12.6 C
Prizren
E premte, 17 Prill, 2026
Home Blog Page 9017

Limaj godet PDK-në edhe në Prizren

0

FatmirLimaj-lirimiFatmir Limaj ka planifikuar ta vizitojë të enjten qytetin e Prizrenit, ku do t’i bëhet një pritje nga bashkëluftëtarët e tij.

Limaj në Qytetin e Vjetër pritet të qartësojë edhe më shumë pozicionin e tij karshi PDK-së.

Të hënën, Limaj ishte në Malishevë dhe i dha përkrahje Inciativës për Malishevën. Në të njëjtën kohë, ish-Nënkryetari i PDK-së tha se i mbështetë antarët e PDK-së edhe nëpër komuna tjera që po dalin kundër Partisë së Hashim Thaçit.

Limaj në Prizren pritet ta ketë përkrahës edhe Zafir Berishën, i cili ka qenë deputet dhe Kryetar i Degës së PDK-së në këtë qytet.

“Nuk jam organizator, por aty do të jem që ta pres z. Limaj si bashkëluftëtar, si qytetar i Prizrenit. Veteranët e luftës janë organizator”, ka thënë Berisha, për Gazetën Express.

“Qëndrojë në valë të përbashkëta me Fatmir Limajn se qeverisja e korruptuar duhet të marrë fund. Për qëndrimin e tij apo ndonjë mbështejte eventuale në qytetin e Prizrenit ndoshta e thotë vet nesër”, ka shtuar ai.

Thaçi takon Obaman

0

Thaci-Obama9-25Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në punimet e sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Barack Obama dhe Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë kësaj pritjeje, kryeministri Thaçi shkurtazi e ka njoftuar presidentin e SHBA-ve, Barack Obama për të arriturat e shtetit të Kosovës gjatë periudhës së paspavarësisë, dhe ka prezantuar vizionin dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur në plotëni agjendën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.

Kryeministri Thaçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të Kosovës ka falënderuar presidentin Obama për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë Kosovës në të gjitha periudhat, duke filluar nga procesi i çlirimit të Kosovës, procesi i pavarësisë dhe tani në procesin e integrimit në BE dhe në NATO.

Nga ana e tij, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama ka vlerësuar lidershipin e Kryeministrit Thaçi në kuadër të procesit të shtetndërtimit të Kosovës, duke theksuar rolin e tij konstruktiv në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë./PrizrenPress.com/

Grenada njeh pavarësinë e Kosovës

0

Grenada-flamuriiGrenada është shteti i 102-të që ka njohur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Vendimi për njohjen e Republikës së Kosovës nga është konfirmuar përmes rrjetit social Twitter, nga ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili po qëndron në vizitë në Nju Jork.

Njohja e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës nga Grenada është rezultat i angazhimit sistematik të ministrit Hoxhaj në procesin lobimit për përmbylljen e njohjeve për Kosovën.

Gjatë lobimit të fuqishëm për njohjen e Kosovës nga shtetet e Amerikës Latine, Hoxhaj ka vizituar disa herë Grenadën, ku është takuar me liderët institucionalë të këtij shteti, prej të cilëve ka marrë premtime për njohjen e shtetit të Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme ka dinamizuar angazhimet e gjithanshme për përmbylljen e procesit të njohjeve si dhe fuqizimit të gjithanshëm të subjektivit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, proces i cili pritet të jap rezultate të mëtutjeshme në vazhdim.

Zotime për të ndriçuar vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it

0

EULEX-pjestartMe intonimin e himnit të Lituanisë, në Aeroportin e Prishtinës, oficerë policie dhe doganierë të misionit evropian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, nderuan kolegun e tyre të rënë në detyrë.

Është ditë zie për ta, derisa po përcjellin për në atdhe Audrius Senavicius, doganierin e vrarë të enjten e kaluar në afërsi të komunës së Zveçanit në veri të vendit. Për të ngushëlluar familjen dhe kolegët e oficerit të vrarë, në aeroport ishte organizuar një ceremoni lamtumirëse, ku ishin të pranishëm edhe krerët më të lartë të shtetit, raporton “Evropa e Lirë”.

Shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt, i tha familjes se asnjë fjalë e tij nuk mund ta zbehë dhimbjen që ata kanë për humbjen e Audriusit.

“Por, për një gjë jam i sigurt dhe këtë mund t’ua premtoj se, nuk do të lëmë gur pa rrotulluar në përpjekjet tona për të sjellë autorin ose autorët para drejtësisë”, deklaroi Borchardt.

“Nuk mundemi dhe nuk do të lejojmë që krimi, dhuna dhe kërcënimet, të na zmbrapsin nga përmbushja e misionit tonë. Besoj se kjo do të ishte dëshira edhe e kolegut tonë të vrarë. Në këtë përpjekje tonë, ne qëndrojmë të bashkuar, Bashkimi Evropian, dhe të gjithë partnerët tanë, qëndrojmë fuqishëm prapa misionit evropian. Të gjitha palët kanë premtuar të gjithë përkrahjen për të gjetur autorët”, shtoi Borchhard.

Senavicius është pjesëtari i parë i EULEX-it, i cili bie në krye të detyrës prej se ky mision është instaluar në Kosovë, pas pavarësisë.

Ai u vra në një pritë, ku u sulmuan dy vetura të EULEX-it, teksa po ktheheshin nga pika kufitare në Jarinje për në jug të Mitrovicës. Në sulmin ku mbeti vrari Senavicius, u lënduan edhe dy kolegë të tjerë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha të mërkurën se vdekja e hershme e doganierit evropian, ishte një akt qyqar, që nuk do të kalojë pa ndëshkuar.

“Ky sulm është sulm mbi vlerat tona të përbashkëta! Nga forcat shkatërruese që duan ta ngufasin përparimin e Kosovës, që duan t’i përmbysin arritjet tona të shumta dhe që kanë për qëllim të mbjellin mosbesimin dhe frikën në zemrat e qytetarëve të Kosovës, që po përpiqen dhe po bëjnë sakrifica të mëdha për të transformuar shtetin tonë në një vend më të mirë”, tha Jahjaga.

Policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës ende nuk kanë arritur të identifikojnë numrin e saktë të personave që kanë shtënë në konvojin e automjeteve të doganierëve, ndërsa sulmin e kanë cilësuar si të planifikuar hollësisht.

Kjo ngjarje është përcjellë me reagime të ashpra nga institucionet e Kosovës, subjektet politike në vend dhe kori diplomatik.

Vëllai i aktores, Vasil Makoçi: Jeta ime mes Shqipërisë dhe Amerikës

0

73387Viti 1991. Atëbotë, prej Shqipërisë së rrëmujshme, por të lirë nga ideologjitë penguese (më në fund), brezi i ri ia dha vrapit. Një ikje për të marrë frymë?! Si fillim, një ikje vetëm për të ikur, nga sytë këmbët, por larg.

Vasil Makoçi, asokohe qe veçse një djalosh. I ri, me një diplomë regjisure në xhep (e motra qe aktore e njohur, Matilda Makoçi), pat filluar punë në Kinostudion “Shqipëria e Re”, plot dy javë më parë. Por, duket se nuk qe koha për të xhiruar filma, qe koha për t’i jetuar ata dhe larg prej Kinostudios…

Me një baule të vogël në dorë (dhe një të madhe e plot ëndrra në kokë), ai ia behu në Greqi. Katër vitet e ardhshme, ai do të frymonte e punonte aty. Mësoi greqishten, lexoi libra, ‘takoi’ autorët “e kuq” që nuk gjendeshin në vendin që la pas, derisa një ditë, vendosi t’ia mësynte Amerikës, më larg nga Shqipëria, e më afër asaj që ai vetë donte.

Familja, mbet në Tiranë. Ai do të kthehej për herë të parë, në vitin 2003. Tashmë, pluralizmi e pat kaluar krizën e vetvetes (1997) dhe rruga e ndryshimit kishte ecur (sado që, pak metra). Tirana kishte parë shumë, në ato 10 vite që ai mungoi. Kishte pasur ndërrime e shndërrime, zhurma e debate…

Prej asaj kohe, ai vjen çdo verë në Shqipëri, më saktë, çdo fundverë. Kësaj radhe, nuk është vetëm familja që e pret, por edhe dy libra. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, ai tregon se libri, mbetet lidhja e tij me artin, me atë art për të cilin u shkollua, atë art, të cilit në fillim, si adoleshent, pat vendosur t’i dedikonte jetën e që më tej, e la në sirtar, bashkë me diplomën.

Ai, mund të jetë edhe modesti i fundit, ose ngjan i tillë në një vend ku të gjithë lëvdohen për gjithçka, në një vend ku parada e lëvdatave, ia kalon edhe vetë paradës së papunësisë. Vasil Makoçi rrëfen jetën, vetveten dhe librin, më poshtë.
Ju sot promovoni dy libra para lexuesit. Cili është zhanri me të cilin prezantoheni?

Njëri është me poezi, “Idealet dhe petalet”, e tjetri është në prozë, “70 mijë dukagjinas”. Libri me poezi është ribotuar, ndërsa ka edhe disa poezi të reja. Tregimet botohen për herë të parë.

Kam nisur të shkruaj që nga viti 1998 e deri vonë, sa herë që kam pasur mundësi. I fundit është shkruar vitin që shkoi dhe titullohet “1985”. Nisur nga ngjarje reale që ndodhin diku dhe duke përdorur atë lloj dhuntie që kam, jam përpjekur ta kthej në një vepër letrare.
Cilat janë ngjarjet që ju ngacmojnë?

Ngjarjet e veçanta. Unë besoj se ajo që i jep vlerë diçkaje të shkruar, duhet të jetë e veçantë. Kadareja ka botuar një libër me tregime me titull “Gjakftohtësia”, që merrej me një incident të ndodhur në Kombinatin Metalurgjik, ku një punonjës shqiptar i kishte shkelur këmbën një kinezi. Ky i fundit qe ankuar dhe kishte çuar radiografitë për të treguar dëmin. Episodi i mësipërm, e kishte ngacmuar Kadarenë e me të ndërtoi një tregim, me të cilin më vonë bëri një roman “Koncert në fund të dimrit”.

Këto tregime, çfarë tematike kanë?
Libri ka tetë tregime, nga të cilat, 4 kanë ngjarje reale të transformuara. Për shembull, tregimi “70 mijë dukagjinas” ka të bëjë me një ndodhi që unë e kam dëgjuar aty ku jetoj, në New York.
Është një tregim tjetër që titullohet “Të dëbuarit”. Një ngjarje që ka ndodhur para shumë vitesh, në kohën e komunizmit, kohë tepër e vështirë për shqiptarët. Është një episod në kufi. Një grup njerëzish, papritmas ndodhen midis dy vendeve, por asnjëri nuk i do. Shqiptarët asokohe, tentonin të arratiseshin, por nuk pranoheshin as andej ku do donin të shkonin, e as këtej nga ku po iknin. Shpesh, njeriu ndihet i dëbuar, nga shumë palë që mendon se i ka të vetat. Gjuha, në këtë tregim, është pak e egër, por është një ngjarje reale, të cilën nuk mund ta zbukuroja. Ka disa tregime që të vërtetën e mbajnë brenda, sepse është e vërteta ime, por ndodh të prekë edhe të vërtetat e të tjerëve. “Prometeu i zgjidhur”, është një prej tyre, që në fakt nuk është krejtësisht realitet mitologjik.
Kam një tregim tjetër, që titullohet “1985”. Është një histori që ma kanë treguar dhe më ka bërë shumë përshtypje. Ngjarja zhvillohet në shesh, ditën kur do të varrosej Enver Hoxha. Ndërsa pionierët qanin e valëvisnin shamitë e tyre të kuqe, kishte të tjerë që i gëzoheshin asaj që kishin pranë…
Të shkruarit, ju mban lidhur me regjisurën, me filmin?
Dëshira për të bërë diçka në atë që u diplomova, më është kthyer në dëshirë për të shkruar. Unë shkruaj materiale të pamshme, dhe duke qenë se kur shoh një film e di se çfarë më mërzit, në materialin që shkruaj, unë i heq pjesët e bezdisshme, ato që mërzisin.
Po poezitë?
Përjetime të një momenti, ngacmime të atypëratyshme. Për shumë kohë, nuk i kam marrë seriozisht. Më vonë fillova të lexoja poezitë e më të famshmëve, për të parë ç’më pëlqen prej tyre, që t’i mbaja për vete. Poezitë janë shumë personale. Ka shumë ndikime nga të tjerët dhe nuk përpiqem ta fsheh këtë; tematika është e imja, stili është i tyre. Ka ndikime nga Agolli, nga Kadareja, nga Bukovski e të tjerë. Nuk e mbaj veten as për poet, as për shkrimtar, e nuk e kam mbajtur as për regjisor. Nuk më pëlqejnë titujt, përkufizimet, të ndrydhin lirinë.
A është të shkruarit pasion për ju?
Është, por ka tema e ngjarje që e bëjnë detyrim. Kam detyrimin t’i hedh në radhë ato që kam në mendje.
Cila është lidhja dhe marrëdhënia juaj me Shqipërinë?
Jam tashmë qytetar amerikan. Jam vazhdimisht me atë që ndodh këtu, informohem përmes internetit. Të gjithë shqiptarët që janë larg, janë në korent me atë që ndodh këtu. Ndryshon me kohën interesimi. Që kur kam marrë Green Card në vitin 2007, përpiqem të vij çdo vit.
Këtë e bëj edhe për prindërit. Ata i kam të dy gjallë dhe sikur rigjenerohen në momentin që më shohin. Natyrisht që përpiqem t’i ndihmoj për aq kohë sa jam. Ata, nuk duan të vijnë në Amerikë, ndihen më mirë këtu. Miqtë që kam këtu i takoj të gjithë. Domethënë, nuk i kam ndërprerë kontaktet me ata që kam këtu.
Ju mungon Tirana?
Kur jam atje e kam mendjen këtu, e kur jam këtu, e kam mendjen atje. Nuk je as andej, as këtej, je në limbo.
Kur ikët nga Shqipëria për të ndërtuar jetën tuaj në Amerikë?
Ika nga Shqipëria në janar të vitit 1991; kam qenë nga të parët. Kisha 15 ditë që isha punësuar në Kinostudio. Në fillim shkova në Greqi. Atje, humba pothuaj gjithë kontaktet me artin. E kisha në mendje, blija e lexoja libra për artin e regjisurën. Zbulova Bukovskin në prozë dhe Danilo Kishin. Atë nisa ta përkthej, bëhet fjalë për “Enciklopedinë e të vdekurve”. Ai më ndihmoi të shkruaj aq sa kam shkruar sot. Nuk kam reshtur së pasuruari veten me art, është një punë e mundimshme por e dashur.
Nga Greqia ika pas katër vitesh në SHBA, studiova për kuzhinë franceze. Puna që kam bërë ka qenë e rëndomtë, por më ka dhënë mundësinë të studioj për regjisor televizioni, për regjisurë teatri dhe më tej bëra master për Shkenca Shoqërore. Dy të parët i nisa dhe i lashë, për shkak të rrethanave dhe për shkak se nuk më jepnin atë çfarë unë doja, të tretin e përfundova.
Në një moment, e kuptova se nuk mund ta kalosh gjithë jetën nëpër shkolla, sepse nuk ke kohë të shkruash mbi ato që tashmë ke përvetësuar. Do doja të kisha 20 jetë, që të shkoja nëpër shkolla!

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

KDI prezanton problemet e qytetarëve

0

NaimCahani-kdiInstituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shpalosur të mërkurën shqetësimet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Prizrenit.Përfaqësuesi i KDI-së, Naim Cahanaj tha se kjo organizatë ka 6 muaj që në mbështetje të Ambasadës Amerikane ka filluar implementimit e Projektit “Përfshirja e komunitetit lokal në vendimmarrje”, ku ka realizuar 12 takime me qytetarët e të gjitha qyteteve të rajonit të Prizrenit. “Qëllimi i këtyre takimeve ka qenë identifikimi i problemeve dhe shqetësimeve që janë preokupimi i qytetarëve që jetojnë në rajonin e Prizrenit”, tha Cahanaj.

Ai tregoi se problemet më të mëdha të qytetarëve janë gjendja e rëndë e shtratit të lumit Drin, dhe procesi i privatizimit dhe efektet e dëmshme të këtij privatizimi. “ Po ashtu shqetësim i qytetarëve është realizimi i të drejtave (për kompensim) të ish punëtorëve të fabrikave të privatizuara. Qasja tejet neglizhuese e institucioneve shtetërore në nivel qendror dhe lokal, ndaj pasojave vdekjeprurëse që po shkaktohen nga pickimi i rriqrave që ndryshe njihen edhe me emrin si “Ethe Hemoragjike Krime Kongo”; tha Cahanaj. Si shqetësim tjetër e qytetarëve është edhe mosdefinimi i kompetencave të kryesive të fshatrave. Kërkesë e udhëheqësve të fshatrave për t’u normuar të drejtat dhe kompetencat e tyre.

“Zbutja e kritereve për subvencione në bujqësi, për bujqit e rajonit të Prizrenit. Kriteret e përcaktuara nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, kanë dëmtuar në masë të madhe sidomos bujqit që kanë hapësira jo të mëdha të tokave bujqësore. Kjo ka diskriminuar bujqit e varfër”.

Obligimi për regjistrimin e për çdo vit të mjeteve motorike bujqësore, ka rënduar bujqit që të vetmin burim ekzistence kanë punën në tokën bujqësore.
Gjendja e rëndë e pyjeve si rezultat i prerjeve ilegale nga persona të papërgjegjshëm si dhe neglizhenca e institucioneve kompetente në mbrojtjen dhe parandalimin e pyjeve.

Mospuna e ndërmarrjeve publike në ofrimin e shërbimeve për qytetarë. Qytetarët e rajonit të Prizrenit shprehin shqetësim mbi kualitetin e ofrimit të shërbimeve nga ana e ndërmarrjeve publike që operojnë në këtë rajon.
Andaj KDI, kërkon nga institucionet kompetente shtetërore që të reflektojnë karshi shqetësimeve dhe problemeve të qytetarëve të rajonit të Prizrenit, me qëllim qytetarët e kësaj pjese të Kosovës ta ndiejnë dorën e shtetit me qëllim të krijimit të kushteve për një jetë më mirë dhe më të dinjitetshme për qytetarët e këtij rajoni.

KDI vlerëson se roli dhe fuqia përfaqësuese e institucioneve shtetërore do të ishte e pakuptimtë, në rast se ato nuk janë në shërbim të qytetarëve dhe për qytetarët- ka përfunduar Cahanaj.

Ky aktivitet është ndërmarrë në kuadër të projektit “Përfshirja e komunitetit lokal në vendimmarrje” projekt ky i mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë./PrizrenPress.com/

 

 

 

Meremetohet shkolla fillore “Bajram Curri” në Krushë të Madhe

0

shkolla fillore ne krush te madhePunimet rreth meremetimit të objektit të shkollës fillore “Bajram Curri ” në Krushë të Madhe po i afrohen fundit. Drejtoresha e DKA-së Mr. Besa Hoxha-Beqiri i ka vlerësuar punimet që janë duke u bërë janë cilësore dhe ka shtuar se objektit po i bëhet një ndërhyrje serioze, duke u ndërruar dritaret, dyert dhe ndërhyrje të tjera në gjithë hapësirën shkollore.
“Ndërrimi i dritareve dhe dyerve, fasadimi i objektit nga jashtë dhe brenda ishte shumë i nevojshëm, pasi që gjendja e shkollës ishte jashtëzakonisht e rëndë. Jemi të kënaqur me investimin, ndërsa presim që ky investim të ketë edhe efektin e vet në përmirësimin e kushteve për nxënësit e kësaj shkolle. Ndonëse punimet do të zgjasin edhe pak, megjithatë është më mirë që rregullimet të bëhen sa më cilësore”, tha ajo.

Edhe drejtori i shkollës Fadil Dellova tha se kemi hasur në gatishmërinë e kryetarit komunës Smajl Latifi që të bëhet edhe rregullimi i terrenit sportiv në mjediset e shkollës. Me këto investime po kryhet një ndërhyrje serioze në tërë hapësirën shkollore dhe urojmë që punimet të përfundojnë sa më parë, pasi që po humben ditë mësimi.

Kryetari i komunës Smajl Latifi, gjatë vizitës që i bëri kësaj shkolle kërkoi që punimet të përshpejtohen, pa e dëmtuar cilësinë. Po ashtu kërkoi që drejtoria e shkollës të gjejë mundësi për shfrytëzimin e hapësirave të shkollës së mesme “Ukshin Hoti”, në mënyrë që humbjet e orëve të mësimit të minimizohen. Krejt angazhimi ynë ka të bëjë me përmirësimin e kushteve të punës dhe të mësimnxënies në shkollat e komunës së Rahovecit, shtoi ndër të tjera kryetari Latifi.

Punimet në shkollën “Bajram Curri ” po i kryen kompania ,,Rafii”, ndërsa pritet që shumë shpejt të përmbyllen me sukses. Meremetimi i shkollës financohet Komisioni Evropian, ndërsa pritet që pas kësaj rreth 950 nxënës të shkollës të mësojnë në kushte dukshëm më të mira. /PrizrenPress.com./

 

Plani për “Jugosllavinë e re”

0

f.0925082818251_mNjë asamble parlamentare e përbashkët, një treg i përbashkët ekonomik, një sistem i edukimit dhe arsimimit, bashkëpunime në shumë fusha tjera, përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është plani i nismës për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, e quajtur West Balkan Six – G6 (Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor), pjesë e së cilës janë: Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Serbia, iniciativë kjo përmes së cilës synohet integrimi i përbashkët në Bashkimin Evropian.
Këtë dokument-strategji, të mbështetur nga komisionari për zgjerim, Stefan Fule, dhe e iniciuar këtë vit nga Mali i Zi, e ka siguruar gazeta “Zëri” në të cilën shpalosen detajet për bashkëpunimet ndërqeveritare mes tyre.

Për këtë nismë madhore, përmes së cilës synohet të përcaktohet perspektiva e ardhshme e Kosovës dhe e shteteve rajonale, do të takohen të enjten (nesër) në New York, ministrat e jashtëm të këtyre gjashtë shteteve në mesin e tyre edhe ministri Enver Hoxhaj, për të vendosur përfundimisht se a do të gjejë mbështetjen definitive.

Plani i kësaj nisme, i përpiluar nga Mali i Zi, por fillimisht i kaluar në duart e komisionarit, Stefan Fule, dhe Goran Svilanovic, sekretar gjeneral i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, (të dy përkrahës të nismës), u është dorëzuar 6 shteteve në muajin prill të këtij viti, ndërkohë që ato kanë pasur një takim në qershor në Budvë të Malit të Zi ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Kosova.

Në transkriptin e këtij takimi të siguruar nga “Zëri”, mësohet se parimisht shtetet e kanë përkrahur si iniciativë.

Nesër takohen në New York

“Zëri” ka mësuar se të ënjtën (nesër), ministrat e jashtëm nga gjashtë këto shtete do tëtakohen në New York.“Përfundimisht do të dihet në këtë takim, nëse do të përkrahet si nismë, ku përfaqësuesit e këtyre 6 shteteve do të votojnë për ta dërguar apo jo përpara këtë strategji”, thonë burime diplomatike të “Zërit”. /Zëri/

Dokumentar kushtuar Artistit të Popullit, Vangjush Furrxhiu

0

Vangjush FurrxhiuNë kuadrin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Apolonia Internacional Student Film Festival”, publiku artdashës fierak ndoqi dokumentarin e regjisorit dhe Artistit të Merituar, Mevlan Shanaj, kushtuar Artistit të Popullit, Vangjush Furrxhiu.

Përreth 50 minuta, nëpërmjet intervistave, kujtimeve dhe opinioneve të shumta, Shanaj e pruri të plotë në dimensione reale figurën e artistit të madh të skenës dhe kinematografisë shqiptare, Vangjush Furrxhiu.

“Paraqitja ime në këtë festival prestigjoz të filmit, me dokumentarin kushtuar një prej emrave të mëdhenj të kinematografisë shqiptare nuk është rastësi, por ka një domethënie të madhe. Fieri nuk është vetëm sofra bujare, simboli i bashkëjetesës së shkëlqyer ndërkomunitare, ku çami, kosovari, labi, mallakastrioti dhe skraparlliu kanë gjetur njëri-tjetrin, por edhe një shkollë e madhe e vlerave kulturore”, tha gjatë përshëndetjes së tij regjisori Shanaj, transmeton BW.

Ai u shpreh i bindur në suksesin, mirëpritjen dhe vlerësimin që do t’i bëhet këtij dokumentari, pasi Fieri di t’i çmojë vlerat, tha Shanaj

Në rolin e kryetarit të jurisë së festivalit, Shanaj vlerësoi organizatorët dhe veçanërisht bashkinë e Fierit, si një ndër njësitë e para vendore, me prioritet zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare. “Më vjen mirë që qytetarët i janë kthyer përsëri magjisë së artit, i cili jo vetëm gjallëron dhe shëndosh botën shpirtërore, por edhe edukon”, tha regjisori Shanaj.

Basha: “Qeveria Muja”, ishte Qeveri e luksit!

0

MunirBasha-PK8-29Kryetari i Partisë Konservatore të Kosovës, Munir Basha ka akuzuar “Qeverin Muja” për dëmtim të buxhetit të Komunës së Prizrenit.
Sipas tij, buxheti komunal është dëmtuar nga qeveria aktual që në fillim kur ka marrë vendim t’i themelojë 12 drejtori komunale.

“Kryetari aktual nuk ka bërë gjë tjetër, pos që ka mundësuar keqpërdorimin e mjeteve dhe taksave te paguara nga qytetarët e Komunës sonë”, tha Basha.

Ai tregoi se gjatë mandatit të tij, “Qeveria Muja”, ka shpenzuar mbi 300 mijë euro vetëm për pagat e 12 drejtorëve.“Natyrisht se në shumën prej 300 mijë eurosh nuk përfshihen edhe shpenzimet tjera luksoze të këtyre drejtorëve, shpenzime këto që janë marramendëse, sikurse janë drekat, darkat, shpenzimet e udhëtimit, derivatet e naftës, shpenzimet e telefonit etj”, tha Basha.

Sipas tij, themelimi i një numri të madh të drejtorive nuk e ka përmirësuar efikasitetin e qeverisjes dhe aspak nuk është në përputhje me kërkesat reale të qytetarëve dhe vetë Komunës së Prizrenit. “Përkundrazi, pos keqpërdorimit enorm të mjeteve, kjo ka shkaktuar edhe rritje të pashembullt të burokracisë në Komunë, ka krijuar tollovi në ndarjen e kompetencave dhe shumë probleme tjera me të cilat për çdo ditë ballafaqohen qyetetarët e Komunës së Prizrenit”, theksoi ai.

Ai premton se Partia Konservatore do të ofrojë një model tjetër të qeverisjes në Prizren.

“Qeverisja nën drejtimin e kandidatit të Partisë Konservatore për kryetar të Komunës së Prizrenit, Beni Kizolli, do të bazohet në ndalimin e plotë të çfarëdolloji të keqpërdorimit të buxhetit të komunës, dhe se do të bazohet në qeverisje pa korrupsion dhe pa burokraci dhe në qeverisje profesionale”, tha Basha.

Ai tha se “Qeveria Kizolli” do të ketë 7 drejtori komunale të cilat do të ngërthejnë të gjitha kompetencat komunale. “Vetëm nga reduktimi i numrit të drejtorive, ‘Qeveria Kizolli’do të kursejë rreth 150 mijë euro nga buxheti i Komunës”, tha ai.

Në “Qeverinë Kizolli”, sipas tij, sektori i Inspektorateve do të jetë nën menaxhimin e drejtpërdrejtë të kryetarit të Komunës. “Ose mund të propozohet që secili sektor i inspektoratit të jetë përgjegjësi e drejtorisë përkatëse-por jo drejtori e veçantë”, tregoi ai.

Sipas tij, modeli i kësaj qeverie Qeverisë do të sigurojë efikasitet, kualitet dhe transparencë në punën e zyrtarëve komunal. “’Qeveria Kizolli’ do të jetë shembull i qeverisjes së mirë dhe të ndershme për të gjitha komunat e Kosovës “, u shpreh ai. /PrizrenPress.com/

Struktura e “Qeverisë Kizolli” do të përbëhet nga:

• Drejtoria e Administratës;
• Drejtoria për Inspektoriat
• Drejtoria për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport;
• Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale;
• Drejtoria për Urbanizëm, Gjeodezi dhe Kadastër;
• Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë;
• Drejtoria për Zhvillim Ekonomik ,Buxhet dhe Financa, Bujqësi dhe Turizëm.