14 C
Prizren
E diel, 5 Prill, 2026
Home Blog Page 9119

Nesër protestë e përgjithshme kundër Projekligjit për amnisti

0

Proteste kunder amnistisePas një rezistenceje qytetare në opinionin publik e cila rezultoi me një rezistencë të 21 deputetëve të Kuvendit të Kosovës ndaj tentativës së parë për amnistimin e krimeve të politikanëve, Projektligji për Amnistinë, me disa ndryshime sipërfaqësore me shpejtësi u rikthye në Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Amnistimi (falja) e krimeve për të cilat akuzohen shumë politikanë dhe familjarë të tyre është paraparë edhe me projektligjin e ri. Për të mos mjaftuar vetëm kjo, shkelja e procedurave siç është kryerja e dy leximeve në një seancë, që në fakt është synimi më i paprecedent në praktikën e institucioneve tona, janë tregues dhe vërtetues të kriminalitetit të projektligjit i cili po propozohet.

Që nga data 6 korrik 2013, shoqëria kosovare ka pasur një zgjim qytetar si asnjëherë më parë. Në tubimet publike në sheshin “Nëna Terezë” është vendosur përmes ushtrimit të demokracisë me qytetarët e pranishëm që të enjten (nesër), më 11 korrik 2013, kur do të hidhet në votim projektligji, të protestohet duke filluar nga ora 11:00 para Kuvendit të Kosovës për të vazhduar gjatë gjithë ditës.

Në ndërkohë, organizatat joqeveritare, i kanë nisur dy letra ambasadorëve dhe faktorëve tjerë ndërkombëtarë për të kërkuar mosndërhyrjen e tyre dhe për ta lejuar debatin e nevojshëm për një ligj të tillë si dhe kanë shprehur shqetësimin për përmbajtjen e ligjit i cili i amniston politikanët e korruptuar.

Gjithashtu, me iniciativë të organizatave të shoqërisë civile, po nënshkruhet peticioni për ndryshimin e këtij ligji të cilin qytetarët po e nënshkruajnë me vullnet të madh. Ftohen ata që nuk e kanë bërë një gjë të tillë t’i bashkëngjiten kësaj iniciative e cila do ta legjitimonte rezistencën dhe do ta ndihmonte kthimin dhe ndryshimin e projektligjit në bazë të kërkesave dhe interesave të qytetarëve.

Në anën tjetër, një numër i qytetarëve po vazhdon të qëndrojë te Kuvendi i Kosovës natë e ditë, që nga data 6 korrik 2013 me qëllim të sensibilizimit të publikut për dëmin që mund të shkaktojë aprovimi i projektligjit.

Ne, në cilësinë e bashkëqytetarëve, ju ftojmë juve, shtetasve të Republikës së Kosovës, të bashkohemi në protestën e nesërme, më 11 korrik 2013, e enjte, duke filluar nga ora 11:00 te Kuvendi i Kosovës. Përderisa protesta do të filloj në ora 11;00, të gjithë bashkëqytetarët ftohen që në shenjë solidarizimi t’i bashkëngjiten edhe më herët atyre që para Kuvendit të Republikës së Kosovës po qëndrojnë me netë të tëra.

Ne jemi kundër krimit dhe korrupsionit, por ne duhet ta themi me zë të lartë këtë.

Hasani: Nëse PDK më kandidon, Prizrenin e fitoj pa vështirësi

0

Nait HasaniDeputeti i Partisë Demokratike (PDK), Nait Hasani në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar se nëse nominohet kandidat për kryetar të Prizrenit në zgjedhjet e ardhshme lokale, ai do ta fitojë këtë komunë pa shumë vështirësi.

Ai ka folur edhe për nominimin e Eqrem Kryeziut si kandidat për kryetar të Prizrenit, nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e cilësuar si ‘kafshatë të lehtë’.

“Në rast se unë do të jem kandidat i PDK-së, për kryetar të Prizrenit, fitorja do të arrihet pa shumë vështirësi, mirëpo në rast se PDK-ja do ta kandidoj tjetërkënd për kryetar, mendoj fitorja mund të jetë relative”, tha Hasani.

Ndryshe, Kryesia e LDK-së, të hënën e ka nominuar zyrtarisht dhe në mënyrë unanime, Eqrem Kryeziun si kandidatë të kësaj partie në komunën e Prizrenit.

Ashton e kënaqur me zbatimin e marrëveshjes

0

Thaci-Ashton-kosoveShefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton deklaroi se ka ende shumë punë për të bërë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mirëpo tha se është e kënaqur me atë që është bërë deri më tani. Këto komente, Ashton i bëri në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, të cilin e ka përgëzuar për guximin e treguar në negociatat e zhvilluara në Bruksel. Ajo i cilësoi këto negociata si mjaft të vështira.

Ashton tha se pavarësisht ngecjeve, janë marrë hapat e nevojshëm për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, sipas afateve kohore.

“Mendoj se janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për zbatimin e kësaj marrëveshje. Marrëveshja politike është përkthyer në veprime konkrete që duhet të zhvillohen. Unë tregoj respektin për shumë grupe punuese që kanë kaluar shumë ditë duke punuar se bashku që ta kthejnë atë marrëveshje në veprime konkrete. Duhet të dihet se çka duhet të ndodhë dhe kur duhet të ndodhë. Unë jam shumë e kënaqur. Është pak e komplikuar kohë pas kohe, por jam e kënaqur sepse ekziston vullnet. Ka edhe shumë për të bërë por jam shumë e kënaqur me atë që është bërë deri më tani”, tha ajo, transmeton RTK.

Ashton theksoi se procesi për normalizimin e marrëdhënieve duhet të vazhdojë me përkushtim, ndërsa tha se gjatë verës do të ketë edhe takime të tjera ndërmjet kryeministrave Thaçi e Daçiq.

Ndërsa sa i përket Ligjit për amnisti, Ashton tha se është çështje e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës dhe nuk dëshiron të përfshihet në këtë çështje.

“Unë jam e interesuar që të sigurohem se ajo për çka është arritur marrëveshja të zbatohet dhe shpresoj se zbatimi i ligjit do të jetë demonstrim jo vetëm nga ana e parlamentit por edhe nga Qeveria”, tha ajo.

Kryeministri Hashim Thaçi nga ana e tij theksoi nevojën për miratimin e Projektligjit për amnisti.

“Duhet të kemi parasysh rrethanat politike dhe aspektet legale. E gjitha çka është përfshirë është përfshirë në kuadër të kushtetutës dhe ligjeve dhe është me interes që e gjithë skena politike është unike në procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Ftoj të gjithë të dalin mbi interesat politike në interes të shtetit të normalizimit të gjendjes në veri. Zëri i arsyes fton të aprovohet ligji për amnisti nesër”, tha ai.

Kryeministri Thaçi shprehu zotimin se Kosova do t’i kryej obligimet e veta duke përfshirë edhe Ligjin për amnisti. Me këtë rast ai falënderoi baroneshën Ashton për vendimin e Këshillit të BE-së për fillimin e negociimit të MSA për Kosovën, duke thënë se ky vendim do të jetë një inkurajim i ri për institucionet e Kosovës.

Ndërsa baronesha Ashton tha se të gjitha shtetet anëtare të BE-së janë mirënjohëse për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se për këtë edhe e kanë marrë vendimin për fillimin e negociatave për MSA-në.

PDK nuk i rikandidon shkelësit e ligjit

0

Thaci Muja HoxhajPartisë më të madhe në vend nuk i ka ecur mirë me shumë kryetar komunash. Tash kur zgjedhjet lokale po ofrohen, një pjesë e kryetarëve të komunave nga radhët e PDK-së kanë probleme me ligjin.

Afër 7 kryetar të komunave nga PDK-ja janë duke u hetuar nga drejtësia. Disa prej tyre edhe janë dënuar, si Xhabir Zhakru ish- kryetar i Kaçanikut, por që i ka ikur drejtësisë.

Mirëpo PDK-ja ka arritur që t’i zëvendësojë mirë emrat e vjetër me të rinj, duke korrur prapë sukses vlerëson analisti politikë Ardian Arifaj në një prononcim për standardi.

Sipas, Arifajt PDK-ja ka arritur të distancohet mirë nga ata emra që i ka pasur në parti dhe janë dënuar.

“Krejt varet se si e menaxhon PDK-ja situatën. Sa ka me ditë që PDK-ja të distancohet. Mirëpo, mos të ngutemi, deri më tash PDK-ja është gjendur mirë dhe e kemi Kaçanikun dhe Ferizajn që i ka fituar prapë me emrat tjerë, madje në Kaçanik pa balotazh”, tha Arifaj.

Ndërsa sekretari i PDK-së Basri Musmurati tha për standardi se asnjë kandidat nuk do të rikandidohet prapë nëse vërtetohet që ka pasur probleme me drejtësinë.

“Nëse kanë probleme me ligjin nuk do t’i kandidojmë”, tha Musmurati.

Ai tha se ende nuk është diskutuar në parti se si do të vendoset për emrat që janë duke u hetuar nëpër komuna dhe që i takojnë PDK-së.

“Ende nuk jemi marr me këtë çështje, javën tjetër do të diskutojmë në parti”, tha Musmurati,trasmeton Tribuna

Ai vlerëson se do t’i përmbahen ligjit për të gjitha veprimet. “Do ta konsultojmë ligjin, ashtu si ligji e interpreton ne do të veprojmë”.

Ndërsa Juristi dhe njohësi i mirë i ligjeve të Kosovës, Korab Sejdiu tha për standardi.info se në aspektin juridik gjithmonë nga parimi je i pafajshëm përderisa dëshmohet e kundërta.

“Nëse krahasomi me shtetet funksionale atëherë do të ishte obligim moral dhe ndoshta ligjor që nëse një njeri po hetohet dhe po ngritët një aktakuzë ndaj tij, atëherë ai person të mos jetë më udhëheqës, të mos jetë më as zyrtarë. Nuk mundesh me menaxhuar me financa nëse je i akuzuar që i ke keqpërdor ato”, tha Sejdiu.

Ligji i Prizrenit vazhdon ta shkatërrojë Qendrën Historike

0

Lidhja_e_PrizrenitKa kaluar rrafsh një vit qëkur presidentja Jahjaga ka nënshkruar dhe kështu ka fuqizuar Ligjin për Prizrenin. Vetë ligji ka vite që është sjellë në tavolinë, ndërsa shtysë i ka dhënë edhe raporti i Martti Ahtisaarit. Vitin e kaluar, nënshkrimi i ligjit dhe fillimi i implementimit të tij ka nisur i imponuar dhe pa marrë në konsideratë edhe një peticion të nënshkruar nga shoqëria civile. Arsyetimi i “imponuesve” thoshte se ligji do ta mbrojë trashëgiminë kulturore të qytetit. Një vit më vonë, ndërtime të llojllojshme kanë kapluar Qendrën Historike të Prizrenit, e mbi 80 % e tyre nuk i janë përmbajtur lejes së ndërtimit, me të tjera që janë pa leje ndërtimi.

Sipas Hajrulla Çekut nga organizata “Ec ma ndryshe”, të fortët e qytetit të Prizrenit ende vazhdojnë të ndërtojnë hotele e shtëpi private e të hapin biznese që shkelin rregullat e dëmtimit dhe degradojnë këtë Qendër Historike.

“Prizreni dhe ligji për qendrën e qytetit janë tregues tipikë të një shteti të dështuar dhe të kriminalizuar. Kultura e mosndëshkimit dhe mungesa totale e llogaridhënies janë duke e ngufatur qendrën e Prizrenit. Shoqëria në anën tjetër është duke i humbur vlerën dhe identitetin përmes të cilave e ka njohur dhe dashuruar qytetin”, tregon Çeku.

Në një nga hulumtimet e projektit “Transparenca online e komunës së Prizrenit” është raportuar se vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012, nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Prizren janë lëshuar 62 pëlqime për ndërtim apo ndërhyrje në këtë Qendër.

“Jo vetëm se nuk ka veprime ndaj shkeljeve të para 9 korrikut, por edhe prej ditës së hyrjes në fuqi, ndërtimet pa leje kanë vazhduar të degradojnë qendrën si më parë. Ligji ka hyrë në fuqi, por asgjë nuk ka ndryshuar nga praktika degraduese e ndërtuesve dhe veprimet neglizhuese të institucioneve. Një vit më vonë, Qendra Historike e Prizrenit duket edhe më e shëmtuar, edhe pse e ka një ligj të vetin”, vazhdon Çeku,shkruan Zëri.

Në anën tjetër, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka filluar te tani monitorimin e planit hapësinor ku gjendet Qendra. Sipas Gëzime Hasanit, zëdhënëse në MMPH, kjo ministri ka udhëzuar shumë moti formimin e Këshillit për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit, por për arsye të brendshme ai është formuar së fundmi.

“Devijimet nga ligji nga ana e qytetarëve dhe nga zyrtarët komunalë, normalisht që do të bartin pasoja ligjore, por ne ofrojmë monitorim më të fokusuar të trashëgimisë kulturore dhe zbatimin e dispozitave ligjore të Kosovës, duke përfshirë edhe Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit”, vazhdon Hasani.

“Qëndrimi i MMPH në raport me Qendrën përkon me të gjitha masat mbrojtëse që i parasheh Ligji për Qendrën, megjithatë ndërhyrjet në infrastrukturë, duke përfshirë ujësjellësin, kanalizimin, apo rrjetet tjera të infrastrukturës bëhen pas miratimit të projektit nga Drejtoria për Urbanizëm dhe pëlqimit nga Instituti për Mbrojtjen e monumenteve të Prizrenit”, përfundon Hasani nga MMPH.

Vetë Qendra Historike e Prizrenit përmban njëmbëdhjetë xhami dhe dy Kisha Ortodokse Serbe, bashkë me një shkollë për priftërinjtë. Në periudhën njëvjeçare, korrik 2012 – korrik 2013 janë dhënë rreth 30 pëlqime për renovime, legalizime e rindërtime. Bujar Nerjovaj nga Inspektorati i Prizrenit tregon se disa pëlqime që jepen për ndërtime në këtë Qendër janë në pajtim me planifikim hapësinor, dhe e plotësojnë çdo rregull. Të tjerat, sipas tij, janë shkelje, por 99,9 për qind e tyre janë adekuate dhe të përshtatshme për kornizën ligjore dhe ligjin e Qendrës. Përjashtim paraqet një ndërtesë private tek ish-Pazari i Djathit, në pjesën e brendshme të Shatërvanit.

“Ky është përjashtimi i vetëm, dhe ne kemi bërë kallëzim penal rreth ndërtimit. Çështja ka kaluar në gjykatë. Përndryshe, rreth shtatë objekte tjera nën Kala, tri tek Shatërvani dhe një tek Lidhja e Prizrenit janë ndërtuar me leje të Drejtorisë së Urbanizmit dhe kanë qenë në standarde të duhura”, tregon Nerjovaj. Sipas tij, për leje të ndërtimeve duhet të konsultohet edhe Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në këtë komunë. E kështu nuk mendon Hasan Hoti nga IMMK. Sipas tij, IMMK ndan përgjegjësi në pëlqimet që jepen për zërim, kioskat, tezga, reklama e mbindërtime.

“Ne i japim pëlqimet tona për këto çështje konform ligjit. Këtë vit janë kryer 6 refuzime, ndërsa për pesë të tilla presim përgjigje nga Ministria e Kulturës”, tregon Hoti. Sipas tij, ka pasur shkelje në vazhdimësi në ndërtimet e bëra. Vitin e kaluar, figurat e njohura ndërkombëtare si Feith, Zhbogar dhe Ahtisaari kanë bërë presion mbi parlamentarët për të votuar ligjin.

Logjika e amnistisë

0

Xhavit halitiXhavit Haliti

Kuvendi i Kosovës nuk e miratoi Projektligjin për Amnistinë, duke e rikthyer në Qeveri për të reflektuar, e cila më pas e riprocedoi me disa ndryshime. Kjo ngjarje la hapësirë për interpretime e komente të ndryshme. Sipas mendimit tim, në këtë rast u përballën pragmatizmi politik me arsyen politike. Në seancën e 4 korrikut, në të cilën u procedua për miratim një nga arritjet dhe rekomandimet më të fundit të bisedimeve Thaçi-Daçiq në Bruksel, konkurruan normalisht dy kuptime. Janë dy kuptime të rrjedhura nga dy këndvështrime të ndryshme, pro dhe kundër, për raportin aktual dhe të pritshëm të Republikës së Kosovës me Brukselin (BE-në), SHBA-në dhe, përgjithësisht me faktorin ndërkombëtar. Raporti mes këtyre dy qëndrimeve dhe këndvështrimeve, që u shfaq qartë me votimin në Kuvend, mbetet problem për zgjidhje së shpejti, por që unë, mendoj se do të zgjasë në kohë. Ndihem i dyzuar mes dëshirës dhe arsyes sepse:

– E dyzuar ka qenë lufta çlirimtare e Kosovës nga Serbia. Lufta u organizua, u fillua, u zhvillua nga UÇK-ja, me mbështetjen dhe sakrificat supreme të mbarë shqiptarëve. Por, pa ndërhyrjen e NATO-s, vështirë se lufta jonë, do të mundë të përfundonte me fitore në qershor të 1999-s. Pra, qysh në gjenezën e lindjes së Kosovës së lirë nga Serbia është shfaqur nevoja për një përgjigje në pyetjet: Kosovën e çliruam ne? E çliroi NATO? Apo e çliruam së bashku? Përgjigjet dihen dhe, megjithatë, vazhdohet ende të mos ketë një përgjigje të pranuar nga opinioni për këto pyetje.

– E dyzuar ka qenë dhe vazhdon të mbetet shpallja e pavarësisë së Kosovës. Megjithëse ky akt u njoh menjëherë nga aleatët tanë ndërkombëtarë. Kurse nga Serbia dhe aleatët e saj u quajt dhe vazhdon të cilësohet si një “akt i njëanshëm” i autoriteteve të Prishtinës. Pas më shumë se 5 vjetësh pavarësi, përballja e këtyre dy opinioneve politike me përmasa ndërkombëtare, ku ndahen edhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje, vazhdon të jetë i pranishëm dhe me peshë për statusin aktual dhe të pritshëm ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

– E dyzuar është shfaqur nga fillimi dhe vazhdon të mbetet e tillë edhe veprimtaria dhe politika e ndjekur nga institucionet e BE-së. Shumica dërmuese e tyre e njohu menjëherë shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Vetëm 5 shtete të BE-së, mendoj të kushtëzuara nga arsye e tyre të brendshme shtetërore, vazhdojnë të mos na njohin. Kur dihen emrat dhe pesha reale politike dhe ekonomike e këtyre shteteve në BE, te ne, qytetarët e etnisë shqiptare dhe partitë politike shqiptare, lind natyrshëm pyetja: BE-ja nuk e dëshiron një njohje tërësore të saj apo nuk e bën dot?!

– Dyzimi e dyshimi më i pranishëm në ndërgjegjen e qytetarëve shqiptarë të shtetit tonë është se nëpërmjet vazhdimit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, BE-ja preferon dhe përpiqet të favorizojë Serbinë.

– Dyzimi i fundit mendoj se është “argumenti” më i rëndësishëm i mosmiratimit nga Kuvendi të Projektligjit për Amnistinë. Nuk u miratua, sepse prej tij, mund të përfitonin edhe serbët “kriminelë”, por edhe shqiptarët “kriminelë”, që nga 1999 deri më 20 qershor 2013. Ketë arsye është vështirë ta kundërshtosh. Por kundërshtimi me të njëjtën armë, me arsye të njëjta politike, konsiderohet figurshëm, vetëvrasje. Mendoj se Kosova është ende larg komoditetit për të zbatuar këtë lloj vetëndëshkimi.

Por, le t’i kthehemi logjikës së amnistisë. Çdo përfundim logjik del së paku nga dy premisa, dy fillesa. Amnistia u kërkua si kusht në kuadër të normalizimit dhe zbatimit të marrëveshjes së nënshkruar më 19 prill mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ky kusht nuk u miratua nga Kuvendi i Kosovës, i cili ka aprovuar zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Miratimi i Projektligjit për Amnistinë nga kuvendet në Prishtinë dhe Beograd është parakusht për vazhdimin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. I mirëkuptoj arsyet e të gjithë mosmiratuesve të këtij projektligji. Me miratimin e tij mund të spekulohet dhe t’i shpëtojnë dënimit edhe kriminelë që doemos duhen dënuar (kriminelët janë kriminelë dhe në ta s’ka asnjë vlerë dhe peshë përkatësia etnike).

Por, me mosmiratimin e këtij projektligji nga Kuvendi i Kosovës, spekuloi menjëherë politika zyrtare e Beogradit që nxitoi të deklaronte (pa u mbushur 12 orë) se “mosmiratimi i Projektligjit për Amnisti mund të cenojë dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”. Me mosmiratimin e këtij projektligji mendoj se kundërshtimi i amnistimit të krimeve dhe të kriminelëve serbë në Kosovë është emocionalisht i natyrshëm dhe ligjërisht i pranueshëm. Nisur nga këto dy vlerësime, nga morali dhe e drejta, e mirëkuptoj kundërshtimin ndaj këtij projektligji. Por, nisur nga politika, nga konjuktura politike rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe nga përmbushja ideale dhe perspektive e interesave të shtetit të Kosovës, ende i paanëtarësuar në OKB, po shfaqem publikisht, kundër mosmiratimit nga Kuvendi i Kosovës së Projektligjit për Amnistinë, me bindjen dhe besimin se i shërbej më mirë interesit qytetar dhe konsolidimit të shtetit tonë të ri.

(Autori është nënkryetar i parë i Kuvendit të Republikës së Kosovës)

Letaj: Gjimnazi “Gjon Buzuku”, pranon 450 nxënës

0

Gjimnazi Gjon BuzukuInteresimi për t’u regjistruar në Gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren është i lartë. Zëvendësdrejtori, Beqir Leti, tha se në këtë vit në këtë shkollë do të pranohen 450 nxënës.

Sipas tij, këto vende janë të interesuar t’i zënë shumë nxënës. ”Interesimi është jashtëzakonisht i madh i nxënësve që të pranohen në këtë shkollë”, tregon Letaj

Sipas tij, përveç nxënësve të komunës së Prizrenit, në Gjimnazin “Gjon Buzuku” janë të interesuar të pranohen edhe nxënësit e komunave të tjera.”Kërkesa është e lartë edhe nga nxënësit e shollave të komunave të tjera. Ata mund të pranohen vetëm në drejtimet ku interesimi është më i vogël, sic është drejtimi i matematikës apo informatikës, por jo edhe në drejtimet ku konkurrenca është e madhe”, tha Letaj

Sipas tij, pranimi i nxënësve në Gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren, do të bëhet sipas kritereve që janë përcaktuar nga Ministria e Arsimit në Prishtinë. “ Ne po i përmbahemi strik kritereve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit”, tha Letaj.

Ai tregoi se pranimi i nxënësve ka filluar të bëhet edhe në paralelet në Gjonaj, Romajë, Velezhë dhe Zhurë. / PrizrenPress.com/

“Eqa” qetëson rebelimet

0

EqremKryeziu-ldkZyrtarë të degës së LDK-së në Prizren kanë shprehur kënaqësinë dhe gëzimin e tyre që kryetari i kësaj dege dhe ish-kryetar i komunës së Prizrenit, Eqrem Kryeziu, është përcaktuar më në fund që të jetë kandidat zyrtar i kësaj partie në garën e ardhshme për kryetar të Prizrenit. Nderim Gashi, sekretar i degës së këtushme, ka thënë për Zërin se propozimi që Eqrem Kryeziu të jetë kandidat i tyre në zgjedhjet e ardhshme komunale ka buruar nga baza dhe është mbështetur nga shumë struktura të LDK-së në Prizren, përfshirë këtu edhe Forumin e Gruas dhe atë të Rinisë.

“Mirëpo, deri më tash problem ka qenë hezitimi i vetë kryetarit Kryeziu, i cili vazhdimisht e ka refuzuar këtë kandidaturë, hezitim ky që ka përfunduar definitivisht pas insistimeve të mëdha që janë bërë, si në degën tonë, ashtu edhe në nivelin qëndror dhe lajmi për përcaktimin zyrtar të LDK-së që Eqrem Kryeziu të jëtë kandidat i vetëm i yni për postin e kryetarit të komunës së Prizrenit në zgjedhjet e 3 nëntorit, ka gëzuar jo vetëm anëtarësinë tonë, por edhe shumë qytetarë të Prizrenit”, ka thënë Gashi.

Gashi këtë disponim të prizrenasve për “Eqën”, siç e quajnë, e mbështet se atë se, sipas tij, “votuesit e mbajnë shumë mire në mend periudhën e qeverisjes së Prizrenit nga LDK-ja dhe kryetari Kryeziu, ashtu siç e kanë edhe më të freskët qeverisjen aktuale nga PDK-ja dhe Ramdan Muja, me të cilët , siç dihet , në Prizren iu ka dalë shumë punë edhe organeve të drejtësisë “.

Në pyetjen tonë se me këtë kandidaturë a është pajtuar edhe dega e LDK-së në Zhur, e cila në Kryesinë e LDK-së në Prishtinë e ka dërguar edhe propozimin zyrtar për kandidatin e saj, Nijazi Ademajn, duke shprehur kështu mospajtimin me dy kandidatët (Eqrem Kryeziun dhe Hanefi MUharremin) që i ka dërguar dega e Prizrenit, sekretari Gashi ka thënë se zyrtarisht ende nuk e ka mendimin e zhurjanëve, por ka lexuar në medie se edhe dega e Zhurit e ka mbështetur kandidaturën e Kryeziut. Kryetari i LDK-së në Zhur, Shukri Vezaj, citohet të ketë thënë se zhurjanët nuk do ta kundrështojnë vendimin e Kryesisë në Prishtinë.

“E keqja është se ne nuk jemi konsultuar për këto kandidatura, por sidoqoftë, kandidaturën e Eqrem Kryeziut do ta mbështesim edhe ne”, ka thënë Vezaj.

Vet Eqrem Kryeziu, pas publikimit të njoftimit zyrtar të LDK-së, ëshë shprehur optimist se garën për të parin e Prizrenit do ta fitojë.

“ Eqrem Kryeziu në njëfarë mënyre ka qenë fitues edhe në zgjedhjet e parafundit, ato të vitit 2007, të cilat në raundin e parë edhe i fitoj, por vjedhjet makabre që iu bënë votës asokohe në Prizren e sollën në pushtet Ramndamn Mujën”, ka theksuar Nderim Gashi, duke shperhur bindjen se qytetarët e Prizrenit më 3 nëntor timonin e komunës do t’ia besojnë sërish kryetarit të tyre, Eqrem Kryeziut.

Thaçi kundër dyshtetësisë për serbët e Kosovës

0

Thaci7-03Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi refuzon të pranojë të drejtën e dyshtetësisë, shkruan sot gazeta Blic e Beogradit.
Sipas shkrimit të kësaj gazete, Thaçi insiston që në Kosovë së pari të merret shtetësia e saj e më pas të shikohet mundësia e shtetësisë tjetër, pra të asaj serbe, thotë gazeta.

Edhe pse bisedimet në Bruksel po përparojnë, kanë mbetur të zgjidhen disa qëndrime thelbësore rreth të cilave grupet e punës po sillen e mbështillen tash e disa javë. “Blic” thekson se pala e Kosovës insiston që Liqeni i Gazivodës dhe trafo e Valaçit të integrohen në sistemin e Kosovës, transmeton “Koha”.

Gazivoda është e domosdoshme për Kosovën për punën e termocentralit në Obiliqi dhe Prishtina nuk do assesi që ai të varet nga serbët e veriut. Por Beogradi për serbët e veriut kërkon një provajder tjetër për rrymën dhe mu trafo e Valaçit është e lidhur me Gazivodën.

Edhe kur bëhet fjalë për telekomunikacionin, nuk është arritur ndonjë pajtim pasi problem nuk është vetëm kërkesa e Kosovës që të ketë numrin thirrës të vetin, por ekziston edhe problemi ekonomik, sepse Kosova nuk lejon që pos dy kompanive që kanë licenca, edhe hyrjen e Telekomit në treg.

Beogradi pret që Kuvendi i Kosovës ta miratojë Ligjin për amnisti dhe, siç shkruan “Blic”, lyp implementimi të njëjtë të Marrëveshjes edhe nga Prishtina.

Letër nga Prizreni, “Jerusalemi” i vogël i Kosovës

0

Prizreni5-24Liam Hoare – Votim Demiri më drejtonte nëpër labirintin e rrugëve të ngushta e ndërtesave me kulme të pjerrëta të kuqe, deri tek shtëpia e tij në qytetin me 178 mijë banorë, në një kthesë në lumin Bistrica të Prizrenit. Në zyrën e tij, Demiri, kryetari i bashkësisë hebraike në Kosovë, me krenari tregon fotografitë e takimit të familjes së tij me liderë të ndryshëm, përfshirë edhe presidentin izraelit, Shimon Peres. Ai bëri me gisht tek kalendari që ia dha Komiteti i Përbashkët i Shpërndarjes Amerikano-Hebraike (JDC). JDC ka bërë punë të madhe në këtë ish-provincë të shkëputur të Serbisë, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Shtëpia Demirit – “Shtëpia hebraike”, siç i referohet ai – formon një pikë të trekëndëshit në lagjen e tij me dy vende të shenjta islame. Më vonë, ai më dërgoi në qendrën historike të Prizrenit, të vendosur rreth një ure guri të vjetër që shtrihet te Bistrica e Prizrenit. Ai theksoi se xhamia e Sinan Pashës gjendet afër kishës ortodokse serbe dhe shkollës katolike.

“Ky është Jerusalemi jonë”, tha ai.

Prizreni është si Jerusalemi, më shumë se ç’mund të mendojë dikush – për të mirë e për të keq. Siç krenohet Demiri, qyteti në 40 milje në jug të kryeqytetit të Prishtinës, ka shumësi etnish, përfshirë shqiptarët e besimeve të ndryshme, islame dhe katolike, dhe një total prej 56 hebrenjve.

“Shqiptar sunitë, suni sufitë, katolikët dhe hebrenjtë gëzojnë një ndjenjë të ngrohtë të identitetit të përbashkët komunal në Prizren”, thotë Stephen Suleyman Schwartz, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Pluralizëm Islamik në Washington.

Megjithatë, qyteti nuk është i huaj për urrejtjet etnike që kanë shkatërruar Ballkanin për dy dekada, që prej shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Edhe pse ishte kursyer nga më e keqja e ekseseve të luftës në Kosovë, forcat serbe kanë spastruar në mënyrë sistematike disa zona shqiptare të qytetit. Shqiptarët përzunë shumicën e komunitetit të vogël serb pas fitores në vitin 1999, dhe detyruan pothuaj tërë të tjerët të largohen pas trazirave të vitit 2004

“Ndonëse qyteti është i bukur, i animuar dhe mikpritës”, thotë Schwartz, “shqiptarët dhe serbët nuk kalojnë mirë këtu”.

“Brenda kësaj përzierjeje të parehatshme, jetojnë pothuajse të gjithë hebrenjtë e Kosovës. Komuniteti i vogël nuk ka pasur prezencë të rëndësishme në jetën publike për një kohë të gjatë”, shpjegon Noel Malcolm, ligjërues në All Souls College, Oxford. Komuniteti është tkurrur dukshëm, madje edhe nga 360 sa kanë mbijetuar Luftën e Dytë Botërore dhe Holokaustin.

Dhe, prapë në Prizren dhe në Kosovë si tërësi, ekzistenca e komunitetit është e vlefshme, sepse shërben si një shembull i fuqishëm në Evropë dhe në botë se si një pakicë hebraike mund të mbijetojë në mesin e myslimanëve.

“Ata gëzojnë historinë e vërtetë të bashkëjetesës pozitive dhe të pranimit të ndërsjellë në atë që është një shoqëri mbizotëruese myslimane”, thotë Malcolm.

Kjo bashkëjetesë u shqua në tmerrin e Shoah. Në prill të vitit 1941 Kosova ishte aneksuar nga Shqipëria e kontrolluar nga italianët. Deri në shtator 1943, të dy territoret ishin nën pushtimin gjerman. Gjatë gjithë kësaj periudhe, në tentimet për të dorëzuar në masë hebrenjtë tek autoritetet naziste, shqiptarët refuzuan të bashkëpunojnë, duke fshehur hebrenjtë në shtëpitë e tyre, duke u siguruar atyre ushqim dhe veshmbathje, si dhe duke u dhënë atyre emra myslimanë dhe dokumentacione të rreme. Në Kosovë, 258 hebrenj u dëbuan në Bergen-Belsen, 92 nga të cilët u vranë. Por, më shumë se 2,000 hebrenj u shpëtuan në gjithë Shqipërinë dhe Kosovën.

Për të kuptuar heroizmin e shqiptarëve duhet njohur faktin se ata ishin të udhëhequr pjesërisht nga besa, një kod i lashtë dhe popullor i nderit që përcakton se ata duhet të sigurojnë mbrojtje për çdo person që vë këmbë në pronën e dikujt, madje edhe deri në masën e rrezikimit të jetës.

Schwartz shton se kjo gjithashtu reflekton “mungesën e paragjykimeve anti-hebraike në shoqërinë shqiptare” që ndërlidhet edhe me “kujtesën kulturore” të pozicionit tolerant të hebrenjve në shoqërinë otomane dhe për faktin se hebrenjtë kanë luajtur rol të rëndësishëm historik në lëvizjen kombëtare shqiptare.

Pavarësisht nga kjo histori, pozicioni hebrenjve sot në Kosovë është jashtëzakonisht i brishtë. Në një komb axhami me një normë papunësie prej të paktën 45 për qind, të varur nga ndihma e huaj dhe remitencat nga diaspora, hebrenjtë e Kosovës nuk janë të mbrojtur nga efektet e varfërisë dhe të papunësisë. Ndihma e JDC-së mbetet kritike edhe në nivelin më bazik. Çdo dimër, për shembull, çdo anëtar i komunitetit merr 150 dollarë nga JDC për karburant apo dru zjarri.

Në këto kushte ekonomike dhe me një numër të tillë, jeta e hebrenjve nuk mund të lulëzojë.

Demiri shpjegoi se dy familje hebraike u larguan në vitin 2001, për t’u vendosur në Izrael. Ata që mbeten janë kryesisht shumë të varfër për të kontribuar financiarisht, në formën e anëtarësisë, për komunitetin hebre. Disa mbijetojnë nga ndihma e donacioneve nga organizatat joqeveritare, si JDC apo shoqatat tjera bamirëse.

Komuniteti hebre i Prizrenit po ashtu nuk ka një hapësirë të përbashkët, apo sinagogë. Në kryeqytetin e Prishtinës, ish komuniteti hebre kishte mbajtur dy sinagoga dhe një jeshiva deri në Holokaust. Por, komuniteti atje u tret drejtë asgjëje pas lufte, dhe sinagoga e fundit u shemb më 1963. Në vendin e sinagogës së vjetër, në qendër të qytetit, qëndrojnë tani ndërtesat qeveritare, si dhe memoriali i sapo përuruar i Kosovës për Holokaustin.

Dëmshpërblimi për këtë pronë mund ta realizojë vizionin e Demirit për qendrën e komunitetit hebraik në Prizren, me një sinagogë të vogël të inkorporuar brenda. Por, ndonëse shumë ish republika jugosllave kanë miratuar ligje mbi kthimin, Kosova ende nuk e ka plotësisht të zgjidhur këtë çështje. Situata është e komplikuar nga fakti se kodi ligjor i Kosovës është një grumbull i ligjeve të vjetra jugosllave dhe rezolutave të Kombeve të Bashkuara, të miratuara gjatë kohës kur ky trup botëror shërbente de fakto si qeveri, dhe legjislacioni i miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Valët e vjedhjes së pronës nga ana e monarkisë jugosllave para Luftës së Dytë Botërore, nga qeveria komuniste gjatë periudhës së pasluftës, dhe regjimi serb i Slobodan Milosevicit, e ka ngatërruar edhe më shumë këtë aspekt.

Lufta për të mbështetur jetën hebraike nuk ka ndalur përpjekjet e hebrenjve të Kosovës dhe bamirësive hebraike për të vazhduar frymën e bashkëpunimit ndërkomunitar. Ndërmjet viteve 1999 dhe 2006, JDC ishte aktive në Kosovë në projekte josektare nga e cila ka përfituar popullata lokale shqiptare. Ndoshta më e rëndësishmja nga këto, së paku simbolikisht, ishte rindërtimi i xhamisë në Shqiponjë, një fshat kodrinor në perëndim të Kosovës.

Gjatë kasaphanës së Milosevicit kundër popullatës së Kosovës, xhamia në Shqiponjë ishte një prej 200 apo më shumë vendeve të tilla të kultit, të dëmtuara, të përdhosura ose të shkatërruara nga forcat serbe. Duke punuar së bashku me komunitetet islamike dhe katolike të Kosovës, JDC ndihmoi në financimin e restaurimit të një strukture që s’ishte gjë tjetër pos skelet, përfshirë rindërtimin e kupolës së praruar dhe minares.

Fondet e JDC-së për hebrenjtë e Prizrenit dhe komunitetet tjera hebraike në rajon “mbushin bateritë”, thotë Demiri. Kohë pas kohe, JDC kujdeset që fëmijët të kenë mundësi të marrin pjesë në kampet verore hebraike të organizuara për të rinjtë në ish Jugosllavi, në Pirovac të Kroacisë.

Pavarësisht nga sfidat, bashkësia hebraike ia del të shënojë aq sa mundet çdo sabat dhe çdo ditë tjetër të shenjtë. Anëtarët organizojnë takime në shtëpitë e njëri-tjetrit, shpesh në atë që Demiri e quan “shtëpia hebraike”, shumë pranë xhamive në rrugët e ngushta të qytetit të vjetër.

Për të tashmen dhe të ardhmen e parashikueshme, Demiri thotë: “Unë jam president, rabin dhe kantor”.