21.5 C
Prizren
E martë, 12 Maj, 2026
Home Blog Page 8576

Isa Mustafa tregon bisedën e zhvilluar në Ambasadën Amerikane

0

Isa Mustafa LDK“Dua të ndajë me Ju përshtypjet e mira nga takimi i djeshëm me udhëheqësit e partive politike të Kosovës. Nikoqirja e takimit, Ambasadorja e Shteteve të Baashkuara të Amerikës, Tracy Jacobson dhe Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar…”, shkruan kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në rrjetin social Facebook.

Po japim postimin e plotë të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

Dua të ndajë me Ju përshtypjet e mira nga takimi i djeshëm me udhëheqësit e partive politike të Kosovës.
Nikoqirja e takimit, Ambasadorja e Shteteve të Baashkuara të Amerikës, Tracy Jacobson dhe Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar, sikur edhe herave tjera, me konstruktivitetin e tyre, na ndihmuan të qartësojmë pozicionet dhe t’i përafrohemi zgjidhjeve për çështjet e rëndësishme që duhet të përmbyllim përpara se ta përgatisim vendin për zgjedhje të reja.

Ne kemi diskutuar hapur për të gjitha temat dhe jemi pajtuar të vazhdojmë bisedat tona për të gjetur zgjidhjet më të mira për miratimin nga Kuvendi i Republikës së Kosovës të Ligjit për Forcat e Armatosura, dhe, eventualisht, Ligjit për Zgjedhje dhe të propozojmë datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Ajo çka është e rëndësishme, ne jemi pajtuar që asnjëra prej këtyre çështjeve të mos kushtëzohet me asnjë proces tjetër. Por, të punohet me seriozitet dhe në përputhje me normat demokratike dhe Kushtetutën e vendit tonë.

Votat e LDK-së për Forcat e Armatosura dhe për Ligjin e ri të Zgjedhjeve janë të sigurta. Në ditët në vijim, bashkëpunëtorët e mi dhe unë do të mundohemi t’i bindim edhe kolegët tjerë për të vepruar kësisoj. Sepse krijimi i Forcave të Armatosura është garanci e mbrojtjes dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve të vendit tonë.

Në këto procese, qeveria aktuale ka detyrim kushtetues dhe moral të japë kontributin e saj. Ajo duhet të sigurojë mbështetjen e deputetëve të koalicionit qeverisës për votimin e këtyre ligjeve të rëndësishme. Po ashtu, atyre u takon të reflektojnë mbi domosdoshmërinë e caktimit të datës së zgjedhjeve brenda pjesës së parë të këtij viti dhe të japin kontributin që u takon për organizimin e zgjedhjeve të lira, fer e demokratike.

LDK dhe unë i kuptojmë përpjekjet e përfaqësuesve të koalicionit aktual qeverisës për shtyrjen e zgjedhjeve. Por, po ashtu jemi të bindur se shtyrja e zgjedhjeve është edhe zgjidhje e keqe. Sepse koalicioni aktual nuk e ka më shumicën parlamentare dhe praktikisht është e bllokuar. Ajo duhet ta zhbllokojë jetën institucionale të Kosovës dhe t’i nënshtrohet vullnetit të sovranit.

20 profesorë kërkojnë ”ndalimin e shkatërrimit të shqipes”

0

fjaloriHistorianë, botues e përkthyes i kanë dërguar një letër kryeministrit Rama, përmes së cilës kërkojnë që qeveria të ndërhyjë në mbrojtje të gjuhës shqipe.

Gjuhëtarë si Emil Lafe, Xhevat Lloshi, Valter Memisha, Kristina Jorgaqi, Rami Memushaj, Hajri Shehu, shkrimtarë si Kiço Blushi, Nasi Lera e Moikom Zeqo, historianë si Kristo Frashëri e Pëllumb Xhufi etj., në letrën e tyre shfaqin pakënaqësinë e tyre për punimet dhe vendimet e Këshillit Ndërakademik që, sipas tyre, po dëmton standardin. Në kuadër të debateve të pafundme për ndryshimet (deri tani të pazbatueshme) të bëra nga Këshilli Ndërakademik, intelektualët thonë se tani është koha që shqipja e njësuar të merret realisht në mbrojtje nga shteti dhe të shpallet objekt kulturor i rëndësisë së veçantë.

Në letër, të cilën e transmeton BW, thuhet:
Të shtyrë nga gjendja në të cilën është lënë sot përdorimi publik i gjuhës shqipe dhe nga ndjenja e detyrës qytetare, po ju drejtohemi me këtë letër të hapur.
Krijimi i gjuhës së shkruar të përbashkët përbën një nga arritjet më madhore të kombit shqiptar. Njësimin e gjuhës letrare shqipe Kongresi i Drejtshkrimit e pa në thelb – dhe ky është vështrimi i vetëm me të vërtetë shkencor – si parakusht të kulturimit të jetës së shoqërisë dhe si shtytës kryesor të qytetërimit të vendit. Ky njësim nuk qe thjesht zgjedhje e një luleje mes disa lulesh, por përzgjedhje e kristalizim i një sistemi, i cili, më mirë se cilido tjetër, kishte arritur të përfaqësonte gjithçka të mirë të krijuar e të ruajtur me mund e flijim në të shkuarën, dhe, krahas kësaj, vetë prirjen e natyrshme të çdo gjuhe të lëvruar për të ecur drejt begatimit të mëtejshëm e për të marrë pas në këtë rrugë brezat e rinj të një populli. Kjo u arrit duke përgjithësuar në mënyrë shkencore gjithë përvojën e shkrimit dhe të përpunimit të gjuhës shqipe, gjithë frymën e përpjekjeve për të arritur në një gjuhë letrare të njësuar, si thelb i konvergjencës së kombit shqiptar.

Shqipja e njësuar e sanksionuar nga ky Kongres dhe e pranuar në mënyrë plebishitare nga të gjitha gjymtyrët e kombit, u bë mjeti i shprehjes së mendimit shkencor, i ligjërimit të shkruar të të gjitha fushave e stileve, i ligjërimit të folur publik dhe i komunikimit mbarëkombëtar të shqiptarëve të trojeve etnike, të diasporës dhe të mërgatës. Duke parë këtë rritje cilësore dhe shtrirje të gjuhës letrare, mund të thuhet pa mëdyshje se në rrjedhën e përpjekjeve për gjuhën e njësuar nuk ka arritje më të madhe se Kongresi i Drejtshkrimit. Parimet dhe vendimet e tij – parë me paanësi, largpamësi, qytetari dhe atdhetari – përbëjnë një themel të shëndoshë, të palëkundur e të pazëvendësueshëm për zhvillimin e gjuhës, rrjedhimisht për ngritjen kulturore dhe forcimin e bashkëveprimit e të bashkëpunimit kombëtar.

Për rreth dy dhjetëvjeçarë pas Kongresit gjuha shqipe jo vetëm nuk njohu shpërdorime e kriza zhvillimi, por dëshmoi të gjitha aftësitë e saj të mrekullueshme për të pasqyruar me fuqinë e fjalës çdo krijim të shëndoshë të mendjes dhe të shpirtit njerëzor. Gjuha letrare shqipe mori shtrirje mbarëkombëtare dhe u bë tipari kryesor që dallonte kulturën nga kinsekultura, prirjen shoqërore për përparim nga amullia dhe zvetënimi. Në atë periudhë gjuha shqipe njohu një lëvrim, fuqizim e pasurim, që vështirë ta kishin përfytyruar edhe vetë veprimtarët e shquar të Kongresit.
E kundërta ka ndodhur e po ndodh në periudhën vijuese. Gjuha letrare shqipe iu nënshtrua nga qarqe të caktuara një sulmi që e turpëron shtetin shqiptar dhe që sjell në kujtesë periudhat e zymta e të errëta historike, kur lëvrimi i saj ishte i padëshiruar dhe luftohej me të gjitha mjetet. Kjo periudhë dëshmon, gjithashtu, se ç’ndodh me këtë pasuri mbarëkombëtare dhe tipar themelor të identitetit tonë kombëtar kur shteti heq dorë nga detyrimi i shenjtë për ta mbrojtur dhe lejon me papërgjegjësi rrënimin e saj. Tanimë është e qartë për këdo që vë interesat e vendit dhe të shoqërisë mbi gjithçka, se goditjet ndaj gjuhës letrare shqipe dhe Kongresit të Drejtshkrimit janë pjesë thelbësore e goditjeve të shpeshtuara shpërbërëse që vijnë nga anë të ndryshme.

Shqipja e njësuar, që meriton të cilësohet si përfaqësuesja e vetme e mbarë gjuhës shqipe falë shkallës së lartë të kodifikimit në të gjitha nënsistemet e saj, falë zhvillimit të cilësive shprehëse kuptimore e estetike pakrahasimisht të larta, falë pasurisë dhe shtrirjes mbarëkombëtare, përballet në këta 23 vjet me dy ndikime rrënuese. Së pari, përdorimi i saj në të gjitha fushat – nga arsimi te dokumentet zyrtare, te kultura librore, te mjetet e shtypit – është lënë plotësisht jashtë çdo kontrolli, në kundërshtim të hapur me praktikën e vendeve të qytetëruara. Së dyti, qendra më e lartë e shkencës shqiptare, Akademia e Shkencave, në vend që të ngrinte, me forcën e plotfuqishme të së vërtetës, zërin e saj për këtë rrënim të kulturës kombëtare dhe të shpenzonte të gjithë fondin e vet financiar të dhënë nga shteti në mbrojtje të gjuhës shqipe, është bërë bashkëpunuese në goditjen kundër institucionit të shenjtë të gjuhës së njësuar të kombit, të vetmit mjet ku populli shqiptar i të gjitha trevave gjen mundësinë pakrahasimisht më të lartë të identifikimit dhe të komunikimit.

Të flasësh sot, pas gjithë përvojës së jashtëzakonshme që është grumbulluar në lëvrimin e gjuhës së njësuar shqipe, për mangësitë e drejtshkrimit, të cilat qenkan bërë shkas i keqpërdorimit të gjuhës shqipe, është jo vetëm krejt e pasaktë shkencërisht, por dhe një veprim i padenjë edhe për një qytetar të rëndomtë. Kjo do të thotë të mohosh gjithë historinë e përpjekjeve për të arritur deri tek akti historik i njësimit të gjuhës, kjo do të thotë të mohosh vetë arritjet e shkëlqyera dhe të jashtëzakonshme të kësaj gjuhe të njësuar.

Kjo nuk duhet lejuar të ndodhë. Nuk duhet lejuar të ndodhë vulgarizimi dhe zhargonizimi i gjuhës sonë letrare, nuk duhet lejuar që gjuha jonë e bukur shqipe, vlerat estetike dhe traditat e saj të merren nëpër këmbë. Shkrimi dhe shqiptimi i drejtë dhe i plotë i gjuhës shqipe është shenja e parë e qytetarisë. Çdo mohim i kësaj së vërtete është kundërshkencor, kundërqytetar dhe kundëratdhetar. Dhe për çështjen e madhe të mbrojtjes dhe lëvrimit të shqipes letrare në përputhje me vendimet historike të Kongresit të Drejtshkrimit ia vlen të bëhet çdo përpjekje dhe të mobilizohet e gjithë shoqëria. Këtu nuk ka vend për liberalizma naivë, as për eksperimentime teorish të ndërtuara në rërë. Nuk na lejohet të shkelim e të zhvlerësojmë veprën e ndritur dhe të shenjtë të lëvruesve të gjuhës shqipe dhe të gjuhëtarëve atdhedashës, që me punën ngulmuese dhe diturinë e tyre ndërtuan kodet themelore të këtij mekanizmi me vlerë të paçmuar.

Është koha që shqipja e njësuar të merret realisht në mbrojtje nga shteti dhe të shpallet objekt kulturor i rëndësisë së veçantë, ashtu siç e kërkon edhe Kushtetuta. Ndërhyrjet në të jo vetëm që nuk mund të lihen në dorën dhe gjykimin e një grushti “të diturish”, por duhet të jenë pjesë e kujdesit dhe e vëmendjes më të lartë e të vazhdueshme të institucioneve publike dhe të shoqërisë. Gjuha shqipe nuk është pronë vetjake e askujt, ajo u përket të gjithë shqiptarëve të sotëm dhe jo vetëm këtyre, por edhe atyre që kanë jetuar para nesh, edhe atyre që do të vijnë pas nesh. Kur flasim për shqipen, mjafton të kujtojmë emrat e atyre që lëvrimit dhe studimit të saj i kushtuan jetën, të atyre që e lartësuan në shkallën e një gjuhe letrare të admirueshme. Kjo duhet t’i bëjë përdhosësit e shqipes të largohen nga rruga e tyre. Por shteti nuk ka përse ta lërë këtë në dorë të ndërgjegjes së askujt.

Tashmë është bërë e qartë se puna e Këshillit të quajtur “ndërakademik” ka hyrë në një rrugë të rrezikshme dhe ka shkaktuar shqetësim të thellë publik. Ajo ka dëmtuar rëndë edhe emrin e prestigjin e dikurshëm të Akademisë së Shkencave, që e ka lejuar të shkojë në atë drejtim. Është pa kuptim që shteti të japë para për shkatërrimin e gjuhës shqipe!
Zoti Kryeministër! Jemi të bindur se koha kërkon që qeveria të marrë të gjitha përgjegjësitë e saj përpara shoqërisë dhe të ndalë dëmin e pafalshëm ndaj së shenjtës Gjuhë Shqipe! Historia do të na gjykojë të gjithë për sa do t’i përgjigjemi detyrës ndaj atdheut”.
Letrën e kanë nënshkruar: Emil Lafe (gjuhëtar), Jorgji Gjinari (gjuhëtar), Xhevat Lloshi (gjuhëtar), Valter Memisha (gjuhëtar), Kristina Jorgaqi (gjuhëtare), Rami Memushaj (gjuhëtar), Hajri Shehu (gjuhëtar), Thoma Dhima (gjuhëtar), Nexhip Mërkuri (gjuhëtar), Mustafa Karapinjalli (gjuhëtar), Albert Riska (gjuhëtar), Kiço Blushi (shkrimtar), Nasi Lera (shkrimtar), Preng Cub Lleshi (shkrimtar), Moikom Zeqo (shkrimtar), Kristo Frashëri (historian), Pëllumb Xhufi (historian), Petrit Ymeri (botues), Naim Zoto (botues), Shpëtim Çuçka (përkthyes).

DASH: Kosova me progres në masat kundër-terrorizëm

0

Departamenti-i-ShtetitQeveria e Kosovës ka vazhduar të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara në çështje të ndërlidhura me kundër-terrorizëm në vitin 2013, dhe ka demonstruar progres në përmirësimin e masave, thuhet në raportin vjetor të Departamentit amerikan të shtetit, i cili u publikua në Uashington.

Për shkak se situata politike dhe e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, ka vazhduar ta kufizojë aftësinë e qeverisë për ta ushtruar autoritetin e vet në atë rajon, bashkëpunimi me Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Misionin për Sundimin e Ligjit të BE-së (EULEX), me policinë e Kosovës, ishte veçanërisht i rëndësishëm për të mbajtur ambient të qetë dhe të sigurt dhe për forcim të sundimit të ligjit, përfshirë edhe kufijtë.

Megjithëqë Kosova dhe Serbia fqinje nuk bashkëpunojnë direkt në çështje kundër-terroriste, në vitin 2013, qeveritë kanë implementuar një marrëveshje për Menaxhim të Integruar të Kufirit me postblloqe të përbashkëta, shkruan në raportin vjetor.

Aty shtohet se Kosova dhe Serbia, në muajin prill e kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizim të raporteve të ndërmjetësuar nga BE-ja, që duhet të ndihmojë në shqyrtimin e situatës së sigurisë në veri dhe ta përmirësojë aftësinë e Qeverisë së Kosovës për ta ushtruar autoritetin e vet atje.

Institucionet qeveritare të Kosovës ishin të vetëdijshme prej vitit 2012 se një grup i vogël i kosovarëve kishin udhëtuar për të luftuar në Siri, transmeton rel.

Raporti i Departamentit amerikan të shtetit për terrorizëm, më tutje, në pjesën për Kosovën, thekson se Kodi Penal i Kosovës lejon ndjekjen e krimeve të terrorizmit, përfshirë pjesëmarrjen në grupet terroriste.

Në këtë raport, grup terrorist definohet si grup i strukturuar i më tepër se dy personave, i krijuar gjatë një periudhe kohore dhe që vepron në mënyrë të organizuar për të kryer terrorizëm.

Gjykatat kosovare do të pranojnë dëshmi nga vendet e tjera më lehtë, kështu që do të mundësohet kryerje e hetimeve ndërkombëtare kundër-terroriste në Kosovë.

Raporti, më tutje, thekson se Policia e Kosovës, Autoriteti Doganor i Kosovës dhe Policia Kufitare e Kosovës, janë stërvitur në mënyrë të mjaftueshme kundër-terroriste dhe me pajisje nga organizatat e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Megjithatë, ekzistojnë probleme me komunikimet dhe ndarjen e informacioneve në mesin e njësiteve policore, dhe PK-ja ballafaqohet me burime të kufizuara, që mund të ndikojnë në aftësinë e saj për t’i gjurmuar individët e dyshuar.

Prokurorët kanë marrë stërvitje minimale në ndjekjen e rasteve të terrorizmit.

Në muajin nëntor, Qeveria e Kosovës i ka arrestuar shtatë njerëz në Prishtinë dhe Gjilan, të akuzuar për komplot të sulmeve terroriste në Kosovë.

Besohet se dy prej tyre kanë marrë pjesë në luftime së bashku me kryengritësit në Siri.

Dy të tjerë, po ashtu, janë të dyshuar për një sulm kundër dy misionarëve amerikanë nga Kisha e Jezu Krishtit.

Katër të dyshuar ishin arrestuar derisa përpiqeshin të blinin armatim nga pjesëtarë të fshehur të Policisë së Kosovës.
Në shtëpitë e të dyshuarve është gjetur armatim dhe eksploziv. Në vitin 2013, vazhdon raporti, Drejtorati kundër Terrorizmit i ka hapur 10 raste. Shumica e tyre ishin të ndërlidhura me krime të lidhura me terrorizëm dhe një ishte i ndërlidhur me përgatitje për akt terrorist.

Në dy raste, Drejtorati ka hapur procedurë penale kundër 6 individëve, që ka rezultuar me burgosjen e tyre. Drejtorati, po ashtu, ka ndihmuar në gjashtë raste në një shtet të BE-së.

Këmbimi i informacioneve me disa shtete të ndryshme është përmirësuar. Në disa raste, Drejtorati ka ndihmuar dhe ka bashkëpunuar mirë me autoritetet e Shteteve të Bashkuara.

Kosova nuk është anëtare e Task Forcës së Aksionit Financiar të rajonit. Në dhjetor të vitit 2012, Parlamenti i Kosovës i ka miratuar rishikimet e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, me të cilat është forcuar legjislacioni i miratuar në vitin 2010.

Këto amendamente e kanë sjellë Kosovën më afër standardeve financiare, kanë krijuar mekanizma detyrues për ekzaminimin e raportimit të entiteteve, dhe më hollësisht e kanë definuar financimin terrorist.
Kosovës, megjithatë, ende i mungon regjistrimi përkatës dhe sistemi monitorues për t’i gjurmuar OJQ-të që marrin fonde nga entitetet e dyshuara, thuhet në fund të raportit të Departamentit amerikan të shtetit për luftën kundër terrorizmit në Kosovë, gjatë vitit 2013

Kuçi: Nuk e di kur do të shpërbëhet Kuvendi

0

Kuci-hajredin5-30Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka theksuar që nuk e di nëse Kuvendi i Kosovës do të shpërbëhet javën e ardhshme.

“Nuk e di kur do të shpërbëhet Kuvendi. Në takimin e radhës do të vendosin liderët”, ka thënë Kuçi për Telegrafin.

Ndryshe, sot pas takimit të liderëve politikë në Ambasadën Amerikane, duke u thirrur në deklarime të zyrtarëve nga kampet politike, mediat kanë spekuluar se Parlamenti mund të shpërbëhet javën e ardhshme kurse zgjedhjet nacionale mund të mbahen në qershor.

Ndërsa, më vonë u tha se nëse nuk arrihet marrëveshje për themelimin e Forcave të Armatosura dhe për vendet e rezervuara zgjedhjet mund të shtyhen deri në tetor.

Liderët takohen nesër për FAK-un

0

Thaci, mustafa,pacolliKryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se nesër do të takohen me subjektet politike të pozitës e opozitës për të marr vendim të përbashkët për themelimin e Forcës së Armatosur të Kosovës.
Kryeministri Thaçi në mbledhjen e Qeverisë, tha se themelimi i FAK ështëi domosdoshëm dhe një shans historik për Kosovën.

“Një shans i tillë i humbur do të ketë pasoja për shumë vite për të ardhmen e FAK-ut. Andaj është momenti që të veprojmë të gjithë të bashkuar”, ka pohoi kryeministri i vendit.

Ai edhe njëherë i ftoi të gjithë spektrin politik që të marr guximin dhe të dal mbi çdo interes partiak, grupor e elektoral për të votuar në mënyre unike për themelimin e FAK-ut.

“Ftoj që vendimi për themelimin e FAK -ut të mos politizohet. Këtë shans historik nuk mund ta humbim për asnjë interes të ngushtë politik, asnjë forcë politike nuk ka të drejtë të vë kushte politike për themelimin e FAK-ut. Duke votuar për FAK-un, votohet për shtetin e Kosovës jo për Qeverinë”,pohoi Thaçi.

Ai ndër të tjera tha se vendimin e Kuvendit për themelimin e ushtrisë së Kosovës përveç qytetarëve të vendit po e presin dhe SHBA, BE dhe NATO.

“Pres qënesër të vendosim në mënyrë unike për themelimin e FAK-ut”, ka thënë ai.

Amerika pro FAK’ut

0

Jacobson-ambasadore amerikaneAmbasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jackobson, ka thënë se SHBA-të janë adhurues të asaj që të formohen Forcat e Armatosura, e ku nuk do të përjashtohet as vota pro e minoriteteve.
Në një deklaratë për Klan Kosovën, Jackobson, ka shtuar se shteti i saj, ka përkrahur gjithnjë Kosovën në sektorin e sigurisë.

Diplomatja, ka shtuar se Qeveria e Kosovës, i ka përmbushur detyrat në transformimin e FSK-ës në FAK.

Derisa krijimi i Forcave te Armatosura,sipas Jackobsonit, i bënë Shtetet e Bashkuara shumë krenar, se janë pjesë e këtij procesi .

Ambasadorja, gjithë ashtu vizitoi Qendrën Kulturore, në Graçanicë, e cila është financim i USAID.

Me këtë rast u tha se agjencia për ndihmë e popullit amerikan, ka investuar për 15 vjet veprimtari në Kosovë, mbi 500 milion dollar

DUPH nuk lëshon leje, por DSHP lejon vendosjen e lojërave

0

Elmedina BaxhakuNë kuadër të projektit të monitorimit të transparencës së ekzekutivit komunal të Prizrenit, “EC Ma Ndryshe” gjatë muajve të kaluar ka adresuar përsëri çështjen e vendosjes së lojërave (Luna Parkut) në afërsi të Qendrës Sportive “Sezai Surroi” në Prizren, pas ankesave që ka pranuar nga banorët që jetojnë në lagjet përreth.
Monitoruesja e “Ec Ma Ndryshe”, Elmedina Baxhaku tha se qytetarët e këtyre lagjeve, pas paraqitjes verbale të ankesave, që ishin publikuar nga EC Ma Ndryshe” me mbështetjen e marrë nga monitoruesit kanë iniciuar mbledhjen e nënshkrimeve me anë të cilit peticion nga vendimmarrësit komunal kanë kërkuar ndalimin e vendosjes së lojërave në brendi dhe afërsi të Qendrës Sportive, pasi që pakënaqësia e tyre në këtë drejtim ishte anashkaluar për vite me radhë.

“Banorët janë ankuar se vendosja e lojërave prish qetësinë, i privon ata nga përdorimi i hapësirës së gjelbër, shkakton kaos në komunikacion por edhe rrezikon sigurinë e tyre gjatë muajve të pranverës dhe verës”

“Peticioni me 82 nënshkrime të banorëve, duke u bazuar në nenin 69 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale mbi “Të drejtën e peticionit” dhe nenet 95 dhe 96 të Statutit të Komunës së Prizrenit mbi “Peticionet” dhe nenin 6 të Rregullores për Transparencë të komunës së Prizrenit mbi “Peticionet” është dorëzuar për shqyrtim te organet komunale më 23 janar të këtij viti dhe si i tillë ende nuk është shqyrtuar nga Kuvendi i Komunës së Prizrenit”.
“Pas dorëzimit të peticionit, EC Ma Ndryshe më 28 janar ka pranuar një shkresë nga DKRS (Drejtotoria për Kulturë, Rini dhe Sport) ku thuhet se Menaxhmenti i Qendrës Sportive është rekomanduar nga komuna që vendosjen e lojërave ta lejoj vetëm pa muzikë dhe pa zhurmë. Ndërsa DUPH (Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor) më 29 janar ka bërë të ditur se si organ kompetent nuk ka pajisur asnjë kompani me leje për vendosjen e lojërave në këtë zone”.

“Megjithatë lojërat në fillim të këtij muaji janë vendosur përsëri në parkingun përballë Qendrës Sportive, me leje të autoriteteve komunale. Pas insistimit të EC Ma Ndryshe për të marrë informata në lidhje me fatin e peticionit të dorëzuar, DSHP-ja (Drejtoria e Shërbimeve Publike) më 14 prill 2014 ka njoftuar se ky organ ka lëshuar leje për vendosjen e parkut të lojërave, duke u thirrur në praktikat që zbatohen në shumë qytete të rajonit dhe më gjerë në Evropë”.

“Leja për shfrytëzimin e hapësirës publike për vendosjen e lojërave është lëshuar prej 1 prillit deri më 31 maj 2014, me ç’rast operatori duhet të paguaj 793 euro për 100 m2. Në leje specifikohet se gjatë kohës së veprimit operatori nuk duhet të shkaktoj zhurmë bezdisëse, derisa duhet të ofroj siguri për stafin dhe klientët.”

“Sa i përket reagimit të një grupi të qytetarëve, rreth vendosjes së lojërave në këtë lokacion organet komunale e kanë shqyrtuar, por duke pasur parasysh nevojën e të rinjve dhe fëmijëve për argëtim është vendosur që të lejohen, por me kritere për mos bezdisje të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e DSHP-së (Drejtorisë së Shërbimeve Publike).

Ndërkaq DUPH-ja (Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor) më 18 prill 2014 ka njoftuar se nuk ka lëshuar leje për vendosjen e këtyre lojërave dhe ka sqaruar se ato “janë pa leje”. Kjo drejtori ka theksuar se edhe nëse do të ketë kërkesa për pajisje me leje ato do të refuzohen.

“EC Ma Ndryshe” sikurse vitin e kaluar përsërit qëndrimin se nevojitet një nivel më i lartë i përgjegjësisë së organeve komunale për të trajtuar ankesat legjitime të qytetarëve në këtë pjesë të qytetit.

Në bazë të Nenit 96 të Statutit të Komunës, “Kryesuesi i Kuvendit, çdo peticion të vlefshëm ia prezanton Kuvendit të Komunës në afat prej 45 ditësh nga dita që ai e pranon. Kuvendi i

Komunës, peticionin dhe rekomandimet lidhur me të mund t’ia referojë për shqyrtim paraprak një komiteti të caktuar, ku parashtruesi i peticionit ka të drejtë të marrë pjesë në pajtim me

rregullat e procedurës. Vendimin përfundimtar për çështjen e peticionit e merr Kuvendi i Komunës në afatin prej 45 ditësh nga dita e prezantimit të peticionit në Kuvend”.

Afati i parë kohor ka skaduar prej javësh. Kryesuesi i KK-së është zotuar se çështjen do ta paraqes në muajin maj në KPF dhe në KK. Ndërkohë ka disa ditë që ka skaduar edhe afati i dytë, mbi vendimin përfundimtar në lidhje me peticionin, ndërkohë që lojërat tashmë janë vendosur.

“EC Ma Ndryshe” gjithashtu konstaton se qëndrimet e organeve komunale nuk kanë konsistencë, ngase derisa DUPH-ja (Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor) thotë se do të refuzoj lëshimin e lejeve të kësaj natyre, DSHP-ja i pajis operatorët me leje, e qytetarët duhet të përballen sërish me problemin e njëjtë.

Bazuar mbi këto të gjetura EC Ma Ndryshe, rekomandon Komunën e Prizrenit që të:

– Dëgjoj me vëmendje shqetësimet e qytetarëve dhe të veproj urgjentisht me qëllim të krijimit të një ambienti më të mirë jetësor për ta, në secilin rast;

– Zbatoj dispozitat e LVL-së, Statutit të Komunës së Prizrenit dhe Rregullores për Transparencë mbi “Peticionet” dhe të respektoj të drejtën e qytetarëve për adresim të çështjeve me anë të peticionit;

– Koordinoj punët mes drejtorive gjatë shqyrtimit të kërkesave për leje për shfrytëzimin e hapësirës publike;

– Inspektoj respektimin e kritereve të përcaktuara në lejen e lëshuar nga DSHP-ja.

Po ashtu rekomandohet MAPL-ja që si mbikëqyrëse e pushtetit lokal të merr masa për respektimin e mekanizmit të peticionit nga Komuna e Prizrenit.

Projekti i EC Ma Ndryshe për monitorimin e transparencës së ekzekutivit do të vazhdojë të publikojë të gjeturat e monitorimit përmes komunikatave të rregullta dhe përmes ueb-faqes së projektit, ku të gjeturat postohen drejtpërdrejtë nga monitoruesit. Tanimë të gjitha të gjeturat e monitorimit, përfshi komunikatat e rregullta dhe shumë informacione të tjera në lidhje me qeverinë lokale të Prizrenit, të Mamushës dhe të Prishtinës publikohen në baza të rregullta në ueb-faqen e projektit, ëëë.online-transparency.org.

 

Familja e Diana Kastratit: Shkarkojeni Enverin!

0

DianaKastrati-e ndjeraFamilja e të ndjerës Diana Kastrati në emër të drejtësisë i është drejtuar edhe njëherë Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Nëpërmjet një kërkese drejtuar KGJK’së, përkatësisht kreut të saj Enver Peci, babai i Dianës së ndjerë ka kërkuar anulimin e vendimit për përzgjedhjen e gjyqtarit Enver Shabani në Gjykatën Themelore të Prishtinës, shkruan Kosova Sot.

“Ne prindërit e të ndjerës Diana Kastrati po ju drejtohemi me këtë kërkesë, ku kërkojmë anulimin e vendimit me të cilin i keni propozuar presidentes së Kosovës që të dekretojë Enver Shabanajn gjyqtar. Edhe pse gjyqtari i apostrofuar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ka dështuar për të kryer funksionin e gjyqtarit…”, thuhet në letrën që familja i ka dërguar Pecit.

Shënohet Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit

0

VallëzimNga viti 1982, 29 prilli festohet si Ditë Ndërkombëtare e Vallëzimit pasi që në këtë datë në vitin 1727 lindi veprimtari i baletit bashkëkohor Zhan-Zhorzh Nover. Me këtë rast, çdo vit gjithkund nëpër botë luhen shfaqje në të cilat loja dhe vallëzimi janë gjuhë universale me mision t””i afrojë dhe miqësojë njerëzit.

Vallëzimi është disiplinë, punë, mësim, komunikim. Me të kursejmë fjalë të cilat ndoshta disa njerëz nuk do t’i kuptonin, ndërsa si kthim krijojmë gjuhë universale, të kuptueshme për të gjithë. Vallëzimi na jep kënaqësi dhe mbështetje, na bën të jemi të lirë për pamundësinë të fluturojmë si zogjtë dhe të afrohemi nga qielli, bota, pafundësia.

Kjo është një pjesë e Mesazhit Ndërkombëtar me rastin e Ditës Botërore të Vallëzimit 29 prilli që në vitin 2010 e shkroi valltari argentinas Hulio Boka (1967), ndërsa e dërgoi Komiteti ndërkombëtar për vallëzim i Institutit internacional teatror të UNESKO-s.

E kjo ditë do të festohet edhe në Kosovë. Evolucion Dance, ka bërë një organizim për nder të kë saj dite, ku kanë ftuar valltarë dhe adhurues të vallëzimit që të dalin në sheshin Zahir Pajaziti, në orën 17:00.

Qytetarët që kalojnë nëpër këtë shesh dhe ata që dëshirojnë të marrin pjesë do të mund të ndjekin: “Muzikë dhe vallëzim caoperia (formë vallëzimi i përzier me arte marciale) me demonstrim dhe workshop, prezantim të koreografive të ndryshme grupore, flash mob me fëmijë, punëtori me qytetarët e Prishtinës, animacione vallëzimi dhe performanca të rastit nga qytetarët e Prishtinës, etj.

Nxënësi në shkollë me allti në brez

0

ArmaaaaNjë nxënës i shkollës fillore “Dëshmorët e Grejkocit” në Grejkoc të Suharekës është kapur nga policia me armë në brez.

“Rreth orës 11:30 minuta, policia në Suharekë, ka pranuar një informatë përmes rrugëve operative e cila bënte me dije se një nxënës i klasës së VIII, i shkollës fillore në fshatin Grejkoc, në çantën e tij posedon një pistoletë. Hetues policorë kanë shkuar në Shkollën Fillore “Dëshmorët e Grejkocit” dhe në marrëveshje me Drejtorin e shkollës kanë identifikuar nxënësin e armatosur dhe nga ai kanë sekuestruar një pistoletë të llojit “SCHMIT ASTRAIHE MOD-S-5 e kalibrit 8 mm”, njoftoi zëdhënësi i PK-së në Prizren, Hazir Berisha.

“Lidhur me gjetjet në shkollë është informuar prokurori i shtetit i cili ka sugjeruar që rasti t’i kalojë prokurorisë sipas procedurës së rregullt”

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren edhe një herë bën apel tek prindërit që të shtojnë kontrollin ndaj fëmijëve të tyre”/PrizrenPress.com/