18.2 C
Prizren
E enjte, 24 Prill, 2025
Home Blog Page 8658

Frikë nga dasmat

0

ArmaKosovarët kanë nisur sezonin e dasmave që kryesisht zgjat përgjatë muajve korrik e gusht. Me ardhjen e mërgimtarëve shtohen edhe ahengjet familjare.

Bashkë me vallet, kërcet edhe pushka, plumbat e të cilave, shpesh plagosin edhe dasmorë. Vitin e kaluar Policia e Kosovës ka regjistruar numër të madh konfiskimesh të armëve të përdorura në këto ahengje, pavarësisht fushatave vetëdijesuese. Sipas të dhënave zyrtare, edhe këtë vit situata nuk pritet të jetë më ndryshe,shkruan Tribuna.

Vetëm të dielën, më 30 qershor, në rajonin e Prishtinës janë konfiskuar shtatë armë të llojeve të ndryshme, duke filluar me AK-47 e përfunduar me pistoleta të kalibrave më të vegjël

Bildt viziton sot Kosovën

0

BildtMinistri i Jashtëm suedez, Carl Bildt sot viziton Kosovën, ku pritet të takohet me krerët më të lartë shtetëror.

Vizita e tij ndodh pasi Bashkimi Evropian ka marrë vendim për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën.

Bildt dje ka vizituar Serbinë ku ka thënë se hapja e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian nuk nënkupton se problemet do të zgjidhen vetë, por ky proces hap një varg mundësish të rëndësishme për Serbinë.

Demolli: Ambasadorja nuk u lëndua nga protestuesit

0

Haki DemolliDeputeti i LDK-së Haki Demolli ka rrëfyer në detaje në Interaktiv për hyrjen e tij në Kuvendin e Kosovës derisa jashtë Parlamentit zhvilohej protesta të enjtën. Ai ka qenë dëshmitar i rastit derisa ka hyrë edhe ambasadorja për të cilën thotë se nuk është lënduar nga preotstuesit.

“Me një të shtyrë të lehtë larguan protestuesit, një vajze ishte kapur te shtyllat e hekurta, dhe rezistoi më shumë, por dhe atë e larguan shumë lehtë. U hap një korridor dhe kaloi ambasadorja me shoqëruesit e saj, pastaj unë dhe më pas edhe Vjollca Krasniqi, kaluam. E pashë që kaloi Fatmir Xhelili edhe Shaip Muja”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se e ka parë foton e publikuar të ambasadores amerikane por ka thënë se gjatë hyrjes në Kuvend nuk ka pasur ndonjë fërkim me protestuesit falë ndërhyrjes se Policisë. Sipas tij, as atë nuk e kishte prekur asnjë protestues. E tëra që i kishin bërë ishte pështyerja/

Ku mbeti Fryma?!!

0

KushtrimSheremeti-lb

Letër e hapur Shpend Ahmetit
Nga Kushtrim Sheremeti

 

I ndëruari Shpend,

Si një mik dhe ish-përkrahës yti në kohën kur ke vendosur të hysh në politikë (koha e para-themelimit dhe udhëheqjes së FER-it), kam vendosur të ta shkruaj këtë letër.

Në kohën kur së bashku me miqtë tu tjerë e themelonit FER-in, mbaj mend disa biseda tona të përbashkëta (në Filikaqa, u knaqaaaa , ku diskutonim për nevojën e angazhimit të njerëzve aktivë në proceset të ndryshimeve politike në këtë vend, si dhe për tregimet tua se si ti dhe FER-i gëzoni përkrahjen ndërkombëtare, për dallim prej disa forcave tjera politike që paralelisht themeloheshin asokohe. Mbaj mend shumë mirë edhe përkrahjen time për ty dhe miqtë tjerë si Fisin apo Puhien, dhe aso kohe isha i lumtur, sepse besoja që njerëz aktivë do të mundoheshin të punonin për të mirën e këtij vendi, që nënkuptonte edhe për të mirën time si pjesë aktive e qytetarëve të Kosovës.

Asokohe kur ti ishe me Frymën e Re (FER), në Prishtinë ishte themeluar edhe një koalicion parazgjedhor në mes të Lëvizjes “Vetëvendosje!” dhe Lëvizjes për Bashkim, e quajtur “Iniciativa Qytetare Lëvizja Vetëvendosje!” . Pas zgjedhjeve ata (LB dhe VV) bënë edhe marrëveshje për grup të përbashkët parlamentar (dhe si grup parlamentar me 14 ulëse në parlament nënkuptonte edhe një vend të nënkryetarit të parlamentit, që LVV edhe sot e gëzon këtë privilegj pikërisht falë kësaj marrëveshjeje). Pas një kohe kjo marrëveshje u prish për shkak të mungesës së gatishmërisë së LVV-së për t’i ndarë financat që i takojnë LB-së për deputetët e vet, edhe pse ligji dhe marrëveshja e parashikon një gjë të tillë.

Shpend,

Pas gjithë kësaj situate që e përshkrova më lart, ti së bashku me Fisin e Puhien dhe disa miq tjerë u shkritë në LVV, edhe pse nuk përkonit me politika të njëjta parazgjedhore. Kjo u reflektua edhe në vendimin e bashkëthemeluesve tjerë të FER-it, si Ilir Deda e Qëndrim Gashi, për të mos vepruar njëjtë si ti. Megjithatë, një pjesë e opinionit më optimist menduan se ju do të sillni frymë të re në LVV, edhe për shkak se, siç thoshe edhe ti, ju keni përkrahje të madhe ndërkombëtare, për dallim prej forcave tjera që atë kohë organizoheshin paralelisht me FER-in për të hyrë në zgjedhje! Ndër ato që premtove kur u shkritë në LVV, ishin vlerat e luftës së pakompromis kundër padrejtësive dhe manipulimeve të ndryshme. Përndryshe, pikërisht këto vlera më shtynë mua që të jem sot pjesë e Lëvizjes për Bashkim.

Por sot, rreth 3 vite pas kësaj kohe, dëshiroj të të pyes ty: ku mbetën ato ideale, ku mbetën ato vlera me të cilat hyre në politikë?!! Cili është ndikimi yt në LVV, si nënkryetar që je?!! Si ndodhi që të tjetërsoheni të gjithë dhe të bëheni edhe ju vetëm edhe një organizatë më shumë në skenën politike në Kosovë?!! Me logjikë të bashkimit të forcave për t’i luftuar padrejtësitë ke thënë se jeni bërë pjesë e LVV-së!!! Fatkeqësisht, e gjitha që unë po shoh është vetëm përshtatja e veprimeve manipuluese, sidomos ndaj atyre që LVV mund t’i kishte pranë, e kjo mënyrë nuk është asgjë tjetër veçse “copy-paste”, ose edhe tejkalim për së keqi, i partive të vjetra që janë në pushtet, por edhe ne opozitë, e të cilat ju me shumë “dashuri” i kritikoni edhe sot e kësaj dite! Sot, edhe pas një kohe të gjatë të hyrjes tënde në LVV, prapë vazhdon keqpërdorimi nga ana e LVV-së i parave që i takojnë LB-së, prapë vazhdon manipulimi me deklarata se vetëm LVV e ka kundërshtuar marrëveshjen mes Thaçit e Daçiqit etj. (Po shpresoj se një ditë nuk do të thoni se vetëm LVV ka për qëllim bashkimin kombëtar, edhe pse në programin tuaj politik nuk shkruan askund që ju angazhoheni për bashkim, por vetëm se lini të nënkuptohet se bashkimi është i dëshirueshëm për ju). E në këtë pikë dëshiroj të të pyes: çka ke bërë ti si nënkryetar i LVV-së që këto veprime të mos ndodhin dhe të mos vazhdojnë?!!

Me uzurpimin e mjeteve financiare që LVV me vetëdije po ia bën LB-së (dhjetra mijëra euro në vit, për katër vite me radhë) Lëvizja Vetëvendosje! po tregon se nuk është aspak e ndryshme nga grupet tjera kur vjen puna te përvetësimi i paligjshëm i financave! “Me hajna, me hajna, nuk ka shtet!”, – tingëllon bukur, apo jo?!! Por sa e besueshme është LVV me këtë sllogan, kur ndërkohë që me shumë zhurmë po vazhdoni t’i “proklamoni” këto “vlera”, paralelisht shpërdorohen mjete financiare ende pa ardhur në pushtet…

Nënkryetari tjetër i LVV-së para ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend deklaroi se i keni publikuar numrat e telefonit të deputetëve që kanë votuar PRO Marrëveshjes (e aty i keni përfshirë padrejtësisht deputetët e LB-së, ndërsa nuk i keni përfshirë edhe deputetët e LVV) duke bërë manipulimin e radhës ndaj ish-partnerit (LB), për shkak se siç e di ti dhe të gjithë tjerët në LVV, por edhe opinion publik, deputetët e LB-së kanë votuar KUNDËR marrëveshjes së tillë me Serbinë, për dallim prej deputetëve të LVV-së që nuk kanë votuar fare, as PRO, as KUNDËR! Pra, keni kërkuar nga qytetarët t’i “bindin” edhe deputetët që kanë votuar KUNDËR, ndërsa nuk keni kërkuar që t’i “bindin” edhe ata që nuk kanë votuar fare. Se vetëm LVV-ja e paska kundërshtuar këtë marrëveshje dhe askush tjetër, – ke deklaruar edhe TI, miku im, para disa ditësh në lajmet e VOA, dhe kjo është edhe një prej arsyeve pse kam vendosur të të shkruaj dhe të të pyes: a ke harruar për KUNDËRSHTIMIN e Lëvizjes për Bashkim, nuk e ke përcjellë fare Parlamentin atë natë të vonë, apo qëllimi i kësaj deklarate ishte diku tjetër?!! Madje nuk mjaftuan këto manipulime, por në ditën e ratifikimit të marrëveshjes shumë të dëmshme për Kosovën dhe popullin tonë, LVV përpos të tjerëve nuk e lejoi as deputetin e LB-së të futet në Parlament dhe të mbajë fjalim e të votojë KUNDËR, me arsyetimin se “kush futet në parlament është kundër kombit shqiptar”! Por pas nja dy orësh deputetët e LVV-së vetë u futën në Parlament pa i penguar askush dhe mbajtën fjalime!!!

Shpend,

Lufta kundër korrupsionit dhe padrejtësive tjera që ndodhin në Kosovë duhet të jetë e pakompromis. Gjithashtu, siç e di mirë edhe ti, Lëvizja për Bashkim edhe me Program angazhohet për bashkim kombëtar, ide të cilën edhe VV të paktën deklarativisht e përkrah. Prandaj besoj se kemi shumë pika me të cilat ti dhe unë vazhdojmë të pajtohemi plotësisht edhe sot kur gjendemi në forca të ndryshme politike, të cilat marrëdhëniet i kanë të ngrira pikërisht për arsyet që i përmenda më lart! Prandaj, po të lutem të ndryshoni qasje dhe t’i përshtatni edhe me vepra deklaratat tuaja për luftë kundër padrejtësive dhe keqpërdorimeve. Këtë lutje e bëj jo vetëm si anëtar i kryesisë së LB-së drejtuar nënkryetarit të LVV-së, por si një mik i cili dëshiron të besojë në ato bisedat me ty, por edhe me miqtë tjerë si Fisi apo Puhia, rreth tre vite më herët, në rrethanat që i përmenda në fillim të kësaj letre.

Dhe për fund, dëshiroj të ta bëj edhe një pyetje: Cila është fryma që ti dhe miqtë tjerë e dërguat në LVV? Apo ju kaploi edhe ju ndonjë frymë tjetër?!!

Gjithë të mirat,

Kushtrimi

Marrëveshja për “Telekomin” ende nuk është arritur

0

Telefonat7-01Në Bruksel, ka vazhduar rundi i pestë i bisedimeve për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, ku në agjendë janë çështjet e drejtësisë, sigurisë dhe energjetikës.

Në një njoftimin shtypi të Qeverisë theksohet se më 1 dhe 2 korrik pritet të mbahet një takim bilateral me përfaqësues të BE-së për çështjet e “Telekomit”, ku zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, dhe shefi i ART-së, Ekrem Hoxha, do të zhvillojnë një takim me ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian, Pierre Mirel.

“Marrëveshja për “Telekomin” ende nuk është arritur, por ka pasur përparime në aspekte të caktuara, ku përparimi kryesor, ka qenë pajtimi që Kosova ta marrë kodin shtetëror telefonik nga ITU-ja, pajtim ky i cili është arritur në rundin e bisedimeve, të mbajtur më 17 maj 2013”, thuhet në njoftim.

Jahjaga: Politika zgjeruese e BE-së duhet të vazhdojë

0

Jahjaga-takimi i liderve ne Kroaci1Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga mori pjesë sot në mëngjesin e punës, shtruar nga presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq, me rastin e hyrjes së Kroacisë në Bashkimin Evropian. Në këtë takim ishin të pranishëm të gjithë presidentët e shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti kroat Ivo Josipoviq tha se qëllimi i këtij takimi është që të diskutohen tema në interes të rajonit që të përshpejtohet procesi i integrimit të të gjithë rajonit të Ballkanit dhe të thellohet bashkëpunimi ndërmjet vendeve të rajonit.

Presidenti Josipoviq tha se takimet e nivelit presidencial, që janë nismë e tij dhe e presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, duhet të organizohen edhe në të ardhmen për të ndihmuar dhe lehtësuar rrugën evropiane të vendeve që aspirojnë anëtarësimin.

Në fjalën e saj në mëngjesin e punës të organizuar nga presidenti Josipoviq, presidentja Jahjaga tha se politika zgjeruese e Bashkimit Evropian duhet të vazhdojë, dhe për ne vendet që aspirojmë anëtarësimin, si të vetmen alternativë dhe si synim të përgjithshëm tonin.

“Kjo iniciativë e juaja dhe e presidentit Pahor në planin rajonal do të ndihmojë në realizimin e qëllimeve tona që përfundimisht t’i lëmë pas vetes mospajtimet dhe moskuptimet e të kaluarës, në mënyrë që të shohim përpara dhe të thellojmë bashkëpunimin ndërfqinjësor si kërkesë bazë për anëtarësim.

Në planin shtetëror, iniciativat e këtilla që kanë për qëllim projektet e përbashkëta infrastrukturore, procesin e ndërtimit të mirëkuptimit dhe reformave substanciale, do të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.

Si e tillë, kjo iniciativë e juaja e ka përkrahjen time dhe konsideroj që ajo duhet të zgjerohet edhe në nivele të tjera për të siguruar një bashkëpunim gjithëpërfshirës dhe për të pasur një sukses konkret”, tha Jahjaga.

Duke iu drejtuar presidentëve Josipoviq dhe Pahor, Jahjaga tha se jo para shumë kohe, vendet tuaja kanë kaluar nëpër një tranzicion të ngjashëm me atë nëpër të cilin po kalojnë vendet tona, të konsolidimit të brendshëm dhe forcimit të subjektivitetit të jashtëm.

“Sllovenia dhe Kroacia janë rrëfimet më të suksesshme të rajonit dhe ky sukses nuk do të përfundojë me kaq, sepse politika e zgjerimit te Bashkimit Evropian do të konsiderohet e suksesshme vetëm me integrimin e plotë dhe me anëtarësimin e të gjitha vendeve të rajonit. Juve ju takon që të keni rolin udhëheqës në politikën e evropianizimit të vendeve tona.

Kjo është vlerë shtesë për Bashkimin Evropian dhe është përkushtim i ynë që, krahas punës tonë dhe ndihmës tuaj, ta përshpejtojmë këtë rrugëtim qenësor për integrimin e vendeve tona.

Ky është një moment shpresëdhënës për rajonin dhe Bashkimin Evropian dhe ne do të vazhdojmë të përmbushim synimet tona për integrim evropian dhe që, përmes dialogut të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit me secilin shtet fqinj, të japim kontributin tonë në stabilizimin dhe demokratizimin e rajonit”, përfundoi presidentja Jahjaga./PrizrenPress.com/

Në Prizren, Çeku dhe Imami nënshkruan marrëveshjen SOFA

0

Ceku-Imami-Prizren1Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës(MFSK), Agim Çeku dhe Ministri i Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Arben Imami, në një akt solemn nënshkruan marrëveshjen SOFA. Më rastin e nënshkrimit ishin të pranishëm edhe zëvendësministrat e FSK-së, Shemsi Veseli dhe Bejtush Gashi si dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Sigurisë, gjenerallejtënant Kadri Kastrati dhe shefit të Ushtrisë shqiptare, gjeneral major Xhemal Gjunkshi. Marrëveshja ndërmjet dy vendeve u nënshkrua në kazermën e FSK-së, në Prizren.

Ministri i FSK-së Agim Çeku tha se gjatë këtyre viteve të bashkëpunimit me Ministrinë e mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, kemi realizuar një varg aktivitetesh dhe bashkëpunimi ka qenë jashtëzakonisht i frytshëm. Këtij bashkëpunimi po i shtojmë edhe një dokument që i rregullon marrëdhëniet tona edhe më fuqishëm dhe kjo po bëhet mbi bazën e standardeve të NATO-s.

Ceku-Imami-Prizren7-01Ministri Çeku me këtë rast në emër të Ministrisë për FSK, dhe në emër të FSK-së i dorëzoj ministrit Arben Imami, medalje për “Shërbim të merituar”, në shenjë respekti për punën, kontributin dhe ndihmën e pakursyer në mbështetje të FSK-së.

Ministri i Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Arben Imami me këtë rast tha se bashkëpunimi i frytshëm që ekziston ndërmjet të dy ministrive dhe Forcave, do të vazhdoj edhe më tutje dhe se kjo po fuqizohet edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes Suplementare SOFA, dhe kjo është edhe me e fuqishme sepse po shkojmë drejt rrugës se integrimit në NATO.

Ministri Imami po ashtu, potencoj se kjo është vizita e fundit zyrtare e tij në këtë mandat që po i bëhet Kosovës dhe FSK-së, dhe se ndjehet i lumtur që pikërisht me FSK-në po e përfundon agjendën e tij si ministër sa i përket angazhimeve zyrtare në Kosovë.

Ceku-Imami-Prizren2Marrëveshja SOFA, rregullon procedurat e hyrjes/daljes, qëndrimit të përkohshëm dhe statusin e anëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe anëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në territorin e shtetit përkatës, si dhe përbërësve civil apo personave në varësi.

Ministri i Mbrojtjes të Republikës u prit me nderime të larta shtetërore nga Garda Ceremoniale e FSK-së, si edhe me antonimin e himnit të Republikës së Kosovës dhe atij të Republikës së Shqipërisë. /PrizrenPress.com/

Rompuy: Keni bërë një hap të madh drejt BE-së

0

Rompuy-ThaciPresidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, ka përgëzuar kryeministrin Hashim Thaçi, për punën që ka bërë për arritjen e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Ai ka thënë se tani duhet të sigurohen për zbatimin e saj.

“Tani duhet të sigurohemi se kjo marrëveshje është e zbatueshme”, ka thënë Rompuy, pas takimit me kryeministrin Thaçi, në një konferencë për medie.

Rompuy ka thënë se në këtë mënyrë, se si po ecën Kosova, shtetet e BE-së do të jenë në krahun e popullit të saj. “Në këtë mënyrë si po ecni përpara, duke e lënë të kaluarën dhe shikuar kah e ardhmja, shtetet e Bashkimit Evropian do të jenë në krahun tuaj”, ka thënë ai, shkruan ‘Epoka e re’, duke shtuar se Kosova ka bërë një hap shumë të madh drejt Bashkimit Evropian, duke punuar me zell për të arritur përpara.

“Kosova ka bërë një hap shumë të madh nga e kaluara në drejtim të Bashkimit Evropian. Vendi juaj ka punuar me zell në përmbushjen e kritereve evropiane dhe BE-ja ju përgëzon për këto të arritura”, ka thënë Rompuy.

Rompuy, ka thënë se po ndihet i lumtur që po viziton prapë Kosovën, që prej vizitës së tij të parë në vitin 2008, pas shpalljes së pavarësisë.

“Në vizitën time të parë këtu në Prishtine në nëntor të vitit 2008, kur iu adresova Kuvendit tuaj menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, në atë kohë isha vetëm kryetar i Parlamentit belg dhe tani jam shumë i lumtur që iu vizitoj këtu në një moment shumë të rëndësishëm për vendin tuaj”, ka thënë Rompuy.

Ai ka thënë se MSA-ja është marrëveshje shumë ambicioze, por ka kërkuar më shumë punë në reformat e nevojshme që duhet bërë në këtë drejtim.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se është zotuar se Kosova të gjitha angazhimet që do t’i ketë, do t’i zbatojë. “Në mënyrë që të lëvizim me hapat e tjerë në kapitujt e tjerë të Kosovës drejt të ardhmes evropiane, duke punuar maksimalisht që sa më shpejt të ndodhë edhe liberalizimi i vizave”, është shprehur Thaçi.

Ai ka thënë se vullneti i popullit të Kosovës dhe i vizionit politik është e ardhmja evropiane.

Projektligji për amnistinë – politik

0

KosvaRepublikeProjektligji për amnisti, i cili veç tjerash ka ardhur si rezultat i marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pritet që shumë shpejt të kalojë në shqyrtimin e parë nga legjislativi. Tashmë, për ketë çështje, komisioni për legjislacion ia ka dhenë dritën jeshile.

Me gjithë kundërshtimet dhe kritikat që i kanë pasur anëtaret e komisionit lidhur me përmbajtjen e projektligjit, ata kanë thënë se fillimisht ai duhet të dalë në leximin e parë para legjislativit.

Nënkryetari i komisionit Behar Selimi, i cili ka kryesuar mbledhjen, theksoi se veç tjerash duhet pranuar se ky ligj është edhe politik.

“Ky projektligj është ashtu siç është, dhe përveç atij karakterit human për një numër të qytetareve të përkatësisë kombëtare shqiptare që janë në vuajtje të dënimit, adresohet edhe në ata që u kanë takuar strukturave ilegale të cilët kanë drojë nga shpërbërja prej ndjekjes penale”.

“Në bisedime është marr një obligim dhe ky projektligj i përfshin edhe ata. Ne duhet të themi se ky projektligj ka karakter human, social, por, ka edhe karakter politik”, ka shpjeguar Selimi, dhe ka shtuar se projektligj në kuvend ka ardhur në mënyrë të përshpejtuar si vullnet i liderëve të tri subjekteve më të mëdha politike.

Nga ana tjetër, subjekti politik Vetëvendosje e ka kundërshtuar fuqishëm projektligjin duke thënë se nëpërmjet tij do të instalohet brenda strukturës së legjislacionit të Kosovës një mekanizëm i tmerrshëm i drejtësisë selektive.

Albulena Haxhiu, anëtare e komisionit nga Vetëvendosje tha se amnistia e vërtetë që po kërkohet këtu është për pjesëtarët e MUP-it, dhe e organeve tjera të aparatit represiv të shtetit të Serbisë të instaluara në territorin e Kosovës, të cilat i kanë kryer të gjitha krimet ndaj shtetit dhe ndaj popullatës së Kosovës.

“Po amnistohen serbet ende pa nisur procedura e hetimi, identifikimi i krimit, të kriminelit, dënimi i kriminelit e më pastaj amnistia pas një kohe të vuajtjes së dënimit. Pra, me këtë projektligj po amnistohen krimet që janë kryer ndaj Kosovës dhe rendit kushtetues. Po amnistohen ata të cilët tashmë janë duke u hetuar, e kam fjalën për strukturat ilegale të Serbisë. Tash po kërkohet që për interesat e Daqiçit që ata të amnistohen”, tha Haxhiu, transmeton REL.

Haxhiu tha po ashtu se këtë projektligj po synohet vendosja institucionale e padrejtësisë në Kosovë, e kjo padrejtësi, siç tha ajo, do të jetë në vazhdimësi.

“Po amnistohen ata që tashmë e kanë marrë denimin, jo vetëm kriminelet, por edhe ata të korruptuarit në momentin e shpalljes së dënimit do të kenë të drejtën që të aplikojnë për amnisti. Kur thotë zoti Kuçi që ky ligj ka të bëjë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe jo vetëm për një etni, sigurisht që e ka fjalën për kriminelët e korruptuar”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se mbledhja e caktuar për ditën e hënë ka ra ndesh me rregulloren e punës së Kuvendit, pasi që sipas saj, në nenin 64 paragrafi 4 të Rregullores së Punës, thuhet që anëtarët e komisionit njoftohen jo më vonë se katër ditë pune para se të mbahet mbledhja, e jo ashtu siç ka ndodhur.

Kurse ish-ministri i drejtësisë, tani anëtar i komisionit për legjislacion, Haki Demolli, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e kritikoi projektligjin dhe vlerësoi se me këtë projektligj kryesisht synohet të amnistohen kryesit e komunitetit serb.

“Nga dispozita e këtij projektligji shihet se ky ligj ka për qëllim të amnistojë kryerësit e komunitetit serb të cilët me vite të tëra, kanë rrezikuar dhe cenuar rendin kushtetues të Kosovës, kanë dëmtuar dhe rrezikuar pasurinë e qytetarëve të vendit tonë”.

“Kanë nxitur urrejtje dhe përqarje nacionale fetare dhe etnike, kanë cenuar rendin dhe sigurinë, kanë cenuar dhe rrezikuar ekonominë e vendit dhe kanë kryer vepra të tjera penale si në dëm të individëve, ashtu edhe në dëm të vendit tonë”, tha Demolli dhe shtoi se një gjë e tillë tentohet të kamuflohet me dispozita e nenit tre të projektligjit.

Krijohet shtëpia më e madhe botuese në botë

0

Shtepia botueseSipërmarrjet e medieve Bertelsmann dhe Pearson, kanë vendosur themelimin e shtëpisë më të madhe botuese në botë. Koncerni gjerman i medieve Bertelsmann do të ketë 53 për qind të aksioneve të Penguin Random House, rivali britanik Pearson pjesën tjetër prej 47 për qind, bënë të ditur dy sipërmarrjet pas nënshkrimit të kontratave të furnizimit. Të gjitha lejet nga autoritetet janë siguruar, bënë të ditur sipërmarrjet.

Së bashku Bertelsmann dhe Pearson në të ardhmen duan të investojnë në tregje me rritje të shpejtë si Kina, India apo Brazili dhe në biznese të reja. Bashkimi në të një njëjtën kohë u jep të dy koncerneve të medieve më shumë forcë kundërpërgjigjëse, kundrejt konkurrentëve si Amazon, Apple dhe Google, të cilët me ofertat e tyre në internet, ua kanë vështirësuar jetën tregtuesve tradicionalë të librit. “Së bashku do të investojmë në vëllim shumë më të madh”, tha shefi i Bertelsmann, Thomas Rabe., transmeton DW.

Tri milionë euro xhiro
Shtëpia e re botuese punëson më shumë se 10.000 punonjës dhe ka një xhiro vjetore prej rreth tri milionë eurosh. Shefi i Penguin Random House do të jetë Markus Dohle, i cili që prej 2008 drejton kompaninë bijë të Bertelsmann, Randon House. Selia e Penguin Random House është Nju Jorku. Aty drejtohen së bashku aktivitetet e Random House dhe Penguin në SHBA, Kanada, Britani të Madhe, Australi, Zelandë të Re, Indi dhe Afrikën e Jugut, shpërndarësve të Penguin në Kinë dhe shtëpive botuese të Random House në Spanjë dhe Amerikën Latine. M.q.s. koncerni i ri i librit realizon një pjesë të madhe të biznesit të tij me publikimi në anglisht dhe spanjisht, grupi botues Random House me botime në gjuhë gjermane dhe seli në Mynih, do të mbetet më vete dhe pjesë e grupit Bertelsmann.