17.4 C
Prizren
E diel, 5 Prill, 2026
Home Blog Page 9110

Ulqini nuk u takon më kosovarëve!

0

Ulqini-plazhiQysh në dekadat e socializmit jugosllav, Ulqini ishte qyteti bregdetare ku gjatë verës shtegtonte thuajse e tërë Kosova. Kosovarët këtu sillnin zhurmën, zakonet e veta si edhe këngëtarët e tyre të preferuar që u këndonin aq sa për të mbajtur gjallë kosovarinë “kreshnike” dhe për t’i mbushur xhepat me euro.

Por, Ulqini i sotëm me asgjë nuk i ngjan atij të dikurshmit që kryesisht kishte ngjyrat e vendbanimeve kosovare. Ulqini i kësaj vere ka më shumë boshnjak, polak, e të huaj të tjerë, kështu që shqiptarët nga Kosova e Maqedonia janë aq të rrallë sa e kalon ditën pa të përshëndetur ndonjë vendas apo i njohur…

Mbase nuk janë vetëm çmimet ato që i çuan kosovarët ta “dorëzojnë” Ulqinin. Ndonëse krahasuar me vendet turistike të Shqipërisë, Ulqini duket më i shtrenjtë arsyeja pse shqiptarët nuk vijnë në pushime në këtë vend duhet kërkuar edhe diku tjetër . Këtu një krevat shkon nga 5 euro deri në 15 euro për një natë. Varësisht në cili krahë u zë gjumi dhe ku doni të flini, diku në brendi të qytetit apo pranë Plazhës së Madhe.

Përpos shtretërve për fjetje, edhe ato të plazheve kanë çmime goxha të larta për xhepin e një kosovari – 5 deri në 10 euro. Kështu që rrezitja mund t’ju kushtoj po aq sa edhe fjetja e natës dhe pushuesit nga dita në ditë e kupton se në Plazhin e Madhë të Ulqinit ka mbetur i pa privatizuar vetëm ajri që thithë dhe deti ku lahet. Pra, zallin e kanë pushtuar privatistët që kanë vënë shenja kufizuese të stilit” ‘Ndalohet luajtja me top përpara çadrave”, “Mos u shtrini përpara çadrave”, apo edhe Mos u shtrini në dy krevate më shumë se dy persona….. Andaj nëse vini me çadrën tuja nën sqetull dhe me top për të lozur fëmijët e juaj, duhet të vendoseni diku “mbrapa” hapësirave ku çdo gjë paguhet. Dhe të mbeteni me shpresë se privatistëve të plazheve nuk u është kujtuar t’u venë shenjë atyre që përdorin çadrat me pagesë që të shohin mos ka ndonjë notues “ilegal” në hapësirën ujore që e kanë shënuar si të veten.

Ulqini i ditëve të para të korrikut është thuajse gjysmë i zbrazët. Për këtë “fajin” kryesor e ka koha jostabile si dhe muaji i Ramazanit. Por, sigurisht që “fajtorë” për këtë janë edhe çmimet e larta si dhe vendimi i kosovarëve që vendpushimin që ua kujton kohët e shkuara ta zëvendësojnë me të mirat që ua solli demokracia – të pushojnë në plazhet e mëmëdheut – Shqipërisë.

Të pandryshuara mbeten vetëm spotet komerciale që mund ti shohësh gjithandej nëpër televizione të ndryshme, aty ku propagandohet për shërbime cilësore dhe traditë të turizmit. Mirëpo, efekti i këtyre promovimeve jo reale të financuara nga kompani të ndryshme të udhëtimit është zbehur dukshëm. Pavarësisht se të gjitha këto spote komerciale janë në gjuhë shqipe, ato sivjet kanë hasur në veshin e shurdhër të kosovarëve..

Mungesa e turistëve i bënë të pakënaqur pronarët që japin me qira shtëpitë e tyre si dhe ata të restoranteve dhe objekteve tjera turistike. Thuajse të vetmit që nuk shprehin pakënaëqsi janë familjet rome që mirëmbajnë tualetet publike pranë plazheve. Mbase shkaku se turistët mund të sjellin me vete ushqim, çadra…., se ata mund të hanë më rrallë për të kursyer, por nuk mund assesi të venë nën kontroll përdorimin e këtyre objekteve kur ta kërkon trupi./almakos/

AAK, Bashkim Krasniqi kandidat për kryetar të Malishevës

0

Haradinaj-BashkimKrasniqi-malisheveAAK ka nomuniar Bashkim Krasniqin kandidat për kryetar të Komunës se Malishevës.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit të djeshëm në Malishevë dhe në prani të shumë qytetarëve, strukturave të degës, anëtarëve e simpatizantëve të AAK-së bëri nominimin e kandidatit të AAK-së, Bashkim Krasniqit, për kryetar të Komunës së Malishevës. /PrizrenPress.com/

Vendlindja e Shtjefën Gjeçovit – Janjeva, qyteza e harruar

0

Janjeva, qyteza e harruarSipas gjetjeve arkeologjike, konsiderohet se Janjeva është lokalitet mjaft i lashtë. Këtë e dëshmojnë mbishkrime të shumta që janë gjetur në këtë vend. Në dokumentet e shkruara, përmendet për herë të parë në vitin 1303.

Janjeva, po ashtu, është vendlindja e Shtjefën Gjeçovit, veprimtarit të shquar të lëvizjes atdhetare, etnograf, arkeolog dhe shkrimtar shqiptar.

Janjeva ka qenë e njohur për xehetari, zejtari, shkrirje dhe përpunim të metaleve, artizanateve, nga argjendi e ari, dhe në fund edhe me ato të plastikës. Në vitin 1488, kjo qytezë e kishte edhe ligjin e vet të xehetarisë.

Nga një qendër kaq e njohur shumë kohë më parë, historia e Janjevës ka ndryshuar shumë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në ditët e sotme, komuniteti pakicë i kroatëve që jeton në Janjevë, lufton për mbijetesë dhe përballet me kushte shumë të rënda ekonomike, gjë që edhe është arsye për largimin e shumë banorëve, të cilët kërkojnë jetë më të mirë.

Tashmë, shumica e shtëpive në Janjevë janë të braktisura dhe të shkatërruara.

Nga kisha, që gjendet në majë të një kodre në Janjevë, me disa minuta të paktë ecjeje, mund të mbërrish në qendër të qytezës.

Rrugës nuk është e zakonshme të takosh shumë njerëz. Në qendër, shihet numri i paktë i shitoreve dhe kafeneve. Nëpër kafene janë të ulur pak njerëz, të cilët flasin me njëri-tjetrin pranë një gote me raki të vendit.

Petar Palic, një nga ata që Radio Evropa e Lirë i takoi, kishte jetuar në Janjevë deri në moshën 30 vjeçare, dhe pastaj, në vitin 1995, ishte shpërngulur në Kroaci.

Ai kohë pas kohe kthehet në Janjevë për t’i vizituar familjarët, ndërsa shton se ka kohë që ata nuk ndihen si në shtëpinë e tyre.

“Ne nuk jemi pakicë si serbët. Por, jemi pakicë brenda pakicës. Ne jemi këtu me lojën e fatit, tash e 700 vjet. Duam të na respektojnë si më parë. Tash e kemi shtetin tonë, Republikën e Kosovës. Nuk kërkojmë më shumë se të na respektojnë, ashtu sikurse edhe ne i respektojmë të tjerët. Të ndjehemi si në shtëpinë tonë”, thotë Palic.

Por, ka edhe banorë që janë rikthyer në qytezën e tyre. Nikola Brkic është një prej atyre që ishte shpërngulur për në Kroaci, por tani ai është rikthyer të jetoj në vendlindje.

Ai është baba i katër fëmijëve. Shqetësohet për fëmijët e tij, e arsye kryesore për këtë është që ata mësojnë në gjuhën serbe, e jo në atë kroate.

Brkic, është i papunë. Duke e parë që nuk ia del ta mbajë familjen, ai ka filluar të punojë tokën.

“Kam filluar ta kultivoj tokën, pasurinë që e kam. Jetoj këtu dhe punoj këtu. Kam një ndihmë sociale. Jetohet vështirë në Janjevë dhe tashmë kanë mbetur vetëm pesë për qind të kroatëve këtu. Rreth 95 për qind të njerëzve janë shpërngulur nga Janjeva. Ka pak njerëz të punësuar këtu. Janë disa që punojnë në arsim dhe në shëndetësi. Të tjerët merren me bujqësi, por nuk kemi kushte për të nxjerrë prodhime bujqësore”.

Ai kujton kohën sa ka qenë i shpërngulur në Kroaci, dhe thotë se është e rëndë të mendosh se në çfarë kushte kanë jetuar atje, dhe në çfarë kushtesh jetojnë sot në Kosovë.

“Është e çuditshme, sepse në Kroaci kemi pasur kushte të mira, për shkollim, për shëndetësi. Të gjitha kanë qenë të rregulluara. Kur jemi kthyer këtu, ka qenë rëndë. Fëmijët nuk kanë dashur të jetojnë këtu. Unë ju thosha se do të rrimë një javë apo dy, sepse babanë e kam këtu. Kështu kaloi koha dhe ne mbetëm. Ndryshe, për fëmijët dhe të rinjtë është mjaft rëndë, sepse nuk ka ndonjë zgjidhje apo perspektivë për fëmijët dhe të rinjtë në Janjevë”, rrëfen Brkic.

Marian Palic, punon herë pas here në ndonjë punë sezonale. Ai nuk ankohet, sepse thotë se është një kohë kur shqiptarët, që janë shumicë nuk kanë punë, dhe natyrisht që edhe kroatët e kanë të vështirë punësimin.

“Në Janjevë janë krejtësisht dy familje me të punësuar, që kanë biznese. Të tjerët janë krejtësisht të varfër dhe jetojnë buzë ekzistencës”, thotë ai.

Banorët e Janjevës kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që t’ua mundësojnë fëmijëve të paktë kroat që jetojnë në këtë vend, që të mësojnë në shkolla në gjuhën e tyre amtare kroate.

Sipas tyre, do të ishin të nevojshme investimet në kulturë, sport dhe në infrastrukturë, në mënyrë që t’ju lehtësohej jeta kroatëve që jetojnë në Janjevë.

Vullin: Nuk shtyjmë serbët të dalin në zgjedhje

0

AleksandarVullinDrejtori i zyrës së qeverisë së Serbisë për Kosovën, Aleksandar Vullin ka thënë sot se qeveria serbe do të qartësojë pozitën e saj së shpejti rreth pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë, dhe rreth krijimit të një liste unike serbe.

“Është herët të flitet për barrierat eventuale kur është në pyetje lista unike serbe e zgjedhjeve, kurse pengesa e vetme është mosuniteti i pjesshëm i serbëve”, ka thënë Vullin, pasi liturgjisë në manastiri e Zoqistes në Hoçë të Madhe, ku kishte ndjek liturgjinë e mëngjesit.

Vullin porositi se “ata [serbë] që votojnë në zgjedhjet lokale në Kosovë, do të mund ta bëjnë këtë gjë me dokumentet e Serbisë, kurse i tërë komunikimi do të bëhet përmes OSBE-së”.

I pyetur se si do të binden serbët të dalin në zgjedhjet e 3 nëntorit, ai tha se e kupton brengën dhe dyshimet e serbëve, por se “nuk e ka ndërmend të bind askend”.

“Ne kemi vetëm një interes, dhe një drejtim. Shteti i Serbisë është këtu, dhe do të rri këty. Shteti i Serbisë do të gjej rrugët për të qëndruar në Kosovë”, citohet nga Beta, të ketë thënë Vullin, transmeton REL.

Ai ka ftuar serbët e Kosovës që të unifikohen, sepse, siç ka vlerësuar, vetëm të bashkuar ata mund të mbijetojnë dhe të qëndrojnë në këtë vend.

Sipas zyrtarit të lartë të Serbisë, serbët në jug dhe veri të lumit Ibër, duhet të jetojnë si një popull, sepse të tillë janë, dhe se duhet të kenë të njëjtin qëndrim si qeveria e Serbisë, sepse, siç tha ai, nga kjo varet mbijetesa e tyre në Kosovë.

Jahjaga e Thaçi urojnë Francën

0

Hashim Thaci dhe Atifete jahjagaLiderët institucional të Kosovës kanë uruar sot autoritetet franceze për Ditën Kombëtare të Francës.

Presidentja e Republikës Atifete Jahjaga i shkroi në urimin e saj presidentit të Francës François Hollande se në këtë ditë e cila mbart porosinë e lirisë dhe barazisë në mes popujve, ajo shprehu mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të popullit dhe shtetit francez dhënë popullit të Kosovës në çdo hap.

“Populli i Kosovës do të mbetet gjithmonë mirënjohës dhe do të mbajë në zemrës miqësinë Tuaj,” thuhet në urimin e presidentes Jahjaga.

“Janë pikërisht këto vlera të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë, të cilat po i festoni ju sot, mbi të cilat ne kemi ndërtuar shtetin e Kosovës, një shtet ku të gjithë qytetarët kanë të drejta të barabarta, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare dhe ju ofrohen mundësi për një jetë në paqe, në stabilitet dhe në prosperitet”, thuhet në komunikatën e dërguar medieve nga presidenca.

Në anën tjetër, edhe kryeministri Hashim Thaçi uroi homologun e tij francez Jean-Marc Ayrault, ku thotë se vlerat e Revolucionit Francez për liri, barazi, vëllazëri, me të cilat identifikohet Franca, u përqafuan nga mbarë civilizimi evropian.

“Në këtë kuadër, edhe sot roli i Francës në arenën ndërkombëtare vazhdon të jetë një rol determinues i zhvillimit dhe avancimit të vlerave më kulmore të demokracisë evropiane, një rol ky prestigjioz dhe me përgjegjësi të lartë”, thuhet në urimin e kryeministit të Kosovës.

Në Ditën Kombëtare të Francës, kryeministri Thaçi ritheksoj vullnetin dhe gatishmërinë e qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Qeverinë e Francës në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.

Haradinaj: S’kemi biseduar për koalicion me partitë serbe

0

Ramush haradinaj ne zgjedhjeSerbet e veriut në numër më të madh do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale që priten të mbahen në nëntor të këtij viti. Kështu pohoi Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili tha se ka takime me përfaqësues të partive politike serbe, por se asnjëherë nuk kanë biseduar për ndonjë koalicion të mundshme.

“Serbet e veriut, do të marrin pjesë në zgjedhje në numër më të madh. Pra, e shohin drejtimin. Ka besoj një shtytje të madhe ndërkombëtare, nga Washingtoni, Brukseli dhe nga vendet tjera, që kjo të ndodh. Dhe jam i bindur që dhe Beogradi do të shkojë në këtë drejtim”, theksoi Haradinaj,

Ndërsa sa i përket një koalicioni të mundshëm me ndonjë parti politike serbe, Haradinaj tha se ende nuk ka pasur biseda të tilla me ta, për çështje të koalicionit.

”Kemi komunikim të kohë paskohshëm, por, jo në këtë tematik. S’na ka ndodh deri tani me bisedu mundësinë e koalicioneve. Kryesisht me ata që përfaqësojnë institucionet e vendit tash ne komunikojmë me rregull, kudo që të na ndodh, por s’kemi biseduar ende për një koalicion”, tha ai.

Haradinaj, po ashtu tha se mbyllja e zyrave të MUP-it në veri, është avancim drejtë integrimit të veriut.

Nga 12 mijë studentë që do të pranojë UP, 1400 në tri universitete te reja publike

0

UP-logoUniversiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, i cili sivjet do të pranojë rreth 12 mijë studentë të rinj, në kudër të këtij numri do të përfshihen edhe studentët e tri universiteteve të reja publike, atij të Gjilanit, Gjakovës dhe Mitrovicës. Këto universitete nuk kanë mundur të organizojnë konkurse, pasi ende nuk janë zgjedhur drejtuesit e tyre dhe janë në themelim.

Nga numri prej 12 mijë studentëve që do të pranohen këtë vit akademik në Universitetin “Hasan Prishtina”, 1 mijë e 400 prej tyre do të jenë pjesë e Universitetit të Gjilanit, 350 do t’i takojnë Universitetit të Gjakovës dhe 630 do të pranohen në Universitetin e Mitrovicës. Këtë konkurs nuk kanë mundur ta organizojnë universitetet e reja veç e veç, pasi janë ende në themelim.

Këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Arsimit, Naser Mrasori, tha për Radio Kosovën se në bazë të praktikave me universitetet e tjera publike, konkursi bëhet në kuadër të Universitetit të Prishtinës për të ndihmuar universitetet në themelim.

“Mendoj që është një ndihmesë dhe jo pengesë pse provimet pranuese realizohen në kuadër të Universitetit të Prishtinës. Unë e shoh si ndihmesë që iu është bërë këtyre universiteteve dhe studentët do të vijojnë prej 1 tetorit studimet në institucionet përkatëse, Gjilanit, Gjakovës dhe Mitrovicës”, tha ai.

Universiteti i Prishtinës ka pasur departamente nëpër këto qendra. Mrasori thotë se këtë vit akademik do të fillohet po me ato programe që kanë qenë deri tani, ku më vonë do të bëhen propozimet edhe për programe të reja.

“Këshilli themelues tashmë ka filluar përgatitjen e statuteve të përkohshme dhe rregulloret e brendshme të universiteteve përkatëse, kështu që me kalimin e kohës do të bëjnë propozime edhe për hapjen e programeve të reja. Së pari natyrisht që do të shkojnë përmes akreditimit, duke kryer të gjitha procedurat dhe pastaj të bëhet hapja” , tha ai.

Ndërkohë, rektorët e tri universiteteve në themelim ende nuk janë zgjedhur për të udhëhequr këto institucione. Sipas Mrasorit, kjo varet nga dinamika e punës, ku pasi të nënshkruhen statutet nga Ministri i Arsimit, do të shpallen edhe konkurset për drejtuesit e këtyre universiteteve. Ai shpreson se rektorët e rinj do të fillojnë punë me 1 tetor të këtij viti. Drejtuesit e bordeve të Universiteteve të reja publike janë: në Gjilan, Arben Demaku, në Gjakovë, Bajram Nuraj dhe në Mitrovicë, Alush Musa.

Bashkimi Europian midis realizmit dhe skepticizmit

0

OpinionDaniel Guçe

Ideja se Europa nuk do të jetë një entitet politik i vetëm për momentin, u konsolidua me efektet që nxori në pah kriza ekonomike. Kjo nuk do të thotë se do ta pengojë Bashkimin Europian si organizatë në unifikimin e interesave të mëtejshëm të shteteve anëtare dhe institucioneve përfaqësuese për një fat të përbashkët. Por pyetja lind si do të formatohet dhe cila do të jetë e ardhmja e BE-së pas krizës ekonomike?

Bashkimi Europian u projektua mbi idenë e tregtisë së lirë, e cila do të rregullohej nga një burokraci qendrore e cila do të zbehte nacionalizmin si dhe për të krijuar prosperitetin pa hequr identitetin kombëtar. Monedha e përbashkët Euro është shprehja e fundit e këtij uniteti. Institucionet e Bashkimit Europian u krijuan në mënyrë të tillë për t’u përfaqësuar vendet anëtare, duke e përjashtuar nocionin e shtetit–komb, por kriza e fundit ekonomike nxori në pah elementë të nacionalizmit, gjë që nuk do ta konsideroja si pa rëndësi dhe këtu kam parasysh debatin e vazhdueshëm midis Gjermanisë dhe Greqisë. Hans Ditrih Gensher, ish-ministri i Jashtëm gjerman kohë më parë ka thënë: Unë rrjedhën nacionaliste tek qeveritë anëtare të BE e shoh me shqetësim të madh.

Është e rëndësishme të tolerojmë mbi bërthamën dhe qendrën e ideve të Europës. Pas Luftës së Dytë Botërore krijimi i shoqërisë europiane, e cila u pasua nga krijimi i Bashkimit Europian ishte një shembull i mirë për një rajon për nga veprimtaria e përbashkët dhe me ndikim ekonomik, politik dhe të sigurimit. Nëse bëjmë një krahasim në marrëveshjet e nënshkruara gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, vërejmë qartë se marrëveshjet ekonomike kanë pasur më shumë ndikim në krahasim me marrëveshjet e tjera si ato të sigurimit apo marrëveshjet e tjera sociale. Për këtë arsye bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik është në prioritet të marrëveshjeve rajonale, sepse në sektorin e ekonomisë, bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik sjell më shumë përfitime sesa dëme. Pikërisht për këtë arsye vendet janë më shumë të prirura në bashkëpunimin ekonomik rajonal.

Këtë e dëshmon dhe lista e vendeve që presin të integrohen në BE. Kriza aktuale ekonomike, është testi më i madh për Europën në përballje me sfidat që dalin gjatë integrimit ekonomik. Faktorë si zhvillimet politike dhe sociale brenda vendeve anëtare të BE mund të ndikojnë negativisht dhe të sjellin të kundërtën e integrimit dhe unitetit të Europës. Politikat konservatore të ndjekura nga qeveritë e pasura në veri të Europës dhe mosimplikimi i këtyre qeverive në pagimin e shpenzimeve të integrimit, dëshmon qartë se vendet e pasura nuk dëshirojnë më të vazhdojnë procesin e integrimit. Kjo tezë vërtetohet edhe nga krijimi dhe forcimi i partive nacionaliste dhe kundër integrimit europian në vende të tilla si Gjermania, Finlanda dhe Suedia. Prioriteti i ekonomive kombëtare tek anëtarët e BE, kriza monetare dhe financiare, paqartësia e rrjedhave politike dhe sociale në sektorët kombëtarë të Europës, ka rrezikuar gjithnjë e më shumë unitetin e Europës. Çdonjëra nga vendet anëtare të BE, aktualisht përpiqet të zgjidhë problemet e brendshme, ndërsa BE ndodhet në nivelin e dytë të prioritetit të këtyre vendeve. Në këto kushte, disa kanë propozuar edhe përjashtimin e Greqisë nga Eurozona. Mirëpo moszgjidhja e krizës ekonomike dhe mosparaqitja e propozimeve ndikuese në zgjidhjen e problemeve e ka futur BE në lojën e dominosë e cila është duke e përballur BE me fundosjen graduale të unionit.

Pra opinioni publik i komunitetit europian u nda në “ne” dhe “ata” për vendet që ishin përfshirë në krizë dhe ato që jepnin kontribut të vazhdueshëm në BE. Vendet e përfshira në krizë u quajtën PIIGS-a (derrkucët) një akronim i përdorur nga analistët e bonove ndërkombëtare, akademikët dhe shtypi ekonomik, sepse këto vende vetëm merrnin nga fondi i BE-së. Bëhet fjalë për Portugalinë, Italinë, Irlandën, Greqinë dhe Spanjën. Arsyet se përse këto vende hynë në krizë ishin të ndryshme për secilën. Pa dashur t’i marr në analizë të gjitha vendet e përfshira në krizë dhe raportet e tyre me njëra-tjetrën, nëse do përqendrohesha te raporti i Gjermanisë dhe Greqisë si një rast krahasimor dhe analitik për tezën e ngritur mbi perspektivën e Bashkimit Europian, do të vëmë re shumë probleme të cilat na detyrojnë të ngremë pikëpyetje se si do t’i menaxhojë BE këto efekte negative postkrize ekonomike.

Për gjermanët, ishte papërgjegjshmëria e qeverisë greke në blerjen e pushtetit politik si dhe fshehja e borxhit publik, e cila e çoi këtë vend në krizë. Për grekët, problemi është kontrolli i Gjermanisë mbi politikën monetare të Eurozonës, e cila ka ndërtuar një sistem rregullator që ofron privilegje të padrejta.

Në fund të fundit, Gjermania dhe Greqia janë vende me sisteme vlerash dhe interesash të ndryshme. Ideja që vendet e BE-së të sakrifikojnë për njëra-tjetrën u bë pak e dyshimtë kur Gjermania zotohej të ndihmonte Greqinë, duke i sugjeruar nxjerrjen e ishujve në shitje dhe Gjermania ishte e gatshme t’i blinte me shumën që i duhej Greqisë për të dalë nga kriza. Opinioni publik gjerman dhe grek kundrejt njëri-tjetrit u bënë armiqësorë në rritje.

Franca dhe Gjermania janë dy vendet që drejtojnë politikat dhe institucionet e Bashkimit Europian, çka lë vend për skeptikët në mendimin se edhe shpërndarja e buxhetit nuk do të jetë e barabartë por preferenciale. Ky mendim e rrëzon mitin mbi të cilin BE është ngritur dhe mendimi i mësipërm prej vitesh qëndron tek grekët, spanjollët apo irlandezët. Këta të fundit, pas disa referendumesh, zgjodhën të votonin pro me një diferencë të ngushtë për Traktatin e Lisbonës, pas shumë përpjekjesh të partive politike për të bindur popullin.

Shqetësimi që ngre pikëpyetje në vetvete është nacionalizmi europian. Pas krizës ekonomike, ideja për një Europë të bashkuar ka qenë objekt diskutimi, pasi, si dhe u përmend më sipër, gjeneza e këtij bashkimi ka qenë motivi ekonomik që më tej synonte të artikulohej dhe konsolidohej dhe si bashkim politik dhe kulturor në kuptimin e vlerave të përbashkëta europiane, por pikërisht këtu qëndron dhe sfida e së ardhmes së BE-së, me zgjerimet që janë duke ndodhur: A është gati BE-ja “to hold strong” (të mbahet e fortë) dhe t’i përmbahet qëllimit, por mbi të gjitha të vetëmbahet dhe të gjejë mënyrën për të pasur një përqasje që ruan balancat dhe zgjidh njëkohësisht sfidën e zgjerimit të mëtejshëm?! Kuptohet do ishin një sërë sugjerimesh që do mund të jepeshin apriori por në fakt ajo çfarë duhet mbajtur fort parasysh është që jo pak herë krenaria dhe identiteti kombëtar ngrenë krye, ndaj pavarësisht optimizmit që do arrihet të gjendet një e mesme e artë e këtij komuniteti, që sa po vjen e po bëhet gjithnjë e më tepër një “melting pot”, e vërteta është që situata paraqitet sfiduese.

Vdiq aktori Cory Monteith

0

Cory MonteithKëngëtari dhe aktori Cory Monteith vdiq në moshën 31-vjeçare, këtë të dielë në Kanada. Burime policore bënë me dije se i riu, i njohur kryesisht për rolin e tij të Finn Hudson në serialin e suksesshëm “Glee”, u gjet i pajetë në dhomën e hotelit “Pacific Rim”, në Vankuver.

Aktualisht, jane ende të paqarta arsyet rreth vdekjes së aktorit me një karrierë premtuese, por është përjashtuar pista e vrasjes. Monteith, për të cilin përflitej një lidhje me bashkëprotagonisten e serialit “Glee”, Lea Michelle, kishte kaluar mbrëmjen me miqtë e tij dhe ishte rikthyer në dhomën e hotelit i vetëm. Dyshohet se abuzimi me ndonjë substancë narkotike apo me alkoolin të kenë luajtur rol në vdekjen e tij të parakohshme, ndërsa 31-vjeçari nuk njihet për probleme të mundshme me depresionin. / Top Channel/

Shqipëria 1949, mision i tradhtuar. Pohime të një agjenti të CIA-s

0

70539BEN ANDONI

Kur në prill të vitit 1954, në burgun e Tiranës, Hamit Matjani ngjitej në trekëmbësh, në Washington dhe Londër i vunë një vizë operacionit “Valuable”. Kishte zgjatur pesë vjet tentativa për të nxitur një luftë revolucionare në Shqipëri, për të përmbysur regjimin komunist të vendosur nga Enver Hoxha.

Në pesë vjet kishin humbur jetën qindra shqiptarë antikomunistë, besnikë të monarkisë, republikanë, liberaldemokratë, të gatshëm të luftojnë kundër shtypjes që mbështillte “Vendin e Shqiponjave”.

Me fillimin e Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe shtruan problemin për t’ia shpërblyer me të njëjtën monedhë Bashkimit Sovjetik, i cili kishte mbështetur grushtet e shtetit në Çekosllovaki, Rumani, Hungari, Poloni, Bullgari dhe që po përkrahte partizanët komunistë në luftën civile që po zhvillohej në Greqi.

U zgjodh Shqipëria për një sërë arsyesh. Para së gjithash, gjatësia e bregdetit që ndodhej pikërisht përballë Italisë dhe afërsia me Greqinë. Pastaj varfëria e vendit, i bërë akoma më i varfër nga regjimi komunist. Të arratisur të shumët ishin të vendosur të luftonin kundër regjimit të Hoxhës dhe të ktheheshin përsëri në Shqipëri si çlirimtarë. Për më tepër, gjatë Luftës së Dytë Botërore misione të shumta të Special Operations Executive (SOE) kishin operuar me partizanët, edhe se pastaj Hoxha ua kishte shpërblyer keq kortezinë. Dhe anglezët nuk e harruan.

Në operacionin “Valuable” u kryqëzuan elementë të ndryshëm: profesionalizmi dhe eksperienca e SOE-s, karakteri sipërfaqësor i bashkuar me një farë diletantizmi të CIA-s së sapokrijuar, vullnetarizmi thuajse gjithnjë i kotë i të arratisurve shqiptarë, ndër të cilët rekrutoheshin “luftëtarët e lirisë”, “faktori njeri” i paparashikuar: tradhtia e Kim Filbit, agjent i Secret Intelligence Service britanik dhe oficer ndërlidhës britanik me amerikanen “Office for Policy Coordination” (OPC), e krijuar për të organizuar subversionin në vendet evropiane armike të Shteteve të Bashkuara. Mbrëmjen e 3 tetorit të vitit 1949, një barkë e lyer ngjyrë blu dhe të verdhë, me vela portokalli, e pagëzuar Stormie Seas, (Furtuna e detit) hodhi spirancën gjysmë milje nga bregdeti i gadishullit të Karaburunit. Nga një ekzaminim sipërfaqësor, kishte të gjitha karakteristikat e një anijeje turistësh. Në realitet ishte një anije zbarkim i e “elfëve”, siç ishin quajtur partizanët antikomunistë shqiptarë. Dhe atë natë, nëntë të parët do të ktheheshin në atdhe për t’i vënë zjarrin barutit të revoltës. “Elfët” para pak ditësh kishin përfunduar stërvitjen e tyre në artin e luftës guerilje dhe të sabotimit në Maltë, në fortesën Bin Jema. Si “profesorë” kishin pasur oficerët britanikë të SOE-s, të cilët kishin luftuar kundër gjermanëve në Shqipëri.

Kur prekën tokën, “elfët” nuk mund ta dinin se misioni i tyre ishte i destinuar të dështonte. Kim Filbi, në atë moment ishte duke udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara në bordin e transatlantikut “Caronia”. Kënaqej me udhëtimin, duke ngrënë e pirë shampanjë e duke zhvilluar biseda të këndshme. Por pak para se të largohej nga Londra, ishte takuar me “kontrollorin” e tij sovjetik dhe e kishte vënë në dijeni të operacionit “Valuable”, për të cilin kishte mësuar për shkak të detyrës së tij të re në Washington.

Duke evituar kalimet e vështira dhe burimet e ujit, të gjitha vende ideale për prita, grupi me uniformë, armë, eksplozivë, monedha floriri dhe radio, u nis drejt malit të Tragjasit. Katër burra, të drejtuar nga Bido Kuka, u drejtuan për në Kurvelesh, të tjerët u drejtuan për në Vlorë. Sapo grupi i Bido Kukës mbërriti në fshatin Gjorm, mësuan se shokët e tyre ishin zbuluar dhe kishin rënë në një pritë, në të cilën ishin vrarë kushërinjtë Lepenica dhe Zogoll Sheno, ndërsa i katërti ishte zhdukur. Një vajzë i tregoi Bido Kukës se repartet e ushtrisë shqiptare disa ditë më parë kishin rrethuar të gjithë brezin bregdetar. Nga nëntë “elfët”, katër u vranë, një u zhduk dhe katër shpëtuan.
Misioni i dytë u nda përsëri në dysh: Grupi i Korçës, i udhëhequr nga Sefer Musho dhe grupi i Gjirokastrës, i komanduar nga Bardhyl Gerveshi. Në ndryshim nga grupi i Bido Kukës, i shpëtuan gjuetisë së ushtrisë dhe të policisë. Por vunë re shumë shpejt mosbesimin që i rrethonte, pavarësisht se regjimi i Enver Hoxhës urrehej nga popullsia. Pasi u kthyen të gjithë në Greqi, bënë një raport të detajuar të situatës.

Kishte lindur një lëvizje antiqeveritare, shqiptarë të ndryshëm ishin arrestuar, torturuar nga sigurimi (policia sekrete e Tiranës) dhe eliminuar, njerëzit tregoheshin të interesuar, por më parë donin të shihnin impenjimin direkt dhe konkret të amerikanëve dhe anglezëve. Në OPC dhe në SIS vlerësuan, se përgjithësisht, nuk kishte shkuar aq keq. Me një stërvitje më të mirë dhe një përgatitje politike më të mirë, ishte e mundur që t’ia dilje mbanë në vendin e vetëm komunist, i cili nuk ishte në kufi me Bashkimin Sovjetik.

Një mision në dukje i lehtë, por i bërë i vështirë nga konkurrenca ndërmjet atyre që kishin pikësynime ndaj Shqipërisë ose një pjesë e tyre, si Greqia dhe Jugosllavia. Ose kërkonin ta bënin një zonë të influencës së drejtpërdrejtë, me Shtetet e Bashkuara që synonin të zinin vendin e Britanisë së Madhe. Në fund, dhe jo e fundit, ishte Italia, pika e mbërritjes së emigracionit shqiptar, me të paktën një komunitet të madh në Sicili, dhe interesa asnjëherë të fshehura ndaj Vendit të Shqiponjave, që kishin çuar në pushtimin pak përpara Luftës së Dytë Botërore. Veç të tjerave, shërbimet sekrete italiane kishin stërvitur agjentë shqiptarë gjatë luftës dhe vazhdonin t’i përdornin edhe më vonë, kryesisht nëse ishin katolikë ose të lidhur me partinë indipendentiste. Për më tepër, Romës nuk i pëlqente shumë që amerikanët dhe anglezët përdornin territorin italian si bazë të operacioneve subversive.

Si rrjedhim mund të orkestroheshin rrjedhje informacionesh për motive nga më të ndryshmet, por “inate” që përfundonin t’i kushtonin jetën personave me qëllim të mirë dhe të gatshëm për sakrifica për çlirimin e vendit të tyre. Rrjedhje informatash që shkonin me hap të njëjtë me lojën e dyfishtë të Filbit, që tashmë ndodhej në zemër të operacionit “Valuable”.
Sa për të dhënë ndonjë shembull, më 14 shtator të vitit 1949 “New Chronichel” e Londrës shkruante: “Vullkani shqiptar është në pikën e shpërthimit”.
Cyrus L. Sulzberger, korrespondent i “New York Times” më parë shkroi se “dobësimi dhe pastaj përmbysja e regjimit komunist ishin një objektiv bazë i Perëndimit”. Më vonë foli për rezistencë antikomuniste dhe rekrutim të bandave të luftëtarëve.
Në fund, më 27 mars të vitit 1950, Sulzberger tregoi për dy grupe agjentësh të zbarkuar në territorin shqiptar, “me qëllim për të organizuar ndërlidhjen me lëvizjen antikomuniste”. Ndërkohë Kim Filbi endte kontakte dhe fitonte simpati. Pasi ishte zbuluar tradhtia e tij, shumë vetë filluan të kujtojnë dehjet e shumta, të paraprira nga bisedat e gjata për operacionet sekrete, me agjentin e dyfishtë gjithmonë të gatshëm të vinte në dispozicion të miqve amerikanë njohuritë e “intelligence” angleze, me kërkesën për reciprocitet. Bile Filbi ndante mendimet me James Mc Cargar, një nga njerëzit e parë të rekrutuar në OPC, zyrë në të cilën analizoheshin operacionet për Shqipërinë dhe bëheshin debrifing-et pasi përfundonte misioni. Pikërisht në këtë zyrë, me Filbin u shprehën shqetësimet e drejta për fundin e grupit të Lepenicës në jug të Vlorës dhe për faktin që operacioni i spastrimit ishte drejtuar direkt nga shefi i shtatmadhorisë së ushtrisë shqiptare. Me gjithë dështimet, përmbysjet, humbjen e njerëzve dhe të materialeve, familje të tëra të shfarosura për raprezalje, misionet e “elfëve” vazhduan deri në fund të vitit 1953.

Filbi tashmë kishte përfunduar nën vëzhgimin e kundërspiunazhit, pasi Guy Burgess dhe Donald Mac Lean, shokët e tij të dehjeve dhe të tradhtive, ishin arratisur në Moskë. Ishte hequr që prej një muaj nga detyra në Washington, kur u vendos që të hidheshin tre grupe me parashutë. Dymbëdhjetë persona gjithsej, në tre zona të ndryshme të Shqipërisë, të konsideruara të “sigurta”.

Nuk arritën as të preknin tokën. Ushtria, policia dhe agjentët e Sigurimit po i prisnin në vend. Ata që nuk u vranë, u gjykuan menjëherë, edhe se procesi nuk pati jehonën e zhurmshme të proceseve të tjera “staliniane”. Jo të gjithë të arrestuarit u dënuan me vdekje. Por askush nuk u pa më gjallë.

Por goditja përfundimtare do të vinte më vonë. Lufta e Koresë impononte që të mos ndaloheshin operacionet subversive. Por askush nuk e kuptonte nivelin e organizimit, diletantizmin dhe sipërfaqësinë me të cilën drejtoheshin. Filbi mund të dëmtonte pak, i përjashtuar nga hallkat vendimmarrëse, por ajo që shërbimet sekrete sovjetike dhe shqiptare kishin mësuar nga robërit, përpara se t’i ekzekutonin, i kishte lejuar që të rindërtonin të gjitha etapat: nga rekrutimi i luftëtarëve, te stërvitja, te teknikat e infiltrimit, te sistemet e transmetimeve dhe kodet përkatëse.

Ndërsa ndodhte gjithë kjo, agjentët e CIA-s menduan se te Hamit Matjani kishin gjetur njeriun e përshtatshëm. Ishte konsideruar një lloj Robin Hudi, i aftë që të futej dhe të dilte nga Shqipëria, të kontaktonte me grupet e rezistencës, të zgjeronte lidhje, të rekrutonte luftëtarë të rinj. Më 28 prill të vitit 1952 Hamit Matjani, Xhelo Tresova, Zenel Shehu, Haxhi Gilja, Halil Branica, Hamit Prençi kapërcyen kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë në rajonin e Korçës. Branica u sëmur dhe u detyrua të kthehej mbrapsht. Të tjerët mbërritën në zonën e Matit, ku u takuan me grupet antikomuniste të rekrutuara pikërisht nga Matjani. Me ta qëndruan Prençi dhe Shehu, monarkistë të sprovuar dhe anëtarë të Gardës së Mbretit. Të tjerët u kthyen përsëri në Greqi.

Gjatë gjithë verës së vitit 1952, OPC-s nuk iu duk vërtet se merrte njoftime të sakta për progreset e operacioneve subversive në Shqipëri. Hamit Prençi transmetonte rregullisht, kërkonte të hidheshin materiale, të holla, armë, deri edhe një bidon me bojë bezhë. Tregonte pikat e hedhjes dhe ankohej për marrjen e materialeve. Sa keq që kishte mbetur viktimë e një aksidenti: kishte thyer krahun dhe duhej të transmetonte në aparatin Mors me dorën e majtë, pra sinjalet nuk ishin të përkryera. Ngjarja nuk ishte e vogël dhe padyshim bëri që të ngrihen disa pikëpyetje. Por si ta zbuloje nëse ishte pikërisht Prençi që transmetonte apo ndonjë operator tjetër? Mbretëresha Gjeraldinë sugjeroi se si ta zgjidhnin problemin.

“Më kujtohet – ka treguar sovrania e Shqipërisë – se Zenel Shehu më kishte lënë për të ruajtur sendet me vlerë të tij. U thashë amerikanëve që të pyesnin Zenelin se ku i kishte lënë gjërat e tij personale. Duhej të përgjigjej: “të zonjës së shtëpisë” ose “mamasë”. Por amerikanët, nga agjentët në Shqipëri, dëgjuan t’u përgjigjeshin që t’i linin të qetë dhe të mos bënin më pyetje budallaqe. Kaq mjaftoi. I besuan më shumë pyetjeve dhe përgjigjeve të koduara”.

Dhe erdhi shkatërrimi. I pari u hodh me parashutë Branica. Pastaj i erdhi radha Matjanit me Naum Sulën dhe Gani Malushin. Të gjithë u lëshuan në vendet e treguara nga Prençi dhe u kapën. Vetëm në fund të vitit 1953, kur asnjë nga operacionet e planifikuara nuk u konkretizua, dyshimet për transmetimet me radio u bënë më të mëdha. Në prag të vitit të ri erdhi goditja e fundit. Radio Tirana njoftoi se Matjani, shokët e tij dhe miqtë e tyre të rekrutuar në Shqipëri ishin kapur. Procesi i prillit të vitit 1954, përveç dënimeve të shumta me vdekje, zbuloi dhe përmasat e shkatërrimit dhe veçanërisht që për 18 muaj agjentët e Sigurimit, me ndihmën e kolegëve të KGB, kishin përpiluar dhe transmetuar mesazhe mbi të cilat bazoheshin vendimet amerikane.

Një disfatë therëse që lejoi edhe ironinë makabre të Enver Hoxhës në kujtimet e tij:
“Ne i detyruam agjentët e kapur të që lidheshin me radio me qendrat e tyre të spiunazhit në Itali dhe vende të tjera, duke bërë në këtë mënyrë lojën tonë dhe duke i mashtruar me turp padronët e tyre, që kishin dhënë prova se ishin të paaftë dhe miopë. Arritëm deri edhe që t’i bënim të hidhnin gjithçka që u kërkonim agjentëve të kapur në çark. Bandat e kriminelëve të hedhura me parashutë ose të futura nëpërmjet kufirit, sipas mesazheve tona, shkonin si deshët në thertore. Armët dhe materialet e tjera të hedhura ose të sjella prej tyre binin në dorën tonë. Me një fjalë, rrjetet e spiunazhit hidhnin ato që duhej të hidhnin dhe ishim ne që i merrnim. Agjentët e tyre dërgoheshin në gjyq dhe pasi kishin vjellë të gjithë thesin e poshtërsive të tyre, merrnin dënimin e merituar …Kanë qenë truket tona me radio, zgjuarsia, e drejta, vigjilenca revolucionare e popullit shqiptar dhe jo merita e një farë Kim Filbi, siç do dikush të na bëjë të besojmë, që bënë që të dështojnë me turp planet e armiqve të jashtëm”.

Në realitet, veçanërisht amerikanët nuk u dorëzuan kurrë deri në fund për subversionin shqiptar. Dhe veçanërisht, ngritën në këmbë një operacion sedërmadh të një “përgënjeshtrimi të pranueshëm”. Ende sot, megjithëse arkivat janë hapur dhe shumë dokumente janë deklasifikuar, disa hollësi të operacionit “Valuable” mbeten të mbuluara nga sekreti.

Përktheu nga origjinali italisht, Vladimir Bregu

Pohime të një agjenti të CIA-s
Enver Hoxha

Shënime-16 janar 1972

Lexova librin: “Dans le tourbillon de
l’histoire” (“Në vorbullën e historisë”)
të amerikanit C. L. Sulcberger. Janë kujtimet “gazetareske” të këtij njeriu, që hiqet si gazetar, por në fakt është një nga agjentët më të kualifikuar të zbulimit amerikan, CIA-s, e të djallit me të birin. Nëpërmjet këtij libri atë e shikon të hajë e të pijë me të gjithë njerëzit e sferave të larta, të dijë të gjitha të fshehtat dhe t’i besojnë misione diplomatike për t’i kryer.
Në kapitullin për Ballkanin ai zë në gojë Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, natyrisht me përbuzje, duke thënë se populli shqiptar “di vetëm të çajë dru dhe të shesë lajthi qosheve të rrugëve”. Urrejtja që ushqen për Shqipërinë e bën atë jo vetëm të nënçmojë luftën e popullit tonë, por, duke i ardhur keq që ne erdhëm në fuqi, zbulon intrigat dhe komplotet që kanë kurdisur anglezët, amerikanët dhe miqtë e tyre për të likuiduar “qeverinë e Hoxhës”, siç e quan ai pushtetin e popullit.

Më 1949 Sulcberger vë në gojën e Xhulian Emerit, oficer i misionit anglez te ne në kohën e luftës dhe pas luftës ministër, se “anglezët dhe amerikanët shumë e kanë tjerre deri në verë organizimin e revoltës brenda në Shqipëri”. “Unë jam i mendimit – thotë Emeri, – se me pak flori mund të ngremë viset e Veriut të Shqipërisë kundër Hoxhës, pa u bërë vonë etj.”. Ja si mendonin dhe vepronin atëherë armiqtë tanë. Tash këtë ata e pohojnë me gojën e tyre.
Sulcberger zbulon, po ashtu, se në nëntor të vitit 1949 anglezët hodhën te ne agjentë sabotatorë të përgatitur në Maltë, të cilët ne i kapëm dhe i shfarosëm. Rëndësi ka që këta i pohojnë tash vetë, se gjyqet tona të atyre kohëve çdo gjë e vunë në dukje me prova të padiskutueshme.
Po ashtu, Sulcberger, në këtë libër, vë në dukje trillimet e Titos, Gjilasit e të Dedijerit kundër vendit tonë dhe tregon se si këta u lidhën ca me Anglinë, ca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka rëndësi se si filloi dhe si mbaroi transformimi i tyre në agjentë.
Tradhtarët titistë Gjilas dhe Dedijer, me trillimet më të poshtra kundër nesh, me gojën e tyre, thonë se paskemi qenë ne, me regjimin tonë “policesk”, që gjoja provokonim jugosllavët, që sovjetikët dhe Stalini të kishin një shkak për të ndërhyrë ushtarakisht në Jugosllavi dhe për të likuiduar Titon. Kjo është një shpifje e ndyrë për të fshehur veprimtarinë armiqësore të tyre kundër Shqipërisë socialiste dhe për të krijuar besimin e plotë tek amerikanët se Jugosllavia e Titos po kërcënohej nga Bashkimi Sovjetik dhe nga Stalini.
Sulcberger në librin e tij pohon se ka qenë një nga amerikanët më në kuotë në qarqet monarko-fashiste greke. Ai hynte e dilte si në shtëpinë e tij te mbreti i Greqisë, te shefi i shtatmadhorisë, te Venizellosi dhe te gjenerali Van Fliti.
Sulcbergerin ngarkoi Titoja, nëpërmjet Gjilasit, që të shkonte te mbreti i Greqisë dhe te shefi i shtatmadhorisë greke e t’u propozonte përfundimin e një pakti Jugosllavi-Greqi-Turqi, që u nënshkrua më vonë .Por rëndësi ka ajo çka shkruan Sulcbergeri në këtë libër për ne dhe që po e kopjoj gati fjalë për fjalë:

“Paris, 28 prill 1953. Sonte në mbrëmje piva një gotë dhe bisedova me mikun tim të vjetër, Panajot Kanellopullosin, ministër i Mbrojtjes i Greqisë. Kur e pyeta si shkonin marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe me Turqinë, ja ç’më tha haptazi ai: Në rast lufte nuk do të ketë ofensivë të përbashkët greko-jugosllave kundër Shqipërisë. Shpresohet që, brenda dy deri nëntë muajve që vijnë, do të arrihet të kryhet një grusht shteti, me anën e të cilit do të çlirohet Shqipëria nga Hoxha dhe nga sovjetikët. Në qoftë se do të jetë e nevojshme, trupat amerikane do të mbajnë qetësinë pas grushtit të shtetit. Grekët pranuan që të mos merren me çështjen dhe lajmëruan, gjithashtu, pak a shumë me terma jo aq të qartë, jugosllavët …

Megjithatë, në rast se grushti i shtetit nuk përfundon me sukses, me aprovimin e admiralit Karni, u vendos që nuk do të jetë e nevojshme të pushtohet Shqipëria. Kështu divizionet greke dhe jugosllave, që ishin vendosur të sulmonin Shqipërinë dhe të pushtonin vendin, lirohen për të kaluar në veri dhe në lindje”.

Kështu shkruan shkurtimisht ky agjent i regjur amerikan. Sigurisht komplotet e mëdha dhe të rrezikshme të amerikano-anglezëve janë të shumta. Ata nuk guxojnë t’i zbulojnë, por historianët e vendit tonë me fakte dhe me dokumente, i kanë nxjerrë në dritë dhe do të vazhdojnë të shkruajnë për to dhe t’i demaskojnë.
Marrë nga libri “Gjithmonë vigjilencë”, vol. 2, fq. 184 – 186./BW/