22.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Poezia e Vincës, vihet në mbrojtje të njeriut të lirë

‘Një shtegtar i përjetshëm, që u ofron njerëzve një sofër bujare’. Kështu cilësohet poeti Agim Vinca nga botuesi i tij francez Luc Vidal (Lyk Vidal), në parathënien e librit «Une cloche à ton cou» (Kambanë në qafë), që doli në botim të shtëpisë botuese «Éditions du Petit Véhicule », Nantes (Nantë), 2016. Se sa e ndihmojnë letërsinë shqipe përkthimet që po i bëhen asaj në gjuhë të huaja, që të njihet në Evropë dhe në botë, në intervistë për Radio Kosovën, Vinca thotë se “Letërsia shqipe, hiq Ismail Kadarenë dhe, aty-këtu, edhe ndonjë autor tjetër, pak njihet në botë, shumë pak. Ne si komb dhe si kulturë na duhet të bëjmë shumë punë në këtë plan”.

Para do kohësh, një libër juaji me poezi është botuar edhe në gjuhën frënge. Libri është dygjuhësh dhe titullohet: «Une cloche à ton cou» (Kambanë në qafë). Pse zgjodhët që këto poezi të lexohen pikërisht edhe nga frankofonët?

Vinca: Kjo nuk ishte zgjedhje imja, por e botuesit tim francez Luc Vidal (Lyk Vidal), të cilin unë e takova në festivalin ndërkombëtar të poezisë VOIX VIVES de Mediterranée en Mediterranée (ZËRA TË GJALLË nga Mesdheu në Mesdhe), që për çdo verë mbahet në qytetin bregdetar Sète (Setë) në Francë, në javën e fundit të korrikut. Unë isha pjesëmarrës i këtij festivali në verë të vitit të kaluar (2015). Botuesi në fjalë, që është edhe poet, madje poet shumë i njohur në Francë, ishte prezantues imi në një nga leximet e mia të shumta që pata në Festivalin e Setës dhe, pas mbrëmjes letrare, që u mbajt në orët e vona të natës, nën dritën e qirinjve, ma bëri ftesën që të më botonte një libër me poezi në frëngjisht, te shtëpia e tij botuese “Éditions du Petit Véhicule”, madje në koleksionin më reprezentativ të saj “Galerie de l’or de temps” (Galeria e kohës së artë), sepse, siç më pat thënë me atë rast, poezitë e mia i kishin pëlqyer, kurse disa syresh ai i pat cilësuar, me gojë dhe me shkrim, si “poezi të mrekullueshme”.

Në parathënien e librit në gjuhën frënge, autori i parathënies, Luc Vidal, ju quan poet të lirë dhe thekson se poezia juaj vihet në mbrojtje të njeriut të lirë dhe ngrihet kundër çdo diktature!

Vinca: Po, ashtu është. Në parathënien që i prin librit, zoti Vidal, ndër të tjera, thotë: “Agim Vinca e di se ç’do të thotë të jesh një poet i lirë, si ta kishte bërë të vetën thënien e poetit të madh Robert Desnos se karakteri liridashës i poezisë rrjedh nga shpirti liridashës i vetë poetit. Poezia e Agim Vincës – thekson më tej ai – vihet në mbrojtje të njeriut të lirë dhe ngrihet kundër çdo diktature”. Në vazhdim më bën një kompliment të madh duke më krahasuar me poetë të mirënjohur francezë si Robert Desnos (Robert Desnos), Guillaume Apollinaire (Gijom Apoliner), Benjamin Fondane (Benzhamen Fondan), Max Jacob (Maks Zhakob) e të tjerë, poetë që kanë marrë pjesë në luftërat çlirimtare të vendit të vet ose kanë vdekur në kampet naziste si antifashistë.

Më vjen mirë që botuesi francez, edhe vetë poet, e ka vënë theksin te karakteri liridashës i poezisë sime, që është tipar i mbarë poezisë shqipe prejse shkruhet ajo dhe sidomos i poezisë shqipe të kohës sonë, pjesë e së cilës është edhe poezia ime.

Cilat janë motivet e poezive në “Kambanë në qafë”?

Vinca: Motivet e poezive të përfshira në këtë libër, gjithsej dyzet sosh, janë të llojllojshme: liria, dashuria, atdheu, fjala, poezia, vendlindja, malli, vetmia, protesta ndaj dhunës, qëndresa përballë së keqes, si dhe tema e motive të tjera. Poezia është si vetë jeta: e lirë dhe e pakufizuar. Vlen të theksohet, ndërkaq, se te ky libër janë përfshirë poezi të miat nga vitet ’70 e deri më sot dhe se ai paraqet evoluimin tim si poet: nga lirizmi, ta quajmë ndjenjor e metaforik, deri te sensibiliteti modern e postmodern, që ka si mjete shprehëse simbolin, alegorinë, ironinë, humorin e zi dhe persiflazhin (parodinë). Duke u nisur nga ky fakt duket botuesi francez në parathënien e tij ka shqiptuar edhe një mendim që vlen të citohet posaçërisht: “Poezia e Agim Vincës është e afërt me shpirtin e popullit të tij. Metaforat e tij janë goditëse dhe tërheqëse. Lirizmi i tij është drithërues”.

Ky libër është projekt i përbashkët i juaji si autor, i botuesit francez Luc Vidal, i përkthyesit Aleksandër Zoto dhe piktorit shqiptar Anastas Kostandini-Taso. Sa jeni i kënaqur më këtë bashkëpunim?

Vinca: Bashkëpunimi ka qenë shembullor. Secili i ka kryer detyrat e veta si duhet dhe të gjithë së bashku kemi kontribuar që ky libër të dalë kështu siç ka dalë: i përkryer nga pikëpamja grafike dhe besoj me interes për lexuesit nga aspekti përmbajtësor: përjetimi estetik që ofrojnë tekstet poetike të përfshira në të.

Dua të falënderoj posaçërisht botuesin francez, zotin Luc Vidal, që jo vetëm u tregua njeri i fjalës, por edhe për faktin se më ka trajtuar në mënyrë dinjitoze si autor, konform ligjeve evropiane mbi të drejtat e autorit; mirënjohje të veçantë u detyroj bashkëkombësve të mi, përkthyesit Aleksandër Zoto, profesor i letërsisë frënge në Universitetin e Sent-Etjenit dhe njohës i shkëlqyeshëm i frëngjishtes dhe i shqipes, i cili punon me një përkushtim të veçantë, që rrallë haset ndër ne, si dhe piktorit të talentuar nga Pogradeci, Anastas Kostandini-Taso, i cili mbi motivet e poezive të mia bëri ilustrimet e shkëlqyeshme që e bëjnë këtë libër edhe më tërheqës për lexuesit.

U them me shaka miqve të mi se, ndryshe nga librat e zakonshëm, ky është një libër që duhet të shihet më parë se të lexohet, por këtu ka në fakt diçka të vërtetë: “Unë cloche à ton cou”, alias “Kambanë në qafë”, hyn në radhën e librave që zbukurojnë vitrinat.

Sa e ndihmojnë letërsinë shqipe përkthimet që po i bëhen asaj në gjuhë të huaja, që të njihet në Evropë dhe në botë?

Vinca: Letërsia shqipe, hiq Ismail Kadarenë dhe, aty-këtu, edhe ndonjë autor tjetër, pak njihet në botë, shumë pak. Ne si komb dhe si kulturë na duhet të bëjmë shumë punë në këtë plan. Duhet një politikë më e drejtë e më afatgjate institucionale për përkthimin dhe prezantimin e vlerave tona letrare në botë, veçanërisht në gjuhët e mëdha si anglishtja, frëngjishtja etj. Fatkeqësisht mungojnë njohësit e shqipes ndër të huajt në atë nivel që do të mund të merreshin me përkthime letrare. Një Robert Elsie, një Aleksandër Zoto e ndonjë tjetër nuk mjaftojnë. Është dashur të punohet me kohë e me kritere në këtë plan, ashtu siç kanë vepruar dhe veprojnë popujt e tjerë, madje edhe fqinjët tanë. Nuk duhet t’u lihet kjo punë nismave private, informale dhe keqpërdorimeve të natyrave të ndryshme, që jo vetëm nuk e ndihmojnë afirmimin e letërsisë shqipe në botë, por, përkundrazi, e cenojnë prestigjin e saj.

Jeni përkthyer në disa gjuhë të huaja, por edhe vetë keni përkthyer në gjuhën shqipe nga letërsitë e tjera. Në panairin kombëtar të librit “Fieri 2015”, romani “Grahma e fundit” i shkrimtarit francez Romain Gary, i përkthyer nga ju, u shpall libri më i mirë i përkthyer gjatë vitit 2015. Cilat ishin kriteret e përzgjedhjes për përkthim?

Vinca: Përkthimi letrar është si të thuash veprimtari e dorës së tretë, në mos edhe të katërt, e punës sime krijuese. Përveç cikleve nga poetët francezë Prever, Elyar, Apoliner e ndonjë tjetër, nga poeti gjerman Breht dhe nga ndonjë poet nga hapësira e ish-Jugosllavisë, si poeti boshnjak Husein Tahmishçiq, unë kam përkthyer në shqip edhe dy vepra me të cilat mund të krenohem: librin mikst poetik-eseistik “Ballkaniada” të poeteshës së madhe bullgare Bllaga Dimitrova, të cilin e kam përkthyer direkt nga bullgarishtja në vitin 2000 e që ka pasur tre botime deri tani dhe romanin e shkrimtarit të njohur bashkëkohor francez Romain Gary (Romen Gari), “Grahma e fundit”, që mori çmim në “Fieri 2015”, të përkthyer nga origjinali frëngjisht. Në përzgjedhjen e veprave të përkthyera jam udhëhequr në radhë të parë nga vlera estetike e tyre, por edhe nga fakti që ato, siç ndodh me dy veprat e përmendura më sipër (Ballkaniada dhe Grahma e fundit), flasin edhe për ne: për Kosovën në kohën e luftës së saj për çlirim, e para dhe për Shqipërinë e shqiptarët në kohën e luftës së ftohtë, e dyta. Jam shumë i ndjeshëm ndaj çdo përmendjeje që na bëhet ne në botë, në botën e letrave, sepse ne jemi një pikë e vogël në këtë botë të madhe dhe sa më parë që të bëhemi të vetëdijshëm për këtë, aq më mirë për ne.

Profesor Vinca, jeni edhe kritik letrar. Kritika letrare në të kaluarën ka qenë kujdestare e krijimtarisë sonë letrare, përmes së cilës lexuesit më tepër kanë qenë në kontakt me librin. Si është gjendja sot?

Vinca: Kujdestare! Në ç’kuptim? Nëse ka qenë kujdestare në kuptimin e censurës, ka luajtur rol negativ, kurse nëse ka qenë kujdestare në kuptimin e ruajtjes dhe kultivimit të vlerave, atëherë ka luajtur rol pozitiv. Kritika letrare shqipe në të kaluarën (e kam fjalën për periudhën para vitit 1990), si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, i ka luajtur, ku më pak e ku më shumë, të dyja këto role. Kurse sot, në këtë kohë që po e quajmë tash e një çerek shekulli “kohë e tranzicionit”, kritika letrare shqipe, sidomos ajo që ka për detyrë ta përcjellë produksionin letrar të ditës, pothuajse nuk ekziston fare ose, me fjalë të tjera, po përjeton njëfarë agonie shumëvjeçare. Përse ndodh kështu? Për shkak se klima është e tillë, nuk e stimulon mendimin kritik dhe për shkak se shoqëria nuk është e interesuar ta mbështesë moralisht dhe materialisht institucionin e kritikës.

Para se ta mbyllim këtë bisedë, a mund të na thoni se si mund të porositet libri juaj “Une cloche à ton cou” (Kambanë në qafë) nga ata që janë të interesuar?

Vinca: Botuesi «Éditions du Petit Véhicule » nuk i shet librat në librari, por i shet online nëpërmjet internetit. Të gjithë ata që janë të interesuar ta kenë këtë libër, shqiptarë dhe të huaj, veçanërisht ata nga diaspora e gjerë shqiptare në vendet frankofone (Francë, Zvicër, Belgjikë etj.), mund ta prosisin në adresën e mëposhtme:

http://www.lepetitvehicule.com/2016/02/une-cloche-ton-cou-de-agim-vinca.html

Diçka për fund të kësaj bisede?

Vinca: Krejt në fund, ja disa nga vargjet e vjershës së parë të librit “Une cloche à ton cou”, me të cilën hapet ai, ku unë si poet tentoj t’i përgjigjem pyetjes aspak të lehtë se ç’do të thotë të jesh poet: “T’i thuash derrit derr e Sokratit Sokrat/ dhe ta pish pjesën tënde të helmit/ T’i shkruash zotit letër të hapur/ dhe t’ia numërosh të tëra mëkatet/ Ta ndërtosh varrin tënd në majën më të lartë të bjeshkës/ dhe të shndërrohesh në rrufepritës“. Kjo poezi është shkruar në vitin e largët 1978, por besoj se tingëllon aktuale edhe sot.

Më Shumë

Nis rikonceptimi i ekspozitave të përhershme brenda Muzeut të Lidhjes së Prizrenit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se ka nisur rikonceptimi i ekspozitave të përhershme brenda Muzeut të Lidhjes...

Plagoset me armë zjarri një person në Nashec të Prizrenit

Një person është plagosur me armë zjarri në mbrëmjen e së premtes në fshatin Nashec të Prizrenit. Rastin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhnësi i...

Lajmet e Fundit