11.7 C
Prizren
E shtunë, 2 Maj, 2026
Home Blog Page 8807

Suhareka dhe Bogovina e Maqedonisë nënshkruajnë marrëveshje të bashkëpunimit

0

Sali Asllanaj dhe Hazbi IdriziKryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj dhe ai i Bogovinës së Maqedonisë, Hazbi Idrizi, kanë nënshkruar një marrëveshje të partneritetit.

Kjo marrëveshje ka të bëjë me realizimin e projektit të përbashkët: “Alternativa e turizmit ndërkufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë”.

Sipas kësaj marrëveshjeje këto dy komuna do të angazhohen që në të ardhmën të koordinojnë aktivitetet e përbashkëta në të dy anët e kufirit dhe kembimin e eksperiencave në mes vete. Qëllimi i këtij projekti është zhvillimi i turizmit./PrizrenPress.com/

Prizreni dhe Europa

0

Monika-StafaShkruan: Monika  STAFA

Në Prizren u firmos dokumenti themeltar i bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ky ishte superlajmi i paralajmëruar që në shtator, me vizitat e Ramës për herë të parë si Kryeministër i Shqipërisë. Dosja e historisë mes dy shteteve me të njëjtin komb natyrisht do të njihte çaste të shumta gëzimi pas kësaj.

Që nga Prishtina e vjeshtës së parë, takimi i paralajmëruar do të mbahej jo në nëntor, siç dhe ishte parathënë, por dy muaj më vonë, në janarin e vitit të ri. Mediat skeptike kishin gjithë lirinë e mundshme të mendonin e shkruanin gjithfarë. Kur studioja dosjen e Kosovës në AQSH, mbi demonstratat e vitit 1981, as nuk mund të mendohej se zhurma keqdashëse, shpeshherë edhe e drejtë, e kolegëve të mi do të ish kaq aktive.

E drejtë kauza dhe atëherë, por i padrejtë terri informativ. Asgjë nuk frynte nga veriu në ato vite në Tiranën londineze dhe kurioziteti historik më bënte të ndalesha gjatë në ato letra të daktilografuara, duket hapur me një stërmundim të madh nga udhëheqja e bindur e Enver Hoxhës. Demonstratat e të rinjve në Prishtinën e largët, sollën vëmendje atëherë dhe në Prizren. Djegia e ndërtesës ku u mbajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ishte një shenjë hakmarrjeje politike ndaj të rinjve që kërkonin Liri, Barazi. Por koha është ndryshe tani. Ka kaq shumë fluks informacioni e analizash sa çdonjëri me ndërgjegje qytetare dhe me vokacion publik do të kish dashur të shkruante pakogjë për ngjarjen e fundjavës në Prizren.

Prizreni i 1878-s ishte një demonstrim force nga ana e shqiptarëve për të treguar se këtu në ato troje jetojnë pa e luajtur topi se ka popullsi shqiptare. Askush me mend e pa mend s’do të mund të merrej dot me këtë tezë tani, kur dhe Serbia ish tërhequr në konakun e vet, pa kushtin hijeplotë të Europës bujare. Mbledhja e përbashkët e dy qeverive ishte paralajmëruar me shumë pompozitet se do të ketë veprime konkrete që do të prekin emocionalisht sidomos shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. Morëm vesh se aty u ndanë rreth 100 mijë euro për Luginën e Preshevës, për një maternitet të ri, shumë simbolike natyrisht që po dua ta besoj si të tillë. Në një retrospektivë të vogël, kujtojmë se Kosova tanimë po përjeton fort faktin e thjeshtë, që është bërë jo pjesë, por fqinje e Serbisë.

Më shumë se gjysma e historisë gojore dhe e shkruar e Kosovës është e mbushur me padurimin shekullor për të mos u qeverisur nga Beogradi. Madje “shkjau” atje del se është më armik se armiku. Po ta mendojmë më thellë, pavarësia psikologjike i bën mirë Kosovës, para së gjithash për ta çliruar nga mendësia jugosllaviste, që është ulur këmbëkryq në një pjesë të mënyrës së të menduarit të shqiptarëve atje. Po edhe për ta çliruar nga kompleksi i tradhtisë, dhe i spiunimit.

Çlirimi psikologjik prej “demonit” me emrin “Serbi” dhe prej sundimit të saj, në të vërtetë do të ndikojë në emancipimin e mendësisë shqiptare te shqiptarët e Kosovës. Pikërisht prej këndej fillon të vetëkultivohet ndërgjegjja europiane. Në një farë mënyre, ose në të gjitha mënyrat më saktë, rruga e europeizmit e të dyja palëve nuk ka nga të kalojë pa kapërcimin e problemit të Kosovës, pra, pa një pajtim të sinqertë se as Shqipëria, as Serbia nuk kanë ndonjë të ardhme të hapur drejt Brukselit nëse nuk gjejnë një paqe jo thjesht dypalëshe, por dypalëshe me Kosovën ndërmjet. Ndaj një takim në dukje “simbolik” shprehje e bashkëpunimit normal mes dy qeverive, realisht është një etapë tjetër historike, një hap konkret drejt realizimit të një platforme, e cila është skicuar nga dijetari dhe publicisti shqiptar Arbën Xhaferri në vitin 2007. Dorëshkrimi i kësaj platforme është quajtur “Skicë për mbrothësinë e përbashkët”. Kosova në të vërtetë nuk ishte kërthiza dhe kushti i mbijetesës së Serbisë, por laku që i kishte zënë fytin prej shumë kohësh asaj. Dhjetëra traktate dhe doktrina u hartuan për të serbizuar Kosovën gjuhësisht dhe etnografikisht, mendësisht dhe shpirtërisht, por etnotipi shqiptar mbijetoi atje. Dhe Serbia e kaloi duket paqësisht ëmbël rubiconin e vet.

Sot ajo është vend me status “kandidat” për të qenë anëtar i familjes europiane. A duhet dhe ne ta demonstrojmë këtë gjë? Shansi ynë është tashmë të mësohemi me idenë e së mundurës, ndryshimit të korsisë, të së vërtetës së plotë; asaj që Kosova nuk është kusht jetik për Shqipërinë; e që ajo si e tërë mund t’i takojë vetvetes dhe askujt tjetër. Mjaft më me forcën e patriarkatin e rreptë ndaj saj, lirisë dhe pavarësisë së saj! Mjaft më me zhurmën e imazhit dhe festës folklorike!

Ndaj shenjave dhe simboleve të larë me gjakun e qindra mijëra martirëve. Një epokë e re ka lindur, epoka europeiste me paqen në mes, me përpjekjet e saj ndaj sfilitjeve të popujve të vegjël, që me pragmatizëm gjeopolitik i copëtoi, me kujtimet e luftërave të përgjakshme që ringrihen sa herë tavolinat e vogla ballkanike ende me çallma në kokë, zgjohen kurdo nga Prishtina e Grandit dhe Prizreni i Kararnamesë, ka ngjarje të tilla që më shumë trumbetohen nga forma se përmbajtja. Çfarë solli ky takim i fundjavës në Prizren? Cilat ishin vendimet e tij? A i përmbushi qëllimet ai?

A ishin këta njerëzit e duhur që duhet ta kryenin këtë akt? Si ishte pritshmëria në raport me detyrat dhe kriteret e një qasjeje europeiste? Rruga drejt europeizmit nuk shkon nëpër shtigje të tilla si këto ditë, kjo fundjavë Prizreni u përfol. Duke iu larguar problemeve, duke pohuar se nuk jemi dakord, dhe duke çaktivizuar rrezikun që na vjen nëse duhet të mësohemi me një trend të ri ndërkombëtar, ne nuk bëjmë gjë tjetër veçse ushtrojmë patriarkalitet ndaj saj. Europeizmi mbështetet jo mbi mbarësinë e marrëdhënieve dypalëshe, që dikur quhej fqinjësi e mirë, por mbi shëndoshjen e klimave rajonale mbikufitare. Një gjëje të tillë vizita në Prizren mund t’i shërbente vetëm për dekor/shqip/

Jorgaqi: Shqipja ka nevojë emergjente për një politikë gjuhësore dhe ligj mbi gjuhën

0

Kristina JorgaqiProf. Kristina Jorgaqi, gjuhëtare, pedagoge e lëndës së Sociolinguistikës dhe Planifikimit Gjuhësor në Universitetin e Tiranës; autore, ndër të tjera, e dhjetëra shkrimeve mbi çështje të shqipes standarde si dhe e rubrikave gjuhësore në media sqaron përmes intervistës dhënë për “Gazetën Shqiptare” se ka nevojë emergjente për një politikë gjuhësore dhe ligj mbi gjuhën.

Prof. Jorgaqi, në shtyp botohen herë pas here lajme lidhur me shqipen standarde: që nga propozimet për ndryshimin e drejtshkrimit e deri tek ai për vendosjen e redaktorit gjuhësor pranë çdo ministrie. Ndërkaq, cilësia e “prodhimeve” gjuhësore vazhdon të mbetet e ulët. Cila është, sipas jush, arsyeja që gjendemi në këtë situatë?

Nuk ka nevojë të jesh gjuhëtar për të konstatuar se po bëhen gjithnjë e më të shumtë ata shqiptarë që, edhe pse formalisht a zyrtarisht të arsimuar, nuk i zotërojnë ose i zotërojnë në mënyrë krejt të pamjaftueshme normat e shqipes standarde. Por sigurisht që duhet të jesh gjuhëtar për t’u shprehur me përgjegjësi se fajin për këtë nuk e ka standardi dhe normat e tij “të komplikuara”, por mungesa e përkujdesjes institucionale ndaj tij.

Ekziston vërtet një opinion që ia “vë fajin” standardit që ka shqiptarë, të cilët nuk e zotërojnë atë?!

Po, dhe mbrohet kryesisht nga ata që mëtojnë për ndryshimin e bazës dialektore të shqipes standarde. Ndërkohë edhe shtypi, për fat të keq,po kontribuon pa dashje këto kohë në përhapjen e këtij opinioni. Si, do të pyesni ju. Duke botuar herë pas here lajme se po punohet për ndryshimin dhe thjeshtimin e rregullave të drejtshkrimit të shqipes standarde, që kjo të bëhet më e lehtë për t’u mësuar e përdorur, që shqiptarët ta zotërojnë më mirë.

Ku qëndron “e keqja” kur ne përmbushim kështu të drejtën për informim të çdo qytetari shqiptar lidhur me ndërhyrjet mbi gjuhën e tij zyrtare?

Afërmendsh që çdo qytetar ka të drejtën e informimit, por të informimit të saktë, ama. Të marrësh e të botosh në gazetë informacione e deklarata ashtu siç gjenden ato në uebsite-et e organizmave a të institucioneve që i lëshojnë, nuk do të thotë se e ke bërë punën siç duhet.

A mund të shpreheni më konkretisht?

Do të përmendja, sa për të marrë një shembull, rastin e botimit të herëpashershëm në shtyp të vendimeve që merr një forum shkencor si Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe (2004). Lexuesit e shtypit, të painformuar prej gazetarëve se kanë të bëjnë thjesht me një organizëm shkencor, i cili nuk ka “tagër” për të ndryshuar normat e shqipes standarde, i marrin sugjerimet dhe rekomandimet e tij si vendime taksative për ndryshim, çka i çorienton e i bën ata edhe më konfuzë.

Meqë dolëm në këtë temë, a mund t’u sqarojmë më mirë lexuesve se ç’përfaqëson Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe dhe cili është roli i tij lidhur me standardin?

Këshilli është një strukturë shkencore apo akademike, që u krijua në vitin 2004 si një projekt bashkëpunimi mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës. Ai u ngrit, sikurse thuhet në dokumentin themelues, si një forum shkencor, i përbërë prej gjuhëtarësh, me qëllim që të orientojë “përpjekjet institucionale për mbrojtjen, zhvillimin dhe pasurimin e shqipes standarde…”. Me fjalë të tjera, Këshilli përfaqëson një organizëm, që mund të bëjë vetëm rekomandime, por nuk ka fuqi vendimmarrëse për shqipen standarde.
Puna e një forumi shkencor, megjithatë, s’mund të jetë veçse një kontribut i dobishëm, apo jo?

Pa dyshim i dobishëm, por i pamjaftueshëm, në një kohë kur ne kemi nevojë të ngutshme për të ndërhyrë e për të marrë vendime konkrete, që shqipja standarde t’i realizojë sa më mirë funksionet e saj si mjet komunikimi i një shoqërie moderne, që synon të integrohet më gjerë dhe njëherësh të ruajë e të zhvillojë tiparet e saj identitare.

Po cili është ai institucion që ka sot “tagrin” në Shqipëri për të marrë vendime lidhur me shqipen standarde?

Pikërisht ky është problemi i madh, pasi prej vitesh nuk ekziston më një i tillë. Deri në fillim të viteve 2000 ishte Akademia e Shkencave e Shqipërisë, një institucion i mirëfilltë i kërkimit shkencor, që kishte “de jure” edhe funksione të një organizmi planifikues gjuhësor. Kur them Akademia, kam parasysh Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, që ishte nën varësinë e saj. Ishte pikërisht ky institut, që në bashkëpunim edhe me Universitetin e Tiranës, hartoi në vitet ‘70-‘80 veprat themelore normative të shqipes standarde, si Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe (1973), Fjalori Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe (1976), Fonetika dhe Gramatika e Gjuhës së Sotme Letrare Shqipe, Morfologjia (1976), Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe (1980) etj. Ka vite që Akademia është kthyer në një institucion honorifik, kurse institutet e saj janë vënë në varësi të një organizmi-ombrellë, siç është Qendra e Studimeve Albanologjike. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë sot, me kapacitete njerëzore dhe financiare tejet të reduktuara, nuk i ka në fokus problemet e standardit.

Po si mund të zgjidhej ky “ngërç”?

Duke e institucionalizuar rishtas kujdesin ndaj shqipes standarde, që është trajta përfaqësuese e gjuhës sonë zyrtare. Në këtë situatë që ndodhet standardi sot, pas më shumë se dy dekadash braktisjeje nga ana e institucioneve të shtetit, zgjidhjet afatshkurtra dhe ndërhyrjet e pjesshme nuk janë rezultative. Prandaj, siç thotë fjala e urtë, “Demi duhet kapur për brirësh”.

Çfarë keni parasysh me këtë?

Ndonëse kemi humbur shumë kohë – 20 vjet nuk janë pak, apo jo? -, gjërat duhen bërë me themel e duke respektuar radhën e punëve. Duhet hartuar një strategji për të marrë në dorë punët e gjuhës, ku gjëja e parë është miratimi sa më shpejt nga parlamenti i një dokumenti që shpall politikën gjuhësore afatgjatë të shtetit shqiptar. Asnjë gjuhë standarde nuk mund të funksionojë me efikasitet dhe t’u shërbejë siç duhet përdoruesve të saj, nëse shteti nuk përpunon dhe zbaton një politikë gjuhësore me pikësynime të qarta. Gjëja e dytë është hartimi dhe miratimi i një ligji gjuhësor. Një ligj i tillë, veç tjerash, është edhe një mjet për ta konkretizuar e realizuar një politikë gjuhësore të shpallur tashmë. Gjëja e tretë është ngritja e infrastrukturës së nevojshme për zbatimin e ligjit dhe realizimin e detyrimeve që vijnë prej miratimit të tij.

Cilat duhet të jenë, sipas jush, synimet e politikës gjuhësore të shtetit shqiptar sot?

Shoqëria shqiptare sot ka nevojë për një politikë gjuhësore eksplicite, pra, të qartë e të mirëpërcaktuar, që duhet të mbajë mirë parasysh jo vetëm profilin sociolinguistik të shoqërisë shqiptare, por edhe kontekstet kulturore e politike kombëtare e globale ku kjo shoqëri gjallon. Përparësi e kësaj politike pa dyshim që duhet të jetë shqipja: mbrojtja, ruajtja, zhvillimi, kultivimi dhe përdorimi i saj në të tëra ato sfera të shoqërisë, ku përdoret normalisht çdo gjuhë zyrtare e një shteti. Pjesë e politikës gjuhësore të shtetit shqiptar duhet të jenë, gjithashtu, gjuhët e pakicave, të pranishme tashmë në politikat gjuhësore të të gjitha shteteve evropiane. Me këtë kam parasysh mbrojtjen, përdorimin dhe kultivimin jo vetëm të gjuhëve të pakicave kombëtare dhe etnike, por edhe të pakicave të tjera: të personave që nuk flasin e nuk dëgjojnë, të emigrantëve të huaj (që në një të ardhme jo të largët nuk do të jenë të paktë në Shqipëri) etj. Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, politika gjuhësore e shtetit shqiptar duhet të përfshijë çështjen e njohjes së thelluar të gjuhëve të huaja, e më së pari të anglishtes, tashmë një gjuhë “de facto” e komunikimit ndërkombëtar. Në këtë aspekt politika jonë s’ka pse të jetë e ndryshme prej asaj të vendeve të Bashkimit Evropian.

Ç’nënkuptoni me ruajtje dhe kultivim të shqipes, kur e përcaktoni këtë si një përparësi të politikës gjuhësore shqiptare?

Jetojmë prej më shumë se 20 vjetësh në një shoqëri të hapur, që po jep e merr “pa doganë” me shoqëri e kultura të tjera, kryesisht përmes takimesh gjuhësore. Proceset e globalizimit e në mënyrë të veçantë revolucioni në teknologjitë e informacionit e të komunikimit (TIK), së bashku me kthimin e anglishtes në një “lingua franga” të përbotshme, e kanë vënë shqipen, ashtu dhe shumë gjuhë të tjera të vogla (por jo vetëm), përpara sfidash mjaft të vështira. E keqja e madhe nuk qëndron, ashtu sikurse jemi mësuar rëndom të dëgjojmë, thjesht e vetëm te depërtimi dhe përdorimi abuziv i fjalëve të veçanta prej gjuhësh të tjera. Sot ka një “mësymje” fushash të tëra terminologjike prej anglishtes, ku vendin e parë e zë natyrisht terminologjia e TIK, ajo e financës dhe e ekonomisë etj. Në këto kushte, gjuhët kombëtare, sidomos ato të popujve të vegjël, e kanë nevojë jetike mbrojtjen dhe kujdesin nga ana e shtetit dhe e shoqërisë.

Mund të na thoni diçka më konkrete mbi situatën e terminologjisë së TIK?

Të gjithë jemi dëshmitarë që tregu i TIK është tashmë një treg global dhe anglishtja është gjuha dominuese e produkteve të kësaj teknologjie. Kuptohet që në këtë kontekst edhe shqiptarët kanë akses ndaj mjeteve dhe shërbimeve të TIK pikërisht në gjuhën angleze. Por kjo ndodh sot, kur shkalla e analfabetizmit dixhital të shqiptarëve është e lartë. Në një të ardhme të afërt nuk do të jetë kështu, pasi me gjasë do të dixhitalizohet pjesa më e madhe e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe përdorimi i TIK do të bëhet pjesë e pandarë e të gjithë sistemit tonë arsimor, sikurse ka ndodhur në shoqëritë ku ne kërkojmë të integrohemi. Nëse duam që të jetë shqipja gjuha kryesore e përdoruesve të produkteve dhe shërbimeve të TIK, duhet ideuar e vënë në zbatim sa më shpejt një plan veprimi për të përpunuar e zhvilluar një terminologji të TIK me bazë shqipen (një të ashtuquajtur “Albanian Action Plan”). Pa produkte dhe shërbime të cilësisë së lartë në shqipe, anglishtja do të bëhet gjithnjë e më dominuese në sferën arsimore, publike dhe atë të biznesit, duke i ngushtuar kështu hapësirat e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Republikën e Shqipërisë.

Le të ndalemi pak te ligji për gjuhën, nevojën e hartimit dhe të miratimit të të cilit ju e keni ngritur vazhdimisht në shkrimet tuaja. A ka të drejtë ndonjë kolegu juaj, kur e sheh atë si reminishencë të shtetit totalitar?

Këtë ide, me sa kujtoj, e ka pas shprehur i ndjeri Ardian Klosi. Nuk di arsyet pse e kishte fort për zemër, por di t’ju them me siguri se ligje për gjuhën sot ekzistojnë në pjesën më të madhe të shteteve evropiane. Për çfarë reminishencash totalitare mund të flitet, fjala vjen, në Francë apo në Suedi (sa për të marrë ndonjë shembull)?! Shteti totalitar shqiptar nuk pati kurrë një ligj gjuhësor e madje, as në kushtetutat e kohës nuk gjendet ndonjë nen për gjuhën.

A ka nevojë realisht shoqëria shqiptare për një ligj gjuhësor?

Ja, më thoni ju: nëse nevojën për një ligj gjuhësor e kanë ndjerë shtete me një traditë të hershme e të konsoliduar në punët e gjuhës, si mund të mos e ndjejmë ne? Shqipja, gjuhë e një populli të vogël, me një histori të vonë shkrimi e standardizimi, e gjendur sot në vorbullat e proceseve globalizuese, ka nevojë më shumë se çdo gjuhë tjetër evropiane për mbështetje institucionale. Po të llogarisnim këtu edhe katrahurën gjuhësore të këtyre 20 viteve të fundit, hartimi i një ligji për gjuhën dhe ngritja e infrastrukturës për zbatimin rigoroz të tij përbëjnë një nevojë emergjente për shoqërinë shqiptare.

Në emër të lexuesve, do të donim të dinim se çfarë mund të përmbante një ligj për gjuhën?

Më duhet t’ju them që ne kemi një Kushtetutë, e cila në një nen të sajin, e përcakton shprehimisht shqipen si gjuhë zyrtare të shtetit shqiptar. Pikërisht mbi këtë bazë, një ligj gjuhësor do duhej të garantonte funksionimin e shqipes në të gjitha sferat ku përdoret një gjuhë zyrtare. E nëse një ligj i tillë do të ekzistonte (dhe do të zbatohej, natyrisht), ne nuk do të blinim më mallra e produkte të importuara, shkruar në gjithfarëlloj gjuhësh të botës; nuk do të shihnim rrugëve postera e afishe gjigante reklamash, tabela dyqanesh e tabela rrugore të shkruara në anglisht e italisht. Një ligj gjuhësor do duhej të garantonte, gjithashtu, një përdorim korrekt, të qartë e të kuptueshëm të shqipes publike, por edhe ruajtjen e zhvillimin e saj. Një ligj mbi gjuhën do ta institucionalizonte rolin e redaktorit gjuhësor, do t’i hapte rrugë krijimit të një organizmi institucional që do të merrej me veprimtari planifikuese gjuhësore, do t’u garantonte të drejtat gjuhësore individëve dhe bashkësive të ndryshme, do të caktonte sanksione e penalitete për të gjithë ata që shkelnin ligjin etj.

Dhe një ligj mbi gjuhën do ta ndreqte, sipas jush, “katrahurën” tonë gjuhësore?

Nuk ka vend për iluzione të tilla. Një ligj nuk është një shkop magjik, që me një të prekur do ta ndryshonte sa hap e mbyll sytë situatën. Ama ligji dhe zbatimi i tij do t’i fuste në hulli çështjet e gjuhës, duke na dhënë në dorë mjete dhe mekanizma që do t’i vinin në punë “ingranazhet” e ndryshkura prej më shumë se dy dekadash. Mbi të gjitha, ai do t’i hapte rrugë krijimit të një institucioni të përkujdesjes gjuhësore, përgjegjës edhe për zbatimin dhe kontrollin e legjislacionit gjuhësor.

Çfarë keni parasysh kur flisni për një institucion të tillë?

Kam parasysh ato lloj institucionesh që gjenden në pjesën më të madhe të vendeve evropiane (të njohura me emra të ndryshëm, si këshill, komision, komitet, zyrë, delegacion, direktorat, autoritet, akademi etj.), që merren me veprimtari planifikuese gjuhësore, dmth. me hartimin e politikave gjuhësore si dhe me ndjekjen e zbatimin e tyre.

Këto janë institucione shtetërore apo private?

Këto janë pa përjashtim organizma shtetërorë, por të strukturuar në mënyra të ndryshme në vende të ndryshme. Ka vende ku ato funksionojnë pranë Ministrisë së Kulturës, të tjera pranë Ministrisë së Arsimit dhe/ose të Shkencës, sikurse ka dhe nga ato që janë në varësi të Këshillit të Ministrave ose që nuk janë të varura drejtpërdrejt nga ndonjë institucion. Janë pa përjashtim organizma me kompetenca shkencore e fuqi vendimmarrëse, që funksionojnë zakonisht përmes punës së komisioneve.

A e shihni të mundur krijimin e një organizmi të tillë edhe në Shqipëri?

Të mundur?! Krijimi i një këshilli për çështjet e gjuhës në Shqipëri jo vetëm që është i mundur, por ai është i domosdoshëm, madje një nevojë urgjente. Mjaft të kujtojmë vetëm faktin se shumë shpejt do të bëhemi vend kandidat për në BE dhe jo shumë vonë, vend anëtar i tij. Shqipja do të përballet frontalisht me gati 30 gjuhë të tjera qoftë si gjuhë e shkruar, qoftë si gjuhë e folur. Ndërkohë kapacitetet e saj leksikore dhe terminologjike janë për fat të keq, të ulëta. Të mos keqkuptohemi. E kam fjalën për ato kapacitete, zhvillimi i të cilave në çdo gjuhë të botës ka kërkuar e kërkon ndërhyrjen e gjuhëtarëve dhe të specialistëve të fushave të ndryshme. Thënë ndryshe, kërkon ndërhyrjen e shoqërisë mbi gjuhën apo veprimtarinë e planifikuar gjuhësore.

Dhe për ta mbyllur, a mund ta luante këtë rol Këshilli Ndërakademik i Gjuhës Shqipe?

Jo, pasi ai është thjesht një forum pune. Forume të tilla mund të ngrihen normalisht pranë çdo institucioni kërkimor, si fjala vjen, pranë universiteteve apo qendrave e instituteve kërkimore, siç ndodh edhe në botë. Sidoqoftë, mendimet, sugjerimet dhe rekomandimet e tyre do të ishin kurdoherë një kontribut me vlerë. Zhvillimi dhe promovimi i shqipes si gjuha e vetme zyrtare kombëtare e shtetit tonë kërkon një institucion publik të posaçëm me kompetencë shkencore dhe fuqi vendimmarrëse.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Shpërbërja e TMK-së dhe misioni i FSK-së

0

gjeneral R.R.Zëvendëskomandanti i FSK-së, Gjeneralmajor  Rrahman Rama, ka mbajtur të hënën një ligjëratë para  studentëve të Universitetit”Ukshin Hoti “ në Prizren, me temën: “ Sfidat  e FSK-së në përmbushjen  e kapaciteteve  Operacionale”.

Para studentëve Rama  foli  për të arriturat  e FSK-së, misionin, strukturën,  kapacitetet  ekzistuese  në kuadër të njësive të FSK-së për periudhën pesë vjeçare   të funksionimit të FSK-së( FSK-ja Sot ).

Temë  tjetër  me interes ishte  edhe sfida e kaluar,  shpërbërja e TMK-së, krijimi i FSK-së, arritja e kapaciteteve  fillestare operacionale, përmbushja e kapaciteteve të plota operacionale, sfidat dhe pengesat në këtë proces, shpallja e KPO-ve, dhe rruga tutje  apo  sfidat që e presin  FSK-në në të ardhmen .

Gjithashtu është diskutuar  për rishikimin e Sektorit Strategjik të Sigurisë në Kosovë  dhe roli i FSK-së  në të ardhmen. Studentët  ishin shumë të interesuar të dinë për FSK-në, ku dhe shtruan pyetje të shumta   dhe njëherit u ndanë të kënaqur  me prezantimin që bëri  gjenerali. Ky ligjërim u ndoq nga shumë studentë  dhe profesorë të Universitetit Publik  të Prizrenit “Ukshin Hoti”.

Një muaj paraburgim për pjesëtarin e Policisë së Kosovës në Prizren

0

Gjykata-qekiqiGjykata Themelore në Prizren, ka caktuar një muaj paraburgim për pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Besnik Mazrekut dhe dy të dyshuarëve të tjerë për keqpërdorim të detyrës dhe ryshfet.

“Gjykata Themelore në Prizren, ka marr Aktvednim për caktimin në kohëzgjatje prej një muaj paraburgim për tre të dyshuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrjes së ryshfetit”, tha zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj

Inspektorati Policor i Kosovës “pas një hetimi intensiv”, të shtunën ndërmori një operacion bastisjeje në tri lokacione të ndryshme, në Prizren dhe Suharekë.
Operacioni i bazuar në planin operativ të koduar me emrin “Autoriteti”, ka rezultuar me arrestimin e tre personave me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit, dhënie e ryshfetit dhe ushtrim të ndikimit.
Një nga të dyshuarit e arrestuar është pjesëtar i Policisë së Kosovës, me detyrë në Drejtorinë për hetimin e trafikimit me narkotikë – njësia në Prizren,Besnik Mazreku.

Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren, fillimisht personave të dyshuar iu është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, deri në vazhdimin e procedurave të rregullta gjyqësore. Zyrtari policor tashmë i arrestuar është suspenduar.

“Besnik Mazreku, zyrtar i Policisë  në Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë të Policisë së Kosovës, dyshohet se ka bërë vepër penale, keqpërdorim të  pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 të KP, marrja e ryshfetit nga neni 428 par.2 të KP, ushtrimi i ndikimit nga neni 431 par.1 të KP dhe veprës penale, mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve naga neni 374 par.1 të KP”.

“Naser Koçinaj për shkak të veprës penale ushtrimi i ndikimit nga neni 431 par.2. të KP, dhe dhënia e ryshfetit nga neni 429 par.2.të KP”.

“Liridon Bajraktari, për shkak të veprës penale dhënia e ryshfetit nga neni 429 par.2.të KP, ushtrimi i ndikimit nga neni 431 par.2.të KP”.
Veprimet e tilla, IPK-ja ndërkaq  thotë se i ndërmori duke u bazuar në urdhëresën e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Ky aksion përveç arrestimeve ka rezultuar edhe me konfiskimin e dy armëve të gjata, disa pajisjeve kompjuterike, dokumente të ndryshme etj./PrizrenPress.com/

Begaj formoi qeverinë komunale në Malishevë

0

Begaj me drejtorKryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, sot edhe zyrtarisht ka prezantuar qeverinë komunale, me të cilën do ta udhëheq këtë komunë për katër vitet e ardhshme.

“Ju uroj suksese dhe bashkëpunim të sinqertë të gjithë drejtorëve të emëruar. Kemi marrë besimin e qytetarëve dhe do të jemi të gatshëm të japim përgjegjësi para tyre për premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale”, ka thënë kryetari Begaj, me rastin e emërimit të drejtorëve të rinj.

Drejtorët e drejtorive, të emëruara nga kryetari Begaj, janë: Drejtoria për Arsim dhe Edukim- Blerim Thaçi, Drejtoria për Administratë – Ekrem Kastrati, Drejtoria për Ekonomi dhe Financa – Vesel Krasniqi, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenia Sociale – Hajdin Berisha, Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër – Fadil Shala, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim – Ahmet Morina, Drejtoria për Urbanizëm – Urim Kastrati, Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari – Hajrullah Mazreku, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport – Blertë Krasniqi, Drejtoria e Shërbimeve Publike – Milazim Morina dhe Drejtoria e Inspektoratit – Sejdi Paçarizi.

Krasniqi: “Përparim Thaçi“ peng i parregullësive

0

qemal krasniqii ldkPërfaqësuesit e KF “Lira“ në Prizren, kanë reaguar rreth neglizhencës së punimeve në stadiumin “Përparim Thaçi“.

Nënkryetari Qemajl Krasniqi tha se natëarët e Komisionit të zgjedhur nga Kuvendi Komunal për udhëheqjen e ‘Lirisë‘ disa herë kanë reaguar për neglizhencën e punimeve të këtij stadiumi.

“Kemi reaguar disa herë për neglizhencën dhe për cilësin e punimeve, mirëpo reagimet tona asnjherë nuk janë marrë për bazë, dhe si pasojë rrjedhimisht punimet kanë vajtur sipas dëshirës se njerëzve të caktuar“.

Prokuroria në Prizren ka autorizuar hetuesit e njësisë së krimeve ekonomike të Policisë që të nisin grumbullimin e provave rreth dyshimeve për realizimin e projektit të riparimit të stadiumit të qytetit “Përparim Thaçi”.

Kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, tha se tashmë hetimet rreth këtij rasti kanë filluar. Ai nuk ka dhënë shumë hollësi rreth hetimit të rastit në fjalë,duke u shprehur se “së shpejti në bazë të volumit të hetimeve do të informojë më gjerësisht rreth kësaj çështje”.
Burimet e TV Prizrenit, bëjnë të ditur se dyshohet se në këtë rast bëhet fjalë për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe shkeljes së Ligjit të Prokurimit, pasi që punimet në stadiumin e qytetit “Përparim Thaçi” janë pranuar nga organet kompetente edhe pse ato nuk janë kryer sipas projektit.

Dyshimet kanë të bëjnë me dy projekte konkrete, ku njëra është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe tjetra nga Komuna e Prizrenit.

Sipas zyrtarëve të Drejtorisë Komunale për Rini,Kulturë dhe sport,ministria e kulturës ka investuar rreth 100 mije euro,ndërsa komuna e Prizrenit 194 mije euro.

Ministria ka financuar projektin e rregullimit të rrethojave,ndërsa komuna ka mbështetur projektin për vendosjen e barit artificial dhe të zhveshtorës. Hetuesit tashmë janë autorizuar nga Prokuroria që të grumbullojnë provat në këtë drejtim.

“Në këtë fillimviti ende pa u bërë konstituimi i organeve të Ekzekutivit Komunal në Prizren, kanë filluar hetimet e radhës“, tha Krasniqi.

“Organet e hetuesisë janë duke grumbulluar prova lidhur me ndërtimin e stadiumit të futbollit të KF “Liria“ në Prizren. Ky stadium ka filluar së ndërtuari gati një vit më parë, mirpo punimet nuk janë realizuar sipas paramasës së projektit të paraparë.Aty dyshohet se bari artificial i vendosur në fushë nuk është i cilësisë së duhur ashtu siç ishte cekur në paramasën e këtij projekti“./PrizrenPress.com/

.

KDI: Bojkoti i opozitës në Malishevë, ikje nga përgjegjësia

0

KDI-KS-logoInstituti Demokratik i Kosovës ka reaguar ndaj qëndrimit të opozitës për bojkotim të punimeve të seancës në Kuvendin e Komunës së Malishevës.

Kuvendi i Komunës së Malishevës edhe sot  për të tretën herë dështoj në zgjedhjen e kryesuesit për shkak të bojkotit të opozitës duke shkaktuar mungesë kuorumi për mbarëvajtjen e punimeve të këtij institucion.

Neni 41 i  Ligjit për Vetëqeverisje Lokale thotë se “Kuvendi i komunës e zgjedh kryesuesin e kuvendit të komunës nga radhët e anëtarëve. Kryesuesi i kuvendit të komunës zgjidhet për një mandat të njëjtë sikurse anëtarët e kuvendit, votimi në të gjitha zgjedhjet për kryesues të kuvendit të komunës është me vota të fshehta”.

“Ligji për Vetëqeverisje në asnjë rast nuk specifikon që Kryesuesi i Kuvendit të Komunës duhet të jetë domosdo edhe i subjektit politikë shumicë, andaj kërkesa e grupit parlamentarë se bojkotimi është pjesë e kërkesës për bashkëqeverisje me IQM-n nuk qëndron dhe secili subjekt politik i përfaqësuar në këtë institucion mund të kandidojë anëtarë nga radhët e veta që të jetë pjesë e garës për të kryesuar këtë institucion”, tha përfaqësuesi i KDI-së, Naim Cahanaj.

Kuvendi i Komunës së Malishevës seancën konstituive ka mbajtur 23 dhjetor dhe bazuar në neni 50.2 të Ligjin për Vetëqeverisje Lokale i cili thotë se “Kuvendi i Komunës konsiderohet jo funksionues nëse nuk e zgjedh kryesuesin, tridhjetë (30) ditë pas themelimit”, pra këtij institucioni i ka mbet që deri më 22 janar 2014 të zgjidhë domosdo kryesuesin sipas legjislacionin në fuqi.

“Mungesa e gatishmërisë së opozitës për të qenë pjesë e punimeve të seancës në zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Malishevës mund të qojë deri në shpalljen e Kuvendit jo funksionues nga ana e Qeverisë së Kosovës ku për pasojë do të kemi zgjedhje të reja për Kuvendin e Komunës së Malishevës”.

“Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i bënë thirrje të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Malishevës nga radhët e opozitës që të jetë pjesë e punimit të seancave dhe të mos jetë pjesë e bojkotit të punimeve. Në të kundërtën çdo lëshim apo bojkotim i seancave reflekton në jo seriozitet dhe mungesë të përfaqësimit dinjitozë të interesave të qytetarëve të Komunës së Malishevës”./PrizrenPress.com/

Hodaj: Hashim ndaje më shpejt “kulaçin” e Mujës

0

Haziz HodajLidhja Demokratike e Kosovës në Prizren, ka reaguar për vonesën e krijimit të qeverisë së re “Muja III”.
Haziz Hodaj tha se Muja nuk po mund të formojë qeverinë e re për shkak përçarjeve të brendshme të partisë në pushtet.

“Derisa në shumicën e Komunave janë konstituar organet udhëheqëse të Kuvendeve dhe organet ekzekutive, Komuna e Prizrenit po bënë sehir kinse çdo është në rregull”

“ Si duket problemi rreth ndarjes së pushtetit ende pa u nisur në rrugëtimin e premtuar ka hasur në pengesat e ndarjes së kulaçit . Aty po bëhet një garë kush më tepër po e tërheq këtë kulaç dhe kush po mundet me e zhvatë më shumë nga ai”

“ Kërkojmë nga MAPl, Qeveria e Kosovës dhe nga Kryeministri Hashim Thaçi, që të vijë në Prizren siç vinte për çdo ditë të tetorit dhe nëntorit dhe t’ua tërheq vërejtjen autoriteteve lokale të Prizrenit që të kryejnë obligimet ligjore dhe statutare dhe të zgjedhin organet drejtuese të Komunës, ose Kryeministri ta bëjë vetë si zakonisht qeverinë lokale pasi që ka vendosur njerëz të pa aftë në detyrat përkatëse”.

“Komuna e Prizreni është e zhytur në borxhe , e zhytur në obligime të tjera komunale, e përfolur dhe përballur edhe me drejtësinë ,ka nevojë më tepër se asnjë komunë tjetër të ketë në krye të dikastereve lokal njerëz të përgjegjshëm dhe të përgatitur të përballen me këto dukuri negative”.

“Qytetarët e Prizrenit presin fillimin e realizimit të projekteve të premtuara dhe milionat e Kryeministrit në mënyrë që jeta e tyre të jetë me e mirë dhe më e rehatshme. Fatkeqësisht sinjalet e para janë shumë dëshpëruese në këtë drejtim”./PrizrenPress.com/

Përtej suksesit të mbledhjes së Prizrenit

0

OpinionARDIAN HACKAJ / ENIO CIVICI

Mbledhja e parë e përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është paraprirë dhe po pasohet nga një diskutim mbarë shqiptar mbi nevojën e një bashkëpunimi bilateral më intensiv. Ndërkohë, një debat publik mes ekonomistëve shqiptarë i organizuar gjatë periudhës shtator–nëntor 2013 në forumin shtetiweb.org, ka vënë në pah kompleksitetin e kësaj qasjeje.

Nga opinioni publik merren të mirëqena avantazhet e një bashkimi ekonomik më të thelluar mes dy vendeve. Heqja e barrierave tarifore përmendet si sukses, por pa analizuar impaktin e barrierave ekzistuese jotarifore. Rritja e shkëmbimeve tregtare në vlerë absolute këto 10 vitet e fundit përdoret për të ilustruar komplementaritetin e dy ekonomive, por pa përmendur qëndrueshmërinë e tyre në kohë. Fërkimet me pataten, aflatoksinën, çimenton etj., trajtohen si problemet e momentit e jo si tregues të një situate që do vëmendje ligjore dhe vullnet politik nga të dyja anët e kufirit për t’u trajtuar në mënyrë të suksesshme dhe të qëndrueshme. Intensifikimi i bashkëpunimit konsiderohet, sidomos nga politikanët dhe politologët e dy vendeve, gati si një domosdoshmëri historike me përfitime të garantuara për të gjithë të interesuarit, qofshin ata qytetarët, bizneset, qeveritë, madje dhe partneret në rajone e më gjerë.

Tabloja është pak më e ndërlikuar. Së pari, përpara se të flitet për qasje të re strategjike dhe përpjekjesh mes dy vendeve, mund të shfrytëzohen më mirë mundësitë që na jep konteksti ekzistues rregullativ dhe administrativ. P.sh., CEFTA është një marrëveshje e paaplikuar në tërësinë e saj. Problemet e eksportuesve në kufi vënë në dukje ekzistencën e barrierave jotarifore dhe zbatim të shtrembëruar të rregullave ekzistuese. Shpesh ato pasqyrojnë reminishencat e politikave tregtare të bazuara në interesa të ngushta dhe janë presion i lobeve të ndryshme kombëtare. Probleme të “thjeshta”, si p.sh. kërkesat e sigurisë në lidhje me produktet – rasti i aflatoksinës, ndërhyrja e shtetit me masa administrative dhe kontrolli i çmimeve – patatja; ose vendosja e masave mbrojtëse në importe – çimentoja, e shumë të tjera mund të zgjidhen në kuadrin ligjor ekzistues mes dy vendeve.

Së dyti, heqja e barrierave kufitare mes dy vendeve nuk sjell automatikisht rritjen e shkëmbimeve mes tyre. Për të shkëmbyer duhet të prodhosh. Struktura e produkteve të shkëmbyera reciprokisht mes Shqipërisë dhe Kosovës është e varfër dhe dominohet nga lënda e parë dhe mallrat e papërpunuara. Pa prodhim vendor të qenësishëm, shkëmbimet nuk do të sjellin vlerë të shtuar në ekonominë e dy vendeve dhe si pasojë dhe investimet në strukturën thjeshtësuese të shkëmbimeve tregtare do të kenë rentabilitet të ulët. Në këtë optikë, “Rruga e Kombit” një investim prej 1,6 mld euro për të dyja vendet, ka kontribuar më tepër në diversifikimin e rrugëve të furnizimit sesa në modifikimin e origjinës së mallrave të importuara. Me pak fjalë, Shqipëria ka investuar 1 mld euro për të lehtësuar transitin e mallrave që Kosova importon nga vendet e treta. Ndërkohë, në anën tjetër, ende nuk kemi shfrytëzuar mundësimin e financimit nga Banka Botërore me fondin prej 500 mijë dollarësh në këtë drejtim. Mungesa e prodhimeve shqiptare të krahasueshme me importet kosovare, e ka ulur kontributin e pritshëm të këtij investimi.

Së treti, ekziston një komplementaritet mes dy ekonomive, ku sektori më evident dhe më i përmendur është prodhimi, shpërndarja dhe shkëmbimi i energjisë. Rritja e shkëmbimeve të prodhimeve bujqësore tipike të çdo vendi, bashkëpunimi në zbulimin dhe shfrytëzimin e pasurive minerale në zonat kufitare, afrimi i diasporës shqiptare si mbajtës të know-how teknologjik dhe të fuqisë financiare për projektet e përbashkëta, janë vetëm disa nga fushat ku bashkëpunimi do të rriste eficiensën e politikave nacionale.

Së fundmi, roli i faktorit politik është parësor në këtë proces, por i plotësuar me masat ligjore dhe administrative të duhura, i pajisur me burimet njerëzore dhe financiare të nevojshme dhe i kompletuar me politikat publike përkatëse.

Bashkëpunimi strategjik mes dy qeverive që u nënshkrua në Prizren të shtunën, do të duhet të pasohet nga një bashkërendim i politikave fiskale, unifikim i politikave tregtare dhe përshtatje të ligjit për investimet e huaja mes dy vendeve. Në anën tjetër, mbetet kategorike harmonizimi i prokurimeve publike, ndërtimi i planeve të përbashkëta për zhvillimin ekonomik dhe integrimin duke filluar nga financimi i projekteve ndërkufitare nëpërmjet projekteve IPA të bazuar në strategjinë e shkruar dhe aprovuar “Cross-Border 2014–2020”.

Problemet aktuale në implementimin e marrëveshjes ekzistuese të CEFTA, veçoritë e strukturës prodhuese të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe kosto politike, financiare e administrative e një bashkëpunimi të plotë strategjik, militojnë në favor të një thellimi gradual të bashkëpunimit dypalësh. Në kushtet e sipërcituara, intensifikimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi me politika ekonomike të përbashkëta në sektorë të caktuar, do të ishte më optimal sesa një bashkërendim politik i imponuar nga lart-poshtë. Gjithashtu, kjo e dyta mund të krijojë edhe një ngacmim të panevojshëm të ekuilibrave politikë në rajon, që janë të domosdoshëm për proceset integruese të të dyja vendeve. Marrja e vendimeve politike detyruese përkatëse nga të dyja qeveritë, e shoqëruar me ndërtimin e strukturave mbështetëse, do të krijonte dinamikën e nevojshme për suksesin dhe qëndrueshmërinë e këtij procesi, përtej mbledhjes së parë