Nuk është vetëm sfidë e Nismës sesi do ecim bashkë tutje në zhvillimin e demokracisë, në ndërtimin e shtetit të se drejtës, në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e mirëqenies qytetare, sfida është për secilin subjekt politik e qytetar te Republikës sonë. Ketë duhet ta e ndjen çdo qytetar i saj, kudo që ai apo ajo punon e jeton. Nisma synon të ndërtoj një solidaritet të ri në mes qytetarëve tanë, solidaritet i mishëruar në një kontratë të re sociale ku çdo e drejtë e njeriut tonë është një përgjegjësi e një numri shumë herë më të madh të bashkëqytetarëve tanë, sesa numri i anëtarëve të Nismës për Kosovën. Kauza politike e shqiptarëve për shtetndërtim është shumë herë më e madhe sesa kauza e Nismës, prandaj ne po e kërkojmë mbështetjen qytetare në çdo cep të Kosovës.
Sot, 15 vjet pas lirisë se Kosovës, shoqëria shqiptare në Kosovë ka ndryshuar shumë, krahasuar me vitet e vështira të robërisë. Sot, mes vullnetit qytetar dhe politikës është krijuar një hendek i madh që kërkon ndryshim të thellë e përmbajtjesor. Nisma për Kosovën duhet të ndahet qartazi e pa ekuivoke nga politika e shurdhër që nuk ka veshë e sy t’i dëgjojë e ti shikoj drejt në sy hallet dhe kërkesat e shqiptarëve, që s’ka guxim e as gojë që t’u flasë njerëzve për problemet e përditshmërisë se tyre haptas e çiltas.
Nisma për Kovën dhe se bashku me te edhe qytetarët duhet të ndahen një herë e mirë nga politika që nuk prodhon bukë, që nuk ka mendje e zemër që t’i shoh e ndjejë vështirësitë e shqiptarëve dhe njerëzve të tjerë të këtij vendi. Nisma për Kosovën duhet ta e kapë ndjenjën e pasionit që i entuziazmon njerëzit për politikë demokratike e progresiste, duke i ndarë ata një herë e mirë nga politika që s’mund të transmetojë tutje energjitë pozitive dhe vlerat e kombit tonë.
Nisma ka synim që t’i përfshijë qytetarët shqiptarë e komunitetet pakicë në një projekt të ri shprese e besimi për një të ardhme të përbashkët. Por, këtij projekti të ri duhet t’i bashkohen intelektualët e ri, ekspertët dhe shumica e qytetarëve të vendit tonë. Duhet të bashkohen të gjithë ata që e duan me zemër e pa hile nënqiellin tonë të përbashkët.
Nisma për Kosovën dëshiron të bëhet instrument i çdo shqiptari e qytetari që donë të ndryshojë jetën, i çdo të reje apo të riu që donë të ndryshojnë ambientin e tyre të punës e të jetës, i çdo gruaje a vajze që donë të ndryshojnë pozicionin e vet shoqëror, i çdo familjeje që donë të ndryshojë gjendjen e saj të vështirë ekonomike e sociale, i çdo punëmarrësi që donë t’i ndryshojë kushtet e punës dhe i çdo sipërmarrësi që angazhohet të ndryshojë cilësinë e shërbimit a të teknologjisë që i duhet për suksesin në investime e prodhim, i çdo organizate joqeveritare që donë të ndryshojë sado pak shoqërinë tonë të prapambetur ekonomikisht. Nisma dëshiron t’ i ndihmoj cilitdo komunitet të organizuar që synon të ndryshojë cilësinë e hapësirës e të shërbimeve publike. Nisma do t’i ndihmoj mediet e shkruara dhe elektronike për t’u shprehur, për të shkruar e folur lirshëm, për të thënë me guxim e kompetencë fjalën e lirë si dhe hulumtimin e lirë media. Nisma do t’i ndihmoj çdo intelektuali a akademiku, mjeku a juristi, ekonomisti a shkencëtari që pretendon të ndryshojë politikën qeverisëse, cilësinë e jetës, të punës, të dijes e të shkencës, të arsimit e të shëndetësisë në Republikën e Kosovës.
Rruga e Nismës është një rrugë e filluar dhe e pambaruar, se e tillë është rruga e Kosovës kah ardhmëria. Programi i Nismës për Kosovën është një libër i hapur që kërkon të plotësohet çdo ditë e çdo orë nga ekspertet dhe shkencëtarët e rinj të Kosovës se pavarur. Ne me BD po e nisim një rrugë te re për Prizrenin dhe Kosovën, qytetarët janë ata që do ta vulosin fatin e tyre dhe fatin tonë të përbashkët.
Nisma beson se shpresa të reja do të lindin për njeriun tonë nga leximi i këtyre rreshtave që po i nënvizojmë në Programin e NISMËS për Kosovën.
Vizioni ynë është: Kosova shtet i së drejtës dhe i integruar në BE.
Misioni ynë është: Bërja e Kosovës shtet të zhvilluar, të dashur dhe të respektuar për të gjithë qytetarët e saj.
Rruga jonë është: Zhvillimi i vazhdueshëm i politikave të reja qytetare e për qytetarët.
Sfida jonë: Kthimi i besimit të qytetarëve tanë për një jetë më të dinjitetshme në Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane dhe demokratike.
Fuqia jonë konsiston: Në Nismën për Kosovën, në bashkimin tonë demokratik për Kosovën, në njerëzit tanë të ri e inteligjent dhe në begatit tona tokësore e nëntokësore.