5 C
Prizren
E mërkurë, 22 Janar, 2025

18-vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s ndaj caqeve serbe

Jusuf BYTYÇI
Pikërisht 18 vjet më parë, mbi territorin e Kosovës, nisën sulmet ajrore të Forcave aleate të NATO-s ndaj caqeve dhe obektivave serbe. Ky veprim, që ndodhi në kuadër të shënimit të përvjetorit të 50-të krijimit të kësaj aleance, ishte shpresa madhore, pothuaj e vetme e shpëtimit të popullit shqiptar nga zbrazja e vatrave tona!

Krahas veprimit intensiv goxha të gjatë politik të lidershipit të Kosovës që shumë vite më parë kishte paralajmëruar rrezikun që Serbia okupatore po i kanoste Kosovës dhe popullit shqiptar, si shumicë, u desht domosdoshmërisht edhe rezistenca e armatosur e UÇK-së, për më tepër se një vit luftë. Mirëpo, u desht domosdorisht edhe ndërhyrja e forcës më të madhe ushtarake në Botë-NATO-s, që të ndalë gjenocidin serb të Serbisë Milosheviqiane, ndaj shumicës shqiptare në Kosovë.
E, populli shqiptar, i organizuar përmes luftëtarëve të UÇK-së, nuk ndalnin përpjekjet për arritjen e lirisë kudo e në të gjitha frontet e luftës. Shqiptarët të vetëdijshëm për gjithë arsenalin e armatimit serbo-sllav, dhe pavarësisht nga çmimi, ishin të gatshëm të sakrifikohen për lirinë dhe Pavarësinë e tyre.

I madh e i vogël në pritje të ndriçimi të hapësirës qiellore

Të vetëdijshëm për forca të pabarabarta në aspektin e armatimit, shqiptarët, Dr. Ibrahim Rugova, i zgjedhur dy herë president i Republikës së Kosovës me votë të drejtpërdrejtë të qytetarëve, si dhe bashkëpunëtorët kanë kërkuar nga personalitetet më të rëndësishme të Botës Demokratike, SHBA-ve dhe Evropës, që të pengojnë veprimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe popullit të saj. Populli i Kosovës me vullnetin e shprehur edhe në referendum gjithëpopullor 1991, po kërkonte mëvetësi nga Serbia. Kosova e Pavarur, ishte opsioni kryesor dhe i panegociueshëm i liderit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në të gjitha takimet me liderët-presidentët e SHBA-ve, më parë Gjorgj Bushin e parë e më pas Bill Klintonin, si dhe me liderët e shteteve më të fuqishme Evropiane.

Qytetarët shqiptarë, baballarë, nëna, burra, gra, të rritur, të mitur e fëmijë, 18-vjet më parë, pritnin me sy e veshë, faktet e paralajmërmimeve të liderëve më të fuqishëm të Botës Demokratike, udhëhequr nga SHBA-të, për nisjen e sulmeve ajrore të NATO-s ndaj caqeve e objektivave të Serbisë e të së ashtuquajturës Jugosllavi, për ndaljen e gjenocidit serb ndaj popullatës shumicë shqiptare në Kosovë.

Emocione, lotë gëzimi, por edhe dro për kundër veprimin e Serbisë Milosheviqiane

Dhe në fakt, ndodhi 24 Marsi 1999, ndodhi fushata e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-atlantike-NATO-s, kundër caqeve dhe objektivave serbe në Kosovë dhe në Serbi.
Ishte vendim i shumë pritur, moment që mezi e prisnin shqiptarët, pa dallim moshe, e më kurreshtarë ishin prindërit tanë, baballarët, nënat, të moshuarit. Të tillë ishin edhe Baba Lushë, axha im, si dhe Baba Malë, babi im. Të dy, që nga orët e vona të pas ditës së 24 Marsit, më shumë qëndronin në oborr, se sa brenda në odë, ku një vit më parë ishte vendosur një pjesë e komandës së Shtabit lokal dhe rajonal të UÇK-së. Në odën e Babës Malë e Axhës Sadik, selia e Shtabit lokal të Shkozës, pos Xhemë G., Mahir H., Isuf G., Gani P., Mensur Z., Bedrush G., Flurim G., Bedri Z., nga Shtabi Rajonal i Drenocit, pastaj ish-komandantit Seferit, Njaziut, Luanit, Ragipit, Safet M.,etj, të emëruar në pozita komanduese, frekuentonin përherë jo vetëm ushtarë të këtyre Shtabeve, por edhe eprorë e përfaqësues të SHP të UÇK-së, disa nga të cilët janë dëshmorë kombi, por edhe heronj të shpallur nga presidentët e Republikës së Kosovës.
“Athua do t’i binë bre babë dhe kur do t’ia nisin me i ra Serbisë”, më pyeste axha Alush, 82 vjeç, (i vrarë e masakruar nga barbarët serbë më 2 prill 1999). Baba Lushë, ishte më i madhi nga katër vëllezërit e tij në lagjen “Mjeku” në Shkozë, të cilin që të gjithë 48 anëtarët e familjes e thirrnim baba Lushë. Gjithnjë më pyeste, çka po thotë gjermani bre babë, e unë ia ktheja, se Gjermaninë e kemi krah të fortë, se ai është mik i Amerikës.
Që të gjithë sa ishim në odën e burrave, më 24 mars, ditë e mërkurë, ditë e thatë e fillim pranverës, dolëm jashtë të shikonim qiellin e kaltër, nëse do të mund t’i shihnim aeroplanët bombardues të NATO-s. Sidomos Baba Lushë, axha im më i madhi, ishte kureshtar nëse luftës sonë të drejtë, pos Amerikës do t’i bashkoheshin edhe shtetet Evropiane, sidomos Gjermania, sepse ai në këtë shtet kishte besim të madh. Po, i thosha, unë, krahas Britanisë, do të jetë Gjermania po se po, por edhe Italia, Franca, Turqia…E në oborr, kishi dalë edhe fëmijët, Arbani, Vlora, Besarta, Pajtimi, Ardiani, Rrezarta…

Amerika, Gjermania, Anglia…NATO-shpëtimi i popullit shqiptar

E mërkura e 24 marsit 1999, ishte ditë e shumë pritshme, ditë e shenjtë për të gjithë shqiptarët, kudo që ishin, e sidomos për shqiptarët në Kosovë, ata që për së paku një dekadë, po përballeshin me metodat e ndryshme të dhunës sistematike të aparatit shtetëror serbo-sllav. Natën e 24 Marsit 1999, në mbrëmje pak pas orës 20:00, nisën sulmet kundër caqeve dhe makanizmit luftarak serb. Derisa Baba Lushë e Baba Malë, kishin emocione të përziera, edhe lot gëzimi e fëmijët sikur kremtonin fitoren, unë shkrepja aparatin filmik, për të bërë ndonjë foto nga lartësa e qiellit me shumë dritë.
Momenti i sulmeve të para të NATO-s, solli emocione dhe shpresë për një kthesë historike të luftës së drejtë të popullit shqiptar në Kosovë.
I pritshëm ishte padyshim edhe kundërveprimi i Serbisë. Këtë dro, sikur donin të ma thoshin edhe të dy pleqtë e familjes së Sefer Nuhi Mjekut, Baba Lushë dhe Baba Malë. Droja e baballarëve tanë kudo, ishte e arsyeshme, sepse katër ditë para fillimit të bombardimeve të NATO-s, nga Kosova ikën pothuaj që të gjithë misionarët e OSBE-së, ndërsa në Kosovë, paraprakisht patën ndodhur disa masakra të tmerrshme ndaj civilëve.
Kishte të drejtë Baba Lushë, për dronë e kundër veprimit të Milosheviqit ndaj popullatës civile shqiptare. Ai gëzimin e sulmeve ajrore të NATO-s ndaj caqeve serbe, e përjetoi vetëm 7 ditë, pasi atë dhe nunin e tij e tonin nunin Avdullah Uka, i vranë barbarët serb më 2 prill 1999, në malin jo larg fshatit Shkozë. I vranë dhe i masakruan barbarët, sepse Baba Lushë, kishte qëndrim burri e të një trimi me përjetime të shumta, por kurr i thyer. Ai, nuk e deshi ekzodin, ai nuk e pranoi as deportimin me dhunë të popullatës për në Shqipëri, Maqedoni e gjetiu jashtë Kosovës. Axha im, ndonëse kishte kaluar 82 vjet moshë, e donte shumë lirinë, donte ta përjetonte atë dhe Pavarësinë e Kosovës, po aq sa ne me moshë të mesme apo të rinjtë e fëmijët që s’dinin aq si do të ishte Liria e si Pavarësia.
Pra, Lufta e UÇK -së e viteve 1998-1999, sakrifica sublime e komandanti legjendar, Adem Jashari dhe e familjes Jashari, por ndihma e aleatëve, SHBA-ve, britanikëve, gjermanëve, francezëve, italianëve, turqëve etj., nga Evropa, ishte vendimtare që rezultoi me lirinë e popullit të Kosovës.

Fushata ajrore që solli çlirimin e Kosovës, dhe kapitullimin e ushtrisë jugosllave, ka zgjatur hiq më pak se 78 ditë. Ndërhyrja e NATO-s përmes bombardimeve nga ajri dhe shkelja e tokës së Kosovës nga trupat paqeruajtës të KFOR-it, nga 11 qershori 1999, ishte pothuaj i vetmi shpëtim për shqiptarët, kundrejt agresionit fashist serb.
Me këtë rast, uroj që në kuadër të shënimit të përvjetorit të Lirisë, FSK-ja, të shndërrohet në Ushtri e kompetenca adekuate, respektivisht në Forca të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).! Kjo, tashmë është domosdoshmëri, qoftë përmes projekt-ligjit, apo ndryshimeve kushtetuese. Kosova, është shtet i pavarur-sovran, dhe më nuk kemi kohë të presim e të mbetemi peng i tekeve, shantazheve dhe dëshirave të sëmura të “të zgjedhurve” të pakicës serbe!

Më Shumë

Policia shqiptoi 1765 gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 1765 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

Superliga vazhdon me përballje interesante, vëmendja te derbi lokal në Prizren

Fundjava sjell sfida interesante në ProCredit Superligën e Kosovës në basketboll, që sa vjen e bëhet më interesante. Takimi i parë do të zhvillohet ndërmjet...

Lajmet e Fundit