazi, dhe nga shtetet e caktuara arabe u përshëndet. SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian në një mënyre fare të butë reaguan ndaj grushtetit të kryer e tani kanë nis edhe të bashkëpunojnë me regjimin e tanishëm të përkohshëm ushtarak.

Shtetet e Gjirit Persik dhe me sistem totalitar monarkik të qeverisjes së tyre, jo vetëm që nuk e gjykuan, por përveç që e përshëndetën e shpërblyen me 20 miliardë dollarë të ofruar nga Arabia Saudite, Emiratet Arabe dhe Kuvajti. Përjashtim kanë bërë Turqia dhe Katari të cilit pothuajse të vetmit kanë dënuar dhe reaguar zëshëm kundër grushtetit ushtarak të kryer.

Kulminacioni i terrorit politik të juntës ushtarake është dënime me vdekje i qindra aktivistëve politikë të Vëllazërisë Myslimane

Jemeni ishte shteti tretë arab në të cilin revolucioni arab pati jehonë, ashtu që pas kësaj presidenti shumëvjeçar Salah u largua nga pozita, dhe tani kemi një situatë fare të brishtë, me konflikte të herëpashershme sektare në mes vete, sulme në mes të të al Kaidës dhe qeverisë aktuale, e ndihmuar edhe nga sulmet e kohëpaskohshme të dronëve amerikane kundër caqeve kundërshtare të kryengritësve antiqeveritarë.

Libia ishte shteti i katërt arab i përfshirë nga revolucioni arab, pas së cilës u rrëzua pushteti pas katër dekadash i presidentit libian kolonel Muamer el Gadafi, i cili më në fund në mënyrë më brutale u ekzekutua nga kryengritësit. Tani situata në Libi është tejet e brishtë dhe e paqëndrueshme në të gjitha aspektet politike, qeveritare, të sigurisë. Pothuajse pushteti nuk ekziston fare, qeveritë dhe kryeministrat një nga një po dorëzohen dhe po japin dorëheqje, Parlamenti fare nuk funksionin.

Sot Libia gjendet në pushtetin e fiseve dhe grupeve të caktuara të kryengritësve, varësisht prej feudeve të cilët posedojnë dhe kanë pushtetin de fakto përkundër pushtetit de jure të qeverisë së brishtë apo inekzistente në nivel qendror. Kulminacioni apo maja e kësaj anarkie totale politike qeveritare në Libi është që grupet e caktuara kryengritëse, varësisht prej posedimit të fushave të pasura me naftë bëjnë edhe shpërndarjen dhe shitjen e naftës krye në vete kompanive të ndryshme botërore.

Shteti i pestë arab në të cilin u përhap revolucioni arab është Siria, ku nga një revolucion demokratik u shndërrua në një konflikt të përgjakshëm civil, qytetar, sektar, që plot tre vite është duke zgjatur me një bilanc të paparë në historinë më të re të civilizimit njerëzor, duke shkaktuar mbi 100 mijë të vrarë, numrin e panjohur gjer tani të plagosurve, me miliona të zhvendosur refugjatë në brendi të Sirisë dhe në shtetet përreth në Turqi, Jordani, Liban e Irak, i cili konflikt akoma zgjat dhe se nuk i dihet përfundimi i saj. Është një rast “per excellence” në botë ku në mesin e kryengritësve sirianë nga i gjithë numri 2/3 e tyre janë vullnetarë që kanë ardhur nga më shumë se 80 vende të botë për të luftuar në ”luftën e shenjë” që është duke u zhvilluar sipas mendimit dhe perceptimit të tyre.

Shteti i gjashtë është Bahrejni, në të cilin plot tre vit janë duke zgjatur protestat dhe demonstratat masive të pandërprera të shumicës së popullatës kundër regjimit monarkik. Por, përkundër shteteve tjera arabe, ky revolucion demokratik nuk ka marr karakterin e një lufte civile sikurse në Siri, por është duke u zhvilluar me një sistem të rezistencës jo të armatosur, pa përdorim të armëve kundër regjimit aktual, në ndihmë dhe mbrojtjen e të cilit kanë ardhur ushtarë edhe nga Arabia Saudite dhe Jordania në mbrojtjen e regjimit monark të Bahrejnit.

Ky perëndim apo dështim i Pranverës arabe është pasojë e ndikimit të drejtpërdrejtë të faktorëve politikë vendimmarrës botëror, si nga Perëndimi ashtu edhe Lindja, të cilët për shkak të interesave të tyre politike, strategjike, rajonale, ushtarake, energjetike, nuk duan të humbin ndikimet e tyre politike në shtetet arabe në përgjithësi, duke synuar ruajtjen e balancës së ndikimit me mundësi të zgjerimit të tyre të mëtejmë. Në njërën anë kemi ndikimin e palës perëndimore të udhëhequr nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, Kanada, Japonia, Izraeli të përkrahur dhe të mbështetur nga aleatët e tyre në rajon sikurse Egjipti, Turqia, Arabia Saudite, Pakistani, Jordania, Katari, Kuvajti, Emiratet Arabe etj., ndërsa në anën tjetër kemi palën lindore të udhëhequr nga Rusia, Kina, India të përkrahur dhe mbështetur nga aleatët e tyre në rajon, sikurse Irani, Iraku, Siria, Libani, Indonezia etj.

Në përmbyllje të këtij vështrimi mund të konkludoj se situata ndërkombëtare që mbretëron në hemisferën botërore është pasojë e gjendjes aktuale të botës islame në përgjithësi e të botës arabe në veçanti se kanë mbetur jo katër vjet, 40 vjet, por plot 400 vjet prapa civilizimit perëndimor dhe lindor, në të gjitha fushat që karakterizojnë atë, qoftë politike, ekonomike, ushtarake, teknologjike, informative, arsimore, fetare, kulturore, sportive, me përjashtime të vogla të vetëm disa shteteve që në gishta mund të numërohen, edhe pse bota islame në përgjithësi e bota arabe në veçanti posedon kapacitetet e duhura njerëzore, energjetike, strategjike, gjeografike, për një zhvillim dhe përparim të barabartë krahas civilizimeve të tanishme ekzistuese botërore.

Qeveria mbështet “trafikantët e drogës e të qenieve njerëzore”

0

Qeveria e KosovesQeveria e Kosovës u ka dhënë mbështetje juridike e financiare të akuzuarve të mundshëm për “trafikim droge e trafikim të qenieve njerëzore me qëllim të heqjes së veshkave”.

Projektligji i miratuar të premten nga Qeveria e Kosovës parasheh mbështetje të shumanshme për të akuzuarit që mund të gjykohen në Gjykatën Speciale dhe të familjarëve të tyre.

Gjykata ka mandat gjykimin e akuzave që dalin nga raporti i Këshillit të Evropës që përfshin edhe krime të rënda ordinere. Pritet të gjykojë krime të mundshme nga viti 1998 deri në fund të vitit 2000, dhe përfshin akuza të shumta pos atyre të supozuara të luftës…/Koha Ditore/

Opozita kërkon mocionin, nëse nuk shpërndahet Parlamenti

0

KuvendiKosoves5-27Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare për përcaktimin e kohës së mbajtjes së zgjedhjeve. Këtë do ta determinojë edhe takimi i paralajmëruar i liderëve politikë, i cili pritet të mbahet gjatë kësaj jave. Partitë opozitare qëndrojnë të palëkundura në qëndrimin që zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen në qershor. E për t`u arritur kjo ata paralajmërojnë edhe mundësinë e rrëzimit të qeverisë.

Partitë opozitare në asnjë mënyrë nuk duan që zgjedhjet të shtyhen deri në shtator.

Paralajmërimi se votimi i Forcave të Armatosura të Kosovës nuk do të ndodhë deri në fillim të javës së ardhshme, rrezikon mbajtjen e zgjedhjeve në qershor, meqë as këtë javë nuk do të ketë mundësi të shpërndarjes së Kuvendit, gjë kjo që i pamundëson presidentes së vendit të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Por, partitë opozitare qëndrojnë të palëkundura në qëndrimin që zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen në qershor. Për t`u arritur kjo ata paralajmërojnë edhe rrëzimin e Qeverisë në mënyrë që zgjedhjet të mos shtyhen deri në shtator.

“Ne kur të mbahen zgjedhjet ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje”, tha për RTK-në, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Ndërsa Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se do të shkohet në mocion mosbesimi, nëse Parlamenti nuk shpërndahet vullnetarisht.

“Ne së pari kërkojmë të zbatohet një agjendë për të cilën kemi biseduar të shpërbërjes së Parlamentit, nëse ka vullnet dhe gatishmëri. Nëse ky variant apo kjo formë nuk kalon, ne kalojmë në tjetrin variant, që është po ashtu mocioni”, tha Beqiri.

Sali Çekaj kritikonte Bukoshin e Mustafën për ndaljen e financave për presidentin Rugova (Video)

0

SaliCekaj-deshmorHeroi i Kosovës, i rënë në betejën e Koshares, Sali Çekaj, në fjalimin e mbajtur në Kuvendin e tretë zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dega në Gjermani në vitet ‘90-ta, kritikonte Bujar Bukoshin e Isa Mustafën.

Në një video-incizim të postuar rishtazi në Youtube, shihet Sali Çekaj duke kritikuar veprimet e kryeministrit të Qeverisë së Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshit dhe Isa Mustafës, ministër i atëhershëm i financave i Qeverisë së Kosovës në ekzil, në lidhje me vendimin për ndaljen e mjeteve financiare për presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.

“Skandali më drastik është ndalja e mjeteve për presidencën dhe se duhet të theksoj edhe njëherë anomalitë me të cilat ne po ballafaqohemi: në të njëjtën kohë kërkohet ndihmë për presidencën, e në të njëjtën kohë në Kosovë para bashkëkombasve tanë thuhet se nuk ka bllokim dhe që të dy palët, shumë e pak nga i njëjti burim financohen”, thotë Çekaj në këtë videoincizim. Dhe në të njëjtën kohë i bënë një lutje që në Kuvendin e LDK-së të futen ndryshimet statutare – Instituti i Përgjegjësisë

Çekaj ishte njëri nder themeluesit e degës së LDK-së në Deçan, ndërsa me t’u larguar nga Kosova, aktivitetin e tij politik e vazhdon në Gjermani, ku u zgjodh nënkryetar i Degës së LDK-së në Gjermani. Çekaj ishte një prej organizatorëve më të mëdhenj të shqiptarëve për të ndihmuar materialisht e politikisht pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, punoi dhe organizoi lëvizjen çlirimtare të Kosovës, duke vepruar në Kosovë, Shqipëri e në Evropë.

Sali Çekaj u vra më 19 prill 1999 në Betejën e Koshares. Presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova, më 19 prill 2005, e dekoroi dëshmorin e kombit Sali Çekaj me Urdhrin Hero i Kosovës, për meritat e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

http://youtu.be/FVXHbDHB4Xo

Serwer: 23 anëtarët e BE-së nuk do ta pranojnë Serbinë në BE pa njohjen e Kosovës

0

Daniel SerwerMe Aleksandar Vuçiç-in të konfirmuar si kryeministër i Serbisë, në vazhdën e një rezultati konfirmues të zgjedhjeve parlamentare të muajit të kaluar, lindin pyetjet në lidhje me atë se çka duhet të bëjë qeveria e re serbe në lidhje me Kosovën. Në parimin e bazuar për të bërë gjëra të mëdha, por potencialisht jopopullore, duhet vepruar sa më shpejt të jetë e mundur në mandatin e ri, këtu qëndron këshilla ime, si përgjigje ndaj pyetjeve të kolegëve, ka thënë diplomati amerikan, Daniel Serwer në një intervistë të tij të dhënë së fundi, e të publikuar edhe në blogun, peacefare.net. Lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, Serwer ka thënë se Serbia defakto e ka njohur Kosovën me marrëveshjet brenda dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Pyetje: A mund të më jepni arsyet pse qeveria e re serbe duhet të njoh pavarësinë e Kosovës?

Serwer: Beogradi e ka përsëritur shumë herë se nuk do të njohë “shpalljen e njëanshme” të pavarësisë së Kosovës. Por askush nuk e “njeh” pavarësinë e shpallur nga ata që e dëshirojnë atë, në këtë rast jo në mënyrë të njëanshme, por më tepër në koordinim të ngushtë me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. Britania kurrë nuk “e pranoi” pavarësinë e Amerikës, e cila ishte një akt politik i rëndësishëm dhe dramatik, se sa një veprim ligjor.

Beogradi e ka pranuar tashmë, me marrëveshjen që është arritur me Prishtinën gjatë vitit të kaluar, legjitimitetin e rendit kushtetues dhe ligjor të Kosovës në tërë territorin e saj. Kjo mund të jetë një hap larg njohjes së integritetit territorial të Kosovës dhe autoriteteve legjitime.

Kosova tani ka filluar të ndërtojë forcat e saj të armatosura. Ato do të jenë të dizajnuara për të parë Serbinë si kërcënimin kryesor i mundshëm, pasi që Beogradi nuk e pranon Kosovën si sovrane dhe vazhdon, pavarësisht marrëveshjes Beograd/Prishtinë, të pretendoj sovranitet mbi gjithë territorin e Kosovës. Në qoftë se do të ketë njohje nga Beogradi, Prishtina do të jetë në gjendje për të reduktuar angazhimet e saj ushtarake në të ardhmen dhe të riorientojë ato drejt pjesëmarrjes në forcat paqeruajtëse ndërkombëtare. Kjo do të mundësojë Serbisë që të bëjë të njëjtën gjë. Kosova do të bëhet përfundimisht një anëtare e NATO-s. Njohja do t’i mundësonte Serbisë që të bëhet anëtare gjithashtu, nëse vendos për të lëvizur në atë drejtim.

Nëse Serbia nuk dëshiron që të njohë Kosovën në të ardhmen e afërt, mënyra më e lehtë tani për tani, është për të lejuar atë të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara. Kjo nuk do të jetë plotësisht e kënaqshme, pasi jo domosdoshmërish do të çojë në marrëdhëniet diplomatike, por kjo me siguri do të ishte një hap në drejtimin e duhur. Kosovarët shpesh janë vënë përball precedentit të “dy Gjermanive”. Unë vërtetë nuk mendoj se është krahasim i qëlluar, pasi nga ana e Prishtinës nuk ka asnjë qëllim të ribashkimit, por nga pikëpamja e Beogradit, precedenti i “dy Gjermanive”, duhet të shihet si një opsion tërheqës.

Sa do të ketë ndikim njohja për rajonin që të hyjë në BE?

Serwer: Përfitim i madh për Beogradin pas njohjes, pasuar nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën dhe demarkacionin e kufirit, do të mbyll një nga çështjet e pakta të mbetura të luftës dhe të paqes në Ballkan dhe në këtë mënyrë do të largoj një pengesë të madhe për anëtarësimin e Serbisë në BE. Unë nuk di dy vendet fqinje pa njohje të ndërsjellë, marrëdhënie diplomatike dhe kufi të demarkuar, të cilat kanë marrëdhënie të mira fqinjësore, që janë të nevojshme për anëtarësimin në BE.

Të 23 anëtarët e BE-së që e kanë njohur Kosovën nuk do ta pranojnë Serbinë si anëtare pa njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Vetëm një anëtar i BE-së duke pasur atë qëndrim, mund të imponoj qëndrimin politik në pjesën tjetër. Unë kam folur me diplomatët nga disa prej atyre vendeve dhe më siguruan se ajo është politika e tyre. Për më tepër, edhe në qoftë se qeveritë tundohen, parlamentet e tyre nuk do të ratifikojnë anëtarësimin e Serbisë në BE, pa njohjen e Kosovës.

Si do të ndihmojë ajo zhvillimin ekonomik në rajon?

Serwer: Kosova, madje edhe në kushtet aktuale të pafavorshme ekonomike në Evropë, është ende një ekonomi relativisht dinamike, pjesërisht për shkak të popullsisë së saj të re dhe ende në rritje. Serbia është duke u plakur me shpejtësi dhe në rënie në numër.

Ajo do të përfitojë në mënyrë të jashtëzakonshme nga rritja e tregtisë me dhe përmes Kosovës, e cila në vitet e fundit është mbështetur shumë më shumë në Maqedoni dhe Shqipëri, në dëm të Serbisë. Përfundimi i rrugës Durrës/ Prishtinë e deri në Nish, do të sjellë përfitime të mëdha në Kosovë dhe Serbi, por kjo nuk ka gjasa të ndodhë pa njohjen reciproke dhe marrëdhëniet diplomatike.

Serbia është në qendër jo vetëm për gjeografinë e Ballkanit , por edhe për fatin e saj. Por kjo nuk mund të qëndrojë në rrugën e përparimit të Kosovës pa dëmtuar perspektivën e saj për në BE. Duke e lënë këtë çështje të pazgjidhur edhe për katër vjet, do të thotë rritje më pak, më pak vende pune , investime më të ulëta dhe pensione të reduktuara për Serbinë dhe qytetarët e saj. Njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike janë pilula të hidhura për politikanët serbë, por i shoqëruar nga mbrojtja e serbëve dhe vendeve serbe në Kosovë, është e nevojshme për të kuruar atë që e mundon rajonin. Sa më shpejt, aq më mirë. /Zëri/

Limaj e Zafiri, zyrtarizojnë bashkimin për zgjedhjet nacionale

0

Limaj-Zafiri-KrasniqiKryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj dhe kryetari i Bashkimit Demokratik, Zafir Berisha, janë bërë bashkë të hënën në Prizren. Ata i kanë dërguar “selame”, liderëve të partive tjera politike, se pas zgjedhjeve në qytetin e Prizrenit mund të vijnë vetëm si turista.

Limaj tha se dy subjektet politike do t’ia kthejnë qytetarëve Prizrenin.

“BD-ja dhe Nisma për Kosovën besoj që përfundimisht edhe për skeptikët e bëjnë të qartë se disa në Prizren mund të vijnë vetëm si turista”, tha Limaj.

“Angazhimi i këtyre dy partive është që Prizrenit t’i kthehet prizrenasve dhe jo të dirigjiohet më nga Prishtina”.

Ndërkaq, Jakup Krasniqi, tha se Nisma për Kosovën dhe Bashkimi Demokratik, do të ndalë politikat që nuk prodhojnë siguri dhe stabilitet.

Edhe kryetari i BD-së, Zafir Berisha tha se dy subjektet politike janë bërë bashkë për të ndërtuar shtetin e Kosovës.

“Sot jemi bashkë për bërjen e shtetit, që po degradohet nga klika politike që i ka degraduar vlerat demokratike”, tha Berisha. /PrizrenPress.com/

 

NISMA e Rinisë për Kosovën themelohet edhe në Prizren

0

NISMA per rini-PrizrenNë prani të shumë të rinjëve NISMA e Rinisë për Kosovën sot ka zyrtarizuar Këshillin e Nismës së Rinisë në qytetin e Prizrenit, ku janë zgjedhur strukturat e rinisë në këtë qytet, poashtu edhe kryetarin e Nismës së Rinisë për Kosovën në Prizren.

Në këtë aktivitet të pranishëm ishin edhe Kryetari i NISMA për Kosovën në Prizren, Sejdullah Hoxha dhe Kryetari i NISMA e Rinisë për Kosovën, Kreshnik Cukaj.

Kryetari i NISMA e Rinisë për Kosovën, Kreshnik Cukaj, ka kërkuar unifikimin e të gjithë të rinjëve të Prizrenit dhe gjithë Kosovës për të bërë ndryshimin e madh, ndryshim të cilin mund ta bëjmë vetëm me NISMA për Kosovën.

“NISMA për Kosovën do ta bëjë një shtet të së drejtës të bazuar në vlera dhe parime të shoqërive demokratike perëndimore”, ka thënë Cukaj.

Ndërsa Kryetari i NISMA për Kosovën në Prizren të rinjëve u ka thënë, “ne nuk jemi këtu për tu kërkuar votën, por për të kërkuar mbështetjen tuaj për të ndryshuar disa procese që duhet ndryshuar sa më shpejt në këtë vend”.

“Kjo qeveri duhet të rrëzohet sa më shpejtë në qytetin e Prizrenit, sepse pikërisht kjo është qeveria që po e mashtron popullin e vet me vite”, tha Hoxha.

Poashtu Hoxha tha se është momenti i fundit për tu bashkuar për një ndryshim të madh dhe për të zgjedhur njerëz të ndershëm për të qeverisur Prizrenin.

Ndërkaq, Kryetari i NISMA e Rinisë për Kosovën në Prizren, Behar Kryeziu, bashkëmoshatarëve të tij u tha se NISMA është krijuar për ta ndryshuar vendin, e një ndryshim të madh mund ta bëjmë ne të rinjët vetëm duke qenë të bashkuar në këto ditë të vështira të qytetit tonë. Ai tha se është e rëndë për ta menduar se si të rinjët e diplomuar sot nuk po mund të punojnë në fushën e tyre të studimit ku kanë investuar. /PrizrenPress.com/