6.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Bashkimi Europian midis realizmit dhe skepticizmit

OpinionDaniel Guçe

Ideja se Europa nuk do të jetë një entitet politik i vetëm për momentin, u konsolidua me efektet që nxori në pah kriza ekonomike. Kjo nuk do të thotë se do ta pengojë Bashkimin Europian si organizatë në unifikimin e interesave të mëtejshëm të shteteve anëtare dhe institucioneve përfaqësuese për një fat të përbashkët. Por pyetja lind si do të formatohet dhe cila do të jetë e ardhmja e BE-së pas krizës ekonomike?

Bashkimi Europian u projektua mbi idenë e tregtisë së lirë, e cila do të rregullohej nga një burokraci qendrore e cila do të zbehte nacionalizmin si dhe për të krijuar prosperitetin pa hequr identitetin kombëtar. Monedha e përbashkët Euro është shprehja e fundit e këtij uniteti. Institucionet e Bashkimit Europian u krijuan në mënyrë të tillë për t’u përfaqësuar vendet anëtare, duke e përjashtuar nocionin e shtetit–komb, por kriza e fundit ekonomike nxori në pah elementë të nacionalizmit, gjë që nuk do ta konsideroja si pa rëndësi dhe këtu kam parasysh debatin e vazhdueshëm midis Gjermanisë dhe Greqisë. Hans Ditrih Gensher, ish-ministri i Jashtëm gjerman kohë më parë ka thënë: Unë rrjedhën nacionaliste tek qeveritë anëtare të BE e shoh me shqetësim të madh.

Është e rëndësishme të tolerojmë mbi bërthamën dhe qendrën e ideve të Europës. Pas Luftës së Dytë Botërore krijimi i shoqërisë europiane, e cila u pasua nga krijimi i Bashkimit Europian ishte një shembull i mirë për një rajon për nga veprimtaria e përbashkët dhe me ndikim ekonomik, politik dhe të sigurimit. Nëse bëjmë një krahasim në marrëveshjet e nënshkruara gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, vërejmë qartë se marrëveshjet ekonomike kanë pasur më shumë ndikim në krahasim me marrëveshjet e tjera si ato të sigurimit apo marrëveshjet e tjera sociale. Për këtë arsye bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik është në prioritet të marrëveshjeve rajonale, sepse në sektorin e ekonomisë, bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik sjell më shumë përfitime sesa dëme. Pikërisht për këtë arsye vendet janë më shumë të prirura në bashkëpunimin ekonomik rajonal.

Këtë e dëshmon dhe lista e vendeve që presin të integrohen në BE. Kriza aktuale ekonomike, është testi më i madh për Europën në përballje me sfidat që dalin gjatë integrimit ekonomik. Faktorë si zhvillimet politike dhe sociale brenda vendeve anëtare të BE mund të ndikojnë negativisht dhe të sjellin të kundërtën e integrimit dhe unitetit të Europës. Politikat konservatore të ndjekura nga qeveritë e pasura në veri të Europës dhe mosimplikimi i këtyre qeverive në pagimin e shpenzimeve të integrimit, dëshmon qartë se vendet e pasura nuk dëshirojnë më të vazhdojnë procesin e integrimit. Kjo tezë vërtetohet edhe nga krijimi dhe forcimi i partive nacionaliste dhe kundër integrimit europian në vende të tilla si Gjermania, Finlanda dhe Suedia. Prioriteti i ekonomive kombëtare tek anëtarët e BE, kriza monetare dhe financiare, paqartësia e rrjedhave politike dhe sociale në sektorët kombëtarë të Europës, ka rrezikuar gjithnjë e më shumë unitetin e Europës. Çdonjëra nga vendet anëtare të BE, aktualisht përpiqet të zgjidhë problemet e brendshme, ndërsa BE ndodhet në nivelin e dytë të prioritetit të këtyre vendeve. Në këto kushte, disa kanë propozuar edhe përjashtimin e Greqisë nga Eurozona. Mirëpo moszgjidhja e krizës ekonomike dhe mosparaqitja e propozimeve ndikuese në zgjidhjen e problemeve e ka futur BE në lojën e dominosë e cila është duke e përballur BE me fundosjen graduale të unionit.

Pra opinioni publik i komunitetit europian u nda në “ne” dhe “ata” për vendet që ishin përfshirë në krizë dhe ato që jepnin kontribut të vazhdueshëm në BE. Vendet e përfshira në krizë u quajtën PIIGS-a (derrkucët) një akronim i përdorur nga analistët e bonove ndërkombëtare, akademikët dhe shtypi ekonomik, sepse këto vende vetëm merrnin nga fondi i BE-së. Bëhet fjalë për Portugalinë, Italinë, Irlandën, Greqinë dhe Spanjën. Arsyet se përse këto vende hynë në krizë ishin të ndryshme për secilën. Pa dashur t’i marr në analizë të gjitha vendet e përfshira në krizë dhe raportet e tyre me njëra-tjetrën, nëse do përqendrohesha te raporti i Gjermanisë dhe Greqisë si një rast krahasimor dhe analitik për tezën e ngritur mbi perspektivën e Bashkimit Europian, do të vëmë re shumë probleme të cilat na detyrojnë të ngremë pikëpyetje se si do t’i menaxhojë BE këto efekte negative postkrize ekonomike.

Për gjermanët, ishte papërgjegjshmëria e qeverisë greke në blerjen e pushtetit politik si dhe fshehja e borxhit publik, e cila e çoi këtë vend në krizë. Për grekët, problemi është kontrolli i Gjermanisë mbi politikën monetare të Eurozonës, e cila ka ndërtuar një sistem rregullator që ofron privilegje të padrejta.

Në fund të fundit, Gjermania dhe Greqia janë vende me sisteme vlerash dhe interesash të ndryshme. Ideja që vendet e BE-së të sakrifikojnë për njëra-tjetrën u bë pak e dyshimtë kur Gjermania zotohej të ndihmonte Greqinë, duke i sugjeruar nxjerrjen e ishujve në shitje dhe Gjermania ishte e gatshme t’i blinte me shumën që i duhej Greqisë për të dalë nga kriza. Opinioni publik gjerman dhe grek kundrejt njëri-tjetrit u bënë armiqësorë në rritje.

Franca dhe Gjermania janë dy vendet që drejtojnë politikat dhe institucionet e Bashkimit Europian, çka lë vend për skeptikët në mendimin se edhe shpërndarja e buxhetit nuk do të jetë e barabartë por preferenciale. Ky mendim e rrëzon mitin mbi të cilin BE është ngritur dhe mendimi i mësipërm prej vitesh qëndron tek grekët, spanjollët apo irlandezët. Këta të fundit, pas disa referendumesh, zgjodhën të votonin pro me një diferencë të ngushtë për Traktatin e Lisbonës, pas shumë përpjekjesh të partive politike për të bindur popullin.

Shqetësimi që ngre pikëpyetje në vetvete është nacionalizmi europian. Pas krizës ekonomike, ideja për një Europë të bashkuar ka qenë objekt diskutimi, pasi, si dhe u përmend më sipër, gjeneza e këtij bashkimi ka qenë motivi ekonomik që më tej synonte të artikulohej dhe konsolidohej dhe si bashkim politik dhe kulturor në kuptimin e vlerave të përbashkëta europiane, por pikërisht këtu qëndron dhe sfida e së ardhmes së BE-së, me zgjerimet që janë duke ndodhur: A është gati BE-ja “to hold strong” (të mbahet e fortë) dhe t’i përmbahet qëllimit, por mbi të gjitha të vetëmbahet dhe të gjejë mënyrën për të pasur një përqasje që ruan balancat dhe zgjidh njëkohësisht sfidën e zgjerimit të mëtejshëm?! Kuptohet do ishin një sërë sugjerimesh që do mund të jepeshin apriori por në fakt ajo çfarë duhet mbajtur fort parasysh është që jo pak herë krenaria dhe identiteti kombëtar ngrenë krye, ndaj pavarësisht optimizmit që do arrihet të gjendet një e mesme e artë e këtij komuniteti, që sa po vjen e po bëhet gjithnjë e më tepër një “melting pot”, e vërteta është që situata paraqitet sfiduese.

Më Shumë

Diplomon gjenerata e 59 e Policisë së Kosovës

Sot në sallën ‘1 Tetori‘ në Prishtinë diplomoi gjenerata e 59 e Policisë së Kosovës, në përbërje të komuniteteve të ndryshme. Këtë ceremoni solemne, me...

Aksident në Prizren

Një aksident trafiku ka ndodhur dje në Prizren. Aksidenti ka ndodhur mes dy veturave. Përveç dëmeve të vogla materiale nuk raportohet për të lënduar. Marketing             Kliko https://www.facebook.com/PrizrenPress/videos/811508783644404 https://prizrenpress.com/ndermarrja-3d-fesali-ne-prizren-partneri-me-i-besueshem-per-cdo-projekt-ndertimi/ https://prizrenpress.com/mat-moto-sjell-motocikleta-elektrike/   https://prizrenpress.com/eli-edona-mobilieria-me-oferta-me-te-mira-ne-prizren/ https://prizrenpress.com/guraziu-ne-prizren-me-20-vjet-pervoje-pune-ne-vendosjen-e-dyerve-laminatit-parketit-kuzhinave-dhe-dhomave-te-fjetjes/ https://prizrenpress.com/adi-plast-ne-prizren-nje-emer-i-njohur-ne-tregun-e-kosoves-dhe-nderkombetar-per-vendosjen-e-dyerve-dhe-dritareve/ https://prizrenpress.com/banesa-ne-shitje-nga-renelual-tahiri/  

Lajmet e Fundit