13.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Politika, unike për bllokadën në drejtësi

Çështja e sistemit të drejtësisë në përgjithësi bashkë me të metat dhe defektet e saj, veç partive në pushtet, thuajse asnjëherë nuk është shtruar për diskutim në Kuvendin e Kosovës, as nga partitë opozitare. Veç protestave, kur është kërkuar luftimi i korrupsionit, këto të fundit asnjëherë nuk është vërejtur se e kanë pasur seriozisht dhe njëmend që ta diskutojnë këtë çështje në Kuvend. Njohësit e kësaj fushe thonë se po duket se drejtësia e dobët po u konvenon të gjitha partive politike në Kosovë,shkruan gazeta Kosova Sot.

Analisti Fadil Lepaja nuk mendon se opozita nuk është angazhuar edhe për drejtësi dhe reforma në këtë fushë.“Opozita vazhdimisht ka folur për shtetin e kapur dhe për drejtësinë si një nga segmentet e saj, veçse vazhdimisht ka shprehur bindjen se pa një ndërrim në politikë s’mund të ketë ndërrime as në drejtësi, ngase nuk besojnë se Qeveria është e interesuar për ta ndërruar gjendjen aty, pasi besojnë se ata e kanë krijuar pikërisht këtë gjendje, e cila u konvenon pushtetarëve”, është shprehur analisti Fadil Lepaja për gazetën “Kosova Sot”. Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet, nga LDK-ja, Adem Salihaj, ka thënë për gazetën “Kosova Sot” se çështja e drejtësisë së kapur nuk është shtruar asnjëherë për debat në Kuvend, ashtu siç nuk është shtruar as çështja e krimit dhe korrupsionit.“Krejt tjetër është që këto çështje thuhen në media apo në protesta. Por, Kuvendi do duhej të ishte vendi i duhur për debat”, potencoi ai.

Probleme nuk janë vetëm Demarkacioni dhe Asociacioni

Profesori i së drejtës penale, Ismet Salihu, thotë se një ndër çështjet kruciale dhe fundamentale të problemeve të Kosovës ose të çështjeve të pazgjidhura është edhe sistemi i drejtësisë në përgjithësi.“Në këtë drejtim edhe opozita ka dështuar për shkak se është dashur që një ndër çështjet kryesore ta ngre në Parlament edhe çështjen e drejtësisë, pasi moskonsolidimi dhe mosrespektimi i ligjit dhe kjo si pasojë ka ardhur edhe në multifikimin, shumëzimin dhe praninë shumë të madhe të korrupsionit, sidomos atij të niveleve të larta në përgjithësi të kriminalitetit. Kështu që mendoj se kjo është një ndër të metat e opozitës, e cila ka për detyrë dhe obligim prioritar të kritikojë dhe t’i qesë në pah të metat e pozitës, e cila është në Parlament, dhe kësisoj këtu kemi një dështim”.

Ai më tej ka nënvizuar se opozita ka bërë mirë që e ka iniciuar çështjen e asociacionit dhe atë të demarkacionit, por, siç ka thënë profesor Salihu, nuk është mirë që vetëm ato të jenë në maje të problemeve të opozitës dhe të merret kështu vetëm me to.“Siç shihet tani, ani pse me vonesë, në rendin e parë të agjendës në Shqipëri është sistemi i drejtësisë, ku janë angazhuar BE-ja, SHBA-ja dhe me çdo mënyrë dhe metodë duan që t’ia imponojnë Shqipërisë që ta rregullojë sistemin e drejtësisë. Nëse vazhdon kështu edhe tek ne do të vijë ajo situatë sikurse në Shqipëri, edhe pse me të gjitha këto të meta pak a shumë sistemi i drejtësisë tek ne është paksa më i mirë se atje, por nëse vazhdohet kështu nuk do të jetë assesi mirë”, ka theksuar profesori i drejtës penale, Ismet Salihu, për gazetën “Kosova Sot”.

Pasojat e administrimit të UNMIK-ut

Analisti politik dhe juridik, Mazllum Baraliu, ka bërë të ditur se problemi i shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Kosovë ky është një problem që nga zanafilla, pasi, sipas tij, që nga administrimi i UNMIK-ut dhe deri më tani asnjë përpjekje si e strukturave vendore dhe qeverisjeve dhe më në fund edhe EULEX-i bashkë me qeverisjet e njëpasnjëshme nuk kanë qenë mjaft të angazhuara dhe të përkushtuara, por as të suksesshme në vënien e një sistemi të drejtë, të pavarur dhe funksional të drejtësisë.“Gabimet në radhë të parë janë tonat për arsye se në rrugëtim e sipër ka pasur ndikim të huajin dhe animim nga strukturat e brendshme gjithmonë atyre ndërkombëtare pa e njohur mirë sistemin, por as rrethanat dhe specifikat, pra sistemin evropian mbi të gjitha kontinental të drejtësisë dhe shpeshherë ka pasur tendenca edhe të futjes së elementeve anglosaksone ose një lloj lufte e pashpallur në mes të shteteve evropiane me ndikim dhe atyre anglosaksone në radhë të parë SHBA-ve për të vendosë elemente të sistemit të drejtësisë nëpër ligje të Kosovës, gjë që gjithsesi ka shkaktuar huti, probleme dhe po ashtu mosefikasitet krahas mospërgatitjes së duhur të atyre kuadrove të reja dhe mosangazhimit të duhur dhe frikës shpeshherë për t’u angazhuar sa duhet edhe të strukturave të mëhershme gjyqësore që janë aktivizuar dhe po ashtu moskrijimi i kushteve dhe ndërhyrja ndërkombëtare”, theksoi ai.

“Janë gjithë këta faktorë, të cilët kanë ndikuar që edhe kërkesat e opozitës, të cilat herë pas here kanë qenë jo sa duhet të zëshme, por kanë qenë të tilla për ta shtruar në rend dite nuk kanë pasur asnjë efekt, pasi strukturat oligarkike, të cilësdo qeverisje që nga fillimi, apo bashkëqeverisje kanë qenë mbase shumë të interesuara që të mos ketë sa duhet avancim dhe as përparim në zbatimin e ligjit dhe në funksionalizimin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi”, ka pohuar për gazetën “Kosova Sot” analisti Mazllum Baraliu.

Më Shumë

Lajmet e Fundit