11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Demarkacioni, votëbesim për Qeverinë

Kuvendi i Kosovës edhe në seancën e rregullt të kësaj jave nuk e ka në rend pune ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, e cila ka gati një vit që së bashku me asociacionin për komunat me shumicë serbe po kundërshtohet nga tri subjektet politike opozitare. Mundësinë e dështimit të sigurimit të votave të mjaftueshme për Demarkacionin, për shkak të shtimit të zërave kundër edhe brenda koalicionit qeverisës, e ka pranuar si rrezik real edhe kryeministri Mustafa në një intervistë për mediet, shkruan gazeta Kosova Sot.

Futja në një situatë të tillë krize që ka çrregulluar në masë të madhe funksionimin e jetës institucionale në vend, sidomos pamundësia eventuale e sigurimit të votave për demarkacionin, sipas njohësve të rrethanave politike në vend mundë ta çojë vendin edhe në zgjedhje të reja parlamentare të parakohshme. Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, pohon se çështja e Demarkacionit me Malin e Zi është një çështje e rëndë dhe shumë delikate për të ardhmen e vendit, por edhe për vetë fatin e Qeverisë aktuale të Kosovës.“Është fakt se Marrëveshja e demarkacionit, e nënshkruar nga ana e Thaçit dhe Hysenit me përfaqësuesit e Malit të Zi, ka krijuar një çrregullim të tërësishëm të jetës politike dhe institucionale në Kosovë. Raportet janë shndërruar në kapacitete të rënda marrëdhëniesh mes forcave politike. Ato janë shprehur edhe në Kuvend dhe jashtë tij, duke krijuar tendosje dhe raporte të ashpra edhe me organet e ndjekjes”, theksoi ai.

Mbështetësit e marrëveshjes, të ndiqen penalisht

Sipas Kelmendit, tash, kur po ecet në rrugën që kjo marrëveshje të futet në Kuvend për ratifikim nga parlamentarët, pritet të kemi tendosje tjetër të re. “E në rast se parlamentarët për shkak të ruajtjes së marrëdhënieve qeveritare e pranojnë marrëveshjen, gjendja do të përkeqësohet edhe më shumë, jo vetëm midis parlamentarëve qeveritarë, respektivisht PDK-së dhe LDK-së, por edhe në raport me opozitën do të krijohen çrregullime të rënda dhe të pariparueshme. Prandaj, Kuvendi nuk duhet ta miratojë marrëveshjen si të tillë. Por, nëse kjo futet në Kuvend dhe nuk miratohet, atëherë është shumë e qartë që vendi do të shkojë shumë shpejt në zgjedhje të reja. Kjo për faktin se nuk ka më raporte ndërlidhëse midis PDK-së dhe LDK-së”, tha prof. Kelmendi për ‘Kosova Sot’.

Në variantin më befasues, të miratimit eventual të kësaj marrëveshje, sipas Kelmendit, përsëri destabilizimi mbetet si opsion që mund ta çojë vendin në zgjedhje. “Masat do ta kundërshtojnë dhe opozita do të rritet, prandaj mendoj se kuvendarët nuk do ta ratifikojnë marrëveshjen e tillë. Ajo ka krijuar konflikte dhe rreziqet janë shumë të mëdha që Kuvendi ta miratojë një marrëveshje të tillë antishtetërore dhe shumë të dëmshme për vendin. Madje nëse miratohet marrëveshja e tillë, atëherë jo vetëm Qeveria, por edhe kuvendarët do të kenë bërë vepër penale të dënueshme dhe duhet të përgjigjen penalisht, sepse në Kodin Penal të Kosovës theksohet taksativisht se dhënia e ndonjë pjese të territorit është vepër e rëndë penale dhe dënimet janë deri me burg të përjetshëm”, tha prof. Muhamet Kelmendi.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Në Prizren nis ndërtimi i një parku

Dje nisi përgatitja e terrenit në hapësirën e udhëkryqit mes rrugëve "Reshat Karjagdiu" dhe "Zahir Pajaziti" në Prizren për ndërtimin e një parku. Ky park...

Rreth 100 punëtorë të lënduar këtë vit

Përveç dhimbjeve dhe pamundësisë për të lëvizur, Rexhep Gashi brengosej edhe për mbulimin financiar të trajtimit të tij. I shtrirë prej ditësh në Klinikën e...

Lajmet e Fundit