17.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Statusi i vëzhguesit përparim–ka ende punë në sundimin e ligjit dhe në siguri

Naim MalokuPërveç eksponentëve politikë, edhe ekspertë të fushës së sigurisë e kanë vlerësuar lartë faktin se Kosova tanimë është pranuar si anëtare me statusin e vëzhguesit në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s.
Eksperti Naim Maloku, ka thënë se Kosova, përmes këtij mekanizmi, do të jetë pjesë e një familje ku shqyrtohen dhe preken temat e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare.

Ai ka sqaruar se Kosova nga stadi i mysafirit, në këtë mekanizëm, është bërë vëzhgues.

“Ky është një avancim i vendit tonë. Hapi tjetër i Republikës së Kosovës është hyrja në partneritet të paqes me NATO-n. Vendi ynë, pas kësaj, mund ta siguroj pozitën e anëtarit të përhershëm në
Asamblenë Parlamentare të organizatës veri-atlantike”.

Megjithatë, ai ka shtuar se, për tu bërë pjesë e barabartë e kësaj familje, përveç kritereve ushtarake, një vend pretendent, duhet t’i plotësojë edhe një sërë kriteresh politike dhe juridike.

“Duhet të kalohen shumë procese politike, që lidhen kryesisht me sundim të ligjit dhe me sigurinë.

Me rëndësi në këtë rrugëtim është që Kosova të ketë raporte të mira fqinjësore dhe të mos ketë pretendime territoriale ndaj fqinjëve. Integrimi i Serbisë në këtë organizatë do të ishte shumë i favorshëm për vendin tonë, për shkak se do të binin poshtë pretendimet eventuale të këtij vendi përballë Kosovës”, ka thënë Maloku për Telegrafin.

Ai ka folur për përfitimet të cilat do t’i ketë Kosova, si vëzhgues në Asamblenë e Përgjitshme të NATO-s, duke theksuar se, me prezencën e vetë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Kosova, ndër tjerash, mund të përdorë për lobim, rritjen e njohjeve të shtetit.

Ndërkaq, Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), mendon se ky është një hap shumë i rëndësishëm për fillimin e partneritetit të drejtpërdrejtë në mes të Kosovës dhe NATO-s, i cili deri më tani ka munguar.

Sipas tij, Kosova tashmë është duke hyrë në një fazë tjetër, sa i përket ndërtimit të infrastrukturës së sektorit të sigurisë, duke shtuar se, Analiza e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë (RSSS) tashmë edhe zyrtarisht ka rekomanduar që Kosova sa më parë të filloj me krijimin e sektorit të saj të mbrotjes.

“Kjo pritet të ketë impakt direkt në rolin dhe mandatin e prezencës së NATO-s në Kosovë. Mendoj se tashmë është e domosdoshme që Kosova dhe NATO të eksplorojnë forma tjera të bashkëpunimit, siç është lidhja e marrëdhënieve kontraktuale të drejtpërdrejta. Ka ardhur koha që Kosova tashmë në nivel partneriteti të diskutoj me NATO-n për modalitetet e vazhdimit të prezencës së saj në Kosovë”, ka thënë ai.

Ajo çka vlen të theksohet, sipas tij, “është se marrja e statusit të Vëzhguesit është hap kryesisht simbolik sa i përket ambicieve të Kosovës drejt Anëtarësimit në NATO”.

“Pritjet janë që nga ky raport i ri i krijuar mes NATO-s dhe Kosovës, do t’i mundësoj kësaj të fundit të jetë më afër me politikat e NATO-s. Andaj, ky hap pritet që në radhë të parë t’i mundësoj Kosovës të ketë qasje më të lehtë në programe të ndryshme të NATO-s me karakter teknik”, ka thënë Vrajolli për Telegrafin.

“Shteti ynë do të jetë pjesë e në mekanizmi që trajton tema të sigurisë rajonale dhe botërore”, ka shtuar Maloku.
Ndryshe, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Agim Çeku, e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm vendimin për pranimin e Kosovës, si anëtare vëzhguese në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s. Ai ka thënë se me këtë veprim, Kosova ka hyrë në shtëpinë e organizatës më të fuqishme ushtarake në botë.

Edhe kreu i ekzekutivit të vendit, përmes një postimi në Facebook, e ka cilësuar të mrekullueshëm këtë lajm dhe e quan hap të rëndësishëm drejt integrimit të Kosovës në NATO. /Telegrafi/

Më Shumë

Itali, Angli dhe Arabi Saudite, Raphael Varane ka tre oferta në tavolinë

Epokës së Raphael Varane te Manchester United po i vjen fundi. Pas muajsh spekulimesh, është konfirmuar se mbrojtësi francez do të largohet nga klubi...

Prishja e busollës  

Blerim Shala Asgjë më nuk është si ka qenë më para. Madje, as Evrovizioni. Festivali i këngës evropiane, i cili kësaj here u mbajt në Malme ...

Koha dritëplotë

Lajmet e Fundit