14.7 C
Prizren
E diel, 12 Prill, 2026
Home Blog Page 9070

“EC Ma Ndryshe”: Komuna e Prizrenit ndanë 40 mijë euro për nxënësit që udhëtojnë

0

Ec Ma Ndryshe Elmendina Baxhaku“EC Ma Ndryshe” në kuadër të projektit “Transparenca online e Komunës së Prizrenit” gjatë kësaj jave ka marrë pjesë në mbledhjen e radhës të kryetarit të komunës, Ramadan Muja me drejtorët komunal, ku janë miratuar disa konkluzione.

“Ekzekutivi lokal me kërkesën e Drejtorisë së Arsimit ka nxjerrë konkluzionin për lejimin e shpalljes së tenderit për mbulimin e udhëtimit të nxënësve udhëtarë. Me këtë vendim DKA synon të mbulojë udhëtimin e 25 nxënësve nga SHFMU “Meto Bajraktari” në Reçanë dhe nga fshati Llokvicë gjerë në shkollë dhe anasjelltas, sikurse 7 nxënësve nga Gornje Sello dhe 2 nga fshati Mushnikovë. Po ashtu nga fshati Gorozhupë për në SHFMU “Vëllezërit Frashëri”në Planejë do të përfitojnë gjithsejtë 36 nxënës derisa 26 nxënës do të udhëtojnë nga fshati Tupec dhe Landovicë për në SHFMU “ Zenun Çoçaj” në Gjonaj. Parallogaria e projektit kap shumën prej 40 mijë eurove”, tha Elmedina Baxhaku, monitoruese e OJQ-së “EC Ma Ndryshe”.

Ekzekutivi lokal ka miratuar edhe kërkesat e Drejtorisë për Shërbime Publike për shpalljen e disa tenderëve. Projekti me vlerën më të madhe është ai i “Rivitalizimit të Sheshit të Lidhjes së Prizrenit”, e cila shtrihet në zonën historike të qytetit dhe do të realizohet në bashkëpunim me UN-Habitat-in si dhe një pjesë të financimit do ta mbulojë edhe MMPH-ja me ndërtimin e murit përgjatë sheshit. Vlera totale e këtij projekti është 644 mijë e 104 euro.

“Është lejuar shpallja e tenderëve për ndërtimin e kanalizimit dhe shtruarjen me elemente betoni të rrugës “Skender Rexhepi” me participim, pastaj ndërtimi i rrugës në lagjen Boqaj, fshati Grazhdanik, ndërtimin e kanalizimit në rrugën “Beteja e Pashtrikut”, ndërtimin e rrugës “Besim Shala 1” në Prizren, rruga lokale në fshatin Muradem si dhe ndërtimi i rrugëve me elemente betoni në lagjen e UÇK-së me participim”, tha Bazhaku.

Me kërkesën e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport është bërë lejimi i mjeteve për organizimin e manifestimit “Ditët e Mërgatës” që do të mbahet me 15 gusht dhe manifestimit “Epopeja e Vërrinit” me 1 dhe 2 shtator. Drejtorisë në fjalë i është aprovuar edhe kërkesa për lejimin e shpalljes së tenderit për ndërtimin e Bibliotekës Regjionale në Prizren.

“Drejtorisë për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik, i është lejuar shpallja e tenderit për organizimin e panaireve. Po ashtu është marrë konkluzioni në lidhje me ndërtimin e objekteve çlodhëse, rekreativo-sportive, në shtëpinë e Bjeshkatarëve afër fshatit Struzhë”, deklaroi Baxhaku.

Sipas saj, Drejtorisë së Administratës i është dhënë drita e gjelbërt për lejimin e shpalljes së tenderit për furnizim me material shpenzues-tonera për nevojat e Komunës, në vlerë prej 40 mijë eurove.

Me kërkesën ë Drejtorisë së Shëndetësisë është nxjerrë konkluzioni për shpalljen e tenderit për lyerjen e brendshme dhe të jashtme të Objekteve Shëndetësore dhe vendimi për mbështetjen materiale të disa pacientëve me sëmundje të rënda./PrizrenPress.com/

Mundësi për shtyrjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë?!

0

Zgjedhje-kosove-logoQarqet diplomatike mohojnë kategorikisht, ndërkohë që politikanët serbë në Kosovë, nuk e përjashtojnë mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, shkruajnë sot mediat serbe.

Sipas gazetës serbe “Danas”, është vështirë të thuhet se deklarata e djeshme e kryetares së KQZ të Kosovës, Valdete Dakës se “deri më tash nuk është biseduar rreth dizajnit të fletëvotimeve për zgjedhjet e pritshme lokale” do të vendos pikë në agoninë mediale, të cilën në këtë çështje ka ditë që ajo vet dhe disa zyrtarë serbë po e forcojnë.

Sipas planit operativ, afati për hapjen e tenderit për prodhimin e fletëvotimeve skadon më 24 gusht, ndërsa dizajni i tyre do të duhej të miratohej deri më 25 shtator.

Ndërsa, Daka, sipas “Danas”, thotë se në pajtim me marrëveshjen e Brukselit, zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, në tërë territorin e Kosovës, do të zhvillohen sipas ligjeve të shtetit të Kosovës, ndërkohë që Beogradi zyrtar insiston në statusin neutral të fletëvotimeve dhe të OSBE-së. Gazeta serbe shkruan se në selinë e BE-së nuk ia doli që të marrë qëndrimin zyrtar të Brukselit rreth këtij kontesti dhe përgjigjen se a ekziston së paku mundësia teorike për shtyrjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë për muajin prill 2014, datë kjo e paralajmëruar më herët nga disa qarqe ndërkombëtare, transmeton Koha.

Burime mirë të informuara nga Brukseli, sipas gazetës serbe, konsiderojnë se nuk ka shans që zgjedhjet lokale të shtyhen, sepse me kërkesë të Beogradit tashmë janë shtyrë një herë nga 9 tetori në 3 nëntor. Burime të njëjta thonë se nuk do të tolerohet as arsyetimi eventual i palës serbe, nëse votimet nuk mbahen në tërë veriun e Kosovës.

Gazeta “Danas’ thotë se jozyrtarisht i është thënë se materialet zgjedhore kanë qenë temë e bisedimeve në Bruksel qysh para se kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga, të kumtojë se zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 3 nëntor , ndërsa çështja e fletëvotimeve do të duhej të sqarohej brenda 10 ditëve pasuese.

Avokati i Mujës: Ka pasur lëshime procedurale, por aktakuza është e pa bazë

0

Ramadan Muja

(E plotësuar) Ruzhdi Berisha, avokat mbrojtës i kryetarit Ramadan Muja, ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e prokurorisë se klienti i tij, të ketë kryer vepër penale.

Sipas tij, në ekzekutimin e vendimeve të Mujës,mund të ketë pasur leshime procuderale, por ato lëshime nuk janë bërë për përfitime personale.

“Të gjithë vendimet që nënshkruan kryetari përgatiten nga zyra ligjore”, tha Berisha. Sipas tij, nuk ka asnjë provë se Muja ka bërë vepër penale me vendimet e tij.

Avokatja tjetër e Mujës, Bahrie Besimi tha se ky proces është politik që është bërë nga ata që dëshirojnë të vijnë në pushtet.

…………………..

Kryetari Ramadan Muja ka deklaruar para trupit gjykues se është i pafajshëm. “Jam i pafajshëm”, tha Muja. Ai ka thënë se e kupton akuzën.

Të pafajshëm janë deklaruar edhe drejtorët e tij.

…………………..

Muja paraqitet në gjykatë duke qeshur. Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja bashkë me drejtorët e tij, sapo është ulur në bankën e të akuzuarit në Gjykatën Themelore në Prizren.

Muja për dallim nga herave tjera ka hyrë në gjykatë duke qeshur.

Ai para se të ulet në bankën e të akuzurëve është përshëndetur veç e veç me secilin avokat të të akuzuarve

………………

Në  Gjykatën Themelore në Prizren, sot fillon procesi gjyqësor ndaj kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, dhe drejtorëve të tij. Muja së bashku me drejtorët do të të paraqitet para trupit gjykues në ora 10:00.

Ruzhdi Berisha, avokat mbrojtës i Mujës ka bër të ditur se gjykimi do të mbahet për tri ditë rresht.“Procesi gjyqësor do të fillojë me 13 gusht dhe dhe do të vazhdojë me 14 dhe 15 gusht”, ka thënë Berisha. Ai tha se Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar kërkesën për hedhjen poshtë të vendimit të Themelores në Prizren për konfirmimin e aktakuzës ndaj kryetarit të Prizrenit Ramadan Muja dhe pesë zyrtarë të tjerë të dyshuar për korrupsion. Vendimi iu është dorëzuar në formë të shkruar palëve në proces.

Kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, i rëndon një aktakuzë 21 faqesh, me të cilën ai dhe Sadik Paçarizi – drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Ademaj – ish-u.d. së drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrës, Kadri Ukimeri – ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, Abdullah Tejeci – drejtor aktual i Gjeodezisë dhe Kadastrës dhe Minir Krasniqi – drejtor i Administratës, akuzohen për shpërdorim të pozitës zyrtare në dhënien e disa pronave shoqërore në shfrytëzim për disa kompani, me qëllim të përfitimit personal.Gjyqtari i procedurës paraprake, Vladimir Nikula, kohë më parë ka aprovuar kërkesën e Prokurores që po udhëheq ndjekjen penale, Natasha Vikeri për konfiskimin e dokumenteve të udhëtimit të të pandehurve./PrizrenPress.com/

Hasani sfidon Thaçin

0

NaitHasani-Thaci-prizrenpressDeputeti i PDK-së, Nait Hasani  sfidon liderin e PDK-së, Hashim Thaçin. Ai tashmë ka shpallur publikisht kandidaturën e dyfishtë për të udhëhequr Degën e PDK-së në Prizren dhe për t’i hyrë garës zgjedhore për kryetar të Komunës. Hasani pa marrë mbështetjen e liderit të PDK-së, Hashim Thaçi, ka vendosur të promovohet si pretendent për të udhëhequr me Partinë dhe me Komunën e Prizrenit.“Po unë jam kandidati kryesor për kryetar të PDK-së dhe për kryetar të Prizrenit”, ka thënë Hasani, javën e kaluar për media.

Përveç, Hasanit kandidaturën për kryetar të Degës së PDK-së në Prizren, e ka shpallur edhe Nijazi Kryeziu. Brenda PDK-së, gara për kryetar të Degës, por edhe për Prizren, ka filluar të zgjerohet. Ramadan Muja publikisht nuk e ka shpallur kandidaturën, por ai ka pranuar se për “këtë punë vendosin ata naltë”.

Të gatshëm për të marrë pozitat e dyfishta të PDK-së janë shprehur edhe ish-kryetari i Degës, Skënder Berisha dhe shefi i Grupit Parlamentar në Asamblenë Komunale,Afrim Avdaj. Të dytë kanë thënë se nëse Kryesia ua beson pozitat, do të jenë të gatshëm të marrin përgjegjësit. Skënder Berisha në një intervistë të më hershme për “PrizrenPress”, ka thënë se nëse Kryesia e PDK-së, vendosë t’ia besojë pozitat e mbetura vakant, ai do të jetë i gatshëm që t’i marrë përgjegjësit.” Qëndroj prapa atyre që kam thënë”, tha shkurt Berisha.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së në Prizren, Afrim Avdaj, javën e kaluar është shprehur i gatshëm të garojë për kryetar të Degës dhe të Prizrenit, nëse një gjë të tillë ia beson Kryesia e Partisë.

Për shkak të përçarjeve, Dega e Prizrenit ende nuk e ka zgjedhur kryetarin e saj, e as kandidatin për kryetar të Prizrenit.

Lideri i PDK-së Hashim Thaçi, ndërkaq në zgjedhjet e brendshme të partisë, ka thënë se cilido kandidat që do të zgjedhet kryetar i Degës së PDK-së në Prizren, nuk do të gëzojë të drejtën që në zgjedhjet lokale të jetë edhe kandidat për kryetar të Prizrenit.

Thaçi këtë vendim e ka prezantuar edhe para anëtarëve të Këshillit Drejtues të PDK-së në Prizren. “Thaçi e ka bërë të ditur në mbledhjen e Këshillit Drejtues se kryetari i Degës nuk do të jetë kandidatë për kryetar të Prizrenit. Këtë e dinë të gjithë anëtarët e Këshillit që kanë qenë prezentë atë natë në Prevallë“, tregon burimi i “PrizrenPress-it”.

Megjithëkëtë, Nait Hasani ka thënë se do të jetë kryetar i Degës së PDK-së dhe i Prizrenit dhe se për këtë do ta ketë mbështetjen e Hashim Thaçit.”Jemi në kontakt me Kryetarin. Në momentin që do të zyrtarizohet kandidatura ime do ta kem edhe përkrahjen e z. Thaçi”, ka thënë Hasani javën e kaluar për media.

LDK-ja, AAK-ja –LDD-ja, BD-ja, dhe  PK-ja i kanë publikuar kandidatët e tyre për kryetar të Prizrenin. Edhe pse qeverisë me Prizrenin, PDK-ja është subjekti i vetëm politik  që ende nuk e ka shpallur kandidaturën për kryetar të Prizrenit./PrizrenPress.com/

Shtohet stafi i ambasadës në Bruksel

0

Hoxhaj-Enver5-21Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në takimin e parë të ekipit negociator për negociimin e MSA-së ka thënë se shumë shpejt kësaj ambasade do t’i shtohen edhe 10 persona nga ministri të ndryshme.

“Kemi vendosur ta rrisim numrin e diplomatëve tanë në ambasadën tonë në Bruksel. Besoj se kemi filluar një punë të mirë, fillimisht me një propozim që ka ardhur nga Ministria e Integrimit, që ta kemi një zyrtar të kësaj ministrie, siç është Labinot Hoxha në Bruksel. Edhe MTI-ja ka dhënë një propozim, dhe ky diplomat tash është në Bruksel. Meqë MSA-ja merret po ashtu me bujqësi, mendoj se edhe nga Ministria e Bujqësisë ta kemi sa më shpejt një person kompetent”, ka thënë Hoxhaj, transmeton RTK.

Sipas tij, ky shtim i stafit po bëhet për ta kuptuar MSA-në sa më drejt. “Neve na duhen njerëz që e njohin përmbajtjen, që e njohin substancën dhe e kuptojnë natyrën e çdo procesi, meqë vetëm në këtë formë do të mund ta shtyjmë këtë proces përpara”, është shprehur ai.

Kryediplomati ka përmendur rastin e Kroacisë, e cila, sipas tij, në ambasadën e saj në Bruksel ka pasur rreth 80 diplomatë. “Kroacia sivjet është bërë anëtare e BE-së, stafi që ka pasur në ambasadën e saj në Bruksel ka qenë rreth 80 veta. Aktualisht i kemi vetëm pesë veta, por jemi të interesuar që në të ardhmen t’i dërgojmë edhe 10 veta”, ka treguar ai. Hoxhaj i ka ftuar edhe ministritë e tjera, që në koordinim me ministren Çitaku të bëjnë propozime konkrete për përfaqësimin e tyre në Bruksel.

“Sa di unë, një pjesë e madhe e stafit do të jetë mobil, pra do të udhëtojë nga Prishtina në Bruksel, duke mos pasur nevojë të jenë tërë kohën atje. Por, ata që do të jenë permanentë në ambasadën tonë duhet të jenë sa më të përgatitur”, ka thënë Hoxhaj.

“Botuesit po kthehen në tregtarë librash”

0

Valeria Dedaj -Nikollë BerishajNikollë Berishaj, shkrimtar, poet dhe përkthyes është vlerësuar së fundmi me Çmimin “Pretnar” (dr. Tone Pretnar 1945–1992 studiues, përkthyes, verzolog dhe profesor i Universitetit të Lublanës dhe Katovices / Poloni, ), me titullin e nderit “Ambasador i letërsisë dhe gjuhës sllovene dhe i kulturave sllave”. Ky vlerësim është çmimi më i lartë që jep Sllovenia në lëmin përkthimit të letërsisë sllovene në gjuhët tjera dhe anasjelltas, si dhe vendosjes së marrëdhënieve dhe urave kulturore ndërmjet popullit slloven dhe popujve tjerë. Është hera e dhjetë e ndarjes së këtij çmimi. “Nëse kësaj ia shtoj një statistikë evropiane se sllovenët zënë vendin më të lartë në Evropë si lexues, dhe me numrin e librave të huazuar nga bibliotekat publike, kjo ia shton edhe më shumë vlerën çmimit” thotë Berishaj në një intervistë për gazetën “Shekulli”.

Nikollë Berishaj ( 1958) prej vitit 1980 është anëtar i Shoqatës së Përkthyesve Shkencorë e Teknikë të Sllovenisë. Gjithashtu është anëtar i Shoqatës së përkthyesve të Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Zoti Berishaj, para pak kohësh ju jeni vlerësuar në Slloveni me Çmimin “Pretnar”, si “Ambasador i letërsisë dhe gjuhës sllovene dhe i kulturave sllave”, çfarë do të thotë ky për ju çmim?

Motivacioni i çmimit dorëzohet me shënimin: “Është ky falënderim ndërkombëtar për ata ndërmjetësues kulturorë, që jashtë Republikës së Sllovenisë, ndër kombet e tjera nëpër botë, e përhapin vetëdijen dhe njohurinë e gjallë mbi letërsinë dhe gjuhën sllovene, gjegjësisht që vendosin një dialog të qëndrueshëm ndërkombëtar kulturor”. Mund të them se e ndjej veten tejet të nderuar dhe krenar si laureati i parë nga Ballkani dhe kuptohet laureati i parë shqiptar.

Cili është procesi i punës suaj me një libër që duhet të përktheni?

Përkthimi i mirëfilltë nënkupton përkthimin e drejtpërdrejtë, pra nga gjuha e origjinalit. Vetëm në raste të jashtëzakonshme mund të bëj përkthime nga gjuha e tretë, por assesi përkthime letrare. Letërsia, sipas mendimit tim, nuk e duron një gjë të tillë, ndonëse jo rrallë na ndodh që të hasim në përkthime të tilla. Kontaktet letrare ndërmjet kombeve dhe gjuhëve (numerikisht) të vogla shpesh kanë rrugëtim të tillë. Edhe sllovenishtja dhe shqipja bëjnë pjesë në kultura (e përsëris) numerikisht të vogla, që për fat të keq nuk njihen aq sa duhet ndërmjet vetes. Por, që të dy letërsitë kanë ç’ti ofrojnë si njëra tjetrës, ashtu edhe thesarit letrar botëror. Për deri tani, lexuesit e njërit komb e kanë njoftuar letërsinë e tjetrit në mënyrë indirekte, kështu “Gjenerali…” i Kadaresë ka ardhur në sllovenishte nëpërmes frëngjishtes, ndërsa autorët sllovenë (veçanërisht në ish Jugosllavi) kanë ardhur në shqip përmes serbo-kroatishtes… Kuptohet se ardhja e “Prillit të thyer” nga shqipja ka qenë shumë më i mirëpritur nga opinioni kulturor slloven.

Sipas jush, a është e mjaftueshme vetëm të qenët njohës i një gjuhe të huaj, për të përkthyer një libër?

Kusht i domosdoshëm për përkthimin e një vepre letrare është njohja e shkëlqyeshme e të dy gjuhëve, si asaj të origjinalit, ashtu edhe asaj të përkthimit, por ky nuk është kusht i mjaftueshëm. Përkthyesi letrar duhet ta njohë fort mirë edhe kulturën shpirtërore të të dy kombeve. Unë shpesh e përsëris një rast nga përvoja ime e përkthyesit për ta argumentuar këtë. Ndërsa e përktheja “Legjendën e misrit” të Migjenit” në sllovenisht para mëse dy dekadash, problemi mu paraqit me vet titullin. Por, problemi nuk ishte i (mos)njohjes së gjuhëve. Semantikisht ishte shumë lehtë të përkthehej, por… në kulturën sllovene misri përdoret kryesisht si ushqim kafshësh. A mund ta paramendoni mesazhin mbi përkuljen e kurrizit të atij malësori për disa kokrra misër. Çfarë fotografie do t’i ofrohej lexuesit slloven me një përkthim të fjalëpërfjalshëm (që askush s’do të mund ta kritikonte si përkthim të keq). Zgjidhja e problemit u bë me përkthimin që në shqip do të ishte “Legjenda e drithit” – në atë mënyrë edhe u ruajt origjinaliteti, por edhe u përcjell intensiteti i mesazhit migjenian në sllovenisht.

Një fondacion evropian që mbështet përkthimet letrare ndërmjet gjuhëve të ndryshme më angazhon shpesh si recensent për përkthime nga fusha e interesimit tim si përkthyes (pra në relacionet sllovenisht, serbisht, kroatisht, boshnjakisht, malazezisht, shqip). Më ndodh jo rrallë ta refuzoj përkthimin, gjegjësisht ta vlerësoj negativisht atë. Janë disa kritere që duhet t’i plotësojë përkthimi për t’u vlerësuar si i mirë: – Ekuivalenca në përkthim (semantika), – Kriteri i mosnjohshmërisë (Përkthimi i mirë askurrë nuk le bindje përkthimi),- Ekonomizimi i përkthimit (sa më pak përkthime përshkruese), -Kuptueshmëria e përkthimit (veçanërisht ajo sekundare), -Konvencionalizmi (zgjidhjet e pranuara përkthyese në gjuhë) dhe –Letërsia. Nuk mjafton që të plotësohet kriteri i mosnjohshmërisë (pra të tingëllojë materiali bukur në gjuhën e përkthimit, gjë që ndodh shpesh me përkthime në gjuhën tonë), e të anashkalohet ekuivalenca në përkthim.

Sot botuesit punojnë me emra të panjohur të kësaj fushe, si e shikoni këtë fenomen dhe cili është libri më i keq përkthyer që deri më sot ju ka rënë në dorë?

Kjo nuk është karakteristikë vetëm e Shqipërisë. Botuesit, kohëve të fundit po bëhen tregtarë librash që dëshirojnë profit sa më të shpejtë dhe sa më të madh. Ky, sipas tyre sigurohet me angazhimin e përkthyesve të “panjohur”. Por, kjo është vetëm në afate të shkurtra. Në afate të gjata, si gjithkund, përfitohet më shumë me përkthyes të mirë. Mirëpo, jo gjithmonë emrat e njohur i kanë edhe prodhimet (përkthimet) e shkëlqyeshme. Duhet t’u besohet edhe emrave të rinj, që nuk e bëjnë përkthimin rutinë, por që i përkushtohen atij. Për fat të mirë kemi edhe botues që e çmojnë lart vlerën e mirëfilltë të përkthimit. Nuk mund të mos i përmend shtëpitë botuese, me të cilat bashkëpunoj, por edhe tjera, si Toena, Uegen, Buzuku, Onufri…Tradita e përkthimit ndër shqiptarët si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë e treva tjera shqiptare, ka me çka të mburret. Mirëpo, më duket se asnjëherë nuk është tentuar të bëhet diçka në mënyrë të organizuar. Universitetet e ndryshme kanë fakultete të tradukologjisë (shkencës së përkthimit) ku përgatiten përkthyes të shkolluar. Ne as literaturë të mirëfilltë nuk kemi për përkthimin. Edmond Tupja ka bërë një libër të mirë për përkthyesit e rinj, ndonëse në disa raste nuk do të pajtohesha plotësisht me qëndrime të tij. Në internet kam gjetur një skript mbi përkthimin të bërë nga përkthyesi e poeti ynë Agron Tufa. Të dy këto vepra do t’ua preferoja me gjithë dëshirë kolegëve të rinj. E sa për librin më keq të përkthyer: për fat të mirë të autorëve të origjinalit, disa nga këto përkthime i kam ndaluar së botuari me recension negativ. Një përkthim i dobët në sllovenishte është ai i romanit të Rexhep Qosjes, Vdekja më vjen prej syve të tillë (nuk më kujtohet përkthyesi, por e di se është përkthyer nga serbishtja).

Cili ka qenë përkthimi më i vështirë që keni bërë gjatë gjithë punës suaj ?

Përkthim të lehtë nuk ka. Unë si përkthyes gjithmonë, edhe sot pas një përvoje 30-vjeçare (libri i parë i përkthimit letrar më është botuar në “Rilindje” para 30 vjetësh) ballafaqohem me një frikë nga origjinali. Frika a do të mund ta përcjellë në gjuhën tjetër frymën (në daç edhe shpirtin…) e veprës që ia ka dhënë autori në origjinal. Dhe kjo frikë nuk përfundon me ditën e dorëzimit të dorëshkrimit. Më duket se atëbotë intensifikohet më shumë. Me rastin e marrjes së çmimit Pretnar përjetova një gjë, për mua të paçmueshme. Mu drejtua njëri nga shkrimtarët e njohur sllovenë me fjalët: “Faleminderit për pasurimin që ia ke bërë kulturës sime me prurjen e Kadaresë në mesin tonë. Do të jetoja pa e njohur njërën nga vlerat më të çmuara të krijimtarisë njerëzore”. Ai është falënderimi më i madh për përkthyesin. Më duket se frika ndaj origjinalit që e ndjeja unë edhe 6 vjet pas botimit të “Prillit të thyer” në atë moment u zhduk. Por, i lehtë nuk ishte as përkthimi i “Poemës së mjerimit” në sllovenisht, as poezisë “Gjuha shqipe” e Fishtës në serbisht, as Frederik Reshpjes në sllovenisht, as poetët sllovenë të përfshirë në Antologjinë e poezisë sllovene në shqip… nuk e di cili është përkthimi më i vështirë. E di, se gjatë tërë këtyre përkthimeve, përpos frikës së përshkruar më sipër, kam ndjerë një dashuri dhe kënaqësi të jashtëzakonshme.

Kriza globale ka prekur dhe librin, si ndikon kjo tek përkthimet?

Jo, përkthyesi askurrë dhe askund nuk është vlerësuar sa duhet. E të provojmë për momentin të mendojmë se ç’do të ishim ne pa punën e palodhshme të tyre. Çka do të ishte bota pa përkthyes. Sa do të ishte niveli i dijes sonë. E njëjta vlen edhe për përkthyesit letrarë. Unë e kam pasur fatin e mirë që përkthimet e mia të botohen në Slloveni, Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Kroaci, Serbi, Bosnje… Më së shumti kam qenë i lidhur me Slloveninë. Ata kujdesen shumë për depërtimin e krijimtarisë së vet në kultura tjera duke mbështetur edhe materialisht përkthimet e veprave të letërsisë sllovene.

Ç’duhet bërë që librit ti kushtohet vëmendja e duhur?

Libri te ne duhet të kthehet në përkujdesjen e institucioneve. Shteti duhet ta mbështesë, por mos të ndërhyjë në kulturë. Ndoshta do të duhej ta mbrojmë më shumë autorin. Nuk kemi nevojë “ta zbulojmë ujin e nxehtë”. Në Evropë, me të cilën betohemi aq, ka shumë modele, aplikimi i të cilave do ta përmirësonte gjendjen në fushën e librit. Në fakt, këto janë preferenca evropiane që na presin në rrugën e integrimit, por nuk mjafton vetëm miratimi i ligjeve, vetë autorët, përkthyesit, botuesit… duhet të angazhohen maksimalisht për vendin e vet nën diell. Duhet të luftojmë edhe për lexuesit. Shpesh thuhet se edhe leximi është në krizë. Edhe këtu ka modele interesante, me gjithë dëshirë do ta preferoja modelin slloven të Dekoratës së leximit, model ky unik në botë, me traditë më se 55 vjeçare.

Dhe së fundmi, sa e vështirë është që ti qëndrosh besnik frymës së origjinalit, mendoni se një përkthyes në vetvete duhet herë pas here të jetë dhe “shkrimtar”?

Më sipër i shënova në mënyrë taksative kriteret për përkthimin e mirë. I pari prej tyre është ekuivalenca, pra besnikëria ndaj frymës së origjinalit. Në teorinë e përkthimit përflitet shpesh anekdota se përkthimi është si femra: nëse është i bukur nuk është besnik… Gjithsesi një baraspeshë në mes besnikërisë dhe bukurisë duhet të tentojmë ta gjejmë. Sa më afër të jemi, aq më i mirë do të jetë përkthimi. Në veçanti është vështirë ta ruash frymën e origjinalit në përkthimin e poezisë, si në rastin e Poemës së mjerimit, ku duhet ruajtur jo vetëm semantika, por edhe rima, ritmi, muzikaliteti… Është vështirë të ruhet kjo frymë, por jo edhe e pamundshme. Definitivisht përkthyesi duhet të jetë dhe shkrimtar, por jo aq sa ta marrë rolin e autorit.

Për punën 30-vjeçare si përkthyes, Nikollë Berishaj është vlerësuar me titullin e nderit “Ambasador i letërsisë dhe gjuhës sllovene dhe i kulturave sllave”.
Sipas tij, tradita e përkthimit në Shqipëri, Kosovë e treva tjera shqiptare, ka me çka të mburret, mirëpo asnjëherë nuk është bërë diçka në mënyrë të organizuar.

Shqipëria, dhembja ime e madhe

0

13Në Kinë nuk ka humbur ndjeshmëria. Nëse një këngëtar nuk arrin të prekë me zërin e tij zemrat e njerëzve, ai nuk ftohet më në asnjë opera kineze. Shumë artistë të famshëm në Europë nuk arrijnë të shkelin dot në Kinë. Kjo, pasi publiku kinez ka mbetur po aq i ndjeshëm e ironik sa ai i Milanos në “Skala” para 30 vitesh, dhe publiciteti ndryshe nga Europa, aty vlen vetëm nëse prek në zemër… Tenori shqiptar, Agim Hushi, prej disa ditësh ndodhet në Tian Jin, një prej qyteteve më të njohura të Kinës, ku më 30 gusht është ftuar për një koncert recital në operën nacionale të qytetit. Më poshtë Hushi bën një rrëfim për gazetën “Shqip”, duke u nisur nga Kina, për lidhjen e tij me muzikën, ikjen nga Shqipëria, politikën dhe si e sheh operën shqiptare sot…

Ndodheni në Tian Jin, një nga qytetet e treta të mëdha për nga madhësia dhe vlera sociale ekonomike e Kinës, ku do të jepni një koncert recital… Çfarë mund të na thoni për këtë koncert?

Do të jetë një koncert i madh recital i imi, i cili do të mbahet më 30 gusht, pra pas disa ditësh, me ariet më të mëdha të tenorit me Orkestrën Simfonike në Operën e Tian Jinit, qytetit të tretë më të madh të Kinës dhe një nga qytetet më të bukura të botës moderne. Ky koncert zhvillohet në kuadrin e Festivalit Botëror të Muzikës dhe unë jam zgjedhur si artisti kryesor i këtij festivali. Ky festival është nga më të rëndësishmit organizuar nga qeveria kineze dhe jam konsideruar si ylli i tij për median dhe publikun kinez, i cili jashtë kornizave të emrit tim shqiptar, më ka gjykuar realisht për forcën time vokale dhe vlerat e mia të mirëfillta artistike. Publiku i edukuar kinez është po aq sensitiv sa dhe publiku i zgjedhur kudo në botë dhe sot që gjenerata të tëra artistësh dhe studentësh kinezë kanë studiuar në shkollat muzikore më të mira të botës, kjo e bën edhe përgjegjësinë time artistike shumë më të madhe. Publiku kinez tashmë më njeh se unë kam dhënë shumë koncerte në Kinë dhe jam vlerësuar atje jo vetëm me fjalët më të mira dhe me duartrokitje të gjata, por dhe me tituj nderi… Publiku kinez është, do të thosha, shumë entuziast dhe kur i pëlqen artisti bëhet edhe vetë pjesë e spektaklit me ovacionet dhe duartrokitjet ritmike të duarve, gjë që i jep artistit jo vetëm forcë, por dhe frymëzim… Shfaqjet në Kinë janë të jashtëzakonshme edhe për arsye të tjera, sallat janë gjigante, publiku është i madh në numër dhe shumë i zjarrtë, ndërsa pritja që më rezervojnë miqtë e mi kinezë kur shkoj atje është e jashtëzakonshme dhe kjo ndodh vetëm në Kinë.

Kina njihet si vendi i kulturës dhe i ekonomisë, çfarë mund të na thoni për operën kineze. Çfarë ndodh sot me të?

Kultura kineze ka marrë një zhvillim të paparë këto dhjetë vitet e fundit. Ndryshe kur kohë më parë në Kinë politikisht konceptohej që ekonomia udhëheq kulturën, sot është e kundërta: kultura udhëheq ekonominë. Mjafton të mendosh se po flasim për kombin më të madh të botës, për kombin me ekonominë më të rritur dhe më të fortë të botës, për kombin që më 2020-n do të jetë fuqia e parë ekonomike e botës për të kuptuar fjalët e mia se ç’rol të jashtëzakonshëm ka kultura në këtë vend. Por ndryshe nga Europa apo Amerika, ku artistin zakonisht nuk e bëjnë vlerat e tij, por lidhjet me klanet kulturore, agjencitë dhe makiazhet mediatike; jo vlerat e artistit por sasia e parave që ai paguan për t’u dukur dhe bërë i famshëm nëpërmjet agjencive të specializuara të PR (public relation), në Kinë kjo nuk vlen…

Publiku kinez është po aq i ndjeshëm dhe ironik sa ai i Milanos në “Skala” para 30 vitesh. Në Kinë po nuk mbushe sallën me zë dhe të prekësh emocionin e mijëra spektatorëve, je i dështuar pa hyrë akoma.

Në Kinë shpesh disa emra të njohur në Europë nuk ftohen të këndojnë atje dhe ky është një fakt.

Le të hidhemi pak në kohë, si e kujtoni kohën e lidhjes suaj me muzikën? Cilat janë kujtimet nga ajo kohë?

Lidhja ime me muzikën ka qenë sa e natyrshme aq edhe e jashtëzakonshme. Si fëmijë, në atë lagjen e varfër të Kavajës ku jam rritur, lexoja deri natën vonë, por ndërkohë s’mund të shkëputesha dot nga ata tinguj të çuditshëm që vazhdonin të jehonin në gjithë qenien time pas emisionit të mbrëmjes “Italia Sera”, që dëgjoja në radion time të vjetër, me këngëtarë të mëdhenj si Tagliavini, Skipo, Di Stefano, Del Monaco, Corelli etj. Magjia e zërave të tyre ishte aq tronditëse sa megjithëse u rrita dhe fillova të shkruaja poezitë dhe tregimet e mia të para, unë përsëri s’u shkëputa dot prej tyre, derisa një ditë, kur sapo kisha kryer studimet për Gjuhë-Letërsi takova Mustafa Krantjen në prani të bashkëshortes dhe djalit të porsalindur. Kështu filloi për mua një rrugë e re, që zanafillën e kishte aty në mbrëmjet e varfra të Kavajës, duke dëgjuar radion e vjetër.

E vendosët karrierën tuaj jashtë Shqipërisë. Pse kjo zgjedhje? Si e kujtoni ikjen nga Shqipëria?

Ikja nga Shqipëria ka qenë një dëshirë jo vetëm e fshehtë, por edhe e pamposhtur për ne shqiptarët e viteve ‘90.

Së pari nga kurioziteti për të ditur se çfarë ka përtej Shqipërisë dhe së dyti, për një jetë më të mirë. Por unë pata fatin të shkoja për tre vjet me studime pasuniversitare në Budapest, të drejtën që e fitova nëpërmjet një konkursi ndërkombëtar më 1992-shin.

Që nga ajo kohë vazhdoj të jetoj nëpër botë, por me mallin dhe dëshirën e madhe që një ditë edhe unë të kthehem në atdheun tim si artist, por dhe si qytetar i thjeshtë.

Çfarë është Shqipëria për Agim Hushin?

Ah Shqipëria… Para se gjithash një dhimbje e madhe, shumë e madhe, që shpesh mi merr netët me pagjumësi, mall, merak… pak nga të gjitha. Por dhe gjëja më bukur e kësaj bote. Një vend që më mungon në çdo qelizë, që e dua pa kushte dhe që më frymëzon me gjithçka, me të mirat dhe të këqijat e saj, me diellin dhe njerëzit gjaknxehtë, me zemërgjerësinë dhe detin blu, me vajzat si yje dhe malet e ashpër, me ujëvarat dhe rrugët me pluhur, me ullinjtë dhe pyjet e prerë, me gjithçka, ashtu siç mund të jenë dashuritë sublime!

Keni qenë shpesh pranë politikës, si e shihni atë çfarë politika ka prodhuar këto vite?

Politika është malli më i keq që ka prodhuar konsumi njerëzor këto 22 vite të tranzicionit shqiptar. Pa mohuar aspak arritjet dhe vlerat e krijuara nga personalitete që këtij vendi nuk i mungojnë.

Por tendenca e grumbullimit të politikës në duart e një njeriu të vetëm ka qenë rreziku më i madh i politikës shqiptare gjatë tërë këtyre viteve dhe kthimi në diktatura të reja.

Por shqiptarët e kapërcyen me sukses të plotë dhe i dhanë një mësim historik më 23 qershor të gjithëve atyre që filluan të ndërtojnë ëndrra me pronarë të kombit apo sundim absolut.

As mashtrimi me premtime, as kërcënimet këtë radhë nuk vlejtën për të ndaluar verdiktin popullor që vërshoi si kurrë më parë me votën e lirë, për t’i dhënë një shans të ri Shqipërisë.

Cili është koncerti që s’do e harroni asnjëherë dhe roli juaj më i dashur?

Shfaqja që s’do të harroj kurrë është në Kuala Lumpur dhe ka mbetur si një nga ngjarjet më të bukura të jetës time, por unë besoj edhe të mbarë kulturës shqiptare. Kam marrë pjesë në inaugurimin e Malaysian Liric Opera me operën “Toska”, ku këndova në rolin e Kavaradosit që u prit në mënyrë të jashtëzakonshme dhe të nesërmen gazetat më të mëdha zyrtare dolën në faqet e para me portretin tim, duke shkruar se tenori shqiptar shkëlqeu në inaugurimin e Operës së Malajzisë. Isha krenar që pata në atë sallë atë natë edhe ambasadorin shqiptar në Kuala Lumpur, mikun tim z. Hajdar Munekaj.

Rolet e mia janë të gjitha të dashura për mua: Radamesi nga opera “Aida”, Calafi nga opera “Turandot”, Luigi nga “Il Tabarro”, Cavaradosi nga “Tosca”, Deus Grieux nga “Manon Lescout”, Manrico nga “Trovatore”, Turdidu nga “Cavalleria Rusticana” etj.

Si e shihni operën shqiptare?

Opera shqiptare është një vatër që ka nxjerrë talente botërore dhe si e tillë ajo është padyshim nga qendrat më të mëdha kulturore dhe prestigjioze të vendit. Veçanërisht Teatri i Operës ka qenë një institucion, ku papërgjegjshmëria qeverisëse e katandisi në një organizëm të nivelit më të ulët të krahasueshme me opera të nivelit lokal, qoftë nga fondet, qoftë nga drejtimi i stilit mafioz, ku çdo gjë, duke filluar nga kontratat, pagesat, prapaskenat e ndarjes së roleve u kthyen në makth të artistëve shqiptarë që kanë kontribuar dhe dhënë një jetë në shërbim të këtij teatri. Sa për ne të ftuarit mund të themi se s’ka pasur asnjë kriter: thjesht kemi qenë objekt i dëshirës së një drejtori apo i grupit partiak që kontrollonte drejtimin e operës.

Opera theu të gjitha konturet e një institucioni shtetëror, kur artistët e saj u vunë në rresht të firmosnin peticione kundër opozitës. TOB-i këto vite ka humbur misionin e saj me vlerat mediokre të vizionit dhe ndërtimit të një strategjie kombëtare për të përfaqësuar artin elitar të kombit. Por unë kam besim absolut se TOB-i ka për të qenë një institucion jo vetëm kombëtar, por edhe i rangut ndërkombëtar me fuqinë e talenteve që duhet të përfaqësojë dhe jo të klaneve të errëta që e kontrollojnë. Vërtet mund të mos ketë para, por ka talente që janë një pasuri e jashtëzakonshme, të cilat duhen menaxhuar.

Të shpëtojmë Dankën!

0

71590As që do të ishte zbuluar kurrë ajo histori; as që do të kish ndodhur ndonjë dramë, kurrfarë gjëje s’do të kishte ndodhur, nëse atë natë Dankës nuk do ti kish hipur në kokë të thante një gjysmë litër raki të pastër mani, brenda dy orëve, duke pasur për meze vetëm dy kokrra domate të ndara në katërsh. Përkundrazi, pushimet tona do të kishin vazhduar mirë e bukur në qytetin e vogël me liqen të pikëlluar, ashtu si patën nisur; ne do të kishim vazhduar ti binim rrotull atij vendi çdo ditë me pëllëmbë; të hanim mana të kuqe gjak direkt e nga pemët si dhe fasule me pastërma, sa të na fryheshin rropullitë, sa të budallallepseshim fare! Por atë natë, siç e pohoi vetë kur u kthjelltua ditën tjetër, Danka kujtonte emrin e babait, i cili e pat lënë tre vjet me parë dhe të të dy mbeskave që i ka larg dhe, nga hidhërimi e gëzimi bashkë, brenda dy orëve është bërë dru. Ne të gjithë e shihnim tek i morën zjarr sytë si të çakallit dhe, mund t’ju duket mendjemadhësi nga ana ime po t’ju them se personalisht e parandjeva se ajo natë nuk do të qe e qetë.

Kam thënë e para “natën e mirë”, Fredi ka mbetur aty, me ata të dy. Ai thotë se Danka është ngjitur në dhomë, vetëm pas dy orësh si isha larguar unë, atëherë kur s’pati ç’të pijë tjetër, me ndihmën e së shoqes, që i vjen gjithnjë nga pas si qingj i butë. Të dy me hap të ngadaltë e të lëkundur si direk anije, – thotë Fredi, – të mbërthyer fort, njëri më i shëndoshë se tjetri, janë ngjitur lart. E shoqja i ka rregulluar krevatin dhe ka hyrë në banjo, duke harruar derën hapur. Ai, në vend që të shtrihet, ka hapur celularin, ku ka parë mesazhin e dërguar nga M në 11 të natës! I kënaqur, jo jo, i lumtur, Danka paska qeshur fort, me gjithë shpirt, aq sa e ka ndierë e shoqja, e cila, edhe pa qeshur Danka, do ta kish kuptuar se diçka e rëndë ndodhte mes atij te piri 100 kilosh dhe celularit të zi.
-“Të uroj ditën e emrit te babait”, – i shkruante M në mesazh dhe, besoj, për të shmangur çdo dyshim të mundshëm, i uronte Dankës, po dhe gjithë familjes së tij, jetë sa më të gjatë në kujtim të të dashurve.

Ai s’e ka përmbajtur dot veten por, me duart që i dridheshin ka shkruar dhe, s’dihet pse ka ruajtur në draft, pa iu përgjegjur aty për aty, atë që dinte prej vitesh në zemrën prej burri: “Të dua shumë! dhe ka rënë në gjumë si thes.
Gruaja e butë e Dankës ka bërë atë që do të kish bërë secili prej nesh po të gjendej në të njëjtën pozitë. Ka lexuar mesazhin jo aq lehtë të deshifrueshëm të M, por dhe draft- përgjigjen e burrit dhe ka mbetur e kruspullosur ne vend nga dhembja për jetën e saj. Nga celulari i Dankës i ka telefonuar numrit nga i cili qe dërguar mesazhi, për gjithë natën, pa marrë asnjë përgjigje. Mandej, nga celulari i saj, e mbytur në lot e qurra, i ka shkruar mesazh – dërgueses një paralajmërim të qartë në dy fjali: “Do të të vras po i re në qafë burrit tim”! dhe.. “Në të dhimbset jeta hiq dorë”! Nga ana tjetër, për çudi, kanë kthyer një përgjigje të menduar, pothuaj dinjitoze: “Ky është një keqkuptim nga ana juaj moj zonjë, unë jam e qetë dhe e gëzuar me burrin tim dhe nuk vështroj burrat e botës”!
Gruaja e butë e Dankës, e ka lënë atë të flerë deri në mëngjes, deri sa t’i dalë rakia. Danka është ngritur me gojën pleh, është ulur mbi tryezë dhe bënte sikur punonte në lap top, duke parandjerë një stuhi. Ajo i është vërtitur me ca fjalë që kanë ngritur në këmbë gjithë hotelin.
Unë s’kam ndjerë gjë, sidoqë mbahem se bëj gjumë të lehtë. Dhoma ime bie nga liqeni. Por nga ballkoni shquajta qartë gruan e butë të Dankës që vente e vinte në breg, pak përpara orës shtatë. Besova se po merrte rreze. Kam bërë dushin dhe kam zbritur poshtë, kam ngrenë mëngjezin në paqe me veten time, kam pritur Fredin dhe çiftin të me bashkohen, si çdo ditë, por nuk ka ardhur njeri.
Vetëm kur po pija kafenë është shfaqur Danka, me pamjen e qenit të rrahur. Eshtë ulur pa thënë “mirëmëngjes”, ka marrë një kupkë raki si ilaç për dhimbjen e paduruar të kokës. Pyetjes sime, ku e keni bashkëshorten Dankë i dashur, ai i është përgjigjur thatë: iku, më la! Siç u bë e qartë pak më vonë nga një kontroll i shpejtë që bëri Fredi në garderobën e tyre, asgjë nuk kishte lëvizur nga rrobat e gruas së Dankës. Por ajo i kishte dalë furgonit përpara për kushedi se ku.
***
Danka e njohu Mirkën 25 vjet të shkuara, kur i pat kaluar 40 vjetët, kur ishte burrë i martuar me dy djem, kur iu duk se e kish vënë jetën në vijë, kur s’ia priste mendja fare. E pa një ditë tek vinte drejt tij, ashtu të vogël e të imët dhe i erdhi keq për atë të gjorën me frymë pothuaj të mbaruar, që pat udhëtuar e djersitur dy orë në këmbë, sa të arrinte në fshatin e tyre, bashkë me një ekip kontrolli. Kanë shkëmbyer dy- tre fjalë mirësjelljeje tek pema e madhe plot kacka në qendër të fshatit dhe kaq i ka mjaftuar për të kuptuar se kjo dhe askush tjetër, ishte femra e jetës së tij; se ajo gjëckë e vogël, pa ndonjë lloj bukurie, por me një det të paparë dashurie në sytë e kadifenjtë, kish për ta mbajtur mbërthyer pas vehtes gjithë jetën!

I ka vajtur pas me vite të tëra në qytet, pa i thënë një gjysmë fjale, gjoja për punë, gjoja për muhabet. E ndiqte kur kthehej nga puna dhe, u bë i zoti të dallojë siluetën e saj ndërmjet dhjetëra femrave të tjera, disa herë më të gjata se Mirka e gjorë, në xhiron e darkës, deri sa, një natë të tillë, ajo s’duroi më, bëri si bëri dhe vendosi t’i japë fund grahmës disavjeçare të atij burri. I zgjati një copë leter. “,-Merre i tha”,- me zërin e butë,- “e vërteta do të na bëjë mirë”!
Danka kundërshtoi, flutërzat i gumëzhinë përmbi stomak, ajo u nder përpara dhe ia rrasi letrën në dorë.

Ata që e mbajnë mënd Dankën aso kohe, çuditen sesi erdhi e ndryshoi ai burrë i qeshur, sesi, nga një hallexhi i butë dhe në punë të tij, nisi të pijë pa orar, pa kufi, për shkak të Mirkës dhe vetëm të kësaj gruaje, që, për fat të keq, qëlloi dhe e martuar, dhe me një djalë, dhe njeri i mirë sa s’bëhet. Ajo që i pat mbërthyer ata të dy mund të quhej pa frikë si një lloj sëmundje, le të themi si një ethe e butë në eshtër, nga ato që s’të lenë kurrë. Mund të quhej një mallkim më tepër sesa një gëzim, përderisa u duhej të vidheshin dy- tre herë në muaj, pastaj një herë në muaj; vite më vonë, një herë në dy- tre muaj dhe s’u ngopën kurrë me njeri- tjetrin, deri më sot kur janë bërë gjyshër.
…….

Unë e njoha Dankën vite më vonë si qe lidhur me Mirkën, atëhere kur gjithë ditën e ditës rrinte i pirë, kur gjithë qyteza e quanin ” Dankë qeflliu!”
E njoha gjatë një shërbimi të detyruar pune. E besoni ose jo, që në darkën tonë të parë, më tregoi fill e për pe hallin që kish me Mirkën, siç ma pohoi vetë: dashurinë më të madhe të jetës së tij. Nuk di ç’pa tek unë që më besoi tek më zbrazi barkuan asisoj, tek më bëri të qaj me mesazhet që i dërgojnë njeri- tjetrit pa u takuar kurrë. Mendoj se për shkak të sekretit të asaj nate u lidhëm shumë. Dalëngadalë Danka i dashur më mësoi marifete, që kurrë nuk do të mendoja se do të doja t’i provoja në këtë jetë: për shembull, sesi të gjej me erë, thjesht me nuhatje, verën më të mirë, ndërmjet 20 shisheve që mi rradhitte mbi tavolinë; sesi ta mbaj pastaj një gllënkë, nën gjuhë, për dhjetë sekonda dhe, po kaq gjatë ta mbaj me shumë stil nën bajame; më mësoi sesi t’i mbaj iso me zë të ulët, kur ai këndonte në makinë në udhëtimet tona. Por më tepër nga të gjitha, me qenien e tij më tregoi si të mos frikësohem, si t’i dorëzohem dashurisë. Aq shumë u miqësuam unë e Danka, sa zura mos ti druhem më pamjes së tij prej hipopotami, duarve plot gdhencka, disa herë më të gjata se trupi; tejkalimit madhështor të kufirit deri ku mund të dehet robi; shpërfilljes po aq madhështore të rregullave të jetës. Danka është njeri pa rregulla. Mua më mësoi sesi t’i tejkaloj rregullat. Kjo më tërheq tek ai dhe, prandaj, nuk le rast pa i ndenjur afër. Aq sa përveç shërbimeve të punës, i propozova një ditë t’i kalonim pushimet së bashku. Ai me gruan, unë me Fredin, shokun tim, por që e ka mik dhe Danka. -“Mire moj cupe”,- tha dhe u nisëm të katërt në një makinë.
Siç ju tregova në krye, çdo gjë do të kish kaluar vaj, do të kishim bërë qejf të zgjatur, të paparë në risortin e qytetin me liqen, nëse atij nuk do t’i qe shkrepur në kokë të pinte i vetëm një gjysmë litër raki mani, shoqëruar për meze vetëm me dy kokrra domate të ndara më katërsh, në kujtim të emrit të babait që e kish lënë dhe të të dy mbesave; nëse do të qe përmbajtur, të paktën sa të shtrihej gruaja, për t’iu përgjigjur Mirkës me të vetmen të vërtetë që dinte , me atë “të dua shumë”, shprehje që, sido ta rrotullosh, nuk le vend për interpretime të tjera, veç asaj që është.
…..

Plani që na propozoi të nesërmen e tragjedisë vetë Danka, në rastin e kthimit të mundshëm të gruas së tij, në thelb ishte i thjeshtë dhe i qartë sa s’bëhet:
1,pala kundërshtare, pra gruaja e Dankes, do të shfaqej, do të hapte bisedën rreth tradhtisë së pastër të burrit të saj, duke treguar për mesazhin dhe përgjigjen e Dankës në 11 të natës. (Ajo i kish thënë qartë të shoqit, në sherrin sa u tund hoteli në agim: do të të denoncoj tek miqtë e tu, ta dinë se ç’maskara je)!
2, unë do të indinjohesha pa masë dhe do t’i hidhesha Dankës së dashur me ca fjalë që s’mi nxe goja.
3, do të ndërhynte Fredi për të hedhur dyshimin: “daleni moj gra, mos e keni gabim, mos është një keqkuptim. Danka është plak, nuk ka moshë për të tilla budallaqe”,- do të vijonte Fredi. Pastaj, po ai: “ehu sa here kemi dërguar mesazhe ne kur kemi qenë të pirë”!.
4, “Maskara i mutit”, duhet të bërtisja unë. “Edhe pa u fejuar, ma paske dredhur!
Kështu do të bëjmë – përfundoi Danka.

Ramë dakort dhe i hipëm makinës për Sh. N. Vizituam të dy manastiret, ndezëm secili nga një qiri për të dashurit që s’janë, hëngrëm një drekë të mirë buzë burimeve ,me peshk liqeni, gatuar plot me erëza, porositëm posaçërisht dy këngë tek një orkestër shëtitëse që vinte rrotull në çdo tryezë. Danka këndoi së bashku me violinistin (që qëlloi shqiptar) këngën e qyqes, nja dy zonja nga tryeza ngjitur u shkrinë në lot me zërin e tij. Fredi pati rastin të më pëshpërisë në vesh fjalët më të mrekullueshme, se kurrë, por kurrë ama nuk i kish hedhur as sytë, as mendjen tek ndonjë çupë tjetër.
Kur u kthyem, në mbasdite vonë, gruaja e Dankës ishte rehatuar në shezlongun në breg. Mendoni në ç’pozitë të vështirë ishim unë dhe Fredi, që duhej të mbronim mikun, por që na vinte keq dhe për gruan e tij. Ca më tepër unë që kisha ngrënë disa herë lakror nga duart e saj, ushqeja ndjenja të thella simpatie. Gruaja e Dankës vinte e egër në pamje dhe shumë i thërrisnin “gjermani erdhi gjermani”, por qe e mirë në thelb, dhe po të të donte, të deshte me zemër. Na ishin puqur telat te dyjave dhe shkonim mirë. Atë tjetrën, Mirkën, unë as e kisha parë, as njohur. Gruan e Dankës po.
-“Ku u zhduke gjithë ditën e ditës, – iu ankova unë, – aman, të keqen, se nuk rrimë dot pa ty”!
-“Danka e tepron shumë ndonjëherë”,- thotë gruaja.
-“Ehu, ku ka burra që nuk e teprojnë”,- rënkoj unë.
Ajo me tregon fill e për pe për sa ka ngjarë.
-“S’ke turp, nuk e prisja,”- i kthehem Dankës, i cili sapo na është bashkuar me Fredin.
-“Ç’kam bërë moj motër,”- çuditet ky. “Hiç gjë s’kam bërë! Kjo thotë se sekujt i paskam shkrojtur: të dua shumë, por s’e kam dërguar. E paskam ruajtur në draft. Ku e di unë se kujt i kam shkruar”,- thotë i çuditur Danka.
“Pa daleni një herë,- na kthehet Fredi, sipas planit që kemi bërë, bile, edhe më i çuditur.
-” Danka burrë plak, mezi luan këmbën, ju flisni budallëqe.
Gruaja e Dankës pulit qepallat në formë pohimi.
-“Pastaj,- improvizon Fredi, – a e ka dërguar mesazhin”?
“Jo”,- thotë gruaja e Dankës.
” Po ç’kini ahere, ç’kam bërë”, pyet Danka.
Në fakt nuk dukej bëtë ketë bërë ndonjë gjë të madhe.
“Po të paralajmëroj lajmëroj Babkë,- i thotë ajo me sytë e njomur, “po të kapa më me ato mesazhe, do të të braktis si një qen në mes të rrugës”.
“- Po jo me shpirt, e ke gabim,- dhëmshurohet Danka.”
Ajo i thirrkërka atij:” babkë”!, ndoshta siç e thërresin djemtë, siç bëjnë të dashuruarit që i ngjisin emra përkëdhelës njeri- tjetrit. Unë me Fredin e kuptojmë se kanë nevojë të rrinë vetëm.
***
Ditët që pasuan ishin edhe më të mrekullueshme nga ç’e patëm parashikuar. Kish një paqe të freskët në ajër, të lehtë, si të pamundur. Liqeni nuk merrte frymë. Më dilte gjumi herët në mëngjes, thithja ajër të mirë në ballkon, zbrisja poshtë dhe drejt e në liqen me Fredin. Bënim gara, shkonim mirë, aq sa më tha mendja të fejohem. Kështu që, zëre se u bëmë dy çifte në ato pushime. Ne të mëngjesit herët, sa shkrep dielli dhe Danka me zonjën e tij që zbrisnin për të ngrënë mëngjesin e fundit, rreth orës 10. Asaj i ndritnin sytë. Nga grua e moshës së mesme u shndërrua papritur në të re. Atij, që në mëngjes i merreshin këmbët,gati binte nëpër shkallë.

E mbante ajo. Gruaja e Dankës nuk kursehej as edhe t’i fshinte edhe ndonjë thërrime nga prehri, ti lutej: “Mos u përtyp shpejt babkë, ose, herë tjetër, mjaft Babkë, mjaft, mos pi”.
Por ai prap së prap pinte, bile edhe më shumë. Atëherë sytë i bëhen të kuq, të kuq, po ju them flakë fare! Aq sa nuk ngjan më me njeriun. Është si një kafshë e vjetër, ndryrë në kafaz.

Kalaja e Prizrenit – e lënë nën mëshirën e fatit

0

KalajaPrizrenitNjë rrugicë nga qendra e qytetit të Prizrenit të çon në njërin prej objekteve më të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore e arkeologjike të këtij qyteti.

Kalaja e Prizrenit, detinacioni numër një turistik, ndodhet vetëm pak kilometra larg qytetit, në një lartësi mbi 500 metra mbi nivelin e detit.

Pritshmëritë për turistët janë të mëdha teksa ngjitesh rrugicës drejt kalasë. Por, një ndjenjë zhgënjimi bëhet pjesë sa afrohesh pranë portës kryesore.

Restaurimi e ka prekur fare pak, e ndërkaq mirëmbajtja e asaj që ka mbetur prej 3 500 vitesh pothuajse nuk ekziston.

Bimësia e dendur, e mbeturinat të shoqërojnë në të gjithë hapësirën ndërsa edhe ajo pak infrastrukturë e vendosur rrezikon të dëmtohet çdo ditë.

E lënë nën mëshirën e kohës, kalanë e Prizrenit nuk të ndihmon askush ta eksplorosh apo ta kuptosh të kaluarën historike të saj.

Shtigjet të cilat ndajnë tri pjesët e kalasë, qytetin e sipërm, poshtëm dhe atë jugor pothuaj janë fshehur krejtësisht dhe turistët e huaj orientohen si të munden në të duke u kënaqur vetëm me pamjen e qytetit që ju ofrohet.

“Mendojmë se Prizreni është një qytet i bukur. Kemi ardhur ta shijojmë kulturën, ndërsa ushqimi është shumë i mirë këtu, është kënaqësi të qendrosh pranë lumit ndërsa je duke ngrënë ose pirë diçka. Po kështu ishte bukur teksa po ecnim rrugës drejt kalasë dhe tani kemi këtë pamje të bukur të gjithë qytetit. Po, këtu mund të bëhet më shumë, duke nisur nga disa tabela dhe informacione për historinë e kalasë”, deklaroi Helen Parker, për TCH, një turiste nga Anglia.

“Unë jam nga Spanja. Të gjitha kalatë në Spanjë janë shumë të ruajtura. Kalaja e Prizrenit duket si të gjitha kështjellat, por këtu nuk ka informacione të majftueshme që të kuptojmë për historine e kalasë, çfare ka ndodhur këtu më përpara”, shprehet Damian Marisal, një turist i dytë.

Gjendja e mjerueshme e Kalasë së Prizrenit arsyetohet me mungesën e buxhetit. Një fond prej 3 milionë eurosh i Komisionit Europian nuk ishte derdhur asnjëherë në llogarinë e cila do ta krijonte një ambient të përshtatshëm turistik.

Aktualisht, këtu po bëhen gërmime arkeologjike me fondet e ministrisë së kulturës. Drejtori i muzeut, njëherësh udhëheqësi projektit të restaurimit të kalasë Shafi Gashi premton se vitin e ardhshëm kalaja do të marrë pamjen e merituar.

“Gërmimet e fundit kanë dhenë rezultate të reja, bëhet fjalë për një kala e cila është banu që nga faza e bronzit të vonë rreth 1 200 para erës sonë, periudha e hekurit. Deri më tani nuk është e dokumentuar aq mirë, por supozohet që të ketë shtresa kulturore të kësaj periudhe, po sa i përket periudhës romake dhe moderene janë të gjitha periudhat kohore të prezantuara në periudhën e Prizrenit dhe bëhet fjalë për një monument që minimumi ka një jetëgjatësi mbi 3 500 vjet, por shpresojmë që çdo gërmim të nxjerrë rezultate të reja”, deklaroi Gashi, drejtori i Muzeut të Kosovës.

Nga ana tjetër, edhe Komuna e Prizrenit, nëpërmjet drejtorisë për turizëm së para pak ditësh ka realizuar një projekt në vlerë prej 18 milionë eurosh për ndriçimin e kalasë.

Kalaja e Prizrenit, edhe pse në këtë gjendje jo të mirë që është, vizitohet nga 1 000 turistë në ditë.

Vapa si arsyetim apo pikënisje për falimentim!

0

bexhet Shala KMDLNJBehxhet Sh. SHALA

Territori evropian , mentaliteti afrikan: Në Republikën e lodhur shumë të Kosovës po bën vapë e madhe. Temperaturat po shkojnë deri më 40 gradë në hije. Merreni me mend se deri ku shkojnë nëse nuk jeni në dhe nën hije ! Prandaj i kuptoj dhe i admiroj politikanët tanë që në temperatura sahariane asnjëherë nuk ndalen së punuari për të mirën dhe interesin e tyre aq më parë që, si të zgjedhur nga populli janë populli vet! Janë ajka e këtij populli i cili është bërë si qumështi me 0% yndyrë shkaku se ajkën e kanë mbledhur dhe po e mbledhin ata që janë të thirrur ta bëjnë këtë . Ajka e popullit ! Ndoshta për ngushëllim duhet të themi se qumështi pa yndyrë është shumë i kërkuar, i dobishëm për shëndet dhe rekomandim i mjekëve kundër shumë sëmundjeve dhe se parandalon sulmin në zemër , tru ( për ata që e kanë ) dhe enëve të gjakut! Populli duhet të ketë yndyrë dhe besoj se edhe populli ynë e ka! Politikanëve u del yndyra , dikujt më shpejt e dikujt më ngadalë ! Asnjëherë nuk e kam pasur të qartë pse politikanët ndonëse nuk kanë fare yndyrë quhen ajka e popullit! Disi logjikisht nuk po ma kapë truri i cili, edhe ashtu po reagon vetëm sa për të siguruar mbijetesën fizike .

Prandaj duhet ta kuptoni se po vetdeklarohem se nuk mbajë përgjegjësi as politike e as ligjore për këtë që po e shkruaj. Duhet ta pranoni se nuk është aspak e lehtë të shkoni çdo javë në Bruksel si Zezdita jonë e famshme e cila pas një kohe të caktuar lirisht mund të punësohet si cicerone në Bruksel për blerësit me xhepa të thellë të cilët janë të interesuar të bëjnë shoping në kryeqytetin e Evropës. Jam i sigurt se Zezdita i di më mirë butiqet dhe restorantet për të kamurit në Bruksel se që i di Inspektorati i Punës i Kosovës ndërmarrjet që e shkërdhejnë Ligjin e Punës në Prishtinë! E lëre më në Kosovë !

Se gënjen njeriu për të shpëtuar një jetë apo për ta liruar dikend prej një zori të madh , e kuptoj! Se gënjen njeriu për shtetin dhe popullin gjithashtu e kuptoj sepse kjo edhe lejohet dhe nuk mund të llogaritet si shkarje etike! Se gënjen njeriu pa asnjë arsye apo vetëm sa për të mbetur pjesë e një loje të ndyrë kryesisht, nuk e kuptoj në asnjë mënyrë! Po definitivisht jemi popull me fat ! Politikanët tanë kurrë nuk kanë gënjyer dhe nuk gënjejnë për interesa të tyre të ngushta apo për të mbijetuar ! Ata , edhe kur duhet t’i shmangen të vërtetës e bëjnë për motive të larta morale, kombëtare dhe njerëzore ! Duke i shërbyer shtetit dhe duke u sakrifikuar për popullin! Duke e shkërdhyer popullin në çdo situatë dhe nga çdo pozitë . Jo të gjithë e bëjnë këtë! Psh. Ahmadinexhati nuk e ka shkërdhyer popullin e Kosovës.

As Robert Mugabe e as Raul Kastro ! As Berluskoni .. Ndale pak këtu se këtij nuk i besohet e as bunga – bungave të tij . Do të thoni se as Holland, Obama , Merkel apo baronesha e famshme dhe dilerka e puthjeve për Serbi dhe Kosovë , zonja Ashton nuk e bëjnë këtë ! E pse atëherë na detyrojnë të bisedojmë me Serbinë për çështje të cilat janë çështje ekskluzivisht të një shteti ?! Pse duhet të bisedojmë për Mitrovicën e jo për Nishin apo për Novi Sadin?! Pse duhet të bisedojmë për liqenin e Ujmanit ( Gazivodës ) e të mos bisedojmë për lumenjt Danub dhe Sava ?! Pse duhet Valdete Daka të angazhojë postierët e OSBE –së për shpërndarjen e fletvotimeve për zgjedhjet e 3 nëntorit në komunat serbe (!!!!!!!) kur i kemi postierët e Postës së Kosovës ?! Dhe, pse duhet të diskutohet se si duhet të duken fletvotimet për zgjedhjet lokale në Kosovë dhe nuk diskutohet se si duhet të duken fletvotimet në Serbi ?!

Kush po gënjen në këtë mes ?! Ata që duhet ta thonë të vërtetën apo ne që na është dehidruar truri ! Më shumë nga temperaturat e larta të gënjeshtrave vendore dhe ndërkombëtare se sa nga temperaturat e larta të caktuara nga Zoti! Pse do të duhej që Serbia të jetë përcaktuese e zhvillimeve në Kosovë dhe të bëhet bashkëpronare e Kosovës pa investuar asgjë përveç dhunës më shumë se një shekull?! E kuptoj se bisedimet midis dy shteteve që kanë probleme janë të domosdoshme! Ama nuk e kuptoj që ne gjithmonë të ndahemi të lagur! Dhe pse vetëm ne duhet të lëshojmë pe?! Pse vetëm ne duhet ta hamë çdo gjë që na hudhet në pjatë?! Në fakt Serbisë po i ipet menyja me listëne e ushqimeve ( kërkesava ) ndërsa ne po na caktohet pjesa mekanike e punës . Larja e pjatave ! Qoftë me lavatriqe apo shumë herë po përdoret edhe mënyra klasike dhe tradicionale e larjes . Lëpirja e pjatave! Dikush sahanlëpirjen e ka pasur shenjë identifikimi dikur! Është bërë shumë problem të hiqet dorë nga tradita ! Analizojini anëtarët e delegacioneve nga Kosova . Të kaluarën e tyre apo të parardhësve të tyre dhe gjërat bëhen të qarta!

Analizojini gjirollogaritë e tyre para dhe pas përfundimit të negociatave dhe do ta keni të qartë cili ka qenë motive i tyre “ për mbrojtjen e interesave të shetit “! Analizojini ngritjen e rrufeshme të tyre në shkallarën e kierarkisë dhe do ta kiji të qartë motivin e tyre për “ mbrojtje të interesave shtetërore dhe ato të popullit “.Gjërat po marrin erë dhe ky kundërmim nuk largohet me mbyllje të hundëve ! Kush është Serbia që po luan qoke me ne dhe kush janë këta “ tanët “ që gjithashtu po luajnë qoke me ne ?! O Zot i Madh më ndihmo që truri im të këndellet dhe të gjykoj drejt duke besuar se ky është vetëm makth i çastit ! Apo lajthitje e rastit ! e jo inskenim që shumë lehtë na dërgon në falimentim!

Këmbëthikpërpjetja si pjesë e traditës : Një mik i imi të cilin e çmoj si doajen të gazetarisë eteristike në Kosovë e tash besa edhe po shkruan duke dërguar projektile të shkurtëra por shumë vdekjeprurëse ka shkruar për zonjën me këmbë thik përpjetë në një amasadë të Kosovës në një shtet tjetër duke konsideruar si diçka skandaloze . Në fakt me këtë mikun tim kam dallime dhe nuk pajtohem çdoherë e sidomos jo tani. Sepse, nëse francezët përkatësisht A. Dima e ka shkruar “ Zonja me Kamelie “ pse ne shqiptarët mos ta shkruajmë “ Zonja me këmbë thik përpjetë “.!

Në fund të fundit këmbët thik përpjetë janë pjesë e traditës sonë prandaj këtu nuk mund të flitet për asgjë skandaloze ! Merreni me mend po ta zinin ndonjë nëpunëse të ambasadës në një pozitë të perservitetit të skajshëm. Duke i pritur palët me mirësjellje dhe kulturë! Atëherë vërtetë do të llogaritej skandal i vërtetë! I njëjti Muharrem shkruan se në pushtet lehtë mund të vijnë ata që kanë punuar me dhe për Serbinë por nuk i tregon emrat duke thënë se :” kjo është pyetje ( emrat e mundshëm ) për 1 milion dollarë “! Unë dua të hyjë në biznes me Muharremin . Thjesht , le t’i jep vetëm 100.000 dollarë dhe unë do t’i them emrat për të cilat Nitaj thotë se vlejnë 1 milion dollarë! Ata 900.000 dollarë që mbesin nga 1 milionë le t’i mbajë për vete ! Së paku 50% të emrave që nuk i përmend Muharremi janë në pushtet apo shkërdhehen me pushtetin. Afërsisht 20 % pinë kafe me Muharremin dhe mua ndërsa 30 % i kanë postet e garantuara dhe të rezervuara me Pakon e Daçiqit dhe Nikoliqit!

Dy atllarë nuk lidhen në një mullarë: E keni vërejtur se kohën e fundit njëri Behxhet ( Shala ) po shkruan më rrallë dhe tjetri Behgjet ( Pacolli ) është bërë si Rita Ora. Nuk po zbret nga faqet e gazetave dhe nga Shtëpia e vetme Publike e regjistruar në Kosovë – RTK. Madje , sipas parimit të okupimit të Vol Stritit ai ka okupuar edhe televizionin me vetëm një klan dhe vetëm një padron – Klan Kosova si dhe në televizionin e Miliarderit – KTV. Mos të flasë për mediet në Afrikë, Azerbejxhan, Kazakistan, Jagodina, Palma Plus dhe RTS. Botërisht e pranoj se kam mbetur askund hiç dhe nën hijen e Berluskonit lokal , Gjet Macollit! Kam pësuar fijasko mediale ! Edhe gazeta për të cilën kam shkruar qe pesë vite po më diskriminon kur po shkruajmë të njëjtën ditë me Pacollin duke me vendosur në bisht të sorrës! Këtu po e shoh se kemi një gazetari që i di vlerat dhe i çmon analizat e mirëfillta.

Dhe kjo më bën të ndjehem shumë mirë sepse po vlerësohen ata që kanë sakrifikuar çdo gjë për shtetin e Kosovës, popullin e saj kosovar, shqiptarët e Shqipërisë dhe patriotët e Tanzanisë. Prandaj, duke e pranuar cilësinë mbi meritokracinë deklaroj se jam deklasuar krejtësisht në planin publicistik nga miku im i madh Behgjet Pacolli për të cilin gojëkëqinjt thonin se nuk e kam mik! Pastaj, për ta zbutur paksa këtë fijasko publicistike po thirrem në traditën tonë shekullore se :” dy atllarë nuk lidhen në një mullar”. Po tërhiqem vullnetarisht nga lidhja në atë mullar. Le të mbetet ai mullar vetëm për Behgjetin ! Më duhet ta pranoj, ndonëse jo me shumë dëshirë se po vjen koha e vlerave të mirëfillta ! T’i respektojmë ato ! Ma m.. nuk mund të bëhet se që është bërë !
12 gusht 2013 Prishtinë