9.4 C
Prizren
E shtunë, 11 Prill, 2026
Home Blog Page 9089

Rikandidimi i Mujës për kryetar të Prizrenit në pikëpyetje

0

RamadanMuja-kryetariPartia Demokratike e Kosovës (PDK) ka hequr dilemat rreth mundësisë së rikandidimit të Ramadan Mujës për kryetar të Prizrenit. Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati ka thënë se PDK-ja do të tregohet e kujdesshme me rikandidimin e kryetarëve të komunave që janë nën hetime nga organet e drejtësisë.

“Nëse del i pafajshëm atëherë ne mund ta kandidojmë atë (Mujën), sepse konsiderojmë se Prizrenin mund ta fitojmë me të, por nëse del përgjegjës në asnjë mënyrë nuk do ta kandidojmë”, ka thënë Musmurati për KD.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ende nuk ka arrit tw zgjedhw as kryetarin e Degës në Prizren. Edhe pse publikisht nuk e ka shpallur kandidaturën Ramadan Muja ka deklaruar se për emërimin e tij në krye të të PDK-së në Prizren “vendosin ata naltë”. /PrizrenPress.com/

Daçiç nuk mund të votojë në Prizren

0

Ddacic5-20Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq, e ka përjashtuar mundësinë që kryeministri serb, Ivica Daçiq, ta shfrytëzojë të drejtën e votës në Kosovë më 3 nëntor.

“Ai është i lindur në komunën e Prizrenit, por ai nuk është banor i asaj komune, kështu që Ligji ia pamundëson atij marrjen pjesë në zgjedhje”, ka thënë Jevtiq.

Ndryshe, sipas Ligjit për Zgjedhjet, Neni 12, pika 12.2, thuhet se votuesi ka të drejt të votojë vetëm në komunën ku ai, apo ajo, janë të regjistruar si qytetarë të përhershëm, përveç nëse përcaktohet ndryshe me anë të Ligjit.

Komploti i Serbisë me “veshka”

0

plaku ne varrezaMbetjet mortore serbe ishte planifikuar tash një vit e gjysmë të sillen në mënyrë ilegale në Kosovë dhe të varrosen skaj kufirit me Serbinë. Këto mbetje do të vendoseshin në zonat ku hetuesit e Tribunalit të Hagës do të nisnin gjurmimet për hetimet rreth trafikimit të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovës.

Shërbimet serbe kishin gjetur grupin e kosovarëve për ta realizuar këtë plan të Serbisë që të sjellin “dëshmi” së në Kosovë është bërë trafikim i organeve. Për transportimin ilegal të një mbetje mortore shërbimi serb do të paguante 20 mijë euro. Kështu bëjnë të ditur burimet e besueshme të gazetës “Zëri”, të cilat zbardhin në detaje planin e shërbimeve serbe me trafikantët kosovarë.

Madje, sipas këtyre burimeve, bartja e tyre është planifikuar që të bëhet me veturat e ndihmës së shpejtë të spitalit rajonal të veriut të Mitrovicës, për të mos u dyshuar gjatë kontrollit kufitar nga policia dhe Doganat.

Ky plan është zbuluar gjatë një hetimi tjetër, derisa po përgjohej grupi i trafikantëve, të cilët u arrestuan ditë më parë për bartjen në mënyrë ilegale të kosovarëve përmes Serbisë në Evropë.

“Plani për sjelljen e mbetjeve mortore është zbuluar gjatë përgjimit për trafikimin ilegal të kosovarëve tash një vit e gjysmë”, sqarojnë mes tjerash burimet, duke shtuar se gjithçka është zbuluar përmes përgjimeve të telefonave.

“Aktualisht hetuesia ka mijëra faqe përgjime”, ka thënë një zyrtar i lartë pranë hetuesisë vendore. Arrestimi i tyre zyrtarisht nga policia është deklaruara të jetë bërë vetëm për trafikimin e kosovarëve përmes Beogradit, por për disa brenda këtij grupi, ka fakte shtesë me të cilat do të përballen së shpejti të pandehurit.

Disa nga grupi i trafikantëve të arrestuar madje dyshohen se për këtë “miqësi” me këto grupe serbe kanë përfituar materialisht nga këta të fundit. Këta serbë kanë qenë bashkëpunëtorë edhe për kontrabandimin e mijëra kosovarëve që në vitin e fundit kanë arritur që përmes territorit serb të kalojnë kufirin me Hungarinë.

Janë premtuar dëshmitarë të rrejshëm

Ka disa muaj që një grup kosovarësh ishin kontaktuar nga shërbimi serb, për të realizuar planin që përfundimisht 14 vjet pas përfundimit të luftës do të “gjendeshin dëshmi se gjatë luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ka bërë trafikim me organe të civilëve serbë”./Zëri/

343 kandidatë konkurrojnë për 61 arsimtarë në Rahovec

0

Rahoveci5-22Në konkursin e fundit për mësimdhënës  në  Rahovec kanë aplikuar  343 kandidatë  për gjithsej 61 vende të lira të punës.

Në 18 shkolla  fillore për 35 vende të punës  kanë aplikuar 170 kandidatë , kurse për 26  mësimdhënës në 3 shkolla  të mesme  kanë aplikuar 173 sish.

Drejtoresha e Arsimit, Besa Hoxha-Beqiri  tha se edhe këtë vit interesimi  për punësim  në sektorin e arsimit ka qenë i madh. “Vende në arsim sihen si mundësi e vetme Kjo është arsye pse  kandidatët ia mësyjnë  arsimit”, tha  Hoxha-Beqiri,shkruan KD. Ajo tha se intervista  nga komisioni përkatës  do të mbahet  më 21 dhe 22 gusht.

Gjuha e re e artit skenik

0

Gjuha-e-re-e-artit-skenik-249x320A do t’i përdorte Shekspiri, Wagneri mjetet e sotme për të krijuar veprat e tyre (n.q.s do jetonin sot)? Po Moxarti, çfarë muzike do bënte dhe me çfarë mjetesh? Ne jetojmë në vitin 2013. Ky është një fat për artin, sepse jetojmë në kohën e teknologjisë, e cila na bën të mundur realizimin e çfarëdo ideje artistike. Nga animacioni te filmi, arti vizual, etj. Po ku është arti skenik. Çfarë po ndodh me të në botë dhe në Shqipëri?

Në botë

Arti skenik është në një fazë të revolucionit të shprehjes, mendimit, perceptimit dhe realizimit. Mënyra sesi teatri, baleti, cirku dhe opera po i prezantohet publikut përveç formës tradicionale dhe lirike gradualisht po shtojnë elementët e rinj që videoprojeksioni, zhurmat, mekanika, ndriçimi dhe kostumografia po shtojnë si elementë shtesë në skenë. Kjo ka bërë që shumë gjuhë artistike si kinemaja, animacioni, dokumentari, fotografia, 3D, zëri, iluzioni, transformimi në kohë dhe atmosfera të jenë shumë prezentë në skenë, duke bërë të mundur transformimin e saj si dhe duke shtuar emocione të reja.

Elementi tjetër po aq i rëndësishëm është ndërthurja e shumë formave artistike për artin skenik. Duke filluar që nga arkitektura, arti vizual, gjuha filmike, dizajni i zhurmave, programimi i aplikacioneve, drita, muzika, etj., kanë bërë të mundur që vepra skenike të jetë më afër realizimit të një “filmi direkt” në skenë. Këto elementë janë shumë të rëndësishëm, sepse publiku i sotëm i rrethuar nga tableta dhe smartfone është shumë i kultivuar, me një mundësi imagjinate shumë të madhe. Sipas një mikes sime antropologe, njeriu modern ka nevojë për emocione të reja. Por gjithashtu, këto mjete ndihmojnë për të pasur një kontakt më të lehtë me kohën e shkuar dhe me të ardhmen. Pra përcjellja e një gjendjeje, emocioni apo ngjarje duhet ta respektojë këtë stad ku jemi sot, duke përdorur mjetet e kohës në mënyrën e duhur.

Regjia skenike

I gjithë ky zhvillim ka sjellë një ndryshim thelbësor në regjinë skenike. Regjisori i teatrit, baletit apo operës në ndryshim nga regjisori i kinemasë nuk ka mjete pune, nuk ka kamera apo montazh. Nuk shoqërohet nga ndonjë pajisje. Mjetet e tij janë njerëzit me idetë dhe mjetet e tyre. Sa më shumë njohuri të gjëra ka ky regjisor, sa më shumë komunikues, sa me më shumë njohje, aq më shumë elementë shprehës do ketë skena, duke shmangur faktin që e gjithë pesha skenike të bjerë mbi artistin në skenë. Në të tashmen, regjisori skenik do sjellë filmin në skenë, do ketë mundësinë e transferimit të publikut në kohë dhe gjendje të ndryshme dhe pse jo dhe në hapësirë.

Në Shqipëri

Arti vizual dhe teatri ka qenë gjithmonë në avancë, duke kërkuar gjithmonë mjetet e duhura për realizimin e ideve artistike. Kjo në Shqipëri akoma mungon, madje është në rënie. Personalisht vë re një mungesë të njohurisë nga regjisorët e artit skenik dhe skenografët të mundësive të reja teknike, një mungesë komunikimi dhe dëshire për t’u familjarizuar dhe për t’u përdorur këto forma. Ndërkohë që sot shkenca dhe arti janë pothuaj të bashkuar në realizimet artistike, në Shqipëri vihet re një folklorizëm në realizimet skenike, duke bërë që pjesët teatrale të mbesin vetëm tek aktori dhe skenografia me karrige dhe arti vizual të abuzojë me konceptin. Duke qenë një vend që ka një traditë me kinemanë do ta shikoja shumë të rëndësishme komunikimin e kinemasë me teatrin (së bashku me artin vizual), gjë që do të sillte një këndvështrim ndryshe i veprës skenike. Njëkohësisht është shumë i rëndësishëm edukimi në Universitetin e Arteve në mënyrë që studentë të regjisë skenike, skenografisë, kinemasë, muzikës, koreografisë, multimedias etj., të shkëmbejnë si dhe të njohin teknologjitë për artin (të cilat zhvillohen çdo ditë). Kjo përveç një vepre më koherente dhe shumë më shprehëse në skenë do sillte dhe një gjithëpërfshirje të shumë artistëve për një vepër skenike./shqip/

Vlashi, sjell 700 vjet muzikë

0

Vlashi-320x303Vlashi“Durrës 700 vjet muzikë. Nga Kukuzeli deri në ditët tona”. Kjo është motoja e edicionit të dhjetë të “Netëve të muzikës klasike” që hap siparin sot në qytetin e Durrësit. Ky vit shënon dhe jubileun e parë të këtij aktiviteti të rëndësishëm për muzikën klasike në vend. Nata e parë e Bienales do të nisë në Katedralen Shën Lucia, ku kori kamertal i Filarmonisë së Kosovës, me dirigjent Rafet Rudin, do të sjellë pjesë nga Jan Kukuzeli.

Më pas, muzika klasike do të pushtojë amfiteatrin roman. Natën e tretë do të jetë muzika baroke, për t’u ndjekur më pas nga arshivat e familjes Durazzo, dhe tingujt e Vivaldit, nën interpretimin e artistëve Adelina Hasani, violinë (Holandë), Mira Ikonomi, violinë (Shqipëri), Nevila Kalaja, violinë (Shqipëri)), Moni Kuriçi, violonçel (Shqipëri),Pirro Sota, fagot (Shqipëri), Daniel Vlashi violinë (Spanjë), Florian Vlashi, violinë (Spanjë). Muzika romantike do të jetë në natën e katërt nën interpretimin e pianistëve Aksinja Xhoja dhe Erli Lila. Nuk do të mungojnë gjatë ditëve të festivalit dhe nata e yjeve të rinj, mbrëmja e muzikës shqiptare, ajo e muzikës moderne. Në shtatë ditë, të gjitha veprat do të jenë brenda strukturës tashmë të konsoliduar të festivalit. Për violinistin Vlashi, vepra më e rëndësishme që do të prezantohet në këtë jubile është “Antifonari i Durrsakut, Gjergj Danush Lapacaj” (1532). “Është padyshim një ngjarje e jashtëzakonshme për kulturën shqiptare. Do të vij ta prezantojë muzikologu Domenico Morgante, i cili e ka prezantuar për herë të parë para publikut.

Kjo vepër do të interpretohet nga Kori kamertal i Filarmonisë së Kosovës drejtuar nga Rafet Rudi në galeritë e Amfiteatrit Roman të Durrësit. Po aty do të luajë dhe kitaristi me famë botërore, Ehat Musa”, thotë Vlashi. Interesante në programin e bërë publik nga festivali është dhe pjesa “matematika dhe muzika”. Kjo pjesë është interpretuar edhe në Spanjë dhe ka pasur sukses. “Është tepër interesante si tematikë dhe sjell shumë befasi. Një prej tyre është dhe paraqitje e një vepre të Mozartit e titulluar “Lojë me zare muzikore”, që nga mënyra se si është e ndërtuar, do të jetë një premierë botërore në Shqipëri, sepse ka 46 mijë bilionë variante”, thotë Vlashi. Qëllimi i këtij aktiviteti është të ruajë traditën muzikore në vend, por dhe t’i japë hapësirë prirjeve dhe tendencave të reja.

Selimi: Daçiç mund të votojë në Prizren!

0

Petrit SelimiZëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi ka deklaruar se kryeministri serb, Ivica Daçiq pasi është i lindur në Kosovës është edhe qytetar i Kosovës dhe mund të votoj në zgjedhje lokale në Prizren nëse figuron në listën e votuesve kosovar.

“Në parim, Ivica Daçiq është qytetar u Kosovës sipas asaj që ai është i lindur këtu. Nëse figuron në listën e votuesve kosovar, mund të votoj në vendin ku ka lindur apo ku është regjistruar, respektivisht në Prizren, me çka do t’i jepte kuptim parimit të llojshmërisë në njërin nga qytetet më të bukur në Kosovë dhe Ballkan”, ka thënë Selimi për Danas,transmeton Orainfo.

Ai ka shtuar se zgjedhjet për herë të parë organizohen në tërë Kosovën, duke përfshirë edhe komunat në veri.

“Për herë të parë kemi angazhim të plotë të Kosovës, BE-së dhe Serbisë që votimet të mbahet në tërë Kosovën, në pajtim me ligjet zgjedhore të Kosovës, për një trup që do të funksionoj në kuadër të sistemit kushtetues të Kosovës. Ky mund të jetë momenti kryesor në stabilizimin e marrëdhënieve në Ballkan”, ka thënë Selimi.

Ia bën sefte në Prizren – Elina Duni mbyll “DokuNights”

0

ElinaDuni-kengetare“DokuNights” do ta sjellë këngëtaren me origjinë nga Shqipëria, Elina Duni, e cila do të performojë më 25 gusht në Prizren në natën përmbyllëse të “DokuNights”. Nita Deda, drejtuese e komunikimit të festivalit “DokuNights”, u shpreh shumë e kënaqur që Elina do të jetë këngëtarja që do ta përmbyllë këtë vit festivalin.

“Kemi zgjedhur Elinën sepse është një këgëtare e njohur edhe jashtë kufijve shqiptarë dhe muzikën e saj e respektojmë shumë. Pastaj ajo kurrë nuk ka performuar në Prizren dhe është shumë kënaqësi për ne ta kemi në festival”, ka theksuar Deda në një bisedë për Trubina, për performancën e së cilës është zgjedhur një vend ndryshe nga herët e kaluara.

“Performanca e Elinës do të mbahet jo ku i mbajmë zakonisht koncertet e “Dokunights”, por kjo performancë do të mbahet në kinemanë e vjetër të Lumbardhit. Kjo për arsye se muzika e Elinës është më intime dhe kërkon më shumë fokus nga publiku”, ka shtuar tutje Deda, duke premtuar shumë risi në nëntë netët e “DokuNights”, gjatë të cilave do të ketë çdo natë muzikë të zhanreve të ndryshme dhe grupe nga e gjithë bota.

Kosova nuk ka listë për arrestim të serbëve

0

QeveriaKosoves-NdertesaQeveria e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e saj në lidhje me deklaratat e djeshme spekulative për ekzistimin e një liste të personave të cilët planifikohet të arrestohen nga autoritetet kosovare.

Deklaratat e fundit në media për ekzistimin e kësaj liste sekrete që përmban emrat e serbëve janë thjesht spekulative, të pabaza dhe janë pjesë e një propagande të orkestruar që ka për qëllim pengimin e proceseve paqësore dhe demokratike, thuhet në komunikatën e sotme të qeverisë së Kosovës.

“Spekulimet e tilla janë kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe e pengojnë implementimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të arritur në prill të këtij viti. Si të tilla, këto dezinformata të shpërndara në media nuk janë në funksion të së mirës së qytetarëve të Kosovës e as atyre të Serbisë.

Republika e Kosovës e respekton rendin juridik dhe standardet ndërkombëtare në të gjitha procedurat kriminale që inicohen në përputhje me procedurat e parapara me legjislacionin në fuqi.

Në këtë kontekst të gjitha rastet e krimeve potenciale shqyrtohen individualisht, bazuar në përmbajtje nga institucionet relevante gjyqësore që veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës”, thuhet pos tjerash në këtë komunikatë.

Barrikadat, simbole turpi

0

Barikada ne mitrovicDy nga shumë barrikada, të cilat ishin vendosur në vitin 2011 nga serbët lokalë në veri të Kosovës, vazhdojnë të qëndrojnë ende, njëra mbi urën kryesore mbi lumin Ibër, që ndan pjesën jugore me atë veriore të Mitrovicës, dhe tjetra, në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve, përmbi urën lindore.

Barrikadat vazhdojnë të paraqesin pengesë për qarkullimin e lirë të qytetarëve në atë pjesë të vendit, madje edhe tash kur zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë, janë paralajmëruar të mbahen edhe në veri të vendit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se barrikadat kanë vështirësuar jetën e qytetarëve në përgjithësi.

“Barrikadat gjithsesi që paraqesin pengesë në çdo sferë të jetës, në radhë të parë për qarkullim të lirë. Përderisa ato janë prezent aty, ne nuk mund të flasim për një lëvizje dhe qarkullim të lirë të qytetarëve. Prandaj, në çdo sferë të jetës ato mund të paraqesin problem”, ka thënë Hoti.

Hoti ka shtuar se çështja e largimit të barrikadave është e karakterit politik dhe se për largimin e tyre kërkohet përfshirja e të gjitha institucioneve të sigurisë.

“Vendimet e tilla sigurisht që ende nuk janë marrë dhe çështja e procesit të largimit të barrikadave, tashmë e dini se ka qenë edhe pjesë e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për faktin që ka marrë një karakter të tillë politik. Sigurisht, që ne presim një urdhër, i cili duhet të jetë i përbashkët, besoj edhe nga vetë Qeveria e Kosovës, por edhe nga KFOR-i, e pastaj të merren vendimet, të përcaktohen autoritetet se kush dhe me çfarë mënyre do të largohen këto barrikada”, është shprehur Hoti.

Komandanti i KFOR-it, Uolker Halbauer, ditë më parë ka theksuar se KFOR-i nuk do ta urdhërojë largimin e dhunshëm të barrikadës në urën mbi lumin Ibër, e cila, sipas tij, është simbol politik dhe paraqet frikën dhe dëshirat e popullit në veri.

Ndryshe nga Halbauer pati deklaruar paraardhësi i tij, Erhard Drevs, i cili e pati quajtur barrikadën mbi Ibër “turp dhe simbol të ndarjes”.

“Natyrisht, që e ndjej edhe si turp këtë barrikadë. Jo që e pengon lirinë e lëvizjes, por ajo barrikadë e paraqet simbolin e ndarjes së një qyteti, i cili në fakt nuk është i ndarë dhe mund të bashkëjetojë”, pati thënë gjenerali Erhard Drevs, gjatë vizitës që i pati bërë Mitrovicës.

Gjatë komandës së tij, KFOR-i pati hequr shumicën e barrikadave, të cilat serbët i kishin vendosur në rrugët magjistrale.

Por, sot, zëdhënësi i KFOR-it, Guenter Bohn, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se sa u përket barrikadave, përkatësisht vendosjes së lirisë së lëvizjes, si dhe krijimit të mundësive për përgatitjen e zgjedhjeve lokale, KFOR-i nuk është adresa e saktë.

“Këto pyetje duhet t’ua bëni politikanëve përgjegjës. Mendoj se kjo është shumë me rëndësi, por KFOR-i nuk është adresa e saktë. Për këtë gjë duhet të bisedojnë politikanët. Ashtu siç edhe ka thënë komandanti i KFOR-it, ajo (barrikada) është simbol politik dhe kur thoni se ai simbol duhet të largohet para zgjedhjeve, mendoj se për këtë duhet të flisni me politikanët përgjegjës për këtë problem, për të cilin mendoni se mund të shfaqet”, ka thënë Bohn.

Sa i përket lirisë së lëvizjes së KFOR-it, ai ka thënë se barrikadat nuk ndikojnë në lëvizjen e tyre dhe se ata kanë mjaft rrugë të tërthorta dhe mundësi që të shkojnë te cilido vend në Mitrovicë.

Lideri i serbëve të veriut, Oliver Ivanoviq, ish-sekretar për Kosovën në qeverinë paraprake serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e barrikadave duhet të zgjidhet me mjete politike, duke pasur parasysh se ky është problem politik, si dhe reflektim i mosbesimit të serbëve ndaj institucioneve të Kosovës.

Sipas tij, heqja e barrikadave deri në fund të këtij viti, është gati e pamundur.

“Barrikadat, si pengesa në rrugë, thjesht nuk kanë kuptim në shekullin 21, por nuk ka as shembull të ngjashëm të kësaj situate kudo në Evropë – që një bashkësi, e cila numerikisht është më e vogël, të jetë e rrezikuar edhe në kuptimin fizik, në fillim të shekullit 21”.

“Mendoj se kërkohet durim dhe se duhet pritur që të ulet shkalla e lartë e mosbesimit te serbët, në mënyrë që ata vetë t’i largojnë barrikadat. Heqja e barrikadave nga kushdo qoftë tjetër, e sidomos nga institucionet e Kosovës, vetëm mund të nxisë erupsionin e pakënaqësive dhe në atë mënyrë të kthehemi prapa për 10 vjet”, ka theksuar Ivanoviq.

Në anën tjetër, Rroksana Qarri, drejtuese e Zyrës për informim në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës presin që gjatë zgjedhjeve të nëntorit, të mos ketë më barrikada në veri të vendit.

“Barrikadat, realisht paraqesin pengesë në lirinë e lëvizjes. Nga nata e mbrëmshme kemi informata se ato kryesisht janë hequr. Një pjesë e marrëveshjes ka të bëjë me lirinë e lëvizjes pa kushte, ne me të drejtë presim që gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit nuk do të ketë barrikada, për arsye se pengesat në zgjedhjet lokale, do të shkojnë në dëm të vetë komunitetit serb”, ka thënë Qarri, duke shtuar se institucionet e Kosovës duhet të besojnë se komuniteti serb do të jetë i arsyeshëm. Megjithatë, ajo ka pohuar se përgjegjësia për heqjen e barrikadave bie mbi institucionet e vendit dhe misionin EULEX.

“Realisht, Policia e Kosovës dhe EULEX-i janë ata, të cilët duhet ta bëjnë të mundshme lirinë e lëvizjes, pra edhe heqjen e barrikadave, por për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme dhe të pajisjeve përkatëse, shpeshherë këto dy institucione kërkojnë ndihmën e KFOR-it”, ka theksuar Qarri.

Barrikadat në veriun e Kosovës ishin vendosur si shenjë e pakënaqësisë së serbëve lokalë ndaj intervenimit të Policisë së Kosovës për futjen nën kontroll të vendkalimeve kufitare në veriun e vendit.