12.6 C
Prizren
E premte, 17 Prill, 2026
Home Blog Page 9018

Zogaj – një fshat shqiptar ndryshe

0

Zogaj-fshatiFshati kufitar Zogaj në afërsi të qytetit të Shkodrës në veri të Shqipërisë është i përmendur për qilimat tradicionalë dhe jetën që rrjedh disi ndryshe nga të tjerët.

Nëse ke të shtruar në shtëpi një qilim të bukur, gratë në Shkodër gjithmonë do të thonë: “Me siguri ky qilim duhet të jetë punuar në Zogaj, te Nebija, sepse puna e tyre dallohet menjëherë”. Megjithëse tendencat për mobilimin e shtëpive janë drejt modernes, kur vjen puna për të shtruar dyshemenë,shumë prej tyre po i kthehen traditës,duke iu larguar tapeteve sintetikë dhe duke i zëvëndësuar ato me qilimat e punuar në mënyrë artizanale. E kështu për të pasur diçka të veçantë në shtëpi shumë gra udhëtojnë përgjatë Liqenit të Shkodërs, për të mbërritur në fshatin turistik të Zogajve,i njohur prej një shekulli për traditën e punimit me mjeshtëri të qilimave. Pasi lë Shirokën, duhet të ecësh 7 km të tjera në një rrugë të ngushtë, ku në njërën anë të shoqëron Mali i Taraboshit, ndërsa në anën tjetër Bregu i Liqenit. Mysafirët sapo shohin tabelën që tregon fundin e udhëtimit pyesin të parin që shohin për Nebijen, që njihet nga të gjithë si “gruaja e qilimave”, e cila pasionin e trashëguar nga të parët e ktheu sërish në traditën e humbur për disa vitesh. Por për të mbërritur atje më parë duhet të ngjitësh 200 shkallët karakteristikeqë banorët prej shumë kohësh i kanë sajuar dhe punuar në shkëmb. Ajo çka të bën përshtypje aty janë makinat me targa nga rrethe të ndryshme të venditqë vijnë dhe bëjnë porosi, pikërisht aty, ndonëse ju duhet të udhëtojnë kilometra të tërë. Ky fakt u bë shkas që të kërkonim e të njiheshim nga afër me gruan që i kishim dëgjuar vetëm emrin.

Nebije Qotaj, një grua e imët rreth të dyzetave, i mirëpret mysafirët me një buzëqeshje karakterstike e pa u mërzitur, bisedon gjatë për modelet, ngjyrat e motivet tradicionale, derisa pamja e qilimit të skicuar bukur në fletore, t’i përshtatet shijeve të të interesuarve. Zanatin e kam marrë nga nëna dhe gjyshja, thotë ajo për DW. “Zogajt kanë qenë gjithmonë me nam për qilimat. Dikur kemi qenë të izoluar dhe endja e qilimave ishte mënyra e vetme për të siguruar jetesën, pasi,siç e shihni, këtu nuk ka fare tokë. Kështu, si mjet pune për të jetuar për gratë ishte tezgjahu, ndërsa për burrat peshkimi. Edhe tani duke mos pasur mundësi të tjera jetese vendosa të rikthej edhe një herë këtë trashëgimi me vlerë, qoftë ekonomike apo kulturore dhe të paktën të punësojë disa gra që nuk kanë të ardhura të tjera për të jetuar e mbajtur familjen.”

Fillimi i vështirë
Për Nebijen fillimi ka qenë mjaft i vështirë, pasi punën e ka filluar me një tezgjah të vjetër në kuzhinën e shtëpisë, ku filloi të punësonte dhe gra të tjera nga fshati.” Këtu të gjitha gratë e moshës sime punojnë shumë mirë se e kanë zanat të trashëguar brez pas brezi, ndaj nuk e pata të vështirë të hap repartin. Me ndihmën e një kredie arrita të blej një shtëpi të vjetër,të modifikoj këtë dhomë rreth 50 metra katrorë duke e kthyer në repart dhe të ndërtoj këto tezgjahe që shihni. Aty punojnë 15 gra,11 nga të cilat janë nga Zogaj dhe katër nga Shiroka. Kërkesat për punësim janë të shumta, por kaq janë mundësitë e mia tani, thotë Nebija me keqardhje pasi e di se edhe për shumë të tjera ky është zanati i vetëm për të siguruar jetesën. Banorët merren me blegtori, ndaj sigurimi i lëndës së parë nuk është i vështirë aty dhe në fshatrat përreth. Pas grumbullimit të leshit të deles, gratë ulen në breg të liqenit për të bërë larjen e tij ashtu si një shekull më parë. Pastaj,vjen rradha e ngjyrosjes ku dominon ngjyra e kuqe dhe e zezë,çka tregon shkëputjen me vështirësi nga tradita e hershme. Më pas në tezgjahe marrin formë qilimat, torbat, rrugicat dhe çantat shumëngjyrëshe.

Klientë vendas e të huaj
“Në fillim kemi punuar vetëm me modelet e vjetra të ndërrmarrjes artistike,më pas, me rritjen e klientelës ato i sillnin vetë modelet,e kështu tashmë kemi shumëllojshmëri disenjosh dhe ngjyrash, thotë Nebija. Cilësia e lartë e punimit dhe çmmimi i leverdisshëm, me sa duket janë arsyet që njerëzit udhëtojnë nga Tirana, Durrësi, Lezha, Kavaja, e më lart, për të pasur një “qilim të Zogajve”.”Jemi të detyruar të punojmë vetëm me prositë që marrim, pasi e kemi të vështirë të mbajmë një dyqan ku të mund të tregtojmë prodhimet tona. Punën më të madhe e kemi në verë kur vijnë refugjatët, sidomos nga Franca, Gjermania e Amerika, të cilët i marrin prodhimet tona më shumë për peshqeshe, pasi jashtë vendit vlerësohet në mënyrën më maksimale puna e dorës”. Ndërkohë që dhënien e kredisë me interes të ulët dhe me afat të gjatë shlyerje nga shteti, kjo grua që ka marrë këtë iniciativë për të drejtuar këtë biznes të vogël,e sheh si të vetmen mundësi për të zgjeruar aktivitetin e saj. Artizanet e njohura shkodrane të fshatit Zogaj janë vizituar edhe nga Profesor Muhamad Yunus, promotor i biznesit në botë, fitues i çmimit ”Nobel” për Paqen në vitin 2006. Duke u njohur nga afër me mënyrën e të punuarit në punishten shumë të njohur në Shqipëri ku janë të punësuara gratë dhe vajzat zaganjore ( banorët e fshatit Zogaj ) të bregut të liqenit, profesori i ekonomisë në SHBA dhe në universitetin e Chittangong në Bangladesh, Yunus theksoi se ” këto biznese përqendrohen në zgjidhjen e problemeve të njerëzve, kështu që prodhuesit e vërtetë duhet të marrin çmimin më të mirë. Ky është një problem global, por ne mendojmë që shëmbulli i Shqipërisë të bëhet edhe një model për vëndet e tjera ”, nënvizoi Prof. Muhamad Yunus.

Fshati që iu rikthye qilimave
Fshati Zogaj ndodhet rreth 15 km larg qytetit të Shkodrës,në pjesën perëndimore të tij dhe është fshati i fundit që kufizohet me Malin e Zi,në brigjet e liqenit të Shkodrës. Deri në vitin 1991 ne këtë fshat nuk lejohej të shkohej pa një leje të posaçme nga Dega e Punëve të Brëndshme e asaj kohe, përveç banorëve të tij. Rreth 100 vite më parë, nga nevoja për të jetuar dhe meqenëse kishin bagëti të shumta, banorët e kësaj zone filluan që të prodhojnë qilima. Ky aktivitet vazhdoi pa ndërprerje deri në vitet ’45, duke marrë emër në të gjithë trevat veriore të vëndit. Por për më shumë se 40 vite, një zanat i tillë u la në harresë.Rreth viteve ’80-të u ripërtëri sërish një zanat i tillë nga ndërmarrja artistike e Shkodrës,duke hapur një repart ku u punësuan rreth 100 gra e vajza të Zogajve, të cilat prodhonin për eksport. Reparti u mbyll në 1991,për të vazhduar më pas me atë që ngriti Nebija. Ky repart pune është i vetmi burim të ardhurash për gratë e vajzat, ndërkohë që burrat merren me peshkim,zanat i trashëguar brez pas brezi në këtë zonë.Nga 300 familje që kanë qenë në Zogaj deri në vitin ’90-të tashmë aty kanë mbetur rreth 60 të tilla, pasi kushtet për të punuar dhe të jetuar aty janë të pakta.

Traditat
Ajo çka e bën të veçantë fshatin Zogaj nuk janë vetëm qilimat, por dhe mënyra se si e kanë organizuar jetesën aty,duke vendosur një rregullore të brëndshme të pashkruar gjëkundi. Burrat punojnë të gjithë së bashku dhe përfitimet ndahen në mënyrë të barabartë. Ata ngrihen të gjithë pa zbardhur dita, marrin rrugën drejt liqenit për të lëshuar rrjetat. E kur pasdreke varkat kthehen në breg, i gjithë peshku i zënë grumbullohet dhe ndahet në pjesë të barabarta mes familjeve, madje u jepet dhe atyre familjeve që nuk kanë meshkuj në shtëpi. Pleqësia vendos rregullat e brëndshme. Kështu, megjithëse shumë familje kanë braktisur fshatin, shumica e tyre nuk i kanë shitur shtëpitë që vazhdojnë të mbeten bosh, pasi zaganjorët duan që fshati të mbetet vetëm i tyre, duke mos u përzierë me të ardhur të tjerë.Këto shtëpi shfrytëzohen gjatë verës për t’i lëshuar me qera, sepse klima e mrekullueshme aty, me vlera të rralla kurative, preferohet shumë nga shkodranët, kryesisht për fëmijët e vegjël dhe të moshuarit.
Këto banorë që i përkasin besimit islam njihen si shumë besimtarë. Ajo çka të bën përshtypje është se me pëlqimin e të gjithëve është vendosur që në lokalin e vetëm që ndodhet në qendër të fshatit, të mos tregtohet asnjë pije alkolike,gjatë gjithë vitit.

Ku janë fotot me Obamën?

0

Thaci7-03Zyra e Kryeministrit Hashim Thaçi kishte paralajmëruar të hënën se kryeministri i Kosovës do të takohej të martën me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, në kuadër të pritjes zyrtare që u bënë Shtëpia e Bardhë udhëheqësve të shteteve të botës. Njoftimi ishte lëshuar më 23 shtator bashkë me paralajmërimin se Kryeministri ka ftesë zyrtare nga Obama.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në kuadër të vizitës së tij në Nju Jork, sot merr pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti Obama dhe zonja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pritja vjetore organizohet nga Presidenti Obama dhe zonja e pare çdo vit, dhe këtë vit organizohet me rastin e sesionit vjetor të 68-tin me radhë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve te Bashkuara”, ishte thënë në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Megjithëkëtë, ky ka mbetur vetëm një njoftim. Askush nga Zyra e Kryeministrit Thaçi s’ka njoftuar për takimin e mbajtur mes Thaçit dhe Obames. As fotot s’janë parë askund, shkruan express.

Presidenti Obama ka marrë edhe mandatin e dytë në krye të Shtëpisë së Bardh, por ende s’është takuar me Kryeministrin e Kosovës.

Thaçi deri më tash ka arritur të takohet vetëm me Zëvendësin e Obamës, Josph Biden dhe ish-Sekretaren Hillary Clinton.

Ndërkohë, mediat në Serbi kanë raportuar se Presidenti serb, Tomislav Nikolic ka takuar Presidentin amerikan Barack Obama dhe kanë folur për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.

Sipas agjencisë Tanjug, Obama i ka dhënë përkrahje politikës aktuale të Beogradit.

Obama ka pritur liderët e vendeve të ndryshme të botës, të cilët po marrin pjesë në Sesionin e 68 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së.

Pavarësisht kësaj, delegacioni i Kosovës gjatë ditës së martë është takuar me ish-Presidentin amerikan Bill Clinton.

Kryeministri Thaçi, Ministri i Jashtëm Hoxhaj dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kanë dal në foto me Clitnonin dhe kanë marrë pjesë në Konferencën “Clinton Global Initiative”.

Kushtet gjermano-britanike për Serbinë

0

merkel per serbinSerbia pritet që ta marrë në dhjetor statusin e kandidatit për anëtarësim, por mund të presë gjatë para portës së BE-së nëse nuk i rregullon marrëdhëniet me Kosovën.

Tribuna ka arritur që ta sigurojë draftin e bazës mbi të cilën do të mund të hapej dialogu për anëtarësimin e Serbisë në BE, pasi që kjo ta ketë marrë statusin e kandidatit. Në strukturën e negociatave janë çuar edhe më përpara kushtet e Gjermanisë për Serbinë, derisa të njëjtat kushte, sipas burimeve të gazetës, pritet të ritheksohen pas fitores së re të kancelares Merkel në shtetin lider ekonomik të BE-së.

Në bazë të të njëjtave burime, në këtë strukturë janë të përfshira edhe kushtet e një lideri tjetër të BE-së që ka kontribuar në pavarësimin e Kosovës e që është Britania e Madhe.

Në një nga kushtet e shumta, Serbisë do t`i kërkohet që problemet kufitare t`i zgjidhë në bazë të kapitullit të OKB-së por edhe në bazë të vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë…

Hyseni: Vështirë t’i kthehet uniteti PDK-së

0

Hydajet HyseniZhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), kanë shkaktuar tronditje në partinë që qeverisë vendin, veçanërisht pas deklarimeve të djeshme të nënkryetarit aktual të kësaj partie, Fatmir Limaj, i cili në vendlindjen e tij në Malishevë ka ftuar bashkëvendasit e tij që ta votojnë kandidatin e Iniciativës Qytetare e jo atë të PDK-së.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Hydajet Hyseni në një prononcim për Telegrafin ka shprehur dyshimin e tij se PDK-së mund t’i rikthehet uniteti.

Ai sa i përket veprimeve të fundit të deputetit Fatmir Limajt dhe kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe ndarjes së PDK-së ka theksuar se “katundi që shihet digjet, nuk don kallauz”, duke lënë të kuptohet se tashmë gjërat në partinë më të madhe në vend janë të qarta.

Ndërsa, deputeti tjetër i PDK-së, Nait Hasani, emri i të cilit është përmendur se do t’i bashkohet iniciativës së Krasniqit dhe Limajt, nuk ka dashur që të prononcohet rreth këtyre zhvillimeve.

“Nuk kam dëshirë që t’i komentoj këto zhvillime”, ka thënë shkurt Hasani.

Limaj të enjten vjen në Prizren

0

FatmirLimaj-lirimiDeputeti i Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj, do të takohet edhe me qytetarët e Prizrenit. Ai në Prizren do të vijë me ftesë të bashkëluftëtarëve të tij.

Burimet e sigurta të “PrizrenPress-it”, bëjnë të ditur se Limaj i është përgjigjur pozitivisht ftesës së bashkëluftëtarëve të tij, që të vijë edhe në Prizren.

Takimi me qytetarë do të mbahet të enjten në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në ora 12:00.

“Limaj është ftuar nga bashkëluftëtarët që të vijë dhe të takohet me qytetarët e Prizrenit. Ai i është përgjigjur pozitivisht ftesës së shokëve të luftës, prandaj të enjten do të takohet me qytetarët në Shtëpinë e Kulturës”, tregon burimi i “PrizrenPress-it”.

Limaj në Prizren, do të vijë për herë të parë pas lirimit të dytë nga të gjitha akuzat për krime të luftës.

Burimet e “PrizrenPress-it” bëjnë të ditur se bashkëluftëtarët janë duke i bërë të gjitha përgatitjet që Limaj të pritet në mënyrë sa më madhështore./PrizrenPress.com/

Salustro paralajmëron ankesë ndaj lirimit të Limajt

0

SalustroProkurori i EULEX-it, Mauricio Salustro, nuk pajtohet me vendimin e Gjykatës për lirimin nga aktakuza e Fatmir Limajt dhe 9 bashkëluftëtarëve të tij. Ai ka vendosur që të shfrytëzojë të drejtën e tij për tu ankuar.

“Edhe pse më 17 shtator gjykata ka dhënë arsyet e pamohueshme juridikisht dhe në bazë të drejtësisë kristal të pastra, për lirimin e Fatmir Limajt dhe të tjerëve, prokurori Salustro vazhdon me të veten”, avokati Tomë Gashi

Limaj dhe të tjerët, u liruan nga akuza për krime lufte edhe në procesin gjyqësor të nisur në maj të vitit 2012.

Takohen me ish-presidentin Clinton

0

Thaci-Rama-Hoxhaj-ClintonKryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ai i Shqipërisë Edi Rama dhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj kanë zhvilluar një takim në Nju Jork me mikun e Kosovës ish-presidentin Bill Clinton.

Ministri Hoxhaj në rrjetin social “Facebook” ka postuar një foto të përbashkët me ish-presidentin Clinton. “Sot së bashku me kryeministrat Thaçi dhe Rama takuam mikun tonë të përjetshëm presidentin Clinton, i cili vazhdon të mbështesë Kosovën në procesin e shtetndërtimit dhe integrimeve euro-atlantike”, ka shkruar Hoxhaj.

Kryeministri Hashim Thaci, sot në mëngjes ka marrë pjesë në hapjen zyrtare të sesionit vjetor plenar të Iniciativës Globale Klinton, që mbahet në Nju Jork. “Në margjina të kësaj ngjarje shumë të rëndësishme, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është takuar me presidentin Clinton, me të cilin ka diskutuar progresin e deritanishëm të shtetit të Kosovës dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova ne rrugën e saj për ta zënë vendin e merituar në mesin e shteteve demokratike të botës”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.

Thaçi në kuadër të kësaj konference është takuar me liderë të shteteve të ndryshme të botës.

Krasniqi premtoi zgjidhjen e problemeve për banorët e Mirushës

0

Mirushe 1Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje! për kryetar të Malishevës, Alban Krasniqi, ka vizituar fshatin Mirushë.

Banorët e fshtit Mirushë janë ankuar tek Krasniqi se liqeni artificial i ndërtuar në lumin Mirusha po u shkakton një mori problemesh siç janë vërshimet gjatë stinëve të vjeshtës dhe dimrit, problemet me shpronësim dhe kompensim, shkatërrimi i Mullirit të vjetër.Ata u ankuan se janë injoruar dhe nuk është mbajtur asnjë dëgjim publik për planin rregullues dhe parkun tek liqeni i Mirushës,

Kandidati Krasniqi premtoi se pari do t’i rishikojë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shpronësimet dhe kompensimet.”Pastaj duhet të ndalohet derdhja e ujërave të zeza në lumin Mirusha për të vazhduar më pastaj në krijimin e kësaj zone si vend ku mund të zhvillohet eko turizmi dhe turizmi rural që nënkupton edhe rindërtimin e Mullirit të Vjetër si simbol i fshatit”, tha Krasniqi.

Sipas tij, të gjitha këto do të bëhen në bashkëpunim dhe pjesëmarrje të qytetarëve të këtij fshati. “Në këtë takim u diskutua edhe për problemet tjera që ka fshati Mirushë dhe mënyrën e zgjidhjes së tyre, duke përfshirë rrugët dytësore, mos përfshirjen e tërë fshatit në rrjetin e kanalizimit, mungesa e subvencioneve për bujqësi, rregullimi i oborrit të shkollës dhe terreneve sportive”, tha Krasniqi. Në këtë vizitë morën pjesë kandidatët për Asamblenë Komunale Pleurat Thaçi, Safet Mazreku dhe Armend Krasniqi./PrizrenPress.com/

 

Rexhaj: E përhershme duhet të jetë mbështetja e personave më nevoja të veçanta

0

Rexhaj-hendikosLëvizja Vetëvendosje! në Prizren zhvilloi një vizitë në shoqatën e personave më nevoja të veçanta “Handikos” në Prizren. Menaxheri i Handikosit në Prizren, Shaip Kryeziu, njoftoi për problemet me të cilat ballafaqohen ata si shoqatë, në veçanti për mungesën e mbështetjes institucionale.

Pavarësisht faktit se anëtarësia e kësaj shoqate kap shifrën e 1300 personave, “Handikosi” në Prizren aktivitetin e vetë vazhdon ta siguroj me donacione të ndryshme jashtë mbështetjes institucionale.

Duke falënderuar Kryeziun për angazhimin e tij dhe veprimtarinë humane të “Handikosit”, Arbër Rexhaj, foli për domosdoshmërinë e mbështetjes institucionale për këto kategori, mbështetje e cila duhet të jetë e përhershme në mënyrë që të siguroj kushte solide për zhvillimin e aktiviteteve të nevojshme.

“Me udhëheqjen e VV-së këto kategori do të kenë mundësi shumë më të mira për një jetë dinjitoze”, tha kandidati për kryetar të Prizrenit, Rexhaj./PrizrenPress.com/

Kabashi vizitoi “Ekoregjionin” dhe QPS-në në Prizren

0

LulzimKabashi-ekoregjinoniLulzim Kabashi, kandidati për kryetar të Prizrenit i koalicionit AAK-LDD, ka vizituar sot kompaninë regjionale të mbeturinave “Ekoregjioni”, me ç’rast është pritur nga drejtori i kësaj kompanie publike Nehat Basha, që e njoftoi me sfidat me të cilat po ballafaqohet kompania.

Kabashi premtoi se në të ardhmen, do të ketë koordinim më të ngushtë mes këtij institucioni dhe kuvendit të komunës për evitimin e problemeve të përgjithshme, me të cilat po ballafaqohet ky institucion.

Në vazhdën e takimeve me institucionet shoqërore, Lulzim Kabashi, me bashkëpunëtorët e tij, është takuar sot edhe me zyrtarë të Qendrës Për Punë Sociale në Prizren.

Nuhi Koçinaj, drejtor i QPS në Prizren, e njoftoi Kabashin, me shërbimet të cilat i ofron Qendra Sociale, në mbrojtjen e kategorive të ndryshme duke përfshirë këtu, fëmijët, personat e rritur dhe ata të moshuar.

Ndërkaq, Kabashi u premtoi bashkëpunim më të ngushtë, në koordinimin mes KK dhe QPS por edhe organeve tjera me qëllim të evitimit të të gjitha problemeve evidente, për të mirë të qytetarëve prizrenas./PrizrenPress.com/