20.3 C
Prizren
E diel, 10 Maj, 2026
Home Blog Page 8631

Fituesit e ‘Amici’ e ‘Sanremo’, konsullata italiane e Vlorës i sjell në Shqipëri

0

83794Konsullata italiane në Vlorë ka sjellë në Shqipëri dy prej fituesve të shfaqjeve italiane “Amici” dhe “Sanremo”, të cilët startuan konkursin “Zëra të rinj për Italinë”, rezervuar kantautorëve apo grupeve të kantautorëve të rinj shqiptarë në gjuhën italiane.

Roberta Bonnano dhe Andrea Maestrelli pas kontakteve në shkolla të ndryshme të qytetit debutuan live për artëdashësit vlonjatë.

Sipas konsullit Italian Stefano Bergesio, nga data 2 deri në 28 prill 2014 të rinjtë e interesuar mund të kompozojnë dhe regjistrojnë pjesët e tyre dhe ti dërgojnë pranë Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë sipas udhëzimeve dhe modaliteteve të pjesëmarrjes të përfshira në shpalljen e konkursit. Një komision i emëruar posaçërisht nga Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë do të përzgjedhë pjesët më të mira që më tej do ti nënshtrohen gjykimit të një jurie ndërkombëtare së cilës do ti takojë detyra për të zgjedhur pjesën muzikore fituese.

Konkursi do të përfundojë me dhënien e çmimit të pjesës më të mirë në një ceremoni që do të zhvillohet në një teatër të qytetit të Vlorës. Më tej pjesa do të prodhohet e shpërndahet në botë në formatin digital nga etiketa diskografike Rusty Recors e cila do të nënshkruajë një kontratë të posaçme me autorin.

Shpallja me detajet e konkursit “Zëra të rinj për Italinë” si dhe të gjitha aktivitetet që do të zhvillohen në mbështetje të tij mund të konsultohen në faqen Facebook të Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë.

RDK meritore për rritjen e PDK-së në Therandë

0

Hoxhaj ne therand?Në Komunën e Therandës është zgjedhur kryesia e re e Rinisë Demokratike të Kosovës, e një ditë më pas ata i ka takuar edhe Enver Hoxhaj.

Në Komunën e Therandës është zgjedhur kryesia e re e Rinisë Demokratike të Kosovës, e një ditë më pas ata i ka takuar edhe Enver Hoxhaj.

Ai ka qenë sot atje për ti uruar të zgjedhurit, ndërsa i ka falënderuar ata për ndihmën që i kanë dhënë rritjes së partisë.

“Sot kam takuar kryesinë e Rinisë Demokratike të Therandës, e cila është zgjedhur dje. I kam uruar ata për këtë proces zgjedhorë demokratik. Rinia Demokratike e Therandës është më meritore për rritjen e PDK-së dhe fitoret tona në këtë komunë dhe në Kosovë. Urime kryesisë së re”, ka shkruar Hoxhaj në rrjetin social Facebook.

Dita e shëndetësisë, u organizua në Malishevë

0

Sigurimi shendetesorDita Botërore të Shëndetësisë, në Kosovë, u shënua në Malishevë, ku kjo ditë këtë vit ju i është përkushtuar parandalimit dhe kontrollit të sëmundjeve që përhapen përmes vektorëve (bartësve). Me qëllim të shënimit të kësaj dite, Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në bashkëpunim me Komunën e Malishevës organizojnë shënimin e kësaj dite në mënyrë simbolike në Malishevë, duke trajtuar çështjen e Etheve Hemorragjike Krime -Kongo.

 

Pjesëmarrës në këtë shënim do të jenë zyrtarë të MSH-së, IKSHP-së, QKUK-së, spitaleve rajonale, anëtarët e Këshillit Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e Etheve Hemorragjike, autoritetet lokale të komunave që shquhen me më shumë raste të EHKK, mediat dhe të tjerë.

Fillimisht kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, i ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje në këtë shënim, përderisa shprehi “besimin se tani po konkretizohen gjërat për punë më të mirë në fushën e luftimit dhe parandalimin e etheve hemorragjike krime kongo”.

“Në Kosovë, ka pasur arritje premtuese, për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore”, tha ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Ferid Agani, duke i përmendur ligjet e miratuara që kanë të bëjnë me shëndetësinë. “Jam i kënaqur që sot kemi një plan operacional për luftimin e EHKK”, tha ministri Agani, duke folur për temën.

Epidemiolog Isuf Dedushaj, foli për sëmundjen EHKK, historinë, format e përhapjes dhe për rriqrat si bartësit kryesor të EHKK dhe për situatën epidemiologjike në vend.

Skënder Syla, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë, foli për sëmundjen që barten përmes vektorëve, ndërsa Naser Ramadani nga IKSHP-ja, dhe folësit tjetër, folën për ethet hemorragjike, për mënyrat mbrojtëse dhe për planin operativ, për strategjinë kombëtare për luftimin etheve hemorragjike Krime Kongo (EHKK).

Në këtë tryezë dhe në prononcimet për medie, nga shumica e folësve u theksua, se ende në strategjinë për luftimin dhe parandalimin e EHKK, është spërkatja selektive. Përderisa në përfaqësues i kompanisë, e cila mendohet se do të bëjë spërkatjen masive (nga ajri), mbrojti formën e kësaj spërkatje, shumë prej pjesëmarrësve, hodhën poshtë këtë mundësi. AUV dhe epidemiologët, thanë se përderisa nuk ka praktika të tilla, askund në botë, nuk mund të lejohet të bëhet këtu, ndërsa ministri i shëndetësisë, z.Agani, tha se ende sipas strategjisë, spërkatja do të bëhet slektive.

Deri te kjo përplasje për formën e spërkatjes, erdhi, pasi ekzekutivi i Komunës së Malishevës, kërkoi sqarim dhe dhënie të mendimin për formën e spërkatjes dhe kohën./PrizrenPress.com/

Nëndega e PDK-së në Kërvasar të Malishevës, ‘shkrihet’ në NISMA për Kosovën

0

Nisma per kosove1Kryetari i nëndegës së PDK-së në fshatin Kërvasar të Malishevës, Musli Bytyçi, bashkë me anëtarët e Kryeisë, kanë dhënë dorëheqje nga ky subjekt politik.

Ata rrugëtimin e tyre politik nga sot do të vazhdojë me subjektin më të ri, NISMA për Kosovën.

“Kryetari dhe anëtaret e kësaj nëndege kanë vlersuar se ka ardhur koha që t’i dhënë mbështetje kësaj force politike, e cila ka për qëllim ndryshimin e gjendjes në vend, gjë që kan ardhur deri te ky vendim i shuarjes së kësaj nëndege dhe kalimin në NISMA për Kosovën”,thuhet në komunikatën për media./PrizrenPress.com/

 

Bukoshi: FARK-u nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar

0

Bujar BukoshiIsh-kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi, në vitin 1999, kishte deklaruar se Kosova e ka vetëm një forcë të armatosur, UÇK-në. Ai gjatë një interviste dhënë Kohës ditore, më 25 01. 1999, kishte thënë se “unë dëshiroj që rezistenca të jetë gjithëpërfshirës. Ndoshta një numër jo i vogël njerëzish, me të drejtë i janë futur luftës duke menduar se nuk ka rëndësi nëse bëhet në emër të UÇK-së, apo Qeverisë apo në plan më të lartë të kombit në fakt kështu duhet të jetë. Nuk kuptoj se pse zgjerimi pjesëmarrjes shihet me dyshim apo shqetëson ndokënd, ky zgjerim vetëm na bënë më të fortë dhe nuk i rrezikon punët e mëdha që na presin. Kosova ka vetëm një forcë të armatosur, kjo është UÇK-ja, nuk ka dhe nuk duhet të ketë forcë të armatosur tjetër”, kishte deklaruar Bujar Bukoshi.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova thotë për Gazetën “Bota sot” se, Bujar Bukoshi, nuk e befason se çka ka thënë, ku edhe tash e vërtetoi që po e mohon FARK-un derisa nuk po deklarohet, e nga ana tjetër ka qenë kryeministër i Kosovës, edhe njëri prej formuesve të FARK-ut në atë kohë, që ka udhëheqë dhe ka emërua Ministrat e Mbrojtjes.
“Kjo është për çudi, dhe nuk kam asnjë koment tash për Bukoshin, ajo është një dobësi e tij, e karakterit të tij, apo është definitivisht i shitur edhe ka punuar me kohë që ti tradhtoj tash FARK-un dhe ta tradhtoj punën institucionale që është bërë me vite, që ka punuar edhe me Presidentin Ibrahim Rugova. Kjo tradhti për mua është një befasi, dhe e papranueshme”, thotë Rugova.

LDK: Thaçi manipuloi me studentët e UPZ-së

0

UPZ 45Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar ndaj fjalimit të Kryeministrit Hashim Thaçi që ka mbajtur me studentët në Universitetin e Prizrenit, i cili ka bërë thirrje për ndihmë për të fituar edhe këto zgjedhje.

Sipas ekspertëve të LDK-së, Hashim Thaçi po i korrupton qytetarët.

“Qeveria e PDK-së dhe kreu i saj, duke e ditur që do të jenë humbës në Zgjedhjet e përgjithshme, pa zgjedhur mjete, kundër ligjeve dhe kundër Kushtetutës, po përpiqen që të korruptojnë qytetarët e të gjitha kategorive. Një qeveri e korruptuar si kjo, mendon se të gjithë mund të korruptohen”, thuhet në reagimin”, thuhet në reagimin e ekspertëve të LDK-së.

Në reagimin e tyre, thuhet se kryeministri i Kosovës, para studentëve në Universitetin Publik të Prizrenit, ka bërë fushatë të hapur dhe ka kërkuar nga studentët që uljen e pagesës ta shndërrojnë në votë për PDK-së, e që sipas tyre është në kundërshtim me ligjin dhe me çdo etikë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon tentimin për manipulim masiv të qytetarëve dhe në veçanti të studentëve nga ana e PDK-së”, thuhet në reagim.

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon korrektësi, sjellje ligjore dhe institucionale.

“LDK-ja fton qytetarët të mos mashtrohen nga premtimet e kota të atyre që e rrënuan vendin dhe që nuk mund të shpëtojnë asgjë në fund të mandatit të tyre. LDK-ja angazhohet për korrektësi, përgjegjshmëri, sjellje të dinjitetshme dhe qytetëruese. LDK-ja, me sjelljen e saj, do të vijojë t’i ndihmojë të gjitha proceset normale në vend”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Në njoftim të LDK-së thuhet se kjo parti do të japë gjithë ndihmesën e saj për të përgatitur zgjedhje të mira, të lira dhe të ndershme.

Thaçi studentëve të UPZ-së: Më ndihmoni ta fitojmë betejën e tretë

0

Thaci upzKryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Universitetit Publik të Prizrenit, të cilëve u ka rikonfirmuar vendimin e tij për përgjysmimin e pagesës prej 50 % të semestrave, konvikteve dhe menses për të gjithë studentet e Universiteteve Publike.

Kryeministri Thaçi, i ka ftuar studentet që t’a ndihmojnë atë për të fituar edhe betejën e tretë, atë të Kosovës Evropiane dhe zhvillimit ekonomik.

“Ju ftoj të më ndihmoni, të jemi bashkë sepse vetëm bashkë mundemi. Fituam betejën kundër Serbisë për liri, fituam betejën për pavarësi, tani të fitojmë betejën e tretë për Kosovën Evropiane, të zhvillimit ekonomik, ku papunësia do të jetë dyfish më e vogël”, ka thënë ai.

Thaçi, po ashtu i ka premtuar studentëve se fondi i punësimit që do të jetë një miliardë euro do të jetë në shërbim të të gjithë atyre bizneseve të cilat do të krijojnë vende pune dhe do të rrisin prodhimin.

Thaçi pati edhe shumë pyetje nga studentet dhe stafi akademik, si dhe ka marr një mirënjohje nga parlamenti i studentëve.

Statusi i vëzhguesit përparim–ka ende punë në sundimin e ligjit dhe në siguri

0

Naim MalokuPërveç eksponentëve politikë, edhe ekspertë të fushës së sigurisë e kanë vlerësuar lartë faktin se Kosova tanimë është pranuar si anëtare me statusin e vëzhguesit në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s.
Eksperti Naim Maloku, ka thënë se Kosova, përmes këtij mekanizmi, do të jetë pjesë e një familje ku shqyrtohen dhe preken temat e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare.

Ai ka sqaruar se Kosova nga stadi i mysafirit, në këtë mekanizëm, është bërë vëzhgues.

“Ky është një avancim i vendit tonë. Hapi tjetër i Republikës së Kosovës është hyrja në partneritet të paqes me NATO-n. Vendi ynë, pas kësaj, mund ta siguroj pozitën e anëtarit të përhershëm në
Asamblenë Parlamentare të organizatës veri-atlantike”.

Megjithatë, ai ka shtuar se, për tu bërë pjesë e barabartë e kësaj familje, përveç kritereve ushtarake, një vend pretendent, duhet t’i plotësojë edhe një sërë kriteresh politike dhe juridike.

“Duhet të kalohen shumë procese politike, që lidhen kryesisht me sundim të ligjit dhe me sigurinë.

Me rëndësi në këtë rrugëtim është që Kosova të ketë raporte të mira fqinjësore dhe të mos ketë pretendime territoriale ndaj fqinjëve. Integrimi i Serbisë në këtë organizatë do të ishte shumë i favorshëm për vendin tonë, për shkak se do të binin poshtë pretendimet eventuale të këtij vendi përballë Kosovës”, ka thënë Maloku për Telegrafin.

Ai ka folur për përfitimet të cilat do t’i ketë Kosova, si vëzhgues në Asamblenë e Përgjitshme të NATO-s, duke theksuar se, me prezencën e vetë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Kosova, ndër tjerash, mund të përdorë për lobim, rritjen e njohjeve të shtetit.

Ndërkaq, Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), mendon se ky është një hap shumë i rëndësishëm për fillimin e partneritetit të drejtpërdrejtë në mes të Kosovës dhe NATO-s, i cili deri më tani ka munguar.

Sipas tij, Kosova tashmë është duke hyrë në një fazë tjetër, sa i përket ndërtimit të infrastrukturës së sektorit të sigurisë, duke shtuar se, Analiza e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë (RSSS) tashmë edhe zyrtarisht ka rekomanduar që Kosova sa më parë të filloj me krijimin e sektorit të saj të mbrotjes.

“Kjo pritet të ketë impakt direkt në rolin dhe mandatin e prezencës së NATO-s në Kosovë. Mendoj se tashmë është e domosdoshme që Kosova dhe NATO të eksplorojnë forma tjera të bashkëpunimit, siç është lidhja e marrëdhënieve kontraktuale të drejtpërdrejta. Ka ardhur koha që Kosova tashmë në nivel partneriteti të diskutoj me NATO-n për modalitetet e vazhdimit të prezencës së saj në Kosovë”, ka thënë ai.

Ajo çka vlen të theksohet, sipas tij, “është se marrja e statusit të Vëzhguesit është hap kryesisht simbolik sa i përket ambicieve të Kosovës drejt Anëtarësimit në NATO”.

“Pritjet janë që nga ky raport i ri i krijuar mes NATO-s dhe Kosovës, do t’i mundësoj kësaj të fundit të jetë më afër me politikat e NATO-s. Andaj, ky hap pritet që në radhë të parë t’i mundësoj Kosovës të ketë qasje më të lehtë në programe të ndryshme të NATO-s me karakter teknik”, ka thënë Vrajolli për Telegrafin.

“Shteti ynë do të jetë pjesë e në mekanizmi që trajton tema të sigurisë rajonale dhe botërore”, ka shtuar Maloku.
Ndryshe, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Agim Çeku, e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm vendimin për pranimin e Kosovës, si anëtare vëzhguese në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s. Ai ka thënë se me këtë veprim, Kosova ka hyrë në shtëpinë e organizatës më të fuqishme ushtarake në botë.

Edhe kreu i ekzekutivit të vendit, përmes një postimi në Facebook, e ka cilësuar të mrekullueshëm këtë lajm dhe e quan hap të rëndësishëm drejt integrimit të Kosovës në NATO. /Telegrafi/

Kujtime të arta

0

VaceZela-kengetareSot ajo do të ishte 75 vjeçe. Në apartamentin e saj në Bazel në Zvicër, çdo 7 prill zilja e telefonit nuk pushonte. Miq, familjarë apo dhe të panjohur i uronin ditën e lindjes ikonës së muzikës së lehtë shqiptare, Vaçe Zela. Por sot, telefoni do të rrijë i heshtur, ashtu si gjithçka që ajo ka lënë pas, kur iku përgjithmonë. Ndarja nga jeta e artistes më 6 shkurt të këtij viti, ishte një humbje e madhe për kulturën shqiptare. Vaçe Zela nuk ishte vetëm këngëtarja e madhe, por dhe historia e një gjysmëshekulli e muzikës sonë të lehtë. Shtëpia botuese “Saras” do të hedhë së shpejti në treg librin “E papërsëritshmja Vaçe”, shkruar nga mikesha e saj Violeta Librazhdi-Kadzadej. Libri është një biografi e mbushur me kujtime dhe detaje nga jeta e një këngëtareje të jashtëzakonshme.

Ky libër e bën më të plotë dimensionin njerëzor të një artisteje që të rrëmbente me zërin e saj. Sot është një ditë për të kujtuar një yll të muzikës shqiptare, e cila nëse do të kishte jetuar në një tjetër kohë, do të kishte qenë një yll në qiellin e botës. Vaçe Zela lindi në vitin 1939 në buzë të kënetës së Tërbufit në Lushnjë. Që e vogël u dallua për karakterin e saj artistik.

Fillimisht u vu re dëshira e saj e madhe për të kënduar dhe për të kërcyer. Prandaj, më vonë vijoi mësimet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, për të qenë në grupin e artistëve të rinj që do të përfaqësonin Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Moskë, në vitin 1956. Asokohe ishte vetëm 17 vjeçe, ky ishte ballafaqimi i saj i parë me skenën ndërkombëtare. Kështu, dalëngadalë, që nga ajo ditë filloi të bëhej e njohur edhe brenda vendit. Pjesëmarrja e saj në estradën e qytetit dhe në shfaqjet nëpër mbarë Shqipërinë ishin një ogur i mirë për rrugën që kishte nisur. Në vitin 1961 filloi të ishte pjesë e Estradës së Ushtarit. Nga këtu nisi edhe karrierën artistike në kryeqytet. Mori pjesë në festivalin e parë të këngës së lehtë në radio në vitin 1962, për të interpretuar deri në vitin 1981 në Radio- Televizion, ku u shpall dhe fituese e çmimit të parë. Studioi për art dramatik, por iu kushtua këngës së lehtë dhe këngës së përpunuar popullore. Ka marrë pjesë në 26 festivale kombëtare, ku ka fituar 10 herë vendin e parë. Vaçe Zela ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit. Zërin e saj e dëgjon te filmi “Në shtëpinë tonë”.

Në vitin 2008, me rastin e 69-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i akordoi titullin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”. Ajo ishte gruaja e parë shqiptare e nderuar sa ishte gjallë me titullin “Nderi i Kombit”. Gjithashtu mban edhe titullin “Artiste e Popullit”. Materialet muzikore që Vaçe Zela interpretoi gjatë gjithë krijimtarisë në Radio Tirana, me rastin e 70-vjetorit të lindjes iu regjistruan në CD-në “Larg dhe pranë njerëzve”. Numërohen rreth 55 këngë që prej fillimit të karrierës në vitet ’60 e deri në festivalin e fundit në RTSH. Disa nga këngët që do të mbeten në kujtesën e publikut janë: “Fëmija i parë”, kompozim i Agim Krajkës, të cilën Vaçja e ka kënduar në vitin 1962 në Festivalin e Parë të Këngës, “E dua vendin tim”, “Djaloshi dhe shiu”, “Dritaren kërkoj”, “Lumi Ebro”, “Për ty o këngë”, “Manushaqja”, “Esperanca” këngë kubane kënduar po në vitin 1962 në shoqërinë e kompleksit ritmik, këngë nga filmi “Karmen”, “Një zambak i bardhë në gur” etj. Vaçe Zela ka bashkëpunuar me kompozitorët më në zë të muzikës së lehtë shqiptare, si: Tish Daija, Agim Krajka, Kujtim Laro, Shpëtim Kushta, Avni Mula, Limoz Dizdari, Pjetër Gaci, Aleksandër Peçi, Agim Prodani etj. Përfundimisht u largua nga skena në vitin 1990. Më poshtë po botojmë disa pjesë nga libri në proces i shtëpisë botuese “Saras”.

Vaçe, jo elegji për ty

(Shkruar në shkallët e operës, 8 shkurt 2014, ora 11:00 Tiranë)

Telefonata e Irmës, zëri ngashërues i saj diçka më këputi në zemër atë mëngjes. Këtë radhë, ti “gabove vërtet”. U bashkuan tek unë në çast monologu dhe dialogu dhe të flas thjesht, thjesht siç ka qenë dashuria e prindërve të tu, thjesht siç ka qenë dashuria që ata të rritën ty dhe ajo dashuri që ju bashkoi ju të gjashtëve. Të shprehem thjesht si shoqëria dhe miqësia jonë, si dashuria që ju ngrohu ju, të gjashtëve në të ftohtë, u rrotullua mes jush, ju qetësoi dhe shpesh ju lumturoi. Atë dashuri ti e solle të pastër në familjen që ti krijove me Pjetrin, që e adhurove dhe që ta kthehu atë adhurim me fisnikëri, me Irmën tendë lule dhe thesar.

Po të shprehem ashtu si çuçurisnim kur ishim pesë vjeçe, ashtu si pëshpëritnim në adoleshencë, ashtu si flisnim vesh më vesh në rininë tonë dhe më pas kur bisedonim për vajzat tona.

Nuk po të flas me fjalë të mëdha se e madhe u bëre vetë ti, arrite të madhërishmen ti vetë, atë të madhërishme që do ta kishte zili mbretëresha rrethuar me diamante dhe miliarderi zhytur në miliardat e veta. Kjo u tregua thjesht kur njerëzit ngrinë kur dëgjuan atë lajm, kur u ngulën me orë të tëra para ekraneve të televizorëve duke shpresuar pavërtetësinë e atij lajmi kobzi.

Asnjëherë lulishtarët nuk kanë shitur aq shumë lule sa sot, asnjëherë sheshi para pallatit dhe shkallëve të operës nuk do të kishin ndier aq shumë këngë, që mblidheshin aty pa lisat, pa urdhër…

Sa larg të kam mikja ime, por sa afër më je dhe sa pranë do të të kem… Të dua fort.

Leta

Takimi i parë

Sapo kisha mbushur 5 vjeçe e gjysmë, kur Bardha, motra ime, iu lut babait të më merrte në shkollë edhe mua. Nëna na veshi bukur e pastër dhe unë, shumë kureshtare, desha të shoh e të fiksoj gjithçka që shihja gjatë rrugës. Motra më la në një klasë të madhe, në duar të një gruaje me flokë të bardhë, çuditërisht shumë të bukur, zonjushës Sofi.

Klasa qe e ndarë në dy rreshta, në njërën grupi i foshnjores, ku u ula unë, dhe rreshti tjetër i klasës së parë. Hodha sytë përqark dhe i ndala te një fytyrë e njohur, që e kisha parë kur shkoja me nënën tek Abllaja. Ishe ti.

Cila?

Më pas dolëm nga klasa dhe, sipas sistemit të atëhershëm të shkollës, duhet të bënim disa orë pushim, sepse sërish mësimi fillonte pasdite.

Ti erdhe bashkë me mua në shtëpinë time. Duke ecur, lëvizje kokën djathtas e majtas, shihje çdo gjë që na dilte përpara dhe, kur arritëm në shtëpi, the se nuk kishe qenë asnjëherë në këtë lagje.

Qe ditë shtatori, shumë ngrohtë dhe shumë bukur. Si tani më kujtohet se, sapo arritëm te porta e oborrit the: “Oborri im është më i madh!”. U kape te hekuri i portës dhe rrotulloheshe atje, pa e parë nënën time, që të shihte me vërejtje. Unë të njoha me prindërit e mi dhe babai tha: “Shoqja jote e re do të hajë sot me ne”. Qe hera e parë që hëngrëm bashkë dhe unë druhesha se a do të pëlqente ajo që nëna ime pati përgatitur. Qe hera e parë, se të tjerat nuk numërohen.

Familja jote

Seç më tërhiqte dhe gjithë kohën gëzohesha që do të shkoja në shkollë. Me një çantë të vogël lëkure me dorezë dhe nga një anë me zbukurime, ku kisha futur brenda një pllakë të zezë dhe një laps pllake, një gërshërë e letra punëdoreje të ngjyrave të ndryshme, bashkë me Bardhën, hymë në oborr. Sa arritëm, u bashkova me shoqet dhe me ty. Pasdite iu luta shumë Vedos, nënës sime, të shkonim tek Abllaja. Natyrisht unë kisha shumë dëshirë të rrija atje, jo vetëm se Abllanë e donim shumë, por edhe se atje kishte shumë fëmijë, ku luanim shumë dhe nuk mërzitesha asnjëherë. Por kësaj here më shtynte diçka tjetër, unë e dija që ti, shoqja ime e re, banoje përballë kushërinjve të mi. Lagjja jonë ishte jo larg Topalltisë. Me nënën kaluam bashkinë, xhadenë, atë teqenë e vogël ku hidhnim lekë para provimeve, kinemanë “Liria”, shtëpinë e Meçulëve, të Myftive, të Dimashëve, pastaj furrën e xha Ndonit, çezmën, shtëpinë e papa Kostandinit dhe ja rruga, të cilën mezi po e prisja. Ndërsa nëna ime hyri tek i vëllai, unë qëndrova para një porte, që aso kohe më dukej e madhe për ta shtyrë.

Po, e shtyva dhe, nga ajo që pashë, nuk u ndava kurrë edhe tani që i kanë kaluar dekada: një oborr me kthesa dhe në çdo kthesë nga një dhomë. Më vonë, në mbrëmje, unë u tregoja prindërve se Vaçja kishte shumë shtëpi. Dhe në atë oborr, sikur kishin ngrirë disa njerëz, një mace, një qenush, shumë pula e zogj që ecnin e disa prej tyre lëshonin glasa. Uaaa, thirre, dhe u afrove, pas teje lëvizi, e para, Nana, Maja, Lala dhe më tej, një djalë i vogël na shihte, ai qe me barkun jashtë, Niku. Do të ishte e padrejtë dhe ky shkrim nuk do të shkruhej, nëse në të nuk do të flitej dhe vetëm me respekt e dashuri, për ata që ty të lindën e të rritën, sepse pema dhe lulet shpejt do të vyshkeshin nëse s’do të mbaheshin fort rrënjët, nëse nuk do të ujiteshin ngaherë, me kujdes e mirënjohje, për degët e lulet që lëshuan. Po të jetonin prindërit e tu, Maja dhe Lala, do të më falnin, që, së pari, do të kujtoj atë që ti vërtet e deshe aq shumë, Nanën, që sa më pa më deshi dhe që më përkëdhelte si gjyshja ime, që nuk e kam njohur. Dhe tani e kam parasysh, të gjatë, të drejtë, të fisme, kurdoherë me një përparëse me vija përsëgjati, bardhegri, punuar në vegjë (do të çuditesha, nëse ndonjëherë do ta shihja pa të) me shami të bardhë borë dhe me buzë në gaz. Vaçe, a mërzitej ndonjëherë Nana, a ju qortonte? Se unë mbaj mend që edhe kur bënim ndonjë çamarrokllëk, e dëgjoja që thoshte “t’keqen nana t’barkut tat”, e mua më vinte ndërmend barku i Hysniut biond, të bukur, por shpesh barkjashtë. Hysniu rritej me ditë dhe bluzat që i qepte Maja me kambrik a pëlhurë, bëheshin shpejt të vogla për të. O Hysni i dashur, sa para kushedi do t’i blinin sot ato bluza vajzat e reja që t’u dilte barku jashtë, thua e kish parashikuar Maja modën?! Dhe kur ti këndoje me aq shpirt në një festival “Këngën e gjyshes”, e dija unë sa dashuri hidhje ti në atë këngë, falë aftësisë sate. Sa me dashuri më panë të gjithë. Maja m’u afrua duke qeshur dhe Lala tha: “Goca e avokat Demirit asht qo?”. E ti rrije e mënjanuar, me siguri, me atë mendjen e vogël bluaje përshtypjet e njerëzve të tu e të shoqes sate të re. Të gjitha kaluan natyrshëm, kur Maja më afroi një misër të pjekur, mbledhur me lëpushka, që të mos na digjeshin duart. Nënat tona s’kishin kryer fakultetet e pedagogjisë a psikologjisë, por ato qenë më të mirat mësuese e edukatore. Njëqind vjet m’u duk sikur e njihja Majën, kurse Lalën, edhe kur u bëra grua e nënë me fëmijë, e pata pak me drojë. E mos të të vijë keq, Vaçe, ti ngjan më shumë nga babai yt, Lala, se talentit tënd do t’i shtohej edhe një bukuri e hijeshi, nëse do t’i ngjaje sat ëme. Me një shami të bardhë, me një fustan të çelët e me përparëse, që e bënte shuk me duar, ajo më pëlqeu shumë dhe m’u duk e afërt e mbeti ashtu deri sa vdiq. Sa petulla me sheqer përsipër e sa koka zogjsh këputi Nana për ne, sa herë Filja, Misiri dhe Hysniu zemëroheshin kur ne nuk i fusnim në lojë me Agronin, Dianën, Lavdinë e Lilon? Sa ditë të këndshme e pa probleme, që i kujtoj tani. Nuk e di a e sjell ndërmend kur erdha të të merrja për drekë në shtëpinë time bashkë me kushërinjtë e mi? S’ishe gati e i qaheshe Majës se fustani yt qe i pahekurosur e Maja e shkretë s’kish gati prush. Nana, gjyshja jote, lagu pak duart me ujë, i futi brenda fustanit e rrotulloi paf-paf dhe ai sakaq qe “i hekurosur”. Këto bënte Nana. Fustani yt qe bojëqielli me pika të vogla të bardha e me një rrip që lidhej fjongo pas. Këta ishin njerëzit e tu, që të rritën me aq dashuri, me aq mundim e me sakrificën e një familjeje me shumë fëmijë (më pas erdhën në jetë Flora e Virgjili), që të dhanë shkollë e të ndihmuan gjithnjë. Këta ishin njerëzit e tu të dashur e të ndershëm, që s’dinin ç’ishin veset, njerëz me zemër të bardhë e të hapur. Kjo qe njëra nga familjet Zelo. Them Zelo, sepse më duket se me “o” mbaronte mbiemri juaj dhe, jam gati e sigurt për këtë. Zela, nuk e di pse u bë më vonë?! Po ashtu, mendoj se data e lindjes sate nuk është 1938, por l939, por kushedi seç i ka shkrepur Lalës kur të ka regjistruar! Më bënte përshtypje e folmja në familjen tuaj, ajo nuk ishte si e folmja e lushnjarëve. Në vend të “ë” karakteristike të qytetit, ju shqiptonit “a”, paksa hundore. Të pyeta dhe më the se Maja, nëna jote, qe nga Darsia e kjo fjalë më krijoi një farë djersitjeje. Më vonë, kur me brigadat kulturore shkuam atje, vërtet u djersitëm në ngjitje, por unë edhe u kënaqa se më dukej se Darsia të çonte në Peqin edhe pak dhe në Elbasanin e babait tim.

Le ta mësojnë të tjerët, nëse do të mund të lexojnë, se kjo familje e mirë të dha ty edukatën e parë, dashurinë për njerëzit e vendin tënd, thjeshtësinë dhe modestinë, respektin për gjithçka të mirë e të ndershme. Sa kujtime kam nga ajo shtëpi e nga ata njerëz, nga ti, nga qyteti. Në fund të vitit, morëm bashkë dëftesën e klasës së parë. Në verë luanim, thuajse, gjithë ditët e javës; luanim me kukulla, me lecka, merrnim kuti të mëdha dhe i sajonim si dhoma për kukullat, me topa llastiku dhe, kur ato na çaheshin, me topa fijesh llastiku, që hidheshin përpjetë, pëllëmbthi, syllambyllazi, me litar, me gurëmaçe, me pafka (vija). Ti dalloheshe për shkathtësi, por te loja me litar bëje një çikë hile. Pastaj sajonim shfaqje, e këto qenë koncertet e tua të para në “publik”. Pastaj edhe kërcenim e bënim poza nga më të ndryshmet. Kjo gjë vazhdoi edhe në shkollë, nga viti në vit, dhe ne kishim tashmë grupin tonë në Shtëpinë e Pionierit, që më vonë u aktivizua në Shtëpinë e Kulturës.

Natyra dhe ti

Ti e doje shumë natyrën, lulet. Në shtëpinë tuaj kishte shumë tenxhere të vjetra, të mbjella me borzilok, mëllagë, luleshpatë ngjyrë manushaqeje, këmbëpatë, luleiriqi etj. Tani më kujtohet se ju kishit një bahçe larg shtëpisë, jashtë qytetit dhe atje ne shkuam, kinse për të mësuar.

Qe ditë pranvere, veshur me fustane basme të shkurtra, me qeset me bukë e ushqime të mira, përgatitur nga nënat, u nisëm. Unë, plot kureshtje për të parë fushën tënde, tërhiqja sandalet dhe ngrija pluhur, ti, me një shkop, lije vija pas.

Arritëm, lamë qeset dhe librat, thamë të hanim njëherë pastaj të mësonim. Hëngrëm. – Flemë pak, pastaj mësojmë, – qe propozimi im. U shtrimë në shpinë. E si mund të të mbylleshin sytë nën një bukuri të tillë, deri në madhështi?! Degët e pemëve, të thystuara në gjelbërim, kryqëzoheshin dhe nëpër to dukej bluja e qartë e qiellit pranveror si një nga dantellat më të bukura që bënte Vedoja ime. Shpesh dëgjoj të thonë se nuk shkon bluja me jeshilen, e verdha me të kuqen! Pa shtrihuni mbi barin e gjelbër dhe, duke ngritur sytë në qiell, shihni përsosmërinë e blusë qiellore me të gjelbrën, hidhni sytë te lulet petalekuqe me nektar të verdhë dhe shihni harmonizimin, të cilit s’i përballet asnjë arsyetim i kundërt njerëzor. Këto na mahnitën ne të dyja, e ndërkohë rrezet mëngjesore na lanin si me ujë të praruar, mjegullonin sytë tanë nga njomështia e barit, ku qemë shtrirë, nga luledelet e lulekuqet, pak më tej, nga mështeknat e kallamat, që rrethonin arën tënde. Pemët gjelbëronin dhe disa prej tyre kishin lidhur kokrra, pak më tej kumbullat kishin filluar t’i rritnin pakëz frutat e tyre dhe mani aty-këtu mund të të jepte ndonjë kokërr të pjekur. Jo, s’mund të flinim, por edhe për të mësuar na u duk ca shpejt. Atëherë kërkojmë mana? Dhe i gjetëm, ca në tokë plot pluhur dhe ca në pemë. Ti zgjate dorën, këpute një man të bardhë dhe, me dorën tjetër, more një nga toka, i fryve atij të pemës dhe… hëngre atë me pluhur. Pasi e pështyve, pe degën e manit që lëvizi, dy harabela sikur po putheshin, u trembën dhe fluturuan drejt qiellit, gjethet dhe degët e lulëzuara ua zbukuronin udhën. Sa bukur, the, duke ndjekur atë fluturim dashuror. E doje natyrën, shoqëza ime, e doje ashtu si dije ti. Tani e kuptoj, te ti, brenda teje, po ngjizej artistja e ajo, së pari, do të ngjizej me natyrën, me dashurinë dhe vlerësimin për të. Shumë vite më vonë, kur erdha, ti më the: I sheh lulet e çelura, kam bërë ç’është e mundur që ato të çelnin sot, pikërisht sot. Dielli kaptoi me shkathtësi kupën e qiellit, filloi një erë e lehtë dhe ne morëm rrugën për në shtëpi, natyrisht librat as që u hapën. Me siguri që ne na ka përgjuar ai, që më vonë shkroi në librat e këndimit, tregimin për fëmijë “Vajza e mençur”.

Opozita këmbëngulë në dorëheqjen e Mujës

0

Mybra MystafaOpozita në Prizren nuk hekë dorë nga kërkesa për dorëheqjen e kryetarit të Komunës, Ramadan Muja. Ata për këtë çështje kërkojnë mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme.

Përfaqësuesja e LDK-së, Mybera Mustafa tha se subjekti i saj politik këmbëngulë në mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme për dorëheqjen e Mujës.

“Ne kemi kërkuar që të mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e cila ditë më parë dështoi për shkak bojkotimit të pozitës”, tha Mustafa.

Për shkak të mosmbajtjes së seancës së jashtëzakonshme, partitë opozitare kanë braktisur sot mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa. Në mungesë të kuorumit , kryesuesi i Asamblesë, Kujtim Gashi ka shpallur të mbyllur mbledhjen.

Përfaqësuesja e LDK-së, Mybera Mustafa edhe një herë i ka bërë thirrje pozitës që të mbajnë mbledhjen e jashtëzakonshme për dorëheqjen e Ramadan Mujës.

“Ftojmë pozitën që të respektojë kërkesën e opozitës për mbledhje të jashtëzakonshme”.

Ndërkaq, kryesuesi i Kuvendit Komunal,Kujtim Gashi, paralajmëroi se mbledhja e Komitetit për Politikë dhe Finaca do të mbahet nesër. “Nesër do të mbahet mbledhja dhe besoj se do të kemi kuorumin e mjaftueshëm”, tha Gashi. /PrizrenPress.com/